Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Kolosianeve

-1-

1 Pavli, apostull i Jisu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, edhe vëllai Timothe,
2 shenjtëve dhe vëllezërve besimtarë në Krishtin që janë në Kolosë; hir mbi ju dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, edhe prej Zotit Jisu Krisht.
3 Falënderoj Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jisu Krisht, duke u lutur përherë për ju,
4 pasi dëgjuam për besimin tuaj në Krishtin Jisu dhe për dashurinë që keni në gjithë shenjtët,
5 për shpresën që ruhet për ju në qiejt, të cilën e keni dëgjuar që përpara në fjalën e së vërtetës së ungjillit,
6 që arriti tek ju, si edhe në gjithë botën; edhe sjell fryte, sikundër edhe në ju, që atë ditë që dëgjuat dhe njohët hirin e Perëndisë me të vërtetë;
7 siç e mësuat dhe nga Epafrai, bashkëshërbyesi ynë i dashur, i cili është për ju shërbëtor besnik i Krishtit;
8 i cili edhe na tregoi dashurinë tuaj në Frymën.
9 Prandaj edhe ne, që atë ditë që dëgjuam, nuk pushojmë duke u lutur për ju, edhe duke kërkuar që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo dituri e urtësi shpirtërore;
10 që të ecni siç është e denjë për Zotin, për t’i pëlqyer atij në të gjitha, duke sjellë fryte në çdo punë të mirë, edhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë;
11 duke u forcuar me çdo lloj fuqie, sipas pushtetit të lavdisë së tij për çdo durim dhe zemërgjerësi me gëzim;
12 duke falënderuar Atin, i cili na bëri të denjë të kemi pjesë në trashëgimin e shenjtëve në dritë;
13 i cili na shpëtoi nga pushteti i errësirës edhe na pruri në mbretërinë e Birit të dashurisë së tij,
14 në të cilin kemi shpërblimin me anë të gjakut të tij, ndjesën e mëkateve;
15 i cili është shembëllesë e Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i gjithë krijimit;
16 sepse me anë të tij u krijuan të gjitha, sa janë në qiejt e sa janë mbi dhe, të dukshmet e të padukshmet, qoftë frone, qoftë zotërime, qoftë kryesi, qoftë pushtete, të gjitha janë krijuar me anë të atij dhe për atë.
17 Edhe ai është përpara të gjithave, edhe të gjitha me anë të atij qëndrojnë.
18 Dhe ai është kreu i trupit, i kishës; ai është nisja, i parëlinduri prej të vdekurve, që të bëhet ai i parë në të gjitha.
19 Sepse në atë i pëlqeu Atit të rrijë gjithë plotësia,
20 edhe me anë të tij t’i pajtojë të gjitha me veten, duke paqtuar me anë të gjakut të kryqit të tij, me anë të atij, edhe ato që janë mbi dhe, edhe ato që janë në qiejt.
21 Edhe ju, që ishit dikur të huaj dhe armiq nga mendja me punët e liga, tani ju pajtoi me Perëndinë
22 në trupin e mishit të tij, me anë të vdekjes, që t’ju nxjerrë përpara vetes së tij shenjtorë e të patëmetë e të pafajshëm,
23 në qëndrofshi në besim të themeluar e të patundur, e të mos luani nga shpresa e ungjillit që dëgjuat, i cili u predikua në gjithë krijimin që është nën qiell, ungjill të cilit unë Pavli iu bëra shërbëtor.
24 Tani gëzohem në pësimet e mia për ju, edhe mbush mungesat e shtrëngimeve të Krishtit në mishin tim për trupin e atij, që është kisha,
25 së cilës unë iu bëra shërbëtor sipas kujdestarisë së Perëndisë që m’u dha për ju, që të përmbush fjalën e Perëndisë,
26 misterin që ishte fshehur nga jetët e nga brezat edhe tani u shfaq në shenjtët e tij;
27 në të cilët Perëndia deshi të tregojë cila është pasuria e lavdisë së këtij misteri në kombet, i cili është Krishti në ju, shpresa e lavdisë,
28 të cilin ne e predikojmë duke këshilluar çdo njeri dhe duke mësuar çdo njeri me çdo urtësi, që ta nxjerrim çdo njeri të përsosur në Krishtin Jisu.
29 Për këtë punë edhe mundohem, duke u përpjekur sipas veprimit të atij që vepron tek unë me fuqi.

1 2 3 4

-2-

1 Sepse dua ta dini ç’përpjekje të madhe bëj për ju edhe për ata që janë në Laodiki, edhe për gjithë ata që s’kanë parë fytyrën time në mish,
2 që të ngushëllohen zemrat e tyre, duke u bashkuar në dashuri dhe në çdo lloj pasurie të kuptimit të urtësisë, që të njohin misterin e Perëndisë dhe Atit e të Krishtit,
3 tek i cili janë fshehur gjithë thesarët e urtësisë e të diturisë.
4 Edhe e them këtë që të mos ju gënjejë ju ndonjë me fjalë bindëse.
5 Sepse ndonëse me trupin nuk jam aty, po me shpirtin jam bashkë me ju, duke u gëzuar e duke parë rregullin tuaj edhe qëndresën e besimit tuaj në Krishtin.
6 Sikurse pra e keni marrë Zotin Jisu Krisht, në atë ecni,
7 duke u rrënjosur e duke u ndërtuar tek ai, edhe duke u forcuar në besim, sikundër u mësuat, duke tepruar në të me falënderim.
8 Shikoni se mos ju gënjejë ndonjë me anë të filozofisë e të mashtrimit të kotë, sipas traditave të njerëzve, sipas elementëve të botës dhe jo sipas Krishtit.
9 Sepse tek ai rri trupërisht gjithë plotësia e hyjnisë.
10 Edhe jeni të plotë tek ai, i cili është kreu i çdo kryesie e pushteti,
11 në të cilin edhe u rrethpretë me rrethprerje që s’bëhet me dorë, duke zhveshur trupin e mëkateve të mishit me anë të rrethprerjes së Krishtit,
12 duke u varrosur bashkë me atë në pagëzim, në të cilin edhe u ngjallët së bashku me anë të besimit të veprimit të Perëndisë, i cili e ngjalli atë prej të vdekurve.
13 Edhe ju, duke qenë të vdekur në faje e në parrethprerjen e mishit tuaj, ju bëri të gjallë bashkë me atë, duke ju falur gjithë fajet;
14 edhe duke shuar dorëshkrimin e porosive që ishte kundër nesh, edhe këtë e hoqi nga mesi, duke e mbërthyer atë në kryq.
15 Edhe pasi i zhveshi kryesitë dhe pushtetet, i bëri shembull faqe të gjithëve, duke triumfuar mbi ata nëpërmjet tij.
16 Le të mos ju gjykojë pra askush për ngrënie a për pirje, ose për gjëra që kanë të bëjnë me festa a me hënë të re, a me të shtuna,
17 të cilat janë hije të gjërave që kanë për të ardhur, po trupi është i Krishtit.
18 Askush le të mos jua heqë juve çmimin duke u shtirë sikur do përulësinë dhe adhurimin e engjëjve, duke hyrë në punë që s’i ka parë, duke u fryrë më kot prej mendjes së mishit të tij,
19 edhe nuk mban kreun, Krishtin, prej të cilit gjithë trupi, duke u mbajtur e duke u lidhur bashkë me anë të nyjeve e të bashkëlidhjeve, rritet sipas rritjes që do Perëndia.
20 Në qoftë pra se vdiqët bashkë me Krishtin nga elementët e botës, përse duke jetuar në botë jeni nën urdhra,
21 Mos kap, mos shijo, mos prek ,
22 të cilat të gjitha prishen nga përdorimi; – sipas urdhërimeve e sipas mësimeve të njerëzve?
23 të cilat duken se kanë dituri në fedashje, në përulësi e në moskursim të trupit, por nuk kanë ndonjë farë vlere veç për të kënaqur mishin.

1 2 3 4

-3-

1 Në qoftë se u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, ku Krishti është i ulur në të djathtë të Perëndisë.
2 Kini ndër mend ato që janë lart, jo ato që janë mbi dhe.
3 Sepse vdiqët edhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin tek Perëndia.
4 Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju bashkë me të do të shfaqeni në lavdi.
5 Bëni pra të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi dhe, kurvërinë, papastërtinë, dëshirimin, dëshirën e keqe dhe lakmimin, që është idhujtari,
6 për të cilat vjen zemërata e Perëndisë përmbi bijtë e pabindjes.
7 Në këto edhe ju ecët dikur, kur rronit në to.
8 Po tani hidhini tej edhe ju të gjitha këto, zemëratën, mërinë, ligësinë, blasfeminë, fjalët e ndyra prej gojës suaj.
9 Mos gënjeni njëri-tjetrit, pasi zhveshët njeriun e vjetër bashkë me punët e tij,
10 edhe veshët të riun që përtërihet në njohje sipas shembëllesës së atij që e ka krijuar;
11 ku s’ka Grek e Jude, rrethprerje e parrethprerje, barbar, Skit, shërbëtor, të lirë, por të gjitha e mbi të gjitha është Krishti.
12 Vishni pra, si shenjtë të zgjedhur e të dashur të Perëndisë, përdëllim të dhembshur, mirësi, përulësi, butësi, zemërgjerësi,
13 duke duruar njëri-tjetrin dhe duke ndjerë njëri-tjetrin, në pastë ndonjë ankesë kundër ndonjërit; ashtu si edhe Krishti ju ndjeu ju, kështu bëni edhe ju.
14 Edhe përmbi gjithë këto vishni dashurinë, e cila është bashkëlidhja e përsosmërisë.
15 Edhe paqja e Perëndisë le të mbretërojë në zemrat tuaja, në të cilën edhe u thirrët në një trup dhe bëhuni mirënjohës.
16 Fjala e Krishtit le të rrijë tek ju pasurisht me çdo lloj diturie; mësoni e këshilloni njëri-tjetrin me psalme edhe me himne e me këngë shpirtërore, duke i kënduar Zotit me hir në zemrën tuaj.
17 Edhe çdo gjë që të bëni me fjalë ose me punë, të gjitha t’i bëni në emër të Zotit Jisu, duke falënderuar Perëndinë dhe Atin me anë të tij.
18 Ju gratë ulini kryet burrave tuaj, siç i ka hie në Zotin.
19 Ju burrat duajini gratë tuaja dhe mos i hidhëroni ato.
20 Ju bijtë bindjuni prindërve tuaj për të gjitha, sepse kjo është e pëlqyeshme për Zotin.
21 Ju etërit mos i zemëroni bijtë tuaj, që të mos u ligështohet zemra.
22 Ju shërbëtorët, bindjuni në gjithçka zotërinjve tuaj sipas mishit, jo duke u shërbyer vetëm përpara syve, si ata që duan t’u pëlqejnë njerëzve, po me thjeshtësi zemre, duke pasur frikë nga Perëndia.
23 Edhe çdo gjë që bëni, me shpirt bëjeni, si Zotit, e jo njerëzve,
24 duke ditur se prej Zotit keni për të marrë shpërblimin e trashëgimit; sepse Zotit Krisht i shërbeni.
25 Po ai që punon padrejtësi, do të marrë shpërblimin e padrejtësisë së tij, sepse s’ka mbajtje ane.

1 2 3 4

-4-

1 Ju zotërinjtë jepuni shërbëtorëve tuaj të drejtën dhe sa u takon, duke ditur se edhe ju keni Zot në qiej.
2 Qëndroni në lutje, duke ndenjur zgjuar në të me falënderime;
3 duke u lutur në të njëjtën kohë edhe për ne, që të na hapë Perëndia derën e fjalës, që të themi misterin e Krishtit, për të cilin edhe jam burgosur;
4 që ta shfaq atë, sikurse më duhet të flas.
5 Ecni me urtësi para atyre që janë jashtë, duke fituar kohën.
6 Fjala juaj le të jetë përherë me hir, e ndrequr me kripë, që të dini si duhet t’i përgjigjeni gjithësecilit.
7 Gjithë punët e mia do t’jua tregojë Tihiku, vëllai i dashur, edhe punëtor besnik e shërbëtor bashkë me mua në Zotin,
8 të cilin e dërgova tek ju pikërisht për këtë, që të marrë vesh punët tuaja dhe të ngushëllojë zemrat tuaja;
9 bashkë me Onisimin, vëllain besnik e të dashur, i cili është prej jush. Ata do t’ju rrëfejnë të gjitha të këtushmet.
10 Ju përshëndet Aristarku, shoku im i burgut, edhe Marku, i nipi i Barnabës, – për të cilin morët porosi; në ardhtë tek ju, mirëpriteni;
11 edhe Jisui i quajtur Just, të cilët janë nga rrethprerja. Vetëm këta janë bashkëpunëtorë të mi në mbretërinë e Perëndisë, të cilët u bënë tek unë ngushëllim.
12 Ju përshëndet Epafrai që është prej jush, shërbëtor i Krishtit, i cili përpiqet për ju gjithnjë në lutje, që të qëndroni të përsosur dhe të plotësuar në çdo dëshirë të Perëndisë.
13 Sepse unë dëshmoj për atë, se ka shumë zell për ju edhe për ata që janë në Laodiki, edhe për ata që janë në Hierapol.
14 Ju përshëndet Llukai, mjeku i dashur, edhe Dhimai.
15 Përshëndetni vëllezërit që janë në Laodiki, edhe Nimfain dhe kishën që është në shtëpinë e tij.
16 Edhe si të lexohet letra tek ju, bëni që të lexohet edhe në kishën e Laodikeasve, që të lexoni edhe ju atë që do t’ju dërgohet nga Laodikia.
17 Edhe thuajini Arkipit: Ki kujdes në shërbesën që more në Zotin, që ta përmbushësh atë.
18 Përshëndetja u shkrua me dorën time, të Pavlit. Kujtoni vargonjtë e mi. Hiri qoftë bashkë me ju. Amin.

1 2 3 4

Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Kolosianeve

1 2 3 4

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme