UNGJILLI  SIPAS  JOANIT

-1-

1 Në fillim ishte Fjala, edhe Fjala ishte me Perëndinë, edhe Fjala ishte Perëndi.
2 Kjo ishte që në fillim me Perëndinë.
3 Të gjitha u bënë me anë të saj; edhe pa atë nuk u bë asgjë që është bërë.
4 Në atë ishte jetë, edhe jeta ishte drita e njerëzve.
5 Ehe drita ndriçon në errësirë edhe errësira nuk e kuptoi.
6 Qe një njeri i dërguar nga Perëndia, me emrin Joan.
7 Ky erdhi për dëshmi, që të dëshmojë për Dritën, që të besojnë të gjithë me anë të tij.
8 Nuk ishte ai Drita, por qe dërguar që të dëshmojë për Dritën.
9 Ishte Drita e vërtetë, që ndrit çdo njeri që vjen në botë.
10 Ishte në botë, edhe bota u bë me anë të tij; po bota nuk e njohu atë.
11 Erdhi në të tijat, edhe të tijtë nuk e pritën atë.
12 Edhe sa e pritën, atyre u dha pushtet të bëhen bij Perëndie, atyre që besojnë në emrin e tij.
13 Ata nuk lindën prej gjakrash, as prej dëshirimi mishi, as prej dëshirimi burri, po prej Perëndie.
14 Edhe Fjala u bë mish, edhe banoi ndër ne, – dhe pamë lavdinë e tij, lavdi si të vetëmlinduri prej Atit, – plot me hir e me të vërtetë.
15 Joani dëshmon për të, edhe thirri, duke thënë: Ky është ai për të cilin thashë: Ai që vjen pas meje është më i lartë se unë, sepse ishte përpara meje.
16 Edhe të gjithë ne morëm nga plotësia e tij, edhe hir mbi hir.
17 Sepse ligji u dha me anë të Moisiut, po hiri dhe e vërteta u bë me anë të Jisu Krishtit.
18 Asnjë kurrë s’e ka parë Perëndinë; Biri i Vetëmlindur, që është në gjirin e Atit, ai e tregoi.
19 Edhe kjo është dëshmia e Joanit, kur dërguan Judenjtë nga Jerusalemi priftërinj dhe Levitë që ta pyesin: Cili je ti?
20 Edhe rrëfeu, edhe nuk mohoi. Edhe rrëfeu se unë nuk jam Krishti.
21 Edhe e pyetën: Çfarë, pra? Ilia je ti? Dhe thotë: Nuk jam. Profeti je ti? Dhe u përgjigj: Jo.
22 I thanë pra: Cili je? që t’u përgjigjemi atyre që na kanë dërguar. Ç’thua për veten tënde?
23 Tha: “Unë jam zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Drejtoni udhën e Zotit”, siç tha profeti Isaia.
24 Edhe të dërguarit ishin prej Farisenjve.
25 Edhe e pyetën e i thanë: Përse pra pagëzon, kur nuk je ti Krishti, as Ilia, as profeti?
26 Joani iu përgjigj atyre, duke thënë: Unë pagëzoj me ujë; por në mes tuaj rri ai që ju nuk e njihni.
27 Ai është ai që vjen pas meje, që është më i lartë se unë, të cilit unë s’jam i denjë t’i zgjidh lidhëzën e sandales.
28 Këto u bënë në Betani përtej Jordanit, ku ishte Joani duke pagëzuar.
29 Të nesërmen Joani sheh Jisuin duke ardhur tek ai, dhe thotë: Ja Qengji i Perëndisë, që ngre mëkatin e botës.
30 Ky është ai, për të cilin unë thashë: Pas meje vjen një njeri, i cili është më i lartë se unë, sepse ishte përpara meje.
31 Edhe unë s’e njoha; po që t’i shfaqet Izraelit, për këtë erdha unë duke pagëzuar me ujë.
32 Edhe Joani dëshmoi, duke thënë se pashë Frymën duke zbritur nga qielli si pëllumb, edhe ndenji mbi të.
33 Edhe unë nuk e njoha; por ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, ai më tha: Ai mbi të cilin të shohësh Frymën duke zbritur e duke qëndruar mbi të, ky është ai që pagëzon me Frymë të Shenjtë.
34 Edhe unë pashë e dëshmova se ky është i Biri i Perëndisë.
35 Të nesërmen përsëri Joani ishte duke ndenjur, si edhe dy prej nxënësve të tij.
36 Edhe kur hodhi sytë dhe pa Jisuin duke ecur, thotë: Ja qengji i Perëndisë.
37 Edhe të dy nxënësit e dëgjuan atë duke folur, edhe shkuan pas Jisuit.
38 Edhe Jisui si u kthye dhe pa ata duke shkuar pas tij, u thotë atyre: Ç’kërkoni?
39 Edhe ata i thanë: Rabbi, – që e përkthyer do me thënë, Mësues, – ku banon?
40 U thotë atyre: Ejani dhe shihni. Erdhën pra dhe panë ku banonte; edhe qëndruan pranë tij atë ditë; edhe ora ishte rreth së dhjetës.
41 Njëri prej atyre të dyve që dëgjuan nga Joani dhe shkuan pas tij, ishte Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit.
42 Ky gjen i pari të vëllanë e tij, Simonin, edhe i thotë: Gjetëm Mesinë, që e përkthyer do të thotë Krishtin.
43 Edhe e pruri tek Jisui. Edhe Jisui hodhi sytë mbi të, edhe tha: Ti je Simoni, i biri i Jonait. Ti do të quhesh Qefa, që përkthehet Pjetër (gur).
44 Të nesërmen Jisui deshi të dalë në Galile; edhe gjen Filipin e i thotë: Eja pas meje.
45 Edhe Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas dhe i Pjetrit.
46 Filipi gjen Nathanailin, edhe i thotë: Kemi gjetur atë për të cilin shkroi Moisiu në ligj, edhe profetët, Jisuin, të birin e Josifit nga Nazareti.
47 Edhe Nathanaili i tha: A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti? Filipi thotë: Eja dhe shih.
48 Jisui pa Nathanailin duke ardhur drejt tij, edhe thotë për të: Ja një Izraelit i vërtetë, tek i cili nuk ka gënjeshtër.
49 Nathanaili i thotë: Nga më njeh? Jisui u përgjigj e i tha: Para se të të thërrasë Filipi, të pashë kur ishe nën fik.
50 Nathanaili u përgjigj e i thotë: Rabbi, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit.
51 Jisui u përgjigj e i tha: Sepse të thashë që të pashë nën fik beson? Do të shohësh më të mëdha se këto.
52 Pastaj i thotë: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, që tani e tutje do të shihni qiellin të hapur, edhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.

-2-

1 Edhe të tretën ditë u bë dasmë në Kana të Galilesë, edhe e ëma e Jisuit ishte atje.
2 Edhe u ftua në dasmë edhe Jisui dhe nxënësit e tij.
3 Edhe si mbaroi vera, e ëma e Jisuit i thotë: S’kanë verë.
4 Jisui i thotë: Ç’ke ti me mua, o grua? Ora ime ende s’ka ardhur.
5 E ëma e tij u thotë shëbëtorëve: Bëni ç’t’ju thotë.
6 Edhe atje ishin gjashtë enë të gurta të vëna për pastrimin sipas zakonit të Judenjve, që nxinin secila nga dy a tri masa.
7 Jisui u thotë atyre: Mbushni enët me ujë.
8 Edhe i mbushën deri sipër. Edhe u thotë atyre: Nxirrini tani, edhe çojani të parit të tryezës. Edhe ata i çuan.
9 Edhe i pari i tryezës, si provoi ujin që ishte bërë verë, – edhe nuk e dinte nga është, po shërbëtorët që kishin nxjerrë ujin e dinin, – i pari i tryezës thërret dhëndërin,
10 edhe i thotë: Çdo njeri më përpara nxjerr verën e mirë, edhe si të dehen, atëherë nxjerr të dobtën; kurse ti ke ruajtur verën e mirë deri tani.
11 Këtë nisje të çudirave Jisui e bëri në Kana të Galilesë dhe shfaqi lavdinë e tij; edhe nxënësit e tij i besuan.
12 Pastaj zbriti në Kapernaum, ai dhe e ëma e të vëllezërit dhe nxënësit e tij, edhe ndenjën atje jo shumë ditë.
13 Edhe pashka e Judenjve ishte afër, dhe Jisui u ngjit në Jerusalem.
14 Edhe gjeti në tempull ata që shisnin qe e dhen e pëllumba, edhe këmbyes monedhash duke ndenjur.
15 Edhe si bëri një fshikull litarësh, i përzuri të gjithë nga tempulli, edhe dhentë edhe qetë; edhe derdhi monedhat e këmbyesve, edhe tryezat i përmbysi.
16 Edhe atyre që shisnin pëllumbat u tha: Ngreini këto këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie.
17 Atëherë u ra ndër mend nxënësve të tij se është shkruar: “Zelli për shtëpinë tënde më hëngri”.
18 Judenjtë pra u përgjigjën e i thanë: Çfarë shenje na tregon, që i bën këto?
19 Jisui u përgjigj e u tha atyre: Prisheni këtë tempull dhe për tri ditë do ta ngre.
20 Atëherë Judenjtë thanë: Ky tempull është ndërtuar për dyzet e gjashtë vjet, edhe ti do ta ngresh atë për tri ditë?
21 Por ai po thoshte për tempullin e trupit të tij.
22 Kur u ngjall pra prej së vdekurish, u ra ndër mend nxënësve të tij se për këtë u thoshte atyre; edhe i besuan shkrimit, edhe fjalës që u tha Jisui.
23 Edhe kur qe në Jerusalem për të kremten e pashkës, shumë veta besuan në emrin e tij, duke vështruar çudirat që bënte.
24 Po vetë Jisui nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë,
25 edhe sepse s’kishte nevojë që t’i dëshmonte ndonjëri për njeriun, sepse e dinte ç’ishte përbrenda njeriut.

-3-

1 Edhe ishte një njeri nga Farisenjtë, që e kishte emrin Nikodhim, një nga të parët e Judenjve.
2 Ky erdhi natën tek Jisui dhe i tha: Rabbi, e dimë se nga Perëndia ke ardhur mësues; sepse asnjë s’mund të bëjë këto shenja që bën ti, në mos qoftë Perëndia bashkë me të.
3 Jisui u përgjigj e i tha: Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, nëse nuk lind dikush prej së larti, s’mund të shohë mbretërinë e Perëndisë.
4 Nikodhimi i thotë: Si mund të lindet një njeri duke qenë plak? Mos mundet të hyjë për së dyti në barkun e së ëmës së tij e të lindë?
5 Jisui u përgjigj: Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, nëse nuk lind dikush prej uji e prej Fryme, s’mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.
6 Ç’ka lindur prej mishit, është mish, edhe ç’ka lindur prej Fryme, është frymë.
7 Mos u çudit pse të thashë se duhet të lindni ju prej së larti.
8 Era ku të dojë fryn, edhe i dëgjon zërin, po s’di nga vjen, e ku vete; kështu është edhe kushdo që ka lindur prej Fryme.
9 Nikodhimi u përgjigj e i tha: Si mund të bëhen këto?
10 Jisui u përgjigj e i tha: Ti je mësues i Izraelit, edhe nuk i di këto?
11 Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, se atë që dimë flasim, edhe për atë që pamë dëshmojmë, po dëshminë tonë nuk e pranoni.
12 Nëse ju thashë juve punët e dheut, edhe nuk besoni, si do të besoni, nëse ju them punët e qiellit?
13 Edhe asnjë s’është ngjitur në qiell, veç ai që ka zbritur nga qielli, i Biri i njeriut, që është në qiell.
14 Edhe sikurse Moisiu ngriti lart gjarpërin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart edhe Biri i njeriut;
15 që kushdo që beson në atë të mos të humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.
16 Sepse Perëndia aq e deshi botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që të mos humbasë kushdo që t’i besojë atij, po të ketë jetë të përjetshme.
17 Sepse Perëndia nuk e dërgoi të Birin në botë që të gjykojë botën, po që të shpëtojë bota me anë të tij.
18 Ai që i beson atij, nuk gjykohet; por ai që nuk beson, tashmë është dënuar, sepse nuk besoi në emrin e të vetëmlindurit Bir të Perëndisë.
19 Edhe ky është gjyqi, se drita erdhi në botë, edhe njerëzit deshën më tepër errësirën se dritën; sepse punët e tyre ishin të liga.
20 Sepse kushdo që bën të këqija, e urren dritën, edhe nuk vjen tek drita, që të mos zbulohen punët e tij.
21 Por ai që bën të vërtetën, vjen tek drita, që të tregohen punët e tij, se janë bërë në Perëndinë.
22 Pastaj erdhi Jisui dhe nxënësit e tij në tokën e Judesë, edhe atje rrinte bashkë me ata dhe pagëzonte.
23 Ishte edhe Joani duke pagëzuar në Enon, afër Salemit, sepse atje ishin shumë ujëra; edhe vinin e pagëzoheshin.
24 Sepse Joani ende s’ishte hedhur në burg.
25 U bë pra një bisedë rreth pastrimit prej nxënësve të Joanit me një jude.
26 Edhe erdhën tek Joani dhe i thanë atij: Rabbi, ai që ishte bashkë me ty përtej Jordanit, për të cilin ti dëshmove, ja ky tek po pagëzon, edhe të gjithë vijnë tek ai.
27 Joani u përgjigj e tha: Asnjeri nuk mund të marrë gjë, nëse nuk i është dhënë nga qielli.
28 Ju vetë dëshmoni për mua se thashë: Unë nuk jam Krishti, po se jam dërguar përpara atij.
29 Ai që ka nusen, është dhëndëri; ndërsa miku i dhëndërit, ai që rri e dëgjon atë, gëzohet me ngazëllim të madh për zërin e dhëndërit. Pra, ky gëzimi im u përmbush.
30 Ai duhet të shtohet, e unë të pakësohem.
31 Ai që vjen prej së larti, është mbi të gjithë. Ai që është prej dheut, prej dheut është, edhe prej dheut flet; ai që vjen prej qiellit, është mbi të gjithë.
32 Edhe atë që pa e dëgjoi, për këtë dëshmon; po asnjë nuk e pranon dëshminë e tij.
33 Ai që pranon dëshminë e tij, ka vulosur se Perëndia është i vërtetë.
34 Sepse ai që ka dërguar Perëndia, fjalët e Perëndisë flet; sepse Perëndia nuk e jep Frymën me masë.
35 Ati e do Birin, dhe të gjitha i ka dhënë në dorën e tij.
36 Ai që i beson Birit ka jetë të përjetshme; po ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë mbetet mbi atë.

-4-

1 Zoti pra, si mori vesh se Farisenjtë dëgjuan që Jisui bën e pagëzon më tepër nxënës se Joani,
2 ndonëse Jisui vetë nuk pagëzonte, po nxënësit e tij;
3 la Judenë, edhe shkoi përsëri në Galile.
4 Edhe duhej të kalonte nëpër Samari.
5 Vjen pra në një qytet të Samarisë që quhet Sihar, afër vendit që i dha Jakovi Josifit, birit të tij.
6 Edhe atje ishte një pus i Jakovit. Jisui pra, pasi ishte i lodhur nga rruga, ishte ulur kështu pranë pusit. Ora ishte rreth së gjashtës.
7 Vjen një grua nga Samaria të nxjerrë ujë. Jisui i thotë asaj: Jepmë të pi.
8 Sepse nxënësit e tij kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime.
9 I thotë pra atij gruaja samaritane: Si ti, duke qenë Jude, kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane? Sepse Judenjtë nuk shkojnë me Samaritanët.
10 Jisui u përgjigj e i tha asaj: Po të dije dhuratën e Perëndisë, edhe cili është ai që të thotë: Jepmë të pi, ti do të kërkoje prej tij, edhe ai do të të jepte ty ujë të gjallë.
11 Gruaja i thotë: Zot, as kovë nuk ke, edhe pusi është i thellë; nga e ke ti pra ujin e gjallë?
12 Mos je ti më i madh se ati ynë Jakov, i cili na ka dhënë pusin, edhe vetë ai piu nga ky, edhe të bijtë e tij, edhe bagëtitë e tij?
13 Jisui u përgjigj e i tha asaj: Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë etje përsëri.
14 Por ai që pi nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë etje për jetë; por uji, që do t’i jap unë, do t’i bëhet burim uji që gufon në jetë të përjetshme.
15 Gruaja i thotë: Zot, jepmë këtë ujë që të mos kem etje, as të mos vij këtu të nxjerr ujë.
16 Jisui i thotë asaj: Shko, thirr burrin tënd, dhe eja këtu.
17 Gruaja u përgjigj e tha: S’kam burrë. Jisui i tha asaj: Mirë the se s’kam burrë.
18 Sepse kishe pesë burra, edhe ai që ke tani, nuk është burri yt; këtë e the të vërtetë.
19 Gruaja i thotë: Zot, po shoh se ti je profet.
20 Etërit tanë në këtë mal u falën, e ju thoni se në Jerusalem është vendi, ku duhet falur.
21 Jisui i thotë asaj: Grua, besomë se vjen një orë, kur nuk do t’i faleni Atit as në këtë mal, as në Jerusalem.
22 Ju i faleni atij që nuk dini, ne i falemi atij që dimë; sepse shpëtimi është nga judenjtë.
23 Por vjen një orë, edhe tani është, kur falësit e vërtetë do t’i falen Atit në frymë e në të vërtetë; sepse Ati të tillë i kërkon ata që i falen atij.
24 Perëndia është frymë, dhe ata që i falen duhet të falen në frymë e në të vërtetë.
25 Gruaja i thotë: E di se vjen Mesia, ai që quhet Krisht; kur të vijë ai, do të na tregojë për të gjitha.
26 Jisui i thotë asaj: Unë që po të flas jam ai.
27 Edhe në këtë çast erdhën nxënësit e tij, dhe u çuditën se fliste me një grua; po asnjë s’tha: Ç’kërkon? apo: Ç’flet me të?
28 Gruaja pra la shtambën e saj dhe shkoi në qytet: edhe u thotë njerëzve:
29 Ejani shihni një njeri, që më tha gjithë sa kam bërë. Vallë, mos është ky Krishti?
30 Dolën pra nga qyteti, dhe po vinin tek ai.
31 Edhe ndërkohë nxënësit i luteshin, duke thënë: Rabbi, ha.
32 Po ai u tha atyre: Unë kam një ushqim për të ngrënë, që ju nuk e dini.
33 Nxënësit pra i thoshin njëri-tjetrit: Mos i pruri njeri të hajë?
34 Jisui u thotë atyre: Ushqimi im është të bëj dëshirën e atij që më ka dërguar, edhe të mbaroj punën e tij.
35 Nuk thoni ju se janë edhe katër muaj dhe vijnë të korrat? Ja tek po ju them juve, ngrini përpjetë sytë tuaj, edhe shihni arat se janë tashmë të bardha për t’u korrur.
36 Edhe ai që korr merr pagë, edhe mbledh fryt për jetë të përjetshme, që të gëzohen bashkë edhe ai që mbjell edhe ai që korr.
37 Sepse për këtë e vërtetë është fjala, se tjetër është ai që mbjell, edhe tjetër ai që korr.
38 Unë ju dërgova ju të korrni atë për të cilën ju s’jeni munduar; të tjerë u munduan, edhe ju hytë në mundimin e tyre.
39 Edhe prej atij qyteti shumë nga samaritanët besuan tek ai për fjalën e gruas që dëshmoi se më tha gjithë sa kam bërë.
40 Samaritanët pra, si erdhën tek ai, i luteshin të rrijë pranë tyre. Edhe qëndroi atje dy ditë.
41 Edhe shumë më tepër njerëz besuan për fjalën e tij.
42 Edhe gruas i thoshin se nuk besojmë më për fjalën tënde; se ne e dëgjuam dhe e njohëm se ky është me të vërtetë Shpëtimtari i botës, Krishti.
43 Edhe pas dy ditësh doli prej andej, edhe shkoi në Galile.
44 Sepse vetë Jisui dëshmoi se një profet nuk ka nderim në vendin e vet.
45 Kur erdhi pra në Galile, Galileasit e pritën, pasi kishin parë gjithë sa bëri të kremten në Jerusalem; sepse edhe ata kishin ardhur në të kremten.
46 Jisui pra erdhi përsëri në Kana të Galilesë, ku bëri ujin verë. Edhe ishte dikush nga oborri mbretëror, djali i të cilit ishte i sëmurë në Kapernaum.
47 Ky, kur dëgjoi se Jisui erdhi nga Judea në Galile, shkoi tek ai, edhe i lutej të zbresë e të shërojë të birin e tij; sepse ishte gati për të vdekur.
48 Jisui pra i tha: Në mos pafshi shenja e çudira, s’keni për të besuar.
49 Oborrtari i thotë: Zot, zbrit para se të vdesë djali im.
50 Jisui i thotë: Shko, se yt bir rron. Edhe njeriu i besoi fjalës që i tha Jisui dhe iku.
51 Edhe kur po zbriste, shërbëtorët e tij e takuan atë dhe e lajmëruan, duke thënë se yt bir rron.
52 Kërkoi pra nga ata të mësojë orën kur u bë më mirë. Edhe i thanë se dje në të shtatën orë e lanë ethet.
53 I ati pra e kuptoi se kjo ndodhi në atë orë që i tha Jisui se yt bir rron; edhe besoi ai dhe gjithë shtëpia e tij.
54 Jisui bëri përsëri këtë çudi të dytë, si erdhi nga Judea në Galile.

-5-

1 Pas këtyre ishte e kremtja e Judenjve; edhe Jisui u ngjit në Jerusalem.
2 Edhe në Jerusalem afër portës së Dhenve është një pellg uji që quhet hebraisht Betesda, edhe ka pesë kamare.
3 Në këto dergjej një shumicë e madhe të sëmurësh, të verbrish, të çalësh, të paralizuarish që pritnin lëvizjen e ujit.
4 Sepse kohë pas kohe zbriste një engjëll në pellg dhe trazonte ujin; ai pra që të hynte i pari pas trazimit të ujit, shërohej prej çfarëdo sëmundjeje që të kishte.
5 Edhe atje ishte një njeri, që ishte i sëmurë tridhjetë e tetë vjet.
6 Jisui kur e pa këtë se po dergjej, edhe mori vesh se tashmë prej shumë kohe ishte i sëmurë, i thotë: A do të shërohesh?
7 I sëmuri iu përgjigj: Zot, s’kam njeri të më vërë në pellg kur trazohet uji; edhe kur vij unë, një tjetër zbret përpara meje.
8 Jisui i thotë: Çohu, ngri shtratin tënd, edhe ec.
9 Edhe përnjëherë njeriu u shërua, edhe ngriti shtratin e tij, edhe ecte. Edhe atë ditë ishte e shtunë.
10 Judenjtë pra i thoshin atij që u shërua: Eshtë e shtunë. Nuk të lejohet të ngresh shtratin.
11 Iu përgjigj atyre: Ai që më shëroi, ai më tha: Ngri shtratin tënd dhe ec.
12 E pyetën pra: Cili është ai njeri që të tha: Ngri shtratin tënd dhe ec!
13 Po ai që u shërua nuk e dinte cili është; sepse Jisui u shmang, se kishte shumë gjindje në atë vend.
14 Pastaj Jisui e gjen atë në tempull, edhe i tha: Ja tek u shërove; mos mëkato më, që mos të të bëhet ndonjë gjë më e keqe.
15 Njeriu pra shkoi dhe lajmëroi judenjtë se ai që e shëroi është Jisui.
16 Dhe prandaj Judenjtë e ndiqnin Jisuin, dhe kërkonin ta vritnin, sepse i bënte këto të shtunën.
17 Po Jisui iu përgjigj atyre: Ati im punon deri tani, edhe unë punoj.
18 Prandaj judenjtë më tepër kërkonin ta vritnin, sepse jo vetëm e prishte të shtunën, po edhe se thoshte se Perëndia është i ati i tij, duke e bërë veten e tij të barabartë me Perëndinë.
19 Jisui pra, u përgjigj e u tha atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve: Biri s’mund të bëjë asgjë prej vetvetes, në mos paftë Atin duke bërë këtë; sepse ato që bën ai, këto i bën gjithashtu edhe Biri.
20 Sepse Ati e do Birin, edhe i tregon gjithë ato që ai bën; edhe do t’i tregojë punë më të mëdha se këto, që të çuditeni ju.
21 Sepse sikurse Ati ngjall të vdekurit dhe jep jetë, kështu edhe Biri u jep jetë atyre që do.
22 Sepse Ati nuk gjykon asnjë, po gjithë gjyqin ia dha Birit,
23 që të gjithë të nderojnë Birin, sikurse nderojnë Atin. Ai që nuk nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar.
24 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se ai që dëgjon fjalën time, edhe i beson atij që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, edhe në gjyq nuk vjen, por ka shkuar prej vdekjes në jetë.
25 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se vjen një orë, edhe tani është, kur të vdekurit kanë për të dëgjuar zërin e të Birit të Perëndisë, edhe ata që do të dëgjojnë do të rrojnë.
26 Sepse sikurse Ati ka jetë në veten e tij, kështu i dha edhe të Birit të ketë jetë në veten e tij,
27 edhe i dha pushtet të bëjë edhe gjyq, sepse është Bir njeriu.
28 Mos u çuditni për këtë; se vjen një orë, në të cilën të gjithë ata që janë nëpër varret do të dëgjojnë zërin e tij,
29 edhe ata që kanë bërë të mira do të dalin në ngjallje jete; por ata që kanë bërë të liga, në ngjallje gjyqi.
30 Unë s’mund të bëj asgjë prej vetes sime. Siç dëgjoj, gjykoj; edhe gjyqi im është i drejtë; sepse s’kërkoj dëshirën time, po dëshirën e Atit që më dërgoi.
31 Në dëshmofsha unë për veten time, dëshmia ime nuk është e vërtetë.
32 Tjetër është ai që dëshmon për mua; edhe e di se dëshmia që dëshmon për mua është e vërtetë.
33 Ju dërguat tek Joani, edhe ai dëshmoi të vërtetën.
34 Ndërsa unë nuk e marr dëshminë prej njeriu; por i them këto, që të shpëtoni ju.
35 Ai ishte kandili që digjej e ndriçonte; edhe ju deshët të gëzoheni për pak kohë në dritën e tij.
36 Por unë e kam dëshminë më të madhe se të Joanit; sepse ato punë që më dha Ati që t’i mbaroj, ato punë që bëj unë, dëshmojnë për mua se Ati më ka dërguar.
37 Edhe Ati që më dërgoi, ai ka dëshmuar për mua. As zërin e tij s’e keni dëgjuar kurrë deri tani, as pamjen e tij s’e keni parë.
38 Edhe fjalën e tij nuk e mbani brenda jush, sepse ju nuk i besoni këtij që dërgoi ai.
39 Shqyrtoni shkrimet, sepse ju duket se në ato keni jetë të përjetshme; edhe këto janë ato që dëshmojnë për mua.
40 Por nuk doni të vini tek unë, që të keni jetë.
41 Nuk marr lavdi prej njerëzish.
42 Por ju njoha ju se s’keni dashurinë e Perëndisë në veten tuaj.
43 Unë kam ardhur në emrin e Atit tim, e nuk më pranoni. Në ardhtë tjetër në emrin e tij, do ta pranoni atë.
44 Si mund të besoni ju që merrni lavdi nga njëri-tjetri, edhe nuk kërkoni lavdinë prej të vetmit Perëndi?
45 Mos kujtoni se unë do t’ju akuzoj tek Ati. Ka kush t’ju akuzojë, Moisiu, tek i cili ju shpresuat.
46 Sepse po t’i kishit besuar Moisiut, do të më besonit edhe mua; sepse ai shkroi për mua.
47 Por në qoftë se nuk u besoni shkronjave të tij, si do t’u besoni fjalëve të mia?

-6-

1 Pastaj Jisui shkoi përtej detit të Galilesë, të Tiberiadës.
2 Edhe shumë njerëz i shkuan pas, sepse shihnin çuditë e tij, që bënte mbi të sëmurët.
3 Edhe Jisui u ngjit në mal dhe rrinte atje bashkë me nxënësit e tij.
4 Edhe ishte afër pashka, e kremtja e Judenjve.
5 Jisui pra, kur ngriti sytë dhe pa se po vinte shumë popull tek ai, i thotë Filipit: Ku do të blejmë bukë, që të hanë këta?
6 Edhe e thoshte këtë, që ta provonte; sepse ai e dinte se ç’do të bënte.
7 Filipi iu përgjigj: Dyqind dinarë bukë nuk u dalin atyre, që të marrë nga pak gjithësecili nga ata.
8 Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga nxënësit e tij, i thotë:
9 Këtu është një djalë i vogël që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq. Po ç’janë këto për kaq vetë?
10 Edhe Jisui tha: Thuajuni njerëzve të rrinë përdhe. Edhe kishte shumë bar në atë vend. Ndenjën pra burrat, rreth pesë mijë veta në numër.
11 Edhe Jisui mori bukët, edhe si falënderoi, ua ndau nxënësve, edhe nxënësit atyre që kishin ndenjur përdhe; kështu edhe nga peshqit sa donin.
12 Edhe si u ngopën, u thotë nxënësve të tij: Mblidhni copat që kanë tepruar, që të mos humbasë gjë.
13 I mblodhën pra, edhe mbushën dymbëdhjetë kofinë me copa nga të pesë bukët prej elbi që u tepruan atyre që hëngrën.
14 Njerëzit pra, kur panë çudinë që bëri Jisui, thoshin se me të vërtetë ky është profeti që ka për të ardhur në botë.
15 Jisui pra, si e kuptoi se donin të vinin e ta rrëmbenin që ta bënin mbret, iku përsëri në mal vetëm.
16 Edhe si u ngrys, nxënësit e tij zbritën në det.
17 Edhe hynë në lundër, edhe shkuan përtej detit në Kapernaum. Edhe tashmë ishte errësuar dhe Jisui nuk kishte ardhur tek ata.
18 Edhe deti po ngrihej, se po frynte erë e madhe.
19 Pasi vozitën, pra, rreth njëzet e pesë a tridhjetë stade, shohin Jisuin duke ecur mbi det dhe duke ardhur afër lundrës; edhe u frikësuan.
20 Po ai u thotë atyre: Jam unë, mos u frikësoni.
21 Donin pra, ta merrnin në lundër; edhe përnjëherë lundra u gjend në tokën në të cilën shkonin.
22 Të nesërmen turma që kishte ndenjur përtej detit, kur panë se s’kishte atje tjetër lundër, veç asaj në të cilën hynë nxënësit e tij, edhe se nuk hyri Jisui në lundër bashkë me nxënësit e tij, po vetëm nxënësit e tij, ikën.
23 Edhe të tjera lundra erdhën nga Tiberiada afër vendit ku, pas falënderimit të Zotit, kishin ngrënë bukën;
24 Turma pra, kur pa se Jisui nuk është atje, as nxënësit e tij, hipën edhe ata nëpër lundrat dhe erdhën në Kapernaum duke kërkuar Jisuin.
25 Edhe si e gjetën përtej detit, i thanë: Rabbi, kur erdhe këtu?
26 Jisui iu përgjigj atyre e tha: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, më kërkoni jo se patë çudira, por se hëngrët nga bukët dhe u ngopët.
27 Mos punoni për ushqimin që prishet, po për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t’ua japë juve i Biri i njeriut; sepse këtë e vulosi Ati, Perëndia.
28 I thanë pra: Ç’të bëjmë, që të punojmë punët e Perëndisë?
29 Jisui u përgjigj e u tha atyre: Kjo është puna e Perëndisë, t’i besoni atij që ka dërguar ai.
30 I thanë pra: Çfarë shenje bën pra ti, që të shohim, e të të besojmë ty? Ç’punon?
31 Etërit tanë hëngrën mannën në shkretëtirë, siç është shkruar: “Bukë nga qielli u dha atyre të hanë”.
32 Jisui pra, u tha atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, Moisiu nuk ju dha juve bukën nga qielli, po im Atë ju jep juve bukën e vërtetë nga qielli.
33 Sepse buka e Perëndisë është ai që zbret nga qielli, edhe që i jep jetë botës.
34 I thanë pra: Zot, jepna përherë këtë bukë.
35 Edhe Jisui u tha atyre: Unë jam buka e jetës. Ai që vjen tek unë, nuk do të ketë uri; edhe ai që më beson, nuk do të ketë kurrë etje.
36 Por ju thashë juve se edhe më patë edhe nuk besoni.
37 Gjithë ç’më jep Ati, do të vijë tek unë; edhe atë që të vijë tek unë, nuk do ta nxjerr jashtë.
38 Sepse kam zbritur nga qielli, jo për të bërë dëshirën time, po dëshirën e atij që më ka dërguar.
39 Edhe kjo është dëshira e Atit që më ka dërguar, nga gjithë ç’më ka dhënë të mos humbas asgjë, po ta ngjall në ditën e fundit.
40 Edhe kjo është dëshira e atij që më ka dërguar, kushdo që sheh Birin dhe i beson, të ketë jetë të përjetshme; edhe unë do ta ngjall në ditën e fundit.
41 Judenjtë pra, ankoheshin për atë, se tha: Unë jam buka që zbrita nga qielli.
42 Edhe thoshin: A nuk është ky Jisui, i biri i Josifit, të cilit ne i njohim të atin dhe të ëmën? Si thotë pra ky se kam zbritur nga qielli?
43 Jisui pra, u përgjigj e u tha atyre: Mos pëshpërisni me njëri-tjetrin.
44 Asnjë s’mund të vijë tek unë, në mos e tërheqtë Ati që më ka dërguar; edhe unë do ta ngjall atë në ditën e fundit.
45 Eshtë shkruar në profetët: “Edhe të gjithë do të jenë të mësuar nga Perëndia”. Kushdo pra, që ka dëgjuar prej Atit dhe ka mësuar prej tij, vjen tek unë.
46 Jo se e ka parë ndonjë Atin; veç ai që është nga Perëndia, ky e ka parë Atin.
47 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve: Ai që më beson ka jetë të përjetshme.
48 Unë jam buka e jetës.
49 Etërit tuaj hëngrën mannën në shkretëtirë, edhe vdiqën.
50 Kjo është buka që zbret nga qielli, që të hajë ndonjë prej saj dhe të mos vdesë.
51 Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli. Në ngrëntë njeri prej kësaj buke, do të rrojë për gjithë jetën. Edhe buka që do të jap unë, është mishi im, të cilin unë do ta jap për jetën e botës.
52 Judenjtë pra, haheshin njëri me tjetrin, duke thënë: Si mund të na japë ky të hamë mishin e tij?
53 Jisui pra u tha atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, në mos ngrënshi mishin e Birit të njeriut, edhe në mos pifshi gjakun e tij, s’keni jetë në veten tuaj.
54 Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, edhe unë do ta ngjall në ditën e fundit.
55 Sepse mishi im është me të vërtetë ngrënie, edhe gjaku im është me të vërtetë të pirë.
56 Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet tek unë, edhe unë tek ai.
57 Siç më dërgoi Ati që rron, edhe unë rroj për Atin; edhe ai që më ha mua, do të rrojë edhe ai për mua.
58 Kjo është buka që zbriti nga qielli; jo sikurse etërit tanë hëngrën mannën dhe vdiqën; ai që ha këtë bukë, do të rrojë për jetë.
59 Këto tha në sinagogë duke mësuar në Kapernaum.
60 Shumë, pra, nga nxënësit e tij kur dëgjuan, thanë: Kjo fjalë është e ashpër. Cili mund ta dëgjojë?
61 Edhe Jisui si e kuptoi në vete se nxënësit e tij po ankoheshin për këtë, u tha atyre: Kjo ju skandalizon ju?
62 Ç’do të thoni pra, në qoftë se shihni të Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më përpara?
63 Fryma është ajo që jep jetë, mishi nuk vlen asgjë. Fjalët që ju flas unë juve, janë frymë dhe janë jetë.
64 Po janë disa prej jush që nuk besojnë. Sepse Jisui e dinte që në fillim cilët janë ata që s’besojnë, dhe cili është ai që do ta tradhtonte.
65 Edhe thoshte: Prandaj ju thashë juve se asnjë s’mund të vijë tek unë, në mos i është dhënë prej Atit tim.
66 Që atëherë pra, shumë nga nxënësit e tij u kthyen prapa, dhe nuk ecnin më bashkë me të.
67 Jisui pra, u tha të dymbëdhjetëve: Mos doni të ikni edhe ju?
68 Simon Pjetri iu përgjigj pra atij: Zot, tek cili të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.
69 Edhe ne kemi besuar dhe e kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.
70 Jisui pra, iu përgjigj atyre: A nuk ju zgjodha unë ju të dymbëdhjetët? Po një prej jush është djall.
71 Edhe thoshte për Juda Iskariotin e Simonit; sepse ky, ndonëse ishte një prej të dymbëdhjetëve, kishte për ta tradhtuar atë.

-7-

1 Edhe pas këtyre Jisui lëvizte nëpër Galile; sepse s’donte të lëvizte nëpër Jude, se judenjtë kërkonin ta vrisnin.
2 Edhe ishte afër e kremtja e Judenjve, Tendëngritja.
3 Të vëllezërit pra i thanë: Ik së këtejmi, edhe shko në Jude, që të shohin edhe nxënësit e tu punët e tua që bën.
4 Sepse asnjë s’bën gjë fshehurazi, ndërsa kërkon vetë të shfaqet hapur. Nëse bën këto, shfaq veten tënde në botë.
5 Sepse as të vëllezërit e tij nuk i besonin.
6 Jisui u thotë pra atyre: Nuk është ende koha ime, kurse koha juaj është përherë gati.
7 Bota s’mund t’ju urrejë ju; por mua më urren, sepse unë dëshmoj për të se punët e saj janë të liga.
8 Ju ngjituni në këtë të kremte; unë ende nuk ngjitem në këtë të kremte, sepse koha ime ende nuk është plotësuar.
9 Edhe si u tha atyre këto, qëndroi në Galile.
10 Edhe kur u ngjitën të vëllezërit, atëherë u ngjit edhe ai në të kremten, jo haptas, po si fshehurazi.
11 Judenjtë pra e kërkonin në të kremten, dhe thoshin: Ku është ai?
12 Edhe kishte për atë shumë pëshpëritje në mes të turmës. Disa thoshin se është i mirë, e të tjerë thoshin: Jo, por gënjen turmën.
13 Po askush nuk fliste sheshit për të, nga frika e judenjve.
14 Edhe tani ndërsa ishte përgjysmë e kremtja, Jisui u ngjit në tempull, dhe i mësonte.
15 Edhe Judenjtë çuditeshin, duke thënë: Si i di ky shkronjat pa mësuar?
16 Jisui iu përgjigj atyre, e tha: Mësimi im nuk është imi, po i atij që më ka dërguar.
17 Në do ndonjë të bëjë dëshirën e tij, do të njohë për mësimin në është nga Perëndia, apo në flas unë prej vetes sime.
18 Ai që flet prej vetes së tij, kërkon lavdinë e tij; po ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar, ky është i vërtetë, edhe padrejtësi tek ai nuk ka.
19 A nuk ju dha juve ligjin Moisiu? Edhe asnjë prej jush nuk e zbaton ligjin. Pse kërkoni të më vrisni?
20 Turma u përgjigj e tha: Ke demon. Cili kërkon të të vrasë?
21 Jisui u përgjigj e u tha atyre: Një punë bëra, edhe të gjithë çuditeni.
22 Prandaj Moisiu ju ka dhënë juve rrethprerjen, jo se është nga Moisiu, por nga etërit, edhe të shtunën rrethprisni njeriun.
23 Në qoftë se njeriu merr rrethprerje të shtunën, që të mos prishet ligji i Moisiut, me mua zemëroheni, sepse një njeri të tërë e shërova të shtunën?
24 Mos gjykoni sipas pamjes, po gjykoni gjyqin e drejtë.
25 Disa prej jerusalemasve thoshin, pra: A nuk është ky që kërkojnë ta vrasin?
26 Por ja tek flet në sy, dhe s’i thonë asgjë. Mos vallë e njohën me të vërtetë të parët se ky është me të vërtet Krishti?
27 Po këtë e dimë nga është, po kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë nga është.
28 Jisui pra, thirri duke mësuar në tempull, edhe tha: Edhe mua më njihni, edhe nga jam e dini; edhe s’kam ardhur prej vetes sime, por është i vërtetë ai që më ka dërguar, të cilin ju nuk e njihni.
29 Unë e njoh atë, sepse jam prej atij, edhe ai më dërgoi.
30 Kërkonin pra ta zënë; po asnjë s’vuri dorën mbi të, sepse ende s’i kishte ardhur ora.
31 Edhe shumë prej turmës i besuan, edhe thoshin se kur të vijë Krishti, mos do të bëjë më shumë shenja se këto që bëri ky?
32 Farisenjtë dëgjuan turmën se po murmurisnin këto për atë; edhe Farisenjtë e kryepriftërinjtë dërguan shërbëtorë që ta zënë.
33 Jisui pra, tha: Edhe pak kohë jam bashkë me ju, edhe shkoj tek ai që më dërgoi. 34 Do të më kërkoni, e nuk do të më gjeni. Edhe atje ku jam unë, ju s’mund të vini.
35 Judenjtë pra thanë në mes tyre: Ku do të shkojë ky, që ne nuk do ta gjejmë? Mos do të shkojë tek ata që janë shpërndarë ndër grekët, e të mësojë grekët?
36 Ç’është kjo fjalë që tha: Do të më kërkoni, e nuk do të më gjeni? Edhe: Atje ku jam unë, ju s’mund të vini?
37 Edhe ditën e fundit, ditën e madhe të së kremtes, Jisui qëndroi e thirri, duke thënë: Kush të ketë etje, le të vijë tek unë e le të pijë.
38 Ai që më beson mua, siç tha Shkrimi, lumenj uji të gjallë do të rrjedhin nga barku i tij.
39 Edhe këtë e tha për Frymën që kishin për të marrë ata që do t’i besonin; sepse ende s’ishte dhënë Fryma e Shenjtë; sepse Jisui ende s’ishte lavdëruar.
40 Shumë pra, prej turmës kur dëgjuan këtë fjalë, thoshin: Ky është me të vërtetë profeti.
41 Të tjerë thoshin: Ky është Krishti. Të tjerë thoshin: Mos vjen Krishti nga Galilea?
42 A nuk tha Shkrimi se Krishti vjen nga fara e Davidit dhe nga fshati Betlehem, nga ku ishte Davidi?
43 U bë pra një përçarje në turmë për të.
44 Edhe disa prej tyre donin ta kapnin; po asnjë s’vuri duart mbi të.
45 Erdhën pra shërbëtorët te kryepriftërinjtë e te Farisenjtë, edhe ata u thanë atyre: Pse nuk e prutë?
46 Shërbëtorët u përgjigjën: Kurrë s’ka folur njeri kështu, si ky njeri.
47 Farisenjtë pra iu përgjigjën atyre: Mos u gënjyet edhe ju?
48 Mos i ka besuar atij ndonjë prej të parëve a prej Farisenjve?
49 Po kjo turmë që s’di ligjin, janë të mallkuar.
50 U thotë atyre Nikodhimi, ai që pati ardhur natën tek ai, i cili ishte një prej atyre:
51 Mos e gjykon njeriun ligji ynë, pa e dëgjuar më parë atë, e pa marrë vesh se ç’bën?
52 U përgjigjën e i thanë: Mos je edhe ti nga Galilea? Kërko e shih, se profet nga Galilea nuk është ngritur.
53 Edhe gjithësecili shkoi në shtëpinë e tij.

-8-

1 Edhe Jisui shkoi në Malin e Ullinjve.
2 Edhe në të gdhirë erdhi përsëri në tempull, edhe gjithë populli vinte tek ai; edhe si ndenji, i mësonte.
3 Edhe shkruesit e Farisenjtë i sjellin një grua të zënë në shkelje kurore, edhe si e vunë në mes,
4 i thonë: Mësues, kjo grua është zënë teksa shkelte kurorën.
5 Edhe Moisiu në ligj na ka urdhëruar të tillat të vriten me gurë. Ti pra ç’thua?
6 Edhe këtë e thanë duke e ngarë atë, që të kenë ndonjë akuzë kundër tij. Por Jisui, si u ul, shkruante me gishtin në dhe.
7 Edhe pasi ngulmonin duke pyetur atë, u ngrit e u tha atyre: Kush prej jush është i pamëkatshëm, le të hedhë i pari gurin mbi të.
8 Edhe përsëri u ul e shkruante në dhe.
9 Edhe ata kur dëgjuan, zunë të dilnin jashtë një nga një, duke nisur nga më të moshuarit e deri tek i fundit; edhe Jisui mbeti vetëm, edhe gruaja që ishte në mes.
10 Edhe Jisui si ngriti kryet dhe nuk pa asnjë veç gruas, i tha asaj: Grua, ku janë të tjerët? Asnjë s’të dënoi?
11 Edhe ajo tha: Asnjë, Zot. Edhe Jisui i tha: As unë nuk të dënoj; shko, edhe që nga tani mos mëkato më.
12 Jisui pra, përsëri u foli atyre, duke thënë, Unë jam drita e botës. Ai që më vjen pas, nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.
13 Farisenjtë pra, i thanë: Ti dëshmon për veten tënde. Dëshmia jote nuk është e vërtetë.
14 Jisui u përgjigj e u tha atyre: Edhe në dëshmofsha unë për veten time, dëshmia ime është e vërtetë, sepse e di nga erdha e ku shkoj; por ju s’e dini nga vij e ku shkoj.
15 Ju gjykoni sipas mishit; unë nuk gjykoj asnjeri.
16 Po edhe në gjykofsha unë, gjyqi im është i vërtetë; sepse nuk jam vetëm, por unë dhe Ati që më dërgoi.
17 Edhe në ligjin tuaj është shkruar se dëshmia e dy njerëzve është e vërtetë.
18 Unë jam ai që dëshmoj për veten time, edhe Ati që më dërgoi dëshmon për mua.
19 I thoshin pra: Ku është Ati yt? Jisui u përgjigj: As mua s’më njihni, as Atin tim; po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim.
20 Këto fjalë i foli Jisui tek vendi i thesarit duke mësuar në tempull; edhe asnjë nuk e zuri, sepse ende s’i kishte ardhur ora.
21 Jisui, pra, përsëri u tha atyre: Unë po shkoj, edhe do të më kërkoni, edhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Ku shkoj unë, ju nuk mund të vini.
22 Judenjtë pra, thoshin: Mos do të vrasë veten, meqenëse thotë: Ku shkoj unë, ju nuk mund të vini?
23 Edhe ai u tha atyre: Ju jeni prej atyre që janë poshtë, unë jam prej atyre që janë lart. Ju jeni prej kësaj bote, unë nuk jam prej kësaj bote.
24 Ju thashë, pra, juve se do të vdisni në mëkatet tuaja; sepse në mos besofshi se unë jam, do të vdisni në mëkatet tuaja.
25 I thoshin pra: Cili je ti? Edhe Jisui u tha atyre: Ai që ju thashë juve që në fillim.
26 Shumë kam për të thënë e për të gjykuar për ju; po ai që më dërgoi është i vërtetë, edhe unë sa dëgjova prej atij, këto i them botës.
27 Ata nuk kuptuan se u thoshte për Atin.
28 Jisui pra, u tha atyre: Kur të ngrini lart Birin e njeriut, atëherë do të njihni se unë jam, edhe nuk bëj asgjë prej vetes sime, por siç më mësoi Ati im, këto flas.
29 Edhe ai që më dërgoi është bashkë me mua. Ati nuk më la vetëm, sepse unë bëj përherë ato që i pëlqejnë atij.
30 Ndërsa ai ishte duke folur këto, shumë veta i besuan.
31 Jisui pra, u thoshte judenjve që i kishin besuar: Në qoftë se ju qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë nxënësit e mi,
32 edhe do të njihni të vërtetën, edhe e vërteta do t’ju çlirojë ju.
33 Iu përgjigjën atij: Jemi fara e Abrahamit dhe asnjeriu nuk i jemi bërë kurrë deri tani skllevër. Si thua ti se do të bëheni të lirë?
34 Jisui iu përgjigj atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se kushdo që bën mëkatin, skllav i mëkatit është.
35 Edhe skllavi nuk mbetet në shtëpi për jetë; po biri mbetet për jetë.
36 Në ju çliroftë pra ju Biri, me të vërtetë do të jeni të lirë.
37 E di se jeni fara e Abrahamit; por kërkoni të më vrisni, sepse fjala ime nuk zë vend ndër ju.
38 Unë flas ç’kam parë pranë Atit tim, edhe ju pra bëni ç’keni parë pranë atit tuaj.
39 Iu përgjigjën e i thanë: Ati ynë është Abrahami. Jisui u thotë atyre: Po të ishit bij të Abrahamit, punët e Abrahamit do të bënit.
40 Po tani kërkoni të më vrisni, mua, njeriun që ju kam folur të vërtetën që dëgjova prej Perëndisë. Abrahami këtë nuk e bëri.
41 Ju bëni punët e atit tuaj. I thanë pra atij: Ne s’kemi lindur prej kurvërie; një atë kemi, Perëndinë.
42 Jisui pra u tha atyre: Po të ishte Perëndia ati juaj, do të më donit; sepse unë prej Perëndisë dola, edhe prej atij erdha; sepse nuk erdha prej vetes sime, po ai më dërgoi.
43 Pse nuk njihni të folurit tim? Sepse nuk mund të dëgjoni fjalën time.
44 Ju jeni prej atit tuaj, djallit, edhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj. Ai ishte që në fillim njerivrasës, edhe nuk qëndron në të vërtetën; sepse të vërtetë nuk ka tek ai. Kur flet gënjeshtrën, flet nga të tijat; sepse është gënjeshtar, edhe i ati i saj, i gënjeshtrës.
45 Po mua, sepse them të vërtetën, nuk më besoni.
46 Cili prej jush më qorton për mëkat? Po në them të vërtetën, pse s’më besoni ju?
47 Ai që është prej Perëndisë, fjalët e Perëndisë dëgjon; prandaj ju nuk dëgjoni, sepse nuk jeni prej Perëndisë.
48 Judenjtë pra, u përgjigjën e i thanë: A nuk themi mirë ne se ti je samaritan, edhe demon ke?
49 Jisui u përgjigj: Unë demon s’kam, po nderoj Atin tim, edhe ju më çnderoni.
50 Dhe unë s’kërkoj lavdinë time; është ai që kërkon e që gjykon.
51 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, në ruajtë ndonjë fjalën time, nuk do të shohë vdekje për gjithë jetën.
52 Judenjtë pra, i thanë: Tani e morëm vesh se ke demon. Abrahami vdiq, edhe profetët vdiqën, edhe ti thua: Në ruajtë ndonjë fjalën time, nuk do të provojë vdekje për jetë.
53 A mos je ti më i madh se ati ynë Abraham, i cili vdiq? Edhe profetët vdiqën. Ti cilin e bën veten tënde?
54 Jisui u përgjigj: Unë në lavdëroj veten time, lavdia ime s’është asgjë; Ati im është ai që më lavdëron, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj.
55 Edhe s’e keni njohur, kurse unë e njoh; edhe në thënça se nuk e njoh, do të jem si ju, gënjeshtar; por e njoh dhe ruaj fjalën e tij.
56 Abrahami, ati juaj, ngazëllohej që të shihte ditën time; edhe e pa e u gëzua.
57 Judenjtë pra i thanë: Pesëdhjetë vjet ende s’i ke, edhe Abrahamin e ke parë?
58 Jisui u tha atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë, po ju them juve: Para se të jetë Abrahami, unë jam.
59 Ngritën pra gurë që t’i hidhnin kundër tij; por Jisui u fsheh dhe doli nga tempulli, duke shkuar nëpërmes tyre; edhe kështu iku.

-9-

1 Edhe duke kaluar andej, pa një njeri të verbër që prej lindjes.
2 Edhe nxënësit e tij e pyetën, duke thënë: Rabbi, cili mëkatoi, ky apo prindërit e tij, që të lindë i verbër?
3 Jisui u përgjigj: As ky mëkatoi, as prindërit e tij, po që të tregohen punët e Perëndisë tek ai.
4 Unë duhet të bëj punët e atij që më dërgoi, deri sa është ditë; vjen nata, kur asnjë s’mund të punojë.
5 Sa të jem në botë, jam drita e botës.
6 Pasi tha këto, pështyu përdhe dhe bëri baltë prej pështymës, edhe leu sytë e të verbërit me baltën.
7 Edhe i tha atij: Shko e lahu në pellgun e Siloamit, që e përkthyer do me thënë i Dërguar. Shkoi pra e u la, edhe erdhi duke parë.
8 Fqinjët pra, edhe ata që e kishin parë më përpara se ishte i verbër, thoshin: A nuk është ky ai që rrinte e lypte?
9 Të tjerë thoshin se ky është; edhe të tjerë se i shëmbëllen. Ai u thoshte se unë jam.
10 I thoshin, pra: Si t’u hapën sytë?
11 Ai u përgjigj e tha: Një njeri që quhet Jisu bëri baltë dhe më leu sytë e më tha: Shko në pellgun e Siloamit dhe lahu. Edhe si shkova e u lava, hapa sytë.
12 I thanë, pra: Ku është ai? Thotë: Nuk e di.
13 E sjellin te Farisenjtë atë që ishte njëherë i verbër.
14 Edhe ishte e shtunë, kur bëri baltën Jisui dhe i hapi atij sytë.
15 Përsëri pra e pyesnin edhe Farisenjtë se si pa përsëri. Edhe ai u tha atyre: Vuri baltë mbi sytë e mi, edhe u lava, edhe shoh.
16 Disa, pra, prej Farisenjve thoshin: Ky njeri nuk është nga Perëndia, se nuk ruan të shtunën. Të tjerë thoshin: Si mund të bëjë të tilla çudira një njeri mëkatar? Edhe kishte një përçarje në mes tyre.
17 I thonë përsëri të verbërit: Ti ç’thua për atë, se të hapi sytë? Edhe ai tha se është profet.
18 Judenjtë pra nuk besuan për atë se ishte i verbër dhe pa përsëri, deri sa thirrën prindërit e atij që iu hapën sytë.
19 Edhe i pyetën duke thënë: Ky është biri juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Si sheh pra tani?
20 Prindërit e atij iu përgjigjën atyre, e thanë: E dimë se ky është biri ynë, edhe se ka lindur i verbër.
21 Po si sheh tani nuk e dimë; ose cili i hapi sytë, ne nuk e dimë; ai moshën e ka, pyeteni. Ai do të flasë për veten e tij.
22 Këto thanë prindërit e tij, sepse kishin frikë nga judenjtë; se judenjtë tani kishin lidhur fjalë, që ai që ta rrëfejë për Krisht të nxirret jashtë sinagogës.
23 Prandaj prindërit e tij thanë se moshën e ka, pyeteni.
24 Thirrën pra për së dyti njeriun që kishte qenë i verbër, edhe i thanë: Jepi lavdi Perëndisë; ne e dimë se ky njeri është mëkatar.
25 Ai pra u përgjigj e tha: Në është mëkatar, nuk e di; një gjë di, se qeshë i verbër, edhe tani shoh.
26 Edhe i thanë përsëri: Ç’të bëri? Si t’i hapi sytë?
27 Iu përgjigj atyre: Tashmë jua thashë juve, edhe nuk dëgjuat; ç’doni përsëri të dëgjoni? Mos edhe ju doni të bëheni nxënës të tij?
28 E shanë pra, dhe thanë: Ti je nxënës i atij, po ne jemi nxënës të Moisiut.
29 Ne dimë se Perëndia i foli Moisiut, po këtë nuk e dimë nga është.
30 Njeriu u përgjigj e u tha atyre: Në këtë është me të vërtetë çudia, se ju s’e dini nga është, edhe mua më hapi sytë.
31 Edhe e dimë se Perëndia nuk dëgjon mëkatarë; po në pastë ndonjë frikë Perëndie dhe të bëjë dëshirën e tij, këtë e dëgjon.
32 Që prej fillimit të jetës nuk është dëgjuar se hapi njeri sytë e ndonjërit që ka lindur i verbër.
33 Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë.
34 U përgjigjën e i thanë: Ti ke lindur i tëri në mëkate, edhe ti na mëson? Edhe e nxorën jashtë.
35 Jisui dëgjoi se e nxorën jashtë; edhe si e gjeti, i tha: Ti i beson Birit të Perëndisë?
36 Ai u përgjigj e tha: Po cili është ai, o Zot, që t’i besoj?
37 Edhe Jisui i tha: Edhe e ke parë, dhe ai që flet me ty, ai është.
38 Edhe ai tha: Besoj, o Zot, dhe iu fal.
39 Pastaj Jisui tha: Unë për gjyq kam ardhur në këtë botë, që të shohin ata që nuk shohin, edhe të bëhen të verbër ata që shohin.
40 Edhe sa prej Farisenjve ishin bashkë me të, i dëgjuan këto, edhe i thanë: Mos jemi edhe ne të verbër?
41 Jisui u tha atyre: Po të ishit të verbër, nuk do të kishit mëkat; por tani thoni se shohim. Mëkati juaj pra mbetet.

-10-

1 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve: Ai që nuk hyn nga dera në oborrin e dhenve, po hipën nga tjetër vend, ai është vjedhës e kusar.
2 Por ai që hyn nga dera, është bariu i dhenve.
3 Këtij i hap derën portari; edhe dhentë dëgjojnë zërin e tij; edhe i thërret dhentë e veta me emër, edhe i nxjerr.
4 Edhe kur nxjerr dhentë e veta, shkon përpara tyre; edhe dhentë i shkojnë prapa, sepse e njohin zërin e tij.
5 Ndërsa të huajit nuk do t’i shkojnë prapa, por do të ikin prej tij; sepse nuk e njohin zërin e të huajve.
6 Këtë paravoli u tha atyre Jisui, po ata nuk kuptuan çfarë ishin këto që u fliste atyre.
7 Jisui pra u tha atyre përsëri: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se unë jam dera e dhenve.
8 Gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; po dhentë nuk i dëgjuan ata.
9 Unë jam dera. Në hyftë ndonjë me anën time, do të shpëtojë, edhe do të hyjë, edhe do të dalë, edhe do të gjejë kullotë.
10 Vjedhësi nuk vjen, veçse për të vjedhur e për të therur e për të prishur. Unë erdha që të kenë jetë, edhe ta kenë me të tepërt.
11 Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë vë jetën e tij për dhentë.
12 Po ai që është rrogëtar, edhe që s’është bari, i cili nuk i ka dhentë të tijat, sheh ujkun duke ardhur, edhe lë dhentë e ikën, edhe ujku i rrëmben ato, edhe shpërndan dhentë.
13 Edhe rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar, edhe s’do t’ia dijë për dhentë.
14 Unë jam bariu i mirë, edhe njoh të miat, edhe njihem prej të miave.
15 Siç më njeh Ati, edhe unë e njoh Atin; edhe vë jetën time për dhentë.
16 Kam edhe të tjera dhen, të cilat s’janë prej këtij oborri; duhet t’i mbledh edhe ato; edhe do të dëgjojnë zërin tim; edhe do të bëhet një tufë, një bari.
17 Prandaj Ati më do, sepse unë vë jetën time, që ta marr përsëri.
18 Asnjë s’e merr prej meje, po unë e vë prej vetvetes; kam pushtet ta vë, edhe kam pushtet ta marr përsëri. Këtë urdhërim mora prej Atit tim.
19 Përsëri pra u bë një përçarje në mes të judenjve për këto fjalë.
20 Edhe shumë prej tyre thoshin: Demon ka, edhe është i marrë. Pse e dëgjoni?
21 Të tjerë thoshin: Këto fjalë nuk janë prej një të demonizuari; mos mundet një demon t’u hapë sytë të verbërve?
22 Edhe u bë e kremtja e shenjtërimit të tempullit në Jerusalem, edhe ishte dimër.
23 Edhe Jisui ecte në tempull, në portikun e Solomonit.
24 Judenjtë pra e rrethuan, dhe i thoshin: Deri kur do ta mbash pezull shpirtin tonë? Nëse je Krishti, na e thuaj në sy.
25 Jisui iu përgjigj atyre: Ju thashë juve, edhe nuk besoni. Punët që bëj unë në emrin e Atit tim, këto dëshmojnë për mua.
26 Por ju nuk besoni; sepse nuk jeni prej dhenve të mia, siç ju thashë juve.
27 Dhentë e mia dëgjojnë zërin tim, edhe unë i njoh; edhe më vijnë pas.
28 Edhe unë u jap atyre jetë të përjetshme; edhe nuk do të humbasin për gjithë jetën, edhe nuk do t’i rrëmbejë njeri ato prej dorës sime.
29 Ati im, që m’i ka dhënë, është më i madh se të gjithë; edhe asnjë s’mund t’i rrëmbejë prej dorës së Atit tim.
30 Unë dhe Ati jemi një.
31 Përsëri pra judenjtë morën gurë, që t’i binin me gurë.
32 Jisui iu përgjigj atyre: Shumë punë të mira ju rrëfeva juve prej Atit tim. Për ç’punë nga ato më bini me gurë?
33 Judenjtë iu përgjigjën, duke thënë: Nuk të qëllojmë me gurë për punë të mirë, po për blasfemi, edhe sepse ti, ndonëse je njeri, e bën veten tënde Perëndi.
34 Jisui iu përgjigj atyre: A nuk është shkruar në ligjin tuaj: “Unë thashë: Jeni perëndira”?
35 Në qoftë se quajti perëndira ata, tek të cilët u bë fjala e Perëndisë, edhe Shkrimi s’mund të bjerë poshtë,
36 atij që e shenjtëroi Ati dhe e dërgoi në botë, ju i thoni se blasfemon, sepse thashë se jam Biri i Perëndisë?
37 Në mos bëj punët e Atit tim, mos më besoni.
38 Po nëse i bëj, edhe në mos më besoni mua, besojuni punëve; që të njihni e të besoni se Ati është tek unë, edhe unë tek ai.
39 Kërkonin pra përsëri ta kapin; por ai shpëtoi nga duart e tyre.
40 Edhe shkoi përsëri përtej Jordanit, në vendin ku pagëzonte në fillim Joani, edhe qëndroi atje.
41 Edhe shumë erdhën tek ai, edhe thoshin se Joani nuk bëri asnjë çudi; po gjithë sa tha Joani për këtë, ishin të vërteta. Edhe atje shumë veta i besuan atij.

-11-

1 Edhe ishte një i sëmurë, Llazari nga Betania, nga fshati i Marisë e i Martës, motrës së saj.
2 Dhe Maria ishte ajo që leu Zotin me miro, edhe fshiu këmbët e tij me flokët e saj, vëllai i së cilës, Llazari, ishte sëmurë.
3 Të motrat pra, dërguan tek ai, duke thënë: Zot, ja ai që do ti, është sëmurë.
4 Edhe Jisui kur dëgjoi tha: Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që të lavdërohet i Biri i Perëndisë me anë të saj.
5 Edhe Jisui i donte Martën dhe të motrën e saj dhe Llazarin.
6 Kur dëgjoi pra, se është sëmurë, atëherë qëndroi dy ditë në atë vend ku ishte.
7 Pastaj, pas kësaj u thotë nxënësve: Le të shkojmë prapë në Jude.
8 Nxënësit i thonë: Rabbi, tani Judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë, edhe përsëri po shkon atje?
9 Jisui u përgjigj: A nuk ka dymbëdhjetë orë dita? Në ectë dikush ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote.
10 Po në ectë dikush natën, pengohet, sepse s’ka dritë në të.
11 Këto tha, edhe pastaj u thotë atyre: Llazari miku ynë ka fjetur. Po shkoj që ta zgjoj.
12 Nxënësit e tij i thanë, pra: Zot, në ka fjetur, do të shpëtojë.
13 Po Jisui kishte thënë për vdekjen e tij; kurse ata pandehën se thotë për fjetjen e gjumit.
14 Atëherë pra Jisui u tha atyre haptas: Llazari vdiq.
15 Edhe gëzohem për ju, që të besoni, sepse nuk qeshë atje. Por le të shkojmë tek ai.
16 Thomai pra, që quhej binjak, u tha bashkënxënësve: Le të shkojmë edhe ne, që të vdesim bashkë me të.
17 Kur erdhi pra Jisui, e gjeti se kishte tashmë katër ditë në varr.
18 Edhe Betania ishte afër Jerusalemit rreth pesëmbëdhjetë stade.
19 Edhe shumë prej judenjve kishin ardhur te Marta e te Maria, që t’i ngushëllonin për të vëllain e tyre.
20 Marta pra, kur dëgjoi se po vjen Jisui, i doli përpara; edhe Maria rrinte në shtëpi.
21 Marta pra, i tha Jisuit: Zot, të ishe këtu, im vëlla nuk do të vdiste.
22 Po edhe tani e di se sa t’i kërkosh Perëndisë, do të t’i japë Perëndia.
23 Jisui i thotë asaj: Yt vëlla do të ngjallet.
24 I thotë atij Marta: E di se do të ngjallet në ngjallje në ditën e fundit.
25 Jisui i tha: Unë jam ngjallja dhe jeta. Ai që më beson, edhe në vdektë, do të rrojë.
26 Edhe kushdo që rron e më beson, nuk do të vdesë për gjithë jetën. A e beson këtë?
27 I thotë atij: Po, Zot, unë kam besuar se ti je Krishti, i Biri i Perëndisë, që vjen në botë.
28 Edhe si tha këto, shkoi e thërriti fshehtas Marinë, të motrën e saj, e i tha: Mësuesi është këtu dhe po të thërret.
29 Ajo, kur dëgjoi, ngrihet shpejt dhe vjen tek ai.
30 Jisui ende s’kishte ardhur në fshat, por ishte në atë vend ku i doli përpara Marta.
31 Judenjtë pra, që ishin bashkë me të në shtëpi dhe e ngushëllonin, kur panë Marinë se u ngrit shpejt e doli, i shkuan prapa, duke thënë se po shkon në varr për të qarë atje.
32 Maria pra, si erdhi atje ku ishte Jisui, kur e pa atë, i ra ndër këmbë, duke i thënë atij: Zot, po të ishe këtu, vëllai nuk do të më vdiste.
33 Jisui pra kur pa atë duke qarë, edhe judenjtë që kishin ardhur bashkë me të duke qarë, rënkoi thellë në shpirtin e tij, edhe u trazua.
34 E tha: Ku e keni vënë? I thonë: Zot, eja e shih.
35 Jisui derdhi lot.
36 Judenjtë pra thoshin: Shih sa e donte.
37 Po disa prej tyre thanë: Nuk mundej ky që hapi sytë e të verbrit të bënte që edhe ky të mos vdiste?
38 Jisui pra përsëri duke rënkuar thellë në vetvete vjen në varr. Edhe ishte një shpellë, dhe mbi të ishte vënë një gur.
39 Jisui thotë: Ngrini gurin. Marta, e motra e të vdekurit, i thotë: Zot, vjen erë tani, sepse ka katër ditë.
40 Jisui i thotë asaj: A nuk të thashë se në besofsh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?
41 Ngritën pra gurin, ku dergjej i vdekuri. Edhe Jisui ngriti sytë lart, e tha: Atë, të falënderoj se më dëgjove.
42 Edhe unë e dija se përherë më dëgjon; po e thashë për popullin që rri përreth, që të besojnë se ti më dërgove.
43 Edhe si tha këto, thirri me zë të madh: Llazar, dil jashtë.
44 Edhe i vdekuri doli, lidhur këmbë e duar me rripa pëlhure; edhe fytyra e tij ishte mbështjellë me shami. Jisui u thotë atyre: Zgjidheni, edhe lëreni të shkojë.
45 Shumë pra prej judenjve, që kishin ardhur te Maria, dhe panë sa bëri Jisui, i besuan.
46 Po disa prej tyre shkuan te Farisenjtë, edhe u thanë atyre sa bëri Jisui.
47 Kryepriftërinjtë, pra, dhe Farisenjtë mblodhën një këshillë, dhe thoshin: Çfarë të bëjmë? Se ky njeri bën shumë çudira.
48 Në e lënçim atë kështu, të gjithë do t’i besojnë; edhe do të vijnë romakët, dhe do të marrin edhe vendin tonë edhe kombin.
49 Edhe një nga ata, Kaiafa, që ishte kryeprift i atij viti, u tha atyre:
50 Ju nuk dini asgjë. As nuk mendoni se është mirë për ne të vdesë një njeri për popullin, edhe të mos humbasë gjithë kombi.
51 Edhe këtë nuk e tha prej vetes së tij, po duke qenë kryeprift i atij viti, profetizoi se Jisui kishte për të vdekur për kombin.
52 Edhe jo për kombin vetëm, po edhe që të mbledhë në një bijtë e shpërndarë të Perëndisë.
53 Që atë ditë pra morën vendim në këshillë që ta vrasin.
54 Prandaj Jisui nuk ecte më haptas në mes judenjve, po shkoi së andejmi afër shkretëtirës, në një qytet të quajtur Efraim, edhe atje rrinte bashkë me nxënësit e tij.
55 Edhe ishte afër pashka e judenjve; edhe shumë veta nga gjithë vendi u ngjitën në Jerusalem përpara pashkës, që të pastronin veten e tyre.
56 Kërkonin pra Jisuin, edhe i thoshin njëri-tjetrit duke ndenjur në tempull: Si mendoni ju? Se nuk do të vijë në të kremten?
57 Edhe kryepriftërinjtë e Farisenjtë kishin porositur, në e marrtë vesh ndonjë se ku është, të lajmërojë, që ta kapin.

-12-

1 Jisui pra gjashtë ditë përpara pashkës erdhi në Betani, ku ishte Llazari që pati vdekur, të cilin e kishte ngjallur prej së vdekurish.
2 Edhe i bënë darkë atje; edhe Marta shërbente; edhe Llazari ishte një prej atyre që rrinin në tryezë bashkë me të.
3 Atëherë Maria si mori një litër miro prej nardi të papërzier, shumë të shtrenjtë, leu këmbët e Jisuit, edhe me flokët e saj fshiu këmbët e tij; edhe shtëpia u mbush me erën e miros.
4 Një, pra, nga të dymbëdhjetë nxënësit e tij, Juda Iskarioti, i biri i Simonit, ai që kishte për ta tradhtuar, thotë:
5 Përse të mos shitej kjo miro treqind dinarë e t’u jepej të varfërve?
6 Edhe këtë e tha, jo se donte t’ia dinte për të varfrit, po se ishte vjedhës dhe kishte kuletën e asprave, përvetësonte çfarë viheshin në të.
7 Jisui pra tha: Lëre, se e ka ruajtur për ditën e varrimit tim.
8 Sepse të varfrit i keni përherë me vete, po mua nuk më keni përherë.
9 Një turmë e madhe pra prej judenjve morën vesh se është atje; edhe erdhën jo vetëm për Jisuin, po që të shohin edhe Llazarin, të cilin e ngjalli prej së vdekurish.
10 Po kryepriftërinjtë morën vendim, që të vrasin edhe Llazarin.
11 Sepse shumë veta prej judenjve vinin për atë, edhe i besonin Jisuit.
12 Të nesërmen një turmë e madhe që kishte ardhur në të kremten, kur dëgjuan se vjen Jisui në Jerusalem,
13 morën degë palmash, edhe i dolën përpara ta presin, edhe thërrisnin: Hosanna, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit, mbreti i Izraelit.
14 Edhe Jisui si gjeti një pulisht, ndenji mbi të, siç është shkruar:
15 “Mos ki frikë, bijë e Sionit, ja mbreti yt tek po vjen duke ndenjur mbi pulisht gomareje”.
16 Edhe nxënësit nuk i kuptuan këto në fillim; po kur u lavdërua Jisui, atëherë u ra ndër mend atyre se këto ishin shkruar për të, edhe se këto ia bënë atij.
17 Turma pra që ishte bashkë me të kur thirri Llazarin nga varri, edhe e ngjalli prej së vdekurish, dëshmonte për këtë.
18 Prandaj edhe turma i doli përpara, sepse dëgjoi se ai kishte bërë këtë çudi.
19 Farisenjtë pra, i thanë njëri-tjetrit: E shihni se nuk keni dobi fare? Ja bota tek shkoi pas atij.
20 Edhe prej atyre që ngjiteshin për t’u falur në të kremten ishin edhe disa grekë.
21 Këta pra, erdhën te Filipi nga Betsaida e Galilesë, edhe i luteshin, duke thënë: Zot, duam të shohim Jisuin.
22 Filipi vjen e i thotë Andreas; dhe përsëri Andrea e Filipi i thonë Jisuit.
23 Edhe Jisui iu përgjigj atyre, duke thënë: Erdhi ora që të lavdërohet Biri i njeriut.
24 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, në mos rëntë kokrra e grurit në dhe e të vdesë, ajo mbetet e vetme; por në vdektë, sjell shumë prodhim.
25 Ai që do jetën e tij do ta humbasë; po ai që urren jetën e tij në këtë botë, do ta ruajë për jetë të përjetshme.
26 Në më shërben ndonjë, le të më vijë pas; edhe ku të jem unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im; edhe në qoftë se më shërben ndonjë, Ati do ta nderojë.
27 Tani shpirti im është i trazuar; edhe ç’të them? Atë, shpëtomë nga kjo orë. Po prandaj erdha në këtë orë.
28 Atë, lavdëro emrin tënd. Erdhi pra një zë nga qielli: Edhe e lavdërova dhe përsëri do ta lavdëroj.
29 Turma pra, që qëndronte dhe dëgjoi zërin, thoshte se u bë bubullimë; të tjerë thoshin, se engjëll i foli atij.
30 Jisui u përgjigj e tha: Ky zë nuk u bë për mua, po për ju.
31 Tani është gjyqi i kësaj bote; tani prijësi i kësaj bote do të hidhet jashtë.
32 Edhe unë, në u ngritsha lart nga toka, do t’i tërheq të gjithë drejt vetes sime.
33 Edhe këtë e thoshte duke treguar me çfarë vdekjeje kishte për të vdekur.
34 Turma u përgjigj: Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë; edhe si thua ti se Biri i njeriut duhet të ngrihet lart? Cili është ky Biri i njeriut?
35 Jisui pra, u tha atyre: Edhe pak kohë është drita bashkë me ju. Ecni deri sa keni dritën, që të mos ju zërë errësira; sepse ai që ecën në errësirë, nuk di se ku shkon.
36 Deri sa keni dritën, t’i besoni dritës, që të bëheni bij të dritës. Këto foli Jisui, edhe iku e u fsheh prej tyre.
37 Po ndonëse bëri kaq çudira përpara tyre, nuk i besuan,
38 që të përmbushet fjala e profetit Isaia që tha: “Zot, kush i besoi fjalës sonë? edhe cilit iu zbulua krahu i Zotit?”
39 Prandaj nuk mund të besonin, sepse përsëri Isaia tha:
40 “Verboi sytë e tyre, edhe ngurtësoi zemrën e tyre, që të mos shohin me sytë, edhe të mos kuptojnë me zemrën, edhe të kthehen, e t’i shëroj ata”.
41 Këto tha Isaia, kur pa lavdinë e tij dhe foli për të.
42 Po edhe prej të parëve shumë veta i besuan, por nga frika e Farisenjve nuk rrëfenin, që të mos i nxirrnin jashtë sinagogës;
43 sepse deshën lavdinë e njerëzve më tepër se lavdinë e Perëndisë.
44 Edhe Jisui thirri e tha: Ai që më beson mua, nuk më beson mua, po atij që më dërgoi.
45 Edhe ai që më vë re mua, vë re atë që më dërgoi.
46 Unë kam ardhur dritë në botë, që të mos mbetet në errësirë kushdo që të më besojë.
47 Edhe në dëgjoftë ndonjë fjalët e mia dhe të mos besojë, unë nuk e gjykoj; sepse nuk erdha të gjykoj botën, po që të shpëtoj botën.
48 Atë që më shpërfill mua, edhe nuk pret fjalët e mia, ka se kush ta gjykojë; fjala që fola, ajo do ta gjykojë në ditën e fundit.
49 Sepse unë nuk fola nga vetja ime, por Ati që më dërgoi, ai më dha urdhër ç’të them e ç’të flas.
50 Edhe e di se urdhëri i tij është jetë e përjetshme; pra ato që flas unë, siç më ka thënë Ati, kështu flas.

-13-

1 Edhe përpara të kremtes së pashkës Jisui duke ditur se i erdhi ora që të shkojë prej kësaj bote te Ati, pasi deshi të tijtë që ishin në botë, deri në fund i deshi ata.
2 Edhe si shkoi darka, edhe djalli tashmë kishte shtënë në zemrën e Juda Iskariotit, birit të Simonit, që ta tradhtojë;
3 Jisui, duke ditur se Ati ia ka dhënë në duar të gjitha, edhe se nga Perëndia doli dhe tek Perëndia shkon,
4 ngrihet nga darka, edhe vuri mënjanë rrobat e tij, edhe mori një rizë dhe e lidhi në brez.
5 Pastaj vë ujë në legen, edhe zuri të lajë këmbët e nxënësve, edhe t’ua fshijë me rizën, të cilën e kishte lidhur në brez.
6 Vjen, pra, te Simon Pjetri; dhe ai i thotë: Zot, ti po më lan këmbët?
7 Jisui u përgjigj e i tha: Atë që po bëj unë ti nuk e di tani, por do ta dish pastaj.
8 Pjetri i thotë: Nuk do të m’i lash këmbët në jetë të jetëve. Jisui iu përgjigj: Nëse nuk të laj, nuk ke pjesë me mua.
9 Simon Pjetri i thotë: Zot, jo vetëm këmbët e mia, po edhe duart, edhe kryet.
10 Jisui i thotë: Ai që është i larë, s’ka nevojë veçse të lajë këmbët, por është i tëri i pastër; edhe ju jeni të pastër, po jo të gjithë.
11 Sepse e dinte atë që do ta tradhtonte; prandaj tha: Nuk jeni të gjithë të pastër.
12 Pasi u lau pra atyre këmbët dhe mori rrobat e tij, u ul përsëri në tryezë, e u tha atyre: E dini se ç’ju bëra juve?
13 Ju më quani: Mësuesi dhe Zoti; edhe mirë thoni, sepse jam.
14 Nëse ju lava pra juve këmbët unë Zoti dhe Mësuesi, edhe ju e keni për detyrë t’i lani këmbët njëri-tjetrit.
15 Sepse ju dhashë shembull juve, që të bëni edhe ju, siç bëra unë me ju.
16 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve se nuk ka shërbëtor më të madh se i zoti, as të dërguar më të madh se ai që e ka dërguar.
17 Nëse i dini këto, jeni të lumur, në i bëni.
18 Nuk i them këto për ju të gjithë. Unë di cilët kam zgjedhur; po që të plotësohet Shkrimi “Ai që hante bukën bashkë me mua, ngriti thembrën e tij kundër meje”.
19 Që tani po jua them juve këto, përpara se të bëhen, që të besoni kur të bëhen se unë jam.
20 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, ai që pret atë që të dërgoj unë, më ka pritur mua; edhe ai që të më presë mua, ka pritur atë që më dërgoi mua.
21 Jisui pasi tha këto, u trondit në shpirt, edhe dëshmoi e tha: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se një prej jush do të më tradhtojë.
22 Nxënësit pra shikonin njëri-tjetrin, duke u habitur për kë po fliste.
23 Edhe një nga nxënësit e tij ishte mbështetur në kraharorin e Jisuit, të cilin Jisui e donte.
24 Simon Pjetri pra i bëri me shenjë, që ta pyesë, cili është ai për të cilin po flet.
25 Edhe ai ra mbi kraharorin e Jisuit e i thotë: Zot, cili është?
26 Jisui përgjigjet: Ai të cilit do t’i jap kafshatën pasi ta kam ngjyer, ai është. Edhe si ngjeu kafshatën, ia jep Juda Iskariotit të Simonit.
27 Edhe pas kafshatës, atëherë satanai hyri tek ai. Jisui pra i thotë: Ç’ke për të bërë, bëje sa më shpejt.
28 Por këtë asnjë prej atyre që kishin ndenjur në tryezë nuk e kuptoi për çfarë ia tha atij.
29 Sepse disa pandehnin se Jisui i thotë: Bli ç’na duhet për të kremten, ose t’u japë diçka të varfërve; sepse Juda kishte kuletën e parave.
30 Ai pra, si mori kafshatën, doli jashtë menjëherë; dhe ishte natë.
31 Si doli pra Juda, Jisui thotë: Tani u lavdërua i Biri i njeriut, edhe Perëndia u lavdërua në të.
32 Nëse u lavdërua Perëndia në të, edhe Perëndia do ta lavdërojë atë në vetvete, dhe menjëherë do ta lavdërojë.
33 Djema, edhe pak jam bashkë me ju. Do të më kërkoni; edhe siç u thashë Judenjve, se ku shkoj unë ju s’mund të vini, po edhe juve jua them tani.
34 Një urdhërim të ri ju lë juve: Të doni njëri-tjetrin, siç ju desha unë, që edhe ju të doni njëri-tjetrin.
35 Prej kësaj do t’ju njohin ju të gjithë se jeni nxënësit e mi, në qoftë se keni dashuri për njëri-tjetrin.
36 Simon Pjetri i thotë: Zot, ku shkon? Jisui iu përgjigj: Atje ku shkoj unë, ti s’mundesh tani të më vish pas; po pastaj do të më vish pas.
37 Pjetri i thotë: Zot, pse nuk mund të të vij pas tani? Jetën time do ta vë për ty.
38 Jisui iu përgjigj: Jetën tënde do ta vësh për mua! Me të vërtetë, me të vërtetë po të them ty, nuk do të këndojë gjeli, deri sa të më mohosh tri herë.

-14-

1 Le të mos trazohet zemra juaj; besoni Perëndinë, më besoni edhe mua.
2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe, do t’ju thosha juve: Shkoj t’ju bëj juve gati vend.
3 Edhe si të shkoj e t’ju bëj juve gati vend, vij përsëri, edhe do t’ju marr pranë vetes sime, që të jeni edhe ju atje ku jam unë.
4 Edhe ku shkoj unë e dini, edhe udhën e dini.
5 Thomai i thotë: Zot, nuk e dimë se ku shkon; edhe si mund ta dimë udhën?
6 Jisui i thotë: Unë jam udha edhe e vërteta edhe jeta. Asnjë s’vjen tek Ati, veçse me anën time.
7 Në qoftë se do të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim; edhe që tani e njihni dhe e keni parë.
8 Filipi i thotë: Zot, tregona Atin, edhe na mjafton.
9 Jisui i thotë: Kaq kohë jam bashkë me ju dhe s’më ke njohur, Filip? Ai që më ka parë mua, ka parë Atin; edhe si thua ti: Tregona Atin?
10 Nuk beson se unë jam tek Ati dhe Ati është tek unë? Fjalët që ju flas unë, nuk i flas nga vetja; po Ati që rri në mua, ai i bën punët.
11 Besomëni se unë jam tek Ati, edhe Ati tek unë; në mos, besomëni për këto punë.
12 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve: Ai që më beson mua, do të bëjë edhe ai punët që bëj unë, edhe do të bëjë edhe më të mëdha se këto; sepse unë shkoj tek Ati im.
13 Edhe ç’të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që të lavdërohet Ati në Birin.
14 Nëse kërkoni gjë në emrin tim, unë do ta bëj.
15 Në më doni, ruani urdhërimet e mia.
16 Edhe unë do t’i lutem Atit, dhe do t’ju japë juve një tjetër Ngushëllimtar, që të mbetet bashkë me ju për jetë,
17 Frymën e së vërtetës, të cilin bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh, as nuk e njeh; ndërsa ju e njihni, sepse mbetet pranë jush, edhe do të jetë ndër ju.
18 Nuk do t’ju lë jetimë; do të vij tek ju.
19 Edhe pak, dhe bota nuk më sheh më; po ju më shihni; sepse unë rroj, edhe ju do të rroni.
20 Në atë ditë ju do ta njihni, se unë jam në Atin tim, edhe ju në mua, dhe unë në ju.
21 Ai që ka urdhërimet e mia dhe i ruan, ky është ai që më do; edhe ai që më do, do të duhet prej Atit tim; edhe unë, do ta dua, edhe do të tregoj veten time tek ai.
22 I thotë Juda, jo Iskarioti: Zot, ç’ndodhi, që do të tregosh veten tënde te ne, e jo tek bota?
23 Jisui u përgjigj e i tha: Në më do ndonjë, fjalën time do ta ruajë, dhe Ati im do ta dojë, dhe do të vijmë tek ai, dhe do të bëjmë banesë tek ai.
24 Ai që s’më do, fjalët e mia nuk i ruan, dhe fjala që dëgjoni, nuk është imja, por e Atit që më dërgoi.
25 Këto jua fola juve, deri sa gjendem bashkë me ju.
26 Po Ngushëllimtari, Fryma e Shenjtë, të cilin Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t’jua mësojë juve të gjitha dhe do t’ju bjerë juve ndër mend gjithë sa ju kam thënë.
27 Paqe po ju lë, paqen time po ju jap juve; jo siç e jep bota jua jap juve. Le të mos trazohet zemra juaj, as të mos frikësohet.
28 Dëgjuat se unë ju thashë: Po shkoj dhe vij prapë te ju. Po të më donit, do të gëzoheshit se thashë: Po shkoj tek Ati; sepse Ati im është më i madh se unë.
29 Edhe tani jua thashë juve përpara se të bëhet, që të besoni kur të bëhet.
30 Më nuk do të flas shumë bashkë me ju; sepse po vjen prijësi i kësaj bote, edhe nuk ka të bëjë asgjë me mua;
31 por që të njohë bota se dua Atin, dhe siç më urdhëroi Ati, kështu bëj. Ngrihuni, le të shkojmë së këtejmi.

-15-

1 Unë jam vreshti i vërtetë, dhe Ati im është bujku.
2 Çdo hardhi në mua që nuk sjell fryt, e këput; edhe çdo hardhi që sjell fryt, e pastron, që të sjellë më tepër fryt.
3 Tanimë ju jeni të pastër prej fjalës që ju kam folur juve.
4 Qëndroni tek unë, edhe unë tek ju. Sikurse hardhia s’mund të bëjë fryt prej vetes, nëse nuk mbetet në vresht, kështu as ju, në mos mbetshi tek unë.
5 Unë jam vreshti, ju hardhitë; ai që mbetet tek unë, edhe unë tek ai, ky bën fryt shumë; sepse pa mua s’mund të bëni asgjë.
6 Nëse nuk mbetet ndonjë tek unë, hidhet jashtë si hardhia dhe thahet; pastaj i mbledhin e i hedhin në zjarr, edhe digjen.
7 Në mbetshi tek unë, edhe fjalët e mia në mbetshin ndër ju, ç’të doni kërkoni, edhe do t’ju bëhet juve.
8 Im Atë në këtë është lavdëruar, të sillni shumë fryt; edhe kështu do të bëheni nxënës të mi.
9 Siç më deshi Ati, edhe unë ju desha ju; qëndroni në dashurinë time.
10 Në ruajtshi urdhërimet e mia, do të mbeteni në dashurinë time; siç ruajta unë urdhërimet e Atit tim, dhe mbetem në dashurinë e tij.
11 Jua fola juve këto, që të mbetet gëzimi im tek ju, edhe gëzimi juaj të jetë i plotë.
12 Ky është urdhërimi im, të doni njëri-tjetrin, sikundër ju desha unë ju.
13 Askush s’ka dashuri më të madhe se kjo, të vërë ndonjë jetën e tij për miqtë e tij.
14 Ju jeni miqtë e mi, në qoftë se bëni sa ju urdhëroj.
15 Nuk ju them juve më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk di se ç’bën i zoti; po ju thashë juve miq, sepse ju tregova gjithë sa dëgjova prej Atit tim.
16 Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju dhe ju caktova të shkoni e të sillni fryt, edhe fryti juaj të mbesë; që çfarëdo që t’i kërkoni Atit në emrin tim t’jua japë juve.
17 Këto ju urdhëroj që të doni njëri-tjetrin.
18 Nëse ju urren bota, dijeni se mua më ka urryer më parë se ju.
19 Të ishit prej botës, bota do të donte të sajën; po meqenëse nuk jeni nga bota, por unë ju zgjodha ju nga bota, prandaj ju urren bota.
20 Mbani mend fjalën që ju thashë unë juve, nuk ka shërbëtor më të madh se i zoti. Nëse më përndoqën mua, do t’ju përndjekin edhe ju; nëse ruajtën fjalën time, do të ruajnë edhe tuajën.
21 Po të gjitha këto do t’jua bëjnë juve për emrin tim, sepse nuk e njohin atë që më dërgoi.
22 Të mos kisha ardhur e të mos ju kisha folur atyre, nuk do të kishin mëkat; por tani nuk kanë ç’të thonë për mëkatin e tyre.
23 Ai që më urren mua, urren edhe Atin tim.
24 Të mos kisha bërë ndër ata punët që s’i ka bërë asnjë tjetër, nuk do të kishin mëkat; po tani edhe panë, edhe na urryen edhe mua edhe Atin tim.
25 Po kjo u bë që të përmbushet fjala që është shkruar në ligjin e tyre: “Më urryen pa ndonjë shkak”.
26 Po kur të vijë Ngushëllimtari, të cilin do t’jua dërgoj unë juve prej Atit, Fryma e së vërtetës, që buron prej Atit, ai do të dëshmojë për mua.
27 Po edhe ju dëshmoni, sepse që në fillim jeni bashkë me mua.

-16-

1 Jua thashë juve këto, që të mos skandalizoheni.
2 Do t’ju nxjerrin nga sinagogat; por vjen një orë, në të cilën kushdo që t’ju vrasë do të pandehë se i bën shërbim Perëndisë.
3 Edhe këto do t’i bëjnë, sepse nuk e njohën Atin, as mua.
4 Por jua thashë juve këto, që t’i sillni ndër mend, kur të vijë ora, se unë jua thashë juve. Edhe nuk jua thashë juve këto që në fillim, sepse isha bashkë me ju.
5 Por tani po shkoj tek ai që më dërgoi, dhe asnjë prej jush s’më pyet: Ku shkon?
6 Po sepse jua thashë juve këto, hidhërimi mbushi zemrën tuaj.
7 Por unë po ju them juve të vërtetën: është mirë për ju të shkoj unë; sepse në mos shkofsha, Ngushëllimtari nuk do të vijë tek ju; por në shkofsha, do ta dërgoj atë tek ju.
8 Edhe ai, kur të vijë, do të qortojë botën për mëkat, edhe për drejtësi, edhe për gjyq;
9 Për mëkat, sepse nuk më besojnë;
10 edhe për drejtësi, sepse shkoj tek im Atë, edhe më nuk më shihni;
11 edhe për gjyq, sepse prijësi i kësaj bote është gjykuar.
12 Kam ende shumë për t’ju thënë juve, po tani nuk mund t’i mbani.
13 Po kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, do t’ju udhëheqë në gjithë të vërtetën; sepse nuk do të flasë prej vetes, por do të flasë sa të dëgjojë, edhe do t’ju tregojë juve ato ngjarje që do të vijnë.
14 Ai do të më lavdërojë, sepse prej simes do të marrë, edhe do t’ju tregojë juve.
15 Gjithë sa ka Ati, janë të miat; prandaj thashë, se do të marrë prej simes, edhe do t’jua tregojë juve.
16 Edhe pak, dhe nuk do të më shihni; edhe përsëri edhe pak, e do të më shihni; sepse unë po shkoj tek Ati.
17 Atëherë disa nga nxënësit e tij i thanë njëri-tjetrit: Ç’është kjo që na thotë: Edhe pak, edhe nuk do të më shihni; edhe përsëri edhe pak, e do të më shihni? Dhe se unë shkoj tek Ati?
18 Thoshin pra: Ç’është kjo që thotë: Edhe pak? Nuk dimë se çfarë flet.
19 Jisui pra kuptoi se donin ta pyesin, dhe u tha atyre: Për këtë diskutoni njëri me tjetrin, se thashë: Edhe pak, edhe nuk do të më shihni, edhe përsëri, edhe pak, e do të më shihni?
20 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se ju do të qani e do të vajtoni, por bota do të gëzohet dhe ju do të hidhëroheni, po hidhërimi juaj do të kthehet në gëzim.
21 Gruaja, kur lind, ka hidhërim, se i erdhi ora; por si të lindë foshnjen, s’kujton më shtrëngimin, nga gëzimi se lindi një njeri në botë.
22 Edhe ju pra tani keni hidhërim; po përsëri do t’ju shoh, edhe zemra juaj do të gëzohet, edhe asnjë nuk e ngre gëzimin tuaj prej jush.
23 Edhe në atë ditë nuk do të më pyetni për asgjë. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se sa t’i kërkoni Atit në emrin tim, do t’jua japë juve.
24 Deri tani nuk kërkuat asgjë në emrin tim; kërkoni, edhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.
25 Jua thashë juve këto me përngjasime; por vjen një orë, kur nuk do t’ju flas më juve me përngjasime, po hapur do t’ju tregoj juve për Atin.
26 Në atë ditë do të kërkoni në emrin tim; edhe nuk ju them juve se do t’i lutem Atit për ju.
27 Se vetë Ati ju do, sepse ju më keni dashur, edhe keni besuar se unë dola prej Perëndisë.
28 Dola prej Atit dhe erdha në botë; përsëri lë botën dhe shkoj tek Ati.
29 Nxënësit e tij i thonë: Ja tani tek flet hapur dhe nuk thua asnjë përngjasim.
30 Tani e morëm vesh se i di të gjitha, edhe s’ke nevojë të të pyesë ndonjë. Prandaj besojmë se dole nga Perëndia.
31 Jisui iu përgjigj atyre: Tani besoni?
32 Ja tek vjen një orë, edhe tani erdhi, që të shpërndaheni gjithësecili në të tijat dhe të më lini vetëm; po s’jam vetëm, sepse Ati është bashkë me mua.
33 Jua thashë juve këto, që të keni paqe në mua. Në botë do të keni shtrëngim; po kini guxim, unë e kam mundur botën.

-17-

1 Këto foli Jisui; pastaj ngriti sytë e tij në qiell e tha: Atë, erdhi ora, lavdëro Birin tënd, që të të lavdërojë edhe yt Bir,
2 siç i dhe pushtet mbi çdo mish, që t’u japë jetë të përjetshme gjithë atyre që ia ke dhënë.
3 Dhe kjo është jeta e përjetshme, që të të njohin ty të vetmin Perëndi të vërtetë; edhe Jisu Krishtin që dërgove.
4 Unë të lavdërova mbi dhe, punën që më dhe të bëj e mbarova.
5 Edhe tani lavdëromë ti, o Atë, pranë teje, me lavdinë që pata pranë teje para se të ishte bota.
6 Emrin tënd ua zbulova njerëzve që më dhe prej botës. Të tutë ishin e m’i dhe, dhe fjalën tënde e ruajtën.
7 Tani e njohën se gjithë sa më ke dhënë janë prej teje.
8 Sepse fjalët që më dhe, ua dhashë atyre; edhe ata i morën dhe e njohën me të vërtetë se prej teje dola; edhe besuan se ti më dërgove.
9 Unë lutem për ata; nuk lutem për botën, po për ata që më dhe, sepse janë të tutë.
10 Edhe gjithë të miat janë të tuat, edhe të tuat janë të miat; edhe u lavdërova në to.
11 Edhe nuk jam më në botë, po këta janë në botë, edhe unë po vij tek ti. Atë i shenjtë, ruaji në emrin tënd ata që më dhe, që të jenë një si ne.
12 Kur isha bashkë me ata në botë, unë i ruaja në emrin tënd; ata që më dhe i ruajta, edhe asnjë nga ata s’humbi, veç i biri i humbjes, që të përmbushet Shkrimi.
13 Edhe tani po vij tek ti, edhe i flas këto në botë, që ta kenë gëzimin tim të plotë në veten e tyre.
14 Unë u dhashë atyre fjalën tënde; edhe bota i urreu, sepse nuk janë nga bota, siç nuk jam unë nga bota.
15 Nuk të lutem t’i ngresh ata nga bota, po t’i ruash nga i ligu.
16 Nuk janë nga bota, siç nuk jam unë nga bota.
17 Shenjtëroi ata me të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta.
18 Siç më dërgove mua në botë, dhe unë i dërgova ata në botë.
19 Edhe unë për ata shenjtëroj veten time, që të jenë edhe ata të shenjtëruar në të vërtetën.
20 Dhe nuk të lutem vetëm për këta, por edhe për ata që do të më besojnë mua me anë të fjalës së tyre.
21 Që të gjithë të jenë një, sikurse ti, o Atë, je në mua, edhe unë në ty, edhe ata të jenë një në ne; që të besojë bota se ti më dërgove.
22 Edhe unë u dhashë atyre lavdinë që më dhe, që të jenë një, sikurse edhe ne jemi një.
23 Unë në ata, edhe ti në mua, që të jenë të përsosur në një, edhe që bota të njohë se ti më dërgove, edhe se i deshe ata siç më deshe mua.
24 O Atë, dua të jenë bashkë me mua atje ku jam unë edhe ata që më dhe; që të vështrojnë lavdinë time, që më ke dhënë, sepse më deshe para se të themelohet bota.
25 O Atë i drejtë, bota nuk të njohu, po unë të njoha, edhe këta e njohën se ti më dërgove.
26 Edhe u tregova atyre emrin tënd, edhe do ta tregoj, që dashuria, me të cilën më deshe, të jetë në ta, edhe unë në ta.

-18-

1 Jisui pasi tha këto, doli bashkë me nxënësit e tij përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopësht, në të cilin hyri ai dhe nxënësit e tij.
2 Edhe e dinte vendin edhe Juda, ai që e tradhtoi; sepse Jisui shumë herë u mblodh atje me nxënësit e tij.
3 Juda pra, pasi mori togën e ushtarëve, edhe shërbëtorë nga kryepriftërinjtë e nga Farisenjtë, vjen atje me fenerë e me llamba e me armë.
4 Jisui pra duke ditur gjithë ç’do të vinin mbi të, doli e u tha atyre: Cilin kërkoni?
5 Iu përgjigjën: Jisu Nazaretasin. Jisui u thotë atyre: Unë jam. Edhe bashkë me ta rrinte edhe Juda, ai që e tradhtoi.
6 Me t’u thënë atyre se unë jam, u hoqën pas, edhe ranë përdhe.
7 Përsëri pra i pyeti: Cilin kërkoni? Edhe ata thanë: Jisu Nazaretasin.
8 Jisui u përgjigj: Ju thashë juve se unë jam. Në më kërkoni mua pra, lërini këta të shkojnë.
9 Që të përmbushet fjala që tha, se prej atyre që më dhe nuk humba asnjë.
10 Atëherë Simon Pjetri, i cili kishte një thikë, e hoqi, e i ra shërbëtorit të kryepriftit, edhe i preu atij veshin e djathtë; edhe emri i shërbëtorit ishte Malko.
11 Jisui pra i tha Pjetrit: Vëre thikën tënde në mill. Potirin që më dha Ati të mos e pi?
12 Toga e ushtarëve pra dhe kryemijësi dhe shërbëtorët e judenjve kapën Jisuin, edhe e lidhën, edhe e çuan atë më përpara te Ana,
13 sepse ishte i vjehrri i Kaiafës, i cili ishte kryeprift i atij viti.
14 Edhe Kaiafa ishte ai që këshilloi judenjtë se është mirë të humbasë një njeri për popullin.
15 Edhe i vinte prapa Jisuit Simon Pjetri dhe nxënësi tjetër; edhe ai nxënësi ishte i njohur te kryeprifti dhe hyri bashkë me Jisuin në oborrin e kryepriftit.
16 Po Pjetri rrinte jashtë pranë derës. Doli pra nxënësi tjetër që ishte i njohur te kryeprifti, edhe i tha portares, edhe e futi brenda Pjetrin.
17 Atëherë shërbëtorja portare i thotë Pjetrit: Mos je edhe ti nga nxënësit e këtij njeriu? Ai i thotë: Nuk jam.
18 Edhe shërbëtorët e punonjësit po qëndronin duke bërë zjarr, sepse ishte ftohtë, edhe po ngroheshin; edhe Pjetri ishte bashkë me ata duke ndenjur e duke u ngrohur.
19 Kryeprifti pra, pyeti Jisuin për nxënësit e tij dhe për mësimin e tij.
20 Jisui iu përgjigj: Unë i fola hapur botës. Unë përherë mësova në sinagogë dhe në tempull, ku nga të gjitha anët mblidhen judenjtë, edhe në fshehtësi nuk fola asgjë.
21 Pse më pyet? Pyet ata që kanë dëgjuar çfarë u fola atyre. Ja këta e dinë sa thashë unë.
22 Edhe kur tha ai këto, një nga shërbëtorët që rrinte pranë i ra një shuplakë Jisuit, duke thënë: Kështu i përgjigjesh kryepriftit?
23 Jisui iu përgjigj: Në fola keq, dëshmo për të keqen; po në fola mirë, pse më rreh?
24 Ana e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kaiafa.
25 Edhe Simon Pjetri ishte duke ndenjur e duke u ngrohur. I thanë pra: Mos je edhe ti nga nxënësit e atij? Ai e mohoi, e tha: Nuk jam.
26 Një nga shërbëtorët e kryepriftit, që ishte farefis i atij, të cilit Pjetri i preu veshin, thotë: Nuk të pashë unë në kopësht bashkë me atë?
27 Pjetri pra e mohoi përsëri, dhe menjëherë gjeli këndoi.
28 Sjellin pra Jisuin prej Kaiafës në pretore; edhe ishte mëngjes, edhe ata nuk hynë në pretore, që të mos ndyhen, po të hanë pashkën.
29 Pilati pra doli para tyre, edhe tha: Çfarë akuze sillni kundër këtij njeriu?
30 U përgjigjën e i thanë: Ky po të mos ishte keqbërës, nuk do të ta dorëzonim ty.
31 Pilati pra u tha atyre: Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj. Judenjtë pra, i thanë: Neve nuk na lejohet të vrasim asnjeri.
32 Që të përmbushet fjala e Jisuit që tha duke treguar me çfarë vdekjeje kishte për të vdekur.
33 Pilati, pra, hyri përsëri në pretore, edhe thirri Jisuin, e i tha: Ti je mbreti i Judenjve?
34 Jisui u përgjigj: Nga vetja e thua ti këtë, apo të tjerë të thanë për mua?
35 Pilati u përgjigj: Mos jam unë jude? Kombi yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan tek unë; çfarë ke bërë?
36 Jisui u përgjigj: Mbretëria ime nuk është prej kësaj bote; po të ishte prej kësaj bote mbretëria ime, shërbëtorët e mi do të përpiqeshin, që të mos jepem në duart e judenjve. Po tani mbretëria ime nuk është së këtejmi.
37 Pilati pra i tha: Mbret je ti, pra? Jisui u përgjigj: Ti po thua se unë jam mbret. Unë prandaj linda dhe prandaj erdha në botë, që të dëshmoj për të vërtetën. Kushdo që është prej së vërtetës, dëgjon zërin tim.
38 Pilati i thotë: Ç’është e vërteta? Edhe si tha këtë, doli përsëri te judenjtë e u thotë atyre: Unë nuk gjej asnjë faj tek ai.
39 Po është zakon ndër ju, t’ju liroj juve një për pashkë. Doni pra t’ju liroj mbretin e Judenjve?
40 Atëherë të gjithë bërtitën përsëri, duke thënë: Jo këtë, po Barabën. Edhe Baraba ishte kusar.

-19-

1 Atëherë pra Pilati mori Jisuin dhe e fshikulloi.
2 Edhe ushtarët thurën një kurorë prej gjembash e ia vunë mbi krye, edhe e mbështollën me një rrobë të purpurt.
3 Edhe thoshin: Gëzohu, o mbret i Judenjve! Edhe i binin me shuplaka.
4 Pilati pra doli përsëri jashtë dhe u thotë atyre: Ja tek po jua sjell jashtë, që ta dini se asnjë faj nuk gjej tek ai.
5 Jisui pra doli jashtë veshur rrobën e purpurt dhe me kurorën prej gjembash. Edhe Pilati u thotë atyre: Ja njeriu!
6 Kur e panë atë kryepriftërinjtë dhe shërbëtorët, bërtitën duke thënë: Kryqëzoje, kryqëzoje. Pilati u thotë atyre: Merreni ju atë, edhe kryqëzojeni; sepse unë nuk gjej faj tek ai.
7 Judenjtë iu përgjigjën: Ne kemi ligj, edhe sipas ligjit tonë duhet të vdesë, sepse e bëri veten e tij Bir të Perëndisë.
8 Pilati, pra, kur dëgjoi këtë fjalë, u frikësua më tepër.
9 Edhe përsëri hyri në pretore, edhe i thotë Jisuit: Nga je ti? Po Jisui nuk i dha përgjigje.
10 Pilati pra i thotë: Mua nuk më flet? Nuk e di ti se kam pushtet të të kryqëzoj, edhe kam pushtet të të liroj?
11 Jisui u përgjigj, Nuk do të kishe asnjë pushtet kundër meje, po të të mos ishte dhënë prej së larti; prandaj ai që më jep në duart e tua ka mëkat më të madh.
12 Që atëherë Pilati kërkonte ta lironte, po Judenjtë thërrisnin duke thënë: Në lirofsh këtë, nuk je mik i Cezarit; gjithkush që bën veten e tij mbret, flet kundër Cezarit.
13 Pilati pra kur dëgjoi këtë fjalë, solli jashtë Jisuin, edhe u ul mbi fronin e gjykimit, në një vend të quajtur Gurshtruar, edhe hebraisht Gabbathà.
14 Edhe ishte dita e përgatitjes së pashkës, edhe rreth orës së gjashtë; edhe u thotë judenjve: Ja mbreti juaj.
15 Por ata bërtitën: Ngrije, ngrije, kryqëzoje. Pilati u thotë atyre: Mbretin tuaj të kryqëzoj? Kryepriftërinjtë u përgjigjën: S’kemi tjetër mbret veç Cezarit.
16 Atëherë pra ua dorëzoi atyre, që të kryqëzohet. Edhe ata morën Jisuin, edhe u nisën.
17 Edhe Jisui duke mbajtur kryqin e tij doli në vendin që quhet vendi i Kafkës, që hebraisht quhet Golgotha,
18 ku e kryqëzuan atë dhe dy të tjerë bashkë me të, andej e këtej, edhe Jisuin në mes.
19 Pilati shkroi edhe një titull, dhe e vuri mbi kryq; dhe ishte shkruar: Jisu Nazaretasi mbreti i Judenjve.
20 Edhe këtë titull e lexuan shumë prej Judenjve, sepse vendi ku u kryqëzua Jisui ishte afër qytetit; edhe ishte shkruar hebraisht, greqisht dhe latinisht.
21 Edhe kryepriftërinjtë e Judenjve pra i thoshin Pilatit: Mos shkruaj: Mbreti i Judenjve, por se ai tha, Jam mbreti i Judenjve.
22 Pilati u përgjigj: Atë që e shkrova e shkrova.
23 Ushtarët pra, pasi e kryqëzuan Jisuin, morën rrobat e tij, edhe i bënë katër pjesë, për secilin ushtar një pjesë, edhe këmishën; edhe këmisha ishte e paqepur, endur e tëra që së sipërmi.
24 Thanë pra në mes tyre: Le të mos e grisim atë, po le të hedhim short për të, kujt t’i bjerë; – që të përmbushet shkrimi që thotë: “Ndanë rrobat e mia në mes tyre, edhe shtinë short mbi veshjen time”. Ushtarët pra këto bënë.
25 Edhe pranë kryqit të Jisuit ishin duke ndenjur e ëma dhe e motra e së ëmës së tij, Maria e Klopait, edhe Maria Magdalena.
26 Jisui pra kur pa të ëmën dhe nxënësin që donte duke ndenjur pranë, i thotë së ëmës: Grua, ja yt bir.
27 Pastaj i thotë nxënësit: Ja jot ëmë. Edhe nxënësi që atëherë e mori në shtëpinë e tij.
28 Pas kësaj Jisui, duke ditur se tani mbaruan të gjitha, që të përmbushet Shkrimi, thotë: Kam etje.
29 Edhe ishte atje një enë plot me uthull; edhe ata mbushën një sfungjer me uthull, edhe e vunë mbi një hisop, e ia prunë në gojë.
30 Jisui pra kur mori uthullën, tha: Mbaroi, edhe uli kryet e dha shpirtin.
31 Judenjtë pra, për të mos mbetur trupat mbi kryq të shtunën, sepse ishte e premte, sepse ajo ditë e shtunë ishte e madhe, iu lutën Pilatit t’u thyhen kërcinjtë e këmbëve, edhe të ngrihen andej.
32 Erdhën pra ushtarët dhe thyen kërcinjtë e të parit, edhe të tjetrit që u kryqëzua bashkë me të.
33 Po kur erdhën tek Jisui dhe e panë se tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë.
34 Por një nga ushtarët i shpoi brinjën me shtizë, edhe menjëherë doli gjak dhe ujë.
35 Edhe ai që pa dëshmoi, edhe dëshmia e tij është e vërtetë, edhe ai e di se thotë të vërtetën, që të besoni edhe ju.
36 Sepse këto u bënë që të përmbushet Shkrimi: “Eshtër nuk do t’i thyhet”.
37 Edhe përsëri një tjetër shkrim thotë: “Do të vështrojnë në atë që shpuan”.
38 Edhe pas këtyre Josifi që ishte nga Arimatea, i cili ishte nxënës i Jisuit, po i fshehtë nga frika e Judenjve, iu lut Pilatit që të marrë trupin e Jisuit; edhe Pilati i dha lejë. Erdhi pra dhe mori trupin e Jisuit.
39 Erdhi edhe Nikodhimi, ai që pati ardhur te Jisui herën e parë natën, edhe pruri një përzierje mirre dhe aloe, rreth njëqind libra.
40 Morën pra trupin e Jisuit, dhe e mbështollën me pëlhura bashkë me aromat, siç e kanë zakon judenjtë të varrosin.
41 Edhe në vendin që u kryqëzua ishte një kopsht, edhe në kopsht një varr i ri, në të cilin ende s’ishte vënë askush.
42 Atje pra vunë Jisuin, ngaqë ishte dita e Përgatitjes për pashkën e judenjve, se varri ishte afër.

-20-

1 Edhe ditën e parë të javës vjen Maria Magdalena te varri në mëngjes, duke qenë ende errët, edhe sheh gurin ngritur nga varri.
2 Vrapon, pra, edhe vjen te Simon Pjetri,.e dhe tek nxënësi tjetër që donte Jisui, edhe u thotë atyre: E ngritën Zotin nga varri dhe nuk dimë se ku e kanë vënë.
3 Doli pra Pjetri edhe nxënësi tjetër, edhe vinin në varr.
4 Edhe vraponin të dy bashkë; edhe nxënësi tjetër vrapoi përpara më shpejt se Pjetri dhe erdhi i pari në varr.
5 Edhe si u përkul, sheh pëlhurat përdhe, po nuk hyri.
6 Vjen pra Simon Pjetri duke ndjekur atë, edhe hyri në varr, edhe shikon pëlhurat përdhe.
7 Edhe shamia që ishte mbi kokën e tij nuk u gjet bashkë me pëlhurat, po ishte mbështjellë veçmas në një vend.
8 Atëherë pra hyri edhe nxënësi tjetër që erdhi i pari në varr, edhe pa, edhe besoi.
9 Sepse ende nuk e kishin kuptuar Shkrimin, se ai duhet të ngjallet prej së vdekurish.
10 Nxënësit pra shkuan përsëri nëpër shtëpitë e tyre.
11 Edhe Maria rrinte pranë varrit duke qarë përjashta. Dhe tek po qante, u përkul në varr.
12 Edhe vë re dy engjëj me të bardha duke ndenjur njëri nga kreu e tjetri nga këmbët, atje ku dergjej më parë trupi i Jisuit.
13 Edhe ata i thonë asaj: Grua, pse qan? U thotë atyre: Sepse ngritën tim Zot, edhe nuk di ku e kanë vënë.
14 Edhe si tha këto, u kthye prapa, edhe vë re Jisuin duke qëndruar, edhe nuk e dinte se është Jisui.
15 Jisui i tha asaj: Grua, pse qan? Cilin kërkon? Ajo duke pandehur se është kopshtari, i thotë: Zot, në e ngrite ti, thuajmë ku e ke vënë, edhe unë do ta marr atë.
16 Jisui i thotë asaj: Maria! Ajo si u kthye, i thotë: Rabuni! që do me thënë Mësues.
17 Jisui i thotë asaj: Mos më prek; se ende s’jam ngjitur tek Ati im; po shko tek vëllezërit e mi, dhe u thuaj atyre: Po ngjitem tek Ati im edhe tek Ati juaj, edhe tek Perëndia im dhe tek Perëndia juaj.
18 Vjen Maria Magdalena dhe lajmëron nxënësit se pa Zotin, edhe se i tha asaj këto fjalë.
19 Në atë ditë pra, të parën e javës, si u ngrys, edhe dyert ishin mbyllur atje ku ishin mbledhur nxënësit nga frika e Judenjve, erdhi Jisui dhe ndenji në mes, edhe u thotë atyre: Paqe mbi ju.
20 Edhe si tha këtë, u tregoi atyre duart dhe brinjën e tij. U gëzuan pra nxënësit kur panë Zotin.
21 Edhe Jisui pra u tha atyre përsëri: Paqe mbi ju. Siç më dërgoi Ati, edhe unë ju dërgoj ju.
22 Edhe si tha këtë, fryu dhe u thotë atyre: Merrni Frymë të Shenjtë.
23 Kujtdo që t’u falni mëkatet, u janë falur atyre; kujtdo që t’ua mbani, u janë mbajtur.
24 Po Thomai, një nga të dymbëdhjetët, që quhet Binjak, nuk ishte bashkë me ata, kur erdhi Jisui.
25 Nxënësit e tjerë i thoshin pra: Pamë Zotin. Po ai u tha atyre: Në mos pafsha në duart e tij shenjën e gozhdëve, edhe të vë gishtin tim në shenjën e gozhdëve, edhe të vë gishtin në brinjën e tij, s’kam për të besuar.
26 Edhe pas tetë ditësh përsëri ishin brenda nxënësit e tij, edhe Thomai me ata. Vjen Jisui, ndonëse dyert ishin mbyllur, dhe ndenji në mes e tha: Paqe mbi ju.
27 Pastaj i thotë Thomait: Sill gishtin tënd këtu, edhe shih duart e mia; edhe sill dorën tënde e vëre në brinjën time, edhe mos u bëj i pabesë, po besëtar.
28 Edhe Thomai u përgjigj, e i tha: Zoti im dhe Perëndia im.
29 Jisui i thotë: Sepse më pe, besove. Lum ata që nuk panë dhe besuan.
30 Edhe shumë çudira të tjera bëri Jisui përpara nxënësve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër.
31 Po këto u shkruan që të besoni se Jisui është Krishti, i Biri i Perëndisë, edhe duke besuar të keni jetë në emrin e tij.

-21-

1 Pastaj Jisui ua shfaqi veten e tij përsëri nxënësve në detin e Tiberiadës; edhe kështu e shfaqi:
2 Ishin bashkë Simon Pjetri dhe Thomai që quhet Binjak, edhe Nathanaili nga Kana e Galilesë, edhe të bijtë e Zevedheut, edhe dy të tjerë nga nxënësit e atij.
3 Simon Pjetri u thotë atyre: Po shkoj të peshkoj. I thonë: Po vijmë edhe ne bashkë me ty. Dolën e hipën në lundër menjëherë, edhe atë natë nuk zunë asgjë.
4 Por tani, si u bë mëngjes, Jisui ndenji në breg, po nxënësit nuk e njohën se është Jisui.
5 Jisui pra u thotë atyre. Djema, mos keni ndonjë gjë për të ngrënë?
6 Iu përgjigjën: Jo. Edhe ai u tha atyre: Hidhni rrjetën në anën e djathtë të lundrës dhe do të gjeni. E hodhën pra dhe s’mundën më ta tërhiqnin nga moria e peshqve.
7 Ai nxënësi pra, që donte Jisui, i thotë Pjetrit: Është Zoti. Edhe Simon Pjetri, kur dëgjoi se është Zoti, u mbështoll me petkun, sepse ishte lakuriq, edhe u hodh në det.
8 Edhe nxënësit e tjerë erdhën me lundrën, sepse nuk ishin larg tokës, po rreth dyqind kut, duke tërhequr rrjetën e peshqve.
9 Edhe si zbritën pra në tokë, shohin një prush, edhe një peshk vënë mbi të, edhe bukë.
10 Jisui u thotë atyre: Sillni nga peshqit që zutë tani.
11 Simon Pjetri hipi dhe tërhoqi rrjetën mbi tokë plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre. Dhe ndonëse ishin kaq shumë, rrjeta nuk u ça.
12 Jisui u thotë atyre: Ejani e hani. Po asnjë nga nxënësit nuk guxonte ta pyesë: Cili je ti? Sepse e dinin se është Zoti.
13 Vjen pra Jisui dhe merr bukën e ua jep, edhe peshkun gjithashtu.
14 Tashmë kjo është e treta herë që iu tregua Jisui nxënësve të tij, pasi u ngjall prej së vdekurish.
15 Pasi hëngrën pra, Jisui i thotë Simon Pjetrit: Simon, bir i Jonait, a më do më tepër se këta? I thotë: Po, Zot, ti e di se të dua. I thotë atij: Kullot shqerrat e mia.
16 I thotë prapë për së dyti: Simon, bir i Jonait, a më do? I thotë: Po, Zot, ti e di se të dua. I thotë: Ruaj dhentë e mia.
17 I thotë për së treti: Simon, bir i Jonait, a më do? Pjetrit i erdhi keq që i tha për së treti: A më do. Dhe i tha: Zot, ti i di të gjitha. Ti e di se të dua. Jisui i thotë: Kullot dhentë e mia.
18 Me të vërtetë, me të vërtetë po të them: Kur ishe më i ri, ngjishje veten tënde, edhe ecje ku të doje; po kur të plakesh, do të shtrish duart e tua, edhe dikush tjetër do të të ngjeshë ty, edhe do të të shpjerë aty ku të mos duash.
19 Edhe tha këtë, duke treguar me çfarë vdekjeje kishte për të lavdëruar Perëndinë.
20 Edhe si tha këtë, i thotë: Eja pas meje. Edhe Pjetri u kthye, edhe sheh nxënësin që donte Jisui duke ardhur prapa, i cili në darkë i pati rënë mbi kraharor, e i tha: Zot, cili është ai që të tradhton?
21 Pjetri pra kur pa këtë, i thotë Jisuit: Zot, po ky çfarë do të bëhet?
22 Jisui i thotë: Nëse dua të mbesë ai deri sa të vij unë, ti çfarë ke? Ti eja pas meje.
23 Doli pra kjo fjalë ndër vëllezërit se ai nxënësi nuk vdes. Po Jisui nuk i tha se nuk vdes; por: Nëse dua të mbesë ai derisa të vij unë, ti çfarë ke?
24 Ky është ai nxënësi që dëshmon për këto dhe që shkroi këto; edhe e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.
25 Janë edhe shumë të tjera sa bëri Jisui, të cilat në u shkrofshin një nga një, mendoj se as bota vetë nuk do t’i nxinte librat që kishin për t’u shkruar. Amin.

Ungjilli  sipas  Joanit

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme