KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE
E SHQIPËRISË

STATUTI
I KISHËS ORTHODHOKSE
AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË
TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, që ka si themelues dhe Krye të saj Zotin dhe Perëndinë tonë Jisu Krisht, është institucion hyjnor si prania dhe shfaqja në vend e Një Kishe të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike, e bashkuar në mënyrë të pandashme me Patriarkanën Ekumenike, me të gjitha Kishat simotra Autoqefale dhe ruan të paluajtshme burimet e besimit, d.m.th. Shkrimin e Shenjtë dhe Traditën e Shenjtë si dhe Kanonet e Shenjta apostolike e sinodike

Titulli i saj zyrtar është «Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë».

Neni 2

Anëtarë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë janë të gjithë të pagëzuarit në Kishën Orthodhokse dhe janë banorë të Shqipërisë, pa dallim origjine.

 

Neni 3

Kanonet e Shenjta të Kishës Orthodhokse, të cilat përbëjnë themelin e përbashkët të organizimit dhe administrimit të të gjitha Kishave Orthodhokse të botës, rregullojnë sistemin e organizimit, administrimit dhe zhvillimit të jetës së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Në rast se lindin paqartësi në lidhje me interpretimin e saktë të neneve të këtij Statuti, kriter dhe tekst referimi përbëjnë Kanonet e Shenjta.

 

Neni 4

 

Rëndësi themelore për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë kanë:

Për sa i përket aspektit kishtar: Tomosi Patriarkal dhe Sinodik, me të cilin Patriarkana Ekumenike, sipas rendit kishtar, i dha asaj autoqefalinë (prill 1937) dhe në këtë mënyrë njohjen kanonike prej të gjitha Kishave Orthodhokse në mbarë botën si Kishë Autoqefale.

Për sa i përket aspektit shtetëror: neni 10, paragrafi 6 dhe neni 24 paragrafi 1, 2 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e vitit 1998, me të cilin në bazë të nenit 10, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, si njëra prej komuniteteve fetare tradicionale të vendit, njihet si person juridik dhe është e pavarur në administrimin e pasurisë së saj sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve të veta. Me anë të nenit 24, paragrafi 1, 2 garantohet liria fetare dhe e drejta e shprehjes së besimit fetar individualisht ose në grup, në jetën private ose publike me anë të adhurimit, të arsimimit, të ruajtjes së zakoneve, dhe të manifestimeve publike.

 

Neni 5

 

Marrëdhëniet ndërmjet Shtetit dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë rregu­llohen sipas neneve 10 dhe 24 të Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe në bazë të marrëveshjes të parashikuar midis tyre.

 

Neni 6

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë si vazhduese kanonike e traditës shumësheku­llore të Kishës Orthodhokse në territorin gjeografik të shtetit të sotëm shqiptar është e vetmja trashëgimtare e ligjshme e të gjithë titujve, pronave dhe pasurive, të trashëgimisë kulturore Orthodhokse, të të drejtave të famullive, manastireve dhe bashkësive brenda Shqipërisë.

 

Neni 7

 

Gjuha zyrtare e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë është shqipja. Orthodhoksët e gjuhëve të tjera mund të përdorin gjatë adhurimit hyjnor gjuhën e tyre tradicionale adhuruese, me kusht që tekstet në përdorim të kenë miratimin e Sinodit të Shenjtë, siç edhe për tekstet e shërbesave fetare në shqip.

Në korrespodencën me Kisha të tjera Autoqefale apo me subjekte të huaja në përgjithësi, përdoren edhe gjuhë të tjera.

 

ORGANIZIMI

 

Neni 8

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë organizohet si më poshtë:

Kryepiskopata e Tiranës, Durrësit, që përfshin Zëvendësitë Kryepiskopale Lokale: të Tiranës, Durrësit, Shkodrës dhe Shqipërisë së Veriut.

Mitropolia e Beratit, që përfshin Zëvendësitë Mitro­politane Lokale: Berat, Lushnjë, Vlorë dhe Mallakastër.

Mitropolia e Gjirokastrës, që përfshin Zëvendësitë Mitropolitane Lokale: të Gjirokastrës, Pogonit, Përmetit, Sarandës, Delvinës dhe Himarës.

Mitropolia e Korçës, që përfshin Zëvendësitë Mitropolitane Lokale: të Korçës, Prespës, Pogradecit, Devollit dhe Kolonjës.

Mitropolia e Elbasanit, që përfshin Zëvendësitë Mitropolitane Lokale: Elbasan, Shpat, Librazhd.

Mitropolia e Apollonisë dhe e Fierit, që përfshin Zëvendësitë Mitropolitane Lokale: Fier, Patos, Libofshë.

 

Neni 9

Kur për arsye baritore gjykohet e nevojshme, Sinodi i Shenjtë mund të formojë mitropoli apo episkopata, duke ndjekur procedurën e parashikuar prej rregullit Kanonik dhe Traditës së Kishës.

 

Neni 10

Asnjë klerik orthodhoks nuk mund të ushtrojë detyrën e tij priftërore në Shqipëri, në qoftë se nuk është i lidhur kanonikisht me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe pa pasur paraprakisht një leje të veçantë prej autoritetit kishtar kompetent.

 

SINODI I SHENJTË

 

Neni 11

Sinodi i Shenjtë është Autoriteti më i Lartë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, sipas Tomosit Patriarkal dhe Sinodik të dhënies së Autoqefalisë prej Patriarkanës Ekumenike. Ai përbëhet nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë si Kryetar i përhershëm dhe nga Mitropolitët e Episkopët aktivë.

Sinodi i Shenjtë e ka qendrën në kryeqytetin e vendit dhe titulli i tij zyrtar është: «Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë».

 

Neni 12

Kompetencat e Sinodit të Shenjtë janë:

Ruan besimin, adhurimin, disiplinën kishtare dhe drejtimin e Kishës sipas dogmave dhe Kanoneve të Shenjta

Zgjedh Kryepiskopin, Mitropolitët e Episkopët dhe lëshon Qarkoret përkatëse për njohjen e tyre.

Emëron mëkëmbësit e Mitropolive të Shenjta vakante.

Ushtron kontroll kanonik mbi aktet dhe veprimet e Mitropolitëve dhe Episkopëve, si dhe mbi të gjitha organet e Kishës.

Kujdeset për marrjen e Miros së Shenjtë prej Kishës së Madhe të Krishtit.

Kujdeset për formimin e duhur të Klerikëve dhe Murgjve dhe për zbatimin me ko­rre­ktësi të detyrave të tyre.

Kujdeset për formimin fetar të popullit orthodhoks nëpërmjet predikimeve, bisedave, katekizmit, vizitave baritore, botimit të literaturës fetare, medias etj.

Miraton literaturën me përmbajtje fetare, e cila mund të qarkullojë brenda famullive, manastireve apo institucioneve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Vendos për dorëheqjen e anëtarëve të tij.

Gjykon Kryetarin e Sinodit dhe anëtarët e tij për shkelje dogmatike dhe kanonike, në përputhje me Kanonet e Shenjta. Gjykon çësht­jet që kanë të bëjnë me zhveshjen e klerikëve.

Interpreton në mënyrë autentike, për të gjitha organet kishtare, dispozitat e Statutit dhe të Rregullores së Përgjithshme të Administrimit.

Thërret Asamble dhe Mbledhje Kishtare kur e lypin nevojat e Kishës.

Ngre Komisione Sinodike për qëllime studimore e konsultative në lidhje me probleme të posaçme.

Mbikëqyr administrimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme të Kryepiskopatës, të Mitropolive, të Famullive dhe Manastireve.

Themelon fondacione dhe shoqata në shërbim të veprës shpirtërore, shoqërore, arsimore e kulturore të Kishës.

Vendos për çështje të çdo natyre, të cilat nuk rregullohen nëpërmjet këtij Statuti apo të Rregullores.

 

Neni 13

Sinodi i Shenjtë mblidhet nën kryesinë e Kryepiskopit rregullisht çdo tre muaj dhe në raste të jashtëzakonshme kur e lyp nevoja.

Kompetent për mbledhjen e Sinodit të Shenjtë dhe për caktimin e rendit të ditës është sipas Kanoneve të Shenjta vetëm Kryetari i Sinodit të Shenjtë.

Gjithashtu Sinodi i Shenjtë mblidhet nga Kryetari i tij nëse kjo gjë kërkohet me shkrim të paktën prej gjysmës së numrit të anëtarëve të tij.

Në mungesë të Kryetarit të Sinodit të Shenjtë kryeson mbledhjen Mitropoliti më i vjetër sipas kohës së dorëzimit, duke pasur urdhrin kanonik me shkrim ose lejen e Kryepiskopit.

Pjesëmarrja e kryepriftërinjve në mbledhjet e zakonshme ose të jashtëzakonshme të Sinodit të Shenjtë është e detyrueshme. Ata që mungojnë pa ndonjë arsye serioze në këto mbledhje iu nënshtrohen sanksioneve të parashikuara prej Kanoneve të Shenjta.

 

Neni 14

Sinodi i Shenjtë ka Kryesekretar klerik dhe Sekretar klerik të propozuar nga Kryepiskopi dhe të emëruar nga Sinodi i Shenjtë.

 

Neni 15

Sinodi i Shenjtë konsiderohet i mbledhur rregullisht kur marrin pjesë Kryetari i tij dhe të paktën gjysma e numrit të të gjithë anëtarëve të tij. Merr vendime të vlefshme me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm dhe në rast barazie votash mbizotëron vota e Kryetarit.

 

Neni 16

Në intervalin kohor midis seancave të Sinodit të Shenjtë, për çështje urgjente ose të zakon­shme, është Kryepiskopi ai që vepron dhe informon Sinodin e Shenjtë në mbledhjen e parë të tij ku dhe miraton edhe veprimet e Kryepiskopit gjatë këtij intervali.

 

KRYEPRIFTËRINJTË

 

Neni 17

Zgjedhja e kryepriftërinjve (Kryepiskopi, Mitropolitët, Episkopët) bëhet nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqi­përisë sipas Kanoneve të Shenjta.

Këshilli Kleriko-laik, propozon kandidatët për dorëzimin në gradën episkopale. Në fund Sinodi i Shenjtë zgjedh njërin prej tyre.

Kandidatët për dorëzim në gradën episkopale, përveç cilësive që kërkojnë Kanonet e Kishës, duhet të jenë diplomuar në Akademinë Teologjike Orthodhokse «Ngjallja» ose në një fakultet teologjik orthodhoks të nivelit universitar dhe të kenë punuar dhe qëndruar të paktën për një periudhë trevjeçare në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Kryepriftërinjtë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë kanë shtetësi shqiptare. Në raste të veçanta mund të bëhet përjashtim me vendim të Këshillit Kishtar Kleriko-laik dhe të Sinodit të Shenjtë.

Për dorëzimin e Kryepriftërinjve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë kërkohet të jenë të pranishëm të paktën tre Kryepriftërinj. Në rast se numri i Episkopëve është më i vogël se tre, atëherë mund të kërkohet ndihma e Patriarkanës Ekumenike, e cila ka dhënë edhe autoqefalinë.

 

Neni 18

Sipas nevojave që ka Kisha, është e mundur të zgjidhen nga Sinodi i Shenjtë, mitropolitë titullarë ose episkopë titullarë, me detyra të përcaktuara. Këta konsiderohen kryepriftërinj aktivë dhe janë anëtarë të Sinodit të Shenjtë.

 

Neni 19

Gjatë marrjes së detyrës Kryepriftërinjtë japin këtë premtim përpara Sinodit:

«Premtoj përpara Perëndisë Triadik se do të ruaj besimin ndaj dogmave kishtare dhe kanoneve të Kishës Orthodhokse dhe do të ruaj lidhjet me Patriarkanat Orthodhokse dhe Kishat Autoqefale në mbarë botën».

 

KRYEPISKOPI

 

Neni 20

Kryepiskopi është Kryetari i Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, kreu i të krishterëve orthodhoksë në Shqipëri, përfaqësuesi i tyre përpara autoriteteve shtetërore dhe organizmave ndërkombëtarë dhe përpara çdo lloj autoriteti dhe pushteti.

 

Neni 21

Titulli i Tij është: «Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë». Kurse fama e tij në shërbesat kishtare thirret sipas traditës liturgjike të Kishës vendore. Kryepiskopi ka të gjitha detyrimet dhe të gjitha të drejtat e parashikuara nga Kanonet e Shenjta dhe nga ky Statut.

 

Neni 22

Kryepiskopi ka këto detyra dhe të drejta:

Ia bën të ditur Kishës së Madhe të Krishtit dhe të gjitha Kishave Orthodhokse Autoqefale motra në të gjithë botën, sipas rregullit të Kishës Orthodhokse, zgjedhjen dhe ngjitjen e tij në fronin Kryepiskopal nëpërmjet letrave fronëzuese. Bën pohimin e ligjshëm dhe siguron se do ruajë në mënyrë të palëkundur besimin orthodhoks dhe çdo gjë që urdhërojnë Kanonet e shenjta, Tradita e Shenjtë dhe rregulli i Kishës së Shenjtë Orthodhokse. Përkujton sipas rregullit në Diptikët emrin e Patriarkut Ekumenik, të Patriarkëve të tjerë dhe të kryetarëve të Kishave të Shenjta Orthodhokse Autoqefale.

Thërret Sinodin e Shenjtë dhe të gjitha strukturat apo organet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe kryeson mbledhjet e tyre.

Përfaqëson Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë përpara autoriteteve shtetërore dhe kudo që e lyp nevoja, personalisht ose me anë të përfaqësuesve.

Përfaqëson Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në çdo marrëveshje shitblerjeje të pasurisë së paluajtshme në Shqipëri dhe jashtë vendit, personalisht ose me përfaqësues të prokuruar prej Tij.

Ruan kungimin dhe komunikimin kishtar me Kishat e tjera Orthodhokse.

Nxjerr qarkore për të gjitha famullitë orthodhokse të Shqipërisë, viziton, kur e shikon të arsyeshme, Hierarkët e Kishës.

Dorëzon Mitropolitët dhe Episkopët sipas Kanoneve të Shenjta së bashku me Hierarkë të tjerë, anëtarë të Sinodit të Shenjtë.

Pranon ankesat e justifikuara kundër Kryepriftërinjve dhe i propozon Sinodit të Shenjtë kryerjen e hetimeve, duke caktuar për këtë qëllim një anëtar të tij.

Viziton të paktën një herë në dy vjet famullitë e Kryepiskopatës dhe i parashtron Sinodit të Shenjtë çdo vit një raport në lidhje me ato.

Kur bëhet fjalë për çështje apo paqartësi të një natyre të përgjithshme kishtare që i kapërcen kufijtë e juridiksionit përkatës të Kishave Autoqefale, Kryepiskopi i drejtohet sipas rregullit kanonik Fronit Ekumenik, nëpërmjet të cilit realizohet kungimi me çdo episkopatë orthodhokse që përcakton drejt fjalën e së vë­rtetës dhe kështu u kërkon Kishave motra mendimin dhe pikëpamjet e tyre të vlefshme.

Ndërmerr iniciativa në shkallë të gjerë kur vendi ndodhet në gjendje të jashtëzakon­shme për shkak të fatkeqësive natyrore apo për shkaqe të tjera, duke bashkëpunuar me autoritetet shtetërore, me kryesitë e bashkësive të tjera fetare dhe organizmat ndërkombëtarë për lehtësimin e të prekurve dhe zhdukjen e pasojave.

Ushtron edhe çdo të drejtë tjetër që i jepet nga Kanonet e Shenjta.

 

Neni 23

Kryepiskopi mund të ketë dy deri në tre Episkopë ndihmës, të cilët kryejnë detyra të posaçme të ngarkuara prej tij dhe kanë të gjitha privilegjet e Kryepriftërinjve aktivë.

 

MITROPOLITI

 

Neni 24

Të drejtat dhe detyrat e Mitropolitit janë si më poshtë:

Merr pjesë në Sinodin e Shenjtë. Drejton dhe bariton Mitropolinë brenda kufijve të cak­tuar të dioqezës së tij.

Është anëtar i Sinodit të Shenjtë dhe përfaqëson Mitropolinë e tij përpara autoriteteve shtetërore lokale dhe kudo që është e nevojshme, personalisht ose me anë të përfaqësuesve të tij.

Dorëzon klerikët e dioqezës së tij.

U jep klerikëve të Mitropolisë së tij dënimet e parashikuara nga Kanonet e Shenjta. Për shkelje më të rënda, të cilat përbëjnë skandal, i çon në Gjykatat Kishtare kompetente.

Viziton të paktën një herë në dy vjet famullitë e Mitropolisë së tij, për të kontrolluar ecurinë e punëve kishtare, jep udhëzimet përkatëse dhe i parashtron Sinodit të Shenjtë raportin vjetor përkatës.

 

Neni 25

Mitropoliti kujton gjatë celebrimit të Liturgjisë Hyjnore «Për Kryepiskopin tonë …». Gëzon çdo të drejtë që i jepet nga Kanonet e Shenjta.

 

Neni 26

Çdo Kryeprift duhet të qëndrojë vazhdimisht brenda kufijve të Mitropolisë së tij, me përjashtim të rasteve kur merr pjesë në mbledhjet e Sinodit të Shenjtë apo në mbledhje të tjera zyrtare ose kur është me leje të zakonshme. Për çdo rast tjetër kërkohet miratimi i Kryetarit të Sinodit të Shenjtë.

Për çështje me karakter zyrtar Kryeprifti komunikon me autoritetet kishtare të Kishave të tjera Orthodhokse Autoqefale nëpërmjet Sinodit të Shenjtë.

 

ASAMBLEJA KLERIKO – LAIKE

 

Neni 27

Për trajtimin e problemeve të përgjithshme, të cilat shqetësojnë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Asambleja Kleriko-laike mblidhet detyrimisht çdo dy vjet, por edhe në raste të jashtëzakonshme kur e lyp nevoja.

Asambleja Kleriko-laike studion problemet kishtare dhe shoqërore aktuale dhe i propozon Sinodit të Shenjtë dhe Këshillit Kishtar Kleriko-laik masa për kryerjen e veprës kishtare dhe në përgjithësi të «dëshmisë» orthodho­kse në botën e sotme. Çështjet dogmatike dhe kanonike janë kompetencë ekskluzive e Sinodit të Shenjtë.

 

Neni 28

Në të marrin pjesë anëtarët e Sinodit të Shenjtë, anëtarët e Këshillit Kleriko-laik, dy përfaqësues nga çdo manastir i shenjtë dhe njëzet klerikë dhe njëzet e katër laikë, me përfaqësim të përshtatshëm, burra, gra dhe të rinj, nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë. Sipas kushteve konkrete ky numër mund të shtohet me 1/3 me vendim të Sinodit të Shenjtë.

Për Asamblenë e caktuar klerikët zgjidhen prej plenumit të klerikëve të Kryepiskopatës dhe të Mitropolive, ndërsa laikët zgjidhen prej anëtarëve të Këshillave të Famullive dhe prej bordeve të Fondacioneve të Kishës të miratuara nga Sinodi i Shenjtë. Për të arritur një përfaqësim sa më të mirë të të gjitha dioqezave, Sinodi i Shenjtë lëshon në çdo rast qarkoren përkatëse.

 

KËSHILLI KISHTAR KLERIKO – LAIK

 

Neni 29

Për administrimin e pasurisë kishtare dhe kontrollin e pasurive të kishave të komunite­teve orthodhokse si dhe të manastireve, Sinodi i Shenjtë krijon në selinë qendrore të Kishës së Shqipërisë «Këshillin Kishtar Kleriko-laik», të përbërë nga të gjithë anëtarët e Sinodit dhe nga dymbëdhjetë klerikë e laikë.

Këshilli Kishtar Kleriko-laik merr pjesë edhe në veprimtaritë kishtare të parashikuara në nenet 17, 27, 70 të këtij Statuti.

Katër anëtarët klerikë dhe katër laikë të Këshillit Kishtar Kleriko-laik zgjidhen çdo katër vjet prej anëtarëve të këshillave të Kryepiskopatës dhe të Mitropolive. Katër të tjerët zgjidhen nga Sinodi i Shenjtë.

Një Komision Ekzekutiv prej pesë anëtarësh, i zgjedhur nga Këshilli Kishtar Kleriko-laik, zbaton vendimet e tij. Të dyja këto struktura kryesohen nga Kryepiskopi.

 

Neni 30

Përveç Këshillit Kishtar Kleriko-laik funksionon Komisioni i Kontrollit, i cili kontrollon administrimin financiar të Kryepiskopatës dhe të Mitropolive dhe raporton në lidhje me këto në Sinodin e Shenjtë.

 

Neni 31

Këshilli Kishtar Kleriko-laik shqyrton buxhetin e shpenzimeve të vitit të kaluar dhe buxhetin preventiv të ardhshëm, që miratohen përfundimisht nga Sinodi i Shenjtë.

Harton Rregulloren e Përgjithshme të Admi­nistrimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila miratohet përfundi­misht nga Sinodi i Shenjtë.

 

Neni 32

Këshilli Kishtar Kleriko-laik mblidhet rregullisht dy herë në vit dhe Komisioni Ekzekutiv në çdo tre muaj. Të dy organizmat mblidhen dhe në raste të jashtëzakonshme sa herë që është nevoja me ftesë të Kryepiskopit.

Detyrën e Sekretarit të Këshillit Kishtar Kleriko-laik e kryen Kryesekretari i Sinodit të Shenjtë.

 

KËSHILLI KRYEPISKOPAL DHE MITROPOLITAN

 

Neni 33

Pranë Kryepiskopatës dhe çdo Mitropolie krijohet një Këshill Kishtar i Kryepiskopatës ose i Mitropolisë në mbështetje të veprës së Hierarkut përkatës.

Këshilli Kishtar përbëhet nga Kryepiskopi ose Mitropoliti si Kryetar, nga pesë klerikë dhe pesë laikë me përfaqësim të përshtatshëm, burra, gra dhe të rinj. Anëtarët zgjidhen në çdo katër vjet sipas Rregullores së Përgjithshme të Administrimit.

Këshilli Kishtar i Kryepiskopatës ose Mitropolive mblidhet me ftesë të Kryetarit rregullisht tri herë në vit dhe në raste të jashtë­zakonshme sa herë që e lyp nevoja. Shqyrton kushtet e krijuara, të cilat ndikojnë në ecurinë e Kryepiskopatës apo të Mitropolive dhe kërkon mënyra më efikase për kryerjen e veprës shpirtërore, baritore dhe shoqërore të Kishës.

 

ZËVENDËSIA LOKALE

 

Neni 34

Zëvendësia Lokale është një njësi kishtare administrative, e cila përfshin një numër të caktuar famullish të një zone të caktuar të Kryepiskopatës apo të Mitropolive.

Neni 35

Kryepiskopi dhe Mitropolitët emërojnë si përfaqësues të tyre një klerik si Epitrop Arki­hieratik për çdo Zëvendësi Lokale, i cili koordinon punën kishtare në këtë zëvendësi në emër dhe me udhëzimet e drejtpërdrejta të Hierarkut përkatës.

 

Neni 36

Epitropi Arkihieratik kryeson Këshillin Kishtar të Zëvendësisë Lokale, i cili përbëhet nga tre klerikë të tjerë dhe tre laikë. Këta zgjidhen për një periudhë katërvjeçare nga Këshillat Famullitare dhe emërohen prej Hierarkut përkatës. Epitropi Arkihieratik kujdeset për zbatimin e porosive, vendimeve dhe urdhëresave të autoriteteve kishtare më të larta në të gjitha famullitë e Zëvendësisë.

 

MANASTIRET

 

Neni 37

Manastiri i Shenjtë është qendër asketizmi, jete adhuruese dhe rrezatimi shpirtëror sipas traditave murgërore të Kishës Orthodhokse.

Çdo manastir drejtohet prej Vëllazërisë që jeton në të, nën kryesinë e Igumenit dhe të anëtarëve të Këshillit Igumenik.

Manastiret e hirshme në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, zbatojnë kanonet e shenjta dhe traditat murgjërore Orthodhokse.

Për ruajtjen, mbikëqyrjen dhe sigurinë e pasurisë së manastireve të shenjta që lulëzuan në kohë të mëparshme dhe sot nuk kanë murgj, përkujdeset Komisioni Ekonomik i Kryepiskopatës ose i çdo mitropolie.

Manastiret e Hirshme të Lindjes së Hyjlindëses të Ardenicës, të Ungjillëzimit të Hyjlindëses të ishullit Zvërnec, Shën Marenës, Llëngë, dhe Shën Theodhorëve, Dhërmi emërtohen Manastire Sinodike.

Manastiret e shenjta të Shën Kozmait të Etolisë në Kolkondas dhe të Shën Joan Vladimirit në Shijon, janë vende pelegrinazhi të Kishës Orthodhokse së Shqipërisë.

Manastiret Sinodike dhe Vendet e pelegrinazhit të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë janë nën përkujdesjen e Sinodit të Shenjtë dhe nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Kryesekretarit të tij.

 

FAMULLIA DHE FAMULLITARËT

 

Neni 38

Famullia është bashkësia adhuruese eukaristike e besimtarëve, klerikë dhe laikë, të cilët banojnë në një territor të caktuar, qytet ose fshat dhe ka si qendër Kishën e shenjtë.

 

Neni 39

Famullitarët përzgjidhen, dorëzohen dhe emërohen prej Hierarkut përkatës.

Çdo famulli ka një ose më shumë famullitarë, sipas numrit të besimtarëve, kishave dhe parakliseve të famullisë dhe sipas të ardhurave të saj.

 

Neni 40

Famullitari është Kryetar i Këshillit Famullitar dhe përgjigjet për zbatimin e dispozitave të këtij Statuti. Atje ku shërbejnë më shumë priftërinj, kryetarin e cakton Hierarku përkatës.

 

Neni 41

Priftërinjtë zbatojnë detyrat e tyre, gëzojnë të drejtat e parashikuara prej Kanoneve të Shenjta dhe Traditës së Kishës, me bindje ndaj Kryepriftit përkatës.

 

Neni 42

Famullia administrohet nga Këshilli Famullitar i cili përbëhet nga:

a) Prifti Famullitari si Kryetar, b) klerikë të tjerë, c) katër deri në dhjetë anëtarë laikë (bu­rra, gra dhe të rinj) sipas madhësisë së famullisë, të cilët emërohen në çdo katër vjet pas propozimit të një numri të dyfishtë kandidatësh nga kryetari i famullisë.

 

Çdo anëtar i Këshillit Famullitar duhet:

a) Të jetë anëtar aktiv i Kishës Orthodhokse (d.m.th. të jetë i pagëzuar, të shkojë në kishë dhe të marrë pjesë në Misteret e Shenjta të Kishës). b) Të mos ketë lidhje farefisnore ose krushqie me Famullitarin apo me ndonjë anëtar tjetër të Këshillit Famullitar. c) Të mos ketë pushtet politik ekzekutiv.

Një Këshilltar Kishtar, i cili mungon në mënyrë të pajustifikueshme në tri mbledhje të njëpasnjëshme të Këshillit Famullitar, zëven­dësohet me një anëtar tjetër me propozim të Famullitarit – Kryetar.

Këshilltari Kishtar pezullohet:

a) Kur vërtetohet se nuk zbaton vendimet dhe urdhrat e autoritetit epror. b) Kur nuk pranon kontroll financiar nga shërbimi ekonomik kompetent i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. c) Kur vepron si i pavarur dhe kryen vepra pa pasur më parë miratimin e autoritetit të tij epror. d) Kur përdor ambientet e Kishës për qëllime të huaja për të, ose kur ia dorëzon arkën e Kishës një autoriteti jokishtar.

Këshilltari Kishtar, i cili është pezulluar me vendim të Hierarkut përkatës, zëvendësohet nga një anëtar tjetër plotësues.

Askush nuk njihet si anëtar i Këshillit Famullitar në qoftë se nuk ka shkresë emërimi me nënshkrimin e Hierarkut përkatës dhe vulën e Kryepiskopatës apo të Mitropolisë.

Çdo përzierje nga ana e anëtarëve të pushtetit shtetëror në Këshillat Famullitare bie në kundërshtim me Kushtetutën e Shtetit dhe, për pasojë, Këshilltarë të caktuar nga cilido autoritet shtetëror nuk njihen prej Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Detyra e Këshilltarit Kishtar është pa pagesë dhe e papajtueshme me veprën e nëpunësit me pagesë të Kishës.

Kohëzgjatja e shërbimit të Këshilltarëve Kishtarë është katërvjeçare, duke filluar prej 1 shtatorit të vitit të emërimit të tyre deri më 31 gusht të vitit të katërt të emërimit të tyre.

 

Neni 43

Të drejtën e zgjedhjes dhe të votës në të gjitha Këshillat Kishtare e kanë të gjithë orthodhoksët, burra dhe gra mbi 18 vjeç, banorë të Republikës së Shqipërisë. Mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillave Kishtarë të qyteteve dhe fshatrave, si dhe kompetencat dhe detyrat e tyre caktohen në Rregulloren e Përgjithshme të Administrimit.

 

PËRGATITJA E KLERIT, SIGURIMI, LEJET

 

Neni 44

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë disponon dhe administron Shkolla të mesme dhe të larta kishtare për përgatitjen e kuadrove të saj.

 

Neni 45

Klerikë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dorëzohen burra të panjollë, të cilët përmbushin kushtet e parashikuara prej Kanoneve të Shenjta, kanë të paktën arsimin e mesëm dhe kanë diplomë të Akademisë Teo­logjike Orthodhokse «Ngjallja» ose të ndonjë Fakulteti tjetër Teologjik Orthodhoks, që të jetë të paktën i këtij niveli. Vetëm Sinodi i Shenjtë mund të bëjë përjashtime për plotësimin e nevojave të jashtëzakonshme.

 

Neni 46

Të gjithë klerikët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe nëpunësit e saj sigurohen sipas ligjeve të Shtetit shqiptar.

 

Neni 47

Një klerik ose një murg i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për të dalë jashtë kufijve të Shqipërisë duhet të ketë leje me shkrim prej eprorit të tij kishtar.

 

MBLEDHJET HIERATIKE

 

Neni 48

Të gjithë klerikët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë mblidhen rregullisht një herë në dy vjet, ose në raste të jashtëzakon­shme kur e lyp nevoja në Mbledhjen e Për­gjithshme Hieratike. Qëllimi i saj është trajtimi i problemeve aktuale, ripërtëritja e jetës shpi­rtërore të klerikëve dhe inkurajimi për kryerjen sa më mirë të misionit të tyre.

Mbledhjet hieratike në Kryepiskopatë dhe në çdo Mitropoli bëhen çdo tre muaj ose sa herë që e gjykon këtë Hierarku përkatës.

Prania e klerikëve në Mbledhjet Hieratike është e detyrueshme, ndërsa në rast mungese pa arsye vendosen sanksionet e caktuara.

 

VEPRA BARITORE DHE SHOQËRORE

 

Neni 49

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë tregon kujdes të veçantë për edukimin e krishterë të Rinisë Orthodhokse si dhe për katekizmin e fëmijëve dhe adoleshentëve. Për këtë qëllim krijohet në Kryepiskopatë dhe nëpër Mitropoli një strukturë e veçantë katekistësh e përbërë nga të rinj me përgatitje të posaçme, të diplomuar në Akademinë Teologjike Orthodhokse «Ngjallja» ose dhe nga të rinj që kanë formimin e duhur. Në të gjitha nivelet e jetës kishtare të Famullive, Kryepiskopatës apo Mitropolive duhet të synohet pjesëmarrja aktive dhe e përgjegjshme e rinisë.

 

Neni 50

Nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë botohen gazeta, revista, libra dhe broshura për plotësimin e nevojave liturgjike, baritore, shpirtërore e formuese të grigjës Orthodhokse si edhe për nevoja të tjera. Nuk lejohet të qarkullojë literaturë në ambientet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pa miratimin e autoritetit kishtar kompetent.

Neni 51

Njëkohësisht me veprën e saj shenjtëruese, predikuese, katekiste e shpirtërore, Kisha Ortho­dhokse Autoqefale e Shqipërisë interesohet për përparimin në përgjithësi të shoqërisë shqiptare dhe zhvillon programe të posaçme në sektorët e shëndetësisë, të arsimit, të kujdesit shoqëror, të zhvillimit bujqësor, të kulturës, të ekologjisë etj.

Neni 52

Për një funksionim sa më të mirë të veprimtarive shoqërore, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka krijuar dy fondacione: Fondacioni «Klinikat Orthodhokse Ungjillëzimi» dhe Fondacioni «Fryma e Dashurisë», të cilat administrohen sipas Statuteve të miratuara nga Shteti.

 

Neni 53

Për trajtimin e nevojave të ndryshme, Sinodi i Shenjtë mund të krijojë edhe fondacione të tjera, shoqëri me për­gje­gjësi të kufizuar, lidhje ose shoqata gjithnjë me statutin e tyre përkatës dhe përcaktimin e qëllimeve të tyre.

Sipërfaqet e tokës, që kanë lidhje me veprat hidro­energjetike, të shoqërive të Kishës janë nën mbikëqyrjen e Sinodit të Shenjtë.

President i fondacioneve dhe i shoqërive është kryepiskopi i radhës i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë.

Kryetarët e Lidhjeve të Intelektualëve Orthodhoksë, të Grave Orthodhokse dhe të Rinisë Orthodhokse pas propozimit të Këshillit Kleriko-Laik, i zgjedh Sinodi i Shenjtë me një mandat trevjeçar.

 

Neni 54

Në Kryepiskopatë dhe në Mitropolitë mund të krijohen, me iniciativën e drejtuesve lokalë dhe me miratimin e Sinodit të Shenjtë Lidhje: e Grave Orthodhokse, e Rinisë Orthodhokse, e Intelektualëve Orthodhoksë etj., në ndihmë të veprës shpirtërore, katekiste, hierapostolike dhe shoqërore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Lidhje, Shoqata dhe organizata të tjera të themeluara pa miratimin e Sinodit të Shenjtë nuk kanë të drejtë të përfaqësojnë me aktivitetin dhe funksionimin e tyre Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe as të marrin pjesë në mbledhjet e organeve të saj.

 

PASURITË KISHTARE

 

Neni 55

Të gjitha pasuritë e luajtshme apo të paluajtshme që u përkasin Kryepiskopatës, Mitropolive, Famullive dhe Manastireve, përbëjnë Pasurinë Kishtare të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe kanë si qëllim të tyre mbështetjen e veprës shpirtërore, arsimore dhe shoqërore të saj.

Asnjë klerik i çdo lloj grade, dhe asnjë anëtar i Këshi­llit të famullisë pavarësisht funksi­onit që ka ai, nuk ka të drejtë të dhurojë ose të shesë pasuri të luajtshme apo të paluajtshme të Kishës. Ne rastin e nevojës për të shitur kërko­het opinioni i Këshillit Kleriko-Laik dhe vendimi i Sinodit të Shenjtë.

 

Neni 56

Çdo gjë që është në zotërimin e kishave të shenjta të qyteteve dhe të fshatrave ose që përftohet prej tyre përbën pasurinë e tyre vetjake. Administrimi dhe përdorimi i saj bëhet në bazë të urdhëresave të Rregullores së Përgjith­shme. Për shitblerjen e detyruar ose dhënien e ambienteve të përdorura për adhurimin hyjnor kërkohet miratimi paraprak i Sinodit të Shenjtë.

Shitblerjet e pasurisë së paluajtshme të Manastireve të Shenjta miratohen nga Sinodi i Shenjtë. Sinodi i Shenjtë përpara se të marrë vendimin përkatës kërkon raportin e Mitropolitit përkatës dhe mendimin e miratimin e Këshi­llit Mitropolitan të zonës në të cilën bën pjesë gjeografikisht Manastiri i Shenjtë.

 

Neni 57

Pasuria e luajtshme përfshin edhe objektet e destinuara për adhurimin hyjnor. Këto nuk mund të shiten, pasi janë sende të shenjta, jashtë qarkullimit civil. Kur paraqitet nevoja për t’i hequr, dorëzohen në vendin e të shenjtave të Kryepiskopatës ose të Mitropolisë.

 

Neni 58

Në rast largimi të një pjese ose të të gjithë popullsisë orthodhokse të një fshati, të një qyteti, apo të një zone, kishat, manastiret dhe pasuria e tyre mbeten pronë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Neni 59

Për një administrim sa më efikas të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Sinodi i Shenjtë mund të krijojë shoqëri të posaçme me përgjegjësi të kufizuar.

 

MBI TË ARDHURAT DHE SHPENZIMET

 

Neni 60

 

Për fuqizimin dhe zhvillimin e mëtej­shëm të veprës baritore, arsimore dhe sociale të saj, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë pra­non dhurata, trashëgimi dhe kontribute të çdo lloj natyre nga persona fizikë dhe juridikë nga vendi ose jashtë tij.

Shpenzimet për mbajtjen e institucioneve të kultit përballohen nga kontributet vullnetare të besimtarëve dhe nga të ardhurat e vetë kishës ose manastirit.

 

TË ARDHURAT E KISHAVE DHE ADMINISTRIMI I TYRE

 

Neni 61

Pranë Sinodit të Shenjtë funksionon Komisioni Sinodik i Çështjeve Ekonomike dhe Teknike. Ky komision përbëhet nga: a) një Mitropolit kryetar, b) një episkop, c) Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Ekonomike dhe Teknike, d) një jurist, e) një inxhinier. Të gjithë anëtarët emërohen nga Sinodi i Shenjtë për një mandat pesëvjeçar, me të drejtë rinovimi. Në Zyrën Sinodike Ekonomike dhe Teknike ndodhen degët: a) e Çështjeve Ekonomike, b) e Pronave, c) e Çështjeve Ligjore, d) e Zyrës Teknike, ku përfshihet edhe Zyra e Restaurimeve.

Pranë Sinodit të Shenjtë funksionon Komisioni i Kon­tro­llit i përbërë nga: a) Kryepiskopi ose zëvendësuesi i emër­uar prej tij, b) një mitropolit ose episkop, c) një përfaqësues i Këshillit Kleriko-Laik, d) një ekonomist, e) një jurist. Të gjithë anëtarët emërohen nga Sinodi i Shenjtë për një mandat pesëvjeçar, me të drejtë rinovimi. Punën e këtij komisioni e kryen një sekretar i veçantë i zgjedhur prej tij.

Komisioni Ekonomik i Kryepiskopatës ose i Mitropolisë përbëhet nga: a) kryebariu përkatës, b) një klerik, anëtar i Këshillit Kleriko-Laik, c) një laik, anëtar i Këshillit Kleriko-Laik dhe dy anëtarë (preferohen të jetë njëri ekonomist dhe tjetri jurist). Këta anëtarë zgjidhen nga Këshilli Kryepiskopal ose Mitropolitan.
Kryepiskopata dhe Mitropolitë administrojnë financat e tyre, kanë Zyrën e Financës dhe NIPT-in e tyre përkatës. Për plotësimin e nevojave të buxhetit të tyre, i bëjnë kërkesë përkatëse kryetarit të Sinodit të Shenjtë.

Të ardhurat e Sinodit të Shenjtë, të Kryepiskopatës, të Mitropolive, të Manastireve të hirshme dhe të Vendeve të Pelegrinazhit si dhe të Kishave të famullive vijnë: a) Nga donatorë të ndryshëm. b) Nga kontribute të besimtarëve për kryerjen e shërbesave të shenjta. c) Nga shitja e qirinjve, të cilët blihen detyrimisht në punishten qendrore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. d) Nga kontribute të përgjithshme, trashëgimi etj. Për çdo kontribut apo dhuratë jepet nga Arka e Kishës dëftesë me dublikatë. e) Nga të ardh­ura nga shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, të ardh­urat e pronës së luajtshme dhe të paluajtshme, si llogari bankare, letra me vlerë, qira kullotash, shtëpish etj.

 

DISPONIMI I TË ARDHURAVE

 

Neni 62

 

Të ardhurat e të gjitha famullive, pas regjistrimit të tyre, disponohen në mënyrën e mëposhtme:

50% depozitohet për mbulimin e rrogës së klerikëve në arkën e Kryepiskopatës ose të Mitropolisë përkatëse.

30% depozitohet nga Këshilli i Famullisë për pagesën e nëpunësve dhe të shpenzimeve funksionale të kishës së shenjtë dhe për veprën filantropike të famullisë.

10% në buxhetin e Kryepiskopatës ose të Mitropolisë përkatëse.

10% në buxhetin e Sinodit të Shenjtë për të ndihm­u­ar në nevojat e përgjithshme të Kishës.

Të ardhurat e vendeve të pelegrinazhit dhe konizmat administrohen nga Këshilli i Kryepiskopatës ose i Mitropolisë përkatëse.

Buxhetet paraprake miratohen nga Kryebariu lokal.

Teprica e mundshme e Arkës të çdo Kishe famullie depozitohet në emër të kishës së shenjtë në llogari bankare të posaçme, llogari e cila aktivizohet me nënshkrimin e të tre anëtarëve të caktuar të Këshillit të Famullisë. Për shuma që kapërcejnë kufirin e përvitshëm të caktuar nga Sinodi i Shenjtë kërkohet miratim i Kryebariut përkatës.

 

MASA DISIPLINORE

 

Neni 63

Në qendrën e Kryepiskopatës dhe të çdo Mitropolie funksionon një gjykatë kishtare, e përbërë nga Hierarku përkatës si Kryetar dhe dy klerikë si anëtarë, e cila gjykon brenda tridhjetë ditësh, nga dita e kryerjes së fajit kanonik, të gjithë klerikët e juridiksionit të Kryepiskopatës apo të Mitropolisë. Për faje që përbëjnë skandal kjo gjykatë mund të japë pezullim deri në një vit. Vendimet e gjykatës së më­sipërme mund të apelohen në Sinodin e Shenjtë. Procedura gjyqësore që ndiqet për gjykimin e këtyre fajeve caktohet në Rregulloren e Përgjithshme të Administrimit.

Kur kryhet gjykimi i një denoncimi ose i shkeljeve të kryepriftërinjve, duhet që të thirret Sinodi më i gjerë, me pjesëmarrje më të madhe anëtarësh i përbërë nga dymbëdhjetë Hierarkë. Në këtë marrin pjesë të gjithë anëtarët e Sinodit përveç personit që gjykohet. Sinodi i Shenjtë i parashtron lutje Patriarkanës Ekumenike, që ka dhënë Tomosin e Autoqefalisë, që të caktojë Mitropolitë, për plotësimin e numrit të nevojshëm. Sinodin më të gjerë dhe me më shumë anëtarë e kryeson Kryepiskopi.

Neni 64

Të gjitha fajet e rënda të parashikuara prej Kanoneve të Shenjta të kryera nga priftërinjtë, dhiakonët dhe murgjit, faji i të cilëve kapërcen kompetencën e Hierarkëve përkatës, dërgohen në Sinodin e Shenjtë, që i gjykon këto në formën e prerë.

 

Neni 65

Për çdo lloj dënimi vendimet e Sinodit merren me shumicë të thjeshtë votash.

Neni 66

Klerikët të cilët kryejnë shkelje të rënda kanonike apo penale për të cilat përcaktohet nga Kanonet e shenjta dënimi i zhveshjes, pas sugjerimit të kryepriftit përkatës, zhvishen me vendim të Sinodit të Shenjtë.

 

MBI MARTESËN DHE ZGJIDHJEN E SAJ

Neni 67

Shërbesa e kurorëzimit kryhet pasi është marrë më parë leje me shkrim prej Kryepriftit të vendit të kryerjes së misterit ose prej Përfaqë­suesit të tij.

Për dhënien e lejes kërkohet: a) Certifikatë Pagëzimi b) Deklaratë me shkrim e të fejuarve se nuk ekziston ndonjë lloj pengese që mund të shkaktojë shtyrje ose anulim të martesës c) Vërtetimi i saj prej dy dëshmitarëve orthodhoksë të besuar d) certifikatë celebrimi nga Gjendja Civile – përderisa kjo lloj martese është e detyrueshme në Shqipëri.

 

Neni 68

Para ngritjes së padisë për zgjidhjen e martesës, Kryeprifti përkatës bën përpjekje për pajtimin e bashkëshortëve.

Për zgjidhjen përfundimtare të martesës edhe shpirtërisht, kërkohet më parë paraqitja e vendimit të gjykatës civile, me anën e së cilës kryhet ndarja nëpërmjet zgjidhjes martesore. Shkresa përfundimtare e Autoritetit Kishtar nënshkruhet prej Kryepriftit.

 

MBISHKRIME DHE VULA

Neni 69

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë disponon këto mbishkrime dhe vula respektive:

Për Sinodin e Shenjtë: «Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë – Sinodi i Shenjtë».

Për Kryepiskopatën: «Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë – Kryepiskopata e Shenjtë».

Për Mitropolitë: «Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë – Mitropolia e Shenjtë e…».

Vulat e parashikuara janë rrethore dhe kanë në qendër shqiponjën dykrenore tradicionale dhe kryqin. Këto përdoren ekskluzivisht prej organeve kompetente përkatëse. Çdo vulë tjetër e ndryshme, e cila është përdorur deri tani ose ndodhet në duar personash jokompetentë, është e pavlefshme.

 

Neni 70

Ky Statut suprimon dhe zëvendëson ata të mëparshmit. Mund të modifikohet me vendim të përbashkët të Sinodit të Shenjtë, të Këshillit Kishtar Kleriko-laik dhe të Asamblesë Kleriko-laike, me shumicë absolute të anëtarëve të tyre. Nenet 1-7 të këtij Statuti nuk mund të ndryshohen apo të suprimohen.

Ky Statut u pranua njëzëri nga Asambleja Kleriko-laike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që u thirr për këtë qëllim, më 4 nëntor 2006 dhe u miratua nga Sinodi i Shenjtë, më 6 nëntor 2006.