Letrat  e pergjithshme

e Apostull Joanit

 I-III

Letra e parë e pergjithshme

e Apostull Joanit

-1-

1 Atë që ishte që në fillim, atë që kemi dëgjuar, atë që kemi parë me sytë tanë, atë që kemi vështruar, edhe duart tona e prekën, në lidhje me Fjalën e jetës,
2 – edhe jeta u shfaq, edhe e pamë, edhe dëshmojmë, edhe ju lajmërojmë për jetën e përjetshme, që ishte tek Ati, edhe u shfaq ndër ne;
3 atë që kemi parë dhe kemi dëgjuar, për atë ju lajmërojmë, që të keni edhe ju pjesëmarrje me ne; edhe pjesëmarrja jonë është me Atin dhe me Birin e tij Jisu Krisht.
4 Edhe këto jua shkruajmë juve, që të jetë i plotë gëzimi juaj.
5 Edhe ky është lajmi që kemi dëgjuar nga ai, edhe ju lajmërojmë ju, se Perëndia është dritë, edhe nuk ka asnjë errësirë tek ai.
6 Në thënçim që kemi pjesëmarrje në të, edhe ecim në errësirë, gënjejmë, edhe nuk bëjmë të vërtetën.
7 Por në ecshim në dritë, sikundër është ai në dritë, kemi pjesëmarrje me njëri-tjetrin, edhe gjaku i Jisu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.
8 Në thënçim që s’kemi mëkat, mashtrojmë veten tonë, edhe e vërteta nuk është ndër ne.
9 Në rrëfefshim mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë, që të na ndjejë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo padrejtësi.
10 Në thënçim që s’kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar, edhe fjala e atij nuk është ndër ne.

Zbulesa

1 2 3 4 5

-2-

1 Djemthit e mi, jua shkruaj këto që të mos mëkatoni; edhe në mëkatoftë ndonjë, kemi kush të lutet tek Ati, Jisu Krishtin e drejtë.
2 Edhe ai është shlyerja për mëkatet tona; edhe jo vetëm për tonat, po edhe për të të gjithë botës.
3 Edhe nga kjo e dimë se e kemi njohur atë, në ruajtshim urdhërimet e tij.
4 Ai që thotë: E kam njohur atë, edhe nuk ruan urdhërimet e tij, është gënjeshtar, edhe e vërteta nuk është në atë.
5 Por ai që ruan fjalën e tij, vërtet dashuria e Perëndisë është përsosur te ky. Nga kjo dimë, se jemi në atë.
6 Ai që thotë se qëndron në atë, ka detyrë, që siç eci ai, edhe ky kështu të ecë.
7 Vëllezër, nuk po ju shkruaj urdhërim të ri, po urdhërim të vjetër, të cilin e kishit që në fillim: urdhërimi i vjetër është fjala që dëgjuat që në fillim.
8 Përsëri po ju shkruaj një urdhërim të ri, i cili është i vërtetë në atë dhe në ju; sepse errësira shkon, edhe drita e vërtetë po ndrit.
9 Ai që thotë se është në dritë, edhe urren të vëllanë, në errësirë është deri tani.
10 Ai që do të vëllanë qëndron në dritë, edhe skandal nuk ka tek ai.
11 Po ai që urren të vëllanë, është në errësirë, edhe në errësirë ecën, edhe nuk di se ku shkon, sepse errësira i verboi sytë.
12 Po ju shkruaj juve, djema, se u ndjenë mëkatet tuaja për hir të emrit të tij.
13 Po ju shkruaj juve, etër, sepse e keni njohur atë që është që në fillim. Po ju shkruaj juve, djema, sepse e keni njohur Atin.
14 Ju shkrova juve, etër, sepse e keni njohur atë që është që në fillim. Ju shkrova juve, djalosha, sepse jeni të fortë, edhe fjala e Perëndisë mbetet tek ju, edhe e keni mundur të ligun.
15 Mos doni botën, as ato që janë në botë. Në do ndonjë botën, dashuria e Atit nuk është në atë.
16 Sepse çdo gjë që është në botë, dëshirimi i mishit, edhe dëshirimi i syve, edhe madhështia e jetës, nuk është prej Atit, po është prej botës.
17 Edhe bota shkon, edhe dëshirimi i saj; po ai që bën dëshirën e Perëndisë mbetet përjetë.
18 Djema, është ora e fundit; edhe sikundër dëgjuat se antikrishti vjen, edhe tani ka shumë antikrishtër; prandaj e dimë se është ora e fundit.
19 Prej nesh dolën, por nuk ishin prej nesh; sepse, po të ishin prej nesh, do të kishin mbetur me ne; po dolën që të shfaqen se nuk janë të gjithë prej nesh.
20 Edhe ju keni lyerje prej Shenjtit, edhe i dini të gjitha.
21 Nuk ju shkrova juve, sepse nuk dini të vërtetën, por sepse e dini atë, edhe sepse çdo gënjeshtër nuk është nga e vërteta.
22 Kush është gënjeshtari, veç ai që mohon se Jisui nuk është Krishti? Ky është antikrishti, ai që mohon Atin dhe Birin.
23 Kushdo që mohon Birin, s’ka as Atin; – ai që pohon Birin, ka edhe Atin.
24 Ajo pra që ju dëgjuat që në fillim, le të mbetet ndër ju. Në mbettë ndër ju ajo që dëgjuat që në fillim, edhe ju do të mbeteni te Biri e tek Ati.
25 Edhe ky është premtimi që ai na premtoi, jetën e përjetshme.
26 Këto jua shkrova juve për ata që ju mashtrojnë.
27 Edhe lyerja që morët nga ai mbetet ndër ju, edhe s’keni nevojë t’ju mësojë ndonjë; por siç ju mëson ju po ajo lyerje për të gjitha, edhe është e vërtetë, edhe nuk është gënjeshtër; edhe sikundër ju mësoi juve, do mbeteni në atë.
28 Edhe tani, djemthit e mi, mbetuni në atë, që kur të shfaqet, të kemi guxim e të mos turpërohemi nga ai në ardhjen e tij.
29 Nëse e dini se është i drejtë, e dini se kushdo që bën drejtësinë prej atij ka lindur.

Zbulesa

1 2 3 4 5

-3-

1 Shihni çfarë dashurie na ka dhënë Ati, që të quhemi bij të Perëndisë; prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e njohu atë.
2 Të dashur, tani jemi bij të Perëndisë; por ende s’është shfaqur se ç’do të jemi; por e dimë se, kur të shfaqet, do të jemi si ai; sepse do ta shohim atë siç është.
3 Edhe kushdo që ka këtë shpresë në atë, pastron veten e tij, siç është ai i pastër.
4 Kushdo që bën mëkatin, bën edhe paudhësinë; sepse mëkati është paudhësia.
5 Edhe e dini se ai u shfaq që të ngrejë mëkatet tona; edhe mëkat nuk ka tek ai.
6 Kushdo që mbetet tek ai, nuk mëkaton; kushdo që mëkaton nuk e ka parë atë, as nuk e ka njohur atë.
7 Djemthit e mi, le të mos ju mashtrojë askush; ai që bën drejtësinë, është i drejtë, sikundër është ai i drejtë.
8 Ai që bën mëkatin, është nga djalli; sepse që në fillim djalli është duke mëkatuar. Prandaj u shfaq i Biri i Perëndisë, që të prishë punët e djallit.
9 Ai që ka lindur prej Perëndisë, mëkat nuk bën, sepse fara e tij mbetet në atë; edhe s’mund të mëkatojë, sepse ka lindur prej Perëndisë.
10 Nga kjo dallohen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit. Kushdo që nuk bën drejtësi, nuk është nga Perëndia, si edhe ai që nuk do të vëllanë.
11 Sepse kjo është porosia që dëgjuat që në fillim: të duam njëri-tjetrin.
12 Jo si Kaini i cili ishte prej të ligut, edhe theri të vëllanë. Edhe përse e theri? Sepse punët e tij ishin të liga, edhe ato të vëllait të tij të drejta.
13 Mos u çuditni, o vëllezër të mi, nëse bota ju urren juve.
14 Ne e dimë se kemi shkuar prej vdekjes në jetë, sepse duam vëllezërit. Ai që nuk do vëllanë, mbetet në vdekje.
15 Kushdo që urren të vëllanë, është njerivrasës; edhe e dini se çdo njerivrasës s’ka jetë të përjetshme që mbetet në atë.
16 Nga kjo e njohëm dashurinë, se ai vuri jetën e tij për ne; edhe ne kemi detyrë të vëmë jetët tona për vëllezërit.
17 Po ai që ka të mirat e botës, edhe sheh vëllanë që ka nevojë, edhe i mbyll atij zemrën e tij, si mund të mbetet dashuria e Perëndisë tek ai?
18 Djemthit e mi, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra e me të vërtetë.
19 Edhe nga kjo e dimë se jemi prej së vërtetës, edhe do të sigurojmë zemrat tona përpara atij,
20 se nëse na dënon zemra, Perëndia është më i madh se zemra jonë, edhe i njeh të gjitha.
21 Të dashur, nëse nuk na dënon zemra jonë, kemi guxim tek Perëndia.
22 Edhe çfarëdo që të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse ruajmë urdhërimet e tij, edhe bëjmë ato që i pëlqejnë atij.
23 Edhe ky është urdhërimi i atij: Të besojmë në emrin e Birit të tij Jisu Krisht, edhe të duam njeri-tjetrin, siç na la urdhërim.
24 Edhe ai që ruan urdhërimet e tij, mbetet në atë, edhe ai në këtë, edhe nga kjo e dimë se mbetet ndër ne, nga Fryma që na dha.

Zbulesa

1 2 3 4 5

-4-

1 Të dashur, mos i besoni çdo fryme, por provoni frymërat nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë dolën në botë.
2 Nga kjo e njihni Frymën e Perëndisë; çdo frymë që rrëfen se Jisu Krishti ka ardhur në mish, është nga Perëndia.
3 Edhe çdo frymë që nuk rrëfen se Jisu Krishti ka ardhur në mish, nuk është nga Perëndia; edhe kjo është fryma e antikrishtit, për të cilin keni dëgjuar se vjen, edhe që tani është në botë.
4 Ju djemthit e mi, jeni nga Perëndia, edhe i keni mundur ata; sepse ai që është ndër ju është më i madh se ai që është në botë.
5 Ata prej botës janë; prandaj prej botës flasin, edhe bota i dëgjon ata.
6 Ne jemi nga Perëndia; ai që njeh Perëndinë, na dëgjon; ai që nuk është nga Perëndia, nuk na dëgjon. Nga kjo e njohim frymën e së vërtetës edhe frymën e mashtrimit.
7 Të dashur, le të duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia, edhe kushdo që ka dashuri ka lindur prej Perëndisë edhe e njeh Perëndinë.
8 Ai që nuk ka dashuri, nuk e njohu Perëndinë; sepse Perëndia është dashuri.
9 Në këtë u shfaq dashuria e Perëndisë tek ne: se Perëndia Birin e tij, të vetëmlindurin, e dërgoi në botë, që të rrojmë me anë të atij.
10 Në këtë është dashuria, jo se ne e deshëm Perëndinë, por se ai na deshi ne dhe dërgoi Birin e tij shlyerje për mëkatet tona.
11 Të dashur, nëse na deshi kështu Perëndia, edhe ne kemi detyrë të duam njëri-tjetrin.
12 Asnjë s’e ka parë Perëndinë ndonjëherë. Nëse duam njëri-tjetrin, Perëndia mbetet ndër ne dhe dashuria e tij është e përsosur ndër ne.
13 Nga kjo e dimë, se mbetemi në atë, edhe ai në ne, sepse na ka dhënë nga Fryma e tij.
14 Edhe ne e kemi parë dhe dëshmojmë se Ati dërgoi Birin Shpëtimtar të botës.
15 Ai që të rrëfejë se Jisui është Biri i Perëndisë, Perëndia mbetet në atë, edhe ai në Perëndinë.
16 Edhe ne e kemi njohur dhe e kemi besuar dashurinë që ka Perëndia për ne. Perëndia është dashuri; edhe ai që mbetet në dashuri, mbetet në Perëndinë, edhe Perëndia në atë.
17 Në këtë është e përsosur dashuria me ne, që të kemi guxim në ditën e gjyqit; sepse siç është ai, kështu jemi edhe ne në këtë botë.
18 Frikë nuk ka në dashuri, por dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka ndëshkim dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri.
19 Ne e duam atë, sepse ai i pari na deshi.
20 Në thëntë ndonjë se dua Perëndinë, edhe urren vëllanë e tij, është gënjeshtar; sepse ai që s’do të vëllanë, të cilin e ka parë, si mund të dojë Perëndinë të cilin s’e ka parë?
21 Edhe këtë urdhërim e kemi prej tij: Ai që do Perëndinë, të dojë edhe të vëllanë.

Zbulesa

1 2 3 4 5

-5-

1 Kushdo që beson se Jisui është Krishti, ka lindur prej Perëndisë; edhe kushdo që do atë që e ka lindur, do edhe atë që ka lindur prej tij.
2 Nga kjo e dimë se duam të bijtë e Perëndisë, kur duam Perëndinë dhe ruajmë urdhërimet e tij.
3 Sepse kjo është dashuria e Perëndisë, të ruajmë urdhërimet e tij. Edhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda.
4 Sepse çdo gjë që ka lindur prej Perëndisë e mund botën, edhe kjo është fitorja që mundi botën: besimi ynë.
5 Cili është ai që mund botën, veç atij që beson se Jisui është i Biri i Perëndisë?
6 Ky është ai që erdhi me anë uji e me anë gjaku, Jisu Krishti; jo me anë uji vetëm, po me anë uji dhe gjaku; edhe Fryma është ajo që dëshmon, sepse Fryma është e vërteta.
7 Sepse tre janë ata që dëshmojnë në qiell: Ati, Fjala, edhe Fryma e Shenjtë, edhe këta të tre janë një.
8 Edhe tre janë ata që dëshmojnë në dhe: Fryma, edhe uji, edhe gjaku; edhe këta të tre janë në një.
9 Në qoftë se pranojmë dëshminë e njerëzve, dëshmia e Perëndisë është më e madhe; se kjo është dëshmia e Perëndisë që ka dëshmuar për të Birin.
10 Ai që beson të Birin e Perëndisë, ka dëshminë në veten e tij; ai që nuk beson Perëndinë, gënjeshtar e ka bërë atë, sepse nuk besoi dëshminë që dëshmoi Perëndia për të Birin.
11 Edhe kjo është dëshmia, se Perëndia na dha jetë të përjetshme, edhe kjo jetë është tek i Biri.
12 Ai që ka Birin, ka jetën; ai që s’ka Birin e Perëndisë, s’ka jetën.
13 Këto jua shkrova juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, që ta dini se keni jetë të përjetshme, – edhe që të besoni në emrin e Birit të Perëndisë. –
14 Edhe ky është guximi që kemi tek ai, se nëse kërkojmë gjë sipas dëshirës së tij, na dëgjon.
15 Edhe nëse e dimë që na dëgjon, çfarëdo që të kërkojmë, e dimë se i marrim kërkesat që kemi kërkuar prej tij.
16 Në paftë ndonjë vëllanë e tij se mëkaton mëkat jo për vdekje, do të kërkojë, edhe Perëndia do t’i japë atij jetë, atyre që nuk mëkatojnë për vdekje. Ka mëkat për vdekje; nuk them të lutet për atë mëkat.
17 çdo padrejtësi është mëkat; edhe ka mëkat jo për vdekje.
18 E dimë se kushdo që ka lindur nga Perëndia nuk mëkaton; por ai që ka lindur nga Perëndia e ruan veten e tij, edhe i ligu nuk e prek.
19 E dimë se jemi nga Perëndia dhe se gjithë bota gjendet nën pushtetin e të ligut.
20 Por e dimë se i Biri i Perëndisë erdhi, edhe na dha kuptim që të njohim të vërtetin; edhe jemi në të vërtetin, në Birin e tij Jisu Krisht. Ky është Perëndia i vërtetë dhe jeta e përjetshme.
21 Djemthit e mi, ruhuni nga idhujt. Amin.

Zbulesa

1 2 3 4 5

Letra e dyte e Apostull

Joanit

1 Unë plaku zonjës së zgjedhur dhe bijve të saj, të cilët unë i dua me të vërtetë, edhe jo vetëm unë, por edhe të gjithë ata që kanë njohur të vërtetën,
2 për të vërtetën që mbetet ndër ne dhe do të jetë bashkë me ne për gjithë jetën;
3 qoftë bashkë me ju hir, përdëllim, paqe prej Perëndisë Atë dhe prej Zotit Jisu Krisht, Birit të Atit, në të vërtetë e në dashuri.
4 U gëzova shumë se gjeta disa nga bijtë e tu duke ecur në të vërtetën, sikundër morëm urdhërim prej Atit.
5 Edhe tani të lutem ty, zonjë, jo sikur po të shkruaj ndonjë urdhërim të ri, por atë që kishim që në fillim, të duam njëri-tjetrin.
6 Edhe kjo është dashuria, të ecim sipas urdhërimeve të atij. Ky është urdhërimi, sikundër e dëgjuat që në fillim, që të ecni në atë.
7 Sepse shumë mashtrues hynë në botë, të cilët nuk rrëfejnë se Jisu Krishti erdhi në mish; i tillë është mashtruesi dhe antikrishti.
8 Vështroni veten tuaj, që të mos humbasim ato që punuam, por të marrim pagë të plotë.
9 Kushdo që bën shkelje dhe nuk mbetet në mësimin e Krishtit, ky nuk ka Perëndi; ai që mbetet në mësimin e Krishtit, ky ka edhe Atin edhe Birin.
10 Në qoftë se vjen ndonjë te ju edhe nuk sjell këtë mësim, mos e merrni në shtëpi, edhe mos i thoni atij: Përshëndetje.
11 Sepse ai që i thotë atij: Përshëndetje, bëhet pjesëtar në veprat e tij të liga.
12 Ndonëse pata shumë për t’ju shkruar juve, nuk desha me letër e me bojë; po shpresoj të vij tek ju, edhe të flas gojë më gojë, që të jetë i plotë gëzimi ynë.
13 Të përshëndesin djemtë e motrës tënde të zgjedhur. Amin.

Letra e trete e Apostull

Joanit

1 Unë, plaku, Gait të dashur, të cilin unë e dua me të vërtetë.
2 I dashur, për të gjitha lutem të shkosh mbarë e të jesh shëndoshë, sikundër shkon mbarë shpirti yt.
3 Sepse u gëzova shumë, se vijnë vëllezër dhe dëshmojnë për të vërtetën tënde, siç ecën ti në të vërtetën.
4 Nuk kam gëzim më të madh se këtë, të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën.
5 I dashur, ti punon me besëtari në ato që bën për vëllezërit edhe për të huajt
6 të cilët dëshmuan për dashurinë tënde përpara kishës; të cilët do të bësh mirë t’i përcjellësh siç është e denjë për Perëndinë.
7 Sepse për emrin e tij dolën, pa marrë asgjë nga kombet.
8 Ne pra kemi detyrë t’i presim të tillët, që të bëhemi bashkëpunëtorë për të vërtetën.
9 I shkrova kishës; po Diotrefi që dëshiron të jetë i parë ndër ata nuk na pranon.
10 Prandaj në ardhsha, do t’i kujtoj atij punët që bën, duke llomotitur me fjalë të liga kundër nesh; edhe sikur të mos i ishin mjaft këto, as vetë nuk i pret vëllezërit, por edhe ata që duan i ndalon, edhe nga kisha i nxjerr jashtë.
11 I dashur, mos ki për shembull të ligën, po të mirën. Ai që bën mirë, është nga Perëndia; por ai që bën keq, nuk e ka parë Perëndinë.
12 Për Dhimitrin jepet dëshmi e mirë nga të gjithë, edhe nga e vërteta vetë. Edhe ne dëshmojmë, edhe e dini se dëshmia jonë është e vërtetë.
13 Shumë kisha për të shkruar, po nuk dua të të shkruaj me bojë e me pendë.
14 Po shpresoj që për së shpejti të të shoh, edhe do të flasim gojë më gojë.
15 Paqja qoftë në ty. Të përshëndesin miqtë. Përshëndeti miqtë emër për emër.

Letrat e pergjithshme
e Apostull Joanit I-III

1 2 3 4 5 

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme