Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Titos

-1-

1 Pavli, shërbëtor i Perëndisë, edhe apostull i Jisu Krishtit, sipas besimit të të zgjedhurve të Perëndisë, edhe sipas njohjes së të vërtetës që është sipas besëtarisë,
2 me shpresë për jetën e përjetshme, të cilën e premtoi Perëndia që s’gënjen, përpara kohëve të përjetshme,
3 edhe shfaqi në kohë të caktuara fjalën e tij me anë të predikimit që m’u besua mua sipas urdhrit të Shpëtimtarit tonë Perëndi;
4 Titos, birit të vërtetë sipas besimit tonë të përbashkët, i qoftë hir, përdëllim, paqe prej Perëndisë Atë, edhe prej Zotit tonë Jisu Krisht, Shpëtimtarit tonë.
5 Prandaj të lashë në Kretë, që të ndreqësh të metat, edhe të vendosësh në çdo qytet pleq siç të urdhërova unë:
6 kush të jetë i paqortueshëm, burrë i një gruaje, që ka bij besimtarë që s’përfliten për plangprishës ose për të pabindur.
7 Sepse episkopi duhet të jetë i paqortueshëm, si kujdestar i Perëndisë; jo i vrazhdë, jo zemërak, jo verëpirës, jo grindës, jo lakmitar për fitim të pandershëm,
8 por mikpritës, mirëdashës, i urtë, i drejtë, shenjt, i përmbajtur;
9 i ngjitur pas fjalës së vërtetë sipas mësimit që mori, që të mundë edhe të nxisë të tjerë me anë të mësimit të shëndoshë, edhe të qortojë ata që flasin kundër.
10 Sepse janë shumë të pabindurit që flasin fjalë të kota e që mashtrojnë, më fort ata që janë nga rrethprerja,
11 të cilëve duhet t’u mbyllim gojën; që përmbysin shtëpi të tëra, duke mësuar sa nuk duhen, për fitim të pandershëm.
12 Një nga ata, profet i tyre, tha: “Kretasit janë gjithnjë gënjeshtarë, bisha të këqia, barqe përtace”.
13 Kjo dëshmi është e vërtetë. Për këtë shkak qortoi ata ashpër, që të shëndoshen në besim;
14 edhe të mos u vënë vesh përrallave të Judenjve dhe urdhërimeve të njerëzve që i kthejnë krahët së vërtetës.
15 Për të pastrit të gjitha janë të pastra; po për të ndyrët e të pabesët asgjë s’është e pastër, por edhe mendja edhe ndërgjegjja e tyre janë të ndyra.
16 Pohojnë me gojë se njohin Perëndi, po me veprat e mohojnë, sepse janë të ndyrë dhe të pabindur, edhe në çdo punë të mirë të paprovuar.

1 2 3

-2-

1 Po ti fol ato që duhet për mësimin e shëndoshë.
2 Pleqtë të jenë të përmbajtur, të hijshëm, të urtë, të shëndoshë në besim, në dashuri, në durim.
3 Gjithashtu edhe plakat të kenë sjellje siç u ka hije shenjtëve; jo shpifëse, jo të dhëna shumë pas verës, mësuese të mira,
4 që të mësojnë të rejat të duan burrat e djemtë e tyre,
5 të urta, të pastra, shtëpiake, të mira, të bindura ndaj burrave të tyre, që të mos blasfemohet fjala e Perëndisë.
6 Të rinjtë gjithashtu nxiti të jenë të urtë.
7 Në të gjitha tregoje veten tënde shembull punësh të mira, duke treguar në mësim paprishje, nder,
8 fjalë të shëndoshë e të padënueshme, që të turpërohet ai që është kundër, e të mos ketë të flasë për ju asgjë të ligë.
9 Shërbëtorët t’u binden zotërve të tyre, në të gjitha punët të jenë të pëlqyeshëm, të mos kthejnë fjalë;
10 të mos e bëjnë të tyren gjënë e huaj, po të tregojnë çdo ndershmëri, që të stolisin në gjithçka mësimin e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë.
11 Sepse u shfaq hiri i Perëndisë që sjell shpëtim në gjithë njerëzit,
12 i cili na mëson të mohojmë pabesinë dhe dëshirat e botës, e të rrojmë me urtësi e me drejtësi e me shprestari në këtë jetë,
13 duke pritur shpresën e lumur dhe shfaqjen e lavdisë së të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht;
14 i cili dha veten e tij për ne, që të na shpërblejë prej çdo paudhësie, edhe të pastrojë për veten e tij një popull të zgjedhur, të zellshëm për punë të mira.
15 Këto fol dhe porosit dhe qorto me çdo pushtet; asnjëri le mos të të përçmojë.

1 2 3

-3-

1 Kujtoju atyre t’u nënshtrohen kryesive e pushteteve, t’u binden atyre, të jenë gati për çdo punë të mirë.
2 Asnjërin të mos shajnë, të mos zihen, të jenë të butë, duke treguar çdo embëlsi për gjithë njerëzit.
3 Sepse edhe ne ishim dikur të marrë, të pabindur, të gënjyer, duke u shërbyer dëshirimeve e kënaqësive të ndryshme, duke shkuar jetën në ligësi e në smirë, të urryer e duke urryer njëri-tjetrin.
4 Po kur u shfaq për njerëzit mirësia dhe dashuria e Shpëtimtarit tonë Perëndi,
5 jo prej veprash drejtësie që kryem ne, po sipas përdëllimit të tij na shpëtoi, me anë të larjes së rilindjes, edhe me anë të përtëritjes së Frymës së Shenjtë,
6 që e derdhi me dorë të hapët mbi ne me anë të Jisu Krishtit, Shpëtimtarit tonë;
7 që, pasi të dalim të drejtë me anë të hirit të tij, të bëhemi trashëgimtarë sipas shpresës së jetës së përjetshme.
8 E besueshme është fjala; edhe këto dua t’i vërtetosh, që të kujdesen ata që i kanë besuar Perëndisë të jenë të parë për punë të mira. Këto janë të mirat e të dobishmet për njerëzit.
9 Po nga debate të marra, e gjenealogji njerëzish, e grindje, edhe luftra ligji largohu, sepse janë të padobishme e të kota.
10 Nga njeriu përçarës, si ta mësosh një herë e dy herë, hiq dorë,
11 duke ditur se i tilli është i prishur, edhe mëkaton, sepse e ka dënuar veten.
12 Kur të dërgoj Artemain ose Tihikun tek ti, shpejto të vish tek unë në Nikopojë, sepse atje vendosa të dimëroj.
13 Ligjtarin Zina dhe Apolloin përcilli me kujdes, që të mos u mungojë atyre asgjë.
14 Edhe le të mësojnë edhe tanët të jenë të parë për punë të mira për nevojat e domosdoshme, që të mos jenë të pafrytshëm.
15 Të përshëndesin të gjithë ata që janë bashkë me mua. Përshëndeti ata që na duan në besim. Hiri qoftë bashkë me të gjithë ju. Amin.

1 2 3

Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Titos

1 2 3

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme