VEPRAT E APOSTUJVE
1 Tregimin e parë, o Theofil, e bëra për gjithë sa nisi Jisui edhe të bëjë edhe të mësojë,
2 deri në atë ditë që u mor lart në qiell, pasi u kishte dhënë urdhërime me anë të Frymës së Shenjtë apostujve që pati zgjedhur;
3 tek të cilët edhe e tregoi veten e tij të gjallë me shumë shenja pas pësimit të tij, duke iu shfaqur atyre dyzet ditë, e duke folur për punët e mbretërisë së Perëndisë.
4 Edhe duke ndenjur bashkë me ta i porositi të mos largohen nga Jerusalemi, por të presin premtimin e Atit “që e dëgjuat, u tha, prej meje.
5 sepse Joani pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymë të Shenjtë jo pas shumë ditësh”.
6 Ata pra, kur u mblodhën bashkë me të, e pyesnin duke thënë: Zot, vallë, në këtë kohë do të rivendosësh mbretërinë e Izraelit?
7 Edhe ai u tha atyre: Nuk është për ju të njihni kohët a motet, që Ati i ka vënë në pushtetin e vet.
8 Por do të merrni fuqi, kur të vijë Fryma e Shenjtë mbi ju; edhe do të më jeni dëshmitarë edhe në Jerusalem, edhe në gjithë Judenë, edhe në Samari, edhe deri në fund të dheut.
9 Edhe si tha këto, ndërsa ata po shihnin u ngrit lart, dhe një re e mori nga sytë e tyre.
10 Edhe ndërsa ata ishin duke vështruar në qiell, kur po shkonte ai, ja dy burra me rrobë të bardhë tek qëndruan pranë tyre,
11 të cilët edhe u thanë: O burra Galileas, pse rrini e vështroni në qiell? Ky, Jisui që u mor prej jush lart në qiell, do të vijë kështu, siç e patë atë duke shkuar në qiell.
12 Atëherë u kthyen në Jerusalem nga mali që quhet Ullishtë, i cili është afër Jerusalemit, dhe mban larg sa një rrugë të shtune.
13 Edhe kur hynë, u ngjitën në dhomën e sipërme, ku po rrinin edhe Pjetri dhe Jakovi, dhe Joani, dhe Andrea, Filipi dhe Thomai, Bartholomeu dhe Matheu, Jakovi i biri i Alfeut dhe Simon Zeloti, edhe Juda, i vëllai i Jakovit.
14 Këta të gjithë vazhdonin me ngulm me një mendje në falje e në lutje, bashkë me gratë, edhe me Marinë, të ëmën e Jisuit, edhe bashkë me të vëllezërit e tij.
15 Edhe në këto ditë si u ngrit Pjetri në mes të nxënësve, – edhe turma e të mbledhurve atje ishin rreth njëqind e njëzet veta, – edhe tha:
16 O burra vëllezër, duhej të përmbushej ky shkrim, të cilin e paratha Fryma e Shenjtë me anë të Davidit për Judën që u bë udhërrëfyes i atyre që zunë Jisuin,
17 sepse qe i numëruar bashkë me ne dhe pati marrë pjesën e kësaj shërbese.
18 Ky pra fitoi një arë nga paga e paudhësisë, edhe duke rënë përmbys plasi në mes, edhe iu derdhën gjithë të brendshmet.
19 Edhe kjo u bë e ditur tek të gjithë ata që rrinin në Jerusalem, kaq sa ajo arë u quajt në gjuhën e tyre Akeldama, që domethënë arë gjaku.
20 Sepse është shkruar në librin e Psalmeve: “U shkretoftë shtëpia e atij dhe mos ndenjtë njeri në të”; edhe: “Tjetër e marrtë shërbesën e tij”.
21 Pra nga burrat që na shoqëruan ne gjithë kohën, në të cilën Zoti Jisu hyri e doli te ne,
22 duke nisur që nga pagëzimi i Joanit e deri në atë ditë në të cilën u mor lart prej nesh, një nga këta duhet të bëhet dëshmitar bashkë me ne për ngjalljen e tij.
23 Edhe paraqitën dy veta, Josifin që quhej Barsaba, i cili u mbiquajt Just, edhe Matinë.
24 Edhe ata duke u lutur thanë: Ti, o Zot, zemërnjohës i të gjithëve, trego një nga këta të dy, atë që ke zgjedhur,
25 që të marrë pjesën e kësaj shërbese e apostolie, prej së cilës u largua Juda, që të shkojë në vendin e tij.
26 Edhe u dhanë atyre shorte; edhe shorti i ra Matisë, edhe u numërua bashkë me të njëmbëdhjetë apostujt.
1 Edhe kur erdhi dita e Pendikostisë, ishin të gjithë me një zemër, në të njëjtin vend.
2 Edhe papritur u bë një oshtimë nga qielli si e një ere që fryn me fuqi, edhe mbushi gjithë shtëpinë ku ishin duke ndenjur.
3 Edhe u dukën mbi ta gjuhë porsi prej zjarri që ndaheshin, edhe ndenjën mbi gjithsecilin prej tyre.
4 Edhe u mbushën të gjithë me Frymë të Shenjtë, e zunë të flisnin me gjuhë të tjera, sikundër Fryma u jepte të flisnin.
5 Edhe po rrinin në Jerusalem Judenj, burra me frikë Perëndie prej çdo kombi nën qiell.
6 Edhe kur u bë ky zë, u mblodh turma dhe u turbullua; sepse gjithsecili i dëgjonte ata duke folur në gjuhën e tij.
7 Edhe të gjithë habiteshin e çuditeshin, duke i thënë njëri-tjetrit: Ja, a nuk janë Galileas të gjithë këta që flasin?
8 Edhe si gjithsecili nga ne dëgjojnë në gjuhën tonë, në të cilën kemi lindur?
9 Partë e Medë e Elamitë, edhe ata që rrinë në Mesopotami e në Jude e në Kapadoki, në Pont e në Azi,
10 në Frigji e në Pamfili, në Egjipt e në anët e Libisë pranë Kirenës, edhe të ardhurit nga Roma, Judenj e prozelitë,
11 Kretas e Arabë, i dëgjojmë ata duke folur në gjuhët tona madhëritë e Perëndisë.
12 Edhe të gjithë mahniteshin dhe vrisnin mendjen duke i thënë njëri-tjetrit: Vallë, ç’të jetë kjo?
13 Edhe të tjerë duke i përqeshur thoshin se janë mbushur me verë të ëmbël.
14 Po Pjetri qëndroi bashkë me të njëmbëdhjetët, edhe ngriti zërin e tij edhe u ligjëroi atyre: O burra Judenj dhe gjithë sa rrini në Jerusalem, le të jetë e ditur kjo ndër ju, e vëruni veshin fjalëve të mia.
15 Sepse këta nuk janë të dehur, siç pandehni ju; sepse tani është ora e tretë e ditës.
16 Po kjo është ajo që është thënë me anë të profetit Joel:
17 “Edhe në ditën e fundit, thotë Perëndia, do të derdh nga Fryma ime mbi çdo mish; edhe do të profetizojnë bijtë tuaj dhe bijat tuaja, edhe djemtë tuaj do të shohin vegime, edhe pleqtë tuaj do të ëndërrojnë ëndrra.
18 Edhe mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia në ato ditë do të derdh nga Fryma ime; edhe do të profetizojnë.
19 Edhe do të bëj çudira lart në qiell dhe shenja poshtë mbi dhé, gjak e zjarr e avull tymi.
20 Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, para se të vijë e madhja dhe e shquara ditë e Zotit.
21 Edhe kushdo që të thërresë në emrin e Zotit, do të shpëtojë”.
22 O burra izraelitë, pa dëgjoni këto fjalë: Jisu Nazaretasin, një njeri të dëshmuar te ju nga Perëndia me fuqi e me çudira, e me shenja, të cilat i bëri Perëndia me anë të tij në mes tuaj, siç e dini dhe vetë,
23 këtë që ju qe dhënë sipas qëllimit të caktuar dhe sipas paranjohjes së Perëndisë, ju e zutë dhe me duar paudhësie e gozhduat dhe e vratë.
24 Këtë Perëndia e ngjalli, pasi zgjidhi dhimbjet e forta të vdekjes, se nuk mund të mbahej ai prej saj.
25 Sepse Davidi thotë për të: “Shihja Zotin përpara meje gjithnjë, sepse është nga e djathta ime, që të mos tundem.
26 Prandaj u gëzua zemra ime, dhe gjuha ime u ngazëllua; por edhe mishi im do të prehet me shpresë.
27 Sepse nuk do të braktisësh shpirtin tim në had, as do të lësh shenjtin tënd të shohë prishje.
28 Më tregove udhë jete; do të më mbushësh me gëzim me fytyrën tënde”.
29 O burra vëllezër, mund t’ju them me guxim për kryeatin David, se ai edhe vdiq edhe u varros, dhe varri i tij është te ne deri në këtë ditë.
30 Po duke qenë profet, dhe duke ditur se Perëndia me betim i premtoi se nga fryti i mesit të tij, do të ngjallë Krishtin, sipas mishit, që ta ulë në fronin e tij,
31 e pa që më përpara dhe foli për ngjalljen e Krishtit, se shpirti i tij nuk u la në had, as mishi i tij nuk pa prishje.
32 Perëndia e ngjalli këtë Jisu, për të cilin ne të gjithë jemi dëshmitarë.
33 Si u ngrit pra lart me të djathtën e Perëndisë dhe mori nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, derdhi këtë që ju tani shihni e dëgjoni.
34 Sepse Davidi nuk u ngjit në qiejt; po ai thotë: “I tha Zoti Zotit tim: Rri në të djathtën time,
35 derisa të vë armiqtë e tu nënkëmbëse të këmbëve të tua”.
36 Le ta dijë pra fort mirë gjithë shtëpia e Izraelit se këtë Jisuin, të cilin ju e kryqëzuat, Perëndia e bëri Zot dhe Krisht.
37 Edhe si dëgjuan këto, u mallëngjyen në zemër dhe i thanë Pjetrit e apostujve të tjerë: Ç’të bëjmë, o burra e vëllezër?
38 Atëherë Pjetri u tha atyre: Pendohuni, edhe gjithsecili prej jush le të pagëzohet në emrin e Jisu Krishtit, për ndjesën e mëkateve; edhe do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë.
39 Sepse premtimi është mbi ju dhe mbi bijtë tuaj dhe mbi të gjithë ata që janë larg, sa ka për të thirrur Zoti Perëndia ynë.
40 Edhe me shumë fjalë të tjera dëshmonte dhe i nxiste ata, duke thënë: Shpëtoni nga ky brez i shtrembër.
41 Ata pra që pritën me gëzim fjalën e tij u pagëzuan; edhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë shpirt.
42 Edhe ata qëndronin me përkushtim në mësimin e apostujve dhe në shoqëri dhe në thyerjen e bukës e në lutje.
43 Edhe çdo shpirti i hyri frikë; edhe shumë çudira e shenja bëheshin me anë të apostujve.
44 Edhe të gjithë ata që besonin ishin bashkë, edhe të gjitha i kishin të përbashkëta.
45 Edhe shisnin pronat e pasuritë, e ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës që kishte secili.
46 Edhe përditë të përkushtuar dhe me një zemër në tempull, thyenin bukë shtëpi më shtëpi dhe hanin me gëzim e me kthjelltësi zemre,
47 duke himnuar Perëndinë e duke pasur hir përpara gjithë popullit. Dhe Zoti shtonte përditë në kishë ata që shpëtonin.
1 Edhe Pjetri e Joani po ngjiteshin bashkë në tempull për lutjen e orës së nëntë.
2 Edhe po sillnin një njeri, që ishte i çalë që nga barku i së ëmës. Këtë e vinin përditë në derën e tempullit që quhej dera e Bukur, që të lypte lëmoshë nga ata që hynin në tempull.
3 Ky, kur pa Pjetrin dhe Joanin se do të hynin në tempull, lypte të merrte lëmoshë nga ata.
4 Po Pjetri bashkë me Joanin hodhi sytë mbi të e tha: Shiko në ne.
5 Edhe ai i shikonte ata me vëmendje, duke shpresuar të marrë gjësendi nga ata.
6 Atëherë Pjetri tha: Argjend dhe ar nuk kam; po atë që kam, këtë ta jap. Në emrin e Jisu Krisht Nazaretasit, ngrihu dhe ec.
7 Edhe si e kapi atë prej dorës së djathtë e ngriti; edhe përnjëherë iu forcuan tabanët e nyjat e këmbëve;
8 Edhe duke kërcyer përpjetë qëndroi më këmbë dhe ecte; edhe hyri bashkë me ata në tempull, duke ecur e duke kërcyer e duke lavdëruar Perëndinë.
9 Edhe gjithë populli e pa atë duke ecur e duke lavdëruar Perëndinë.
10 Edhe e njihnin atë, se ky ishte ai që rrinte në derën e Bukur të tempullit për lëmoshë; edhe u mbushën me çudi e me habi për këtë punë që i ngjau atij.
11 Edhe ndërsa i çali që u shërua mbahej pas Pjetrit dhe Joanit, gjithë populli, i habitur shumë, rendi bashkë drejt tyre në portikun që quhet i Solomonit.
12 Edhe Pjetri kur pa, iu përgjigj popullit: O burra Izraelitë, pse çuditeni për këtë? Dhe pse na vështroni ngultas, sikur ne me fuqinë ose me besëtarinë tonë e kemi bërë këtë njeri të ecë?
13 Perëndia i Abrahamit dhe i Isakut dhe i Jakovit, Perëndia i etërve tanë, lavdëroi Birin e tij Jisu, të cilin ju e dorëzuat, edhe e mohuat përpara Pilatit, ndonëse ai e pa të udhës ta lëshonte.
14 Po ju e mohuat Shenjtin dhe të Drejtin, edhe kërkuat t’ju jepet juve një burrë vrasës.
15 Edhe vratë kreun e jetës, që Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, të cilit ne i jemi dëshmitarë.
16 Edhe me anë të besimit në emrin e tij, këtë që shihni dhe e njihni, emri i tij e forcoi, edhe besimi që është me anë të tij i dha këtij shëndet të plotë përpara gjithë jush.
17 Edhe tani, o vëllezër, e di se e bëtë nga padija, sikurse edhe të parët tuaj.
18 Po Perëndia sa paralajmëroi me anë të gojës së gjithë profetëve të tij, se Krishti kishte për të pësuar, i përmbushi kështu.
19 Pendohuni pra dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja,
20 që të vijnë kohë prehjeje prej faqes së Zotit, edhe të dërgojë Jisu Krishtin, që ju është predikuar juve që përpara;
21 të cilin duhet ta mbajë qielli deri në kohët e rivendosjes së gjithë atyre gjërave që foli Perëndia që në fillim të jetës me anë të gojës së gjithë shenjtorëve të tij profetë.
22 Sepse Moisiu u tha etërve “Se Zoti Perëndia do të ngrejë ndër ju nga vëllezërit tuaj një profet si unë; atë dëgjoni për të gjitha ato që t’ju flasë juve.
23 Edhe çdo shpirt që nuk do të dëgjojë atë profet, do të shuhet nga populli”.
24 Edhe gjithë profetët sa folën që nga Samueli e këtej lajmëruan edhe për këto ditë.
25 Ju jeni bijtë e profetëve dhe të dhiatës që bëri Perëndia me etërit tanë, duke i thënë Abrahamit: “Edhe në farën tënde do të bekohen gjithë fiset e dheut.”
26 Te ju më parë Perëndia, pasi e ngjalli Birin e tij Jisu, e dërgoi që t’ju bekojë ju, duke e kthyer gjithëscilin prej jush nga ligësitë tuaja.
1 Edhe ndërsa ata ishin duke i folur popullit, ia behën mbi ta priftërinjtë dhe kryeroja i tempullit e Saduqenjtë,
2 shumë të shqetësuar, sepse mësonin popullin dhe shpallnin ngjalljen prej së vdekurish me anë të Jisuit,
3 edhe vunë duart mbi ata, edhe i vunë nën ruajtje deri të nesërmen; sepse tashmë ishte ndaj të ngrysur.
4 Edhe shumë nga ata që dëgjuan fjalën besuan; edhe u bë numri i njerëzve rreth pesë mijë.
5 Edhe të nesërmen u mblodhën në Jerusalem të parët e tyre dhe pleqtë e shkruesit,
6 edhe Ana kryeprifti e Kaiafa e Joani e Aleksandri, edhe gjithë sa ishin prej fare kryepriftërore.
7 Edhe si i vunë ata në mes, i pyesnin: Me çfarë fuqie e në emër të kujt e bëtë ju këtë?
8 Atëherë Pjetri u mbush me Frymë të Shenjtë, e u tha atyre: O të parë të popullit dhe pleq të Izraelit,
9 në qoftë se ne pyetemi sot për një vepër të mirë që u bë mbi një njeri të sëmurë, me çfarë u shërua ky,
10 le të jetë e ditur për gjithë ju dhe për gjithë popullin e Izraelit, se në emrin e Jisu Krisht Nazaretasit, të cilin ju e kryqëzuat, po të cilin Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, me anë të këtij qëndron ky tani përpara jush i shëndoshë.
11 Ky është guri që s’u përfill prej jush që ndërtoni, i cili u bë kreu i qoshes.
12 Edhe nuk ka shpëtim me anë të asnjë tjetri; sepse nuk ka tjetër emër nën qiell që t’u jetë dhënë njerëzve, me anë të të cilit duhet të shpëtojmë.
13 Edhe duke vështruar guximin e Pjetrit e të Joanit, edhe duke kuptuar, se ishin njerëz të pashkollë e të zakonshëm, çuditeshin, po i njihnin se kishin qenë bashkë me Jisuin.
14 Edhe si shihnin njeriun e shëruar duke ndenjur bashkë me ata, s’kishin se ç’të thoshin kundër.
15 Atëherë i urdhëruan ata të dalin jashtë këshillit, dhe dhanë e morën në mes tyre,
16 duke thënë: ç’t’u bëjmë këtyre njerëzve? Sepse një çudi e njohur u bë me anë të tyre, kjo është e dukshme për të gjithë ata që rrinë në Jerusalem, edhe nuk mund ta mohojmë.
17 Po që të mos përhapet më tepër në mes të popullit, le t’i kërcënojmë fort, që asnjë njeriu të mos i flasin më për këtë emër.
18 Edhe i thërritën e i porositën të mos flasin fare, as të mos mësojnë në emrin e Jisuit.
19 Po Pjetri e Joani iu përgjigjën atyre, e u thanë: Në është e udhës përpara Perëndisë tonë t’ju dëgjojmë ju më tepër se Perëndinë, gjykoni.
20 Sepse ne nuk mund të mos flasim për sa pamë e dëgjuam.
21 Edhe ata, si i kërcënuan përsëri, i lëshuan, sepse nuk gjenin se si t’i ndëshkonin ata, për shkak të popullit, sepse të gjithë lavdëronin Perëndinë për atë që u bë.
22 Sepse njeriu, tek i cili u bë kjo çudi e shërimit, ishte më tepër se dyzet vjeç.
23 Edhe si u lëshuan, erdhën tek të tyret, dhe njoftuan për gjithë sa u thanë atyre kryepriftërinjtë dhe pleqtë.
24 Edhe ata kur dëgjuan, me një mendje ngritën zërin te Perëndia, dhe thanë: O Zot, ti je Perëndia, që bëre qiellin dhe tokën dhe detin, dhe gjithë sa janë në to;
25 ti që ke thënë me anë të gojës së shërbëtorit tënd David: “Përse shfrynë kombet dhe popujt menduan kotësira?
26 Mbretërit e dheut u rreshtuan përpara dhe prijësit u mblodhën bashkë kundër Zotit, edhe kundër Krishtit të tij”,
27 sepse me të vërtetë u mblodhën kundër birit tënd të shenjtë Jisu, të cilin e leve me vaj, edhe Herodi, edhe Ponti Pilat bashkë me kombet e me popujt e Izraelit,
28 që të bëjnë gjithë sa dora jote dhe këshilla jote paracaktoi të bëhen,
29 dhe tani, o Zot, vështro në kërcënimet e tyre ndaj nesh, dhe jepu shërbëtorëve të tu të flasin fjalën tënde me çdo guxim,
30 duke zgjatur dorën tënde për shërim e që të bëhen shenja e çudira në emër të birit tënd të shenjtë Jisu.
31 Edhe si u lutën ata, u tund vendi ku ishin mbledhur, edhe u mbushën që të gjithë me Frymë të Shenjtë, edhe flisnin fjalën e Perëndisë me guxim.
32 Edhe numri i madh i atyre që kishin besuar ishte me një zemër dhe me një shpirt; edhe askush nuk thoshte për ndonjë gjë nga pasuritë e tij se është e vetja, po të gjitha i kishin të përbashkëta.
33 Edhe me fuqi të madhe apostujt jepnin dëshminë e ngjalljes së Zotit Jisu; edhe hir i madh ishte mbi të gjithë ata.
34 Sepse asnjë në mes tyre nuk ishte në nevojë; sepse gjithë sa zotëronin toka a shtëpi, i shisnin dhe sillnin vlerën e atyre që shisnin,
35 edhe i vinin në këmbët e apostujve; edhe i jepej gjithsecilit sipas nevojës që të kishte.
36 Edhe Josiu, i cili prej apostujve u mbiquajt Barnaba, që e përkthyer domethënë Bir Ngushëllimi, i cili ishte Levit qipriot nga prejardhja,
37 shiti një arë që kishte dhe pruri paratë e i vuri në këmbët e apostujve.
1 Po një burrë që e kishte emrin Anania, bashkë me gruan e tij Safira, shiti një pronë;
2 edhe mbajti nga vlera, duke e ditur edhe gruaja e tij; edhe pruri një pjesë nga paratë, edhe e vuri në këmbët e apostujve.
3 Po Pjetri tha: Anania, përse mbushi satanai zemrën tënde që të gënjesh Frymën e Shenjtë dhe të mbash nga vlera e arës?
4 Nëse mbetej e pashitur, a nuk ishte jotja? Edhe si u shit, a nuk ishte në zotërimin tënd? Përse e vure në zemër këtë punë? Nuk gënjeve njerëz, po Perëndinë.
5 Edhe Anania, duke dëgjuar këto fjalë, ra përdhe e dha shpirt, edhe u hyri frikë e madhe të gjithë atyre që i dëgjuan këto.
6 Edhe më të rinjtë u ngritën, edhe e mbështollën dhe e nxorën jashtë, edhe e varrosën.
7 Edhe si shkuan rreth tri orë, hyri edhe gruaja e tij pa ditur se ç’kishte ndodhur.
8 Edhe Pjetri i tha asaj: Thuamë, nëse për kaq e shitët tokën? Edhe ajo tha: Po, për kaq.
9 Atëherë Pjetri i tha asaj: Përse lidhët fjalë të ngisni Frymën e Zotit? Ja në derë janë këmbët e atyre që varrosën burrin tënd, edhe do të të nxjerrin jashtë edhe ty.
10 Edhe menjëherë ajo ra pranë këmbëve të tij, e dha shpirt; edhe të rinjtë, kur hynë, e gjetën të vdekur, edhe si e nxorën jashtë, e varrosën pranë burrit të saj.
11 Edhe i hyri frikë e madhe gjithë kishës, edhe gjithë atyre që i dëgjonin këto.
12 Edhe me anë të duarve të apostujve bëheshin shumë shenja e çudira në mes të popullit; edhe ishin me një zemër të gjithë në portikun e Solomonit.
13 Edhe nga të tjerët asnjë s’guxonte të bashkohej me ta; por populli i madhëronte ata.
14 Edhe shtoheshin më shumë duke besuar në Zotin turma burrash e grash;
15 aq sa nxirrnin jashtë nëpër rrugë të sëmurët, edhe i vinin mbi shtresa e mbi shtretër, që kur të shkonte Pjetri të paktën hija e tij të zinte ndonjë nga ata.
16 Edhe mblidheshin në Jerusalem të gjitha qytetet përrreth, edhe sillnin të sëmurët edhe ata që ngiteshin prej frymësh të ndyra, të cilët shëroheshin të gjithë.
17 Atëherë u ngrit kryeprifti dhe gjithë ata që ishin bashkë me të, të cilët ishin sekt i Saduqenjve, edhe u mbushën me smirë;
18 edhe vunë duart e tyre mbi apostujt, edhe i vunë në burgun publik.
19 Po një engjëll i Zotit natën hapi dyert e burgut, edhe si i nxori jashtë, tha:
20 Shkoni, edhe rrini e i flisni popullit në tempull gjithë fjalët e kësaj jete.
21 Edhe si dëgjuan, hynë në tempull ndaj të gdhirë, edhe mësonin. Po kur erdhi kryeprifti dhe ata që ishin bashkë me të, thirrën kuvendin dhe gjithë pleqësinë e bijve të Izraelit, edhe dërguan në burg, që t’i sillnin ata.
22 Po shërbëtorët, kur shkuan, nuk i gjetën ata në burg; edhe u kthyen e i njoftuan
23 duke thënë se burgun e gjetëm të mbyllur me çdo siguri, edhe rojat duke ndenjur jashtë përpara dyerve; po kur e hapëm, brenda nuk gjetëm asnjeri.
24 Edhe kur dëgjuan këto fjalë edhe kryeprifti i vitit, edhe kryeroja i tempullit dhe kryepriftërinjtë, vrisnin mendjen për ta se si do t’i bëhet kësaj pune.
25 Atëherë erdhi një njeri e i lajmëroi ata, se ata burra që vutë në burg ja tek janë duke qëndruar në tempull e po mësojnë popullin.
26 Atëherë shkoi kryeroja bashkë me shërbëtorët e i pruri, por jo me dhunë, se kishin frikë nga populli se mos i vrasë me gurë.
27 Edhe si i prunë, i nxorën përpara këshillit; dhe kryeprifti i pyeti ata,
28 duke thënë: A nuk ju porositëm rreptësisht të mos mësoni në këtë emër? Dhe ja tek mbushët Jerusalemin me mësimin tuaj, edhe doni të hidhni mbi ne gjakun e këtij njeriu.
29 Atëherë Pjetri dhe apostujt u përgjigjën e thanë: Duhet t’i bindemi Perëndisë më tepër se njerëzve.
30 Perëndia i etërve tanë ngjalli Jisuin, të cilin ju, si e varët mbi dru, e vratë.
31 Këtë Perëndia e lartësoi me anë të së djathtës së tij, si prijës dhe shpëtimtar, që t’i japë pendim Izraelit dhe ndjesë mëkatesh.
32 Edhe ne jemi dëshmitarët e atij për këto fjalë, si edhe Fryma e Shenjtë, të cilin Perëndia ua dha atyre që i binden atij.
33 Edhe ata kur dëgjuan u tërbuan, edhe u morën vesh t’i vrasin.
34 Atëherë u ngrit në kuvend një Farise, që quhej Gamaliel, mësues i ligjit, edhe i nderuar nga i gjithë populli, edhe urdhëroi t’i nxjerrin jashtë apostujt për një copë herë.
35 Edhe u tha atyre: O burra Izraelitë, kujdes se ç‘keni ndër mend t’u bëni këtyre njerëzve.
36 Sepse para pak kohësh u ngrit Tevdau, duke thënë për veten e tij se është dikushi, edhe iu ngjitën pas rreth katërqind burra; ai u vra dhe gjithë sa i bindeshin atij u shpërndanë; edhe u bënë për asgjë.
37 Pas këtij u ngrit Juda Galileasi, në ditët e regjistrimit të popullsisë, edhe tërhoqi pas vetes mjaft popull; edhe ai humbi, edhe gjithë sa iu bindën atij u shpërndanë.
38 Edhe tani po ju them juve, rrini larg nga këta njerëz, edhe lërini; sepse nëse kjo është mendim apo veprim prej njerëzish, do të prishet;
39 po në është nga Perëndia, nuk mund ta prishni atë; dhe kujdes se mos gjendeni në luftë edhe me Perëndinë.
40 Edhe ata iu bindën atij; edhe si thërritën apostujt, i rrahën e i urdhëruan të mos flasin në emrin e Jisuit, edhe i lëshuan.
41 Ata pra ikën duke u gëzuar nga faqja e kuvendit, se u bënë të denjë të çnderohen për emrin e atij.
42 Edhe përditë në tempull e nëpër shtëpi nuk pushonin duke mësuar e duke dhënë lajmin e mirë për Jisu Krishtin.
1 Edhe në ato ditë kur po shumoheshin nxënësit, u bë një ankim prej Greqishtarëve kundër Hebrenjve, se të vejat e tyre po liheshin pas dore në shërbimin e përditshëm.
2 Atëherë të dymbëdhjetët thërritën grupin e nxënësve, e thanë: Nuk është e pëlqyeshme për ne të lëmë fjalën e Perëndisë, e të shërbejmë nëpër tryezat.
3 Mendohuni pra, o vëllezër, e zgjidhni prej jush shtatë burra me dëshmi të mirë e të mbushur me Frymë të Shenjtë e me urtësi, të cilët t’i vëmë në këtë punë.
4 Kurse ne do të qëndrojmë në falje e në shërbesën e fjalës.
5 Edhe kjo fjalë u pëlqye përpara të gjithë grupit; dhe zgjodhën Stefanin, burrë plot me besim e me Frymë të Shenjtë, edhe Filipin e Prohorin e Nikanorin e Timonin e Parmenain, edhe Nikollën që ishte prozelit nga Antiokia;
6 të cilët i vunë përpara apostujve; edhe pasi u lutën, vunë duart mbi ta.
7 Edhe fjala e Perëndisë shtohej, edhe numri i nxënësve shumohej fort në Jerusalem; edhe një shumicë e madhe nga priftërinjtë dëgjonin besimin.
8 Edhe Stefani plot me besim e me fuqi, bënte çudira e shenja të mëdha në popull.
9 Po u ngritën disa nga sinagoga që quhet e Libertinëve, edhe e Kireneasve, edhe e Aleksandrinëve, edhe e atyre nga Kilikia e nga Azia, e diskutonin me Stefanin.
10 Edhe nuk mundnin të dilnin kundër urtësisë edhe Frymës, me të cilin fliste.
11 Atëherë vunë njerëz të thonë se e dëgjuam duke folur fjalë blasfemie kundër Moisiut dhe Perëndisë.
12 Edhe ngritën në këmbë popullin e pleqtë e shkruesit, edhe duke u hedhur mbi atë e mbërthyen, edhe e prunë në kuvend.
13 Edhe nxorën përpara dëshmitarë të rremë, që thoshin: Ky njeri nuk pushon së foluri fjalë blasfemie kundër këtij vendi të shenjtë, edhe kundër ligjit.
14 Sepse e dëgjuam atë duke thënë se Jisu Nazaretasi do ta prishë këtë vend, edhe do të ndërrojë zakonet që na ka lënë Moisiu.
15 Edhe gjithë ata që rrinin në kuvend, kur hodhën sytë tek ai, panë fytyrën e tij si fytyrë engjëlli.
1 Atëherë kryeprifti tha: Vallë, a janë këto kështu?
2 Edhe ai tha: O burra vëllezër dhe etër, pa dëgjoni. Perëndia i lavdisë iu shfaq atit tonë Abrahamit, kur ishte në Mesopotami, para se të banonte në Haran,
3 edhe i tha: “Dil prej dheut tënd e prej farefisit tënd, edhe eja në atë dhé që do të të tregoj ty”.
4 Atëherë ai doli nga dheu i Kaldenjve dhe shkoi e banoi në Haran. Edhe që andej, pas vdekjes së të atit, e pruri të banojë në këtë dhé, në të cilin banoni ju tani.
5 Edhe nuk i dha atij trashëgim në të as një këmbë dhé; po i premtoi se do t’ia japë për zotërim atij, edhe farës së tij pas atij, ndonëse s’kishte ende fëmijë.
6 Perëndia foli kështu, “Se fara e atij do të shkojë e të banojë për një kohë në dhé të huaj, edhe do ta bëjnë rob dhe do ta mundojnë katërqind vjet.
7 Edhe kombin, tek i cili do të jenë robër do ta gjykoj unë, tha Perëndia; edhe pastaj do të dalin e do të më adhurojnë në këtë vend”.
8 Edhe i dha atij dhiatën e rrethprerjes; edhe kështu i lindi Isaaku, edhe e rrethpreu në të tetën ditë; edhe Isaakut i lindi Jakovi, edhe Jakovit të dymbëdhjetë kryeetërit.
9 Edhe kryeetërit, pasi e kishin smirë Josifin, e shitën në Egjipt. Po Perëndia ishte bashkë me të,
10 edhe e shpëtoi nga gjithë shtrëngimet e tij, edhe i dha hir e dituri përpara Faraonit, mbretit të Egjiptit, i cili e vuri atë të parë përmbi Egjiptin dhe përmbi gjithë shtëpinë e tij.
11 Edhe u bë një zi në gjithë dhenë e Egjiptit e të Kanaanit, edhe një shtrëngim i madh; edhe etërit tanë nuk gjenin ç’të hanin.
12 Po Jakovi kur dëgjoi se kishte grurë në Egjipt, dërgoi të parën herë etërit tanë.
13 Edhe të dytën herë Josifi u njoh nga të vëllezërit e tij, edhe iu bë e shfaqur Faraonit fara e Josifit.
14 Edhe Josifi dërgoi e thërriti të atin e tij, Jakovin, edhe gjithë njerëzit e tij, shtatëdhjetë e pesë shpirt.
15 Edhe zbriti Jakovi në Egjipt, dhe vdiq ai dhe etërit tanë.
16 Edhe u prunë në Sikem dhe u vunë në atë varr që pati blerë Abrahami me çmim argjendi prej bijve të Emorit, të atit të Sikemit.
17 Po kur u afrua koha e premtimit për të cilin i qe betuar Perëndia Abrahamit, u shtua populli dhe u shumua në Egjipt,
18 derisa u ngrit një tjetër mbret, i cili nuk e njihte Josifin.
19 Ky, duke përdorur dinakëri kundër kombit tonë, i mundoi etërit tanë, kaq sa të hedhin foshnjat e tyre, që të mos mbeten të gjallë.
20 Në këtë kohë lindi Moisiu dhe kishte bukuri Perëndie; i cili u ushqye tre muaj në shtëpinë e të atit.
21 Edhe kur u hodh, e mori atë e bija e Faraonit dhe e rriti për bir të saj.
22 Edhe Moisiu u mësua në gjithë dituritë e Egjiptianëve, edhe ishte i fortë në fjalë e në vepra.
23 Edhe kur po mbushte dyzet vjeç, i erdhi në zemër të shkojë e të shohë vëllezërit e tij, të bijtë e Izraelit.
24 Edhe kur pa një që po i bëhej keq, e mbrojti, edhe mori shpagim për atë që mundohej, duke vrarë Egjiptianin.
25 Edhe pandehte se vëllezërit e tij do të kuptonin se Perëndia u jep atyre shpëtim me anë të dorës së tij; po ata nuk kuptuan.
26 Edhe ditën tjetër u duk tek ata kur po ziheshin, edhe i nxiti në pajtim, duke thënë: O burra, ju jeni vëllezër; pse i bëni keq njëri-tjetrit?
27 Po ai që i bënte keq të afërmit e shtyu dhe tha: Cili të vuri të parë dhe gjykatës mbi ne?
28 Mos do ti të më vrasësh, siç vrave dje Egjiptianin?
29 Atëherë Moisiu iku për këtë fjalë, edhe ndenji i huaj në dheun Madiam, ku i lindën dy bij.
30 Edhe pasi u mbushën dyzet vjet, iu shfaq atij në shkretëtirën e malit Sina një engjëll i Zotit në flakën e zjarrit të një ferre.
31 Edhe Moisiu kur e pa, u çudit për pamjen; edhe tek afrohej që të vështrojë, erdhi zë prej Zotit tek ai:
32 “Unë jam Perëndia i etërve të tu, Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Isaakut dhe Perëndia i Jakovit”. Edhe Moisiu u tremb e s’guxonte të vështrojë.
33 Atëherë Zoti i tha: “Zgjidh sandalet e këmbëve të tua, sepse vendi, përmbi të cilin ke ndenjur, është i shenjtë.
34 Pashë, pashë mundimin e popullit tim në Egjipt, edhe dëgjova rënkimin e tyre, edhe zbrita që t’i shpëtoj; edhe tani eja, do të të dërgoj në Egjipt”.
35 Këtë Moisi që e mohuan, duke thënë: Cili të vuri të parë dhe gjykatës? Këtë Perëndia e dërgoi të parë dhe shpërblimtar me anë të dorës së engjëllit që iu shfaq atij në ferrë.
36 Ky i nxori ata, pasi bëri çudira e shenja në dheun e Egjiptit e në Detin e Kuq dhe në shkretëtirë dyzet vjet.
37 Ky është Moisiu që u tha bijve të Izraelit: “Zoti Perëndia juaj do t’ju ngrejë ju prej vëllezërve tuaj një profet si unë; atë të dëgjoni”.
38 Ky është ai që qe në bashkëmbledhjen në shkretëtirë me engjëllin, që i fliste atij në malin Sina, edhe me etërit tanë, i cili priti fjalë të gjalla, për të na i dhënë neve.
39 Etërit tanë nuk deshën ta dëgjojnë, po e hodhën tej, edhe me zemrat e tyre u kthyen në Egjipt,
40 duke i thënë Aronit: “Bëna perëndi, të cilët të ecin përpara nesh; sepse këtij Moisiut, që na nxori nga dheu i Egjiptit, nuk dimë se ç’i ngjau”.
41 Edhe bënë një viç në ato ditë, edhe i prunë theror idhullit, edhe gëzoheshin për punët e duarve të tyre.
42 Atëherë Perëndia u kthye dhe i la të adhurojnë ushtrinë e qiellit, siç është shkruar në librin e profetëve: “Mos më prutë mua të therura dhe flijime në shkretëtirë dyzet vjet, o shtëpi e Izraelit?
43 Po ngritët lart tendën e Molokut dhe yllin e perëndisë suaj Remfan, shëmbëlltyrat që bëtë për t’ju falur atyre; prandaj do t’ju ngre e do t’ju çoj përtej Babilonës”.
44 Tenda e dëshmisë ishte ndër etërit tanë në shkretëtirë, siç urdhëroi ai që i fliste Moisiut, ta bëjë atë sipas shëmbëllesës që kishte parë.
45 Këtë e morën etërit tanë me vete dhe bashkë me Jisuin e Naviut e prunë në dheun e kombeve, të cilët Perëndia i përzuri prej faqes së etërve tanë, deri në ditët e Davidit,
46 i cili gjeti hir përpara Perëndisë, edhe kërkoi të gjejë banesë për Perëndinë e Jakovit.
47 Edhe Solomoni i ndërtoi atij shtëpi.
48 Po i Larti nuk rri në tempuj që bëhen me dorë, siç thotë profeti:
49 “Qielli është froni im, edhe dheu nënkëmbëse e këmbëve të mia; çfarë shtëpie do të ndërtoni për mua? thotë Zoti; ose cili është vendi i prehjes sime?
50 A nuk i ka bërë dora ime këto të gjitha?”
51 O zverkashpër dhe të parrethprerë në zemër e në veshë, ju gjithnjë i rrini kundër Frymës së Shenjtë; si etërit tuaj, kështu edhe ju.
52 Cilin nga profetët nuk përndoqën etërit tuaj? Po edhe i vranë ata që paralajmëruan për ardhjen e të Drejtit, të cilit ju tani iu bëtë tradhtarë e vrasës,
53 ju që morët ligjin prej porosive të engjëjve dhe nuk e ruajtët.
54 Edhe ata kur dëgjonin këto, u tërbuan në zemrat e tyre, edhe kërcëllonin dhëmbët kundër tij.
55 Po ai, që ishte plot me Frymë të Shenjtë, hodhi sytë në qiell, e pa lavdinë e Perëndisë, edhe Jisuin duke ndenjur nga e djathta e Perëndisë,
56 edhe tha: Ja tek po shoh qiejt të hapur dhe të Birin e njeriut duke ndenjur nga e djathta e Perëndisë.
57 Atëherë ata bërtitën me zë të madh, e zunë veshët e tyre, edhe me një mendje u vërsulën mbi të.
58 Edhe pasi e nxorën jashtë qytetit, e qëllonin me gurë. Dhe dëshmitarët lanë rrobat e tyre pranë këmbëve të një djaloshi që quhej Saul.
59 Edhe qëllonin Stefanin me gurë tek lutej e thoshte: O Zoti Jisu, prano shpirtin tim.
60 Edhe si u ul në gjunjë, thirri me zë të madh: O Zot, mos ua zër atyre këtë mëkat; edhe duke thënë këtë fjeti.
1 Edhe Sauli e miratonte vrasjen e tij. Edhe atë ditë u bë një përndjekje e madhe kundër kishës që ishte në Jerusalem. Edhe të gjithë u shpërndanë nëpër vendet e Judesë e të Samarisë, përveç apostujve.
2 Edhe disa burra besëtarë e ngritën Stefanin, edhe bënë vajtim të madh mbi të.
3 Edhe Sauli kryente bastisje ndaj kishës, duke hyrë nëpër shtëpitë, e duke hequr zvarrë burra e gra i hidhte në burg.
4 Ata pra që u shpërndanë përshkuan vendin, duke ungjillëzuar fjalën.
5 Edhe Filipi zbriti në qytetin e Samarisë e u predikonte atyre Krishtin.
6 Edhe turmat me një zemër u vinin veshin atyre që thoshte Filipi, sepse dëgjonin e shihnin çuditë që bënte.
7 Sepse prej shumë vetash që kishin frymë të ndyra dilnin këto duke thërritur me zë të madh; edhe shumë të paralizuar e të çalë u shëruan.
8 Edhe u bë gëzim i madh në atë qytet.
9 Edhe ishte prej kohësh në atë qytet një njeri që quhej Simon, i cili bënte magji dhe e linte pa mend popullin e Samarisë, duke thënë për veten e tij se është një njeri i madh,
10 të cilit të gjithë, i madh e i vogël, i vinin veshin, e thoshin: Ky është fuqia e madhe e Perëndisë.
11 Edhe i vinin veshin, sepse mjaft kohë i kishte lënë pa mend me magjitë.
12 Po kur i besuan Filipit që jepte lajmin e mirë për punët e mbretërisë së Perëndisë dhe për emrin e Jisu Krishtit, pagëzoheshin burra e gra.
13 Po edhe Simoni vetë besoi, edhe si u pagëzua, rrinte bashkë me Filipin, edhe duke parë se bëheshin çudira të mëdha mahnitej.
14 Edhe apostujt që ishin në Jerusalem, kur dëgjuan se Samaria e pranoi fjalën e Perëndisë, dërguan tek ata Pjetrin dhe Joanin,
15 të cilët zbritën e u lutën për ata, që të marrin Frymë të Shenjtë,
16 sepse ende s’kishte zbritur as mbi ndonjë nga ata, po vetëm ishin pagëzuar në emrin e Zotit Jisu.
17 Atëherë vinin duart mbi ata dhe merrnin Frymë të Shenjtë.
18 Edhe Simoni kur pa se me vënien e duarve të apostujve jepet Fryma e Shenjtë, u pruri atyre pará,
19 duke thënë: Jepmani dhe mua këtë pushtet, që mbi cilindo që të vë duart, të marrë Frymë të Shenjtë.
20 Po Pjetri i tha atij: Argjendi yt humbtë bashkë me ty, sepse pandehe se dhurata e Perëndisë fitohet me pará.
21 Ti s’ke pjesë as short në këtë fjalë; sepse zemra jote s’është e drejtë përpara Perëndisë.
22 Pendohu pra nga kjo ligësia jote, edhe lutju Perëndisë, mbase të ndjehet kjo shpikje e zemrës sate;
23 sepse po të shoh se je në vrer hidhërimi dhe në lidhje paudhësie.
24 Atëherë Simoni u përgjigj e tha: Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos vijë mbi mua asnjë nga ato që thatë.
25 Ata pra, pasi dhanë dëshmi dhe folën fjalën e Zotit, u kthyen në Jerusalem, edhe dhanë lajmin e mirë nëpër shumë fshatra të Samaritanëve.
26 Edhe një engjëll i Zotit i foli Filipit duke thënë: Ngrihu e shko nga jugu, në rrugën që zbret prej Jerusalemit në Gazë. Kjo është shkretëtirë.
27 Edhe ai u ngrit e shkoi. Edhe ja një njeri, Etiopian, eunuk, ofiqar i lartë i Kandakës, mbretëreshës së Etiopianëve, i cili ishte mbi gjithë thesaret e saj; ky kishte ardhur që të falet në Jerusalem.
28 Edhe në kthim, duke ndenjur mbi qerren e tij, po lexonte profetin Isaia.
29 Edhe Fryma i tha Filipit: Afrohu e ngjitju kësaj qerreje.
30 Edhe Filipi shkoi me vrap afër, e dëgjoi atë duke lexuar profetin Isaia, edhe tha: A i kupton vallë ato që lexon?
31 Edhe ai tha: E si mundem, në mos më udhëzoftë njeri? Edhe iu lut Filipit të hipë e të rrijë bashkë me të.
32 Edhe pjesa e shkrimit që po lexonte ishte kjo: “U pru si dele për therje, edhe si qengj pa zë përpara atij që e qeth, kështu nuk hap gojën e tij.
33 Në përuljen e tij u ngrit gjyqi i tij; edhe brezin e tij kush do ta tregojë? Sepse ngrihet prej dheut jeta e tij”.
34 Edhe eunuku u përgjigj e i tha Filipit: Të lutem, për cilin e thotë profeti këtë? Për veten e tij, apo për ndonjë tjetër?
35 Atëherë Filipi hapi gojën e tij, edhe duke u nisur nga ky shkrim i dha atij lajmin e mirë për Jisuin.
36 Edhe tek po ecnin udhës, erdhën pranë një uji; edhe eunuku thotë: Ja ujë, çfarë më ndalon të pagëzohem? Edhe Filipi i tha: Në beson me gjithë zemër, mundesh.
37 Edhe ai u përgjigj e tha: Besoj se Jisu Krishti është i Biri i Perëndisë.
38 Edhe urdhëroi të qëndrojë qerrja; edhe zbritën të dy në ujë, Filipi dhe eunuku; edhe e pagëzoi.
39 Edhe kur dolën nga uji, Fryma e Zotit rrëmbeu Filipin dhe eunuku s’e pa më, por shkonte udhës së tij duke u gëzuar.
40 Edhe Filipi u gjend në Azot, edhe duke shkuar jepte lajmin e mirë nëpër gjithë qytetet, derisa erdhi në Qesari.
1 Edhe Sauli, ende duke shfryrë kërcënime e vrasje kundër nxënësve të Zotit, erdhi te kryeprifti,
2 edhe kërkoi prej atij letra për sinagogat në Damask, që nëse gjen disa që janë të kësaj udhe, burra a gra, t’i sjellë lidhur në Jerusalem.
3 Edhe duke shkuar, tek afrohej në Damask, papandehur vetëtiu rreth tij një dritë prej qiellit.
4 Edhe ai si ra përdhe, dëgjoi një zë që i thoshte atij: Saul, Saul, pse më përndjek?
5 Edhe ai tha: Cili je ti, o Zot? Edhe Zoti tha: Unë jam Jisui që ti përndjek. Është keq për ty t’u biesh thumbave me shkelma.
6 Edhe ai duke u dridhur e duke u habitur tha: Zot, ç’do që të bëj unë? Edhe Zoti i tha: Ngrihu e hyr në qytet, edhe do të të thuhet ç’duhet të bësh.
7 Edhe burrat që udhëtonin bashkë me të, rrinin të habitur, sepse zërin e dëgjonin, po asnjë nuk shihnin.
8 Edhe Sauli u ngrit nga dheu, dhe ndonëse i kishte sytë të hapur, nuk shihte asnjë; edhe duke e hequr atë prej dore, e prunë në Damask.
9 Edhe tri ditë nuk shihte; edhe as hëngri, as piu.
10 Edhe ishte në Damask një nxënës që quhej Anania, edhe Zoti i tha në ëndërr: Anania. Edhe ai tha: Ja ku jam, Zot.
11 Edhe Zoti i tha: Ngrihu e shko në rrugën që quhet e Drejtë, edhe kërko në shtëpinë e Judës një Tarsiot që quhet Saul; sepse ja tek po lutet,
12 edhe ka parë në ëndërr një njeri që quhet Anania, se hyri dhe vuri dorën mbi të, që t’i vijnë sytë përsëri.
13 Atëherë Anania u përgjigj: Kam dëgjuar prej shumë vetash për këtë njeri, sa të këqija u bëri shenjtëve të tu në Jerusalem.
14 Edhe këtu ka pushtet nga kryepriftërinjtë të lidhë të gjithë ata që thërresin në emrin tënd.
15 Po Zoti i tha: Shko, se ky më është një enë e zgjedhur për të mbajtur emrin tim përpara kombeve e mbretërve, edhe bijve të Izraelit.
16 Sepse unë do t’i tregoj atij sa duhet të pësojë për emrin tim.
17 Edhe Anania shkoi e hyri në shtëpi; edhe si vuri duart mbi të, tha: Saul vëlla, Zoti më ka dërguar, Jisui që t’u shfaq udhës, kur ishe duke ardhur, që të të hapen sytë përsëri, edhe të mbushesh me Frymë të Shenjtë.
18 Edhe përnjëherë ranë nga sytë e tij diçka si luspa, edhe i erdhën sytë menjëherë; edhe u ngrit e u pagëzua.
19 Edhe si hëngri, mori fuqi. Edhe Sauli ndenji disa ditë bashkë me nxënësit që ishin në Damask.
20 Edhe menjëherë predikonte Jisuin nëpër sinagogat, se ky është i Biri i Perëndisë.
21 Edhe të gjithë ata që dëgjonin mahniteshin e thoshin: A nuk është ky ai që prishi në Jerusalem ata që thërrisnin në këtë emër, edhe këtu për këtë kishte ardhur, që t’i çojë ata lidhur te kryepriftërinjtë? 22 Po Sauli më tepër forcohej, edhe i turbullonte Judenjtë që rrinin në Damask, duke treguar se ky është Krishti.
23 Edhe si shkuan mjaft ditë, Judenjtë u morën vesh ta vrasin.
24 Po vendimi i tyre i ra në veshë Saulit; edhe ruanin dyert ditë e natë që ta vrisnin.
25 Atëherë nxënësit e morën natën, edhe e zbritën nga muri, duke e varur atë në një shportë.
26 Edhe Sauli, si erdhi në Jerusalem, përpiqej të bashkohej me nxënësit; po të gjithë kishin frikë prej tij, sepse nuk besonin se është nxënës.
27 Po Varnava e mori, edhe e pruri tek apostujt dhe u tregoi atyre si pa Zotin në udhë, edhe se i foli atij, edhe si në Damask fliste me guxim në emrin e Jisuit.
28 Edhe ishte duke hyrë e duke dalë bashkë me ata në Jerusalem, edhe duke folur me guxim në emrin e Zotit Jisu.
29 Edhe fliste e hahej me Greqishtarët; po ata kërkonin ta vrisnin.
30 Edhe vëllezërit kur e morën vesh, e zbritën në Qesari, edhe e dërguan në Tars.
31 Kishat pra nëpër gjithë Judenë e Galilenë e Samarinë kishin paqe, edhe ishin duke u ndërtuar e duke ecur me frikën e Zotit, edhe me anë të ngushëllimit të Frymës së Shenjtë shumoheshin.
32 Edhe Pjetri, duke shkuar nëpër gjithë ato vende, zbriti edhe te shenjtët që ishin në Lidë.
33 Edhe atje gjeti një njeri që e quanin Enea, i cili ishte i paralizuar e prej tetë vitesh i dergjur në shtrat.
34 Edhe Pjetri i tha: Enea, Jisu Krishti të shëron. Ngrihu dhe shtro shtratin tënd. Edhe ai përnjëherë u ngrit.
35 Edhe e panë atë gjithë ata që rrinin në Lidë e në Saron, edhe u kthyen në Zotin.
36 Edhe në Jopë ishte një nxënëse që quhej Tavità, që e përkthyer do të thotë Sorkadhe; ajo ishte plot me punë të mira e me lëmosha që bënte.
37 Edhe në ato ditë qëlloi të sëmuret e të vdesë; edhe si e lanë e vunë në një dhomë të sipërme.
38 Edhe pasi Lida ishte afër Jopës, nxënësit, kur dëgjuan se Pjetri është në të, dërguan dy burra tek ai, duke iu lutur atij të mos përtojë të vijë deri tek ata.
39 Edhe Pjetri u ngrit e shkoi bashkë me ta; sapo erdhi atë e ngjitën në dhomën e sipërme dhe i dolën përpara gjithë të vejat duke qarë e duke treguar këmishë e rroba, të cilat i bënte Sorkadhja, kur ishte bashkë me to.
40 Po Pjetri, pasi i nxori të gjithë jashtë, u ul në gjunjë dhe u lut; edhe si u kthye nga trupi, tha: Tavità, ngrihu. E ajo hapi sytë e saj, edhe kur pa Pjetrin, u ngrit e ndenji.
41 Edhe ai i dha dorën dhe e ngriti; edhe si thërriti shenjtërit e të vejat, e nxori përpara të gjallë.
42 Edhe kjo u mor vesh nëpër gjithë Jopën; edhe shumë veta besuan në Zotin.
43 Edhe Pjetri qëndroi mjaft ditë në Jopë, pranë një farë Simon lëkurëregjësi.
1 Edhe ishte një njeri në Qesari që quhej Kornel, kryeqindës prej kohortës që quhej Italike.
2 Ky ishte besëtar dhe kishte frikë nga Perëndia bashkë me gjithë shtëpinë e tij, edhe i jepte shumë lëmosha popullit, edhe i lutej Perëndisë gjithnjë.
3 Ky rreth orës së nëntë të ditës pa qartë në një vegim një engjëll të Perëndisë që hyri tek ai, e i tha: Kornel.
4 Edhe kur hodhi sytë në atë, e zuri frika, edhe tha: Ç’është, o Zot? Edhe ai i tha atij: Lutjet e tua dhe lëmoshat e tua u ngjitën për kujtim përpara Perëndisë.
5 Edhe tani dërgo njerëz në Jopë, edhe thirr Simonin që mbiquhet Pjetër.
6 Ky ka rënë tek njëfarë Simon lëkurëregjësi, i cili e ka shtëpinë pranë detit. Ky do të të thotë ç’duhet të bësh.
7 Edhe si iku engjëlli që ishte duke i folur Kornelit, thirri dy nga shërbëtorët e tij, edhe një ushtar shpresëtar nga ata që rrinin përherë pranë tij.
8 Edhe si ua tregoi atyre të gjitha, i dërgoi në Jopë.
9 Edhe të nesërmen, tek ishin duke udhëtuar e po afroheshin në qytet, Pjetri u ngjit në dhomë të lutet, afër orës së gjashtë.
10 Edhe e mori uria dhe donte të hante; po ndërsa ata po e bënin gati, ai ra në ekstazë.
11 Edhe sheh qiellin të hapur, edhe një enë duke zbritur mbi të si një pëlhurë e madhe, lidhur nga të katër cepat, e duke rënë mbi dhé.
12 Brenda në të ishin gjithë shtazët e dheut katërkëmbëshe dhe bishat dhe zvarranikët, edhe zogjtë e qiellit.
13 Edhe erdhi një zë tek ai: Ngrihu, Pjetër, ther e ha.
14 Po Pjetri tha: Qoftë larg, o Zot! Sepse kurrë s’kam ngrënë gjë të ndyrë a të papastër.
15 Po përsëri për së dyti erdhi një zë tek ai: Ato që ka pastruar Perëndia, ti mos i quaj të ndyra.
16 Edhe kjo u bë tri herë; edhe përsëri ena u mor lart në qiell.
17 Edhe ndërsa Pjetri ishte duke vrarë mendjen me veten e tij, vallë, ç’do të jetë ky vegim që pa, ja burrat, që ishin dërguar nga Korneli, pasi pyetën për shtëpinë e Simonit, arritën në portë,
18 edhe duke thirrur pyetnin në ka rënë këtu Simoni që mbiquhet Pjetër.
19 Edhe ndërsa Pjetri ishte duke menduar për vegimin, Fryma i tha: Ja tek po të kërkojnë tre burra.
20 Ngrihu pra e zbrit, edhe shko bashkë me ata, pa pasur fare dyshim; sepse unë i kam dërguar ata.
21 Edhe Pjetri, pasi zbriti te njerëzit që ishin dërguar tek ai nga Korneli, tha: Ja, unë jam ai që kërkoni; për ç’punë keni ardhur?
22 Edhe ata thanë: Korneli, kryeqindësi, që është njeri i drejtë dhe ka frikë nga Perëndia, edhe për të cilin jep dëshmi të mirë gjithë kombi i Judenjve, u urdhërua me anë të një engjëlli të shenjtë, që të të thërresë në shtëpinë e tij, edhe të dëgjojë fjalë prej teje.
23 Ai pra i thërriti ata brenda e i gostiti. Edhe të nesërmen doli Pjetri bashkë me ata, dhe ca nga vëllezërit që ishin nga Jopa erdhën bashkë me atë.
24 Edhe të nesërmen hynë në Qesari. Dhe Kornili ishte duke i pritur ata, edhe kishte mbledhur farefisin e tij dhe miqtë e ngushtë.
25 Edhe sapo hyri brenda Pjetri, Korneli i doli përpara, e i ra ndër këmbë, edhe iu fal.
26 Po Pjetri e ngriti, duke thënë: Ngrihu, sepse edhe unë jam njeri.
27 Edhe duke folur bashkë me të hyri brenda, edhe gjen mbledhur shumë veta.
28 Edhe u tha atyre: Ju e dini se nuk është e lejueshme për një njeri jude të shoqërojë a të shkojë te njeri prej tjetër kombi. Po Perëndia më tregoi të mos them për asnjë njeri se është i ndyrë apo i papastër.
29 Prandaj, sapo u thirra, edhe erdha pa bërë fjalë. Pyes pra, për ç’fjalë dërguat e më prutë?
30 Edhe Korneli tha: Katër ditë më parë deri në këtë orë isha duke agjëruar, edhe në të nëntën orë po lutesha në shtëpinë time; edhe ja një njeri me rroba të ndritura tek qëndroi përpara meje,
31 edhe thotë: Kornel, u dëgjua lutja jote dhe lëmoshat e tua u përmendën para Perëndisë.
32 Dërgo pra në Jopë e thirr Simonin, që mbiquhet Pjetër. Ky ka rënë në shtëpinë e Simon lëkurëregjësit pranë detit. Ai, kur të vijë, do të të flasë.
33 Përnjëherë pra dërgova te ti; dhe ti bëre mirë që erdhe. Tani pra ne të gjithë jemi përpara Perëndisë, që të dëgjojmë gjithë ç’të janë urdhëruar prej Perëndisë.
34 Atëherë Pjetri hapi gojën e tha: Me të vërtetë po e marr vesh se Perëndia s’mban anë njeriu;
35 po në çdo komb ai që ka frikë prej tij dhe punon drejtësi, është i mirëpritur tek ai.
36 Fjalën që u dërgoi bijve të Izraelit duke ungjillëzuar paqe me anë të Jisu Krishtit, – ky është Zoti i të gjithëve, –
37 këtë fjalë ju e dini, që u përhap nëpër gjithë Judenë, duke nisur nga Galilea, pas pagëzimit që predikoi Joani;
38 si vajosi Perëndia Jisuin nga Nazareti me Frymë të Shenjtë e me fuqi, i cili përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar gjithë ata që mundoheshin prej djallit; sepse Perëndia ishte bashkë me të,
39 edhe ne jemi dëshmitarë për gjithë ato që bëri edhe në dhé të Judenjve edhe në Jerusalem; të cilin e vranë duke e varur mbi dru;
40 këtë Perëndia e ngjalli të tretën ditë, edhe e bëri atë të duket,
41 jo në gjithë popullin, po në dëshmitarët e parazgjedhur prej Perëndisë, domethënë te ne që hëngrëm e pimë bashkë me të, pasi u ngjall prej së vdekurish;
42 edhe na porositi ne të predikojmë në popull e të dëshmojmë se ai është ai që qe urdhëruar prej Perëndisë gjykatës i të gjallëve dhe i të vdekurve.
43 Për këtë dëshmojnë gjithë profetët, se me anë të emrit të tij do të marrë ndjesë mëkatesh kushdo që i beson atij.
44 Ndërsa Pjetri ishte duke folur këto fjalë, ra Fryma e Shenjtë mbi gjithë ata që dëgjonin fjalën.
45 Edhe u mahnitën besimtarët që ishin prej rrethprerjes, sa kishin ardhur bashkë me Pjetrin, se edhe në kombet u derdhka Fryma e Shenjtë.
46 Sepse i dëgjonin ata duke folur gjuhë, e duke madhëruar Perëndinë.
47 Atëherë Pjetri u përgjigj: Mos mundet uji të ndalojë ndonjë që të mos pagëzohen këta, të cilët morën Frymën e Shenjtë, si edhe ne?
48 Edhe i urdhëroi ata të pagëzohen në emrin e Zotit. Atëherë iu lutën të qëndrojë pak ditë tek ata.
1 Edhe apostujt e vëllezërit që ishin në Jude dëgjuan se edhe kombet pranuan fjalën e Perëndisë.
2 Edhe kur u ngjit Pjetri në Jerusalem, haheshin me të ata që ishin prej rrethprerjes,
3 duke thënë se hyre ndër njerëz të parrethprerë, e hëngre bashkë me ta.
4 Po Pjetri zuri e u tregoi atyre sa u bënë një nga një,
5 duke thënë: Unë isha duke u lutur në qytetin e Jopës; edhe në ekstazë pashë një vegim, një enë që zbriste si një pëlhurë e madhe, e cila lidhur nga të katër cepat lëshohej poshtë nga qielli, edhe erdhi deri tek unë;
6 në të cilën, kur hodha sytë, vura re e pashë shtazët e dheut katërkëmbëshe dhe bishat, dhe zvarranikët, dhe zogjtë e qiellit.
7 Edhe dëgjova një zë që më thoshte: Ngrihu Pjetër, ther e ha.
8 Po unë thashë: Qoftë larg, o Zot! Se gjë e ndyrë a e papastër, kurrë s’ka hyrë në gojën time.
9 Po zëri m’u përgjigj për së dyti nga qielli: Ato që ka pastruar Perëndia, ti mos i quaj të ndyra.
10 Edhe kjo u bë tri herë; dhe përsëri u hoqën të gjitha lart në qiell.
11 Edhe ja ku në po atë orë në shtëpinë që isha arritën tre burra, të dërguar nga Qesaria tek unë.
12 Edhe Fryma më tha të shkoj bashkë me ta pa pasur fare dyshim; dhe erdhën bashkë me mua edhe këta gjashtë vëllezër, dhe hymë në shtëpinë e atij njeriut.
13 Edhe ai na tregoi si kishte parë një engjëll që qëndronte në shtëpinë e tij, i cili i tha: Dërgo në Jopë e thirr Simonin që mbiquhet Pjetër,
14 edhe ai do të të flasë ty fjalë, me anë të të cilave do të shpëtosh ti dhe gjithë shtëpia jote.
15 Edhe unë posa zura të flas, Fryma e Shenjtë ra mbi ata, sikurse edhe mbi ne herën e parë.
16 Atëherë më ra ndër mend fjala e Zotit që thoshte: Joani pagëzoi me ujë, po ju do të pagëzoheni me Frymë të Shenjtë.
17 Në u dha pra Perëndia atyre dhuratën njëlloj si edhe neve, sepse i besuan Zotit Jisu Krisht, cili isha unë që të mund të ndaloj Perëndinë?
18 Edhe ata si dëgjuan këto fjalë, u qetësuan dhe lavdëronin Perëndinë, duke thënë: Edhe kombeve pra u paska dhënë Perëndia pendimin përjetë.
19 Ata pra që u shpërndanë nga përndjekja që u bë për Stefanin shkuan deri në Finikë e në Qipro e në Antioki, edhe asnjeriu s’ia predikonin fjalën, veç vetëm Judenjve.
20 Edhe disa nga ata ishin njerëz Qipriotë e Qireneas, të cilët, si hynë në Antioki, u flisnin Greqishtarëve, duke dhënë lajmin e mirë për Zotin Jisu.
21 Edhe dora e Zotit ishte bashkë me ta; dhe një numër i madh besuan, e u kthyen në Zotin.
22 Atëherë fjala për ata u dëgjua në veshët e kishës që ishte në Jerusalem; edhe dërguan Varnavën të shkojë deri në Antioki.
23 Ai, si erdhi dhe pa hirin e Perëndisë, u gëzua dhe i nxiste të gjithë të qëndronin me dëshirë zemre në Zotin,
24 sepse ishte njeri i mirë dhe plot me Frymë të Shenjtë e me besim. Edhe u shtua mjaft popull në Zotin.
25 Atëherë Varnava doli në Tars, për të kërkuar Saulin; edhe si e gjeti, e pruri në Antioki.
26 Edhe një vit të tërë mblidheshin në kishë dhe mësuan mjaft njerëz; edhe nxënësit në Antioki për të parën herë u quajtën të Krishterë.
27 Edhe në ato ditë zbritën nga Jerusalemi profetë në Antioki.
28 Edhe u ngrit një nga ata që quhej Agaf, edhe shënoi me anë të Frymës se do të bëhej një zi e madhe në gjithë dhenë, e cila edhe u bë në kohë të Qezar Klaudit.
29 Prandaj nxënësit vendosën që gjithsecili nga ata, sipas gjendjes së tij, t’u dërgojnë ndihmë vëllezërve që rrinin në Jude,
30 gjë të cilën edhe e bënë, duke ua dërguar pleqve me dorën e Varnavës e të Saulit.
1 Në atë kohë mbreti Herod vuri duart t’u bëjë keq disave prej kishës. 2 Edhe vrau me thikë Jakovin, të vëllain e Joanit.
3 Edhe kur pa se kjo është e pëlqyeshme për Judenjtë, vuri ndër mend të zërë edhe Pjetrin; edhe ishin ditët e të pabrumëtave.
4 Edhe e zuri atë dhe e vuri në burg, edhe ua dorëzoi katër palë ushtarëve prej katër vetash secila, që ta ruajnë, sepse pas pashkës donte ta nxirrte përpara popullit.
5 Pjetri pra po ruhej në burg; po prej kishës bëhej pa pushim lutje për të.
6 Edhe kur do ta nxirrte atë Herodi përpara, atë natë Pjetri lidhur me dy vargonj ishte duke fjetur në mes të dy ushtarëve, edhe rojat ruanin burgun përpara derës.
7 Edhe ja një engjëll i Zotit erdhi papandehur, edhe dritë ndriti në atë vend; edhe si i ra Pjetrit në brinjë, e zgjoi, duke thënë: Ngrihu shpejt. Edhe i ranë vargonjtë nga duart.
8 Edhe engjëlli i tha: Ngjishu, edhe mbath sandalet e tua; edhe ai bëri ashtu. Edhe i thotë: Vish rrobën tënde, edhe eja pas meje.
9 Edhe ai si doli, i vinte pas, edhe nuk dinte se ishte e vërtetë kjo që bëhej prej engjëllit, po pandehte se sheh vegim.
10 Edhe si kaluan rojen e parë e të dytë, erdhën në portën e hekurt që çon në qytet, e cila iu hap atyre prej vetiu; edhe si dolën, shkuan nëpër një rrugë; edhe përnjëherë engjëlli u nda nga ai.
11 Edhe Pjetri, si erdhi në vete, tha: Tani e di me të vërtetë se Zoti dërgoi engjëllin e tij dhe më shpëtoi nga dora e Herodit dhe nga gjithë shpresa e popullit të Judenjve.
12 Edhe pasi u mendua me vete, erdhi në shtëpinë e Marisë, të ëmës së Joanit që mbiquhej Mark, ku ishin mjaft veta mbledhur dhe po luteshin.
13 Edhe kur trokiti ai në portën e avllisë, erdhi një shërbëtore që quhej Roda, për të dëgjuar.
14 Edhe kur njohu zërin e Pjetrit, nga gëzimi nuk hapi portën, po shkoi me vrap brenda e lajmëroi se Pjetri po rri përpara portës.
15 Edhe ata i thanë asaj: Shkallove. Po ajo këmbëngulte se kështu është. Edha ata thoshnin se është engjëlli i tij.
16 Por Pjetri vazhdonte të trokiste, dhe si hapën derën, e panë atë dhe u mahnitën.
17 Po ai u bëri atyre shenjë me dorë të mos bëjnë zë, e u tregoi si e nxori Zoti nga burgu. Dhe tha: Lajmëroni Jakovin dhe vëllezërit për këto. Edhe doli e shkoi në vend tjetër.
18 Edhe si u bë ditë, u bë shumë trazirë ndërmjet ushtarëve, vallë, ç’u bë Pjetri.
19 Edhe Herodi kur e kërkoi e s’e gjeti, pasi pyeti rojet, urdhëroi të vriten, edhe zbriti nga Judea në Qesari dhe shkonte kohën atje.
20 Edhe Herodi ishte zemëruar fort me Tirasit e me Sidonasit; po ata erdhën me një zemër tek ai, dhe si i mbushën mendjen Vlastit, kujdestarit të dhomës së mbretit, kërkonin paqe; sepse vendi i tyre ushqehej prej vendit të mbretit.
21 Edhe një ditë të caktuar Herodi veshi rrobë mbretërore, edhe ndenji në fron e u ligjëronte atyre.
22 Edhe populli me zë të madh thoshte: Ky është zë Perëndie e jo njeriu.
23 Edhe menjëherë një engjëll i Zotit e goditi atë; sepse nuk i dha lavdinë Perëndisë; edhe si e hëngrën krimbat dha shpirt.
24 Edhe fjala e Perëndisë shtohej e shumohej.
25 Edhe Varnava e Sauli, u kthyen nga Jerusalemi, pasi mbaruan shërbesën, duke marrë me vete Joanin që mbiquhej Mark.
1 Edhe në kishën që ishte në Antioki ishin disa profetë e mësues, Varnava dhe Simeoni që quhej Nigjer, dhe Luçi Kireneasi, edhe Manaini që ishte rritur bashkë me Herod tetrarkun, edhe Sauli.
2 Edhe ndërsa ata ishin duke i shërbyer Zotit e duke agjëruar, Fryma e Shenjtë tha: M’i ndani veç Varnavën dhe Saulin për atë punë që i kam thirrur ata.
3 Atëherë si agjëruan e u lutën dhe vunë duart mbi ta, i lëshuan.
4 Këta pra pasi u dërguan nga Fryma e Shenjtë, zbritën në Selefki, edhe prej andej lundruan për në Qipro.
5 Edhe kur erdhën në Salaminë, predikuan fjalën e Perëndisë nëpër sinagogat e Judenjve; dhe kishin edhe Joanin ndihmës.
6 Edhe si kaluan ujdhesën deri në Pafë, gjetën njëfarë magjistari profet të rremë judeas, që e kishte emrin Barjisu,
7 i cili ishte bashkë me guvernatorin Sergj Pavli, një burrë i mençur. Ky thërriti Varnavën dhe Saulin, dhe kërkoi të dëgjojë fjalën e Perëndisë.
8 Po Elimas magjistari, se kështu përkthehet emri i tij, i kundërshtonte ata dhe kërkonte ta kthente guvernatorin nga besimi.
9 Po Sauli, që quhej edhe Pavël, u mbush me Frymë të Shenjtë, e si hodhi sytë mbi të,
10 tha: O ti që je plot me çdo mashtrim e me çdo farë intrige, bir i djallit, armiku i çdo drejtësie, a nuk do të pushosh së prishuri udhët e drejta të Zotit?
11 Edhe tani ja dora e Zotit tek është mbi ty; edhe do të mbetesh i verbër, e nuk do të shohësh diellin deri në një kohë. Edhe përnjëherë ra mbi të një mjegull e errësirë, edhe duke ardhur rrotull kërkonte njerëz që ta hiqnin prej dore.
12 Atëherë kur pa guvernatori se ç’u bë, besoi, edhe çuditej për mësimin e Zotit.
13 Edhe Pavli dhe ata që ishin rreth tij, pasi u ngritën me anije nga Pafa, erdhën në Pergë të Pamfilisë; edhe Joani u nda nga ata e u kthye në Jerusalem.
14 Edhe ata pasi ikën nga Perga, erdhën në Antioki të Pisidisë, dhe si hynë në sinagogë ditën e shtunë, ndenjën.
15 Edhe pas leximit të ligjit dhe të profetëve, të parët e sinagogës dërguan tek ata, duke thënë: O burra vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë për t’ia mësuar popullit, thojeni.
16 Atëherë Pavli si u ngrit e bëri shenjë me dorë, tha: O burra Izraelitë, dhe ju që keni frikë Perëndinë, pa dëgjoni.
17 Perëndia i këtij populli, i Izraelit, zgjodhi etërit tanë, edhe ngriti popullin që rrinte i huaj në dhé të Egjiptit, e me krahë të lartë i nxori ata prej tij.
18 Edhe deri në dyzet vjet duroi sjelljet e tyre në shkretëtirë.
19 Edhe pasi prishi shtatë kombe në dhé të Kanaanit, u ndau atyre me short dheun e tyre.
20 Edhe pastaj për rreth katërqind e pesëdhjetë vjet u dha atyre gjykatës deri në kohën e profetit Samuil.
21 Edhe pastaj kërkuan mbret, dhe Perëndia u dha atyre Saulin, të birin e Kisit, një burrë prej farës së Beniaminit, për dyzet vjet.
22 Edhe si e hoqi atë, u ngriti atyre Davidin për mbret, për të cilin edhe dëshmoi, duke thënë: “Gjeta Davidin, të birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të bëjë dëshirat e mia”.
23 Prej farës së këtij Perëndia sipas premtimit, i ngriti Izraelit shpëtimtar Jisuin,
24 pasi Joani predikoi, para se të vinte ai, pagëzim pendimi për gjithë popullin e Izraelit.
25 Edhe Joani, kur po mbaronte udhën e tij, thoshte: Cili pandehni se jam unë? Unë nuk jam ai; po ja tek vjen pas meje ai, të cilit nuk jam i denjë t’i zgjidh sandalet e këmbëve.
26 O burra vëllezër, bijtë e farës së Abrahamit, edhe sa janë ndër ju që kanë frikë Perëndinë, te ju u dërgua fjala e këtij shpëtimi.
27 Sepse ata që rrinë në Jerusalem dhe të parët e tyre, pasi nuk e njohën këtë, as fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë, i përmbushën ato, kur e gjykuan,
28 edhe ndonëse s’gjetën asnjë faj për vdekje, kërkuan prej Pilatit që të vritet.
29 Edhe pasi mbaruan gjithë ato që ishin shkruar për të, e zbritën prej drurit dhe e vunë në varr.
30 Po Perëndia e ngjalli prej së vdekurish.
31 Edhe ai u duk për shumë ditë te ata që u ngjitën bashkë me të prej Galilesë në Jerusalem, të cilët janë dëshmitarë të tij tek populli.
32 Edhe ne po ju japim juve lajmin e mirë për premtimin që u qe bërë etërve, se këtë Perëndia e përmbushi te ne bijtë e tyre, duke ngjallur Jisuin,
33 siç është shkruar edhe në Psalmin e dytë: “Ti je Biri im; unë sot të kam lindur”.
34 Edhe se e ngjalli prej së vdekurish, që të mos kthehet më në prishje, ka thënë kështu: “Se do t’ju jap juve premtimet e Davidit që i premtova me besë”.
35 Prandaj edhe në një tjetër Psalm thotë: “Se nuk do të lësh Shenjtin tënd të shohë prishje”.
36 Sepse Davidi, pasi në brezin e tij i shërbeu vullnetit të Perëndisë, fjeti dhe u vu tek etërit e tij, edhe pa prishje.
37 Kurse Ai, të cilin e ngjalli Perëndia, nuk pa prishje.
38 Le të jetë pra e ditur për ju, o burra vëllezër, se me anë të këtij ju predikohet juve ndjesë mëkatesh,
39 edhe prej gjithë atyre punëve që nuk mundët të drejtësoheni me anë të ligjit të Moisiut, me anë të këtij kushdo që beson drejtësohet.
40 Shikoni pra se mos vijë te ju ajo që është thënë prej profetëve:
41 “Shikoni ju që më përçmoni dhe çudituni, dhe humbisni; sepse unë do të bëj një punë në ditët tuaja, një punë që nuk do ta besoni, në jua tregoftë ndonjë juve”.
42 Edhe kur po dilnin nga sinagoga e Judenjve, u luteshin kombet t’u thuhen edhe atyre këto fjalë të shtunën që vjen.
43 Edhe si u shpërnda sinagoga, shumë prej Judenjve dhe prej prozelitëve besëtarë shkuan prapa Pavlit e Varnavës, të cilët duke u folur atyre i bindën të mbeten në hirin e Perëndisë.
44 Edhe të shtunën tjetër u mblodh pothuaj gjithë qyteti, që të dëgjonin fjalën e Perëndisë.
45 Po Judenjtë, kur panë turmat, u mbushën me smirë dhe u kundërviheshin thënieve të Pavlit, duke folur kundër e duke blasfemuar.
46 Atëherë Pavli e Varnava folën me guxim dhe thanë: Për ju ishte e nevojshme më parë të flitej fjala e Perëndisë; po pasi e hidhni poshtë, dhe nuk e gjykoni veten tuaj të denjë për jetën e përjetshme, ja tek po kthehemi te kombet;
47 sepse kështu na ka porositur Zoti: “Të kam vënë për dritë të kombeve, që të jesh ti për shpëtim deri në anë të dheut”.
48 Edhe kombet kur dëgjuan, gëzoheshin e lavdëronin fjalën e Zotit; edhe sa ishin caktuar për jetën e përjetshme besuan.
49 Edhe fjala e Zotit përhapej nëpër gjithë atë vend.
50 Po Judenjtë shtynin gratë e nderuara e me sjellje të mira, si dhe të parët e qytetit, edhe ngritën përndjekje kundër Pavlit e Varnavës, edhe i nxorën nga kufijtë e tyre.
51 Po ata shkundën pluhurin e këmbëve të tyre kundër atyre dhe erdhën në Ikoni.
52 Edhe nxënësit mbusheshin me gëzim me Frymë të Shenjtë.
1 Edhe në Ikoni hynë bashkë në sinagogën e Judenjve, dhe folën kështu, sa besuan një shumicë e madhe prej Judenjve e prej Grekëve.
2 Po Judenjtë që nuk bindeshin ndezën dhe prishën shpirtrat e kombeve kundër vëllezërve.
3 Mjaft kohë pra ndenjën atje duke folur me guxim për Zotin, i cili dëshmonte për fjalën e hirit të tij dhe jepte të bëhen shenja e çudira me anë të duarve të tyre.
4 Edhe shumica e qytetit u përça; e disa ishin me Judenjtë, e disa me apostujt.
5 Edhe kur vërshuan kombet e Judenjtë bashkë me të parët e tyre, që t’i shajnë e t’i vrasin me gurë,
6 ata e morën vesh, dhe ikën në qytetet e Likaonisë, Listër e Dervë, edhe në vendet përrreth.
7 Dhe atje predikonin Ungjillin.
8 Edhe në Listër rrinte një njeri i dobët nga këmbët, sepse ishte i çalë që nga barku i së ëmës, i cili kurrë s’kishte ecur.
9 Ky dëgjonte duke folur Pavlin, i cili, si hodhi sytë mbi të dhe pa se kishte besim për të shpëtuar,
10 tha me zë të madh: Ngrihu drejt më këmbë. Edhe ai kërcente dhe ecte.
11 Edhe turmat kur panë se ç’bëri Pavli, ngritën zërin e tyre, duke thënë likaonisht: Perënditë u shëmbëllyen me njerëz e zbritën te ne.
12 Edhe e quanin Varnavën Zeus, edhe Pavlin Hermes; sepse ky ishte folësi i parë.
13 Atëherë prifti i Zeusit që ishte përpara qytetit të tyre pruri dema e kurora përpara dyerve, dhe bashkë me turmën donte të bënte flijime.
14 Po apostujt Varnava dhe Pavli, kur dëgjuan, çorën rrobat e tyre e u hodhën në mes turmës, duke thirrur,
15 E duke thënë: O burra, pse i bëni këto? Edhe ne jemi njerëz që pësojmë si edhe ju, dhe ju predikojmë të ktheheni nga këto kotësi në Perëndinë e gjallë, që bëri qiellin e dhenë dhe detin edhe gjithë ç’janë në to;
16 i cili në brezat që shkuan la gjithë kombet të ecin në udhën e tyre;
17 ndonëse nuk e la veten e tij pa dëshmi, duke bërë mirë e duke na dhënë neve nga qielli shira e kohëra frutdhënëse, e duke mbushur zemrat tona me ushqim e me gëzim.
18 Edhe duke thënë këto, mezi ndaluan turmën që të mos u bëjnë atyre flijime.
19 Edhe në këto e sipër erdhën disa Judenj nga Antiokia e nga Ikonia, dhe i mbushën mendjen turmës, e goditën me gurë Pavlin dhe e zvarritën jashtë qytetit, sepse pandehën se vdiq.
20 Po kur e qarkuan nxënësit, u ngrit e hyri në qytet, dhe të nesërmen doli bashkë me Varnavën në Dervë.
21 Edhe pasi predikuan ungjillin në atë qytet dhe bënë mjaft nxënës, u kthyen në Listër e në Ikoni e në Antioki,
22 duke forcuar shpirtrat e nxënësve, e duke i nxitur ata të qëndrojnë në besim, edhe se me shumë shtrëngime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.
23 Edhe si u dorëzuan atyre pleq në çdo kishë, edhe u lutën me agjërime, i lanë te Zoti që i kishin besuar.
24 Edhe si shkuan nëpër Pisidi, erdhën në Pamfili;
25 edhe si folën fjalën në Pergë, zbritën në Atali.
26 Edhe së andejmi lundruan për në Antioki, atje ku ishin dhënë në hirin e Perëndisë për punën që mbaruan.
27 Edhe si erdhën, mblodhën kishën, dhe u treguan atyre sa bëri Perëndia me anë të tyre, edhe se hapi në kombet derën e besimit.
28 Edhe ndenjën atje shumë kohë bashkë me nxënësit.
1 Edhe ca veta që zbritën nga Judea mësonin vëllezërit se në mos u rrethprefshi sipas zakonit të Moisiut, nuk mund të shpëtoni.
2 Po pasi Pavli dhe Varnava u qëndruan kundër dhe u hëngrën jo pak me fjalë me ata, vendosën që Pavli e Varnava dhe disa të tjerë nga ata të ngjiten tek apostujt dhe te pleqtë në Jerusalem për këtë çështje.
3 Ata pra si u përcollën nga kisha, shkonin nëpër Finikë e nëpër Samari, duke treguar kthimin e kombeve; dhe u sillnin gëzim të madh gjithë vëllezërve.
4 Edhe kur erdhën në Jerusalem, u pritën prej kishës e prej apostujve e prej pleqve, edhe njoftuan për gjithë sa bëri Perëndia me anë të tyre.
5 Po u ngritën disa nga sekti i Farisenjve që kishin besuar, e thoshin se duhet t’i rrethpresim ata e t’i porositim të ruajnë ligjin e Moisiut.
6 Edhe u mblodhën apostujt e pleqtë të shikojnë për këtë çështje.
7 Edhe pasi u bënë shumë diskutime, u ngrit Pjetri, e u tha atyre: O burra vëllezër, ju e dini se që në ditët e lashta Perëndia në mes tonë zgjodhi që me anë të gojës sime të dëgjojnë kombet fjalën e ungjillit dhe të besojnë.
8 Edhe zemërnjohësi Perëndi dha dëshmi tek ata, duke u dhënë atyre Frymën e Shenjtë sikurse edhe neve.
9 Edhe nuk bëri ndonjë dallim në mes tonë e atyre, duke pastruar zemrat e tyre me anë të besimit.
10 Tani pra përse ngisni Perëndinë, e kërkoni të vini mbi qafën e nxënësve një zgjedhë, të cilën as etërit tanë, as ne nuk mundëm ta mbajmë?
11 Po me anë të hirit të Zotit Jisu Krisht besojmë se do të shpëtojmë, sikurse edhe ata.
12 Edhe gjithë populli heshti dhe dëgjonin Varnavën e Pavlin që tregonin sa shenja e çudira bëri Perëndia me anë të tyre në mes kombeve.
13 Edhe si pushuan ata, u përgjigj Jakovi, duke thënë: O burra vëllezër, pa më dëgjoni.
14 Simeoni shpjegoi me çfarë mënyre Perëndia të parën herë hodhi sytë mbi kombet, që të marrë prej tyre një popull për emrin e tij.
15 Edhe me këtë janë një fjalët e profetëve, siç është shkruar:
16 “Pas këtyre do të kthehem e do të ndërtoj përsëri tendën e Davidit që është rrëzuar; edhe rrënojat e saj do t’i ndërtoj përsëri, edhe do ta ngre atë më këmbë;
17 që të kërkojnë Zotin njerëzit e tjerë dhe gjithë kombet, në të cilët thërritet emri im, thotë Zoti që i bën këto të gjitha”.
18 Që prej jete i janë të njohura Perëndisë gjithë punët e tij.
19 Prandaj unë e shoh të udhës të mos i ngasim ata që kthehen nga kombet te Perëndia.
20 Po t’u shkruajmë atyre të heqin dorë nga ndyrësitë e idhujve dhe nga kurvëria, dhe nga kafsha e mbytur, dhe nga gjaku.
21 Sepse Moisiu që prej brezash të lashtë ka në çdo qytet ata që e predikojnë atë nëpër sinagogat, ku lexohet çdo të shtunë.
22 Atëherë iu duk e pëlqyeshme apostujve dhe pleqve bashkë me gjithë kishën të zgjedhin burra nga mesi i tyre, dhe t’i dërgojnë në Antioki bashkë me Pavlin e me Varnavën; dhe zgjodhën Judën e mbiquajtur Varsava, dhe Silën, njerëz të parë ndër vëllezërit.
23 Edhe u shkruan me anë të dorës së tyre këto: Apostujt dhe pleqtë e vëllezërit, vëllezërve prej kombeve nëpër Antioki e nëpër Siri e nëpër Kiliki, përshëndetje.
24 Pasi dëgjuam se erdhën disa prej nesh, e ju turbulluan ju me fjalë, edhe prishën shpirtrat tuaj, duke thënë të rrethpriteni e të ruani ligjin, të cilët ne nuk i porositëm për këtë;
25 na u duk e pëlqyeshme neve që jemi mbledhur bashkë me një zemër, të zgjedhim njerëz, edhe t’i dërgojmë te ju bashkë me të dashurit tanë Varnavë dhe Pavël,
26 njerëz që kanë dhënë jetët e tyre për emrin e Zotit tonë Jisu Krisht.
27 Dërguam pra Judën dhe Silën, që t’ju thonë edhe ata me gojë po ato.
28 Sepse iu duk e pëlqyeshme Frymës së Shenjtë edhe neve, të mos ju vëmë juve tjetër barrë përveç këtyre që janë të nevojshme:
29 Të hiqni dorë nga kurbanët e idhujve dhe nga gjaku, edhe nga kafsha e mbytur, edhe nga kurvëria; nëse ruani veten tuaj nga këto, do të bëni mirë. Qofshi me shëndet.
30 Këta pra si u dërguan, erdhën në Antioki; dhe mblodhën njerëzit e u dorëzuan atyre letrën.
31 Edhe ata, si e lexuan, u gëzuan për ngushëllimin.
32 Edhe Juda dhe Sila, që edhe ata ishin profetë, ngushëlluan vëllezërit me shumë fjalë, e i forcuan.
33 Edhe si ndenjën atje disa kohë, u dërguan prapë me paqe nga vëllezërit tek apostujt.
34 Po Silës i pëlqeu të mbetet aty.
35 Edhe Pavli e Varnava rrinin në Antioki, duke mësuar e duke predikuar fjalën e Zotit, bashkë me shumë të tjerë.
36 Edhe pas disa ditësh Pavli i tha Varnavës: Le të kthehemi tani të shohim si janë vëllezërit tanë në çdo qytet ku dhamë lajmin e mirë për Zotin.
37 Edhe Varnava donte të merrte me vete Joanin që quhej Mark.
38 Po Pavlit nuk iu duk e pëlqyeshme të marrë me vete atë që qe ndarë prej tyre nga Pamfilia, dhe nuk erdhi me ta në punë.
39 Ndodhi pra një grindje, kaq sa ata u ndanë njëri prej tjetrit; edhe Varnava mori me vete Markun dhe lundroi për në Qipro.
40 Po Pavli zgjodhi Silën dhe doli, si u dorëzua prej vëllezërve në hir të Perëndisë.
41 Edhe shkuan nëpër Siri e nëpër Kiliki, duke forcuar kishat.
1 Edhe arriti në Dervë e në Listër; edhe ja tek ishte atje një nxënës që quhej Timothe, i biri i një gruaje judease besimtare, dhe i një ati grek,
2 për të cilin jepej dëshmi e mirë prej vëllezërve që ishin në Listër e në Ikoni.
3 Këtë e deshi Pavli që të dalë bashkë me të; dhe si e mori, e rrethpreu, për shkak të Judenjve që ishin në ato vende, sepse të gjithë e njihnin të atin e tij se ishte grek.
4 Edhe duke shkuar nëpër qytetet, u linin atyre porosi të ruajnë dogmat që ishin urdhëruar nga apostujt e nga pleqtë që ishin në Jerusalem.
5 Kishat pra forcoheshin në besim e përditë shtoheshin nga numri.
6 Edhe pasi shkuan nëpër Frigji e nëpër dheun e Galatisë, sepse u ndaluan nga Fryma e Shenjtë të predikonin fjalën në Azi, erdhën në Misi,
7 edhe kërkonin të shkonin në Bitini, po Fryma nuk i la.
8 Edhe si shkuan nëpër Misi, zbritën në Troadë.
9 Edhe Pavlit iu shfaq natën një vegim: një njeri Maqedonas rrinte përpara duke iu lutur e duke i thënë atij: Kalo në Maqedoni, e ndihmona.
10 Edhe posa pa vegimin, përnjëherë kërkuam të shkojmë në Maqedoni, sepse e morëm me mend se Zoti po na thërret t’u japim atyre lajmin e mirë.
11 Si lundruam pra nga Troada e morëm udhën drejt për në Samotrakë, edhe të nesërmen për në Neapoli,
12 dhe së andejmi për në Filipë, që është qyteti kryesor i asaj ane të Maqedonisë, një koloni Romakësh; edhe ndenjëm disa ditë në këtë qytet.
13 Edhe ditën e shtunë dolëm jashtë qytetit pranë një lumi, ku ishte zakon të bëhej lutje, edhe ndenjëm e flisnim me gratë që ishin mbledhur atje.
14 Edhe një grua që quhej Lidia, nga qyteti i Tiatirës, e cila shiste purpur e nderonte Perëndinë, po dëgjonte; sepse Zoti i hapi zemrën t’u mbajë vesh fjalëve që fliste Pavli.
15 Edhe si u pagëzua ajo dhe shtëpia e saj, na lutej, duke thënë: Nëse më keni gjykuar se jam besimtare në Zotin, hyni në shtëpinë time dhe rrini; edhe na detyroi të pranojmë.
16 Edhe kur po vinim ne për t’u lutur, u takua me ne një shërbëtore që kishte frymë Pitoni, e cila u jepte shumë fitim zotërinjve të saj duke u rrëfyer njerëzve fatin.
17 Ajo duke shkuar pas Pavlit e nesh, bërtiste, duke thënë: Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë së lartë, të cilët na tregojnë udhën e shpëtimit.
18 Edhe këtë e bënte shumë ditë me radhë. Edhe Pavli si u rëndua, u kthye e i tha frymës: Të urdhëroj në emër të Jisu Krishtit të dalësh prej saj. Edhe doli që atë orë.
19 Edhe zotërinjtë e saj, kur panë se u humbi shpresa e fitimit të tyre, zunë Pavlin dhe Silën e i sollën në treg tek të parët.
20 Edhe si i prunë ata përpara të mëdhenjve, thanë: Këta njerëz, duke qenë Judenj, turbullojnë qytetin tonë,
21 edhe mësojnë zakone që s’është e udhës t’i pranojmë ne; as t’i bëjmë, sepse jemi Romakë.
22 Edhe turma bashkërisht u sul mbi ta, edhe të mëdhenjtë u grisën rrobat e urdhëruan t’i rrahin me shkopinj.
23 Edhe si i bënë me shumë plagë, i vunë në burg, edhe porositën rojen e burgut t’i ruajë me siguri.
24 Ky si mori një porosi të këtillë, i vuri në burgun e brendshëm e u shtrëngoi këmbët në dru.
25 Edhe në mes të natës Pavli dhe Sila luteshin e i këndonin himne Perëndisë; dhe të lidhurit u mbanin vesh atyre.
26 Edhe papandehur u bë një tërmet i madh, kaq sa u tundën themelet e burgut; edhe përnjëherë u hapën të gjitha dyert, dhe të gjithëve iu zgjidhën hekurat.
27 Edhe roja i burgut kur u zgjua, edhe pa dyert e burgut të hapura, nxori thikën e donte të vriste veten, sepse pandehte se kishin ikur të lidhurit.
28 Po Pavli thërriti me zë të madh, duke thënë: Mos i bëj ndonjë të keqe vetes sate, sepse të gjithë jemi këtu.
29 Atëherë ai kërkoi dritë e kërceu brenda, edhe duke u dridhur u ra ndër këmbë Pavlit dhe Silës.
30 Edhe si i nxori ata jashtë, tha: Zotërinj, ç’duhet të bëj unë, që të shpëtoj?
31 Edhe ata i thanë: Beso Zotin Jisu Krisht, dhe do të shpëtosh ti dhe shtëpia jote.
32 Edhe i folën fjalën e Zotit atij dhe gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij.
33 Edhe ai i mori me vete që në atë orë të natës e u lau plagët; edhe përnjëherë u pagëzua ai dhe gjithë të tijtë.
34 Edhe si u ngjit sipër në shtëpinë e tij, u shtroi tryezë, edhe u gëzua me gjithë shtëpinë, sepse besoi Perëndinë.
35 Edhe si u gdhi, të mëdhenjtë dërguan shkopmbajtësit, duke thënë: Lëshoi ata njerëz.
36 Edhe roja i burgut i dha zë Pavlit për këto fjalë, se të mëdhenjtë kanë dërguar që të liroheni. Tani pra dilni e shkoni në paqe.
37 Po Pavli u tha atyre: Pasi na rrahën në sy të botës pa gjykuar, ne që jemi njerëz romakë e na vunë në burg, dhe tani na nxjerrin fshehurazi?
38 Edhe shkopmbajtësit lajmëruan të mëdhenjtë për këto fjalë; edhe ata u frikësuan, kur dëgjuan se janë Romakë.
39 Edhe erdhën e iu lutën atyre, edhe si i nxorën, u luteshin të dalin nga qyteti.
40 Edhe ata si dolën nga burgu, hynë në shtëpinë e Lidias; edhe kur panë vëllezërit, i ngushëlluan e ikën.
1 Edhe si kaluan nëpër Amfipoli e nëpër Apoloni, erdhën në Thesalonik, ku ishte sinagoga e Judenjve.
2 Edhe Pavli sipas zakonit të tij hyri tek ata, edhe tri të shtuna me radhë diskutonte me ta prej shkrimeve,
3 duke zgjidhur e duke u treguar se Krishti duhej të pësonte e të ngjallej prej së vdekurish, edhe se ky është Krishti Jisu, që po ju predikoj unë juve.
4 Edhe disa nga ata u bindën, edhe u bashkuan me Pavlin e me Silën, si dhe një shumicë e madhe nga Grekët shpresëtarë, edhe jo pak nga gratë e parisë.
5 Po ata Judenj, të cilët nuk bindeshin, patën smirë, edhe morën me vete ca njerëz të këqij nga ata të tregut, edhe mblodhën njerëz, edhe trazonin qytetin; edhe u sulën në shtëpinë e Jasonit, edhe kërkonin që t’i sillnin ata në popull.
6 Po pasi nuk i gjetën, hoqën zvarrë Jasonin dhe ca vëllezër tek të parët e qytetit, duke bërtitur se këta që kthyen përmbys botën, kanë ardhur edhe këtu,
7 të cilët Jasoni i priti në shtëpi; dhe të gjithë këta punojnë kundër urdhëresave të Qezarit, duke thënë se është një tjetër mbret, Jisui.
8 Edhe përzien turmën dhe të parët e qytetit që i dëgjonin këto.
9 Edhe si u siguruan prej Jasonit e prej të tjerëve, i lëshuan.
10 Edhe vëllezërit përnjëherë natën dërguan jashtë Pavlin dhe Silën në Verje, të cilët kur erdhën, shkuan në sinagogën e Judenjve.
11 Por këta ishin më të fisëm se ata të Thesalonikut, sepse e pranuan fjalën me gjithë zemër, duke vëzhguar përditë shkrimet, në janë kështu këto punë.
12 Shumë pra nga ata besuan, si dhe nga gratë e nderuara të Grekëve, edhe nga burrat jo pak.
13 Po kur morën vesh Judenjtë nga Thesaloniku se edhe në Verje u predikua fjala e Perëndisë prej Pavlit, erdhën edhe atje dhe turbulluan gjindjen.
14 Edhe atëherë përnjëherë vëllezërit e dërguan Pavlin jashtë që të shkojë deri në det; po Sila e Timotheu mbetën atje.
15 Edhe ata që i hiqnin udhën Pavlit e çuan deri në Athinë; dhe si morën porosi për Silën e Timotheun, që të vijnë sa mundet më shpejt tek ai, shkuan.
16 Edhe ndërsa Pavli po priste ata në Athinë, i përvëlonte brenda në shpirt kur shikonte qytetin plot me idhuj.
17 Fliste pra në sinagogë me Judenjtë e me ata me frikë Perëndie dhe në treg çdo ditë me ata që haste.
18 Edhe disa filozofë nga Epikurianët e nga Stoikët diskutonin me të; edhe disa thoshin: Vallë, ç’do të thotë ky fjalaman? Dhe të tjerë thoshin: Duket se është zëdhënës i perëndive të huaja; sepse u predikonte atyre Jisuin dhe ngjalljen.
19 Edhe ata e kapën dhe e çuan në Areopag, duke thënë: A mund të marrim vesh, ç’është ky mësim i ri që flitet prej teje?
20 Sepse ti na sjell ca gjëra të çuditshme në veshët tanë. Duam pra të marrim vesh, ç’do të jenë këto.
21 Sepse gjithë Athinasit dhe të huajt që rrinin atje nuk kishin nge për ndonjë tjetër gjë, veç të thonë e të dëgjojnë ndonjë fjalë më të re.
22 Atëherë Pavli qëndroi në mes të Areopagut, e tha: O burra Athinas, shikoj se mbi të gjitha jeni tepër besimtarë.
23 Sepse, duke shkuar e duke vënë re vendet e adhurimit tuaj, gjeta edhe një altar, mbi të cilin është shkruar: Perëndisë së Panjohur. Atë pra që nuk e njihni dhe e adhuroni, këtë po ju tregoj unë juve.
24 Perëndia që bëri botën dhe gjithë sa janë në të, ky, duke qenë Zot i qiellit e i dheut, nuk rri në tempuj të bërë me dorë,
25 as nuk shërbehet nga duar njerëzish, si të ketë nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë dhe shpirt, dhe gjithçka.
26 Edhe bëri prej një gjaku çdo komb njerëzish, që të banojnë mbi gjithë faqen e dheut, edhe paracaktoi rendin e kohëve dhe kufijtë e vendbanimit të tyre;
27 që të kërkojnë Zotin, se mos ndoshta e takojnë dhe e gjejnë, ndonëse ai s’është larg prej secilitdo prej nesh;
28 sepse me anë të tij rrojmë, dhe lëvizim, dhe jemi, sikurse edhe disa nga poetët tuaj kanë thënë: “Sepse edhe jemi farë e tij”.
29 Duke qenë pra farë e Perëndisë, nuk duhet të pandehim se Perëndia ngjan me ar a me argjend, a me gur të latuar me mjeshtëri e shpikje njeriu.
30 Perëndia pra, i cili nuk vuri re kohët e paditurisë, tani porosit gjithë njerëzit në çdo vend të pendohen;
31 sepse caktoi një ditë, në të cilën do të gjykojë botën me drejtësi me anë të një njeriu, të cilin e caktoi për këtë, edhe këtë ua vërtetoi të gjithëve, duke e ngjallur atë prej së vdekurish.
32 Edhe kur dëgjuan ngjallje prej së vdekurish, disa e përqeshnin, po disa thanë: Do të të dëgjojmë përsëri për këtë gjë.
33 Edhe kështu Pavli doli nga mesi i tyre.
34 Edhe disa burra iu ngjitën dhe besuan; në mes tyre ishte edhe Dionis Areopagjiti, dhe një grua që quhej Damarida, edhe të tjerë bashkë me ta.
1 Edhe pas këtyre Pavli, si iku nga Athina, erdhi në Korint;
2 edhe si gjeti një Jude që quhej Akila, lindur në Pont dhe ardhur rishtazi nga Italia me gruan e tij, Priskilën, sepse Klaudi kishte urdhëruar të ikin të gjithë Judenjtë nga Roma, erdhi tek ata.
3 Edhe pasi kishte po atë mjeshtëri, mbeti pranë tyre dhe punonte; sepse mjeshtëria e tyre ishte të bëjnë tenda.
4 Edhe fliste në sinagogë çdo të shtunë dhe i bindte Judenj e Grekë.
5 Edhe kur zbritën nga Maqedonia Sila e Timotheu, Pavli vuante në shpirt e jepte dëshmi tek Judenjtë se Jisui është Krishti.
6 Po meqenëse ata i kundërviheshin dhe blasfemonin, shkundi rrobat e tij e u tha atyre: Gjaku juaj qoftë mbi kryet tuaj; unë jam i kulluar; që tani e tutje do të shkoj nëpër kombet.
7 Edhe si iku së andejmi, erdhi në shtëpinë e dikujt që quhej Just, i cili druhej nga Perëndia, edhe shtëpia e tij ishte ngjitur përkrah me sinagogën.
8 Edhe Krispi, i pari i sinagogës, i besoi Zotit me gjithë shtëpinë e tij; dhe shumë veta prej Korintianëve duke dëgjuar besonin dhe pagëzoheshin.
9 Edhe Zoti i tha Pavlit natën me anë të një vegimi: Mos u frikëso, po fol dhe mos pusho;
10 sepse unë jam bashkë me ty dhe asnjë nuk do të vërë dorë mbi ty, që të të bëjë keq; sepse kam shumë popull në këtë qytet.
11 Edhe ndenji atje një vit e gjashtë muaj, duke u mësuar atyre fjalën e Perëndisë.
12 Edhe kur ishte Galioni guvernator i Akaisë, Judenjt me një mendje u ngritën kundër Pavlit dhe e prunë në gjykatë,
13 duke thënë se ky u mbush mendjen njerëzve të adhurojnë Perëndinë kundër ligjit.
14 Edhe kur Pavli do të hapte gojën Galioni u tha Judenjve: Po të ishte ndonjë padrejtësi a punë e keqe, o Judenj, do të kisha shkak t’ju duroj ju.
15 Po në është çështje për fjalë e për emra e për ligjin tuaj, vështrojeni ju vetë; sepse unë s’dua të jem gjykatës i këtyre punëve.
16 Edhe i përzuri ata nga gjykatorja.
17 Edhe gjithë Grekët zunë Sostenin, të parin e sinagogës, edhe e rrihnin përpara gjykatores. Edhe Galioni s’donte të dinte fare për këto.
18 Edhe Pavli, pasi priti edhe mjaft ditë, u la shëndet vëllezërve dhe lundroi për në Siri, edhe bashkë me të edhe Priskila dhe Akila, pasi qethi kryet në Qenkre, sepse kishte bërë një zotim.
19 Edhe arriti në Efes dhe ata i la aty, po vetë hyri në sinagogë e fliste me Judenjtë.
20 Edhe ata iu lutën të qëndrojë më tepër kohë pranë tyre, po nuk u bind;
21 por u la shëndet atyre, duke thënë: Pa fjalë duhet ta bëj të kremten që vjen në Jerusalem, dhe do të kthehem përsëri te ju, në dashtë Perëndia. Edhe lundroi prej Efesit.
22 Edhe si doli në tokë në Qesari, u ngjit në Jerusalem, edhe si përshëndeti kishën, zbriti në Antioki.
23 Edhe pasi ndenji ca kohë atje, doli e shkonte me radhë nëpër gjithë vendin e Galatisë dhe të Frigjisë, duke forcuar gjithë nxënësit.
24 Edhe një Judeas që quhej Apollo, lindur në Aleksandri, i cili ishte njeri i zoti në fjalë dhe i fortë në shkrimet, zbriti në Efes.
25 Ky ishte i mësuar në udhën e Zotit dhe i nxehtë në shpirt, fliste e mësonte me saktësi punët e Zotit, duke ditur vetëm pagëzimin e Joanit.
26 Edhe ky zuri të flasë me guxim në sinagogë. Edhe Akila e Priskila, kur e dëgjuan atë, e morën me vete dhe i treguan udhën e Perëndisë më qartë.
27 Edhe pasi donte të shkonte në Akai, vëllezërit u shkruan nxënësve e i këshillonin ta presin. Ky, kur erdhi, u ndihmoi shumë atyre që kishin besuar me anë të hirit.
28 Sepse me shumë fuqi ua zbulonte Judenjve botërisht, duke treguar me anë të shkrimeve se Jisui është Krishti.
1 Edhe kur ishte Apolloi në Korint, Pavli, pasi shkoi nëpër anët e sipërme, erdhi në Efes; edhe si gjeti disa nxënës,
2 u tha atyre: A morët Frymë të Shenjtë, kur besuat? Edhe ata i thanë: Por as nuk kemi dëgjuar në ka Frymë të Shenjtë.
3 Edhe ai u tha atyre: Në se pra u pagëzuat? Edhe ata i thanë: Në pagëzimin e Joanit.
4 Edhe Pavli tha: Joani pagëzoi pagëzim pendimi, duke i thënë popullit t’i besojnë atij që do të vinte pas atij, domethënë Jisu Krishtit.
5 Edhe ata si dëgjuan, u pagëzuan në emrin e Zotit Jisu.
6 Edhe si vuri Pavli duart mbi ata, erdhi Fryma e Shenjtë mbi ta, dhe flisnin gjuhë e profetizonin.
7 Edhe gjithë këta ishin rreth dymbëdhjetë burra.
8 Edhe si hyri në sinagogë, u fliste me guxim, duke kuvenduar tre muaj me radhë e duke i bindur për punët e mbretërisë së Perëndisë.
9 Po pasi disa nga ata ashpërsoheshin e s’u mbushej mendja dhe flisnin keq për udhën e Zotit përpara turmës, u largua prej tyre, edhe ndau nxënësit, duke kuvenduar përditë në shkollën e dikujt që quhej Tiran.
10 Edhe kjo u bë dy vjet me radhë; kaq sa të gjithë ata që rrinin në Azi, Judenj e Grekë, dëgjuan fjalën e Zotit Jisu.
11 Edhe çudi të mëdha bënte Perëndia me anë të duarve të Pavlit,
12 aq sa edhe mbi të sëmurët çonin shami a përparëse nga trupi i tij, edhe sëmundjet iknin nga ata, edhe frymët e liga dilnin prej tyre.
13 Edhe disa nga Judenjtë djajnxjerrës shëtitës nisën të zënë në gojë emrin e Zotit në ata që kishin frymë të liga, duke thënë: Ju përbetojmë në Jisuin që predikon Pavli.
14 Edhe ata që bënin këtë ishin shtatë bij të një Judeu kryeprift që quhej Sqevà.
15 Edhe fryma e ligë u përgjigj e tha: Jisuin e njoh, edhe Pavlin e di; po ju cilët jeni?
16 Edhe ai njeriu, tek i cili ishte fryma e ligë, u hodh mbi ta, edhe si i mundi, doli më i fortë se ata, kaq sa lakuriq e të plagosur ikën prej shtëpisë së tij.
17 Edhe kjo u bë e ditur tek të gjithë Judenjtë e Grekët që rrinin në Efes; edhe ra frikë tek të gjithë ata, edhe madhërohej emri i Zotit Jisu.
18 Edhe shumë nga ata që kishin besuar vinin duke rrëfyer e duke treguar punët e tyre,
19 Edhe mjaft veta nga ata që bënin magji sillnin librat e tyre e i digjnin përpara të gjithëve; edhe pasi numëruan vlerat e tyre, i gjetën se vlenin pesëdhjetë mijë argjende.
20 Kështu fort shtohej e forcohej fjala e Zotit.
21 Edhe si u mbaruan këto, Pavli e vuri ndër mend, pasi të kalojë nëpër Maqedoni e nëpër Akai, të shkojë në Jerusalem, dhe tha se si të shkoj atje, duhet të shoh edhe Romën.
22 Edhe dërgoi në Maqedoni dy veta nga ata që i shërbenin, Timotheun dhe Erastin, po ai vetë qëndroi ca kohë në Azi.
23 Edhe në atë kohë u bë jo pak trazirë për këtë udhë.
24 Sepse një argjendar që quhej Dhimitër, duke bërë tempuj të argjendtë të Artemidës, u jepte mjeshtërve jo pak përfitim.
25 Ky si i mblodhi këta dhe ata që punonin të tilla, tha: O burra, e dini mirë se prej kësaj pune është mirëqenia jonë.
26 Edhe vini re e dëgjoni, se shumë njerëzve jo vetëm të Efesit, po edhe të gjithë Azisë pothuaj, ky Pavli u mbushi mendjen e i ktheu, duke thënë se nuk janë perëndi ata që bëhen me duar.
27 Edhe jo vetëm kjo mjeshtëria jonë është në rrezik të bjerë poshtë, po edhe tempulli i perëndeshës së madhe Artemida të mos llogaritet fare, edhe do të humbasë madhëria e saj, të cilën gjithë Azia dhe bota e nderon.
28 Edhe ata kur dëgjuan, u mbushën me zemërim e bërtisnin duke thënë: E madhe është Artemida e Efesianëve.
29 Edhe tërë qyteti u mbush me pështjellim; dhe si mbërthyen Gain e Aristarkun, Maqedonas, shokë udhe të Pavlit, u sulën bashkërisht në teatër.
30 Edhe Pavli kur donte të hynte në mes gjindjes, nxënësit nuk e linin.
31 Edhe disa nga të mëdhenjtë e Azisë, që ishin miq të atij, dërguan tek ai dhe i luteshin të mos dalë në teatër.
32 Të tjerë pra thërrisnin për një gjë, e të tjerë për tjetër; sepse bashkëmbledhja ishte pështjelluar fort dhe më të shumtët nuk dinin përse ishin mbledhur.
33 Edhe prej turmës nxorën përpara Aleksandrin që të fliste, sepse Judenjtë e kishin vënë përpara, edhe Aleksandri duke tundur dorën donte të mbrohej para popullit.
34 Po pasi e njohën se është Judeas, u bë një zë nga të gjithë, duke bërtitur afër dy orë: E madhe është Artemida e Efesianëve.
35 Edhe shkruesi i qytetit, si zbuti turmën, thotë: O burra Efesianë, cili është ai njeri që nuk e di se qyteti i Efesianëve i shërben tempullit të perëndeshës së madhe Artemida dhe idhullit që zbriti nga Zeusi?
36 Pasi pra këto janë të pakundërshtueshme, ju duhet të rrini urtë dhe asgjë të mos bëni me rrëmbim.
37 Sepse keni prurë këta njerëz, të cilët as kanë vjedhur gjë nga tempulli, as perëndeshën tuaj nuk kanë blasfemuar.
38 Në qoftë pra se Dhimitri dhe mjeshtërit që janë bashkë me të kanë fjalë kundër ndonjërit, ka ditë gjyqi, ka edhe gjykatës; le të padisin njëri-tjetrin.
39 Por nëse kërkoni gjë për të tjera çështje, kjo do të zgjidhet në bashkëmbledhjen.
40 Sepse jemi në rrezik të akuzohemi si kryengritës për trazirën e sotme, sepse s’ka ndonjë lloj shkaku, me anë të të cilit të mund të justifikohemi për këtë trazirë.
41 Edhe duke thënë këto, la mbledhjen.
1 Edhe pasi pushoi turbullimi, Pavli thërriti nxënësit e u përshëndet me ta, edhe doli të shkojë në Maqedoni. 2 Edhe si shkoi nëpër ato anë e i ngushëlloi me shumë fjalë, erdhi në Greqi.
3 Edhe bëri atje tre muaj. Edhe pasi kundër tij u bë një pritë prej Judenjve, kur do të lundronte për në Siri, u vendos të kthehet nëpërmjet Maqedonisë. 4 Edhe i shkoi pas deri në Azi Sopatri nga Veriea, edhe Aristarku e Sekundi nga Selaniku, edhe Gai nga Derva, edhe Timotheu; edhe nga Aziatikët Tihiku e Trofimi. 5 Këta shkuan më parë dhe na prisnin në Troadë. 6 Edhe ne lundruam në Filipë pas ditëve të të pabrumëtave, edhe për pesë ditë erdhëm tek ata në Troadë, ku ndenjëm shtatë ditë.
7 Edhe ditën e parë të javës, kur ishin mbledhur nxënësit për të thyer bukën, Pavli kuvendonte me ta, sepse kishte për të ikur të nesërmen; edhe e zgjati fjalën deri në mes të natës. 8 Edhe në dhomën e sipërme ku ishin mbledhur, ishin mjaft qirinj të ndezur. 9 Edhe një djalosh që quhej Eutik, duke ndenjur mbi dritare, e mori një gjumë i rëndë, tek po kuvendonte Pavli gjerë e gjatë, edhe si e zuri gjumi, ra poshtë prej katit të tretë, edhe e ngritën të vdekur. 10 Edhe Pavli, si zbriti, ra mbi të, edhe si e pushtoi, tha: Mos u shqetësoni, sepse shpirti i tij është tek ai. 11 Edhe si u ngjit dhe theu bukë e hëngri, edhe foli mjaft deri në të zbardhëlluar, pastaj shkoi. 12 Edhe e prunë djalin të gjallë, edhe u ngushëlluan tepër fort.
13 Edhe ne shkuam më parë në lundër dhe lundruam për në Asë, dhe andej do të merrnim Pavlin; sepse kështu kishte porositur, sepse ai donte të vinte më këmbë. 14 Edhe si u takua me ne në Asë, e morëm e erdhëm në Mitilinë, 15 edhe që andej lundruam dhe të nesërmen erdhëm përballë Hios; dhe ditën tjetër arritëm në Samo; dhe si qëndruam në Trogjili, të nesërmen erdhëm në Militë. 16 Sepse Pavli e kishte parë të udhës të lundrojë anash Efesit, që të mos e humbte kohën në Azi; sepse nxitonte, në ishte e mundur për të, ditën e Pendikostisë të gjendet në Jerusalem.
17 Edhe prej Militës dërgoi në Efes e thirri pleqtë e kishës. 18 Edhe kur këta erdhën tek ai, u tha atyre: Ju e dini që ditën e parë që shkela në Azi se si e shkova gjithë kohën bashkë me ju, 19 duke i shërbyer Zotit gjithë përulësi e me shumë lot e me ngasje, të cilat më ndodhën nga dredhitë e Judenjve kundër meje; 20 edhe se nuk fsheha gjë nga ato që ishin për të mirën tuaj, po jua tregova e jua mësova juve në sy të botës e nëpër shtëpitë, 21 duke dhënë dëshmi në Judenj e në Grekë për pendimin në Perëndinë dhe për besimin në Zotin tonë Jisu Krisht. 22 Edhe tani ja unë tek po shkoj në Jerusalem lidhur në shpirt, pa ditur se ç’do të më ngjasë në të, 23 Përveç kësaj, Fryma e Shenjtë jep dëshmi në çdo qytet, duke thënë se po më presin vargonj e shtrëngime. 24 Po s’dua të di fare për ndonjë nga këto, as jetën s’e kam të çmuar në veten time kaq, sa të mbaroj udhën time me gëzim, dhe atë shërbesën që mora prej Zotit Jisu, të jap dëshmi për ungjillin e hirit të Perëndisë. 25 Edhe tani ja unë tek e di se më s’keni për ta parë faqen time ju të gjithë, në mes të të cilëve shkova duke predikuar mbretërinë e Perëndisë. 26 Prandaj ju jap dëshmi sot në këtë ditë, se unë jam i pastër nga gjaku i të gjithëve. 27 Sepse unë nuk u tërhoqa që të mos ju rrëfej juve gjithë vullnetin e Perëndisë. 28 Kini pra kujdes për veten tuaj dhe për gjithë tufën, mbi të cilën Fryma e Shenjtë ju vuri ju kujdestarë, që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën e fitoi me gjakun e tij. 29 Sepse unë e di këtë, se pas ikjes sime kanë për të hyrë tek ju ujqër të këqij, të cilët s’kanë për ta kursyer tufën. 30 Edhe prej jush vetë do të ngrihen njerëz duke folur gjëra të shtrembra, që të tërheqin nxënësit pas vetes së tyre. 31 Prandaj rrini zgjuar e sillni ndër mend se tre vjet natë e ditë s’pushova duke këshilluar me lot gjithsecilin. 32 Edhe tani, o vëllezër, ju lë juve në Perëndinë, edhe në fjalën e hirit të tij, i cili mund t’ju ndërtojë e t’ju japë juve trashëgim në mes të gjithë të shenjtëruarve. 33 Argjend ose ar, ose rrobë të askujt nuk dëshirova. 34 Edhe ju vetë e dini se këto duart e mia kanë punuar për nevojat e mia dhe për ata që ishin bashkë me mua. 35 Me çdo mënyrë ju tregova juve se kështu duke u munduar duhet t’u ndihmoni të pafuqishmëve, edhe të kujtoni fjalët e Zotit Jisu, se ai vetë tha: “Lumturi më e madhe është të japë njeriu se të marrë”.
36 Edhe si tha këto, u ul në gjunjë e u fal bashkë me ata të gjithë. 37 Edhe ata të gjithë qanë mjaft dhe e përqafuan Pavlin, dhe e puthnin; 38 edhe hidhëroheshin fort për fjalën që kishte thënë, se s’kanë për ta parë më faqen e tij. Edhe e përcillnin në lundër.
1 Edhe si u ndamë nga ata, lundruam e duke marrë udhën drejt erdhëm në Ko, edhe ditën tjetër në Rodos, edhe që andej në Patara. 2 Edhe si gjetëm një lundër që kishte për të shkuar në Finikë, hipëm në të e lundruam. 3 Edhe kur pamë për së largu Qipron, dhe e lamë në të majtë, lundruam për në Siri, edhe dolëm në Tir; sepse atje lundra kishte për të shkarkuar ngarkesën. 4 Edhe si gjetëm nxënësit, qëndruam atje shtatë ditë; edhe ata i thoshin Pavlit me anë të Frymës, që mos ngjitet në Jerusalem. 5 Edhe si i mbaruam ato ditë, dolëm e shkonim, edhe ata të gjithë me gra e me fëmijë na përcillnin deri jashtë qytetit; dhe si u ulëm në gjunjë në buzë të detit, u falëm. 6 Edhe si përshëndetëm njëri-tjetrin hipëm në lundër, dhe ata u kthyen nëpër shtëpitë e tyre.
7 Edhe ne si mbaruam lundrimin prej Tirit arritëm në Ptolemaidë, e si përshëndetëm vëllezërit, qëndruam një ditë pranë tyre. 8 Edhe të nesërmen, dolëm e erdhëm në Qesari dhe si hymë në shtëpinë e Filip Ungjilltarit, që ishte një nga të shtatët, qëndruam pranë tij. 9 Edhe ky kishte katër bija virgjëresha që profetizonin. 10 Edhe ndërsa ne ishim duke qëndruar atje mjaft ditë, zbriti nga Judea një profet që quhej Agaf. 11 Edhe si erdhi te ne, mori brezin e Pavlit dhe si lidhi duart e këmbët e tij tha: Këto thotë Fryma e Shenjtë, kështu do ta lidhin Judenjtë në Jerusalem atë burrë, i të cilit është ky brez, edhe do t’ua dorëzojnë kombeve. 12 Edhe kur dëgjuam këto, i luteshim edhe ne, edhe vendasit të mos ngjitet ai në Jerusalem. 13 Po Pavli u përgjigj: Ç’bëni kështu duke qarë e duke copëtuar zemrën time? Sepse unë jam gati jo vetëm të lidhem, po edhe të vdes në Jerusalem për emrin e Zotit Jisu. 14 Edhe pasi nuk i mbushej mendja, pushuam, duke thënë: Le të bëhet dëshira e Zotit. 15 Edhe pas këtyre ditëve bëmë gati plaçkat e u ngjitëm në Jerusalem. 16 Edhe erdhën bashkë me ne edhe disa nxënës nga Qesaria, edhe prunë një farë Mnason Qipriani, një nxënës të vjetër, në shtëpinë e të cilit do të qëndronim.
17 Edhe si erdhëm ne në Jerusalem, vëllezërit na pritën me gëzim. 18 Edhe ditën tjetër Pavli shkoi bashkë me ne te Jakovi; edhe erdhën gjithë pleqtë. 19 Edhe si i përshëndeti, u tregonte atyre një nga një gjithë sa bëri Perëndia ndër kombet me anë të shërbesës së tij. 20 Edhe ata kur dëgjuan, lavdëronin Zotin; dhe i thanë: E shikon, o vëlla, sa shumë mijëra Judenj janë që kanë besuar; dhe të gjithë janë zelltarë të ligjit. 21 Edhe morën vesh për ty se mëson gjithë Judenjtë që janë ndër kombet të largohen prej Moisiut, duke thënë të mos rrethpresin djemtë, as të mos ecin sipas zakoneve. 22 Çfarë pra? Pa fjalë turma do të mblidhet, sepse do të dëgjojnë se ke ardhur. 23 Bëj pra këtë që të themi. Janë te ne katër burra, që kanë një betim mbi veten e tyre. 24 Merri këta edhe pastrohu bashkë me ta, dhe prish për ta, që të rruajnë kryet, dhe të gjithë ta dinë se s’janë gjë ato që kanë dëgjuar për ty, po se edhe ti vetë je duke ruajtur gjithnjë ligjin? 25 Sa për ata kombet që kanë besuar, ne u shkruam, pasi e pamë të udhës që ata të mos ruajnë asgjë të këtillë, veç të ruhen prej flijimeve të idhujve dhe prej gjakut, dhe prej kafshës së mbytur, dhe prej kurvërisë. 26 Atëherë Pavli i mori me vete ata burrat, dhe ditën tjetër, si u pastrua bashkë me ta, hyri në tempull, dhe lajmëron kur mbushen ditët e pastrimit, kur do të sillej dhuratë për secilin prej tyre.
27 Edhe kur do të mbusheshin të shtatë ditët, ata Judenjtë që ishin nga Azia, kur e panë atë në tempull, trazuan gjithë turmën, edhe vunë duart mbi të, 28 duke bërtitur: O burra Izraelitë, ndihmonani. Ky është ai njeriu që mëson kudo gjithë njerëzit kundër popullit dhe ligjit, dhe këtij vendi; dhe madje edhe Grekë futi në tempull, dhe ndoti këtë vend të shenjtë. 29 Sepse kishin parë më parë Trofim Efesianin bashkë me të në qytet, të cilin pandehnin se Pavli e kishte futur në tempull. 30 Edhe u tund gjithë qyteti, dhe u mblodh populli; dhe si zunë Pavlin, e hoqën jashtë tempullit; dhe përnjëherë u mbyllën dyert.
31 Edhe tek kërkonin ta vrisnin, shkoi fjala te kryemijësi i kohortës, se gjithë Jerusalemi është trazuar. 32 Ky përnjëherë mori me vete ushtarë e kryeqindës e u sul poshtë mbi ata. Edhe ata kur panë kryemijësin edhe ushtarët, pushuan së rrahuri Pavlin. 33 Atëherë kryemijësi u afrua dhe e zuri, dhe urdhëroi të lidhet me dy vargje hekurash, dhe pyeste, cili ishte ai dhe ç’kishte bërë. 34 Edhe në mes të turmës bërtisnin disa për një, e të tjerë për tjetër punë; edhe pasi nuk mundi të marrë vesh të vërtetën për trazirën, urdhëroi të sillet në fortesë. 35 Edhe kur erdhi te shkallët, u desh të mbahej nga ushtarët për shkak të dhunës nga ana e turmës. 36 Sepse turma e popullit vinte pas duke bërtitur: Ngrije atë.
37 Edhe Pavli, kur do të hynte në fortesë, i thotë kryemijësit: A më lejohet të të them diçka? 38 Edhe ai tha: A di greqisht? Vallë, mos je ti ai Egjiptiani, që ngriti krye para pak kohësh dhe nxori në shkretëtirë katër mijë njerëz gjakësorë? 39 Edhe Pavli tha: Unë jam një njeri jude nga Tarsi, qytetar i një qyteti me emër të Kilikisë; edhe të lutem, jepmë leje t’i flas popullit. 40 Edhe si i dha leje ai, Pavli qëndroi mbi shkallë, i bëri popullit shenjë me dorë dhe si u bë heshtje e madhe, foli në gjuhë hebraishte, duke thënë:
1 O burra vëllezër dhe etër, pa dëgjoni mbrojtjen time përpara jush. 2 Edhe kur dëgjuan se u fliste atyre në gjuhë hebraishte, heshtën më tepër. Dhe thotë:
3 Unë jam një njeri jude, lindur në Tars të Kilikisë dhe rritur në këtë qytet pranë këmbëve të Gamalielit, mësuar me kujdes në ligjin e etërve, dhe isha i zellshëm për Perëndinë, siç jeni ju të gjithë sot. 4 Edhe këtë udhë e përndoqa deri në vdekje duke lidhur e duke dhënë në burgje burra e gra, 5 siç dëshmon edhe kryeprifti për mua dhe gjithë pleqësia, prej të cilëve mora edhe letra për vëllezërit dhe shkoja në Damask që të sillja të lidhur edhe ata që ishin atje, që të ndëshkoheshin. 6 Edhe duke bërë udhë tek afrohesha në Damask, afër mesditës, papandehur prej qielli vetëtiu një dritë e madhe rreth meje. 7 Edhe rashë përdhe, dhe dëgjova një zë që më thoshte: Saul, Saul, pse më përndjek? Edhe unë u përgjigja: Cili je ti, o Zot? 8 Edhe ai më tha: Unë jam Jisu Nazaretasi, të cilin ti e përndjek. 9 Edhe ata që ishin me mua e panë dritën dhe u trembën fort; po zërin e atij që më fliste nuk e dëgjuan. 10 Edhe unë thashë: Ç’të bëj, o Zot? Zoti më tha: Ngrihu e shko në Damask dhe atje do të të flitet për gjithë sa janë urdhëruar të bësh. 11 Edhe pasi nuk shihja nga ndriçimi i asaj drite, duke u hequr prej dore nga ata që ishin bashkë me mua, erdha në Damask.
12 Edhe njëfarë Ananie, burrë shpresëtar pas ligjit, dhe me dëshmi të mirë prej gjithë Judenjve që rrinin atje, 13 erdhi tek unë dhe ndenji përpara e më tha: Saul, vëlla, hap sytë. Edhe unë në po atë çast hapa sytë dhe e pashë atë. 14 Edhe ai tha: Perëndia i etërve tanë të zgjodhi të njohësh dëshirën e tij, edhe të shohësh të Drejtin, dhe të dëgjosh zë prej gojës së tij. 15 Sepse do të jesh dëshmitar i atij tek të gjithë njerëzit për sa pe e dëgjove. 16 Edhe tani ç’pret? Ngrihu e pagëzohu dhe lahu nga mëkatet e tua, duke thirrur emrin e Zotit.
17 Edhe pasi u ktheva në Jerusalem, tek isha duke u falur në tempull, rashë në ekstazë, 18 edhe e pashë atë duke më thënë: Nxito, dhe dil shpejt nga Jerusalemi; sepse s’kanë për ta pranuar dëshminë tënde për mua. 19 Edhe unë thashë: Zot, ata e dinë se unë isha ai që burgosja e që rrihja nëpër sinagoga ata që besonin në ty. 20 Edhe kur derdhej gjaku i Stefanit, dëshmitarit tënd, edhe unë vetë isha atje përpara duke pëlqyer vrasjen e tij, edhe ruaja rrobat e atyre që e vrisnin. 21 Edhe më tha: Shko, se unë kam për të të dërguar ndër kombe larg.
22 Edhe deri në këtë fjalë e dëgjonin; po atëherë ngritën zërin e tyre, duke thënë: Ngrije prej dheut të këtillin; sepse nuk duhet të rrojë. 23 Edhe meqenëse ata bërtisnin dhe shkundnin rrobat e tyre, dhe hidhnin pluhur në ajër, 24 kryemijësi urdhëroi të sillet në fortesë, edhe tha ta pyesin me të rrahura, që të marrë vesh për ç’shkak bërtisnin kështu kundër atij. 25 Edhe si e shtriu të lidhur me rripa, Pavli i thotë kryeqindësit që rrinte atje: Eshtë vallë e lejueshme për ju të rrihni një njeri romak, dhe pa e gjykuar? 26 Edhe kryeqindësi kur dëgjoi këto, shkoi e i tregoi kryemijësit, duke thënë: Shiko ç’je duke bërë; sepse ky njeri është romak. 27 Edhe kryemijësi erdhi e i tha: Thuamë, Romak je ti? Edhe ai tha: Po. 28 Edhe kryemijësi u përgjigj: Unë me një shumë të madhe e fitova këtë qytetari. Edhe Pavli tha: Kurse unë kam lindur romak. 29 Përnjëherë pra u larguan prej tij ata që do ta mundonin. Po edhe kryemijësi u frikësua, se mori vesh që është romak, edhe sepse e kishte lidhur.
30 Edhe të nesërmen, duke dashur të marrë vesh të vërtetën për ç’punë akuzohet nga Judenjtë, e zgjidhi nga vargonjtë, dhe urdhëroi të vijnë kryepriftërinjtë dhe gjithë kuvendi i tyre; edhe zbriti Pavlin dhe e vuri përpara tyre.
1 Edhe Pavli hodhi sytë në kuvend, e tha: Burra vëllezër, unë deri në këtë ditë kam ecur përpara Perëndisë me gjithë ndërgjegjen e mirë. 2 Edhe kryeprifti Anania i urdhëroi ata që rrinin pranë atij t’i bien gojës. 3 Atëherë Pavli i tha: Perëndia do të të bjerë, o mur i lyer me gëlqere; e ti rri të më gjykosh sipas ligjit, dhe duke shkelur ligjin urdhëron të më bien? 4 Edhe ata që rrinin pranë, thanë: Kryepriftin e Perëndisë shan? 5 Edhe Pavli tha: Nuk e dija, vëllezër, se është kryeprift; sepse është shkruar, “Mos fol keq për të parin e popullit tënd”.
6 Dhe Pavli, si e kuptoi se njëra pjesë ishte prej Saduqenjsh, dhe tjetra prej Farisenjsh, bërtiti në kuvend: Burra vëllezër, unë jam Farise, bir Fariseu. Unë po gjykohem për shpresë e për ngjalljen e të vdekurve. 7 Edhe si foli ai këtë, u bë një grindje në mes të Farisenjve e të Saduqenjve, edhe mbledhja u përça. 8 Sepse Saduqenjtë thonë se s’ka ngjallje, as engjëll, as shpirt; kurse Farisenjtë i pohojnë që të dyja. 9 Edhe u bë një trazirë e madhe, dhe shkruesit e anës së Farisenjve u ngritën e grindeshin, duke thënë: Asgjë të keqe s’gjejmë te ky njeri; po nëse i foli atij ndonjë shpirt a engjëll, le të mos luftojmë kundër Perëndisë. 10 Edhe pasi u bë trazirë e madhe, kryemijësi pati frikë se mos shqyhet Pavli prej tyre, dhe urdhëroi të zbresë ushtria e ta rrëmbejë nga mesi i tyre, dhe ta çojë në fortesë.
11 Edhe natën pas asaj dite iu duk Zoti e i tha: Ki zemër, Pavël, se siç dëshmove për mua në Jerusalem, kështu duhet të dëshmosh edhe në Romë.
12 Edhe si u bë ditë, disa nga Judenjtë u lidhën me be në mes tyre e mallkuan veten e tyre, duke thënë as të mos hanë, as të mos pinë, derisa të vrasin Pavlin. 13 Edhe ata që kishin bërë këtë përbetim ishin më shumë se dyzet veta, 14 të cilët erdhën te kryepriftërinjtë dhe te pleqtë, e thanë: Me mallkim kemi nëmur veten tonë të mos vëmë gjë në gojë, derisa të vrasim Pavlin. 15 Tani pra ju me këshillin lajmëroni kryemijësin ta zbresë nesër te ju, sikur doni të merrni vesh më mirë punët e tij; edhe ne, para se të afrohet ai, jemi gati ta vrasim.
16 Po si dëgjoi për këtë pritë, i biri i së motrës së Pavlit, shkoi e hyri në fortesë e i tregoi Pavlit. 17 Edhe Pavli thërriti një nga kryeqindësit e tha: Dërgojeni këtë djalosh te kryemijësi, sepse ka diçka për t’i thënë atij. 18 Ai pra, si e mori me vete, e pruri te kryemijësi, edhe thotë: Pavli që është në burg më thirri, e m’u lut të sjell këtë djalosh tek ti, sepse ka diçka për të të thënë ty. 19 Edhe kryemijësi si e mori prej dore, edhe u hoq mënjanë, e pyeste: Ç’është ajo që ke për të më treguar? 20 Edhe ai tha se Judenjtë lidhën fjalë të të luten që nesër ta zbresësh Pavlin në këshill, sikur kanë për të pyetur diçka më saktësisht për të. 21 Po ti mos i dëgjo ata; sepse atë e presin në pritë më shumë se dyzet prej tyre, të cilët kanë nëmur veten e tyre as të mos hanë as të mos pinë, deri sa ta vrasin atë; edhe tani janë gati duke pritur fjalë prej teje.
22 Kryemijësi pra e lëshoi djaloshin, duke e porositur atë: Mos i thuaj asnjeriu se më tregove këto. 23 Edhe thirri dy veta nga kryeqindësit, e u tha atyre: Bëni gati dyqind ushtarë për të shkuar deri në Qesari, edhe shtatëdhjetë kalorës, edhe dyqind heshtarë, që në të tretën orë të natës. 24 Bëni gati edhe kafshë, që të hipin Pavlin e ta çojnë me siguri te qeveritari Feliks. 25 Edhe shkroi një letër që kishte këto fjalë:
26 “Klaud Lisia të pushtetshmit qeveritar Feliks, përshëndetje. 27 Këtë njeri që u zu prej Judenjve dhe do të vritej prej tyre, unë arrita bashkë me ushtrinë dhe e shpëtova, sepse mora vesh se është Romak. 28 Edhe duke dashur të marr vesh për ç’shkak e akuzonin, e zbrita në kuvendin e tyre. 29 Edhe gjeta se akuzohej për çështje të ligjit të tyre, po s’ka ndonjë faj për vdekje a për t’u lidhur me hekura. 30 Edhe pasi më lajmëruan se do të bëhej pritë prej Judenjve kundër njeriut, menjëherë e dërgova te ti, edhe i porosita edhe ata që e akuzojnë atë të thonë përpara teje ç’fjalë kanë kundër tij. Qofsh me shëndet.”
31 Ushtarët pra, siç qenë urdhëruar, morën Pavlin dhe e prunë natën në Antipatridë. 32 Edhe të nesërmen, si lanë kalorësit të shkojnë bashkë me të, u kthyen në fortesë. 33 Ata, si hynë në Qesari dhe dhanë letrën në dorë të qeveritarit, nxorën përpara tij edhe Pavlin. 34 Edhe qeveritari si e lexoi, dhe pyeti nga ç’provincë është, edhe kur dëgjoi se është nga Kilikia, 35 tha: Do të të dëgjoj, kur të vijnë edhe ata që të akuzojnë. Edhe urdhëroi të ruhet në gjykatën e Herodit.
1 Edhe pas pesë ditësh zbriti kryeprifti Anania bashkë me pleqtë e me njëfarë oratori që quhej Tertil, të cilët dolën përpara qeveritarit kundër Pavlit. 2 Edhe si u thirr ai, Tertili zuri të akuzojë, duke thënë: 3 O i pushtetshëm Feliks, shumë qetësi kemi prej teje, edhe punë të mëdha bëhen në këtë komb me përkujdesjen tënde, edhe përherë e kudo i presim këto me shumë falënderime. 4 Po që mos të të rëndoj tepër, të lutem të na dëgjosh pak fjalë me butësinë tënde. 5 Pasi e gjetëm këtë njeri se është murtajë, edhe se nxit trazirë në mes të gjithë Judenjve që janë nëpër botë, edhe se është i pari i sektit të Nazaretasit, 6 që edhe tempullin deshi ta ndyjë, të cilin edhe e zumë dhe deshëm ta gjykojmë sipas ligjit tonë. 7 Po erdhi Lisia, kryemijësi, edhe na e rrëmbeu prej duarve me shumë dhunë, 8 duke urdhëruar që akuzuesit e tij të vijnë përpara teje; prej të cilit ti vetë, si ta pyesësh, do të mundësh të marrësh vesh për gjithë këto që e akuzojmë ne. 9 E miratuan atë edhe Judenjtë, duke thënë se këto kështu janë.
10 Atëherë Pavli, pasi i bëri shenjë qeveritari të flasë, u përgjigj: Pasi e di se prej shumë vitesh je gjykatës në këtë komb, me besim do ta mbroj veten time, 11 sepse mund të marrësh vesh se nuk janë më tepër se dymbëdhjetë ditë qëkurse u ngjita në Jerusalem për t’u falur. 12 Edhe as në tempull nuk më gjetën duke kuvenduar me ndonjë njeri, ose duke ngritur më këmbë popullin, as nëpër sinagogat, as në qytet. 13 As mund t’i vërtetojnë ato gjëra për të cilat më akuzojnë tani. 14 Por pohoj këtë te ti, se sipas udhës, që këta i thonë herezi, kështu adhuroj Perëndinë e etërve të mi, duke besuar në të gjitha ato që janë shkruar në ligj e në profetët. 15 Edhe kam shpresë te Perëndia, të cilin edhe këta vetë e presin, se do të bëhet ngjallja e të vdekurve, të drejtëve e të padrejtëve. 16 Edhe për këtë unë po përpiqem, që të kem përherë ndërgjegje pa qortim përpara Perëndisë dhe përpara njerëzve. 17 Edhe tani pas shumë viteve erdha për t’i bërë kombit tim lëmosha e dhurata. 18 Po në mes të këtyre gjërave më gjetën të pastruar në tempull, jo me shumë njerëz, as me trazirë, disa Judenj nga Azia, 19 të cilët duhej të dilnin përpara teje e të më akuzonin, në kishin gjë kundër meje. 20 Ose këta vetë le të thonë në gjetën ndonjë padrejtësi tek unë, kur dola përpara kuvendit, 21 veç në është për këtë zë të vetëm, që thërrita në mes tyre, se për ngjalljen e të vdekurve po gjykohem unë sot prej jush.
22 Edhe Feliksi, si dëgjoi këto, e la gjyqin e tyre për një ditë tjetër, sepse i dinte më hollë punët e kësaj udhe, dhe tha: Kur të zbresë kryemijësi Lisia, do t’i marr vesh mirë punët tuaja. 23 Edhe urdhëroi kryeqindësin të ruhet Pavli e të ketë lehtësira, edhe të mos ndalojnë ndonjë prej njerëzve të tij t’i shërbejë ose të vijë tek ai.
24 Edhe pas disa ditësh erdhi Feliksi bashkë me gruan e tij, Drusilën, e cila ishte Judease, edhe dërgoi e thërriti Pavlin, edhe dëgjoi nga ai për besimin në Krishtin. 25 Edhe ndërsa ai fliste për drejtësi e vetëpërmbajtje dhe për gjyqin që do të vijë, Feliksit i hyri frikë, e u përgjigj: Tani shko, po kur të kem kohë, do të të thërres prapë. 26 Sepse njëkohësisht edhe shpresonte se Pavli do t’i jepte para, që ta lëshojë; prandaj më shpesh e thërriste dhe fliste me të.
27 Po pasi u mbushën dy vjet, Feliksin e pasoi Port Festi; edhe Feliksi, duke dashur t’u bëjë nder Judenjve, e la Pavlin të lidhur.
1 Festi pra, si erdhi në provincë, pas tri ditësh u ngjit nga Qesaria në Jerusalem. 2 Edhe kryeprifti dhe të parët e Judenjve që ishin kundër Pavlit u paraqitën përpara tij, 3 edhe i luteshin, duke kërkuar një nder kundër tij, që të dërgojë e ta bjerë atë në Jerusalem, sepse kishin bërë pritë që ta vrisnin gjatë udhës. 4 Edhe Festi u përgjigj se Pavli ruhet në Qesari, dhe se ai vetë kishte për të shkuar shpejt atje. 5 Le të zbresin pra, tha, ata që munden prej jush, bashkë me mua, dhe në ka gjë të keqe te ky njeri, le ta akuzojnë.
6 Edhe pasi ndenji tek ata më tepër se dhjetë ditë, zbriti në Qesari, dhe të nesërmen, si ndenji në gjykatë, urdhëroi të sillet Pavli. 7 Edhe si erdhi ai, dolën përpara Judenjtë që kishin zbritur nga Jerusalemi, edhe thoshin kundër Pavlit shumë akuza të rënda, të cilat s’mund t’i vërtetonin, 8 sepse ai, për të mbrojtur veten, thoshte se as në ligjin e Judenjve, as në tempullin, as në Qezarin nuk bëra ndonjë faj. 9 Po Festi, pasi donte t’u bënte nder Judenjve, iu përgjigj Pavlit, e tha: A dëshiron të ngjitesh në Jerusalem dhe atje të gjykohesh për këto përpara meje? 10 Edhe Pavli tha: Unë po qëndroj përpara gjykatës së Qezarit, ku duhet të gjykohem. Judenjve asnjë të keqe s’u kam bërë, siç e di edhe ti fort mirë. 11 Sepse, në qoftë se kam faj dhe nëse kam bërë gjë për vdekje, nuk i trembem vdekjes; po në mos pastë asgjë nga ato që më akuzojnë këta, asnjë nuk mund të më falë tek ata. Thërres në Qezarin. 12 Atëherë Festi, si foli me kuvendin, u përgjigj: Në Qezarin thërrite? Te Qezari do të shkosh.
13 Edhe si kaluan disa ditë, mbreti Agripa dhe Vernika erdhën në Qesari, për të përshëndetur Festin. 14 Edhe si ndenjën atje shumë ditë, Festi i tregoi mbretit për Pavlin, duke thënë: Një njeri është lënë këtu i lidhur prej Feliksit; 15 për të cilin, kur shkova në Jerusalem, u paraqitën kryepriftërinjtë dhe pleqtë e Judenjve dhe kërkuan dënim kundër tij. 16 Këtyre iu përgjigja se nuk është zakon ndër Romakët të jepet ndonjë njeri në vdekje, para se i akuzuari të ketë përballë ata që e akuzojnë, edhe para se të ketë rast të mbrohet për fajin e tij. 17 Pasi pra ata u mblodhën këtu, pa vonuar fare, të nesërmen ndenja në gjykatë dhe urdhërova të sillet njeriu, 18 për të cilin ata që e akuzonin, si dolën përpara meje, nuk prunë ndonjë akuzë nga ato që mendoja unë. 19 Po kishin kundër tij ca çështje për besimin e tyre, edhe për njëfarë Jisui që kishte vdekur, për të cilin Pavli thoshte se rron. 20 Edhe unë, pasi s’dija se ç’të bëja për një çështje të tillë, i thashë nëse dëshiron të shkojë në Jerusalem, dhe atje të gjykohet për këtë. 21 Po pasi Pavli thirri të ruhet për gjykim te Perandori, urdhërova të ruhet ai, derisa ta dërgoj te Qezari. 22 Edhe Agripa i tha Festit: Desha edhe unë ta dëgjoj këtë njeri. Edhe ai tha: Nesër do ta dëgjosh.
23 Të nesërmen pra, kur erdhi Agripa edhe Vernika me shumë madhështi, edhe hynë në sallën e gjykatës bashkë me kryemijësit e me burrat e shquar të qytetit, Festi urdhëroi e u soll Pavli. 24 Atëherë Festi thotë: O mbret Agripa, dhe gjithë burrat që jeni këtu bashkë me ne, e shihni këtë, për të cilin gjithë turma e Judenjve më folën edhe në Jerusalem, edhe këtu, duke bërtitur se ai nuk duhet të rrojë më. 25 Po unë pasi gjeta se s’ka bërë gjë për vdekje, dhe ai vetë thirri në Perandorin, e pashë të udhës ta dërgoj; 26 për të cilin s’kam asgjë të vërtetë që t’i shkruaj perandorit; prandaj e solla atë përpara jush, edhe më tepër përpara teje, o mbret Agripa, që të kem se ç’të shkruaj, pasi të bëhet hetimi. 27 Sepse më duket punë pa mend të dërgoj një njeri të lidhur, pa shënuar edhe akuzat kundër tij.
1 Edhe Agripa i tha Pavlit: Ke leje të flasësh për veten tënde. Atëherë Pavli, si shtriu dorën u mbrojt:
2 O mbret Agripa, e quaj veten time të lumtur, sepse do të mbrohem përpara teje sot për gjithë sa akuzohem nga Judenjtë, 3 po më tepër sepse ti i di gjithë zakonet dhe çështjet e Judenjve; prandaj të lutem të më dëgjosh me zemërgjerësi. 4 Jetën time që prej djalërisë, të cilën e jetova që në fillim në mes të kombit tim në Jerusalem, e dinë të gjithë Judenjtë, 5 sepse më njohin që herët, në qoftë se duan të dëshmojnë, se jetova Farise sipas sektit më të rreptë të fesë sonë. 6 Edhe tani rri përpara e gjykohem për shpresën e premtimit që iu bë nga Perëndia etërve tanë. 7 Në këtë premtim të dymbëdhjetë fiset e kombit tonë, duke adhuruar Perëndinë pa pushim ditë e natë, shpresojnë të arrijnë; për këtë shpresë akuzohem, o mbret Agripa, prej Judenjve. 8 Përse gjykohet gjë e pabesueshme nga ju që Perëndia ngjall të vdekur? 9 Sa për mua, unë mendohesha me veten time se duhej të bëja shumë punë kundër emrit të Jisu Nazaretasit, 10 gjë të cilën edhe e bëra në Jerusalem dhe shumë nga shenjtërit unë i mbylla në burgje, pasi mora pushtet nga kryepriftërinjtë; edhe kur vriteshin, kisha dhënë votën kundër tyre. 11 Edhe shumë herë nëpër gjithë sinagogat, duke i munduar ata, i detyroja të blasfemonin; edhe duke u tërbuar pa masë kundër tyre, i përndiqja edhe deri në qytetet e jashtme.
12 Edhe mbi këto e sipër, kur isha duke shkuar në Damask me pushtet e me porosi nga ana e kryepriftërinjve, 13 në mes të ditës, rrugës pashë, o mbret, se prej qielli një dritë, që e kalonte ndriçimin e diellit, ndriti rreth meje dhe atyre që udhëtonin bashkë me mua. 14 Edhe si ramë të gjithë përdhe, dëgjova një zë që më fliste mua e që thoshte në gjuhën hebraishte: Saul, Saul, pse më përndjek? Është keq për ty t’u biesh thumbave me shkelma. 15 Edhe unë thashë: Cili je ti, o Zot? Edhe ai tha: Unë jam Jisui, të cilin ti po përndjek. 16 Po ngrihu dhe qëndro në këmbët e tua; sepse për këtë u shfaqa te ti, që të vë ty shërbëtor dhe dëshmitar edhe të atyre që pe edhe të atyre me të cilat do të të shfaqem ty. 17 Duke të zgjedhur ty nga populli e nga kombet, tek të cilët tani po të dërgoj, 18 që të hapësh sytë e tyre, që të kthehen nga errësira në dritë, dhe nga pushteti i Satanait te Perëndia, që të marrin ndjesë mëkatesh, edhe trashëgim në mes të të shenjtëruarve me anë të besimit tek unë.
19 Prandaj, o mbret Agripa, nuk u bëra i pabindur në këtë vegim nga qielli, 20 por u predikoja më parë atyre në Damask e në Jerusalem, edhe nëpër gjithë dheun e Judesë, edhe pastaj në kombet, të pendohen dhe të kthehen tek Perëndia, duke bërë punë të denja për pendim. 21 Për këto Judenjtë më zunë në tempull e donin të më vrisnin. 22 Po me ndihmën që m’u dha prej Perëndisë po qëndroj deri në këtë ditë, duke u dhënë dëshmi të vegjëlve e të mëdhenjve, pa thënë gjë tjetër veç atyre që folën profetët dhe Moisiu se do të bëheshin, 23 se Krishti do të pësonte, dhe se i pari do të ngjallej prej së vdekurish, edhe se do të predikonte dritë në popull e në kombet.
24 Edhe ndërsa ai po mbrohej kështu për veten e tij, Festi tha me zë të madh: Je i marrë, Pavël. Mësimet e shumta të bënë të marrosesh. 25 Edhe ai tha: Nuk jam i marrë, o i pushtetshëm Fest, por flas fjalë të vërteta dhe prej mendjeje të shëndoshë. 26 Sepse i di këto punë mbreti, të cilit edhe i flas me guxim; sepse jam i bindur se s’ka asnjë nga këto që të mos e dijë; sepse kjo nuk është bërë në ndonjë qoshe. 27 A u beson profetëve, o mbret Agripa? E di se u beson. 28 Edhe Agripa i tha Pavlit: Për pak po më bind të bëhem i krishterë. 29 Edhe Pavli tha: I lutem Perëndisë, që jo vetëm ti, po edhe gjithë ata që më dëgjojnë sot të bëhen shpejt a vonë të tillë siç jam edhe unë, përveç këtyre vargonjve.
30 Edhe si tha ai këto, u ngrit mbreti dhe qeveritari, dhe Vernika, dhe ata që kishin ndenjur bashkë me ta. 31 Edhe si ikën, flisnin njëri me tjetrin, duke thënë se ky njeri s’ka bërë asgjë për vdekje a për hekura. 32 Edhe Agripa i tha Festit: Ky njeri mund të lëshohej, po të mos kishte thirrur në Qezarin.
1 Edhe pasi u pa e udhës të lundrojmë për në Itali, dorëzuan Pavlin dhe disa të lidhur të tjerë te një kryeqindës që quhej Jul, prej kohortës Augustiane. 2 Edhe si hipëm në një lundër adramitine, u ngritëm me mendim të lundrojmë afër vendeve të Azisë. Edhe Aristark Maqedonasi prej Thesalonikut ishte bashkë me ne. 3 Edhe ditën tjetër arritëm në Sidonë; edhe Juli u soll njerëzisht me Pavlin, edhe e la të shkojë te miqtë e tij që të kujdeseshin për të. 4 Edhe si u ngritëm që andej lundruam nën Qipro, sepse erërat ishin kundër. 5 Edhe si kaluam detin e Kilikisë e të Pamfilisë, erdhëm në Mirë të Likisë. 6 Edhe atje kryeqindësi gjeti një lundër aleksandrine, që lundronte për në Itali dhe na vuri brenda në të. 7 Edhe duke lundruar mjaft ditë ngadalë mezi arritëm në Knidë, edhe pasi nuk na linte era, lundruam nën Kretë nga ana e Salmonës. 8 Edhe pasi e kapërcyem atë me mundim, erdhëm në një vend që quhet Limanet e Mira, afër të cilit ishte qyteti Lasea.
9 Edhe pasi pati shkuar mjaft kohë dhe lundrimi tani ishte i rrezikshëm, sepse edhe agjërimi tani kishte kaluar, Pavli i këshillonte, 10 duke u thënë atyre: Burra, shoh se ky lundrim do të bëhet me mundime e me shumë dëm, jo vetëm të ngarkesës e të lundrës, po edhe të jetëve tona. 11 Po kryeqindësi dëgjonte më tepër kapedanin dhe të zotin e lundrës se fjalët e Pavlit. 12 Edhe pasi limani s’ishte i mirë për të dimëruar, më të shumtët dhanë këshillë të ngrihen që andej, që të arrijnë, në qoftë se mundnin, në Finikë, që është një liman i Kretës që sheh nga jugperëndimi e nga veriperëndimi, edhe atje të dimërojnë. 13 Edhe kur fryu lehtë erë jugu, pandehën se arritën dëshirën, u ngritën dhe lundronin pranë Kretës.
14 Po pas pakëz here doli kundër saj një erë stuhie, ajo që quhet verilindore. 15 Edhe pasi u rrëmbye lundra dhe s’mundej t’i qëndronte erës, e lamë dhe silleshim prej erës andej e këtej. 16 Edhe si shkuam nën një ujdhesë të vogël që quhet Klauda, mezi mundëm të zotëronim varkën e shpëtimit, 17 të cilën si e ngritën, përdorën për ndihmë litarë duke e lidhur lundrën që përposh; dhe meqenëse kishin frikë se mos ngecin në Ranishtet e Sirtes, ulën velat, dhe kështu silleshin andej e këtej. 18 Edhe pasi motin e kishim fort të keq, ditën tjetër derdhëm mallin në det. 19 Edhe ditën e tretë i hodhëm pajisjet e lundrës me duart tona. 20 Edhe meqenëse për shumë ditë nuk dukeshin as dielli, as yjet, edhe moti ishte fort i keq, çdo shpresë shpëtimi u hoq prej nesh.
21 Edhe si kishin shumë ditë pa ngrënë, atëherë Pavli qëndroi në mes tyre, e tha: Duhej, o burra, të më dëgjonit, edhe të mos ngriheshit nga Kreta, dhe të mos hiqnim këto të këqija e këtë dëm. 22 Edhe tani ju këshilloj të gëzoheni, sepse nuk do të humbë asnjë shpirt prej jush, veç lundrës. 23 Sepse këtë natë m’u duk një engjëll i Perëndisë, i të cilit jam, të cilin edhe e adhuroj, 24 edhe tha: Mos ki frikë, Pavël. Ti duhet të dalësh përpara Qezarit. Edhe ja Perëndia t’i ka falur ty të gjithë ata që lundrojnë bashkë me ty. 25 Prandaj gëzohuni, o burra, sepse besoj në Perëndinë, se kështu do të jetë, siç më është folur mua. 26 Edhe duhet të zëmë tokë në një ujdhesë.
27 Edhe kur erdhi nata e katërmbëdhjetë, tek po silleshim andej-këtej në detin Adriatik, rreth mesit të natës detarët sikur kuptonin se po afrohen në një tokë. 28 Edhe kur hodhën thellësimatësin, gjetën njëzet pashë ujë; dhe si shkuan pakëz më tej, hodhën prapë thellësimatësin, dhe gjetën pesëmbëdhjetë pashë. 29 Edhe pasi kishin frikë se mos binin në vende shkëmbore, hodhën katër spiranca prej kiçit të lundrës, edhe luteshin të bëhet ditë.
30 Po pasi detarët kërkonin të iknin nga lundra, dhe zbritën varkën në det, gjoja se do të hidhnin spiranca nga bashi i lundrës, 31 Pavli i tha kryeqindësit dhe ushtarëve: Në mos qëndrofshin këta në lundër, ju nuk do të mund të shpëtoni. 32 Atëherë ushtarët prenë litarët e varkës, edhe e lanë të bjerë jashtë
33 Edhe derisa të bëhej ditë, Pavli u lutej të gjithëve të hanë diçka, duke thënë: Sot është dita e katërmbëdhjetë që jeni duke pritur, të uritur e pa ngrënë gjë. 34 Prandaj ju lutem të hani diçka, sepse kjo është për shpëtimin tuaj; se asnjërit prej jush nuk do t’i bjerë asnjë qime prej kokës. 35 Edhe si tha këto, mori bukë e falënderoi Perëndinë përpara të gjithëve, dhe si e theu, zuri të hajë. 36 Edhe si morën të gjithë zemër, morën edhe ata dhe hëngrën. 37 Edhe ishim të gjithë në lundër dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë shpirt. 38 Edhe si u ngopën me ushqim, lehtësonin lundrën duke hedhur grurin jashtë në det. 39 Edhe kur u gdhi, nuk e njihnin vendin, por dallonin një gji, që kishte breg, edhe në të menduan, po të mundnin, ta nxirrnin lundrën. 40 Edhe si tërhoqën lart spirancat, e lanë lundrën në det, duke zgjidhur në të njëjtën kohë lidhjet e timonëve; edhe si ngritën velën e mesme nga frynte era, ia mbajtën drejt bregut. 41 Edhe si ranë në një vend me det nga të dyja anët, shtynë lundrën jashtë; dhe balli i lundrës, si u mbështet, mbeti i patundur, po kiçi shkallmohej nga furia e valëve. 42 Edhe ushtarët bënë këshillë të vrisnin të lidhurit, që të mos ikte ndonjë duke bërë not. 43 Po kryeqindësi duke dashur të shpëtojë Pavlin, ua ndaloi këtë synim, edhe urdhëroi ata që mundeshin të bëjnë not të hidhen më parë e të dalin në tokë. 44 Edhe të tjerët dolën, disa mbi dërrasa, e disa mbi pjesë të lundrës.
Edhe kështu shpëtuan të gjithë në tokë.
1 Edhe si shpëtuan, atëherë e njohën se ujdhesa quhet Melitë. 2 Edhe barbarët rrëfyen për ne mirësi jo të pakët; sepse ndezën zjarr e na morën brenda të gjithë, sepse binte shi e ishte ftohtë.
3 Edhe kur mblodhi Pavli ca shkarpa dhe i vuri në zjarr, doli nga të nxehtit një nepërkë e iu ngjit atij në dorë. 4 Edhe barbarët, si panë bishën që varej nga dora e tij, i thoshin njëri-tjetrit: Me të vërtetë ky njeri qenka vrasës, të cilin, ndonëse shpëtoi prej detit, drejtësia nuk e la të rrojë. 5 Po ai e shkundi bishën në zjarr dhe nuk pësoi ndonjë gjë të keqe. 6 Edhe ata pritnin të ënjtej ose papandehur të binte përdhe i vdekur; po pasi pritën shumë kohë dhe shihnin se asnjë e keqe s’iu bë, ndërruan mendje e thoshin se është perëndi.
7 Edhe rreth atij vendi ishin ara të të parit të ujdhesës që quhej Publi, i cili na priti e na mbajti në shtëpi miqësisht tri ditë. 8 Edhe qëlloi që i ati i Publit të dergjej i sëmurë prej ethesh e prej barkut të keq; tek i cili Pavli, si hyri, u lut, edhe vuri duart mbi të, edhe e shëroi. 9 Edhe si u bë kjo, edhe të tjerët, gjithë sa kishin sëmundje në ujdhesë, vinin tek ai dhe shëroheshin. 10 Këta edhe na nderuan me shumë ndere, edhe kur do të iknim, na dhanë ato që kishim nevojë.
11 Edhe pas tre muajsh ikëm me një lundër aleksandrine me shenjën e Dioskurëve, që kishte dimëruar në ujdhesë. 12 Edhe si arritëm në Sirakuzë, qëndruam atje tri ditë. 13 Edhe që andej duke ardhur rrotull arritëm në Rexhio; edhe pas një dite pasi fryu erë jugu, për dy ditë erdhëm në Puteoli. 14 Atje gjetëm vëllezër, të cilët na u lutën të qëndrojmë tek ata shtatë ditë, edhe kështu u nisëm për në Romë. 15 Edhe që andej, kur dëgjuan për ne, na dolën përpara deri në Foro Apio e deri në të Tri Tavernat, vëllezërit, të cilët kur i pa Pavli, falënderoi Perëndinë, edhe mori zemër.
16 Edhe kur erdhëm në Romë, kryeqindësi ia dorëzoi të lidhurit komandantit të rojave; po Pavlit iu dha leje të rrijë më vete bashkë me ushtarin që e ruante. 17 Edhe pas tri ditësh Pavli thërriti të parët e Judenjve; edhe si u mblodhën ata, u thoshte: Burra vëllezër, ndonëse unë s’kam bërë gjë kundër popullit ose kundër zakoneve të etërve tanë, më dhanë nga Jerusalemi të lidhur në duart e romakëve, 18 të cilët si më morën në pyetje, deshën të më lëshonin, sepse s’kishte asnjë shkak për vdekje tek unë. 19 Po pasi Judenjtë flisnin kundër, u detyrova të thërres në Qezarin, jo se kam për të akuzuar për gjë kombin tim. 20 Për këtë punë pra ju thirra ju, që t’ju shoh e t’ju flas; sepse për shpresën e Izraelit jam lidhur me këtë varg hekurash.
21 Edhe ata i thanë: Ne as letra nuk kemi marrë për ty nga Judea, as nuk erdhi ndonjë nga vëllezërit të tregojë a të flasë gjë të keqe për ty. 22 Po duam të dëgjojmë prej teje ç’ke ndër mend; sepse për këtë sekt ne dimë se kudo kundërshtohet.
23 Edhe pasi i caktuan atij një ditë, erdhën më shumë veta tek ai atje ku kishte qëndruar, të cilëve ai u tregonte me dëshmime mbretërinë e Perëndisë, duke i bindur për punët e Jisuit dhe nga ligji i Moisiut dhe nga profetët, që në mëngjes e deri në mbrëmje. 24 Edhe disa bindeshin në ato që u thoshte, po të tjerë nuk besonin. 25 Edhe si nuk ishin në një fjalë në mes tyre, iknin, pasi tha Pavli një fjalë, se mirë u foli Fryma e Shenjtë etërve tanë me anë të profetit Isaia, 26 duke thënë: “Shko te ky popull dhe thuaj: Për të dëgjuar do të dëgjoni, dhe nuk do të merrni vesh; dhe duke parë do të shihni, dhe nuk do të shikoni. 27 Sepse u trash zemra e këtij populli, edhe me veshët rëndë dëgjuan, edhe sytë e tyre i mbyllën; se mos ndonjëherë shohin me sytë dhe dëgjojnë me veshët, dhe kuptojnë me zemrën, dhe kthehen, e i shëroj ata”. 28 Le të jetë pra e ditur për ju, se shpëtimi i Perëndisë iu dërgua kombeve; ata edhe do ta dëgjojnë. 29 Edhe si tha këto, Judenjtë ikën, duke u ngrënë me shumë fjalë njëri me tjetrin. 30 Edhe Pavli qëndroi dy vjet plot në një shtëpi të veçantë me qira; edhe priste gjithë ata që vinin tek ai, 31 duke predikuar mbretërinë e Perëndisë e duke u mësuar ato punë që kishin të bënin me Zotin Jisu Krisht, me gjithë guxim e pa pengesë.