Letra e pergjithshme
e Apostull Jakovit

-1-

1 Jakovi, shërbëtor i Perëndisë edhe i Zotit Jisu Krisht, të dymbëdhjetë fiseve që janë shpërndarë gjithandej, përshëndetje.
2 Numërojeni për gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur bini në lloj-lloj ngasjesh;
3 duke ditur se prova e besimit tuaj prodhon durim.
4 Edhe durimi le të ketë punë të përsosur, që të jeni të përsosur edhe të plotë, pa ju munguar asnjë gjë.
5 Edhe nëse ndonjë prej jush ka mangësi në dituri, le të kërkojë prej Perëndisë që u jep të gjithëve pa kursim, e nuk qorton, edhe do t’i jepet atij.
6 Po le të kërkojë me besim, pa pasur fare dyshim; sepse ai që ka dyshim i ngjan valës së detit, që ngrihet prej erës e përplaset.
7 Sepse le të mos pandehë ai njeri se do të marrë gjë nga Zoti.
8 Njeriu me dy mendje është i paqëndrueshëm në të gjitha udhët e tij.
9 Edhe le të mburret vëllai i përulur për lartësimin e tij;
10 edhe i pasuri për përuljen e tij, sepse si lule bari do të shkojë.
11 Sepse lindi dielli me nxehtësinë e tij, edhe thau barin, edhe lulja e atij ra, edhe bukuria e fytyrës së tij humbi; kështu edhe i pasuri do të vyshket në udhët e tij.
12 Lum ai njeri që duron ngasje; sepse pasi të provohet, do të marrë kurorën e jetës, të cilën ua ka premtuar Zoti atyre që e duan.
13 Askush, kur ngitet, le të mos thotë se ngitem nga Perëndia; sepse Perëndia nuk mund të ngitet nga të ligat, edhe ai asnjë nuk nget.
14 Po gjithësecili ngitet duke u tërhequr e duke u mashtruar prej dëshirimit të vet.
15 Pastaj dëshirimi, si të mbarset, pjell mëkat, edhe mëkati, si të bëhet, pjell vdekje.
16 Mos u gënjeni, o vëllezër të mi të dashur.
17 Çdo dhënie e mirë, edhe çdo dhuratë e përsosur, është nga lart, edhe zbret nga Ati i dritave, tek i cili s’ka ndryshim apo hije kthimi.
18 Prej vullnetit të tij na lindi me anë të fjalës së të vërtetës, që të jemi ne një fryt i parë i krijesave të tij.
19 Prandaj, o vëllezër të mi të dashur, çdo njeri le të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadaltë në të folur, i ngadaltë në zemërim.
20 Sepse zemërimi i njeriut nuk bën drejtësinë e Perëndisë.
21 Prandaj, si të hidhni tej çdo ndyrësi e teprim ligësie, pritni me butësi fjalën që është mbjellë ndër ju, e cila mund të shpëtojë shpirtrat tuaj.
22 Edhe bëhuni nga ata që e bëjnë fjalën e jo vetëm nga ata që e dëgjojnë, duke gënjyer veten tuaj.
23 Sepse kush dëgjon fjalën dhe nuk e bën, ky i ngjan një njeriu që shikon fytyrën e tij natyrale në pasqyrë.
24 Sepse e shikoi veten e tij, edhe iku, edhe përnjëherë harroi cili ishte.
25 Po ai që ulet e shikon në ligjin e përsosur të lirisë, edhe qëndron në të, ky duke u bërë jo dëgjues që harron, po që bën punën, ky do të jetë i lumur në atë që bën.
26 Në pandeh ndonjë ndër ju se është fetar, edhe s’i vë fre gjuhës së tij, por mashtron zemrën e tij, feja e këtij është e kotë.
27 Fe e pastër dhe e papërlyer përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: Të shikosh jetimët e të vejat në shtrëngimin e tyre, dhe të ruajë veten e tij të papërlyer nga bota.

1 2 3 4 5

-2-

1 Vëllezër të mi, mos e mbani me anësi besimin e Zotit tonë të lavdisë, Jisu Krishtit.
2 Sepse po të hyjë në mbledhjen tuaj ndonjë njeri që ka unazë të artë me veshje të shkëlqyer, edhe të hyjë edhe një i varfër me rrobë të fëlliqur,
3 edhe të hidhni sytë mbi atë që ka veshur veshjen e shkëlqyer, edhe t’i thoni atij: Ti rri më mirë këtu; edhe të varfërit t’i thoni: Ti rri atje; apo: Rri këtu nën nënkëmbësen time;
4 a nuk bëtë në veten tuaj dallim në mes tyre, edhe a nuk u bëtë gjykatës mendimesh të liga?
5 Pa dëgjoni, vëllezër të mi të dashur, a nuk zgjodhi Perëndia të varfërit e botës si të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë, të cilën u ka premtuar atyre që e duan?
6 Po ju e turpëruat të varfërin. A nuk ju mundojnë ju të pasurit, edhe ata a nuk ju zvarrisin nëpër gjykata?
7 A nuk shajnë ata emrin e mirë, me të cilin jeni quajtur?
8 Nëse ruani pra ligjin mbretëror, sipas Shkrimit: “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”, mirë bëni.
9 Po nëse mbani anë, bëni mëkat, edhe qortoheni nga ligji si shkelës.
10 Sepse ai që të ruajë gjithë ligjin dhe të mëkatojë në një, është fajtor në të gjitha.
11 Sepse ai që tha: “Mos shkel kurorën”, tha edhe: “Mos vrit”. Po në mos shkelsh kurorën, por vret, u bëre shkelës i ligjit.
12 Kështu flisni edhe kështu bëni, sikur të gjykoheni prej ligjit të lirisë.
13 Sepse gjyqi do të jetë i pamëshirshëm për atë që s’bëri përdëllim; edhe përdëllimi triumfon mbi gjyqin.
14 Ç’dobi ka, vëllezër të mi, në thëntë ndonjë se ka besim, e vepra të mos ketë? Mos mund ta shpëtojë besimi?
15 Në qoftë se vëllai a motra janë lakuriq, edhe u mungon ushqimi i përditshëm,
16 edhe t’u thotë atyre ndonjë prej jush: Shkoni në paqe, ngrohuni e ngopuni; edhe të mos u jepni atyre ato që janë të nevojshme për trupin, ç’dobi ka?
17 Kështu edhe besimi, në mos pastë vepra, është i vdekur në vetvete.
18 Po do të thotë ndonjë: Ti ke besim, e unë kam vepra. Tregomë besimin tënd nga veprat e tua, edhe unë do të të tregoj besimin tim nga veprat e mia.
19 Ti beson se Perëndia është një; mirë bën; edhe demonët besojnë, edhe dridhen.
20 Po a do të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa veprat është i vdekur?
21 Abrahami, ati ynë, a nuk doli i drejtë nga veprat, kur pruri Isaakun, të birin e tij, mbi theroren?
22 A e sheh se besimi bashkëpunonte me veprat e tij, edhe besimi u bë i përsosur nga veprat?
23 Edhe u përmbush shkrimi që thotë: “Dhe Abrahami i besoi Perëndisë, edhe iu numërua për drejtësi”, edhe u quajt “mik i Perëndisë”.
24 A e shihni pra se njeriu del i drejtë nga veprat, e jo nga besimi vetëm?
25 Dhe gjithashtu edhe Rahaba, lavirja, a nuk doli e drejtë nga veprat, kur priti të dërguarit, edhe i nxori nga një tjetër udhë?
26 Sepse siç është i vdekur trupi pa shpirt, kështu edhe besimi pa veprat është i vdekur.

1 2 3 4 5

-3-

1 Mos të bëhen nga ju shumë mësues, o vëllezër të mi, duke ditur se do të marrim dënim më të madh. Sepse të gjithë bëjmë faje në shumë gjëra.
2 Në qoftë se nuk bën faj ndonjë në fjalë, ky është burrë i përsosur, i fuqishëm t’i vërë fre edhe gjithë trupit.
3 Ja, kuajve frerët ua vëmë në gojë që të na binden, edhe e drejtojmë gjithë trupin e tyre.
4 Ja edhe anijet, ndonëse janë kaq të mëdha edhe shtyhen prej erërash të forta, çohen prej një timoni të vogël atje ku të dojë drejtuesi.
5 Kështu edhe gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mbahet me të madh. Ja pak zjarr tek djeg kaq shumë lëndë.
6 Edhe gjuha është zjarr, bota e padrejtësisë. Kështu ndër gjymtyrët tona gjuha është ajo që fëlliq gjithë trupin, edhe i vë flakë rrotës së jetës, edhe vihet në flakë prej gjehenës.
7 Sepse çdo lloj bishe, edhe shpendi, edhe zvarraniku, edhe krijese deti, zbutet, edhe është zbutur prej natyrës së njeriut.
8 Po gjuhën asnjë nga njerëzit nuk mund ta zbusë; është një e keqe e papërmbajtëshme, plot me vrer vdekjeprurës.
9 Me atë bekojmë Perëndinë dhe Atin, edhe me atë mallkojmë njerëzit që janë bërë sipas shembëllimit të Perëndisë.
10 Prej po asaj goje del bekim dhe mallkim. Nuk duhet, o vëllezër të mi, të bëhen këto kështu.
11 A mos burimi prej së njëjtës vrimë buron ujë të ëmbël dhe të hidhur?
12 A mos mundet, vëllezër të mi, druri i fikut të bëjë ullinj, ose hardhia fiq? Kështu asnjë burim s’mund të bëjë ujë të kripur dhe të ëmbël.
13 Kush është ndër ju i mençur e i ditur? Le të tregojë prej sjelljeve të mira punët e tij me butësi urtësie.
14 Por nëse keni në zemrën tuaj smirë të hidhur dhe grindje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës.
15 Kjo dituri nuk zbret prej së larti, por është tokësore, mishore, djallëzore.
16 Sepse ku ka smirë e grindje, atje ka trazirë e çdo gjë të ligë.
17 Po dituria që është prej së larti, së pari është e dëlirë, pastaj paqësore, e butë, e bindur, plot me përdëllim e me fryte të mira, s’mban anë dhe s’është me dy faqe.
18 Dhe fryti i drejtësisë mbillet me paqe prej atyre që bëjnë paqe.

1 2 3 4 5

-4-

1 Nga ku vijnë luftëra e grindje ndër ju? A nuk vijnë prej këndej, nga dëshirimet tuaja që luftojnë në gjymtyrët tuaja?
2 Lakmoni, e nuk keni; vritni e keni smirë, edhe nuk mund t’ia dilni mbanë; ziheni e luftoni, po nuk keni, sepse nuk kërkoni.
3 Kërkoni e nuk merrni, sepse kërkoni keq, që të shpenzoni në dëshirimet tuaja.
4 O kurorëshkelës dhe kurorëshkelëse, a nuk e dini se miqësia e botës është armiqësi e Perëndisë? Ai pra që të dojë të jetë mik i botës, bëhet armiku i Perëndisë.
5 Apo pandehni se më kot Shkrimi thotë: “Për smirë dëshiron Fryma që ndenji ndër ne?”
6 Por Perëndia jep hir më të madh, prandaj thotë: “Perëndia kryelartëve u rri kundër, po të përulurve u jep hir”.
7 Bindjuni pra Perëndisë; rrini kundër djallit, edhe do të ikë nga ju.
8 Afrojuni Perëndisë, edhe do t’ju afrohet juve. Pastroni duart, o mëkatarë, edhe pastroni zemrat, o njerëz me dy mendje.
9 Hiqni keq e vajtoni e qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në vaj, edhe gëzimi juaj në hidhërim.
10 Përuluni përpara Zotit, edhe do t’ju ngrerë lart.
11 Mos flisni keq njëri për tjetrin, o vëllezër; ai që flet keq për vëllanë dhe gjykon të vëllanë, flet keq për ligjin dhe gjykon ligjin; edhe nëse gjykon ligjin, nuk je ruajtës i ligjit, por gjykatës i tij. 12 Një është ligjvënësi dhe gjykatësi që mund të shpëtojë dhe të humbasë; po cili je ti që gjykon tjetrin?
13 Ejani tani ju që thoni: Sot e nesër do të shkojmë në këtë qytet, edhe do të bëjmë atje një vit, edhe do të tregtojmë e do të fitojmë;
14 ju që nuk dini se ç’do të bëhet nesër. Sepse ç’është jeta juaj? Eshtë me të vërtetë një avull që duket për pakëz kohë, e pastaj humbet.
15 Në vend që të thoni: Në dashtë Perëndia, edhe në rrofshim, do të bëjmë këtë ose atë.
16 Po tani mburreni me mendjemadhësitë tuaja; çdo mburrje e tillë është e ligë.
17 Ai pra që di të bëjë mirë, edhe nuk e bën, mëkat është për atë.

1 2 3 4 5

-5-

1 Ejani tani ju të pasurit, qani e ulërini për të këqijat që do të vijnë mbi ju.
2 Pasuria juaj u kalb, edhe rrobat tuaja jua brejti mola.
3 Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën, edhe ndryshku i tyre do të jetë dëshmi kundër jush, edhe do të hajë mishrat tuaj si zjarr; mblodhët thesarë për ditët e fundit.
4 Ja tek bërtet paga që ua keni mbajtur punëtorëve që korrën arat tuaja; edhe britmat e korrësve hynë në veshët e Zotit Sabaoth.
5 U kënaqët e dëfryet mbi dhé; ushqyet zemrat tuaja si në ditë therjeje.
6 Dënuat dhe vratë të drejtin; edhe ai nuk ju rri kundër.
7 Bëni durim pra, o vëllezër, deri në ardhjen e Zotit. Ja bujku tek pret frytin e çmueshëm të dheut, edhe ka durim për atë, deri sa të marrë shiun e hershëm e të vonin.
8 Duroni edhe ju, forconi zemrat tuaja; sepse ardhja e Zotit u afrua.
9 Mos u ankoni kundër njëri-tjetrit, o vëllezër, që të mos dënoheni. Ja gjykatësi tek rri përpara dyerve.
10 Merrni shembull, o vëllezër të mi, nga vuajtjet dhe durimi i profetëve, që folën në emrin e Zotit.
11 Ja tek lumurojmë ata që durojnë. Keni dëgjuar për durimin e Jovit, edhe patë fundin prej Zotit, se Zoti është fort përdëllimtar dhe i dhembshur.
12 Edhe para së gjithash, o vëllezër të mi, mos u betoni, as për qiellin, as për dhenë, as ndonjë tjetër betim; po le të jetë po-ja juaj, po, dhe jo-ja, jo; që të mos bini në dënim.
13 Vuan ndonjë nga ju? Le të lutet. Gëzohet ndonjë? Le të psalë.
14 Eshtë i sëmurë ndonjë ndër ju? Le të thërresë pleqtë e kishës, edhe le të luten për atë, e le ta lyejnë me vaj në emrin e Zotit.
15 Edhe urata me besim do ta shpëtojë atë që lëngon, edhe Zoti do ta ngrerë atë; edhe në pastë bërë mëkate, do t’i falen.
16 Rrëfejani fajet njëri-tjetrit, edhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni. Shumë fuqi ka lutja e të drejtit, kur bëhet me zjarr.
17 Ilia ishte një njeri që pësonte si ne, edhe u lut duke u falur që të mos bjerë shi; edhe nuk ra shi mbi dhe tre vjet e gjashtë muaj.
18 Edhe përsëri u lut, edhe qielli dha shi, edhe dheu dha frytin e tij.
19 O vëllezër, në daltë ndonjë nga ju jashtë udhës së të vërtetës, edhe ta kthejë ndonjë atë,
20 le ta dijë se ai që kthen një mëkatar prej udhës së tij të gabuar, do të shpëtojë një shpirt nga vdekja, edhe do të mbulojë një shumicë mëkatesh.

1 2 3 4 5

Letra e pergjithshme
e Apostull Jakovit

1 2 3 4 5 

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme