Letra e pare e pergjithshme
e Apostull Pjetrit

-1-

1 Pjetri, apostull i Jisu Krishtit, atyre që banojnë në dhe të huaj, të shpërndarë nëpër Pont, Galati, Kapadoqi, Azi e Bitini,
2 të zgjedhur sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit, me anë të shenjtërimit të Frymës, për bindje e spërkatje të gjakut të Jisu Krishtit; hir dhe paqe u shumofshin mbi ju.
3 Qoftë i bekuar Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jisu Krisht, i cili sipas përdëllimit të tij të shumtë na lindi përsëri në shpresë të gjallë me anë të ngjalljes së Jisu Krishtit prej së vdekurish,
4 për një trashëgim të paprishur e të papërlyer e të pavyshkur, që është ruajtur ndër qiejt për ne
5 të cilët me fuqinë e Perëndisë ruhemi me anë të besimit, për shpëtimin që është gati për t’u zbuluar në kohët e fundit.
6 Për këtë gëzohuni, ndonëse tani pakëz, po në u dashtë, hidhërohuni në çdo lloj ngasjesh,
7 që provimi i besimit tuaj që është shumë më i çmueshëm se ari që prishet, ndonëse provohet me anë zjarri, të gjendet për lëvdim dhe për nder e lavdi, kur të zbulohet Jisu Krishti,
8 të cilin, ndonëse s’e keni parë, e doni; tek i cili, ndonëse tani nuk e shihni, besoni dhe ngazëlloheni me gëzim të parrëfyeshëm e të lavdërueshëm,
9 duke marrë të pastajmen e besimit tuaj, shpëtimin e shpirtrave;
10 shpëtim për të cilin kërkuan dhe vëzhguan profetët që profetizuan për hirin që do të jepej mbi ju;
11 duke vëzhguar në cilën apo në çfarë kohe shfaqej Fryma e Krishtit që ishte mbi ata, kur dëshmonte që më përpara për pësimet e Krishtit dhe për lavditë pas tyre;
12 të cilëve iu zbulua jo për veten e tyre, po për ne i bënin ato, të cilat tani ju janë lajmëruar juve me anë të atyre që ju ungjillëzuan me anë të Frymës së Shenjtë, që u dërgua nga qielli, gjëra për të cilat engjëjt dëshirojnë të zgjaten për t’i parë.
13 Prandaj si të ngjishni meset e mendjes suaj, përmbani veten nga të ligat, edhe kini shpresë të plotë në hirin që do të vijë mbi ju, kur të zbulohet Jisu Krishti.
14 Si bij të dëgjueshëm, mos u bëni si në të njëjtën formë me dëshirimet e mëparshme që kishit në padijen tuaj.
15 Por siç është shenjt ai që ju thirri, kështu edhe ju bëhuni shenjtorë në gjithë sjelljen tuaj.
16 Sepse është shkruar: “Bëhuni shenjtorë, sepse unë jam shenjt” .
17 Edhe në quani Atë atë që gjykon pa mbajtur anë sipas punës së gjithësecilit, shkoni me frikë kohën e qëndrimit tuaj në këtë dhe të huaj;
18 duke ditur se nuk u çliruat nga jeta juaj e kotë që ju kanë lënë etërit me gjëra që prishen, me argjend ose me ar,
19 por me gjakun e çmuar të Krishtit, si të një qengji patëmetë e të panjollë;
20 i cili qe paracaktuar përpara se të ngrihet bota, por u shfaq në kohët e fundit për ju,
21 që me anë të atij i besoni Perëndisë që e ngjalli atë prej së vdekurish, e i dha atij lavdi, që besimi dhe shpresa juaj të jetë në Perëndinë.
22 Si të pastroni pra shpirtrat tuaj me bindjen në të vërtetën me anë të Frymës, për një dashuri vëllazërore e pa dy faqe, të doni fort njëri-tjetrin me zemër të kthjellët;
23 sepse jeni lindur përsëri jo prej fare që prishet, po prej fare që s’prishet, me anë të fjalës së Perëndisë që rron e që mbetet për gjithë jetën.
24 Sepse “çdo mish është si bar, edhe çdo lavdi njeriu si lule bari; u tha bari, edhe lulja e tij ra.
25 Po fjala e Zotit mbetet për gjithë jetën”. Edhe kjo është fjala që u ungjillëzua tek ju.

1 2 3 4 5

-2-

1 Si të hidhni tej pra çdo ligësi e çdo mashtrim, edhe hipokrizira, edhe smira e çdo përfolje,
2 si foshnja të sapolindura, të dëshironi qumështin e thjeshtë të shpirtit, që të rriteni me anë të tij për shpëtim,
3 sepse e keni ngjëruar “se Zoti është i mirë”.
4 Duke u afruar pranë tij, gurit të gjallë, të hedhur tej nga njerëzit, por për Perëndinë i zgjedhur, i çmuar,
5 edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtohuni në shtëpi shpirtërore, priftëri të shenjtë, që të blatoni therorë shpirtërorë, të pranuar tek Perëndia me anë të Jisu Krishtit.
6 Prandaj dhe thuhet në Shkrim: “Ja tek vë në Sion një gur kryeqosheje, të zgjedhur, të çmuar; edhe ai që i beson atij nuk do të turpërohet”.
7 Për ju pra që besoni, është i çmuar; po për të pabindurit “guri që hodhën tej ndërtuesit, ky u bë kreu i qoshes dhe gur pengese e gur skandali”;
8 të cilët pengohen në fjalën, sepse nuk binden, gjë për të cilën edhe ishin caktuar.
9 Po ju jeni “brez i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë”, popull që fitoi Perëndia, që të tregoni vitytet e atij që ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme;
10 ju, të cilët dikur nuk ishit popull, por tani jeni popull i Perëndisë; ju që dikur nuk ishit të përdëllyer, po tani u përdëllyet.
11 Të dashur, ju lutem si të huaj e të ardhur që jeni, të hiqni dorë nga dëshirimet e mishit, të cilat janë në luftë kundër shpirtit.
12 Të keni sjellje të mirë ndër kombet, që, tek ju përflasin si keqbërës, kur të shohin veprat tuaja të mira, të lavdërojnë prej atyre Perëndinë në ditën e ardhjes së tij.
13 Bindjuni pra çdo pushteti njerëzor, për Zotin;
14 qoftë mbretit, se qëndron më lart nga të gjithë, qoftë qeveritarëve, si të dërguar prej tij për shpagim ndaj keqbërësve, por edhe për të lëvdim të mirëbërësve.
15 Sepse kështu është vullneti i Perëndisë, që duke bërë mirë, t’i mbyllni gojën paditurisë së njerëzve të marrë;
16 si të lirë, e jo si njerëz që kanë lirinë për mbulesë të ligësisë, por si shërbëtorë të Perëndisë.
17 Nderoni të gjithë; të doni vëllazërinë; kini frikë Perëndinë; nderoni mbretin.
18 Ju shërbëtorët, bindjuni zotërve tuaj me çdo frikë, jo vetëm të mirëve e të butëve, po edhe të shtrembërve;
19 sepse ky është hir, të durojë njeriu hidhërime për ndërgjegjen në Perëndinë, duke pësuar padrejtësisht.
20 Sepse çfarë lavdie është, në durofshi, kur të rriheni për mëkate? Po në durofshi duke bërë mirë e duke pësuar, ky është hir pranë Perëndisë.
21 Sepse për këtë u thirrët, sepse edhe Krishti pësoi për ju, edhe ju la një shembull, që të ecni pas gjurmëve të tij;
22 I cili “nuk mëkatoi, as nuk u gjet mashtrim në gojën e tij”,
23 që kur përqeshej nuk përqeshte, kur pësonte nuk frikësonte, por jepte veten në dorën e atij që gjykon me drejtësi,
24 që mbajti vetë mëkatet tona në trupin e tij mbi dru, që, si të vdesim në mëkatet, të rrojmë në drejtësi; “me plagët e të cilit u shëruat”.
25 Sepse ishit “si dhen të arratisur”, po tani u kthyet te bariu dhe mbikqyrësi i shpirtrave tuaj.

1 2 3 4 5

-3-

1 Gjithashtu edhe ju gratë, ulini kryet burrave tuaj, që, edhe në mos iu bindshin disa fjalës, të fitohen pa fjalë nga sjellja e grave,
2 pasi të shohin sjelljen tuaj të dëlirë e me frikë.
3 Stolia juaj le të mos jetë e përjashtmja, ajo e gërshetimit të flokëve dhe e varjes së stolive të arta, ose e veshjes së rrobave,
4 por njeriu i fshehtë i zemrës, stolisur me paprishjen e shpirtit të butë dhe të qetë, që përpara Perëndisë është shumë i çmueshëm.
5 Sepse kështu dikur edhe gratë e shenjta, ato që shpresonin tek Perëndia, stolisnin veten e tyre, duke iu ulur kryet burrave të tyre;
6 siç i bindej Sara Abrahamit, duke e quajtur atë zot; bija të saj jeni ju, kur bëni mirë dhe nuk trembeni nga asnjë frikësim.
7 Ju burrat, gjithashtu, jetoni me gratë tuaja me urtësi, duke e nderuar gruan si enë më të brishtë dhe si bashkëtrashëgimtare të hirit të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.
8 Edhe së fundi, bëhuni të gjithë në një mendje, të dhembshur, vëlladashës, përdëllimtarë, të mirësjellshëm.
9 Mos shpaguani të keq me të keq, apo të sharë me të sharë; por përkundrazi, duke bekuar; sepse për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekim.
10 “Sepse kush do të dojë jetë, edhe të shohë ditë të bardha, le të pushojë gjuhën e tij nga e keqja, edhe buzët e tij të mos flasin mashtrim;
11 le të shmanget nga e liga, edhe le të bëjë mirë; le të kërkojë paqe, edhe le ta ndjekë atë.
12 Sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët, edhe veshët e tij në lutjen e tyre; po fytyra e Zotit është kundër atyre që bëjnë të liga”.
13 Edhe kush do t’ju bëjë keq juve, nëse i bini prapa së mirës?
14 Po edhe nëse hiqni keq për drejtësinë, të lumur jeni, “edhe nga frika e tyre mos kini frikë, as mos u turbulloni”,
15 po “shenjtëroni Zotin, Perëndinë” në zemrat tuaja; edhe jini gati përherë të mbroheni me butësi e me frikë ndaj cilitdo që të kërkojë prej jush arsye për shpresën që është ndër ju;
16 duke pasur ndërgjegje të mirë, që, ndërsa, ju përflasin si keqbërës, të turpërohen ata që shpifin për sjelljen tuaj të mirë në Jisu Krishtin.
17 Sepse është më mirë të pësoni duke bërë mirë, në është kështu vullneti i Perëndisë, se sa duke bërë keq.
18 Sepse edhe Krishti vetëm një herë pësoi për mëkatet, i drejtë për të padrejtët, që të na sjellë tek Perëndia, duke vdekur në mish, por duke u bërë i gjallë me anë të Frymës;
19 me anë të të cilës shkoi të predikonte edhe tek frymërat që ishin në burg,
20 të cilat nuk u bindën dikur, kur i priste zemërgjerësia e Perëndisë, në ditët e Noes, ndërsa ndërtohej arka, në të cilën të paktët, domethënë tetë shpirtra shpëtuan me anë të ujit,
21 shëmbëllesa e të cilit, pagëzimi, na shpëton tani edhe ne, – jo hedhja tej e ndyrësisë së mishit, por dëshmia e ndërgjegjes së mirë në Perëndinë, – me anë të ngjalljes së Jisu Krishtit,
22 i cili shkoi në qiell dhe është në të djathtë të Perëndisë, edhe të cilit iu nënshtruan engjëjt dhe pushtetet e fuqitë.

1 2 3 4 5

-4-

1 Pasi pësoi pra Krishti në mish për ne, armatosuni edhe ju me po atë mendim; sepse ai që pësoi në mish, pushoi nga mëkati,
2 që ta shkoni jetën që ju mbetet në mish jo më në dëshirimet e njerëzve, po sipas dëshirës së Perëndisë.
3 Sepse mjaft është për ne koha e jetës që shkoi, që bëmë dëshirën e kombeve, duke ecur në ndyrësira, në dëshirime, në dehje, në argëtime, në të pira, edhe në idhujtarira të paudha.
4 Edhe prandaj u vjen çudi atyre, se nuk ecni bashkë me ata në po atë vërshim të plangprishjes, edhe ju shajnë juve.
5 Ata do t’i japin llogari atij që është gati të gjykojë të gjallë e të vdekur.
6 Sepse për këtë u predikua ungjilli edhe tek të vdekurit, që të gjykohen sipas njerëzve në mish, e të rrojnë sipas Perëndisë në frymë.
7 Edhe fundi i të gjithave u afrua; urtësohuni pra, e rrini zgjuar në lutje.
8 Edhe përmbi të gjitha kijeni të zjarrtë dashurinë në mes tuaj; sepse “dashuria do të mbulojë një mori mëkatesh”.
9 Të jeni mikpritës për njëri-tjetrin, pa ankesa.
10 Gjithësecili sipas dhuntisë që mori, sipas kësaj shërbejini njëri-tjetrit, si kujdestarë të mirë të hirit të shumëllojshëm të Perëndisë.
11 Nëse flet ndonjë, le të flasë fjalë si fjalë Perëndie; nëse shërben ndonjë, le të shërbejë si prej fuqisë që i jep Perëndia, që mbi të gjitha të lavdërohet Perëndia me anë të Jisu Krishtit, të cilit i përket lavdia dhe fuqia në jetë të jetëve. Amin.
12 Të dashur, mos t’ju vijë çudi për zjarrin që u bë tek ju për t’ju vënë në provë, si të ketë ngjarë tek ju ndonjë punë e çuditshme.
13 Por gëzohuni se jeni pjesëtarë të pësimeve të Krishtit, që të gëzoheni duke u ngazëlluar edhe në zbulimin e lavdisë së tij.
14 Nëse shaheni për emrin e Krishtit, jeni të lumur; sepse Fryma e lavdisë dhe ajo e Perëndisë prehet mbi ju; sipas atyre shahet, po sipas jush lavdërohet.
15 Sepse asnjë prej jush le të mos pësojë si vrasës, apo si vjedhës, apo si keqbërës, apo si ndërhyrës në punët e të tjerëve.
16 Edhe në pësoftë si i krishterë, le të mos ketë turp, por le të lavdërojë Perëndinë për këtë.
17 Sepse arriti koha të nisë gjyqi nga shtëpia e Perëndisë; edhe në nistë më përpara nga ne, cili do të jetë fundi i atyre që s’binden në ungjillin e Perëndisë?
18 Edhe “nëse i drejti mezi shpëton, i pabesi edhe mëkatari ku do të duket”?
19 Prandaj edhe ata që pësojnë sipas vullnetit të Perëndisë, le t’ia besojnë shpirtrat e tyre atij si krijues besnik, me vepra të mira.

1 2 3 4 5

-5-

1 U lutem pleqve që janë ndër ju unë plaku, shoku i tyre, edhe dëshmitar i pësimeve të Krishtit, edhe pjesëtar i lavdisë që është për t’u zbuluar:
2 Ruani grigjën e Perëndisë që është ndër ju, duke u kujdesur për atë jo me pahir, po me dëshirë; as për fitim të pndershëm, po me gatishmëri;
3 as si të jeni zotërinj mbi trashëgimin e Perëndisë, po duke u bërë shëmbuj për grigjën.
4 Edhe kur të shfaqet kryebariu, do të merrni kurorën e pavyshkur të lavdisë.
5 Gjithashtu edhe ju më të rinjtë, ulini kryet pleqve; edhe të gjithë, duke i ulur kryet njëri-tjetrit, vishni mendjen e përulur; sepse “Perëndia u rri kundër kryelartëve, po të përulurve u jep hir”.
6 Përuluni pra nën dorën e fortë të Perëndisë, që t’ju lartësojë në kohën e duhur.
7 Edhe gjithë kujdesin tuaj hidheni mbi atë, sepse ai kujdeset për ju.
8 Përmbani veten, rrini zgjuar; sepse ndërgjyqësi juaj, djalli, si luan që ulërin, vjen përqark duke kërkuar cilin të gllabërojë.
9 Atij i rrini kundër duke qëndruar të fortë në besim, sepse e dini se po ato pësime u bëhen vëllezërve tuaj në botë.
10 Edhe Perëndia i çdo hiri, që na thirri në lavdinë e tij të përjetshme me anë të Jisu Krishtit, pasi të pësoni pak, ai ju bëftë të përsosur, ju forcoftë, ju dhëntë fuqi, ju themeloftë.
11 Atij i qoftë lavdia dhe pushteti në jetë të jetëve. Amin.
12 Me anë të Siluanit, vëllait besnik, kështu e mendoj, ju shkrova juve me pak fjalë, duke u lutur e duke dhënë dëshmi, se ky është hiri i vërtetë i Perëndisë, ky në të cilin qëndroni.
13 Ju përshëndet kisha që është në Babilonë, që është e zgjedhur bashkë me ju, edhe Marku, biri im.
14 Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje dashurie.
Paqe mbi të gjithë ju që jeni në Jisu Krishtin. Amin.

1 2 3 4 5

Letra e pare e pergjithshme
e Apostull Pjetrit

1 2 3 4 5 

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme