Letra e pare e Apostull Pavlit
drejtuar Timotheut

-1-

1 Pavli, apostull i Jisu Krishtit, sipas urdhrit të Perëndisë, shpëtimtarit tonë, edhe të Zotit Jisu Krisht, shpresës sonë,
2 Timotheut, birit të vërtetë në besim, i qoftë hir, përdëllim, paqe, prej Perëndisë, Atit tonë, edhe prej Krishtit Jisu, Zotit tonë.
3 Sikundër t’u luta të presësh në Efes, kur udhëtoja për në Maqedoni, që të porositësh disa veta të mos mësojnë mësime të tjera,
4 as të mos u vënë vesh përrallave e gjenealogjive të pa fund, të cilat sjellin më shumë grindje se sa ndërtim në besimin e Perëndisë.
5 Edhe fundi i porosisë është dashuri prej zemre të kthjellët, edhe prej ndërgjegjeje të mirë e prej besimi pa hipokrizi,
6 prej të cilave disa nuk ia dolën mbanë e u kthyen në fjalë të kota,
7 duke dashur të jenë mësues ligji, ndonëse s’kuptojnë as ato që thonë, as ato që i bëjnë për të vërteta.
8 Edhe e dimë, se ligji është i mirë, në qoftë se e përdor atë njeriu me ligjshmëri,
9 duke ditur këtë, se ligji nuk është vënë për të drejtin, po për të paudhët e për të pabindurit, për ata që s’kanë frikë Perëndinë e për mëkatarët, për të pafetë e për përdhosësit, për atëvrasësit e nënëvrasësit, për njerivrasësit,
10 për të përdalët, për ata që shkojnë me meshkuj, për ata që shesin njerëz, për gënjeshtarët, për ata që shkelin betimin, edhe për çdo gjë tjetër që del kundër mësimit të shëndoshë,
11 sipas ungjillit të lavdisë së të lumurit Perëndi, që m’u besua mua.
12 Edhe falënderoj Krishtin Jisu, Zotin tonë, që më dha fuqi, se më numëroi për besnik e më vuri në shërbim mua,
13 që më përpara isha blasfemues, e përndjekës e sharës; por u përdëlleva, sepse pa ditur i bëra në pabesi.
14 Dhe hiri i Zotit tonë teproi mbi mua me besim e me dashuri që është në Krishtin Jisu. 15 E besueshme është fjala edhe e denjë për t’u pranuar, se Krishti Jisu erdhi në botë që të shpëtojë mëkatarë, prej të cilëve i pari jam unë. 16 Po prandaj u përdëlleva, që të tregojë Jisu Krishti më përpara tek unë gjithë zemërgjerësinë, si shembull në ata që kanë për t’i besuar atij për jetë të përjetshme. 17 Edhe mbretit të jetëve, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi që është i ditur, i qoftë nder edhe lavdi në jetë të jetëve. Amin.
18 Këtë porosi po të lë në dorë ty, o bir Timothe, sipas profecive që u folën më përpara për ty, që të luftosh sipas tyre luftën e mirë,
19 duke pasur besim edhe ndërgjegje të mirë, të cilën disa duke e hedhur tej ranë e u mbytën.
20 Prej këtyre është Imeneu dhe Aleksandri, të cilët i kam dhënë në dorë të satanait, që të mësohen të mos blasfemojnë.

1 2 3 4 5 6

-2-

1 Lutem, pra, para së gjithash të bëhen falje, lutje, ndërmjetime, falënderime, për të gjithë njerëzit,
2 për mbretër, për gjithë sa janë në shkallë të lartë, që të shkojmë jetë të qetë e të sigurt me çdo shpresëtari e thjeshtësi.
3 Sepse kjo është e mirë dhe e pranueshme përpara Perëndisë, shpëtimtarit tonë,
4 i cili do që të shpëtojnë gjithë njerëzit, edhe të vijnë në njohjen e së vërtetës.
5 Sepse një është Perëndia, një është edhe ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve, njeriu Jisu Krisht,
6 që dha veten e tij shpërblim për të gjithë, për dëshmi në kohën e duhur,
7 dëshmi për të cilën u vura unë predikues dhe apostull, – të vërtetën them në Krishtin, nuk gënjej, – mësues i kombeve në besim edhe në të vërtetë.
8 Dua pra që burrat të luten në çdo vend, duke ngritur duar të pastra, pa zemërim e pa dyshim.
9 Gjithashtu edhe gratë le të stolisin veten e tyre me rrobë të hijshme, me turp e me urtësi, jo me gërsheta, ose me ar, ose me margaritarë, ose me rroba shumë të shtrenjta;
10 por me çfarë u ka hije grave që tregohen perëndidruajtura, me punë të mira.
11 Gruaja le të mësohet në heshtje e me çdo lloj bindjeje;
12 sepse gruas nuk i jap leje të mësojë të tjerë, as të jetë zot mbi burrin, po të heshtë.
13 Sepse përpara u gatua Adami, pastaj Eva.
14 Edhe Adami nuk u gënjye, po gruaja u gënjye e doli jashtë udhës;
15 por do të shpëtojë me anë të lindjes së fëmijëve, në qoftë se qëndrojnë në besim dhe në dashuri e në shenjtërim me urtësi.

1 2 3 4 5 6

-3-

1 E besueshme është fjala; në dëshiron ndonjë të bëhet episkop, punë të mirë dëshiron.
2 Episkopi pra duhet të jetë i paqortueshëm, burrë i një gruaje, i përmbajtur, i urtë, i sjellshëm, mikpritës, mësues i aftë;
3 jo verëpirës, jo grindës, jo lakmitar për fitim të pandershëm, por i butë, paqësor, jo argjenddashës;
4 njeri që drejton mirë shtëpinë e tij, që ka fëmijë të bindur me çdo lloj urtësie.
5 Sepse në qoftë se ndonjë nuk di të drejtojë shtëpinë e tij, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë?
6 Të mos jetë rishtar në besim, që të mos fryhet me madhështi e të bjerë në dënim të djallit.
7 Edhe duhet të ketë dëshmi të mirë dhe nga të jashtmit që të mos bjerë në turp e në lak të djallit.
8 Dhiakonët gjithashtu, duhet të jenë të hijshëm, jo me dy faqe në fjalë, jo të dhënë pas verës së shumtë, jo lakmitar për fitim të pandershëm;
9 të kenë misterin e besimit me ndërgjegje të kthjellët.
10 Edhe këta le të provohen më parë, pastaj le të bëhen dhiakonë, pasi të gjenden të paqortueshëm.
11 Gratë e tyre gjithashtu të jenë të hijshme, jo shpifëse, të përmbajtura, besnike në të gjitha.
12 Dhiakonët le të jenë burra të një gruaje, që drejtojnë mirë fëmijët dhe shtëpitë e tyre.
13 Sepse ata që kanë shërbyer mirë, fitojnë shkallë të mirë për veten e tyre, edhe shumë guxim në besimin që është në Krishtin Jisu.
14 Këto po të shkruaj, duke shpresuar të vij për së shpejti tek ti,
15 dhe në u vonofsha, që të dish si duhet të sillesh në shtëpi të Perëndisë, e cila është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla edhe mbështetja e së vërtetës.
16 Dhe pa asnjë kundërshtim i madh është misteri i besimit. Perëndia u shfaq në mish, u drejtësua në Frymë, u duk ndër engjëj, u predikua ndër kombe, u besua në botë, u ngrit lart me lavdi.

1 2 3 4 5 6

-4-

1 Edhe Fryma thotë qartë se në kohët e mëpasme disa do të mohojnë besimin, e do t’u mbajnë vesh frymëve mashtruese, edhe mësimeve të demonëve,
2 që flasin gënjeshtra me hipokrizi, që e kanë ndërgjegjen e tyre të djegur,
3 të cilët ndalojnë martesën dhe urdhërojnë të largohen besimtarët nga ushqimet, të cilat Perëndia i ka krijuar, që t’i marrin me falënderime besimtarët edhe ata që kanë njohur të vërtetën.
4 Sepse çdo krijesë e Perëndisë është e mirë dhe nuk ka gjë për të hedhur tej, po të merret me falënderime;
5 sepse shenjtërohet me fjalën e Perëndisë e me lutje.
6 Nëse ua kujton vëllezërve këto, do të jesh shërbëtor i mirë i Jisu Krishtit, i ushqyer me fjalët e besimit edhe me mësimin e mirë, të cilin e ke ndjekur.
7 Edhe prej përrallave të ndyra plakash hiq dorë, edhe stërvit veten tënde në besimin e mirë.
8 Sepse stërvitja e trupit është e dobishme për pak kohë; po besimi i mirë është i dobishëm për të gjitha, sepse ka premtimin për jetën e tanishme dhe për atë që do të vijë.
9 E besueshme është fjala dhe e denjë për t’u pranuar.
10 Sepse për këtë edhe mundohemi edhe përbuzemi, se shpresuam në Perëndinë e gjallë, i cili është shpëtimtari i gjithë njerëzve, po më fort i besimtarëve.
11 Këto porosit edhe mëso.
12 Askush le të mos të të përbuzë për rininë tënde, po bëhu shembull i besimtarëve në fjalë, në shoqëri, në dashuri, në frymë, në besim, në dëlirësi.
13 Deri sa të vij unë, jepu pas leximit, pas këshillimit, pas mësimit.
14 Mos ji i pakujdesshëm për dhuntinë që është tek ti, e cila t’u dha me anë profecie, me vënien e duarve të pleqësisë.
15 Për këto kujdesu, në këto qëndro, që të shfaqet mbarësia jote tek të gjithë.
16 Ruaj veten tënde dhe mësimin; qëndro në ato. Sepse nëse bën këtë, edhe veten tënde do të shpëtosh, edhe ata që të dëgjojnë ty.

1 2 3 4 5 6

-5-

1 Plakun mos e qorto, po këshilloje si një atë; të rinjtë, si vëllezër;
2 plakat, si nëna; të rejat, si motra, me çdo dëlirësi.
3 Të vejat nderoi, ato që janë me të vërtetë të veja.
4 Edhe nëse ndonjë e ve ka djem a nipa, le të mësojnë më parë të kenë shprestari për shtëpinë e tyre, edhe t’ua shpërblejnë prindërve të tyre; sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyeshme para Perëndisë.
5 Edhe ajo që është me të vërtetë e ve dhe ka mbetur e vetme, e ka vënë shpresën tek Perëndia, edhe qëndron në lutje e në falje natë e ditë.
6 Por ajo që prish shumë për dëfrime, ndonëse rron, ka vdekur.
7 Edhe këto porositi, që të jenë të paqortueshme.
8 Po në qoftë se ndonjë nuk mendohet më përpara për të tijtë, edhe më fort për ata të shtëpisë së tij, ky ka mohuar besimin dhe është më i lig se i pabesi.
9 E ve më pak se gjashtëdhjetë vjeç le të mos vihet në numrin e të vejave, edhe të ketë qenë grua e një burri,
10 edhe të ketë dëshmi për punë të mira: në ka rritur fëmijë, në ka pritur të huaj, në ka larë këmbë shenjtësh, në u ka ndihmuar atyre që kanë qenë në shtrëngim, në i ka rënë pas çdo pune të mirë.
11 Por hiq dorë nga të vejat më të reja; sepse si të mërziten nga Krishti, duan të martohen;
12 duke u bërë mëkatare, sepse shkelën besimin e parë.
13 Edhe në të njëjtën kohë mësohen të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi; edhe jo vetëm përtace, po edhe fjalëshumta e kureshtare, duke folur ato që s’duhen.
14 Dua pra të rejat të martohen, të bëjnë fëmijë, të bëhen zonja shtëpie, të mos i japin asnjë shkak armikut për të folur keq.
15 Sepse disa nga ato tani janë kthyer pas satanait.
16 Në qoftë se ndonjë besimtar a besimtare ka të veja, le t’u japë atyre të nevojshmet, edhe le të mos ngarkohet kisha, që të mundë t’u ndihmojë atyre që janë me të vërtetë të veja.
17 Pleqtë e kishës që drejtojnë mirë punën, le të nderohen dy herë më tepër, më fort ata që mundohen me fjalë e me mësim.
18 Sepse shkrimi thotë: “Nuk do të mbyllësh gojën e kaut që shin”, dhe “I denjë është punëtori për pagën e tij”.
19 Mos prano kallëzim kundër plaku, veç përpara dy a tre dëshmitarëve.
20 Ata që mëkatojnë qortoi përpara të gjithëve, që të kenë frikë dhe të tjerët.
21 Të urdhëroj përpara Perëndisë edhe Zotit Jisu Krisht, edhe engjëjve të zgjedhur, t’i ruash këto pa bërë dallim në mes njerëzve, e asgjë të mos bësh duke mbajtur anë.
22 Mos vër duar shpejt mbi asnjeri, as mos u bëj pjesëtar në mëkate të huaja; ruaj veten tënde të pastër.
23 Mos pi më ujë, po përdor pakëz verë për stomakun tënd e për sëmundjet e tua të shpeshta.
24 Disa njerëzve mëkatet u duken sheshit edhe shkojnë përpara atyre në gjyq; po disa të tjerëve u shkojnë prapa.
25 Gjithashtu edhe punët e mira janë të dukshme; edhe ato që janë ndryshe nuk mund të fshihen.

1 2 3 4 5 6

-6-

1 Sa janë robër nën zgjedhë, le t’i quajnë zotërinjtë e tyre të denjë për çdo nderim, që të mos blasfemohet emri dhe mësimi i Perëndisë.
2 Edhe ata që kanë zotërinj besimtarë, le të mos i përçmojnë, sepse janë vëllezër; po më shumë le të punojnë për ta, sepse janë besimtarë dhe të dashur ata që shohin dobi nga puna e tyre e mirë.
3 Këto mëso edhe këshillo. Edhe nëse jep ndonjëri mësime të tjera edhe nuk shkon pas fjalëve të shëndosha të Zotit tonë Jisu Krisht, edhe pas mësimit që është sipas besimit të mirë,
4 ky është mendjemadh dhe nuk di asgjë, por vuan nga sëmundje grindjesh e ngrëniesh me fjalë, prej të cilave del smirë, përçarje, sharje, mendime të liga,
5 fjalime të kota njerëzish të prishur nga mendja, edhe të zhveshur nga e vërteta, sepse pandehin se besimi i mirë është për fitim. Largohu nga të tillët.
6 Po besimi i mirë me vetmjaftim është fitim i madh.
7 Sepse asgjë s’kemi prurë në botë dhe është e qartë se edhe të nxjerrim gjë nuk mundim.
8 Po kur kemi ushqime e mbulesa, le të na mjaftojnë këto.
9 Dhe ata që duan të bëhen të pasur, bien në ngasje dhe në lak, edhe në shumë dëshirime të marra e të dëmshme, të cilat i kredhin njerëzit në shkatërrim e në humbje.
10 Sepse rrënja e gjithë të ligave është argjenddashja, të cilën disa duke e dëshiruar u larguan nga besimi, edhe e lënduan veten e tyre me dhimbje të shumta.
11 Po ti, o njeriu i Perëndisë, hiq dorë nga këto; edhe ndiq drejtësi, shpresëtari, besim, dashuri, durim, butësi.
12 Lufto luftën e mirë të besimit, rrok jetën e përjetshme, në të cilën edhe u thirre edhe rrëfeve rrëfimin e mirë përpara shumë dëshmitarëve.
13 Të porosis përpara Perëndisë që u jep jetë të gjithave, edhe përpara Krishtit Jisu që dëshmoi në ditët e Pont Pilatit rrëfimin e mirë:
14 Ruaje porosinë të papërlyer, të paqortueshme, deri në shfaqjen e Zotit tonë Jisu Krisht,
15 të cilën në kohën e caktuar do ta tregojë i lumuri dhe i vetmi Sundimtar, Mbreti i mbretërve edhe Zot i zotërve,
16 i vetmi që ka pavdekësi dhe që rri në dritë të paafrueshme, të cilin asnjë nga njerëzit nuk e pa, as mund ta shohë; të cilit i qoftë nder e pushtet i përjetshëm. Amin.
17 Të pasurit në këtë jetë porositi të mos mbahen me të madh, as të mos shpresojnë në pasurinë që s’qëndron, po në Perëndinë e gjallë, i cili na i jep të gjitha dorëhapur që t’i gëzojmë;
18 të bëjnë të mirën, të pasurohen në punë të mira, të jenë dorëdhënës, të shoqërueshëm,
19 duke mledhur për vete si thesar një themel të mirë për të ardhmen, që të arrijnë jetën e përjetshme.
20 O Timothe, ruaj atë që të është besuar, duke u larguar nga fjalët e kota përdhosëse, edhe nga kundërvëniet e diturisë që në të rremë quhet kështu,
21 nga shkaku i së cilës disa, duke e pasur për mjeshtëri, u larguan nga besimi. Hiri qoftë me ty. Amin.

1 2 3 4 5 6

Letra e pare e Apostull Pavlit
drejtuar Timotheut

1 2 3 4 5 6 

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme