Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Filipianeve

-1-

1 Pavli dhe Timotheu, shërbëtorë të Jisu Krishtit, të gjithë shenjtorëve në Krishtin Jisu, që janë në Filipë, bashkë me episkopë e me dhiakonë;
2 hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, edhe nga Zoti Jisu Krisht.
3 Falënderoj Perëndinë tim sa herë ju kujtoj ju,
4 gjithnjë në çdo lutje timen lutem me gëzim për të gjithë ju,
5 për pjesëmarrjen tuaj në ungjill që prej ditës së parë deri tani,
6 duke qenë i bindur për këtë, se ai që nisi të bëjë punë të mirë tek ju, do ta mbarojë deri në ditën e Jisu Krishtit.
7 Siç është e drejtë për mua të mendoj këtë për të gjithë ju, sepse ju kam në zemër, se edhe në vargonjtë e mi, edhe në mbrojtjen, edhe në vërtetimin e ungjillit, ju të gjithë keni qenë pjesëtarë të hirit bashkë me mua.
8 Sepse dëshmitari im është Perëndia, se kam shumë mall për të gjithë ju me dhembshurinë e Jisu Krishtit.
9 Edhe për këtë lutem, që të teprojë dashuria juaj edhe shumë e më shumë në njohuri e në çdo kuptim,
10 që të dalloni më të rëndësishmet, që të jeni të çiltër e të papenguar deri në ditën e Krishtit,
11 plot me fryte drejtësie, që janë me anë të Jisu Krishtit, për lavdi e për lëvdim të Perëndisë.
12 Edhe dua ta dini, o vëllezër, se sa më ndodhën mua ndihmuan më tepër për përparimin e ungjillit;
13 aq sa vargonjtë e mi për Krishtin u bënë të dukshme në gjithë pretoren e në gjithë të tjerët;
14 edhe më të shumtët e vëllezërve në Zotin, duke marrë zemër nga vargonjtë e mi, guxonin më tepër për të thënë pa frikë fjalën.
15 Disa me të vërtetë edhe e predikojnë Krishtin nga smira dhe nga grindja, por disa nga dëshirë e mirë.
16 Ata e predikojnë Krishtin nga smira, jo me çiltërsi, duke pandehur se sjellin shtrëngim në vargonjtë e mi;
17 po këta nga dashuria, duke e ditur se jam vënë për të mbrojtur ungjillin.
18 Ç’del pra? Veçse me çdo lloj mënyre, qoftë me shtirje, qoftë me të vërtetë, Krishti predikohet, edhe për këtë unë gëzohem, po do të gëzohem akoma.
19 Sepse e di se kjo do të më dalë për shpëtim, me anë të lutjeve tuaja dhe të ndihmës së Frymës së Jisu Krishtit,
20 sipas të priturit me padurim edhe sipas shpresës sime se nuk do të turpërohem në asgjë, po me çdo guxim, si gjithmonë, edhe tani do të madhërohet Krishti në trupin tim, ose me anë jete, ose me anë vdekjeje.
21 Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit është fitim.
22 Po në qoftë se të jetuarit në mishin tim është që të sjellë fryt puna ime, atëherë nuk di ç’të zgjedh.
23 Sepse shtrëngohem nga të dyja, duke pasur nga një anë dëshirën të iki e të jem bashkë me Krishtin; sepse kështu është shumë më mirë;
24 po nga ana tjetër qëndrimi im në mish është më i nevojshëm për ju.
25 Edhe këtë me siguri e di se do të mbetem dhe do të qëndroj bashkë me të gjithë ju, për mbarësinë tuaj e për gëzimin tuaj në besim,
26 që të teprojë nëpërmjet meje mburrja juaj në Krishtin Jisu, me ardhjen time përsëri tek ju.
27 Vetëm silluni jetoni denjësisht në ungjillin e Krishtit, që të dëgjoj për ju, a kur të vij e t’ju shoh, a për së largu kur s’jam aty, se qëndroni në një frymë, duke u përpjekur së bashku me një shpirt për besimin e ungjillit;
28 edhe pa u trembur në asgjë nga kundërshtarët, gjë që për ata do të jetë dëftesë humbjeje, po për ju shpëtimi, edhe kjo nga Perëndia.
29 Se juve ju është dhënë për hir të Krishtit, jo vetëm t’i besoni atij, por edhe të pësoni për të,
30 duke patur po atë luftë që patë tek unë dhe tani e dëgjoni të jetë tek unë.

1 2 3 4

-2-

1 Në ka pra ndonjë ngushëllim në Krishtin, a ndonjë ngushëllim dashurie, a ndonjë shoqëri Fryme, a dhembshuri e përdëllime,
2 bëjeni të plotë gëzimin tim, që të jeni në një mendje, duke pasur po atë dashuri, një shpirt të përbashkët e një mendje.
3 Mos bëni asgjë nga smira a për lavdi të kotë, por me përulësi, duke i vlerësuar të tjerët më të lartë se veten.
4 Mos u mendoni secili për të vetat, por secili edhe për punët e të tjerëve.
5 Edhe le të jetë tek ju po ajo mendje që ishte edhe në Krishtin Jisu,
6 i cili, duke qenë në formë Perëndie, nuk e quajti për rrëmbim të qenët i barabartë me Perëndinë,
7 por zbrazi veten e tij duke marrë formë shërbëtori, duke u bërë i ngjashëm me njerëzit,
8 edhe duke u gjendur me pamje si njeri, e përuli veten e tij, duke u bërë i bindur deri në vdekje, edhe vdekje kryqi.
9 Prandaj edhe Perëndia e mbilartësoi dhe i fali atij emër që është mbi çdo emër,
10 që në emrin e Jisuit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiejt e mbi dhe e nën dhe,
11 edhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jisu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë.
12 Prandaj, o të dashurit e mi, sikundër u bindët përherë, jo vetëm si në praninë time, por shumë më tepër tani në mungesën time, punoni për shpëtimin e vetes suaj me frikë e me dridhje,
13 sepse Perëndia është ai që vepron tek ju edhe dashjen edhe veprimin, për mirëpëlqimin e tij.
14 Bëni gjithçka pa murmuritje e pa kundërshtime,
15 që të jeni faqebardhë e të pastër, bij Perëndie patëmetë, në mes të një brezi dredharak e të shtrembër, në mes të të cilëve ndriçoni si yje në botë,
16 duke mbajtur fjalën e jetës, për mburrjen time në ditën e Krishtit, se nuk brodha më kot, as u nuk u mundova më kot.
17 Po edhe në qoftë se bëhem spërkatje mbi flijimin dhe shërbesën e besimit tuaj, gëzohem e ngazëllohem bashkë me të gjithë ju;
18 po ashtu edhe ju gëzohuni e ngazëllohuni bashkë me mua.
19 Edhe shpresoj në Zotin Jisu, të dërgoj së shpejti tek ju Timotheun, që të marrë zemër edhe unë, kur të mësoj punët tuaja.
20 Sepse s’kam asnjë me të njëjtën mendje, që të kujdeset me çiltërsi për punët tuaja.
21 Sepse të gjithë kërkojnë të vetat, jo ato të Krishtit Jisu.
22 Edhe e njihni provën e tij, se, si bir me të atin, punoi bashkë me mua për ungjillin.
23 Këtë pra shpresoj të dërgoj menjëherë, sa të marr vesh si do të shkojnë punët e mia.
24 Edhe kam besim në Zotin se edhe vetë do të vij së shpejti.
25 Por mendova se është e nevojshme të dërgoj tek ju Epafroditin, vëllain dhe bashkëpunëtorin e bashkëluftëtarin tim, që ma dërguat ju dhe më shërbeu në nevojë,
26 sepse kishte shumë mall për ju të gjithë, edhe i vinte keq sepse dëgjuat se u sëmurë.
27 Edhe vërtet u sëmur gati për vdekje; po Perëndia e përdëlleu, edhe jo vetëm atë, por edhe mua, që të mos kem hidhërim mbi hidhërim.
28 Prandaj jua dërgova atë juve më me nxitim, që të gëzoheni kur ta shihni përsëri, edhe unë të kem më pak hidhërim.
29 Prandaj priteni atë në Zotin me çdo gëzim, edhe për të këtillët të keni nderim,
30 sepse për punën e Krishtit u afrua deri në vdekje, duke rrezikuar jetën e tij, që të plotësojë mungesën e shërbimit tuaj për mua.

1 2 3 4

-3-

1 Më në fund, o vëllezër të mi, gëzohuni në Zotin. T’ju shkruaj juve këto, për mua nuk është e lodhshme, po për ju është siguri.
2 Ruhuni nga qentë, ruhuni nga punëtorët e ligj, ruhuni nga prerja;
3 sepse rrethprerja jemi ne që adhurojmë Perëndinë me frymë, edhe që mburremi në Krishtin Jisu, edhe nuk besojmë në mish;
4 ndonëse dhe unë kam besim edhe në mish. Nëse pandeh ndonjë tjetër se ka besim në mish, unë më tepër.
5 I rrethprerë tetë ditësh, prej kombit të Izraelit, prej fisit të Beniaminit, Hebre prej Hebrenjsh, sipas ligjit Farise,
6 nga zelli përndjekës i kishës, nga drejtësia që është sipas ligjit i paqortueshëm.
7 Po ato që ishin për mua fitim, këto i pashë si dëm për Krishtin.
8 Po, me të vërtetë mendoj se të gjitha janë dëm për epërsinë e njohjes së Krishtit Jisu, Zotit tim; për të cilin u dëmtova në të gjitha, edhe i shikoj si plehra, që të fitoj Krishtin,
9 edhe të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time që është prej ligjit, po atë që është me anë të besimit në Krishtin, drejtësinë që është prej Perëndisë mbi besimin;
10 që të njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij, edhe shoqërinë e pësimeve të tij, duke u bërë në një formë me vdekjen e tij;
11 se mbase kështu arrij ngjalljen e të vdekurve.
12 Jo se unë tashmë e kam marrë çmimin, apo se jam bërë i përsosur, por e ndjek se mbase edhe e kap, gjë për të cilën edhe u kapa prej Krishtit Jisu.
13 Vëllezër, unë s’e numëroj veten time se e mora atë.
14 Po një gjë bëj, duke harruar ato që janë prapa, edhe duke u shtrirë në ato që janë përpara, sulem drejt qëllimit për çmimin e thirrjes së Perëndisë prej së larti në Krishtin Jisu.
15 Gjithë sa jemi të përsosur, pra, këtë le të kemi ndër mend; edhe nëse e mendoni diçka ndryshe, Perëndia do t’jua zbulojë edhe këtë.
16 Po në atë që arritëm, le të ecim me po atë rregull, le të mendojmë po atë gjë.
17 O vëllezër, bëhuni bashkëshëmbëllyes të mi, edhe vini re ata që ecin kështu, siç na keni neve një shembull.
18 Sepse shumë, për të cilët ju thosha shumë herë, edhe po ju them edhe tani duke qarë, ecin si armiqtë e kryqit të Krishtit,
19 fundi i të cilëve është humbje, edhe Perëndia i të cilëve është barku, edhe lavdia e atyre është në turpërinë e tyre, të cilët mendojnë punët e dheut.
20 Sepse qytetaria jonë është në qiejt, prej nga ku edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jisu Krisht,
21 i cili do të shndërrojë trupin e përuljes sonë, që të bëhet në një formë me trupin e lavdisë së tij, sipas veprimit me të cilin ai mund edhe t’ia nënshtrojë të gjitha vetvetes.

1 2 3 4

-4-

1 Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur e të përmalluar, gëzimi edhe kurora ime, kështu qëndroni në Zotin, o të dashur.
2 I lutem Evodisë, i lutem edhe Sintikës, të kenë të njëjtën mendje në Zotin.
3 Edhe të lutem edhe ty, o shok i thjeshtë, ndihmoi ato të cilat u munduan për ungjillin bashkë me mua edhe me Klementin edhe me bashkëpunëtorët e tjerë të mi, emrat e të cilëve janë në librin e jetës.
4 Gëzohuni përherë në Zotin; përsëri do të them: Gëzohuni.
5 Butësia juaj le të njihet në të gjithë njerëzit. Zoti është afër.
6 Mos u shqetësoni për asgjë; po në çdo gjë kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me falënderime me anë të faljes e të lutjes.
7 Edhe paqja e Perëndisë që kapërcen çdo mendje do të ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja me anë të Jisu Krishtit.
8 Prandaj, o vëllezër, sa janë të vërteta, sa janë të hijshme, sa janë të drejta, sa janë të pastra, sa janë të dashura, sa janë me emër të mirë, nëse ka ndonjë virtyt, edhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni.
9 Ato që edhe mësuat edhe morët edhe dëgjuat e patë tek unë, këto bëni; edhe Perëndia i paqes do të jetë bashkë me ju.
10 Edhe u gëzova shumë në Zotin, se tashmë më së fundi e lulëzuat kujdesin që keni për mua, gjë që edhe e kishit në mendje, po s’kishit kohën e duhur.
11 Nuk e them këtë se jam në nevojë; sepse unë jam mësuar të jem i kënaqur me ato që kam.
12 Di të përulem, di edhe të rroj me të tepërta; kudo dhe në të gjitha jam mësuar edhe të ngopem edhe të kem uri, edhe të rroj me të tepërta edhe të kaloj me skamje.
13 Të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit që më jep fuqi.
14 Por bëtë mirë që m’u bëtë shokë në shtrëngimin tim.
15 Edhe ju, Filipianë, e dini se në fillim të ungjillit, kur dola nga Maqedonia, asnjë kishë nuk më shoqëroi për dhënie e për marrje veç ju vetëm;
16 sepse edhe në Selanik një herë e dy herë në nevojë më dërguat ndihmë.
17 Jo se kërkoj dhuratë; po kërkoj frytin që shumohet për llogarinë tuaj.
18 Por të gjitha i kam dhe më teprojnë; jam plot, se prita prej Epafroditit ato që më dërguat ju, aromë me erë të mirë, theror të pranueshëm, të pëlqyer nga Perëndia.
19 Edhe Perëndia im ka për të plotësuar gjithë nevojën tuaj sipas pasjes së tij në lavdi, me anë të Krishtit Jisu.
20 Edhe Perëndisë dhe Atin tonë i qoftë lavdia në jetë të jetëvet. Amin.
21 Përshëndetni çdo shenjt në Jisu Krishtin; ju përshëndesin vëllezërit që janë bashkë me mua.
22 Ju përshëndesin gjithë shenjtët, po më fort ata që janë nga shtëpia e Qezarit.
23 Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amin.

1 2 3 4

Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Filipianeve

1 2 3 4 

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme