Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Galatianeve

-1-

1 Pavli, apostull jo prej njerëzish, as me anë njeriu, po me anë të Jisu Krishtit, edhe të Perëndisë Atë që e ngjalli atë prej së vdekurish,
2 edhe gjithë vëllezërit që janë bashkë me mua, kishave të Galatisë;
3 hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia Atë dhe nga Zoti ynë Jisu Krisht,
4 që dha veten e tij për mëkatet tona, që të na shpëtojë nga kjo jetë e ligë e tanishme, sipas vullnetit të Perëndisë dhe Atit tonë,
5 të cilit i qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.
6 Çuditem se kaq shpejt ikni prej atij që ju thirri me anë të hirit të Krishtit në tjetër ungjill,
7 i cili nuk është tjetër, po janë disa veta, të cilët ju turbullojnë dhe duan të shtrembërojnë ungjillin e Krishtit.
8 Por edhe sikur ne, a engjëll prej qielli ju predikoftë tjetër ungjill e jo atë që ju predikuam, qoftë i mallkuar.
9 Siç thamë më përpara, edhe tani përsëri them: Në ju predikoftë juve ndonjëri ungjill tjetër e jo atë që keni marrë, qoftë i mallkuar.
10 Sepse tani, po bind njerëzit, apo Perëndinë? Apo kërkoj t’u pëlqej njerëzve? Sepse po t’u pëlqeja edhe njerëzve, nuk do të isha shërbëtor i Krishtit.
11 Po ju bëj të ditur, vëllezër, se ungjilli që u predikua prej meje nuk është sipas njeriut;
12 sepse as unë s’e mora prej njeriu, as nuk u mësova prej njeriu, po nëpërmjet zbulesës së Jisu Krishtit.
13 Sepse keni dëgjuar për sjelljen time të mëparshme në Judaizëm, se fort tepër përndiqja kishën e Perëndisë për ta shkatërruar atë.
14 Dhe përparoja në Judaizëm më tepër se shumë bashkëmoshatarë në kombin tim, sepse isha më tepër i zellshëm për traditat e etërve të mi.
15 Po kur i pëlqeu Perëndisë, i cili më ndau që nga barku i nënës dhe më thirri me anë të hirit të tij,
16 që të zbulojë Birin e tij tek unë, që ta ungjillëzoj atë ndër kombet, përnjëherë nuk u këshillova me mish e me gjak,
17 as nuk u ngjita në Jerusalem tek ata që qenë apostuj para meje, por shkova në Arabi, dhe përsëri u ktheva në Damask.
18 Pastaj, pas tre vjetësh u ngjita në Jerusalem, për të takuar Pjetrin; dhe qëndrova pranë tij pesëmbëdhjetë ditë.
19 Edhe tjetër nga apostujt nuk pashë, veçse Jakovin, vëllain e Zotit.
20 Edhe përsa ju shkruaj juve, ja, tek po ju them përpara Perëndisë se nuk gënjej.
21 Pastaj erdha në viset e Sirisë e të Kilikisë,
22 edhe fytyra ime ishte e panjohur në kishat e Judesë që ishin në Krishtin,
23 por vetëm kishin dëgjuar se ai që na përndiqte dikur, tani po ungjillëzon besimin që përpiqej të shkatërronte dikur.
24 Edhe lavdëronin Perëndinë në mua.

1 2 3 4 5 6

-2-

1 Pastaj, pas katërmbëdhjetë vjetësh, përsëri u ngjita në Jerusalem bashkë me Barnabën, si mora me vete edhe Titon.
2 Edhe u ngjita sipas zbulesës së Perëndisë, edhe u parashtrova atyre ungjillin që predikoj tek kombet, e veçanërisht më të shquarve, nga frika se mos bredh a brodha më kot.
3 Por as Titoja që qe bashkë me mua, ndonëse ishte Grek, nuk u detyrua të rrethpritet;
4 edhe kjo për shkak të vëllezërve të rremë që ishin futur fshehurazi, të cilët hynë fshehurazi për të përgjuar lirinë tonë që kemi në Krishtin Jisu, që të na robërojnë.
5 Këtyre nuk iu nënshtruam as për një çast, që e vërteta e ungjillit të qëndrojë tek ju.
6 Edhe për ata që u duket se diç janë, çfarëdo që të kenë qenë ndonjëherë, asfare s’dua t’ia di. Perëndia nuk e shikon njeriun nga fytyra; sepse ata që duken se diç janë nuk shtuan gjë tek unë;
7 po përkundrazi, kur panë se mua m’u besua ungjilli i parrethprerjes, sikurse Pjetrit ungjilli i rrethprerjes,
8 – sepse ai që veproi tek Pjetri për apostolinë e rrethprerjes, veproi edhe tek mua për kombet.
9 Edhe si e njohën hirin që m’u dha, Jakovi dhe Kefai e Joani, të cilët dukeshin se ishin shtylla, na dhanë mua dhe Barnabës dorën e djathtë të shoqërisë, që ne të shkojmë ndër kombet, e ata tek të rrethprerët.
10 Vetëm na porositën të kujtojmë të varfërit; gjë të cilën edhe u kujdesa ta bëj.
11 Edhe kur erdhi Pjetri në Antioki, e kundërshtova në sy, sepse ishte për t’u qortuar,
12 sepse pa ardhur disa veta nga Jakovi, hante bashkë me kombet; po kur erdhën, u tërhoq dhe veçoi veten e tij, sepse kishte frikë nga ata që ishin të rrethprerjes.
13 Edhe bashkë me atë u hoqën veç edhe Judenjtë e tjerë, aq sa edhe Barnaba u tërhoq në hipokrizinë e tyre.
14 Po kur pashë se nuk ecin drejt sipas së vërtetës së ungjillit, i thashë Pjetrit përpara të gjithëve: Në qoftë se ti që je Jude rron si kombet, e jo si Judenjtë, pse i detyron kombet të rrojnë si Judenjtë?
15 Ne që jemi prej natyre Judenj dhe jo prej kombesh mëkatarë,
16 duke ditur se nuk drejtësohet njeriu prej veprash ligji, veçse me anë të besimit të Jisu Krishtit, edhe ne i besuam Krishtit Jisu, që të drejtësohemi prej besimit të Krishtit, dhe jo prej veprave të ligjit; sepse asnjë mish nuk do të drejtësohet prej veprave të ligjit.
17 Po në qoftë se duke kërkuar të drejtësohemi në Krishtin, u gjetëm edhe ne mëkatarë, atëherë Krishti qenka shërbëtor i mëkatit? Larg qoftë!
18 Sepse nëse ndërtoj përsëri ato që prisha, bëj veten time shkelës.
19 Sepse unë me anë të ligjit vdiqa në ligj, që të rroj në Perëndinë.
20 Bashkë me Krishtin u kryqëzova; edhe s’rroj më unë, po Krishti rron tek unë; edhe ajo që rroj unë tani në mish, rroj në besimin e Birit të Perëndisë, i cili më deshi edhe dha veten e tij për mua.
21 Nuk hedh poshtë hirin e Perëndisë; sepse në qoftë drejtësia me anë të ligjit, atëherë Krishti vdiq më kot.

1 2 3 4 5 6

-3-

1 O Galatianë të marrë, kush ju mori më sysh që të mos i bindeni të vërtetës, përpara syve të të cilëve Jisu Krishti u përshkrua i kryqëzuar në mes tuaj?
2 Këtë vetëm dua të marr vesh prej jush: Prej veprash ligji e morët Frymën, apo prej dëgjimit të besimit?
3 Kaq të marrë qenkeni? Pasi nisët me Frymë, tani mbaroni me mish?
4 Më kot pësuat kaq shumë gjëra? Nëse vërtet ishte më kot.
5 Ai pra që ju jep Frymën dhe punon çudira ndër ju, prej veprash ligji i bën këto, apo prej dëgjimit të besimit?
6 Sikurse “Abrahami i besoi Perëndisë, dhe iu llogarit atij për drejtësi”,
7 dijeni pra, se ata që janë prej besimit, këta janë bij të Abrahamit.
8 Edhe shkrimi duke paraparë se Perëndia drejtëson kombet prej besimit, e paraungjillëzoi Abrahamin: “Se të gjitha kombet do të bekohen në ty”.
9 Prandaj ata që janë prej besimit bekohen bashkë me besëtarin Abraham.
10 Sepse sa janë prej veprash ligji, nën mallkim janë; sepse është shkruar: “I mallkuar është cilido që s’qëndron në të gjitha sa janë shkruar në librin e ligjit, për t’i bërë ato”.
11 Edhe se askush nuk drejtësohet me anë të ligjit përpara Perëndisë, është e qartë, “Sepse i drejti prej besës do të rrojë”.
12 Edhe ligji nuk është prej besës, po “njeriu që i bën ato, do të rrojë me anë të tyre”.
13 Krishti na shpërbleu nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne; se është shkruar: “I mallkuar është cilido që varet në dru”,
14 që të vijë bekimi i Abrahamit në kombet me anë të Krishtit Jisu, që të marrim premtimin e Frymës me anë të besimit.
15 O vëllezër, si njeri flas; po edhe dhiatë njeriu, pasi vërtetohet, asnjeri nuk e hedh poshtë, a shton gjë në atë.
16 Edhe premtimet iu thanë Abrahamit edhe farës së tij; nuk thotë: Edhe farave, si për shumë, po si për një: “Edhe farës sate”, që është Krishti.
17 Edhe këtë e them, se dhiatën që qe vërtetuar më përpara prej Perëndisë në Krishtin, ligji që u bë pas katërqind e tridhjetë vjetësh nuk e hedh poshtë që të prishë premtimin.
18 Sepse në qoftë se trashëgimi është prej ligji, nuk është më prej premtimi; po Perëndia ia fali këtë Abrahamit me anë të premtimit.
19 Përse pra u dha ligji? U shtua për shkak të shkeljeve, deri sa të vinte fara, së cilës i qe bërë premtimi; edhe ky ligj u urdhërua me anë të engjëjve me dorë ndërmjetësi.
20 Edhe ndërmjetësi nuk është vetëm i njërit; po Perëndia është një.
21 Ligji pra qenka kundër premtimeve të Perëndisë? Larg qoftë! Sepse në është dhënë ligj që mund të japë jetë, atëherë drejtësia do të ishte me të vërtetë prej ligjit.
22 Por shkrimi i mbylli të gjitha nën mëkat, që t’u jepet premtimi prej besimit në Jisu Krishtin atyre që besojnë.
23 Edhe përpara se të vinte besimi, ruheshim nën ligj, të mbyllur brenda në besimin, i cili ishte për t’u zbuluar.
24 Prandaj ligji u bë mësuesi ynë në Krishtin, që të drejtësohemi prej besimit. 25 Por si erdhi besimi, nuk jemi më nën mësues.
26 Sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit që është në Krishtin Jisu.
27 Sepse sa u pagëzuat në Krishtin, në Krishtin u veshët.
28 Nuk ka më Jude as Grek; nuk ka më shërbëtor, as të lirë; nuk ka më mashkull e femër; sepse ju të gjithë jeni në Krishtin Jisu.
29 Edhe në jeni ju të Krishtit, atëherë jeni farë e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit.

1 2 3 4 5 6

-4-

1 Edhe them se, sa kohë trashëgimtari është foshnjë, nuk dallon fare nga shërbëtori, ndonëse është i zoti i të gjithave;
2 por është nën mbikqyrës e kujdestarë, deri në kohën e caktuar nga i ati.
3 Kështu edhe ne, kur ishim foshnja, ishim robër nën elementët e botës;
4 po kur erdhi plotësia e kohës, Perëndia dërgoi të Birin, që lindi prej gruaje dhe që ishte nën ligj,
5 që të shpërblejë ata që ishin nën ligj, që të marrin birësinë.
6 Edhe meqenëse jemi bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja, që thërret: Abba, o Atë.
7 Prandaj nuk je më shërbëtor, po bir; dehe në je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit.
8 Po atëherë, duke mos njohur Perëndinë, u shërbyet atyre që s’janë prej natyre perëndira;
9 por tani, pasi njohët Perëndinë, ose më mirë u njohët prej Perëndisë, si ktheheni përsëri në elementët e dobët e të mjerë, të cilëve prapë si përpara doni t’u shërbeni?
10 Vini re ditë e muaj e stinë e vite.
11 Kam frikë për ju se mos më kot u mundova për ju.
12 O vëllezër, ju lutem, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju; s’më keni bërë ndonjë të keqe.
13 Edhe e dini, se predikova ungjillin tek ju herën e parë kur isha i sëmurë në mish.
14 Edhe ngasjen time që kisha në mishin tim nuk e përbuzët, as nuk e përçmuat, po më pritët si engjëll Perëndie, si Krishtin Jisu.
15 Cila pra ishte lumuria juaj? Sepse ju dëshmoj se po të mundej, edhe sytë tuaj do t’i nxirrnit e do të m’i jepnit mua.
16 A mos u bëra armiku juaj, pra, se ju them të vërtetën?
17 Tregojnë zell për ju, po jo për mirë; përkundrazi duan t’ju veçojnë, që të tregoni zell për ata.
18 Por është mirë të keni gjithmonë zell për të mirë, dhe jo vetëm kur gjendem në mes tuaj.
19 Djemtë e mi, përsëri kam dhimbje lindjeje për ju, deri sa të formohet Krishti tek ju.
20 Edhe doja të isha në mes tuaj tani, dhe të ndryshoja zërin tim, sepse nuk di ç’të mendoj për ju.
21 Pa më thoni, ju që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin?
22 Sepse është shkruar se Abrahami pati dy bij, një prej shërbëtores, dhe një prej së lirës;
23 por ai që lindi prej shërbëtores lindi sipas mishit; edhe ai prej së lirës, lindi me anë të premtimit.
24 Këto tregojnë një kuptim tjetër; sepse këtu janë të dy dhiatat, njëra nga mali Sina, që lind për skllavëri, që është Agara.
25 Sepse Agara është mali Sina në Arabi, edhe përkon me Jerusalemin e sotëm, edhe është në skllavëri bashkë me të bijtë.
26 Po Jerusalemi i sipërm është i lirë, i cili është nëna e ne të gjithëve.
27 Sepse është shkruar: “Gëzohu ti, o shterpë që nuk lind; bërtit e thërrit ti që nuk ke dhimbje lindjeje, sepse djemtë e shkretëtirës janë më shumë se të asaj që ka burrin”.
28 Edhe ne, o vëllezër, jemi si Isaku, bij të premtimit.
29 Po sikurse atëherë ai që lindi sipas mishit përndiqte atë që kishte lindur sipas frymës, kështu edhe tani.
30 Po ç’thotë shkrimi? “Dëboje shërbëtoren dhe birin e saj; sepse s’ka për të trashëguar biri i shërbëtores bashkë me birin e së lirës”.
31 Nuk jemi pra, vëllezër, bij të shërbëtores, por të së lirës.

1 2 3 4 5 6

-5-

1 Qëndroni pra në lirinë, me të cilën na çliroi Krishti dhe mos hyni përsëri në zgjedhën e skllavërisë.
2 Ja unë Pavli po ju them juve se po të rrethpriteni, Krishti nuk do t’ju sjellë fare dobi.
3 Edhe përsëri dëshmoj për çdo njeri që rrethpritet, se është i detyruar të zbatojë gjithë ligjin.
4 U ndatë nga Krishti ju që drejtësoheni me anë të ligjit, ratë nga hiri.
5 Sepse ne me anë të Frymës prej besimi presim për shpresën e drejtësisë prej besimit.
6 Sepse në Krishtin Jisu as rrethprerja nuk ka ndonjë fuqi, as parrethprerja, po besimi që bëhet me anë dashurie.
7 Ju rendnit mirë; kush ju pengoi të mos i bindeni së vërtetës?
8 Kjo bindje nuk është prej atij që ju thërret juve.
9 Pakëz brumë mbrun gjithë mbrujtjen.
10 Unë kam shpresë tek ju me anë të Zotit, se nuk do të mendoni asgjë tjetër; po ai që ju turbullon juve, do të mbajë dënimin, cilido qoftë ai.
11 Edhe unë, o vëllezër, në qoftë se predikoj ende rrethprerjen, pse përndiqem ende? Atëherë u hoq skandali i kryqit.
12 Do të doja që ata që ju turbullojnë u copëtofshin.
13 Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; vetëm mos e përdorni lirinë për shkak të mishit, po me anë të dashurisë t’i shërbeni njëri-tjetrit.
14 Sepse gjithë ligji përmbushet në një fjalë, në këtë: “Duaje të afërmin tënd si veten tënde”.
15 Po nëse kafshoni e hani njëri-tjetrin, shikoni mos shkatërroheni nga njëri-tjetri.
16 Them pra: Ecni sipas Frymës, edhe nuk do të bëni dëshirimin e mishit.
17 Sepse mishi dëshiron kundër Frymës, edhe Fryma kundër mishit; edhe këta janë njëri kundër tjetrit, që të mos bëni ato që doni.
18 Po në qoftë se ju udhëheq Fryma, nuk jeni nën ligj.
19 Edhe veprat e mishit janë të dukshme, të cilat janë kurorëshkelja, kurvëria, papastërtia, shthurrja,
20 idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindjet, zilitë, zemëratat, zënkat, mosmarrëveshjet, herezitë,
21 smirat, vrasjet, dehjet, plangprishjet dhe të ngjashme me këto, për të cilat ju parathem, siç edhe jua parathashë, se ata që bëjnë të tilla, s’kanë për të trashëguar mbretëri Perëndie.
22 Por fryti i Frymës është dashuri, gëzim, paqe, zemërgjerësi, ëmbëlsi, mirësi, besnikëri,
23 butësi, vetëpërmbajtje; kundër të tillave nuk ka ligj.
24 Edhe ata që janë të Krishtit, e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pësimet e me dëshirimet.
25 Në rrojmë sipas Frymës, sipas Frymës edhe të ecim.
26 Le të mos kërkojmë lavdi të kotë, duke ngarë njëri-tjetrin, duke pasur smirë njëri-tjetrin.

1 2 3 4 5 6

-6-

1 Vëllezër, edhe sikur të bjerë njeri në ndonjë faj, ju që jeni të frymës ngrijeni të tillin me frymë butësie; duke u kujdesur për veten tënde se mos ngitesh edhe ti.
2 Mbajani barrët njëri-tjetrit, edhe kështu përmbushni ligjin e Krishtit.
3 Sepse në i duket ndonjërit se diç është, duke qenë asgjë, gënjen vetveten.
4 Por gjithësecili le të provojë punën e tij, dhe vetëm atëherë do të ketë përse të mburret për vetveten, edhe jo për tjetrin.
5 Sepse gjithësecili do të mbajë barrën e vet.
6 Edhe atij që i mësohet fjala, le të bëjë pjesëtar në të gjitha të mirat atë që e mëson.
7 Mos u gënjeni, Perëndia nuk përbuzet; sepse ç’të mbjellë njeriu, këtë edhe do të korrë.
8 Sepse ai që mbjell në mish të tij, prej mishit do të korrë prishje; por ai që mbjell në Frymë, prej Frymës do të korrë jetë të përjetshme.
9 Le të mos ligështohemi pra duke bërë të mirën, sepse po të mos ligështohemi, do të korrim në kohën e duhur.
10 Prandaj deri sa kemi kohë, le të punojmë të mirën në të gjithë, e më fort në ata që janë në një besim me ne.
11 Shikoni me çfarë shkronjash të mëdha ju shkrova me dorën time.
12 Sa duan të duken të mirë në mish, këta ju detyrojnë të rrethpriteni, vetëm që të mos përndiqen për kryqin e Krishtit.
13 Sepse as ata që rrethpriten s’e ruajnë ligjin, por duan të rrethpriteni ju, që të mburren në mish tuaj.
14 Por për mua qoftë larg të mburrem, veç për kryqin e Zotit tonë Jisu Krisht, me anë të të cilit bota është kryqëzuar tek unë, edhe unë tek bota.
15 Sepse në Krishtin Jisu as rrethprerja ka fuqi, as parrethprerja, por krijimi i ri.
16 Edhe për të gjithë sa ecin sipas këtij rregulli, paqe e përdëllim qoftë mbi ta, dhe mbi Izraelin e Perëndisë.
17 Tani e tutje askush le të mos më shqetësojë; sepse unë mbaj shenjat e Zotit Jisu në trupin tim.
18 Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht qoftë bashkë me frymën tuaj, o vëllezër. Amin.

1 2 3 4 5 6

Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Galatianeve

1 2 3 4 5 6 

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme