Letra e Pare e Apostull Pavlit
drejtuar Selanikasve

-1-

1 Pavli dhe Siluani edhe Timotheu, kishës së Selanikasve që është në Perëndinë, Atin, edhe në Zotin Jisu Krisht; hir në ju dhe paqe prej Perëndisë dhe Atit tonë, edhe prej Zotit Jisu Krisht.
2 Falënderoj Perëndinë përherë për të gjithë ju, edhe ju kujtojmë në lutjet tona,
3 duke kujtuar pa pushim punën e besimit tuaj, edhe mundimin e dashurisë, edhe durimin e shpresës në Zotin tonë Jisu Krisht, përpara Perëndisë edhe Atit tonë.
4 Sepse e dimë, o vëllezër të dashur prej Perëndisë, zgjedhjen tuaj.
5 Sepse ungjilli ynë nuk u bë tek ju vetëm me fjalë, po edhe me fuqi, edhe me Frymë të Shenjtë, edhe me shumë besueshmëri, sikundër e dini se cilët u bëmë në mes tuaj për ju.
6 Edhe ju bëtë sikundër bëmë ne edhe Zoti, sepse e pritët fjalën në shtrëngim të madh, po me gëzim të Frymës së Shenjtë;
7 aq sa u bëtë shembull për të gjithë besimtarët në Maqedoni e në Akai.
8 Sepse prej jush jehoi fjala e Zotit, jo vetëm në Maqedoni e në Akai, po edhe në çdo vend arriti besimi juaj në Perëndinë, kaq sa ne s’kemi nevojë të flasim gjë;
9 sepse vetë ata tregojnë për ne, çfarë hyrjeje patëm ndër ju, edhe si u kthyet nga idhujt tek Perëndia, që t’i shërbeni Perëndisë së gjallë e të vërtetë,
10 edhe të prisni Birin e tij nga qiejt, të cilin e ngjalli prej së vdekurish, Jisuin, që na shpëton nga zemërimi që vjen.

1 2 3 4 5

-2-

1 Sepse vetë ju e dini, o vëllezër, se hyrja jonë tek ju nuk u bë më kot;
2 por si vuajtëm më përpara dhe u shamë, sikundër e dini, në Filipë, morëm guxim në Perëndinë tonë të flasim ndër ju ungjillin e Perëndisë me shumë përpjekje.
3 Sepse mësimi ynë nuk qe prej gënjeshtre, as prej papastërtie, as me mashtrim;
4 por sikundër u provuam prej Perëndisë të na besojë ungjillin, kështu flasim, jo si t’u pëlqejmë njerëzve, po Perëndisë që provon zemrat tona.
5 Sepse as fjalë lajkash nuk përdorëm ndonjëherë, sikundër e dini, as për shkak lakmimi; Perëndia është dëshmitar.
6 As kërkuam lavdi prej njerëzish, as prej jush, as prej të tjerësh, ndonëse mund t’ju bëheshim juve barrë, si apostuj të Krishtit që jemi.
7 Por qemë të butë ndërmjet jush, si mëndesha që ngroh në gji bijtë e saj.
8 Kështu duke pasur dashuri të nxehtë për ju, na ka ënda t’ju japim juve jo vetëm ungjillin e Perëndisë, po edhe jetët tona, sepse jeni bërë të dashur për ne.
9 Sepse e mbani mend, o vëllezër, lodhjen dhe mundimin tonë; sepse duke punuar natë e ditë, që të mos i bëhemi barrë ndonjërit prej jush, predikuam ungjillin e Perëndisë tek ju.
10 Ju jeni dëshmitarë edhe Perëndia, se me shenjtëri e me drejtësi e patëmetë kemi qenë tek ju që besoni;
11 sikundër e dini, se gjithësecilin prej jush e nxitnim dhe e ngushëllonim, si një atë bijtë e tij,
12, që të ecni siç është denjë për Perëndinë, që ju thirri në mbretërinë e në lavdinë e tij.
13 Prandaj edhe ne falënderojmë Perëndinë pa pushim, se kur morët fjalën e Perëndisë që dëgjuat prej nesh, e pritët atë jo si fjalë njerëzish, po siç është me të vërtetë, fjalë Perëndie, e cila vihet në veprim ndër ju që besoni.
14 Sepse ju, o vëllezër, bëtë sikundër bënë kishat e Perëndisë, që janë në Jude në Krishtin Jisu, se edhe ju pësuat po ato prej bashkëkombasve tuaj, sikurse edhe ata prej Judenjve,
15 të cilët edhe Zotin Jisu e vranë edhe profetët e tyre, edhe ne na ndoqën, edhe Perëndisë s’i pëlqejnë, edhe gjithë njerëzve u janë kundër;
16 të cilët na ndalojnë t’u flasim kombeve që të shpëtojnë, për të mbushur përherë mëkatet e tyre; por zemërimi arriti mbi ata përfundimisht.
17 Po ne, o vëllezër, të mbetur pa ju për pak kohë larg syve, po jo zemrës, më tepër u përpoqëm me shumë mall të shohim fytyrën tuaj.
18 Prandaj deshëm të vijmë tek ju, më fort unë Pavli, edhe një edhe dy herë, po na ndaloi satanai.
19 Sepse cila është shpresa jonë, a gëzimi, a kurora e mburrjes përpara Zotit tonë Jisu Krisht në ardhjen e tij në mos qofshi edhe ju?
20 Sepse ju jeni lavdia jonë dhe gëzimi.

1 2 3 4 5

-3-

1 Prandaj, pasi nuk mundëm të durojmë më, e gjetëm për mirë të mbetemi të vetëm në Athinë,
2 edhe dërguam Timotheun, vëllanë tonë, edhe shërbëtor të Perëndisë, edhe bashkëpunëtorin tonë në punën e ungjillin të Krishtit, që t’ju forcojë e t’ju ngushëllojë për besimin tuaj;
3 që të mos tundet asnjë në këto shtrëngime; sepse ju vetë e dini se për këtë jemi vënë.
4 Sepse, kur ishim pranë jush, ju thoshim më përpara se kemi për të hequr shtrëngime, sikurse edhe u bë, edhe e dini.
5 Prandaj edhe unë, pasi s’duroja dot më, dërgova që të marr vesh për besimin tuaj, se mos ju ngau ai që nget, edhe shkon më kot mundimi ynë.
6 Po tani që erdhi Timotheu nga ju tek ne, edhe na pruri lajmin e mirë për besimin e për dashurinë tuaj, edhe se na kujtoni gjithnjë për të mirë, edhe se keni mall të na shihni, sikurse edhe ne ju,
7 prandaj, o vëllezër, me gjithë shtrëngimin e nevojën tonë, u ngushëlluam për ju, prej besimit tuaj;
8 sepse tani rrojmë, në qëndrofshi ju në Zotin.
9 Sepse çfarë falënderimi mund t’i japim Perëndisë për ju, për gjithë gëzimin, me të cilin gëzohemi për ju përpara Perëndisë sonë,
10 natë e ditë duke u lutur shumë që të shohim fytyrën tuaj, edhe të plotësojmë të metat e besimit tuaj?
11 Po vetë Perëndia dhe Ati ynë, edhe Zoti ynë Jisu Krisht, na drejtoftë udhën tek ju.
12 Edhe Zoti shtoftë dhe teproftë dashurinë tuaj për njëri-tjetrin dhe për të gjithë, sikurse edhe ne kemi për ju;
13 për të forcuar zemrat tuaja të paqortueshme në shenjtëri, përpara Perëndisë dhe Atit tonë, në ardhjen e Zotit tonë Jisu Krisht bashkë me gjithë shenjtorët e tij.

1 2 3 4 5

-4-

1 Së fundi pra, o vëllezër, ju lutemi dhe ju nxisim me anë të Zotit Jisu, sikundër morët prej nesh se si duhet të ecni dhe t’i pëlqeni Perëndisë, kështu të teproni shumë e më shumë.
2 Sepse e dini çfarë porosish ju lamë me anë të Zotit Jisu.
3 Sepse kjo është dëshira e Perëndisë, shenjtërimi juaj: të hiqni dorë nga kurvëria;
4 të dijë gjithësecili prej jush të mbajë enën e tij me shenjtërim e me nder;
5 jo në pësim dëshirimi, ashtu si edhe kombet që s’njohin Perëndinë.
6 Të mos kapërcejë ndonjë e t’i bëjë keq të vëllait në këtë punë; sepse Zoti është shpagimtar për gjithë këto; sikurse edhe jua thamë juve më përpara, edhe me dëshmi jua vërtetuam.
7 Sepse Perëndia nuk na thirri në papastërti, po në shenjtërim.
8 Prandaj ai që hedh tej këto, nuk hedh tej njeri, po Perëndinë, që na dha neve Frymën e tij të Shenjtë.
9 Edhe për dashurinë vëllazërore s’keni nevojë t’ju shkruajmë, se ju vetë jeni të mësuar prej Perëndisë që të doni njëri-tjetrin;
10 sepse edhe e bëni këtë për të gjithë vëllezërit që janë në gjithë Maqedoninë. Po ju lutemi, o vëllezër, të teproni në këtë shumë e më shumë.
11 Edhe ta keni për nder të rrini urtë e të shikoni punët tuaja, edhe të punoni me duart tuaja, siç ju porositëm,
12 që të ecni para atyre që janë jashtë siç ka hije, edhe të mos keni nevojë për asgjë.
13 Edhe nuk dua që ju të mos dini, o vëllezër, për ata që kanë fjetur, që të mos ju vijë keq, si edhe të tjerëve që s’kanë shpresë.
14 Sepse nëse besojmë që Jisui vdiq dhe u ngjall, kështu edhe Perëndia ata që kanë fjetur me anë të Jisuit do t’i sjellë bashkë me atë.
15 Sepse këtë jua themi juve me fjalë të Zotit, se ne të gjallët që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit nuk do t’ua arrijmë atyre që kanë fjetur;
16 sepse Zoti vetë do të zbresë nga qielli me urdhër, me zë kryeengjëlli, edhe me trumbetë Perëndie, edhe të vdekurit në Krishtin do të ngjallen më përpara;
17 pastaj ne të gjallët që do të kemi mbetur do të rrëmbehemi bashkë me ata në retë, për të takuar Zotin në ajër; edhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin.
18 Ngushëlloni pra me këto fjalë njëri-tjetrin.

1 2 3 4 5

-5-

1 Edhe për vitet e për kohët, o vëllezër, nuk keni nevojë t’ju shkruaj;
2 sepse ju e dini mirë, se dita e Zotit, posi vjedhësi natën, kështu vjen.
3 Sepse kur thonë: Paqe edhe siguri, atëherë vjen mbi ata shkatërrim i papandehur, posi dhimbjet e gruas me barrë; edhe nuk do të shpëtojnë.
4 Po ju, o vëllezër, nuk jeni në errësirë, që t’ju arrijë ajo ditë si vjedhës.
5 Të gjithë ju jeni bij drite e bij dite; nuk jemi të natës, as të errësirës.
6 Le të mos flemë pra sikurse edhe të tjerët, po le të rrimë zgjuar dhe le të jemi të përmbajtur.
7 Sepse ata që flenë, natën flenë; edhe ata që dehen, natën dehen;
8 Por ne, pasi jemi të ditës, le të përmbajmë veten, duke veshur parzmoren e besimit e të dashurisë, edhe për përkrenare shpresën e shpëtimit.
9 Sepse Perëndia nuk na ka urdhëruar për zemërim, po për trashëgim shpëtimi, me anë të Zotit tonë Jisu Krisht,
10 që vdiq për ne, që, qoftë zgjuar, qoftë fjetur, të rrojmë bashkë me atë.
11 Prandaj ngushëlloni njëri-tjetrin, edhe ndërtoni njëri-tjetrin, sikurse edhe bëni.
12 Edhe ju lutemi, o vëllezër, t’i njihni ata që mundohen ndër ju, e janë mbi ju në Zotin, edhe ju këshillojnë;
13 edhe t’i nderoni me dashuri fort tepër për punën e tyre. Kini paqtim në mes tuaj.
14 Edhe ju lutemi, o vëllezër, këshilloni të prapët, ngushëlloni zemërlëshuarit, ndihmoni të dobëtit, jini zemërgjerë për të gjithë.
15 Vështroni se mos ia ktheni njëri-tjetrt të keqen me të keqe; po kërkoni përherë të mirën edhe te njëri-tjetri, edhe tek të gjithë.
16 Përherë gëzohuni.
17 Pa pushim lutuni.
18 Për çdo gjë falënderoni, sepse ky është vullneti i Perëndisë për ju në Krishtin Jisu.
19 Mos shuani Frymën.
20 Mos hidhni poshtë profecitë.
21 Të gjitha provojini, të mirën mbani.
22 Hiqni dorë prej çdo lloj ligësie.
23 Edhe vetë Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ju të tërë; edhe gjithë fryma, shpirti dhe trupi juaj u ruajttë pa qortim në ardhjen e Zotit tonë Jisu Krisht.
24 Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.
25 O vëllezër, lutuni për ne.
26 Përshëndetni gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë.
27 Ju vë në be në Zotin, t’u lexohet letra gjithë vëllezërve të shenjtë.
28 Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht qoftë bashkë me ju. Amin.

1 2 3 4 5

Letra e Pare e Apostull Pavlit
drejtuar Selanikasve

1 2 3 4 5 

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme