Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Romakëve

-1-

Hyrje
1 Pavli, shërbëtor i Jisu Krishtit, i thirrur apostull, i ndarë për të predikuar ungjillin e Perëndisë,
2 që qe premtuar që përpara me anë të profetëve të tij në shkrime të shenjta,
3 për të Birin e tij Jisu Krishtin, Zotin tonë, i cili sipas mishit lindi nga fisi i Davidit,
4 dhe sipas Frymës së shenjtërisë u tregua Bir Perëndie me fuqi, me anë të ngjalljes prej së vdekurish,
5 me anë të të cilit morëm hir e apostoli për emrin e tij, që të binden në besim gjithë kombet;
6 në mes të të cilëve jeni edhe ju të thirrur të Jisu Krishtit;
7 të gjithë ju që jeni në Romë, të dashur të Perëndisë, të thirrur shenjtorë, hir mbi ju dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, edhe prej Zotit Jisu Krisht.

Pavli dëshiron të vizitojë Romën
8 Më përpara falënderoj Perëndinë tim me anë të Jisu Krishtit për të gjithë ju, sepse besimi juaj po shpallet në gjithë botën;
9 sepse dëshmitari im është Perëndia, të cilit i shërbej me shpirtin tim në ungjillin e Birit të tij, se pa pushim ju kujtoj ju,
10 duke u lutur gjithnjë në faljet e mia, që të dojë Perëndia ndonjëherë të ma bëjë mbarë të vij te ju.
11 Sepse kam shumë mall t’ju shoh ju, që t’ju jap ndonjë dhunti shpirtërore që të forcoheni.
12 Edhe kjo është të ngushëllohem bashkë me ju me anë të besimit të përbashkët, tuajit dhe timit.
13 Edhe nuk dua të mos e dini, vëllezër, se shumë herë e vura ndër mend të vij te ju, po u pengova deri tani që të kem ndonjë fryt edhe në mes tuaj, sikurse edhe në mes kombeve të tjerë.
14 U jam i detyruar Grekëve e barbarëve, të diturve e të paditurve.
15 Kështu, sa varet nga unë, jam i gatshëm të predikoj ungjillin edhe ndër ju që jeni në Romë.

Fuqia e Ungjillit
16 Sepse nuk kam turp për ungjillin e Krishtit; sepse është fuqi Perëndie për shpëtim mbi cilindo që beson, në Judeun më parë, edhe në Grekun më pastaj.
17 Sepse me anë të tij zbulohet drejtësia e Perëndisë prej besimi në besim, siç është shkruar, “I drejti prej besimi do të rrojë”.

Fajësia njerëzore
18 Sepse zemërim Perëndie zbulohet prej qielli mbi çdo pabesi e paudhësi të njerëzve, që shtypin të vërtetën në paudhësi.
19 Sepse çdo gjë që mund të dijë njeriu për Perëndinë është e shfaqur tek ata, se Perëndia ua shfaqi atyre.
20 Sepse qëkurse u bë bota, të padukshmet e tij, fuqia e tij e përjetshme edhe hyjnia, duken qartë, duke u marrë me mend me anë të atyre që janë bërë, kaq sa ata të mos kenë se ç’të thonë.
21 Sepse, ndonëse e njohën Perëndinë, nuk e lavdëruan si Perëndi, as nuk e falënderuan; por u bënë të kotë në mendimet e tyre, edhe u errësua zemra e tyre e paarsyeshme.
22 Duke thënë se janë të mençëm, u marrosën,
23 edhe ndërruan lavdinë e Perëndisë së pavdekshëm në shëmbëllesë fytyre njeriu të vdekshëm, edhe shpendësh e katërkëmbëshish e zvarranikësh.
24 Prandaj edhe i dha Perëndia ata në papastërti me anë të dëshirimeve të zemrave të tyre, që të çnderohen trupat e atyre në mes tyre,
25 të cilët ndërruan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër, edhe nderuan e adhuruan krijesën më tepër se Krijuesin, i cili është i bekuar për gjithë jetën. Amin.
26 Prandaj Perëndia i dha ata në dëshirime çnderimi; sepse edhe femrat e tyre shndërruan marrëdhënien sipas natyrës në atë kundër natyrës.
27 Gjithashtu edhe meshkujt lanë marrëdhënien me femrën sipas natyrës, e u dogjën në dëshirimin e tyre njëri me tjetrin, duke bërë turpe meshkuj me meshkuj, e duke marrë mbi vete shpagimin e duhur të mashtrimit të tyre.
28 Edhe si nuk deshën të njohin Perëndinë, Perëndia i dorëzoi ata në mendje të prishur, që të bëjnë ato që nuk janë të hijshme.
29 Sepse ata janë të mbushur me çdo paudhësi, kurvëri, dinakëri, lakmi, ligësi, plot me smirë, me vrasje, me grindje, me mashtrim, me poshtërsi;
30 pëshpëritës, gojëkëqij, perëndiurrejtës, të pacipë, kryelartë, mendjemëdhenj, trillues të këqijash, të pabindur ndaj prindërve,
31 të pamend, që nuk mbajnë fjalën, të padhembshur, të papajtueshëm, të pamëshirshëm,
32 të cilët, ndonëse njohin drejtësinë e Perëndisë, se ata që bëjnë të tilla janë të denjë për vdekje, jo vetëm i bëjnë ato, po edhe shprehin pëlqim për ata që i bëjnë.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-2-

Gjyqi i drejtë i Perëndisë për të gjithë
1 Prandaj s’mund të drejtësosh veten, o njeri, cilido që të jesh ti që gjykon, sepse në atë që gjykon tjetrin, dënon veten tënde; sepse ti që gjykon, po ato bën.
2 Edhe e dimë se gjyqi i Perëndisë është me të vërtetë kundër atyre që bëjnë të tillat.
3 Edhe mendon këtë ti, o njeri, që gjykon ata që bëjnë të tillat, edhe që i bën ato edhe vetë, se ke për të shpëtuar nga gjyqi i Perëndisë?
4 Apo përçmon pasurinë e mirësisë së tij e të durimit e të zemërgjerësisë, edhe nuk e di se mirësia e Perëndisë të sjell ty në pendim?
5 Po për ashpërsimin tënd dhe për zemrën e papenduar mbledh në veten tënde zemërim për ditën e zemërimit e të zbulesës së gjyqit të drejtë të Perëndisë,
6 i cili do t’ia shpaguajë gjithsecilit sipas punëve të tij:
7 atyre që kërkojnë me durim në punë të mirë lavdi e nder e pavdekësi, do t’u japë jetë të përjetshme;
8 po për ata që grinden dhe nuk i binden së vërtetës, po i binden paudhësisë, do të jetë mëri e zemërim,
9 hidhërim dhe shtrëngim në çdo shpirt njeriu që punon të ligën, Judeu më parë edhe pastaj Greku,
10 por lavdi e nder e paqe për cilindo që punon të mirën, Judeun më parë edhe pastaj Grekun.
11 Sepse te Perëndia s’ka mbajtje ane.
12 Sepse sa mëkatuan pa ligj, pa ligj edhe do të përfundojnë; edhe sa mëkatuan nën ligj, me ligj do të gjykohen,
13 sepse nuk janë të drejtë përpara Perëndisë ata që dëgjojnë ligjin, po ata që zbatojnë ligjin do të drejtësohen.
14 Sepse kur kombet që s’kanë ligj, prej natyre bëjnë punët e ligjit, këta, ndonëse s’kanë ligj, janë vetë ligj në veten e tyre,
15 të cilët tregojnë punën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre, sepse kanë ndërgjegjen e tyre duke dëshmuar bashkë me ta, edhe mendimet duke akuzuar ose edhe duke drejtësuar njëri-tjetrin,
16 në atë ditë, kur do të gjykojë Perëndia të fshehtat e njerëzve, sipas ungjillit tim, me anë të Jisu Krishtit.

Gjyqi i judeut sipas ligjit
17 Ja ti quhesh Jude, edhe prehesh në ligj, edhe mburresh në Perëndinë,
18 edhe njeh vullnetin e tij, edhe dallon ndryshimet, sepse mësohesh prej ligjit,
19 edhe ke besim në veten tënde se je udhëheqës i të verbërve, dritë e atyre që janë në errësirë,
20 ndreqës i të marrëve, mësues i foshnjave, dhe se ke shembullin e diturisë e të së vërtetës në ligj.
21 Ti pra që mëson tjetrin, veten tënde nuk e mëson? Ti, që predikon të mos vjedhin, vjedh?
22 Ti që thua të mos shkelin kurorën, shkel kurorën? Ti që ke neveri idhujt, vjedh tempujt?
23 Ti që mburresh në ligjin, çnderon Perëndinë duke shkelur ligjin?
24 Sepse “emri i Perëndisë për shkakun tuaj blasfemohet në kombet”, siç është shkruar.
25 Sepse rrethprerja bën dobi nëse zbaton ligjin; po nëse shkel ligjin, rrethprerja jote u bë parrethprerje.
26 Ai pra që nuk është i rrethprerë nëse ruan porositë e ligjit, parrethprerja e tij a nuk do të llogaritet rrethprerje?
27 Edhe ai që është i parrethprerë në trup dhe zbaton ligjin do të të gjykojë ty që ke shkronjën e ligjit dhe rrethprerjen, edhe shkel ligjin.
28 Sepse nuk është jude ai që është nga jashtë jude, as rrethprerje ajo që duket në mish.
29 Por jude është ai që është përbrenda jude, edhe rrethprerje ajo e zemrës, që është sipas frymës e jo sipas shkronjës, lëvdimi i të cilit është jo prej njerëzish, po prej Perëndisë.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-3-

1 Ç’ka më tepër pra Judeu? Apo cila është dobia e rrethprerjes?
2 Shumë nga çdo anë. Më përpara, sepse fjalët e Perëndisë iu besuan Judenjve.
3 Sepse çfarë në mos besuan disa? Mos do të hedhë poshtë besën e Perëndisë pabesia e tyre?
4 Qoftë larg; po Perëndia qoftë i vërtetë, edhe çdo njeri gënjeshtar, siç është shkruar: “Që të dalësh i drejtë në fjalët e tua, edhe të fitosh kur të gjykohesh”.
5 Po në tregon padrejtësia jonë drejtësinë e Perëndisë, ç’duhet të themi? Mos është i padrejtë Perëndia që sjell zemërimin? Si njeri flas.
6 Qoftë larg; sepse atëherë si do të gjykojë Perëndia botën?
7 Sepse në qoftë se me anë të gënjeshtrës sime u shtua e vërteta e Perëndisë për lavdi të tij, pse unë ende gjykohem si fajtor?
8 Edhe, siç shahemi, edhe siç thonë disa se ne themi, pse të mos bëjmë të ligat, që të vijnë të mirat? Dënimi i të këtillëve është i drejtë.

Asnjë njeri nuk është i drejtë
9 Çfarë pra? Jemi ne më të mirë se kombet? Pa fjalë jo; sepse e treguam më përpara se edhe Judenjtë edhe Grekët, të gjithë janë nën mëkat,
10 siç është shkruar: “Se s’ka të drejtë, as edhe një.
11 S’ka asnjë që kupton; s’ka asnjë që kërkon Perëndinë.
12 Të gjithë dolën jashtë udhës, të gjithë u bënë të padobishëm; s’ka kush të bëjë mirë; s’ka as edhe një.
13 Varr i hapur është gurmazi i tyre; me gjuhët e tyre flisnin mashtrime; vrer nepërkash është nën buzët e tyre.
14 Goja e tyre është plot me mallkim e me hidhërim.
15 Këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak.
16 Shkretim e mundim nëpër udhët e tyre.
17 Edhe udhë paqeje nuk njohën.
18 Nuk ka frikë Perëndie përpara syve të tyre”.
19 Edhe dimë se sa thotë ligji, ua thotë atyre që janë nën ligj; që të mbyllet çdo gojë, edhe gjithë bota të bëhet fajtore përpara Perëndisë.
20 Sepse prej punësh ligji s’ka për të dalë i drejtë asnjë mish përpara tij; sepse me anë të ligjit njihet mëkati.

Si e shpëton Perëndia njeriun
21 Po tani pa ligj u shfaq drejtësia e Perëndisë, duke u dëshmuar nga ligji dhe nga profetët.
22 Po, drejtësia e Perëndisë me anë të besimit në Jisu Krishtin në të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë; sepse nuk ka ndonjë farë ndryshimi.
23 Sepse të gjithë mëkatuan, edhe të gjithëve u shteret lavdia e Perëndisë,
24 edhe drejtësohen falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpërblimit që është në Jisu Krishtin,
25 të cilin Perëndia e vuri që përpara mjet shpërblimi me anë të besimit në gjakun e tij, që të tregojë drejtësinë e tij, për ndjesën e mëkateve që qenë bërë përpara, me anë të durueshmërisë së Perëndisë;
26 që të tregojë drejtësinë e tij në këtë kohë, që të jetë ai i drejtë, dhe të nxjerrë të drejtë atë që i beson Jisuit.
27 Ku është pra mburrja? U përjashtua. Me cilin ligj? Të veprave? Jo; por me ligjin e besimit.
28 Kuptojmë pra se njeriu del i drejtë me anë të besimit, pa veprat e ligjit.
29 Apo vetëm i Judenjve është Perëndia? E jo, po edhe i kombeve.
30 Sepse një është Perëndia që do të nxjerrë të drejtë rrethprerjen prej besimit, edhe parrethprerjen me anë të besimit.
31 Ligjin pra hedhim poshtë me anë të besimit? Qoftë larg; por ligjin vërtetojmë.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-4-

Shembulli i Abrahamit
1 Ç’do të themi pra se fitoi Abrahami, ati ynë sipas mishit?
2 Sepse nëse doli i drejtë Abrahami prej veprave, ka përse të mburret, po jo përpara Perëndisë.
3 Sepse ç’thotë Shkrimi? “Edhe i besoi Abrahami Perëndisë, edhe iu llogarit atij për drejtësi.”
4 Edhe atij që punon paga nuk i llogaritet si hir, po si detyrim.
5 Por atij që s’punon, edhe i beson atij që nxjerr të drejtë të shtrembrin, besimi i tij llogaritet për drejtësi.
6 Sikundër edhe Davidi e rrëfen lumurimin e atij njeriu, të cilit Perëndia i llogarit drejtësi, pa vepra:
7 “Lum ata, të cilëve iu ndjenë paudhësitë, edhe të cilëve iu mbuluan mëkatet.
8 Lum ai njeri, të cilit Zoti nuk do t’i llogarisë mëkat.”
9 Ky lumurim pra thuhet vetëm për të rrethprerët, apo edhe për të parrethprerët? Sepse themi se besimi iu llogarit Abrahamit për drejtësi.
10 Si pra iu llogarit? Kur ishte i rrethprerë, apo kur ishte i parrethprerë? Jo kur ishte i rrethprerë, po kur ishte i parrethprerë.
11 Edhe mori shenjën e rrethprerjes për vulë të drejtësisë që fitoi prej besimit që kishte kur ishte i parrethprerë, që të jetë ai atë i të gjithë atyre që besojnë kur janë të parrethprerë, që t’u llogaritet edhe atyre drejtësia;
12 edhe atë i rrethprerjes jo vetëm për ata që janë të rrethprerë, por edhe për ata që ecin sipas gjurmëve të besimit të atit tonë Abraham kur qe i parrethprerë.

Besimi në premtimet e Perëndisë
13 Sepse premtimi Abrahamit ose farës së tij se do të jetë trashëgimtari i botës, nuk iu bë me anë të ligjit, po me anë të drejtësisë që është prej besimit.
14 Sepse nëse janë trashëgimtarë ata që janë prej ligjit, besimi është i zbrazët, edhe premtimi u shfuqizua.
15 Sepse ligji sjell zemërim; sepse ku s’ka ligj, s’ka as shkelje.
16 Prandaj trashëgimi është prej besimit, që të jetë dhuratë, dhe premtimi të jetë i siguruar për gjithë farën, jo vetëm për atë që është prej ligjit, por edhe për atë që është prej besimit të Abrahamit, i cili është atë i ne të gjithëve,
17 siç është shkruar: “Se të bëra atë të shumë kombeve”, përpara Perëndisë, të cilit i besoi, edhe i cili u jep jetë të vdekurve dhe quan të paqenat si të qena.
18 Ai pa pasur shpresë, me shpresë besoi se do të bëhej atë i shumë kombeve, siç qe folur: “Kështu do të jetë fara jote”.
19 Edhe pasi nuk ishte i dobët në besim, nuk mendoi se tanimë trupi i tij ishte i vdekur, sepse ishte rreth njëqind vjeç, as vdekjen e barkut të Sarës.
20 As në premtimin e Perëndisë nuk pati dyshim duke mos besuar, po u forcua në besim, duke i dhënë lavdi Perëndisë,
21 e duke qenë i bindur se atë që i premtoi Zoti është i fuqishëm edhe ta bëjë.
22 Prandaj edhe iu llogarit atij për drejtësi.
23 Edhe nuk u shkrua vetëm për të se iu llogarit atij,
24 po edhe për ne, të cilëve do të na llogaritet, që i besojmë atij që ngjalli prej së vdekurish Jisuin, Zotin tonë;
25 i cili u dorëzua për fajet tona dhe u ngjall për drejtësimin tonë.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-5-

Pajtimi me Perëndinë
1 Si u drejtësuam pra prej besimi, kemi paqe me Perëndinë me anë të Zotit tonë Jisu Krisht,
2 prej të cilit kemi edhe hyrjen me anë të besimit në këtë hir, në të cilin qëndrojmë; edhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë.
3 Edhe jo vetëm kjo, po edhe mburremi për shtrëngimet, duke ditur se shtrëngimi sjell durim,
4 edhe durimi provë, edhe prova shpresë.
5 Edhe shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.
6 Sepse kur ishim ne ende të sëmurë, Krishti vdiq në kohën e caktuar për të pabesët.
7 Sepse vështirë edhe për një njeri të drejtë dikush do të vdesë; sepse për të mirin mbase edhe guxon ndonjë të vdesë.
8 Po Perëndia tregon dashurinë e tij për ne, sepse ndërsa ne ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për ne.
9 Shumë më tepër pra, si dolëm të drejtë tani me anë të gjakut të tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij.
10 Sepse, në qoftë se kur ishim armiq u pajtuam me Perëndinë me anë të vdekjes së Birit të tij, shumë më tepër pasi u pajtuam do të shpëtojmë me anë të jetës së tij.
11 Edhe jo vetëm këtë, po edhe mburremi në Perëndinë me anë të Zotit tonë Jisu Krisht, me anë të të cilit morëm tani pajtimin.

Adami dhe Krishti
12 Prandaj sikurse me anë të një njeriu hyri mëkati në botë, edhe me anë të mëkatit vdekja, edhe kështu shkoi vdekja mbi të gjithë njerëzit, sepse që të gjithë mëkatuan;
13 sepse deri në kohën e ligjit mëkati ishte në botë, po mëkat nuk llogaritet kur s’ka ligj.
14 Por vdekja mbretëroi që prej Adamit deri te Moisiu, edhe mbi ata që nuk mëkatuan sipas shëmbëllimit të mëkatit të Adamit, i cili ishte forma e atij që do të vinte.
15 Po nuk është si faji, ashtu edhe dhurata; sepse në qoftë se për fajin e njërit vdiqën të shumtët, shumë më tepër hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit të një njeriu, të Jisu Krishtit, teproi në të shumtët.
16 Edhe dhurata nuk është si puna që u bë me anë të njërit që mëkatoi; sepse faji prej njërit u bë për dënim të të gjithëve, por dhurata për shfajësim prej shumë fajesh.
17 Sepse në qoftë se prej fajit të njërit mbretëroi vdekja me anë të njërit, shumë më tepër ata që marrin tepricën e hirit dhe të dhuratës së drejtësisë do të mbretërojnë përjetë me anë të njërit, të Jisu Krishtit.
18 Sikurse pra me anë të një faji erdhi dënim në gjithë njerëzit, kështu edhe me anë të një drejtësie erdhi në gjithë njerëzit drejtësimi përjetë.
19 Sepse sikurse me anë të mosbindjes së një njeriu u bënë fajtorë të shumtët, kështu edhe me anë të bindjes së njërit do të bëhen të drejtë të shumtët.
20 Edhe ligji hyri në mes, që të teprojë faji. Edhe ku teproi mëkati, mbiteproi hiri;
21 që, siç mbretëroi mëkati me anë të vdekjes, kështu edhe hiri të mbretërojë me anë të drejtësisë për jetë të përjetshme, me anë të Jisu Krishtit, Zotit tonë.

texti

-6-

Të vdekur për mëkatin, të gjallë për Krishtin
1 Ç’të themi pra? Të qëndrojmë në mëkat, që të teprojë hiri?
2 Larg qoftë; ne që vdiqëm në mëkat, si do të rrojmë më në të?
3 A nuk e dini, se të gjithë sa u pagëzuam në Jisu Krishtin, në vdekjen e tij u pagëzuam?
4 U varrosëm pra bashkë me të me anë të pagëzimit në vdekjen, që, siç u ngjall Krishti prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në jetë të re.
5 Sepse në u bashkëmbollëm me të sipas shëmbëllimit të vdekjes së tij, do të jemi edhe sipas shëmbëllimit të ngjalljes së tij.
6 Duke ditur këtë, se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua bashkë me të, që të prishet trupi i mëkatit, që të mos i shërbejmë më mëkatit.
7 Sepse ai që vdiq u çlirua nga mëkati.
8 Edhe nëse vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të rrojmë bashkë me të.
9 Sepse e dimë se Krishti, që u ngjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja nuk e pushton më atë.
10 Sepse ai që vdiq, vdiq një herë për mëkatin; po ai që rron, rron në Perëndinë.
11 Kështu llogariteni edhe ju veten tuaj, se jeni të vdekur për mëkatin, por të gjallë në Perëndinë, me anë të Jisu Krishtit, Zotit tonë.
12 Le të mos mbretërojë pra mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t’i bindeni atij në dëshirimet e tij.
13 As mos tregoni gjymtyrët e trupit tuaj armë padrejtësie në mëkat; por tregojeni veten tuaj te Perëndia si të ngjallur prej së vdekurish, edhe gjymtyrët e trupit tuaj armë drejtësie te Perëndia.
14 Sepse mëkati nuk do t’ju pushtojë ju; sepse nuk jemi nën ligj, po nën hir.

Liria e vërtetë
15 Çfarë pra? Të mëkatojmë, sepse nuk jemi nën ligj, po nën hir? Qoftë larg.
16 A nuk e dini, se atij që i tregoni veten shërbëtorë në bindje, jeni shërbëtorë të po atij që i bindeni, domethënë të mëkatit për vdekje, ose të bindjes për drejtësi?
17 Po falënderojmë Perëndinë, se ishit njëherë shërbëtorë të mëkatit, por tani u bindët nga zemra në formën e mësimit që u dha ndër ju.
18 Edhe si u çliruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të drejtësisë.
19 Si njeri po flas, për dobësinë e mishit tuaj. Sepse siç i bëtë gjymtyrët e trupit tuaj shërbëtorë në papastërti dhe në paligjësi për paligjësinë, kështu tani bëjini gjymtyrët e trupit tuaj shërbëtorë të drejtësisë për shenjtërim.
20 Sepse kur ishit shërbëtorë të mëkatit, ishit të çliruar nga drejtësia.
21 Çfarë fryti pra kishit atëherë nga ato punë, për të cilat tani keni turp? Sepse fundi i tyre është vdekje.
22 Po tani që u çliruat nga mëkati, edhe u bëtë shërbëtorë te Perëndia, keni frytin tuaj për shenjtërim; dhe për fund jetë të përjetshme.
23 Sepse paga e mëkatit është vdekje, po dhurata e Perëndisë jetë e përjetshme me anë të Jisu Krishtit, Zotit tonë.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-7-

Ligji nuk është më në fuqi
1 Apo nuk e dini, vëllezër, sepse u flas njerëzve që njohin ligjin, se ligji ka pushtet mbi njeriun sa kohë rron?
2 Sepse gruaja e martuar është e lidhur nga ligji me burrin derisa ky është i gjallë; po në vdektë burri, lirohet nga ligji i burrit.
3 Kur rron pra burri, në u bashkoftë me tjetër burrë, do të jetë kurorëshkelëse; po në vdektë burri, është e çliruar nga ligji, që të mos jetë kurorëshkelëse në u bashkoftë me tjetër burrë.
4 Prandaj, vëllezër të mi, edhe ju jeni të vdekur ndaj ligjit me anë të trupit të Krishtit, që të bashkoheni me tjetër, me atë që u ngjall prej së vdekurish, që të sjellim fryte te Perëndia.
5 Sepse kur ishim në mish, dëshirimet e mëkateve, që ishin me anë të ligjit, vepronin në gjymtyrët e trupit tonë, për t’i sjellë fryte vdekjes.
6 Po tani u zgjidhëm nga ligji, pasi vdiqëm nga çfarë na mbante të pushtuar, që të shërbejmë sipas frymës së re, e jo sipas shkronjës së vjetër.
7 Ç’të themi pra? Ligji është mëkat? Qoftë larg. Por mëkatin nuk e njoha, veç me anë të ligjit; sepse edhe lakmimin nuk do ta njihja, po të mos thoshte ligji “Mos lakmo”.
8 Po mëkati, duke marrë shkak me anë të urdhërimit, ngjalli tek unë çdo farë dëshirimi; sepse pa ligj mëkati është i vdekur.
9 Edhe unë rroja njëherë pa ligj; po kur erdhi urdhërimi, mëkati u ngjall përsëri, e unë vdiqa,
10 edhe kështu urdhërimi që u dha për jetë, ai u gjend tek unë për vdekje.
11 Sepse mëkati, duke marrë shkak me anë të urdhërimit, më mashtroi, edhe me anë të tij më vrau.
12 Prandaj ligji është i shenjtë, edhe urdhërimi i shenjtë dhe i drejtë dhe i mirë.
13 Ajo pra që është e mirë, u bë tek unë vdekje? Qoftë larg. Por mëkati, që të duket mëkat, me anë të së mirës pruri tek unë vdekje, që me anë të urdhërimit mëkati të bëhet me të tepërt mëkatar.
14 Sepse e dimë se ligji është shpirtëror, por unë jam i mishor, i shitur nën mëkatin.
15 Sepse atë që bëj nuk e njoh; sepse nuk bëj atë që dua, po bëj atë që urrej.
16 Edhe nëse bëj atë që nuk dua, jam në një fjalë me ligjin, se është i mirë.
17 Po tani nuk e bëj më unë këtë, po mëkati që rri tek unë.
18 Sepse e di se nuk rri tek unë, domethënë në mishin tim, gjë e mirë; sepse dashja gjendet tek unë, por të bëj të mirën nuk e gjej;
19 sepse nuk bëj të mirën që dua, po të keqen që nuk dua, këtë bëj.
20 Edhe nëse bëj unë atë që nuk dua, nuk jam më unë që e bëj atë, po mëkati që rri tek unë.
21 Unë pra gjej këtë ligj, se kur dua të bëj të mirën, gjendet tek unë e liga,
22 sepse unë, sipas njeriut të brendshëm, ngazëllehem në ligjin e Perëndisë.
23 Por shoh një tjetër ligj në gjymtyrët e trupit tim që lufton kundër ligjit të mendjes sime, edhe më skllavëron në ligjin e mëkatit që është në gjymtyrët e trupit tim.
24 Mjerë unë njeriu! Kush do të më shpëtojë nga ky trup i vdekjes?
25 Falënderoj Perëndinë me anë të Zotit tonë Jisu Krisht. Kështu pra unë me mendjen i shërbej ligjit të Perëndisë, por me mishin ligjit të mëkatit.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-8-

Jeta e re
1 Tani pra s’ka ndonjë dënim për ata që janë në Jisu Krishtin, që nuk ecin sipas mishit, po sipas Frymës.
2 Sepse ligji i Frymës së jetës në Jisu Krishtin më çliroi prej ligjit të mëkatit dhe prej vdekjes.
3 Sepse atë që s’mundej të bënte ligji, sepse ishte i dobët me anë të mishit, Perëndia, duke dërguar Birin e tij me shëmbëllim mishi mëkatar, dhe për mëkat, dënoi mëkatin në mish;
4 që të përmbushet drejtësia e ligjit te ne që nuk ecim sipas mishit, po sipas Frymës.
5 Sepse ata që rrojnë sipas mishit, kanë ndër mend punët e mishit; por ata që rrojnë sipas Frymës kanë ndër mend punët e Frymës.
6 Sepse mendimi i mishit është vdekje, por mendimi i Frymës është jetë dhe paqe.
7 Sepse mendimi i mishit është armiqësi te Perëndia; sepse në ligj të Perëndisë nuk bindet, po as nuk mundet.
8 Edhe sa janë të mishit nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë.
9 Po ju nuk jeni të mishit, po të Frymës, në qoftë se rri Fryma e Perëndisë te ju. Po nëse nuk ka ndonjë Frymën e Krishtit, ky nuk është i atij.
10 Po nëse është Krishti te ju, trupi është i vdekur për mëkatin; po shpirti është jetë për drejtësinë.
11 Po në rri te ju Fryma e atij që ngjalli Jisuin prej së vdekurish, ai që ngjalli Krishtin prej së vdekurish do t’u japë jetë edhe trupave tuaj të vdekshëm, me anë të Frymës së tij që rri në ju.
12 Kështu pra, vëllezër, jemi të detyruar jo te mishi, që të rrojmë sipas mishit.
13 Sepse në rrofshi sipas mishit, keni për të vdekur, po në vrafshi veprat e trupit me anë të Frymës, do të rroni.
14 Sepse sa udhëhiqen prej Frymës së Perëndisë, këta janë bij të Perëndisë.
15 Sepse s’keni marrë frymë robërie, që të keni frikë përsëri, po keni marrë frymë birërie, me anë të të cilit thërresim: Ava, o Atë.
16 Vetë Fryma dëshmon bashkë me frymën tonë se jemi bij Perëndie.
17 Edhe nëse jemi bij, jemi edhe trashëgimtarë; trashëgimtarë të Perëndisë, edhe trashëgimtarë bashkë me Krishtin, në vuajtshim bashkë me atë, që edhe të lavdërohemi bashkë me atë.

Bota e re që do të vijë
18 Sepse unë mendoj se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë të barazohen me lavdinë që do të zbulohet ndër ne.
19 Sepse krijimi pret me padurim shfaqjen e bijve të Perëndisë.
20 Sepse krijimi u vu nën urdhër të kotësisë, jo me dashje, po për atë që e vuri nën urdhër,
21 me shpresë se edhe vetë krijimi do të çlirohet nga robëria e prishjes, e të shkojë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.
22 Sepse e dimë se i gjithë krijimi bashkërënkon dhe bashkëvuan në dhimbje lindjeje deri tani.
23 Edhe jo vetëm ai, po edhe ata që kanë frytin e parë të frymës, edhe ne vetë rënkojmë në veten tonë, duke pritur birësimin, shpërblimin e trupit tonë.
24 Sepse me shpresën shpëtuam; por shpresa që shihet nuk është shpresë, sepse për atë që sheh njeriu, përse edhe të shpresojë?
25 Po nëse shpresojmë për atë që nuk e shohim, me anë të durimit e presim.
26 Gjithashtu edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse nuk dimë për çfarë të lutemi siç duhet, por vetë Fryma lutet për ne me rënkime të pazëshme.
27 Dhe ai që shqyrton zemrat e di se ç’është mendimi i Frymës, se sipas Perëndisë ndërmjeton për shenjtorët.
28 Edhe e dimë se të gjitha u ndihmojnë për mirë atyre që duan Perëndinë, atyre që janë thirrur sipas vullnetit të tij.
29 Sepse sa njohu që përpara, këta edhe i ndau që përpara që të jenë të njëjtë nga forma me fytyrën e Birit të tij, që të jetë ai i parëlindur ndër shumë vëllezër.
30 Edhe sa ndau që përpara, këta edhe i thirri; edhe sa thirri, këta edhe i drejtësoi; edhe sa drejtësoi, këta edhe i lavdëroi.

Fuqia e dashurisë së Perëndisë
31 Ç’të themi pra për këto? Nëse është Perëndia bashkë me ne, kush do të jetë kundër nesh?
32 Sepse ai që nuk kurseu Birin e tij, po e dorëzoi për të gjithë ne, si nuk do të na i falë ne të gjitha bashkë me atë?
33 Cili do të padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që drejtëson.
34 Cili do të jetë ai që dënon? Krishti është ai që vdiq, po edhe më tepër ai që u ngjall, i cili edhe është në të djathtë të Perëndisë, i cili edhe ndërmjeton për ne.
35 Cili do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Shtrëngim, apo vështirësi, apo vdekje, apo zi, apo lakuriqësi, apo rrezik, apo thikë?
36 Siç është shkruar: “Se për ty vritemi gjithë ditën; u numëruam porsi dhen për t’u therur”.
37 Po në gjithë këto ne dalim më tepër se fitimtarë me anë të atij që na deshi.
38 Sepse më është mbushur mendja se as vdekje, as jetë, as engjëj, as pushtete, as fuqira, as ato që janë tani, as ato që do të vijnë,
39 as lartësi, as thellësi, as ndonjë gjë tjetër e krijuar nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jisu Krishtin, Zotin tonë.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-9-

Zgjedhja e Izraelit
1 Të vërtetën them në Krishtin, nuk gënjej, edhe për këtë jep dëshmi bashkë me mua ndërgjegjja ime me anë të Frymës së Shenjtë,
2 se kam hidhërim të madh dhe dhimbje të pandërprerë në zemrën time.
3 Sepse do të doja që unë vetë të isha i mallkuar, i ndarë, nga Krishti për vëllezërit e mi, për të afërmit e mi sipas mishit;
4 të cilët janë Izraelitë, të cilëve u përket birësimi dhe lavdia dhe dhiatat dhe ligjësimi edhe adhurimi e premtimet;
5 atyre u përkasin etërit, edhe prej të cilëve lindi Krishti sipas mishit, i cili është përmbi të gjitha Perëndi i bekuar përjetë. Amin.
6 Dhe nuk është se ka rënë poshtë fjala e Perëndisë. Sepse të gjithë sa janë prej Izraelit, këta nuk janë Izrael;
7 as ngaqë janë farë e Abrahamit, janë të gjithë bij të tij; por “në Isaakun do të quhet fara jote”.
8 Domethënë, bijtë e mishit, nuk janë këta bij të Perëndisë; po bijtë e premtimit llogariten për farë.
9 Sepse fjala e premtimit është kjo: “Në këtë kohë do të vij, edhe Sara do të ketë bir”.
10 Edhe jo vetëm kjo, po edhe Rebeka kur u gjend me barrë prej një burri, prej Isaakut atit tonë;
11 sepse para se të lindnin djemtë, edhe para se të bënin ndonjë vepër të mirë a të ligë, që të mbetet urdhri i parë i Perëndisë që është sipas zgjedhjes, jo prej veprash, po prej atij që thërret,
12 iu tha asaj: “Se më i madhi do t’i shërbejë më të voglit”,
13 siç është shkruar “Jakovin e desha, po Esaun e urreva”.
14 Ç’të themi pra? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Qoftë larg.
15 Sepse Moisiut i thotë: “Do të përdëllej atë që të përdëllej, edhe do të më dhimbet për atë që të më dhimbet”.
16 Kështu pra kjo nuk është prej atij që do, as prej atij që vrapon, po prej Perëndisë që përdëllen.
17 Sepse Shkrimi i thotë Faraonit: “Se për këtë të ngrita, që të tregoj në ty fuqinë time, edhe që të rrëfehet emri im në gjithë dhenë”.
18 Atë pra që do ta përdëllejë, e përdëllen; edhe atë që do ta ashpërsojë, e ashpërson.

Zemërimi dhe mëshira e Perëndisë
19 Do të më thuash pra: Përse më qorton? Cili mund të rrijë kundër vullnetit të tij?
20 Po cili je ti, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mos mund t’i thotë gatesa gatuesit: Pse më bëre kështu?
21 Apo s’ka pushtet shtambari mbi baltën, që të bëjë prej po atij brumi një enë për nderim, edhe një tjetër për çnderim?
22 E çfarë, nëse Perëndia, duke dashur të tregojë zemërimin e tij, edhe të bëjë të njohur fuqinë e tij, duroi me shumë zemërgjerësi enë zemërimi që qenë bërë për të humbur?
23 Edhe që të bëjë të njohur pasurinë e lavdisë së tij mbi enë përdëllimi, të cilat i përgatiti më parë për lavdi,
24 kështu edhe neve, të cilëve edhe na thirri jo vetëm prej Judenjve, po edhe prej kombeve?
25 Siç thotë edhe tek Osieja: “Atë që s’ka qenë populli im do ta quaj populli im, edhe atë që nuk ishte i dashur të dashur.
26 Edhe do të jetë në atë vend që u është thënë atyre: Nuk jeni ju populli im, atje ata do të quhen bij të Perëndisë së gjallë.”
27 Edhe Isaia thërret për Izraelin: “Edhe në qoftë numri i bijve të Izraelit si rëra e detit, një mbetje do të shpëtojë;
28 sepse do të mbarojë e do të shkurtojë llogari me drejtësi, sepse Zoti do të bëjë llogari të shkurtuar mbi dhé”.
29 Edhe siç tha që përpara Isaia: “Po të mos na kishte lënë farë Zoti Savaoth, do të ishim bërë si Sodoma, edhe do të kishim ngjarë me Gomorrën”.

Izraeli dhe Ungjilli
30 Ç’të themi pra? Se ata kombe që s’ndoqën drejtësi, arritën drejtësi, drejtësinë që është prej besimit,
31 edhe Izraeli duke ndjekur ligjin e drejtësisë, në ligj drejtësie nuk arriti. Përse?
32 Sepse nuk e ndiqte me anë besimi, po me anë të veprave të ligjit.
33 Sepse u penguan në gurin e pengesës; siç është shkruar: “Ja tek vë në Sion një gur pengese, edhe një shkëmb skandali, edhe kushdo që beson tek ai nuk do të turpërohet”.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-10-

1 Vëllezër, dëshira e zemrës sime, edhe lutja që i bëj Perëndisë për Izraelin, është për shpëtim të tyre.
2 Sepse dëshmoj për ata se kanë zell për Perëndinë, po jo me vetëdije.
3 Sepse duke mos njohur drejtësinë e Perëndisë, edhe duke kërkuar të vendosin drejtësinë e tyre, nuk iu bindën drejtësisë së Perëndisë.
4 Sepse fundi i ligjit është Krishti, për drejtësi te cilido që beson.

Shpëtim për të gjithë
5 Sepse Moisiu shkruan për drejtësinë që është prej ligjit: “Se njeriu që bën këto, do të rrojë me anë të tyre”.
6 Po drejtësia që është prej besimit thotë kështu: “Mos thuaj në zemrën tënde: Kush do të ngjitet në qiell?” domethënë, që të zbresë Krishtin.
7 Apo: “Kush do të zbresë në humnerën e pafund?” domethënë, që të sjellë lart Krishtin prej së vdekurish.
8 Po ç’thotë? “Fjala është afër teje, në gojën tënde e në zemrën tënde”, domethënë, fjala e besimit që predikojmë;
9 se në rrëfefsh me gojën tënde Zotin Jisu, edhe në besofsh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli atë prej së vdekurish, do të shpëtosh.
10 Sepse njeriu beson me zemër për drejtësi, edhe me gojë rrëfehet për shpëtim.
11 Sepse Shkrimi thotë: “Gjithkush që beson në atë, nuk do të turpërohet”.
12 Sepse s’ka dallim ndërmjet Judeut e Grekut; sepse po ai Zot është i të gjithëve, i pasur për të gjithë ata që e thërresin atë.
13 Sepse kushdo që të thërresë emrin e Zotit, do të shpëtojë.
14 Si pra do të thërrasin atë, të cilin nuk e besuan? Edhe si do ta besojnë atë për të cilin nuk kanë dëgjuar? Edhe si do të dëgjojnë, pa predikues?
15 Edhe si do të predikojnë, në mos u dërgofshin? Siç është shkruar: “Sa të bukura janë këmbët e atyre që japin lajmin e mirë për paqe, të atyre që japin lajmin e mirë për të mirat”.
16 Por jo të gjithë iu bindën ungjillit, sepse Isaia thotë: “Zot, kush i besoi predikimit tonë?”
17 Besimi pra është prej dëgjimi; dhe dëgjimi me anë të fjalës së Perëndisë.
18 Por them: Mos nuk dëgjuan? Po, me të vërtetë “zëri i tyre doli në gjithë dheun, edhe fjalët e tyre deri në anët e botës”.
19 Po them: Mos nuk i njohu Izraeli? I pari Moisiu thotë: “Unë do t’ju shtie juve në zili për atë që nuk është komb, edhe do t’ju bëj të zemëroheni për një komb që s’ka mend”.
20 Po Isaia guxon edhe më tepër e thotë: “U gjenda tek ata që s’më kërkonin, u duka tek ata që as pyetnin për mua”.
21 Por Izraelit i thotë: “Tërë ditën i shtriva duart e mia një populli që nuk bindet dhe flet kundër”.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-11-

Pjesa e mbetur e Izraelit
1 Them pra: Mos e hodhi tej Perëndia popullin e tij? Qoftë larg. Sepse edhe unë Izraelit jam, prej farës së Abrahamit, prej fisit të Beniaminit.
2 Perëndia nuk e hodhi tej popullin e tij, të cilin e njohu që përpara. Apo nuk dini ç’thotë Shkrimi për Ilian? Si i flet Perëndisë kundër Izraelit, duke thënë:
3 “Zot, profetët e tu i vranë, edhe theroret e tua i shembën; edhe unë mbeta i vetëm, edhe kërkojnë jetën time”.
4 Po ç’i thotë përgjigjja e Perëndisë? “Kam lënë për veten time shtatë mijë burra, të cilët nuk u ulën në gjunjë përpara Baalit”.
5 Kështu pra edhe në kohën e tanishme ka ngelur një mbetje sipas zgjedhjes së hirit.
6 Edhe nëse është prej hiri, nuk është më prej veprash; sepse ndryshe hiri nuk është më hir; po nëse është prej veprash, nuk është më hir, sepse vepra nuk është më vepër.
7 Çfarë pra? Izraeli nuk e gjeti atë që kërkon; po të zgjedhurit e gjetën, edhe të tjerët u verbuan,
8 siç është shkruar: “Perëndia u dha atyre frymë përgjumjeje, sy që të mos shohin, edhe veshë që të mos dëgjojnë” deri në ditën e sotme.
9 Edhe Davidi thotë: “Iu bëftë atyre tryeza për kurth e për lak, e për pengesë e për shpagim.
10 U errësofshin sytë e tyre për të mos parë; edhe kurrizin e tyre kërruse përgjithnjë”.

Shpëtimi i kombeve
11 Them pra: Mos u penguan, që të rrëzohen? Qoftë larg. Po me anë të rrëzimit të tyre u bë shpëtimi i kombeve, që t’i shtjerë ata në zili.
12 Edhe në është rënia e tyre pasuri për botën, edhe dështimi i tyre pasuri për kombet, sa më tepër do të jetë plotësia e tyre?
13 Sepse ju kombeve ju them, – derisa jam unë apostull i kombeve, lavdëroj shërbesën time,
14 se mos i shtie në zili ata që janë mishi im, edhe shpëtoj disa nga ata.
15 Sepse nëse është hedhja tej e tyre paqe e botës, ç’tjetër do të jetë pritja e tyre, përveçse jetë prej së vdekurish.
16 Edhe në është fryti i parë i shenjtë, është edhe tërë brumi; edhe nëse është rrënja e shenjtë, janë edhe degët.
17 Po nëse u këputën ca nga degët, edhe ti që ishe ulli i egër u shartove në to, edhe u bëre pjesëtar i rrënjës dhe i pjellorisë së ullirit,
18 mos iu mburr degëve; edhe nëse mburresh, nuk e mban ti rrënjën, po rrënja ty.
19 Do të thuash pra: U këputën degët, që të shartohem unë.
20 Mirë. Për pabesinë u këputën, po ti qëndron me anë të besimit. Mos u mbaj me të lartë, po ki frikë;
21 sepse nëse Perëndia nuk kurseu degët prej natyre, ndoshta nuk të kursen as ty.
22 Shiko pra mirësinë dhe ashpërsinë e Perëndisë; mbi ata që u rrëzuan, ashpërsinë; edhe mbi ty, mirësinë, në qëndrofsh në mirësi; sepse ndryshe edhe ti do të këputesh.
23 Kështu edhe ata, në mos qëndrofshin në pabesi, do të shartohen; sepse Perëndia është i fuqishëm t’i shartojë përsëri ata.
24 Sepse nëse u këpute ti nga ulliri i egër prej natyre, edhe kundër natyrës u shartove në ulli të butë, sa më tepër këta që janë prej natyre degë do të shartohen në ullirin e tyre?

Rehabilitimi i Izraelit
25 Sepse nuk dua të mos e dini, vëllezër, këtë të fshehtë, – që të mos mbaheni të mençur në veten tuaj, – se u bë ngurtësia e një pjesë e Izraelit derisa të hyjë tërësia e kombeve,
26 edhe kështu gjithë Izraeli do të shpëtojë, siç është shkruar: “Do të vijë prej Sionit çliruesi, dhe do të largojë pabesitë nga Jakovi.
27 Edhe kjo është nga ana ime dhiata për ta, kur të heq mëkatet e tyre”.
28 Sipas ungjillit janë armiq për ju, por sipas zgjedhjes janë të dashur për shkak të etërve.
29 Sepse dhuratat dhe thirrja e Perëndisë janë të patundshme.
30 Sepse sikurse edhe ju dikur nuk i bindeshit Perëndisë, po tani u përdëllyet për mosbindjen e këtyre,
31 kështu edhe këta tani nuk u bindën, që me anë të përdëllimit që u tregua për ju të përdëllehen edhe ata.
32 Sepse Perëndia i mbylli të gjithë në mosbindje, që t’i përdëllejë të gjithë.
33 O thellësi pasurie dhe urtësie e diturie Perëndie! Sa të pagjurmueshme janë gjykimet e tua, edhe sa të pakuptueshme udhët e tua!
34 Sepse “kush e njohu mendjen e Zotit? Apo kush u bë këshilltar i tij?”
35 Apo “kush i dha gjë më parë, që t’i shpërblehet?” 36 Sepse prej tij dhe me anë të tij dhe në atë janë të gjitha. Atij i qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-12-

Jeta në shërbim të Perëndisë
1 Ju lutem pra, vëllezër, për përdëllimet e Perëndisë, t’i tregoni trupat tuaj therorë të gjallë, të shenjtë, të pëlqyeshëm për Perëndinë, adhurimin tuaj të arsyeshëm.
2 Edhe mos u përshtatni me këtë jetë; po shndërrohuni me anë të përtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cila është dëshira e Perëndisë, e mira dhe e pëlqyeshmja, dhe e përsosura.
3 Sepse me anë të atij hiri që më është dhënë, i them gjithsecilit prej jush të mos mendojë për veten e tij më tepër se sa duhet të mendojë, por të mendojë me urtësi, sipas masës së besimit që i caktoi Perëndia secilit.
4 Sepse, siç kemi në një trup shumë gjymtyrë, edhe të gjitha gjymtyrët nuk kanë të njëjtin veprim,
5 kështu edhe ne, ndonëse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe gjithsecili jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit.
6 Edhe kemi dhurata të ndryshme sipas hirit që na u dha; në kemi profeci, le të profetizojmë sipas pjesës së besimit që na takon;
7 ose shërbesë, le të qëndrojmë në shërbesë; kush është mësues, le të jepet pas mësimit;
8 kush ka dhuratën e këshillimit, le të japë këshilla; kush jep, le të japë me thjeshtësi; kush është i parë, le të jetë me kujdes; kush përdëllen, le të përdëllejë me gaz.
9 Dashuria le të jetë pa shtirje; urreni të ligën, ngjituni pas së mirës.
10 Të doni fort njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore; kalojeni në nderim njëri-tjetrin.
11 Në punë të jeni të papërtueshëm, në shpirt të nxehtë; Zotit t’i shërbeni.
12 Në shpresë të gëzoheni; në shtrëngim të duroni; në lutje të qëndroni;
13 në nevojat e shenjtëve të ndihmoni; nga mikpritja mos hiqni dorë.
14 Bekoni ata që ju përndjekin; bekoni e mos mallkoni.
15 Gëzohuni me ata që gëzohen, edhe qani me ata që qajnë.
16 Kini të njëjtat mendime në mes tuaj; mos u mbani më të lartë, por uluni bashkë me të përulurit; mos e pandehni veten tuaj për të mençur.
17 Asnjeriu mos ia shpaguani të keqen me të keqe; kujdesuni për vepra të mira përpara gjithë njerëzve.
18 Nëse mundet, sa varet nga ju, të keni paqe me të gjithë njerëzit.
19 Mos merrni shpagim për veten tuaj, o të dashur, po bëjini udhë zemërimit; sepse është shkruar: “Imi është shpagimi; unë kam për të shpaguar, thotë Zoti”.
20 Në i ardhtë uri pra armikut tënd, jepi të hajë; në i ardhtë etje, jepi të pijë; sepse duke bërë këtë do të grumbullosh thëngjij të ndezur mbi kryet e tij.
21 Mos u mund prej së keqes, po munde të keqen me të mirën.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-13-

Nënshtrimi ndaj pushteteve
1 Çdo shpirt le t’i nënshtrohet pushteteve që janë mbi të; sepse nuk ka pushtet veç nga Perëndia; edhe pushtetet që janë, prej Perëndisë janë urdhëruar.
2 Prandaj ai që kundërshton pushtetin, kundërshton urdhrin e Perëndisë; edhe ata që i kundërvihen, do të marrin dënim mbi veten e tyre.
3 Sepse krerët nuk janë frikë për punët e mira, po për të ligat. Do pra të mos kesh frikë nga pushteti? Bëj të mirën, dhe do të lëvdohesh prej tij.
4 Sepse pushtetari është shërbëtor i Perëndisë tek ty për të mirën. Po nëse bën të keqen, frikësohu; sepse ai nuk e mban më kot thikën; sepse është shërbëtor i Perëndisë, shpagimmarrës që përmbush zemërimin ndaj atij që kryen të keqen.
5 Prandaj është e nevojshme të ulni kryet, jo vetëm për shkak të zemërimit, po edhe prej ndërgjegjes.
6 Sepse për këtë paguani edhe taksa, se janë shërbëtorë Perëndie, që kujdesen për këtë.
7 Jepuni pra të gjithëve detyrimet; atij që i keni detyrim taksën, taksën; atij që i keni detyrim tatimin, tatimin; atij që i keni detyrim frikën, frikën; atij që i keni detyrim nderin, nderin.

Dashuria vëllazërore
8 Askujt të mos i detyroheni asgjë, përveçse të doni njëri-tjetrin; sepse ai që do tjetrin, ka përmbushur ligjin.
9 Sepse urdhërimet: “Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos jep dëshmi të rreme, mos lakmo”, edhe çdo urdhërim tjetër, janë përmbledhur në këtë fjalë: “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”.
10 Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria pra është përmbushja e ligjit.

Shpëtimi përfundimtar po afron
11 Edhe këtë ju them, duke ditur kohën se tashmë është ora të zgjohemi nga gjumi; sepse tani shpëtimi ynë është më afër sesa kur besuam.
12 Nata u thye dhe dita u afrua; le të hedhim pra tej veprat e errësirës, dhe le të veshim armët e dritës.
13 Le të ecim hijshëm si ditën; jo në argëtime e dehje, jo në shtretër kurvërie e shthurje, jo në grindje e smirë;
14 po vishni Zotin Jisu Krisht, edhe mos bëni kujdes për mishin që t’i plotësoni dëshirimet.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-14-

Mos gjykoni tjetrin
1 Edhe atë që është i dobët në besim, mirëpriteni, por jo për rrahje mendimesh.
2 Sepse dikush beson se mund të hajë nga të gjitha, kurse ai që është i dobët ha lakra.
3 Ai që ha le të mos përbuzë atë që s’ha; edhe ai që s’ha le të mos gjykojë atë që ha; sepse Perëndia e ka pranuar.
4 Cili je ti që gjykon shërbëtorin e huaj? Prej të zotit të vet ai qëndron ose bie; por do të qëndrojë; sepse Perëndia është i fortë ta bëjë të qëndrojë atë.
5 Sepse dikush e çmon një ditë më tepër se një tjetër ditë, e dikush çmon çdo ditë njëlloj. Gjithsecili le të mendojë si i është mbushur mendja.
6 Ai që ruan ditën, për Zotin e ruan, edhe ai që nuk e ruan ditën, për Zotin nuk e ruan. Ai që ha, për Zotin ha, edhe ai që nuk ha, për Zotin nuk ha, edhe falënderon Perëndinë.
7 Sepse asnjë prej nesh nuk rron për veten e vet, edhe asnjë nuk vdes për veten e vet.
8 Sepse edhe nëse rrojmë, për Zotin rrojmë; edhe nëse vdesim, për Zotin vdesim. Edhe nëse rrojmë pra edhe nëse vdesim, të Zotit jemi.
9 Sepse për këtë Krishti edhe vdiq, edhe u ngjall, edhe rrojti, që të zotërojë edhe mbi të vdekurit edhe mbi të gjallët.
10 Po ti pse gjykon vëllanë tënd? Apo edhe ti pse përbuz vëllanë tënd? Sepse ne të gjithë do të dalim para gjykatës së Krishtit.
11 Sepse është shkruar: “Rroj unë, thotë Zoti, se mua do të më përkulet çdo gju, edhe çdo gjuhë do të lavdërojë Perëndinë”.
12 Kështu pra gjithsecili prej nesh do t’i japë llogari Perëndisë për veten e vet.

Mos i vini pengesa vëllait
13 Pra, le të mos gjykojmë më njëri-tjetrin; po gjykoni më tepër këtë, mos i vini vëllait pengesë ose skandal.
14 E di dhe jam i bindur në Zotin Jisu, se s’ka asgjë të papastër nga vetvetja; vetëm për atë që mendon se ndonjë gjë është e papastër, për atë është e papastër.
15 Po nëse hidhërohet yt vëlla për ushqimin tënd, ti nuk ecën më sipas dashurisë. Mos e bëj të humbasë prej ushqimit tënd atë, për të cilin Krishti vdiq.
16 Le të mos shahet pra e mira juaj.
17 Sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënë e të pirë, po drejtësi e paqe dhe gëzim në Frymën e Shenjtë;
18 sepse ai që i shërben Krishtit me këto, është i pëlqyeshëm për Perëndinë dhe i miratuar nga njerëzit.
19 Kështu pra, le të ndjekim ato që janë për paqen, edhe ato që janë për ndërtimin e njëri-tjetrit.
20 Mos e prish punën e Perëndisë për shkak të ushqimit. Të gjitha janë të pastra; po është keq për njeriun që ha me skandal.
21 Eshtë mirë që njeriu të mos hajë mish, as mos të pijë verë, as mos të bëjë gjë, nga e cila pengohet ose skandalizohet apo sëmuret yt vëlla.
22 Ke ti besim? Kije atë në veten tënde përpara Perëndisë. Lum ai që nuk dënon vetveten për atë që e gjen të vlefshme.
23 Por ai që dyshon, edhe në ngrëntë, dënohet; sepse nuk e bën nga besimi; edhe çdo gjë që nuk bëhet nga besimi, është mëkat.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-15-

1 Edhe ne të fortët kemi detyrë të mbajmë dobësitë e të dobtëve, e jo t’i pëlqejmë vetes.
2 Gjithsecili prej nesh le t’i pëlqejë të afërmit për të mirën që çon në ndërtim.
3 Sepse edhe Krishti nuk pëlqeu vetveten, po siç është shkruar: “Sharjet e atyre që të shajnë ty ranë mbi mua”.
4 Sepse sa u shkruan më përpara, u shkruan për mësimin tonë, që të kemi shpresë me anë të durimit e të ngushëllimit të shkrimeve.
5 Edhe Perëndia i durimit e i ngushëllimit ju dhëntë juve të keni të njëjtën mendje ndërmjet jush sipas Jisu Krishtit;
6 që të lavdëroni njëzëri me një gojë Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jisu Krisht.

Lavdia botërore për Perëndinë
7 Prandaj pranoni njëri-tjetrin, siç ju pranoi edhe Krishti për lavdi të Perëndisë.
8 Edhe them se Jisu Krishti u bë shërbëtor i rrethprerjes për të vërtetën e Perëndisë, që të vërtetojë premtimet e bëra etërve;
9 edhe që të lavdërojnë kombet Perëndinë për përdëllimin e tij, siç është shkruar: “Për këtë do të të lavdëroj ndër kombe, dhe në emrin tënd do të psal”.
10 Edhe përsëri thotë: “Gëzohuni, o kombe, bashkë me popullin e tij”.
11 Edhe përsëri: “Lavdëroni Zotin, gjithë kombet, edhe lavdërojeni atë, gjithë popujt”.
12 Edhe përsëri Isaia thotë: “Do të jetë rrënja e Jeseut” dhe “Ai që do të ngrihet të mbretërojë mbi kombet, tek ai do të shpresojnë kombet”.
13 Edhe Perëndia i shpresës ju mbushtë me çdo lloj gëzimi e paqeje me anë të besimit, që të teproni në shpresë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Veprimtaria apostolike e Pavlit
14 Po edhe unë vetë, o vëllezër, jam i bindur për ju, se edhe ju jeni plot me mirësi, plot me çdo dituri, edhe se mund të këshilloni njëri-tjetrin.
15 Po ju shkrova juve disi më me guxim, që t’ju kujtoj për hirin që m’u dha nga Perëndia,
16 që të jem shërbëtor i Jisu Krishtit në kombet, duke kryer veprën e shenjtë të ungjillit të Perëndisë, që të bëhet dhurata e kombeve e mirëpritur dhe e shenjtëruar me anë të Frymës së Shenjtë.
17 Kam pra pse të mburrem në Jisu Krishtin për sa kanë të bëjnë me Perëndinë.
18 Sepse nuk do të guxoj të flas për ndonjë nga ato vepra, të cilat Krishti nuk i bëri me anën time, për të prurë në bindje kombet, me fjalë e me vepër,
19 me fuqi shenjash e çudish, me fuqi të Frymës së Perëndisë, kaq sa që nga Jerusalemi e përqark e deri në Ilirik e kam mbushur me ungjillin e Krishtit.
20 Edhe kështu synova të predikoj ungjillin, jo ku ishte i njohur emri i Krishtit, që të mos ndërtoj mbi themel të huaj;
21 por, siç është shkruar: “Ata, ndër të cilët s’është lajmëruar për të, do të shohin; edhe ata që s’kanë dëgjuar, do të kuptojnë”.

Planet e Pavlit për të ardhmen
22 Prandaj edhe u pengova shumë herë e s’erdha dot te ju.
23 Po tani duke mos pasur më vend në këto anë, edhe pasi prej shumë vitesh kam mall të vij te ju,
24 kur të shkoj në Spanjë, do të kaloj nga ju, sepse shpresoj duke shkuar t’ju shoh ju, edhe të përcillem prej jush për atje, pasi të ngopem deri diku me ju.
25 Por tani po shkoj në Jerusalem, për t’u shërbyer shenjtëve.
26 Sepse Maqedonia dhe Akaia e patën kënaqësi t’u japin ndihmë të varfërve ndërmjet shenjtëve në Jerusalem.
27 Me të vërtetë u pëlqeu, dhe u janë të detyruar atyre; sepse nëse u bënë kombet pjesëtarë bashkë me ata në punët e shpirtit, kanë detyrë t’u shërbejnë atyre edhe në punët e mishit.
28 Si të mbaroj pra këtë, edhe t’ua jap atyre me siguri këtë fryt, do të shkoj nga ju për në Spanjë.
29 Edhe e di se duke ardhur te ju, do të vij me plotësinë e bekimit të ungjillit të Krishtit.
30 Edhe ju lutem, vëllezër, me anë të Zotit tonë Jisu Krisht, edhe me anë të dashurisë së Frymës së Shenjtë, të përpiqeni bashkë me mua duke iu lutur Perëndisë për mua,
31 që të shpëtoj nga ata që janë kundërshtarë të besimit në Jude, edhe që të bëhet e mirëpritur ndër shenjtët shërbesa ime në Jerusalem,
32 që të vij te ju me gëzim, në dashtë Perëndia, edhe të prehem bashkë me ju.
33 Edhe Perëndia i paqes qoftë bashkë me ju të gjithë. Amin.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-16-

Përshëndetje
1 Edhe ju rekomandoj juve Fivën, motrën tonë, që është dhjakone e kishës në Qenkre,
2 që ta pritni në Zotin, siç është e denjë për shenjtorët, edhe ta ndihmoni atë për çdo gjë që të ketë nevojë prej jush; sepse edhe ajo u ka ndihmuar shumë vetave, edhe mua vetë.
3 Përshëndetni Priskilën e Akilën, bashkëpunëtorët e mi në Jisu Krishtin,
4 të cilët vunë qafën e tyre nën thikë për jetën time, të cilët i falënderoj jo vetëm unë, por edhe gjithë kishat e kombeve;
5 si edhe kishën që është në shtëpinë e tyre. Përshëndetni Epenetin tim të dashur, i cili është fryti i parë e Akaisë në Krishtin.
6 Përshëndetni Marien, e cila u mundua shumë për ne.
7 Përshëndetni Andronikun dhe Juninë, të afërmit e mi dhe shokë të mi të burgut, të cilët janë të nderuar ndërmjet apostujve, të cilët edhe më përpara se unë kanë qenë në Krishtin.
8 Përshëndetni Ampliun, të dashurin tim në Zotin.
9 Përshëndetni Urbanin bashkëpunëtorin tonë në Krishtin, si dhe Stahin, të dashurin tim.
10 Përshëndetni Apelinin, të provuarin në Krishtin. Përshëndetni ata të Aristobulit. Përshëndetni Irodionin, të afërmin tim.
11 Përshëndetni ata të Narqisit, sa janë në Zotin.
12 Përshëndetni Trifenën dhe Trifosën, të cilat mundohen në Zotin. Përshëndetni të dashurën Persidë, e cila shumë u mundua në Zotin.
13 Përshëndetni Rufin, të zgjedhurin në Zotin dhe të ëmën e tij, që është edhe imja.
14 Përshëndetni Asinkritin, Flegondin, Ermain, Patrovin, Ermiun, edhe vëllezërit që janë bashkë me ta.
15 Përshëndetni Filologun dhe Julinë, Nireun dhe motrën e tij, edhe Olimbain, edhe gjithë shenjtorët që janë bashkë me ata.
16 Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë. Ju përshëndesin ju kishat e Krishtit.
17 Edhe ju lutem juve, o vëllezër, të ruheni nga ata që bëjnë përçarje dhe skandale kundër mësimit që keni nxënë ju, edhe largohuni nga ata.
18 Sepse të tillët nuk i shërbejnë Zotit tonë Jisu Krisht, po barkut të tyre; edhe me fjalë të ëmbla e të bukura gënjejnë zemrat e atyre që s’dinë ligësi.
19 Sepse bindja juaj arriti tek të gjithë. Sa për ju pra, gëzohem; edhe dua të jeni të ditur për të mirën dhe të pastër për të keqen.
20 Edhe Perëndia i paqes do të dërrmojë satanain në këmbët tuaja për së shpejti. Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht qoftë me ju. Amin.
21 Ju përshëndesin Timotheu, bashkëpunëtori im, edhe Luçi, edhe Jasoni e Sosipatri, kushërinjtë e mi.
22 Ju përshëndes në Zotin unë Tertiu që shkrova letrën.
23 Ju përshëndet Gai, mikpritësi im dhe i gjithë kishës. Ju përshëndet Erazmi, kujdestari i qytetit, edhe vëllai Kuart.
24 Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht qoftë me ju. Amin.
25 Edhe atij që mund t’ju forcojë sipas ungjillit tim dhe predikimit të Jisu Krishtit, sipas zbulesës së misterit që u mbajt i fshehur prej kohësh të përjetshme,
26 por u shfaq tani edhe me anë të shkronjave të profetëve, sipas urdhrit të Perëndisë së përjetshëm, dhe u njoh në gjithë kombet që t’i binden besimit,
27 Perëndisë së vetëm të ditur me anë të Jisu Krishtit, i qoftë lavdia për jetë. Amin.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Romakëve

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme