UNGJILLI  SIPAS  MARKUT

-1-

1 Fillimi i ungjillit të Jisu Krishtit, Birit të Perëndisë,
2 siç është shkruar në profetët: “Ja unë tek dërgoj engjëllin tim përpara faqes sate, i cili do të përgatisë udhën tënde përpara teje”.
3 “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit, bëni të drejta rrugët e tij”.
4 Joani ishte duke pagëzuar në shkretëtirë, edhe duke predikuar pagëzim pendimi për ndjesën e mëkateve.
5 Edhe dilnin tek ai gjithë vendi i Judesë dhe jerusalemasit, edhe të gjithë pagëzoheshin nga ai në lumin e Jordanit, duke rrëfyer mëkatet e tyre.
6 Edhe Joani ishte veshur me lesh gamileje, edhe kishte brez të lëkurtë rreth mesit të tij dhe hante karkaleca e mjaltë të egër.
7 Edhe predikonte, duke thënë: Prapa meje vjen më i forti se unë, të cilit s’jam i zoti të ulem e t’i zgjidh rripin e sandaleve.
8 Unë ju pagëzova me ujë, po ai do t’ju pagëzojë me Frymë të Shenjtë.
9 Edhe në ato ditë erdhi Jisui nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Joani në Jordan.
10 Edhe menjëherë, duke dalë nga uji, pa qiejt duke u hapur dhe Frymën e Shenjtë si pëllumb duke zbritur mbi të.
11 Edhe erdhi një zë nga qiejt: Ti je Biri im i dashur që e kam pëlqyer.
12 Edhe menjëherë Fryma e nxjerr Jisuin në shkretëtirë.
13 Edhe ishte atje në shkretëtirë dyzet ditë dhe ngitej nga Satanai. Edhe ishte bashkë me egërsirat. Edhe engjëjt i shërbenin.
14 Edhe pasi u dorëzua Joani, Jisui erdhi në Galile, duke predikuar Ungjillin e mbretërisë së Perëndisë,
15 edhe duke thënë se u plotësua koha, edhe u afrua mbretëria e Perëndisë; pendohuni, edhe i besoni ungjillit.
16 Edhe duke ecur buzë detit të Galilesë, pa Simonin dhe Andrean, vëllanë e Simonit, që po hidhnin rrjetën në det; sepse ishin peshkatarë.
17 Edhe Jisui u tha atyre: Ejani pas meje, edhe do t’ju bëj ju të bëheni peshkatarë njerëzish.
18 Edhe ata menjëherë lanë rrjetat e tyre dhe shkuan pas tij.
19 Edhe duke shkuar prej andej pak më tej pa Jakovin, të birin e Zevedheut, edhe Joanin, të vëllain e tij, ndërsa ishin në lundër duke ndrequr rrjetat.
20 Edhe menjëherë i thirri ata; edhe ata lanë të atin e tyre, Zevedheun, në lundër bashkë me punëtorët, edhe shkuan pas tij.
21 Edhe hyjnë në Kapernaum; edhe Jisui menjëherë të shtunën hyri në sinagogë e mësonte.
22 Edhe çuditeshin për mësimin e tij, sepse ishte duke i mësuar ata si ndonjë që ka pushtet dhe jo si shkruesit.
23 Edhe ishte në sinagogën e tyre një njeri që kishte frymë të ndyrë, edhe bërtiti duke thënë:
24 Ah! Ç’ka mes nesh dhe teje, Jisu Nazaretas? Erdhe të na humbasësh? Të di cili je, Shenjti i Perëndisë.
25 Po Jisui e qortoi, duke thënë: Mbyll gojën dhe dil nga ai.
26 Edhe fryma e ndyrë, si e shkundi fort dhe bërtiti me zë të madh, doli nga ai.
27 Edhe të gjithë u habitën, sa që bisedonin njëri-tjetrin, duke thënë: Ç’është kjo? Ç’është ky mësim i ri? Sepse me pushtet urdhëron edhe frymët e ndyra, edhe i binden.
28 Edhe menjëherë fama e tij u përhap nëpër gjithë vendin rreth Galilesë.
29 Edhe përnjëherë dolën nga sinagoga e erdhën në shtëpinë e Simonit e të Andreas bashkë me Jakovin e me Joanin.
30 Edhe e vjehrra e Simonit po dergjej në ethe; dhe menjëherë i thonë për të.
31 Edhe ai u afrua dhe, si e kapi atë prej dore, e ngriti; dhe atë e lanë ethet menjëherë, dhe u shërbente atyre.
32 Edhe si u ngrys, në perëndim të diellit, prunë tek ai gjithë ata që kishin keq dhe të demonizuarit.
33 Edhe tërë qyteti ishte mbledhur te dera.
34 Edhe shëroi shumë veta që vuanin prej sëmundjesh të ndryshme; dhe shumë nxori demonë, dhe s’i linte demonët të flisnin, sepse e njihnin që ishte Krishti.
35 Edhe në mëngjes shumë herët, para se të zbardhte, u ngrit e doli, edhe shkoi në një vend të shkretë, edhe lutej atje.
36 Edhe i rendën prapa Simoni dhe ata që ishin bashkë me të.
37 Edhe kur e gjetën, i thonë se të gjithë po të kërkojnë.
38 Edhe ai u thotë atyre: Le të shkojmë në qytezat e afërta, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë kam dalë.
39 Edhe ishte duke predikuar nëpër sinagogat e tyre, në gjithë Galilenë, edhe duke nxjerrë demonët.
40 Edhe vjen tek ai një lebros e i lutet, edhe bie në gjunjë përpara tij e i thotë se po të duash, mund të më pastrosh.
41 Dhe Jisuit iu dhimbs, edhe si zgjati dorën, e preku dhe i thotë: Dua, pastrohu.
42 Edhe sapo ai tha këtë, përnjëherë i iku lebra, edhe u pastrua.
43 Edhe si i foli me rreptësi, menjëherë e nxori jashtë, edhe i thotë:
44 Vështro se mos i thuash gjë ndonjërit, po shko dhe rrëfe veten tënde te prifti, edhe sill për pastrimin tënd ato që ka urdhëruar Moisiu për dëshmi tek ata.
45 Por ai, si doli, nisi të shpallë gjithçka dhe të përhapë fjalën, aq sa ai, Jisui, s’mundej më të hynte haptas në qytet, por ishte jashtë nëpër vende të shkreta; edhe vinin tek ai nga të gjitha anët.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-2-

1 Edhe pas disa ditësh përsëri hyri në Kapernaum; dhe u dëgjua se është në një shtëpi.
2 Edhe përnjëherë u mblodhën shumë vetë, aq sa as vendet pranë derës s’i nxinin më; edhe ai u predikonte atyre fjalën.
3 Edhe vijnë tek ai e sjellin një të paralizuar që e ngrinin katër vetë.
4 Edhe pasi s’mund të afroheshin tek ai nga turma, zbuluan kulmin ku ishte ai, edhe si bënë një vrimë, zbritën shtratin, mbi të cilin dergjej i paralizuari.
5 Edhe Jisui, kur pa besimin e tyre, i thotë të paralizuarit: Bir, t’u falën mëkatet e tua.
6 Edhe ca nga shkruesit ishin atje duke ndenjur, edhe duke menduar në zemrat e tyre:
7 Ç’flet ky kështu blasfemira? Cili mund të falë mëkate, përveçse një, Perëndia?
8 Edhe Jisui menjëherë si e mori vesh në shpirtin e tij se po mendohen kështu me veten e tyre, u tha atyre: Përse i mendoni këto në zemrat tuaja?
9 Ç’është më lehtë t’i them të paralizuarit: T’u falën mëkatet, apo t’i them: Ngrihu, e merr shtratin tënd, edhe ec?
10 Po që ta dini se i Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkate mbi dhe, – i thotë të paralizuarit:
11 Ty të them, ngrihu dhe merr shtratin tënd e shko në shtëpinë tënde.
12 Edhe ai u ngrit menjëherë dhe mori shtratin, edhe doli përpara të gjithëve, aq sa të gjithë çuditeshin dhe lavdëronin Perëndinë, duke thënë se kurrë s’kemi parë kështu.
13 Edhe doli përsëri buzë detit; edhe gjithë turma vinte tek ai, edhe ai i mësonte ato.
14 Edhe duke shkuar pa Levin, të birin e Alfeut, duke ndenjur në doganë; edhe i thotë: Eja pas meje. Edhe ai u ngrit e shkoi pas tij.
15 Edhe kur po rrinte në tryezë në shtëpinë e atij, ishin ulur në tryezë edhe shumë tagrambledhës e mëkatarë bashkë me Jisuin e me nxënësit e tij; sepse ishin shumë, edhe shkuan pas tij.
16 Edhe shkruesit e Farisenjtë, kur e panë atë duke ngrënë bashkë me tagrambledhësit e me mëkatarët, u thoshin nxënësve të tij: Përse ha e pi ai bashkë me tagrambledhësit e me mëkatarët?
17 Edhe Jisui, kur dëgjoi, u thotë atyre: Të shëndoshët s’kanë nevojë për shërues, po ata që vuajnë; s’kam ardhur për të thirrur të drejtë, po mëkatarë në pendim.
18 Edhe nxënësit e Joanit dhe ata të Farisenjve agjëronin; edhe vijnë, e i thonë: Pse nxënësit e Joanit e ata të Farisenjve agjërojnë ndërsa nxënësit e tu nuk agjërojnë?
19 Edhe Jisui u tha: Mos mundin të agjërojnë dasmorët për sa kohë të jetë dhëndri bashkë me ta? Sa kohë kanë dhëndrin me vete, s’mund të agjërojnë.
20 Por do të vijnë ditë kur do të merret dhëndri prej tyre, edhe atëherë do të agjërojnë në ato ditë.
21 Edhe asnjë s’qep një arnë pëlhure të re në rrobë të vjetër; përndryshe, mbushja e saj e re tërheq prej së vjetrës dhe grisja bëhet më e keqe.
22 Edhe asnjë s’vë verë të re në shakuj të vjetër; përndryshe, vera e re gris shakujt, edhe vera derdhet, edhe shakujt prishen; po vera e re duhet të vihet në shakuj të rinj.
23 Edhe ndërsa ai po shkonte një ditë të shtunë nëpër të mbjella, nxënësit e tij, duke bërë udhë, zunë të shkoqin kallinj.
24 Edhe Farisenjtë i thoshin: Shih, pse bëjnë të shtunën atë që nuk lejohet?
25 Edhe ai u thoshte atyre: Kurrë s’keni lexuar ç’bëri Davidi kur pati nevojë dhe i erdhi uri atij dhe atyre që ishin bashkë me të?
26 Si hyri në shtëpinë e Perëndisë në ditët e kryepriftit Abiatar dhe hëngri bukët e blatës, të cilat nuk lejohet t’i hajë tjetër njeri, veç priftërinjve, edhe u dha edhe atyre që ishin bashkë me të?
27 Edhe u thoshte atyre: E shtuna është bërë për njeriun, jo njeriu për të shtunën.
28 Prandaj i biri i njeriut është i zoti edhe i së shtunës.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-3-

1 Edhe hyri përsëri në sinagogë; edhe atje ishte një njeri që e kishte dorën të thatë.
2 Edhe e vinin re atë nëse do ta shëronte të shtunën, që ta akuzonin.
3 Edhe ai i thotë njeriut që kishte dorën e thatë: Ngrihu e qëndro në mes.
4 Edhe u thotë atyre: A lejohet të bëjë njeriu mirë të shtunave apo të bëjë keq? Të shpëtojë jetë apo të vrasë? Po ata s’bënin zë.
5 Atëherë si i shikoi për rreth me zemërim, i hidhëruar për ngurtësinë e zemrës së tyre, i thotë njeriut: Shtri dorën tënde. Edhe ai e shtriu; edhe dora e tij u bë përsëri e shëndoshë si tjetra.
6 Edhe Farisenjtë si dolën, menjëherë bënë këshillë bashkë me herodianët kundër tij, që ta vrasin.
7 Edhe Jisui bashkë me nxënësit e tij u nis drejt detit; edhe pas i shkoi një turmë e madhe nga Galilea,
8 edhe nga Judea, edhe nga Jerusalemi, edhe nga Idumea, e që përtej Jordanit; edhe një turmë e madhe nga ata që ishin rreth Tirit e Sidonës, kur dëgjuan se sa bënte, erdhën tek ai.
9 Edhe ai u tha nxënësve të tij ta presë atë afër një lundër, për shkak të turmës, që të mos e shtrëngojnë.
10 Sepse shëroi shumë vetë, aq sa binin sipër tij, që ta preknin, sa veta kishin sëmundje.
11 Edhe frymët e ndyra kur e vështronin, i binin përpara dhe bërtitnin duke thënë se ti je i Biri i Perëndisë.
12 Po ai i qortonte shumë, që të mos e shfaqnin.
13 Pastaj ngjitet në mal dhe thërret pranë vetes sa njerëz deshi ai; edhe ata shkuan tek ai.
14 Edhe zgjodhi dymbëdhjetë vetë, që të jenë bashkë me të dhe që t’i dërgojë të predikojnë.
15 Edhe të kenë pushtet të shërojnë sëmundjet, edhe të nxjerrin demonët:
16 Simonin, të cilit ia vuri emrin Pjetër;
17 edhe Jakovin, të birin e Zevedheut, edhe Joanin, të vëllanë e Jakovit, edhe ua vuri emrin Boanergjes, që domethënë Bij bubullime;
18 edhe Andrean, e Filipin, e Bartolomeun, e Matheun, e Thomain, e Jakovin e Alfeut, e Tadeun, e Simon Kananeasin,
19 edhe Juda Iskariotin, i cili edhe e tradhtoi.
20 Edhe vijnë në një shtëpi; edhe mblidhet përsëri turmë, kaq sa ata s’mund të hanin as bukë.
21 Edhe kur dëgjuan njerëzit e tij, dolën ta mbajnë, sepse thoshin se nuk është në vete.
22 Edhe shkruesit që zbritën nga Jerusalemi thoshnin se ka Beelzebulin dhe se i nxjerr demonët me anë të të parit të demonëve.
23 Po ai, si i thirri ata pranë, u thoshte me paravoli: Si mund të nxjerrë Satanai Satanain?
24 Edhe një mbretëri në u ndaftë kundër vetes së saj, ajo mbretëri s’mund të qëndrojë.
25 Edhe një shtëpi në u ndaftë kundër vetes së saj, ajo shtëpi s’mund të qëndrojë.
26 Edhe Satanai nëse u ngrit kundër vetes së tij dhe u nda, s’mund të qëndrojë, po i erdhi fundi.
27 Asnjë s’mund të hyjë në shtëpinë e të fortit e të rrëmbejë enët e tij, në mos e lidhtë më përpara të fortin, edhe atëherë do të rrëmbejë shtëpinë e atij.
28 Me të vërtetë po ju them juve se bijve të njerëzve do t’u ndjehen gjithë mëkatet dhe gjithë blasfemitë që do të blasfemojnë.
29 Por ai që të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë, nuk ka ndjesë për jetë, po është fajtor për dënim të përjetshëm;
30 sepse thoshin: Ka frymë të ndyrë.
31 Vijnë pra e ëma dhe të vëllezërit, edhe si qëndruan jashtë, dërguan tek ai që ta thërresin.
32 Edhe turma rrinte rreth tij; edhe i thanë atij: Ja nëna jote dhe vëllezërit e tu po të kërkojnë jashtë.
33 Po ai iu përgjigj atyre, duke thënë: Kush është nëna ime ose vëllezërit e mi?
34 Edhe si hodhi sytë rrotull mbi ata që rrinin rreth tij, tha: Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.
35 Sepse ai që të bëjë vullnetin e Perëndisë, ky është im vëlla, edhe ime motër, edhe nëna.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-4-

1 Edhe përsëri zuri të mësonte buzë detit; edhe u mblodh pranë tij turmë e madhe, aq sa ai hyri në lundër dhe rrinte në det.
2 Edhe tërë turma ishte në tokën pranë detit dhe ai u mësonte atyre shumë gjëra me taravoli, edhe u thoshte atyre në mësimin e tij:
3 Dëgjoni. Ja tek doli mbjellësi të mbjellë.
4 Edhe në mbjellje, një pjesë e farës ra në rrugë, edhe erdhën zogjtë dhe e hëngrën.
5 Edhe tjetra ra mbi gurishte, ku s’kishte dhe shumë, edhe menjëherë mbiu, sepse s’kishte dhe të thellë,
6 po kur lindi dielli, u dogj, edhe meqenëse s’kishte rrënjë, u tha.
7 Edhe një pjesë tjetër ra në gjemba; edhe gjembat hipën dhe e mbytën, e nuk dha fryt.
8 Edhe tjetër ra në dhe të mirë, edhe jepte fryt duke u lartësuar e duke u rritur, edhe pruri fryte njëra tridhjetë, e njëra gjashtëdhjetë, e njëra njëqind.
9 Edhe u thoshte atyre: Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
10 Edhe kur mbeti vetëm, ata që ishin rreth tij bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për paravolinë.
11 Edhe ai u thoshte atyre: Juve ju është dhënë të njihni të fshehtat e mbretërisë së Perëndisë. Po për ata që janë jashtë, të gjitha bëhen me paravoli,
12 që duke parë të vështrojnë, edhe të mos shohin; edhe duke dëgjuar të dëgjojnë, edhe të mos kuptojnë, se mos ndonjëherë kthehen e u falen mëkatet.
13 Edhe u thotë atyre: Nuk e dini këtë paravoli? Edhe si pra do t’i kuptoni gjithë paravolitë?
14 Mbjellësi është ai që mbjell fjalën.
15 Edhe ata pranë udhës janë këta, në të cilët mbillet fjala; po kur dëgjojnë, përnjëherë vjen Satanai dhe merr fjalën që është mbjellë në zemrat e tyre.
16 Edhe gjithashtu ata që mbillen në gurishte janë këta, të cilët, kur dëgjojnë fjalën, përnjëherë e marrin me gëzim,
17 po s’kanë rrënjë në veten e tyre, edhe janë për pak kohë. Pastaj, kur bëhet shtrëngim a përndjekje për fjalën, përnjëherë skandalizohen.
18 Edhe ata që mbillen në gjembat janë këta, të cilët e dëgjojnë fjalën,
19 po kujdesjet e kësaj jete dhe gënjimi i pasurisë, edhe dëshirimet për të tjera gjëra, hyjnë e mbysin fjalën, edhe kjo bëhet e pafrytshme.
20 Dhe ata që u mbollën në dhe të mirë janë këta, të cilët dëgjojnë fjalën dhe e presin, edhe sjellin pemë, një tridhjetë, një gjashtëdhjetë dhe një njëqind.
21 Edhe u thoshte atyre: Mos vallë sillet kandili që të vihet nën shinik apo nën shtrat? E jo që të vihet mbi kandiler?
22 Sepse s’ka gjë të fshehtë që të mos shfaqet; as nuk është bërë ndonjë gjë e fshehur, që të mos dalë në dukje.
23 Nëse ka ndonjë veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
24 Edhe u thoshte atyre: Vini re ç’dëgjoni. Me ç’matës matni, do t’ju matet edhe juve, edhe do të shtohet mbi ju që dëgjoni.
25 Sepse atij që ka do t’i jepet, edhe atij që s’ka, edhe ajo që ka do t’i merret.
26 Edhe thoshte: Kështu është mbretëria e Perëndisë, si një njeri që hedh farën mbi dhe,
27 edhe fle e ngrihet natë e ditë; edhe fara mbin e rritet, kështu që ai s’e di se si.
28 Sepse dheu vetvetiu sjell fryte, më parë bar, pastaj kalli, pastaj grurë të plotë në kalli.
29 Edhe kur arrihet fryti, dërgon menjëherë drapërin, sepse arriti të korrët.
30 Edhe thoshte: Me se ta përngjajmë mbretërinë e Perëndisë? Ose me çfarë paravolie ta krahasojmë?
31 Eshtë si një kokërr sinapi, e cila, kur mbillet në dhe, është më e vogël se gjithë farërat që janë mbi dhe.
32 Por, si mbillet, rritet e bëhet më e madhe se gjithë lakrat, edhe bën degë të mëdha, aq sa zogjtë e qiellit mund të rrinë nën hijen e tij.
33 Edhe me shumë të këtilla paravoli u fliste atyre fjalën, siç mund ta dëgjonin.
34 Edhe pa paravoli nuk ua fliste atyre fjalën; po veçan nxënësve të tij ua zgjidhte të gjitha.
35 Edhe atë ditë, si u ngrys, u thotë atyre: Le të hidhemi përtej.
36 Edhe nxënësit, si lanë turmën, e marrin siç ishte në lundër; edhe të tjera lundra ishin bashkë me të.
37 Edhe bëhet një stuhi e madhe ere; edhe valët binin brenda në lundër, aq sa ajo tani po mbushej.
38 Edhe ai ishte në anën e prapme të lundrës duke fjetur mbi nënkresë; edhe e ngrenë e i thonë: Mësues, nuk do t’ia dish se po humbasim?
39 Edhe ai u ngrit e qortoi erën, edhe i tha detit: Pusho, mbylle.
40 Edhe pushoi era, edhe u bë bunacë e madhe. Edhe u tha atyre: Pse jeni kështu frikacakë? Si s’keni besim?
41 Edhe ata u frikësuan me frikë të madhe, edhe i thoshin njëri-tjetri: Cili vallë është ky, që edhe era edhe deti e dëgjojnë?

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-5-

1 Edhe erdhën në anën e përtejme të detit, në vendin e Gadarinëve.
2 Edhe sapo doli nga lundra, përnjëherë i doli përpara nga varret një njeri me frymë të ndyrë,
3 që kishte banesën në varre, edhe asnjë s’mund ta lidhte as me vargonj.
4 Sepse shumë herë qe lidhur me hekura ndër këmbë e me vargonj, po ai i kishte këputur vargonjtë dhe kishte thyer hekurat e këmbëve; dhe asnjë s’mund ta zbuste.
5 Edhe gjithnjë, ditë e natë, ishte nëpër varre e nëpër male duke bërtitur e duke copëtuar veten e tij me gurë.
6 Edhe kur pa Jisuin për së largu, u lëshua me vrap dhe iu fal.
7 Edhe duke bërtitur me zë të madh thotë: Ç’ke ti me mua, o Jisu, i biri i Perëndisë së lartë? Të vë në be në Perëndinë, të mos më mundosh.
8 Sepse Jisui i thoshte: Dil nga njeriu, o frymë e ndyrë.
9 Edhe e pyeste: Si e ke emrin? Edhe ai u përgjigj e tha: Legjion është emri im, sepse jemi shumë. 10 Edhe i lutej shumë, që të mos e dërgojë jashtë vendit.
11 Edhe atje pranë malit ishte duke kullotur një tufë e madhe derrash.
12 Edhe iu lutën atij gjithë demonët, duke thënë: Dërgona tek derrat, që të hyjmë tek ata.
13 Edhe Jisui përnjëherë u dha leje. Edhe frymët e ndyra dolën e hynë tek derrat; edhe tufa u hodh prej shkëmbit në det, – edhe ishin afro dy mijë, – edhe u mbytën në det.
14 Edhe ata që kullotnin derrat ikën dhe lajmëruan në qytet e nëpër ara. Edhe dolën të shohin ç’është kjo që u bë.
15 Edhe vijnë tek Jisui dhe panë të demonizuarin që pati pasur legjionin, duke ndenjur dhe të veshur e të urtësuar; edhe u frikësuan.
16 Edhe ata që panë u treguan atyre ç’u bë me të demonizuarin, si edhe për derrat.
17 Edhe zunë t’i luten të ikë nga kufijtë e tyre.
18 Edhe kur po hynte ai në lundër, ai që pat qenë i demonizuar i lutej të jetë bashkë me atë.
19 Edhe Jisui s’e la, por i thotë: Shko në shtëpinë tënde tek njerëzit e tu dhe njoftoi për sa të bëri Zoti dhe të përdëlleu.
20 Edhe ai iku e zuri të shpallë në Dekapol sa i bëri atij Jisui; edhe të gjithë çuditeshin.
21 Edhe Jisui si kapërceu përsëri me lundër në anën e përtejme, turmë e madhe u mblodh tek ai; edhe ai ishte pranë detit.
22 Edhe ja tek vjen një nga të parët e sinagogës, që e kishte emrin Jair; edhe kur pa atë, i bie ndër këmbë,
23 edhe i lutej shumë, duke thënë se ime bijë është në frymë të fundit; të lutem të vish e të vësh duart mbi të, që të shpëtojë; edhe do të rrojë.
24 Edhe ai shkoi bashkë me të; edhe turmë e madhe i vinte pas dhe e shtrëngonte.
25 Edhe një grua që kishte rrjedhje gjaku dymbëdhjetë vjet,
26 edhe që kishte hequr shumë nga shumë mjekë, edhe që kishte prishur gjithë ç’kishte pasur, edhe që s’kishte parë asnjë dobi, po ishte bërë edhe më keq,
27 kur dëgjoi për Jisuin, erdhi në mes të turmës nga pas, edhe preku rrobën e tij.
28 Sepse thoshte me vete se edhe rrobat e atij në preksha, do të shpëtoj.
29 Edhe përnjëherë u tha burimi i gjakut të saj, edhe e ndjeu në trup se u shërua nga sëmundja.
30 Edhe Jisui përnjëherë, si e kuptoi në vete fuqinë që doli nga ai, u kthye nga turma, e thoshte: Kush më preku rrobat?
31 Edhe nxënësit e tij i thoshin: Sheh turmën që të shtrëngon, edhe thua kush më preku?
32 Po ai vinte re përqark që të shohë atë që bëri këtë.
33 Edhe gruaja duke u trembur e duke u dridhur, sepse e dinte se ç’ishte bërë tek ajo, erdhi e i ra ndër këmbë, edhe i tha gjithë të vërtetën.
34 Edhe ai i tha: Bijë, besimi yt të shpëtoi; shko në paqe, edhe ji e shëndoshë nga sëmundja jote.
35 Ndërsa ai po fliste ende, vijnë nga i pari i sinagogës, duke i thënë se jot bijë vdiq; pse po e mundon mësuesin?
36 Po Jisui sapo dëgjoi fjalën që po flitej, i thotë të parit të sinagogës: Mos ki frikë, vetëm beso.
37 Edhe s’la asnjë të shkojë bashkë me të, përveç Pjetrit dhe Jakovit dhe Joanit, vëllait të Jakovit.
38 Edhe vjen në shtëpinë e të parit të sinagogës, edhe vështron trazirë, e njerëz që qanin e ulërinin shumë.
39 Edhe si hyri, u thotë atyre: Pse bëni trazirë e qani? Fëmija nuk vdiq, por po fle.
40 Edhe ata e përqeshnin. Po ai, si i nxori jashtë të gjithë, merr me vete të atin e fëmijës dhe të ëmën dhe ata që ishin bashkë me të, dhe hyn ku dergjej fëmija.
41 Edhe si kapi dorën e fëmijës, i tha asaj: “Talitha kumi”, që e përkthyer do të thotë: Vajzë, të them, ngrihu.
42 Edhe përnjëherë vajza u ngrit edhe ecte; sepse ishte dymbëdhjetë vjeç. Edhe u çuditën me çudi të madhe.
43 Edhe i porositi shumë të mos e marrë vesh këtë asnjeri; edhe tha t’i jepet asaj të hajë.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-6-

1 Edhe doli andej dhe erdhi në vendin e tij, edhe nxënësit e tij i shkojnë pas.
2 Edhe kur erdhi e shtuna, zuri të mësojë në sinagogë; edhe shumë veta kur dëgjonin, çuditeshin, e thoshin: Që kur i erdhën këtij këto? Edhe ç’është kjo dituri që i është dhënë këtij, edhe të këtilla çudi bëhen nga duart e tij?
3 A nuk është ky marangozi, i biri i Marisë, e i vëllai i Jakovit e i Josiut e i Judës e i Simonit? Dhe a nuk janë motrat e tij këtu ndër ne? Edhe skandalizoheshin për të.
4 Po Jisui u thoshte atyre se nuk ka profet të panderuar, përveçse në atdheun e tij, edhe ndër njerëzit e tij, edhe në shtëpinë e tij.
5 Edhe s’mundi të bënte atje asnjë çudi, veç mbi pak të sëmurë vuri duart e i shëroi.
6 Edhe çuditej për pabesinë e tyre. Edhe shkonte fshatrave përreth, duke mësuar njerëzit.
7 Edhe thirri pranë të dymbëdhjetët dhe zuri t’i dërgojë dy nga dy; edhe u jepte pushtet kundër frymëve të ndyra.
8 Edhe i porositi ata të mos mbajnë asgjë udhës, veçse vetëm një shkop; as trastë, as bukë, as bakër në brez.
9 Por të jenë mbathur me sandale dhe të mos veshin dy këmishë.
10 Edhe u thoshte atyre: Në çdo shtëpi që të hyni, qëndroni atje deri sa të dilni që andej.
11 Edhe sa njerëz të mos ju presin, as të mos ju dëgjojnë, kur të dilni andej, shkunduni pluhurin që është poshtë këmbëve tuaja, për dëshmi në ta. Me të vërtetë po ju them juve, më i durueshëm do të jetë dënimi në Sodomë e në Gomorrë në ditën e gjyqit, se në atë qytet.
12 Edhe ata dolën e predikuan që të pendohen njerëzit.
13 Edhe nxirrnin shumë demonë; edhe lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.
14 Edhe dëgjoi mbreti Herod, – se emri i tij (i Jisuit) ishte bërë i njohur, – edhe thoshte se Joani që pagëzonte është ngjallur prej së vdekurish, edhe prandaj fuqitë punojnë me anë të tij.
15 Të tjerë thoshin se është Ilia. Por të tjerë thoshin se është profet ose si një nga profetët.
16 Po Herodi, kur dëgjoi, tha se ky është Joani, të cilit unë i preva kryet; ai është ngjallur prej së vdekurish.
17 Sepse vetë Herodi dërgoi e zuri Joanin, edhe e lidhi në burg për Herodiadën, gruan e Filipit, vëllait të tij, sepse e kishte marrë për grua.
18 Sepse Joani i thoshte Herodit se s’është e udhës të kesh ti gruan e vëllait tënd.
19 Edhe Herodiada i mbante mëri, edhe donte ta vriste, po nuk mundej.
20 Sepse Herodi kishte frikë nga Joani, duke e ditur atë për njeri të drejtë dhe të shenjtë; edhe e ruante, edhe duke e dëgjuar atë bënte shumë gjëra, edhe e dëgjonte me kënaqësi.
21 Edhe kur erdhi një ditë e volitshme në të cilën Herodi u bëri darkë për ditëlindjen e tij të mëdhenjve të tij e kryemijësve e të parëve të Galilesë,
22 edhe si hyri e bija e Herodiadës dhe kërceu, edhe i pëlqeu Herodit e atyre që ishin ndenjur bashkë në tryezë, mbreti i tha vajzës: Kërkomë ç’të duash dhe do të ta jap.
23 Edhe i bëri be asaj, se çfarëdo që të më kërkosh do të ta jap, deri në gjysmën e mbretërisë sime.
24 Edhe ajo doli e i tha së ëmës: Ç’të kërkoj? Edhe ajo tha: Kryet e Joan Pagëzorit.
25 Edhe përnjëherë hyri me nxitim te mbreti, e kërkoi duke thënë: Dua të më japësh tani në pjatë kryet e Joan Pagëzorit.
26 Edhe mbreti u hidhërua fort, po për betimet që kishte bërë, edhe për ata që ishin ulur bashkë me të në tryezë, nuk deshi të shkelte premtimin.
27 Edhe menjëherë mbreti dërgoi një roje dhe urdhëroi të sillet kryet e atij.
28 Edhe ai shkoi e i preu kryet në burg; edhe e pruri kryet e tij mbi pjatë dhe ia dha vajzës; dhe vajza ia dha së ëmës.
29 Dhe nxënësit e tij, kur dëgjuan, erdhën dhe ngritën trupin e tij, edhe e vunë në varr.
30 Edhe apostujt mblidhen tek Jisui dhe i rrëfyen të gjitha, edhe sa bënë, edhe sa mësuan.
31 Edhe u tha atyre: Ejani ju vetë veçan në një vend të shkretë dhe prehuni pak; sepse ishin shumë ata që vinin e shkonin, edhe as për të ngrënë s’kishin kohë.
32 Edhe shkuan me lundër në një vend të shkretë veçan.
33 Edhe turmat i panë ata duke shkuar, edhe shumë veta i njohën; edhe me këmbë nga gjithë qytetet u sulën atje, edhe arritën më përpara se ata, edhe u mblodhën pranë tij.
34 Edhe kur doli Jisui, pa shumë njerëz dhe iu dhimbs për ta, sepse ishin si dhen që s’kanë bari; edhe zuri t’u mësojë shumë gjëra.
35 Edhe tani, meqenëse kishin kaluar shumë kohë, iu afruan atij nxënësit e i thonë se vendi është i shkretë dhe tani ora kishte kaluar shumë,
36 lëshoi ata, që të shkojnë nëpër arat e nëpër fshatrat përreth e të blejnë bukë për vete, sepse s’kanë se ç’të hanë.
37 Po ai u përgjigj e u tha: Jepuni ju atyre të hanë. Edhe ata i thonë: Të shkojmë e të blejmë dyqind dinarë bukë e t’u japim atyre të hanë?
38 Edhe ai u thotë: Sa bukë keni? Shkoni e shihni. Edhe si panë, i thonë: Pesë, edhe dy peshq.
39 Edhe ai i urdhëroi t’i vënë ata të rrinë të gjithë grupe-grupe përmbi barin e njomë.
40 Edhe ata ndenjën togje-togje, nga njëqind e nga pesëdhjetë.
41 Edhe ai, si mori të pesë bukët e të dy peshqit, ngriti sytë në qiell, bekoi, edhe theu bukët e ua dha nxënësve të tij, që t’i vënë përpara tyre; edhe të dy peshqit ua ndau të gjithëve.
42 Edhe të gjithë hëngrën e u ngopën.
43 Edhe u ngritën dymbëdhjetë kofinë plot me copa, edhe nga peshqit.
44 Edhe ata që hëngrën bukët ishin rreth pesë mijë burra.
45 Edhe menjëherë detyroi nxënësit e tij të hyjnë në lundër dhe të shkojnë më parë matanë, në Betsaida, deri sa ai të lëshonte turmën.
46 Edhe si i lëshoi, shkoi në mal të lutet.
47 Edhe kur u ngrys, lundra ishte në mes të detit, edhe ai vetëm mbi tokë.
48 Edhe pa ata që po mundoheshin në vozitje, sepse era ishte kundër tyre; edhe në rojen e katërt të natës vjen tek ata, duke ecur mbi det; edhe donte t’i kalonte.
49 Po ata, kur panë atë që po ecte mbi det, pandehën se ishte hije dhe bërtitën.
50 Sepse të gjithë e panë dhe u drodhën. Edhe menjëherë foli me ata e u thotë atyre: Kini guxim, jam unë, mos u frikësoni. Edhe hipi tek ata në lundër; edhe era pushoi.
51 Edhe me veten e tyre habiteshin fort tepër, edhe mahniteshin.
52 Sepse nuk e morën vesh nga bukët; sepse zemra e tyre ishte ngurtësuar.
53 Edhe si kapërcyen detin, erdhën në tokën Gjenisaret dhe hodhën spirancën në liman.
54 Edhe kur dolën nga lundra, ata e njohën menjëherë,
55 edhe vrapuan nga gjithë ato vende përreth e zunë të sillnin mbi shtretër ata që kishin keq atje ku dëgjonin se është.
56 Edhe kudo që hynte në fshatra ose në qytete ose në ara, vinin të sëmurët nëpër tregje dhe i luteshin të preknin qoftë edhe cepin e rrobës së tij; edhe gjithë sa e preknin, shëroheshin.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-7-

1 Edhe mblidhen tek ai Farisenjtë dhe disa nga shkruesit, që kishin ardhur nga Jerusalemi.
2 Edhe kur panë se disa nga nxënësit e tij hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara, i fajësuan.
3 Sepse Farisenjtë dhe gjithë Judenjtë, në mos lafshin duart deri në bërryl, nuk hanë, se mbajnë traditën e pleqve;
4 Edhe kur kthehen nga tregu, në mos lafshin gjithë trupin, nuk hanë; edhe ka shumë të tjera zakone të cilat i kanë marrë për t’i mbajtur, si të lara kupash, e brokash, e enësh të bakërta, e shtretërish.
5 Pastaj Farisenjtë e shkruesit e pyesin: Përse nxënësit e tu nuk ecin sipas traditës së pleqve, po hanë bukë me duar të palara?
6 Po ai u përgjigj e u tha atyre se mirë profetizoi Isaia për ju hipokritët, sikundër është shkruar: “Ky popull me buzët më nderon, po zemra e tyre është larg prej meje.
7 Edhe kot më nderojnë, duke mësuar si mësime urdhërimet e njerëzve”.
8 Sepse keni lënë urdhërimin e Perëndisë, e mbani traditën e njerëzve, të lara enësh e kupash, dhe bëni shumë të tjera të tilla si këto.
9 Edhe u thoshte atyre: Mirë e shkelni urdhërimin e Perëndisë, që të ruani traditën tuaj.
10 Sepse Moisiu ka thënë: “Ndero atin tënd dhe nënën tënde”; edhe: “Kush flet keq për atin a për nënën të mbarojë me vdekje”.
11 Ndërsa ju thoni: Në i thëntë njeriu të atit ose së ëmës, atë që do të përfitosh nga unë është korban, domethënë dhuratë për Perëndinë,
12 edhe s’e lini më atë t’i bëjë asgjë të atit ose së ëmës,
13 edhe hidhni poshtë fjalën e Perëndisë me traditën tuaj që kini lënë pas; edhe bëni shumë gjëra të ngjashme si këto.
14 Edhe si thirri pranë gjithë turmën, u thoshte atyre: Dëgjomëni të gjithë, edhe merrni vesh.
15 S’ka asgjë nga përjashta njeriut që hyn tek ai që mund ta ndyjë, po ato që dalin prej tij, ato janë që e ndyjnë njeriun.
16 Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
17 Edhe kur hyri në një shtëpi prej turmës, e pyesnin nxënësit e tij për paravolinë.
18 Edhe ai u tha atyre: Kështu, edhe ju nuk kuptoni? S’merrni vesh se çdo gjë që i hyn njeriut nga jashtë nuk mund ta ndyjë?
19 Sepse nuk hyn në zemrën e tij, po në bark; edhe del jashtë, duke pastruar gjithë të ngrënat.
20 Por, thoshte se ç’del nga njeriu, ajo ndyn njeriun.
21 Sepse që përbrenda, nga zemra e njerëzve dalin mendimet e liga, kurorëshkelje, kurvërira, vrasje,
22 vjedhje, lakmime, ligësira, mashtrime, shthurje, sy i keq, blasfemi, mendjemadhësi, marrëzi.
23 Gjithë këto të liga nga përbrenda dalin dhe ndyjnë njeriun.
24 Edhe u ngrit prej andej e shkoi në kufijtë e Tirit e të Sidonës, edhe si hyri në një shtëpi, nuk deshi ta marrë vesh asnjeri; po s’mundi të fshihet.
25 Sepse një grua, e bija e së cilës kishte frymë të ndyrë, kur dëgjoi për të, erdhi e i ra ndër këmbë.
26 Edhe gruaja ishte greke, me prejardhje sirofinikase; edhe i lutej të nxjerrë demonin prej së bijës.
27 Po Jisui i tha asaj: Le të ngopen më përpara fëmijët; sepse s’është mirë të marrë ndonjëri bukën e fëmijëve dhe t’ua hedhë këlyshëve të qenve.
28 Po ajo u përgjigj e i tha: Po, Zot, por edhe këlyshët poshtë tryezës hanë nga thërrimet e fëmijëve të vegjël.
29 Edhe ai i tha asaj: Për këtë fjalë shko. Demoni doli nga jot bijë.
30 Edhe ajo kur shkoi në shtëpinë e saj, gjeti të bijën rënë mbi shtrat dhe demonin të nxjerrë.
31 Edhe përsëri doli nga kufijtë e Tirit e të Sidonës, edhe erdhi buzë detit të Galilesë përmes kufijve të Dekapolit.
32 Edhe i sjellin një shurdhmemec, edhe i luten të vërë dorën mbi të.
33 Edhe ai e mori prej turmës veçan, edhe vuri gishtërinjtë e tij në veshët e atij, edhe si pështyu, i preku gjuhën.
34 Edhe si ngriti sytë në qiell, psherëtiu, edhe i thotë atij: Effatha, që do me thënë Hapu.
35 Edhe përnjëherë u hapën veshët e tij, edhe u zgjidh të lidhurit e gjuhës së tij, edhe fliste drejt.
36 Edhe Jisui i porositi të mos i thonë asnjeriu; po sa më tepër i porosiste ai, aq më tepër ata e shpallnin.
37 Edhe çuditeshin fort tepër e thoshin: Mirë i ka bërë të gjitha; edhe të shurdhërit i bën të dëgjojnë, edhe memecët të flasin.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-8-

1 Në ato ditë, përsëri, pasi ishte shumë popull, edhe meqë s’kishin se ç’të hanin, Jisui thirri pranë nxënësit e tij dhe u thotë atyre:
2 Më dhimbset për turmën, se tashmë tri ditë rrinë pranë meje, edhe s’kanë se ç’të hanë.
3 Edhe në i lëshofsha të pangrënë për në shtëpitë e tyre, do të këputen në udhë; sepse ca nga ata kanë ardhur prej së largu.
4 Edhe nxënësit e tij iu përgjigjën se: Si do të mundet ndonjë t’i ngopë këta me bukë këtu në shkretëtirë?
5 Edhe ai i pyeti: Sa bukë keni? Edhe ata i thanë: Shtatë.
6 Edhe porositi turmën të ulet përdhe; edhe si mori të shtatë bukët, falënderoi e i theu, edhe ua dha nxënësve të tij, që t’i vënë përpara njerëzve; edhe i vunë përpara popullit.
7 Edhe kishin pak peshq të vegjël; edhe si i bekoi, u tha t’ua vënë përpara edhe ato.
8 Edhe hëngrën e u ngopën. Edhe ngritën teprica copash, shtatë shporta.
9 Edhe ishin rreth katër mijë vetë; edhe i lëshoi ata.
10 Edhe përnjëherë hyri në lundër bashkë me nxënësit e tij dhe erdhi në anët e Dalmanutasë.
11 Edhe dolën Farisenjtë e zunë të bisedojnë me atë, edhe të kërkonin nga ai shenjë prej qiellit, duke e ngarë atë.
12 Po ai si psherëtiu në shpirtin e tij, thotë: Përse kërkon shenjë ky brez? Me të vërtetë po ju them juve, nuk do t’i jepet shenjë këtij brezi.
13 Edhe si i la, hyri përsëri në lundër, e shkoi në anën e përtejme.
14 Edhe ata harruan të marrin bukë, edhe s’kishin me vete në lundër veçse një bukë.
15 Edhe ai i porosiste, duke thënë: Shikoni, ruhuni nga brumi i Farisenjve dhe nga brumi i Herodit.
16 Dhe ata mendoheshin në mes tyre, duke thënë se s’kemi bukë.
17 Edhe Jisui si e kuptoi, u tha atyre: Pse mendoni se s’keni bukë? Ende s’merrni vesh, as nuk kuptoni? Ende po të ngurtë e keni zemrën tuaj?
18 Duke pasur sy, nuk shihni, edhe duke pasur veshë, nuk dëgjoni? Dhe a nuk ju kujtohet?
19 Kur ju theva të pesë bukët për të pesë mijët, sa kofinë plot me copa ngritët? I thonë: Dymbëdhjetë.
20 Edhe kur ju theva të shtatë bukët për të katër mijët, sa shporta plot me copa ngritët? Edhe ata thanë: Shtatë.
21 Edhe u thoshte atyre: Ende nuk kuptoni?
22 Edhe vjen në Betsaida; edhe i sjellin një të verbër, edhe i luten ta prekë.
23 Edhe si i zuri dorën të vërbërit, e nxori jashtë fshatit; edhe si pështyu në sytë e tij, vuri duart mbi të, edhe e pyeste në sheh gjë.
24 Edhe ai si ngriti sytë, tha: Shoh njerëzit që ecin si drurë.
25 Pastaj përsëri vuri duart mbi sytë e atij dhe e bëri atë të shikojë qartë, edhe u shërua, edhe i shihte kthjellët të gjitha.
26 Edhe e dërgoi në shtëpinë e tij, duke thënë: As në fshat të mos hysh, as të mos ia thuash këtë njeriu në fshat.
27 Edhe doli Jisui dhe nxënësit e tij nëpër fshatrat e Cezaresë së Filipit; edhe udhës pyeste nxënësit e tij, duke u thënë atyre: Cili thonë njerëzit se jam unë?
28 Edhe ata u përgjigjën: Joan Pagëzori; edhe të tjerë thonë, Ilia; edhe të tjerë, një nga profetët.
29 Edhe ai u thotë atyre: Po ju cili thoni se jam unë?
30 Edhe Pjetri u përgjigj, e i thotë: Ti je Krishti. Edhe Jisui i porositi ata rreptë që të mos i thonë njeriu për të.
31 Edhe zuri t’i mësojë ata se Biri i njeriut duhet të pësojë shumë, edhe nuk do të pranohet nga pleqtë e nga kryepriftërinjtë e nga shkruesit, edhe të vritet, edhe pas tri ditësh të ngjallet.
32 Edhe e fliste fjalën haptas. Edhe Pjetri e mori veçan dhe zuri ta qortojë.
33 Po ai, si u kthye, e vuri re nxënësit e tij, qortoi Pjetrin, duke thënë: Shporru prapa meje, Satana; sepse s’ke ndër mend punët e Perëndisë, po punët e njerëzve.
34 Edhe si thirri pranë turmën bashkë me nxënësit e tij, u tha atyre: Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij, edhe le të ngrejë kryqin e tij, edhe le të më vijë pas.
35 Sepse kush të dojë të shpëtojë jetën e tij, do ta humbasë; po kush të humbasë jetën e tij për hirin tim dhe të ungjillit, ky do ta shpëtojë.
36 Sepse ç’dobi do të ketë njeriu, në fitoftë gjithë botën, edhe të dëmtojë shpirtin e tij?
37 Apo ç’do të japë njeriu në këmbim të shpirtit të tij?
38 Sepse cilitdo që t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në këtë brez kurorëshkelës e mëkatar, edhe Birit të njeriut do t’i vijë turp për atë, kur të vijë në lavdinë e Atit të tij bashkë me engjëjt e shenjtë.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-9-

1 Edhe u thoshte atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se janë disa prej këtyre që rrinë këtu, që nuk do të ngjërojnë vdekje, deri sa të shohin mbretërinë e Perëndisë të ardhur me fuqi.
2 Edhe pas gjashtë ditësh Jisui merr Pjetrin e Jakovin e Joanin, edhe i ngjit ata vetëm mbi një mal të lartë veçan; edhe ndërroi fytyrën përpara tyre.
3 Edhe rrobat e tij u bënë të shndritshme, të bardha fort si dëbora, të tilla që rrobëzbardhës mbi dhe s’mund t’i zbardhë kështu.
4 Edhe iu shfaq atyre Ilia bashkë me Moisiun; edhe ishin duke folur bashkë me Jisuin.
5 Edhe Pjetri u përgjigj e i tha Jisuit: Rabbi, mirë është të jemi ne këtu; edhe le të bëjmë tri tenda, një për ty, edhe një për Moisiun, edhe një për Ilian.
6 Sepse s’dinte se ç’të fliste, sepse ishin trembur keq.
7 Edhe një re i mbuloi, edhe erdhi një zë prej resë duke thënë: Ky është biri im i dashur, atë dëgjoni.
8 Edhe befas kur vunë re përqark, s’panë më asnjë, po Jisuin vetëm bashkë me veten e tyre.
9 Edhe ndërsa ata ishin duke zbritur nga mali, i porositi ata të mos i tregojnë asnjeriu sa panë, veç kur të ngjallet i Biri i njeriut prej së vdekurish.
10 Edhe ata e ruajtën fjalën në vete, duke biseduar njëri me tjetrin: Ç’është kjo ngjallje prej së vdekurish?
11 Edhe e pyesnin atë, duke thënë: Pse thonë shkruesit se duhet të vijë më përpara Ilia?
12 Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Ilia vjen më përpara, edhe vë në vend të gjitha; edhe si është shkruar për të birin e njeriut se duhet të pësojë shumë dhe të poshtërohet.
13 Por ju them juve, se edhe Ilia erdhi, edhe i bënë sa deshën, siç është shkruar për atë.
14 Edhe kur erdhi tek nxënësit, pa shumë njerëz rreth tyre, edhe shkruesit duke biseduar me ata.
15 Edhe menjëherë gjithë turma, kur e panë atë, u habitën, edhe duke vrapuar tek ai e përshëndetnin.
16 Edhe ai pyeti shkruesit, ç’bisedoni midis jush?
17 Edhe një prej turmës u përgjigj, e tha: Mësues, prura tek ti tim bir që ka frymë të pagojë.
18 Edhe kudo ta zërë, e hedh poshtë dhe shkumëzon, e kërcëllin dhëmbët e tij, dhe thahet. Edhe u thashë nxënësve të tu ta nxjerrin, por nuk mundën.
19 Edhe ai iu përgjigj e tha: O brez i pabesë, deri kur do të jem bashkë me ju? Deri kur do t’ju duroj ju? Silleni atë tek unë.
20 Edhe e prunë tek ai; edhe kur fryma e pa atë, përnjëherë e shkundi fort; edhe ai ra përdhe, edhe rrokullisej duke shkumëzuar.
21 Edhe Jisui pyeti të atin e atij: Sa kohë ka qëkurse i ngjau kjo? Edhe ai tha: Qëkurse ishte fëmijë i vogël.
22 Edhe shumë herë e hodhi edhe në zjarr dhe në ujëra, që ta humbasë; po nëse mund të bësh gjë, le të të dhimbset për ne dhe ndihmona.
23 Edhe Jisui i tha këtë: Nëse mund të besosh, të gjitha janë të mundura për atë që beson.
24 Edhe përnjëherë i ati i fëmijës së vogël thirri me lot, duke thënë: Besoj, Zot. Ndihmoi pabesisë sime.
25 Edhe Jisui kur pa se shumë njerëz po mblidheshin duke vrapuar së bashku, qortoi frymën e ndyrë, duke i thënë: Frymë e pagojë dhe e shurdhër, unë të urdhëroj, dil nga ai, edhe të mos hysh më tek ai.
26 Edhe fryma duke bërtitur e duke e shkundur atë shumë fort, doli; edhe djali u bë si i vdekur, aq sa shumë veta thoshin se vdiq.
27 Edhe Jisui e kapi për dore dhe e ngriti; edhe u çua.
28 Edhe kur hyri në një shtëpi, nxënësit e tij e pyesnin veçan se pse ne nuk mundëm ta nxjerrim.
29 Edhe ai u tha atyre: Ky lloj s’mund të dalë, veçse me lutje e me agjërim.
30 Edhe si dolën andej, shkonin nëpër Galile, edhe s’donte ta marrë vesh njeri.
31 Sepse mësonte nxënësit e tij, e u thoshte atyre se Biri i njeriut u dorëzohet njerëzve, edhe do ta vrasin, dhe si të vritet, të tretën ditë do të ngjallet.
32 Po ata nuk e kuptonin fjalën dhe kishin frikë ta pyesnin.
33 Edhe erdhi në Kapernaum; edhe kur hyri në shtëpi, i pyeste ata: Ç’mendonit udhës në mes tuaj?
34 Po ata s’bënin zë; sepse udhës flisnin në mes tyre, cili është më i madh.
35 Edhe si ndenji, thirri të dymbëdhjetët, edhe u thotë atyre: Kush të dojë të jetë i parë, do të jetë i fundit i të gjithëve, edhe shërbëtor i të gjithëve.
36 Edhe mori një fëmijë të vogël dhe e vuri në mes tyre, edhe si e mori në krahë, u tha atyre:
37 Kush të presë një nga të këtillët fëmijë të vegjël në emrin tim, më pret mua; edhe kush të më presë mua, s’më pret mua, po atë që më ka dërguar.
38 Edhe Joani iu përgjigj, duke thënë: Mësues, pamë dikë që nxirrte demonë në emrin tënd, i cili nuk na vjen pas; edhe e ndalëm sepse nuk na vjen pas.
39 Po Jisui tha: Mos e pengoni, sepse s’ka asnjë që do të bëjë çudi në emrin tim, edhe do të mundë menjëherë të flasë keq për mua.
40 Sepse kush nuk është kundër nesh, është me ne.
41 Sepse kush t’ju japë juve një gotë ujë në emrin tim, se jeni të Krishtit, me të vërtetë po ju them juve, nuk do ta humbasë pagën e tij.
42 Edhe kush të skandalizojë një nga këta të vegjlit që besojnë tek unë, është më mirë për atë, t’i vihet një gur mulliri rreth qafës së tij, edhe të hidhet në det.
43 Edhe në të skandalizoftë dora jote, preje; është më mirë për ty të hysh në jetë me një dorë, se duke pasur të dy duart të shkosh në gjehenë, në zjarr të pashuar,
44 ku “krimbi i tyre s’ka të mbaruar, edhe zjarri s’ka të shuar”.
45 Edhe në të skandalizoftë ty këmba jote, preje; sepse është më mirë për ty të hysh në jetë me një këmbë, se duke pasur të dy këmbët të hidhesh në gjehenë, në zjarr të pashuar,
46 ku “krimbi i tyre s’ka të mbaruar, edhe zjarri s’ka të shuar”.
47 Edhe në të skandalizoftë syri yt, nxirre; është më mirë për ty të hysh me një sy në mbretërinë e Perëndisë, se duke pasur dy sy të shkosh në gjehenë të zjarrit,
48 ku “krimbi i tyre s’ka të mbaruar, edhe zjarri s’ka të shuar”.
49 Sepse çdo njeri me zjarr do të kripet, edhe çdo theror me kripë do të kripet.
50 E mirë është kripa, po në u bëftë kripa e pakripë, me se do ta ndreqni? Kini kripë në veten tuaj dhe paqe njëri me tjetrin.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-10-

1 Edhe si u ngrit andej, vjen në kufijtë e Judesë, në anën e përtejme të Jordanit, edhe prapë turma shkojnë bashkë tek ai, edhe siç e kishte zakon, përsëri i mësonte.
2 Edhe si i erdhën pranë Farisenjtë, e pyetnin duke e ngarë atë: A është e udhës burri ta lërë gruan?
3 Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Ç’ju ka urdhëruar Moisiu?
4 Edhe ata thanë: Moisiu dha leje të shkruajë kartë ndarjeje dhe ta lërë.
5 Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Për zemrën tuaj të ashpër jua shkroi juve këtë urdhërim.
6 Po që në fillim të krijesës, mashkull e femër i bëri ata Perëndia.
7 “Për këtë punë njeriu do të lërë të atin e të ëmën, edhe do të ngjitet pas gruas së tij,
8 edhe do të jenë të dy në një mish”, kaq sa nuk janë më dy, po një mish.
9 Atë pra që Perëndia e bashkoi, njeriu le të mos e ndajë.
10 Edhe në shtëpi përsëri e pyetnin nxënësit e tij po për atë.
11 Edhe u thotë atyre: Kush të lërë gruan e tij e të martohet me tjetër, shkel kurorën kundrejt saj.
12 Edhe gruaja, në lëntë burrin e saj dhe të martohet me tjetër, shkel kurorën.
13 Edhe i prunë atij fëmijë të vegjël, që t’i prekë; edhe nxënësit i qortonin ata që i sillnin.
14 Po Jisui kur pa, u zemërua dhe u tha atyre: Lerini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni; sepse e të këtillëve është mbretëria e Perëndisë.
15 Me të vërtetë po ju them juve, ai që të mos presë mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël nuk do të hyjë në të.
16 Edhe si i mori në krah, vuri duart mbi ata dhe i bekoi.
17 Edhe ndërsa po dilte në rrugë, një njeri u lëshua me vrap, edhe ra në gjunjë përpara tij, edhe e pyeste: Mësues i mirë, ç’të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?
18 Edhe Jisui i tha: Pse më thua i mirë? Asnjë s’është i mirë, përveç një, Perëndia.
19 Urdhërimet i di: “Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos jep dëshmi të rreme. Mos mashtro. Ndero atin tënd dhe nënën tënde”.
20 Edhe ai iu përgjigj, e i tha: Mësues, këto i kam ruajtur që në rininë time.
21 Edhe Jisui hodhi sytë mbi të, edhe e deshi, edhe i tha: Një gjë të mungon, në do të jesh i përsosur, shko e shit sa ke, edhe jepua të varfërve dhe do të kesh thesar në qiell, edhe eja, ngri kryqin tënd e më ndiq pas.
22 Po ai u ngrys nga kjo fjalë, edhe iku i hidhëruar, se kishte shumë zotërime.
23 Edhe Jisui, si hodhi sytë përreth, u tha nxënësve të tij: Sa me vështirësi do të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që kanë para!
24 Edhe nxënësit tmerroheshin për fjalët e tij. Po Jisui përsëri u përgjigj e u tha atyre: Bij, sa gjë e vështirë është të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që shpresojnë në paratë!
25 Më lehtë është të shkojë gamilja nëpër vrimën e gjilpërës, se i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.
26 Edhe ata çuditeshin tepër, duke thënë me veten e tyre: Dhe cili mund të shpëtojë?
27 Edhe Jisui si hodhi sytë mbi ta, tha: Për njerëzit është e pamundur, po jo për Perëndinë; sepse të gjitha janë të mundura për Perëndinë.
28 Edhe Pjetri zuri t’i thotë: Ja ne tek i lamë të gjitha dhe erdhëm pas teje.
29 Edhe Jisui u përgjigj e tha: Me të vërtetë po ju them juve, se s’ka asnjë, që la shtëpi, a vëllezër, a motra, a atë, a nënë, a grua, a bij, a ara, për hirin tim dhe të ungjillit,
30 që të mos marrë për një njëqind tani në këtë kohë, shtëpi, e vëllezër, e motra, e nënë, e bij, e ara, bashkë me përndjekjet, edhe në jetën që vjen jetë të përjetshme.
31 Po shumë të parë do të jenë të fundit, dhe të fundit të parë.
32 Edhe ishin në udhë duke u ngjitur në Jerusalem; edhe Jisui ishte duke shkuar përpara tyre, edhe ata çuditeshin, edhe vinin prapa duke pasur frikë. Edhe ai mori pranë përsëri të dymbëdhjetët, edhe zuri t’u thotë ato që do t’i ngjanin atij,
33 se ja tek po ngjitemi në Jerusalem, edhe i Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve dhe shkruesve, edhe do ta gjykojnë për vdekje, edhe do t’ua dorëzojnë kombeve;
34 edhe do ta përqeshin, edhe do ta fshikullojnë, edhe do ta pështyjnë, edhe do ta vrasin, edhe të tretën ditë do të ngjallet.
35 Dhe atëherë vijnë tek ai Jakovi dhe Joani, të bijtë e Zevedheut, duke thënë: Mësues, duam të na bësh atë që të kërkojmë.
36 Edhe ai u tha atyre: Ç’doni t’ju bëj unë juve?
37 Edhe ata i thanë: Jepna të rrimë njëri nga e djathta jote dhe njëri nga e majta jote, në lavdinë tënde.
38 Po Jisui u tha atyre: S’dini se ç’kërkoni. A mundeni të pini potirin që pi unë, edhe të pagëzoheni me pagëzimin që pagëzohem unë?
39 Edhe ata i thanë: Mundemi. Edhe Jisui u tha atyre: Potirin, që pi unë, do ta pini, edhe me pagëzimin, që pagëzohem unë, do të pagëzoheni.
40 Por të rrini nga e djathta ime e nga e majta ime, nuk është puna ime ta jap, po do t’u jepet atyre, për të cilët është bërë gati.
41 Edhe të dhjetët kur dëgjuan, zunë të zemërohen për Jakovin dhe për Joanin.
42 Por Jisui, si i thirri pranë, u thotë atyre: E dini se ata që i mbajnë për të parë të kombeve me forcë i zotërojnë ata, edhe të mëdhenjtë fort i shtypin.
43 Por nuk do të jetë kështu ndër ju, po kush të dojë të bëhet i madh ndër ju, do të jetë shërbëtori juaj.
44 Edhe kush të dojë prej jush të bëhet i parë, do të jetë shërbëtor i të gjithëve.
45 Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi të shërbehet, po të shërbejë, edhe të japë jetën e tij shpërblim për shumë.
46 Dhe vijnë në Jeriko; edhe ndërsa dilte prej Jerikosë ai dhe nxënësit e tij, edhe turmë e madhe, Bartimeu i verbër, i biri i Timeut, rrinte pranë udhës duke lypur.
47 Edhe kur dëgjoi se është Jisu Nazaretasi, zuri të thërrasë e të thotë: Jisu, bir i Davidit, përdëllemë.
48 Edhe shumë veta e qortonin, që të mos bëjë zë; po ai thërriste shumë më tepër: Bir i Davidit, përdëllemë.
49 Edhe Jisui qëndroi dhe tha: Thirreni; edhe ata e thërresin të verbërin, e i thonë: Merr zemër, ngrihu; po të thërret.
50 Edhe ai, si hodhi rrobën e tij, u ngrit e erdhi tek Jisui.
51 Edhe Jisui u përgjigj e i thotë: Ç’do që të të bëj? Edhe i verbëri i tha: Rabbuni, të shoh përsëri.
52 Edhe Jisui i tha: Shko; besimi yt të shpëtoi. Edhe përnjëherë shikoi, edhe vinte pas Jisuit në rrugë.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-11-

1 Edhe kur afrohen në Jerusalem, në Betfagji e në Betani, pranë Malit të Ullinjve, dërgon dy nga nxënësit e tij,
2 edhe u thotë atyre: Shkoni në fshatin përballë jush, edhe menjëherë, sapo të hyni në të, do të gjeni një pulisht të lidhur, të cilit s’i ka hipur asnjë prej njerëzve; zgjidheni dhe silleni.
3 Edhe në ju thëntë ndonjë juve: Ç’bëni kështu? thuajini se Zoti ka nevojë për të; edhe përnjëherë ai do ta dërgojë përsëri këtu.
4 Edhe shkuan edhe gjetën pulishtin lidhur pranë derës jashtë në udhë; edhe e zgjidhën.
5 Edhe disa nga ata që rrinin atje u thoshin atyre: Ç’bëni kështu që zgjidhni pulishtin?
6 Edhe u thonë atyre siç i pati porositur Jisui; edhe ata e lanë.
7 Edhe prunë pulishtin tek Jisui, edhe vunë rrobat e tyre mbi të; edhe u ul mbi të.
8 Edhe shumë veta shtruan rrobat e tyre në rrugë; edhe të tjerë këputnin degë me gjethe prej pemëve e i shtronin në rrugë.
9 Edhe ata që shkonin përpara, si dhe ata që vinin prapa, thërritnin, duke thënë: Hosana, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit.
10 E bekuar është mbretëria që vjen në emrin e Zotit të atit tonë David; Hosana në më të lartat.
11 Edhe Jisui hyri në Jerusalem dhe në tempull; edhe si i vuri re përqark të gjitha, meqenëse tani ishte vonë, doli në Betani bashkë me të dymbëdhjetët.
12 Edhe të nesërmen, si dolën nga Betania, i erdhi uri.
13 Edhe kur pa për së largu një fik që kishte fletë, erdhi, se mos gjente gjë në të; edhe si erdhi tek ai, s’gjeti gjë, veç fletë; sepse s’ishte kohë fiqsh.
14 Edhe Jisui u përgjigj e i tha fikut: Asnjë mos ngrëntë më fryt prej teje për jetë. Edhe nxënësit e tij e dëgjonin.
15 Edhe vijnë përsëri në Jerusalem; edhe Jisui, si hyri në tempull, zuri të nxjerrë jashtë ata që shisnin e blinin në tempull; edhe tryezat e këmbyesve të monedhave, edhe ndenjëset e atyre që shisnin pëllumba i përmbysi.
16 Edhe nuk linte asnjë të kalojë enë përmes tempullit.
17 Edhe i mësonte, duke u thënë atyre: A nuk është shkruar “se shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për gjithë kombet”? Po ju e bëtë “shpellë kusarësh”.
18 Edhe dëgjuan shkruesit e Farisenjtë e kryepriftërinjtë, edhe kërkonin si ta zhduknin; sepse kishin frikë prej tij, se gjithë populli çuditej për mësimin e tij.
19 Edhe kur u ngrys, doli jashtë qytetit.
20 Edhe në mëngjes, duke shkuar, panë fikun të tharë që nga rrënja.
21 Edhe Pjetri si u kujtua i tha atij: Rabbi, shiko, fiku, që mallkove, u tha.
22 Edhe Jisui u përgjigj, e u tha atyre: Kini besim në Perëndinë,
23 sepse me të vërtetë po ju them juve, se kush t’i thotë këtij mali: Ngrihu dhe hidhu në det, edhe të mos ketë dyshim në zemrën e tij, por të besojë se sa thotë bëhen, do t’i bëhet atij çfarëdo që të thotë.
24 Prandaj po ju them juve, gjithë sa të kërkoni duke u lutur, besoni se do t’i merrni, edhe do t’ju bëhen juve.
25 Edhe kur të rrini të luteni, në paçi gjë kundër ndonjërit, ndjejeni, që edhe Ati juaj që është në qiejt t’ju ndjejë juve fajet tuaja.
26 Po në mos ua ndjefshi ju, as Ati juaj nuk do të ndjejë fajet tuaja.
27 Edhe vijnë përsëri në Jerusalem; edhe ndërsa ai po ecte në tempull, vijnë tek ai kryepriftërinjtë dhe shkruesit e pleqtë,
28 e i thonë: Me çfarë pushteti i bën këto? Edhe cili ta ka dhënë këtë pushtet që të bësh këto?
29 Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Edhe unë do t’ju pyes ju një fjalë. Dhe përgjigjmuni, edhe atëherë do t’ju them juve me çfarë pushteti i bëj këto:
30 Pagëzimi i Joanit prej qielli ishte, apo prej njerëzish? Përgjigjmuni.
31 Edhe ata mendoheshin me veten e tyre, duke thënë: Në thënçim prej qielli, do të thotë: Përse pra s’i besuat atij?
32 Po në thënçim prej njerëzish, – kishin frikë nga populli; sepse të gjithë e kishin Joanin për profet.
33 Edhe ata u përgjigjën e i thanë Jisuit: Nuk e dimë. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: As unë s’ju them juve me çfarë pushteti i bëj këto.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-12-

1 Dhe nisi t’u flasë atyre me paravoli. Një njeri mbolli një vresht, edhe e thuri me gardh, edhe gërmoi një tirë, edhe ndërtoi një pirg, edhe e pajtoi ndër bujq, edhe iku në dhe të huaj.
2 Edhe në kohën e të vjelave dërgoi një shërbëtor tek bujqit, që të marrë prej bujqve nga frytet e vreshtit.
3 Po ata e kapën dhe e rrahën, edhe e kthyen prapa duarbosh.
4 Edhe përsëri dërgoi një tjetër shërbëtor tek ata; por edhe atë e rrahën me gurë, edhe i çanë kryet, edhe e kthyen prapa të turpëruar.
5 Edhe përsëri dërgoi një tjetër; po edhe atë e vranë; edhe shumë të tjerë dërgoi, por disa i rrahën, edhe disa i vranë.
6 Duke pasur pra edhe një bir, të dashurin e tij, e dërgoi edhe atë tek ata më në fund, duke thënë se do të kenë turp prej tim biri.
7 Po ata bujqit, kur e panë duke ardhur, i thanë njëri-tjetrit se ky është trashëgimtari; ejani ta vrasim, edhe trashëgimi do të jetë yni.
8 Edhe e morën, edhe e vranë, edhe e nxorën jashtë vreshtit.
9 Ç’do të bëjë pra i zoti i vreshtit? Do të vijë e do të shfarosë bujqit, edhe vreshtin do t’ua japë të tjerëve.
10 As këtë shkrim s’e keni lexuar: “Guri, që flakën tej ndërtuesit, ky u bë kreu i qoshes;
11 prej Zotit u bë kjo, edhe është e çuditshme në sytë tanë”.
12 Edhe ata kërkonin ta kapnin; po patën frikë nga turma; sepse e kuptuan se për ata e tha paravolinë; edhe e lanë e ikën.
13 Edhe dërgojnë tek ai disa nga Farisenjtë dhe nga Herodianët, që ta zënë me fjalë;
14 Edhe ata erdhën e i thonë: Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe se s’do t’ia dish për asnjeri; sepse nuk shikon në faqe njerëzish, po mëson udhën e Perëndisë me të vërtetë. Thuajna pra: Eshtë e udhës t’i japim Cezarit taksë, apo jo? Të japim a të mos japim?
15 Edhe ai duke njohur hipokrizinë e tyre, u tha: Ç’më ngisni? Sillmëni një dinar që ta shoh.
16 Edhe ata i prunë. Edhe ai u thotë atyre: E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim? Edhe ata i thanë: Të Cezarit.
17 Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Jepni Cezarit ato që janë të Cezarit, dhe Perëndisë ato që janë të Perëndisë. Edhe ata u çuditën për atë.
18 Edhe vijnë tek ai Saduqenj, të cilët thonë se s’ka ngjallje; dhe e pyetën,
19 duke thënë: Mësues, Moisiu na ka shkruar, se në i vdektë ndonjërit i vëllai, edhe të lërë grua e të mos lërë bij, i vëllai të marrë gruan e atij, edhe të ngjallë farë për të vëllain e tij.
20 Ishin pra shtatë vëllezër; edhe i pari mori një grua, edhe kur vdiq nuk la farë.
21 Edhe i dyti e mori atë, dhe vdiq, po as ky s’la farë. Edhe i treti gjithashtu.
22 Edhe të shtatë e morën atë, edhe nuk lanë farë; më pas nga të gjithë vdiq edhe gruaja.
23 Në ngjallje pra, kur të ngjallen, e cilit nga ata do të jetë gruaja? Sepse që të shtatë e patën atë grua.
24 Po Jisui u përgjigj e u tha atyre: A nuk gënjeheni për këtë, sepse nuk dini shkrimet, as fuqinë e Perëndisë?
25 Sepse kur të ngjallen prej së vdekurish, as martojnë, as martohen, po janë si engjëjt në qiejt.
26 Edhe për të vdekurit, se ngjallen, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut, si i tha atij Perëndia në ferrë, duke thënë: “Unë jam Perëndia i Abrahamit, edhe Perëndia i Isaakut, edhe Perëndia i Jakovit”?
27 Perëndia nuk është i të vdekurve, por i të gjallëve; ju pra gënjeheni shumë.
28 Atëherë një nga shkruesit, që i dëgjoi ata duke biseduar, duke parë se iu përgjigj mirë atyre, e pyeti: Cili urdhërim është i pari i të gjithëve?
29 Edhe Jisui iu përgjigj se i pari i gjithë urdhërimeve është: “Dëgjo, Izrael, Zoti Perëndia ynë është një Zot.
30 Edhe të duash Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë fuqinë tënde”. Ky është i pari urdhërim.
31 Edhe i dyti që ngjan me këtë është ky: “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”. Tjetër urdhërim më të madh nga ky nuk ka.
32 Edhe shkruesi i tha: Mirë, mësues, me të vërtetë the se një Perëndi ka, dhe s’ka tjetër veç atij.
33 Edhe se ta duash atë me gjithë zemrën dhe me gjithë mendjen dhe me gjithë shpirtin dhe me gjithë fuqinë, edhe të duash të afërmin si veten tënde, është më tepër se të gjithë therorët me djegie të plotë dhe flijimet.
34 Edhe Jisui kur pa atë se u përgjigj me mend, i tha: Nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë. Edhe asnjë më s’guxonte ta pyeste.
35 Edhe Jisui u përgjigj e tha, duke mësuar në tempull: Si thonë shkruesit se Krishti është biri i Davidit?
36 Sepse vetë Davidi ka thënë me anë të Frymës së Shenjtë: “I tha Zoti Zotit tim: Rri në të djathtën time deri sa të vë armiqtë e tu nënkëmbëse të këmbëve të tua”.
37 Vetë Davidi pra i thotë Zot; edhe nga ku është bir i atij? Edhe gjithë turmës ia kishte ënda ta dëgjonte atë.
38 Edhe u thoshte atyre në mësimin e tij: Ruhuni nga shkruesit, të cilët duan të ecin me stolira, edhe duan përshëndetje nëpër tregjet,
39 edhe frone të para nëpër sinagogat, edhe vende të para nëpër darkat;
40 të cilët gllabërojnë shtëpitë e të vejave, dhe për tu dukur bëjnë lutje të gjata; këta do të marrin më tepër dënim.
41 Edhe Jisui ndenji përballë arkës dhe vinte re se si njerëzit hidhnin të holla në arkën e thesarit; edhe shumë të pasur hidhnin shumë.
42 Edhe erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy të imëta, domethënë një kodrant.
43 Edhe Jisui thirri pranë nxënësit e tij e u tha atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se kjo e ve e varfër hodhi më tepër se të gjithë ata që hodhën në arkë.
44 Sepse të gjithë hodhën prej tepricës së tyre; ndërsa kjo nga e mangëta e saj hodhi gjithë sa kishte, gjithë gjënë e saj.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-13-

1 Edhe ndërsa po dilte nga tempulli, i thotë një nga nxënësit e tij: Mësues, shiko çfarë gurësh e çfarë ndërtesash!
2 Edhe Jisui u përgjigj, e i tha: I sheh këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbesë gur mbi gur që të mos rrëzohet.
3 Edhe ndërsa po rrinte në Malin e Ullinjve, përballë tempullit, e pyetnin atë veçan Pjetri dhe Jakovi dhe Joani dhe Andrea:
4 Thuajna, kur do të bëhen këto, edhe ç’shenjë do të jetë, kur do të mbarojnë këto të gjitha?
5 Edhe Jisui, duke u përgjigjur, nisi t’u thotë atyre: Vini re, se mos ju gënjejë ndonjë ju.
6 Sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë se unë jam; edhe do të gënjejnë shumë vetë.
7 Edhe kur të dëgjoni luftra, edhe zëra luftrash, mos u frikësoni; sepse duhet të bëhen, po ende nuk është fundi.
8 Sepse do të ngrihet komb kundër kombi, edhe mbretëri kundër mbretërie; edhe do të bëhen tërmete në vende të ndryshme, edhe do të bëhen zi buke e trazira. Këto janë fillimet e dhembjeve të lindjes.
9 Po ju vështroni veten tuaj, sepse do t’ju dorëzojnë ju nëpër këshilla, e nëpër sinagoga do të rriheni, edhe përpara qeveritarëve e mbretërve do të rrini për shkakun tim, për dëshmi tek ata.
10 Edhe duhet të predikohet Ungjilli më përpara nëpër gjithë kombet.
11 Edhe kur t’ju çojnë që t’ju dorëzojnë ju, mos u kujdesni që më parë, se ç’do të flisni, as mos u mendoni; po ç’t’ju jepet juve në atë kohë, këtë flisni; sepse s’jeni ju ata që flisni, po Fryma e Shenjtë.
12 Edhe vëllai do të dorëzojë të vëllain për vdekje, edhe i ati të birin; edhe djemtë do të ngrenë krye kundër prindërve dhe do t’i vrasin.
13 Edhe të gjithë do t’ju urrejnë për emrin tim; po kush të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë.
14 Dhe kur të shihni “neverinë e shkretimit”, që është thënë nga profeti Daniel, të rrijë atje ku nuk duhet, – ai që lexon le të kuptojë, – atëherë ata që do të jenë në Jude, le të ikin nëpër male.
15 Edhe kush do të jetë përmbi shtëpi, le të mos zbresë në shtëpi, as le të mos hyjë të marrë gjë nga shtëpia e tij.
16 Edhe ai që të jetë në arë, le të mos kthehet prapa që të marrë rrobën e tij.
17 Po mjerë ato që janë shtatzëna dhe ato që kanë foshnjë në gji në ato ditë.
18 Edhe lutuni që të mos bëhet ikja juaj në dimër.
19 Sepse në ato ditë do të jetë i këtillë shtrëngim, që i tillë nuk është bërë që në fillim të krijimit, që krijoi Perëndia, e deri tani, edhe as do të bëhet.
20 Edhe të mos i kishte shkurtuar Zoti ato ditë, s’kishte për të shpëtuar asnjë mish; po për të zgjedhurit që i ka zgjedhur i shkurtoi ditët.
21 Edhe atëherë në u thëntë juve ndonjë: Ja këtu është Krishti, ja, atje, mos besoni.
22 Sepse do të ngrihen krishtër të rremë e profetë të rremë, edhe do të bëjnë shenja e çudira, që të gënjejnë, në mundet, edhe të zgjedhurit.
23 Por ju vini re; ja tek jua thashë juve të gjitha që përpara.
24 Po në ato ditë, pas atij shtrëngimi, dielli do të erret, edhe hëna nuk do të japë dritën e saj,
25 edhe yjet e qiellit do të bien, edhe fuqitë që janë në qiejt do të tunden.
26 Edhe atëherë do të shohin të Birin e njeriut duke ardhur ndër re me fuqi të madhe e me lavdi.
27 Edhe atëherë do të dërgojë engjëjt e tij, edhe do të mbledhë të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, prej këndit të dheut e deri në kënd të qiellit.
28 Edhe prej fikut mësoni paravolinë: kur dega e tij bëhet e butë dhe nxjerr fletët, e dini se vera është afër.
29 Kështu edhe ju, kur të shihni këto se bëhen, dijeni se është afër, në dyer.
30 Me të vërtetë po ju them juve, se ky brez nuk do të shkojë deri sa të bëhen këto të gjitha.
31 Qielli edhe dheu do të shkojnë, po fjalët e mia nuk do të shkojnë.
32 Edhe për atë ditë a orë asnjë nuk di, as engjëjt që janë në qiell, as Biri, veç Ati.
33 Vini re, rrini zgjuar dhe lutuni, sepse nuk e dini kur është koha.
34 Është si një njeri që shkon në një vend të largët dhe la shtëpinë e tij, edhe ua dha pushtetin shërbëtorëve të tij, edhe secilit punën e tij, edhe portarin e porositi të rrijë zgjuar.
35 Rrini zgjuar pra, sepse s’e dini kur vjen i zoti i shtëpisë, në të ngrysur, a në mes të natës, a në këndim të gjelit, a në mëngjes;
36 se mos vijë papandehur e t’ju gjejë duke fjetur.
37 Edhe ato që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-14-

1 Edhe pas dy ditësh ishte pashka dhe të pabrumëtat; edhe kryepriftërinjtë e shkruesit kërkonin si ta kapin me mashtrim dhe ta vrasin.
2 Edhe thoshin: Jo të kremten, se mos bëhet trazirë në popull.
3 Edhe ndërsa ai ishte në Betani, në shtëpinë e Simon lebrozit, duke ndenjur në tryezë, erdhi një grua që kishte një alabastër me miro nardi të pastër shumë të shtrenjtë; edhe si e theu alabastrin, e derdhi mbi kryet e tij.
4 Edhe ishin disa që zemëroheshin në veten e tyre e thoshin: Pse të humbasë kjo miro?
5 Sepse kjo miro mund të shitej mbi treqind dinarë dhe t’u jepeshin të varfërve; edhe e qortonin ashpër atë.
6 Po Jisui tha: Lëreni; pse e mundoni? Punë të mirë bën për mua.
7 Sepse të varfërit i keni gjithnjë me vete, edhe kur të doni, mund t’u bëni mirë atyre; po mua nuk më keni gjithnjë.
8 Atë që mundi, ajo e bëri; arriti që përpara të lyejë me miro trupin tim për varrimin.
9 Me të vërtetë po ju them juve: Kudo që të predikohet ky ungjill në gjithë botën, edhe ç’bëri kjo do të flitet për kujtim të saj.
10 Edhe Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te kryepriftërinjtë që t’ua dorëzojë atë atyre.
11 Edhe ata kur dëgjuan, u gëzuan; edhe iu zotuan t’i japin argjende. Edhe ai kërkonte sesi në kohën e duhur ta dorëzojë atë.
12 Edhe të parën ditë të të pabrumëtave, kur thernin qengjin e pashkës, nxënësit e tij i thonë: Ku don të shkojmë e të bëjmë gati që të hash pashkën?
13 Edhe dërgon dy nga nxënësit e tij, edhe u thotë atyre: Shkoni në qytet, edhe do t’ju takojë ju një njeri që mban një shtambë uji; shkoni pas tij,
14 edhe ku të hyjë ai, thuajini të zotit të shtëpisë se Mësuesi thotë: Ku është vendi ku do të ha pashkën bashkë me nxënësit e mi?
15 Edhe ai do t’ju tregojë juve lart një dhomë të madhe të shtruar gati; atje bëjeni gati për ne.
16 Edhe nxënësit e tij dolën dhe erdhën në qytet, edhe gjetën siç u kishte thënë, edhe bënë gati pashkën.
17 Edhe kur u ngrys, vjen me të dymbëdhjetët.
18 Edhe ndërsa po rrinin në tryezë e po hanin, Jisui tha: Me të vërtetë po ju them juve se një prej jush do të më dorëzojë, ai që ha bashkë me mua.
19 Edhe atyre zuri t’u vijë keq, edhe t’i thonë një nga një: Mos vallë unë? Edhe tjetri: Mos vallë unë?
20 Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Një nga të dymbëdhjetët, ai që ngjyen bashkë me mua në pjatë.
21 I Biri i njeriut shkon, siç është shkruar për të, po mjerë për atë njeri, me anë të të cilit dorëzohet; mirë do të ishte për atë njeri të mos kishte lindur.
22 Edhe ndërsa po hanin, Jisui mori bukën, edhe si e bekoi, e theu, edhe ua dha atyre, edhe tha: Merrni hani. Ky është trupi im.
23 Edhe mori potirin, edhe si falënderoi, ua dha atyre. Edhe pinë prej tij të gjithë.
24 Edhe u tha atyre: Ky është gjaku im, i dhiatës së re, që derdhet për shumë.
25 Me të vërtetë po ju them juve se nuk do të pi më nga pema e hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të re në mbretërinë e Perëndisë.
26 Edhe si psalën himne, dolën në Malin e Ullinjve.
27 Edhe Jisui u thotë atyre se të gjithë do të skandalizoheni në mua këtë natë; sepse është shkruar: “Do të godas bariun dhe dhentë do të shpërndahen”.
28 Por pasi të ngjallem, do të shkoj më përpara se ju në Galile.
29 Po Pjetri i tha: Edhe në u skandalizofshin të gjithë, unë jo.
30 Edhe Jisui i thotë atij: Me të vërtetë po të them se sot, këtë natë, para se të këndojë gjeli dy herë, tri herë do të më mohosh.
31 Po ai edhe më tepër thoshte se në u dashtë të vdes unë bashkë me ty, nuk do të të mohoj. Po ashtu thoshin edhe të gjithë.
32 Edhe vijnë në një vend që quhet Gjethsimani; edhe u thotë nxënësve të tij: Rrini këtu deri sa të lutem.
33 Edhe merr me vete Pjetrin dhe Jakovin dhe Joanin, edhe nisi të tronditet e të angështohet.
34 Edhe u thotë atyre: Shpirti im është i pikëlluar deri në vdekje; qëndroni këtu, dhe rrini zgjuar.
35 Edhe si shkoi pak përpara ai ra me fytyrë përdhe, edhe lutej që, në qoftë se është e mundur, të largohet prej tij kjo orë.
36 Edhe thoshte: Abba, o Atë, të gjitha janë të mundura për ty; largoje prej meje këtë potir; por le të bëhet jo ç’dua unë, por ç’do ti.
37 Edhe vjen e i gjen ata duke fjetur; edhe i thotë Pjetrit: Simon, po fle? S’mundët të rrini zgjuar një orë?
38 Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos hyni në ngasje. Sepse shpirti është gati, por mishi është i dobët.
39 Edhe përsëri shkoi e u lut duke thënë po atë fjalë.
40 Edhe kur u kthye i gjeti ata përsëri duke fjetur; sepse sytë e tyre ishin rënduar, edhe nuk dinin ç’t’i përgjigjen atij.
41 Edhe vjen të tretën herë, e u thotë atyre: Flini pra, edhe prehuni; mjaft; erdhi ora. Ja Biri i njeriut tek dorëzohet në duart e mëkatarëve.
42 Zgjohuni, le të shkojmë. Ja ai që më dorëzon tek u afrua.
43 Edhe përnjëherë, ndërsa ai ishte ende duke folur, vjen Juda, që ishte një nga të dymbëdhjetët, edhe bashkë me të një turmë e madhe me thika e me drunj, dërguar nga ana e kryepriftërinjve dhe e shkruesve dhe e pleqve.
44 Edhe ai që e tradhton u kishte dhënë atyre shenjë, duke thënë: Atë që të puth, ai është. Kapeni dhe çojeni duke e siguruar.
45 Edhe kur erdhi, përnjëherë u afrua tek ai e i thotë: Gëzohu, Rabbi. Edhe e puthi.
46 Edhe ata vunë duart e tyre mbi të, dhe e kapën.
47 Edhe një nga ata që rrinin atje nxori thikën e i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe i preu veshin.
48 Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Si mbi një kusar keni dalë me thika e me drunj të më kapni?
49 Përditë kam qenë ndër ju në tempull duke mësuar, edhe nuk më zutë; po kjo u bë që të përmbushen shkrimet.
50 Edhe të gjithë e lanë e ikën.
51 Edhe njëfarë djaloshi i vinte prapa duke qenë i mbështjellë mbi lakuriqësinë e tij me një pëlhurë; edhe djemtë e kapin.
52 Po ai e la pëlhurën dhe iku nga ata lakuriq.
53 Edhe prunë Jisuin te kryeprifti. Dhe mblidhen tek ai gjithë kryepriftërinjtë dhe pleqtë e shkruesit.
54 Edhe Pjetri i shkoi pas prej së largu deri brenda në oborrin e kryepriftit; edhe ishte duke ndenjur bashkë me shërbëtorët, edhe po ngrohej në zjarr.
55 Edhe kryepriftërinjtë e gjithë këshilli kërkonin dëshmi kundër Jisuit që ta vritnin, po nuk gjenin.
56 Sepse shumë veta jepnin dëshmi të rreme kundër atij; po dëshmitë nuk ishin të njëllojta.
57 Edhe disa u ngritën e jepnin dëshmi të rreme kundër tij,
58 duke thënë se ne e dëgjuam atë të thotë se unë do ta prish këtë tempull të bërë me dorë, edhe për tri ditë do të ndërtoj një tjetër të pabërë me dorë.
59 Po as kështu dëshmia e tyre s’ishte e njëllojtë.
60 Edhe kryeprifti u ngrit në mes dhe pyeti Jisuin, duke thënë: Nuk përgjigjesh fare? Ç’dëshmojnë këta kundër teje?
61 Po ai s’bënte zë, dhe nuk përgjigjej fare.
Përsëri kryprifti e pyeti atë duke i thënë atij: Ti je Krishti, i Biri i të Bekuarit?
62 Edhe Jisui tha: Unë jam; edhe do të shihni të Birin e njeriut duke ndenjur nga e djathta e fuqisë, edhe duke ardhur mbi retë e qiellit.
63 Edhe kryeprifti çorri rrobat e tij e thotë: Ç’nevojë kemi më për dëshmitarë?
64 E dëgjuat qartë blasfeminë; ç’ju duket juve? Edhe ata të gjithë e gjykuan se është fajtor për vdekje.
65 Edhe disa zunë ta pështyjnë dhe t’i mbulojnë fytyrën dhe ta godisnin në zverk, edhe t’i thonë: Profetizona kush është ai që të ra. Edhe shërbëtorët i binin me shuplaka.
66 Edhe ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, vjen një nga shërbëtoret e kryepriftit,
67 edhe kur pa Pjetrin duke u ngrohur, hodhi sytë mbi të e tha: Edhe ti ishe bashkë me Jisu Nazaretasin.
68 Por ai e mohoi, duke thënë: Nuk di, as nuk marr vesh ç’thua ti. Edhe doli jashtë në avlli; dhe gjeli këndoi.
69 Edhe shërbëtorja, kur e pa atë përsëri, zuri t’u thotë atyre që ishin duke ndenjur atje se ky është nga ata.
70 Po ai përsëri e mohonte. Edhe pas pak ata që ishin duke ndenjur atje përsëri i thanë Pjetrit: Me të vërtetë je nga ata; sepse je Galileas, edhe të folurit tënd ngjan.
71 Po ai zuri të mallkojë edhe të bëjë be se nuk e njoh këtë njeri që thoni.
72 Edhe gjeli këndoi për së dyti. Edhe Pjetrit i ra ndër mend fjala që i pati thënë Jisui se para se të këndojë gjeli dy herë, do të më mohosh tri herë. Edhe zuri të qajë.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-15-

1 Edhe menjëherë në mëngjes kryepriftërinjtë mbajtën kuvend bashkë me pleqtë e me shkruesit, dhe gjithë këshillin, edhe si e lidhën Jisuin, e prunë dhe ia dorëzuan Pilatit.
2 Edhe Pilati e pyeti: Ti je mbreti i Judenjve? Edhe ai u përgjigj e i tha: Ti po thua.
3 Edhe kryepriftërinjtë e akuzonin shumë, por ai nuk përgjigjej fare.
4 Edhe Pilati përsëri e pyeti, duke thënë: Nuk përgjigjesh fare? Shiko sa dëshmojnë kundër teje.
5 Po Jisui nuk u përgjigj më asgjë, kaq sa Pilati çuditej.
6 Edhe për të kremte u lironte atyre një të burgosur, cilin të kërkonin.
7 Edhe ishte një, që quhej Baraba, i burgosur bashkë me shokët e tij kryengritës, të cilët në kryengritje kishin bërë vrasje.
8 Edhe turma bërtiti, e nisi të kërkojë siç bënte përherë për ata.
9 Edhe Pilati iu përgjigj atyre, duke thënë: Doni t’ju liroj juve mbretin e Judenjve?
10 Sepse e dinte që kryepriftërinjtë e kishin dorëzuar për smirë.
11 Po kryepriftërinjtë nxitën turmën të kërkojë më tepër t’u lirojë atyre Barabën.
12 Edhe Pilati u përgjigj përsëri, e u tha atyre: Ç’doni pra t’i bëj këtij që i thoni mbret i Judenjve?
13 Edhe ata përsëri bërtitën: Kryqëzoje.
14 Edhe Pilati u thoshte atyre: Përse, ç’të keqe ka bërë? Po ata më tepër bërtitën: Kryqëzoje.
15 Edhe Pilati, pasi donte t’i bënte qejfin turmës, u lëshoi Barabën, edhe Jisuin, pasi e fshikulloi, e dorëzoi që të kryqëzohet.
16 Dhe ushtarët e prunë brenda oborrit, që është pretorja*, edhe mbledhin gjithë kohortën e ushtarëve.
17 Edhe i veshin një rrobë të purpurt, edhe thurën një kurorë gjembash, e ia vënë rreth kokës.
18 Edhe zunë ta përshëndesin: Gëzohu, o mbret i Judenjve.
19 Edhe e goditnin në kokë me kallam, edhe e pështynin, edhe i binin në gjunjë e i faleshin.
20 Edhe si e përqeshën, i zhveshën rrobën e purpurt, edhe i veshën rrobat e tij, edhe e çuan jashtë, që ta kryqëzojnë.
21 Edhe zënë angari, për të ngritur kryqin e atij, një farë Simon Kireneasi, të atin e Aleksandrit e të Rufit, i cili shkonte andej, duke ardhur nga ara.
22 Edhe e sjellin në vendin Golgota, që e përkthyer do të thotë “Vendi i kafkës”.
23 Edhe i jepnin të pijë verë të përzier me smirnë; por ai nuk e mori.
24 Edhe si e kryqëzuan, ndanë rrobat e tij duke hedhur short mbi to, ç’të marrë secili.
25 Edhe ishte ora e tretë, edhe e kryqëzuan.
26 Edhe mbishkrimi i shkakut të dënimit të tij ishte shkruar përsipër: Mbreti i Judenjve.
27 Edhe bashkë me atë kryqëzojnë dy kusarë, një nga e djathta, e një nga e majta e tij.
28 Edhe u përmbush shkrimi që thotë: “Edhe me të paudhët u numërua”.
29 Edhe kalimtarët e shanin, duke tundur kryet e tyre, e duke thënë: Ua, ti që prish tempullin, edhe për tri ditë e ndërton,
30 shpëto veten, edhe zbrit nga kryqi.
31 Kështu edhe kryepriftërinjtë e përqeshnin në mes tyre bashkë me shkruesit, e thoshin: Të tjerë shpëtoi, veten e tij s’mund ta shpëtojë.
32 Krishti, mbreti i Izraelit le të zbresë tani nga kryqi, që të shohim dhe të besojmë. Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin.
33 Edhe kur u bë ora e gjashtë, u bë një errësirë mbi gjithë dhenë, deri në orën e nëntë.
34 Edhe në të nëntën orë Jisui thirri me zë të madh, duke thënë: “Eloi, Eloi, lama Sabakthani?”, që e përkthyer do të thotë “Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise?”.
35 Edhe disa nga ata që ishin duke ndenjur atje, kur dëgjuan, thoshin: Ja tek po thërret Ilian.
36 Edhe njëri vrapoi e mbushi një sfungjer me uthull, edhe e vuri mbi një kallam, e i jepte të pijë, duke thënë: Lëreni, le të shohim nëse vjen Ilia ta zbresë.
37 Edhe Jisui nxori zë të madh e dha shpirt.
38 Edhe kurtina e tempullit u ça më dysh, prej së larti deri poshtë.
39 Edhe kryeqindësi, që rrinte përballë atij, kur pa se dha shpirt duke thirrur kështu, tha: Me të vërtetë ky njeri paska qenë Bir Perëndie.
40 Ishin edhe gra duke parë prej së largu; ndër ato ishte edhe Maria Magdalena, edhe Maria, e ëma e Jakovit të vogël dhe e Josiut, edhe Saloma,
41 të cilat, edhe kur ishte në Galile, i vinin pas, edhe i shërbenin; si dhe shumë të tjera që qenë ngjitur bashkë me të në Jerusalem.
42 Edhe tani si u ngrys, – sepse ishte e premte, domethënë dita para së shtunës,
43 erdhi Josifi që ishte nga Arimatea, anëtar i nderuar i këshillit, që edhe ai priste mbretërinë e Perëndisë; edhe guxoi e hyri tek Pilati dhe lypi trupin e Jisuit.
44 Edhe Pilati u çudit, nëse tashmë kishte vdekur; edhe thirri pranë kryeqindësin, edhe e pyeti në ka kohë që ka vdekur.
45 Edhe si mori vesh prej kryeqindësit, i fali trupin Josifit.
46 Edhe ky bleu pëlhurë, edhe e zbriti, edhe e mbështolli me pëlhurën, edhe e vuri në një varr, që ishte latuar prej shkëmbi; edhe rrokullisi një gur në derën e varrit.
47 Edhe Maria Magdalena, edhe Maria e Josiut, vinin re ku po vihet.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-16-

1 Edhe si shkoi e shtuna, Maria Magdalena, edhe Maria e Jakovit, edhe Saloma, blenë erëra, që të vijnë e ta lyejnë.
2 Edhe shumë herët në mëngjes, të parën ditë të javës, vijnë në varr, sapo lindi dielli.
3 Edhe thoshin në mes tyre: Cili do të na rrokullisë gurin prej derës së varrit?
4 Edhe kur hodhën sytë, shohin se guri ishte rrokullisur; sepse ishte fort i madh.
5 Edhe si hynë në varr, panë një djalosh duke ndenjur në të djathtë, të veshur me rroba të bardha; edhe u trembën.
6 Po ai u thotë atyre: Mos u trembni; kërkoni Jisu Nazaretasin, që u kryqëzua. U ngjall, nuk është këtu. Ja vendi ku e vunë.
7 Po shkoni, e u thoni nxënësve të tij dhe Pjetrit se shkon më përpara se ju në Galile. Atje do ta shihni, siç ju tha juve.
8 Edhe ato dolën e ikën nga varri; sepse i kishte zënë tmerr e habi; edhe asnjeriu s’i thanë gjë, sepse kishin frikë.
9 Edhe si u ngjall, në mëngjes, të parën ditë të javës, iu shfaq së pari Maria Magdalenës, prej së cilës kishte nxjerrë shtatë djaj.
10 Ajo shkoi e lajmëroi ata që kishin qenë me të, që po vajtonin e po qanin.
11 Edhe ata kur dëgjuan se rron, edhe se u pa nga ajo, nuk besuan.
12 Edhe pastaj u shfaq në tjetër formë në dy prej tyre, ndërsa po ecnin duke shkuar në arë.
13 Edhe ata shkuan e lajmëruan të tjerët; por as atyre s’u besuan.
14 Pastaj u shfaq tek të njëmbëdhjetët, ndërsa ishin duke ndenjur në tryezë, edhe i qortoi për pabesinë e tyre, edhe për zemrën e ashpër, sepse nuk u besuan atyre që e panë të ngjallur.
15 Edhe u tha atyre: Shkoni nëpër gjithë botën, edhe predikoni ungjillin nëpër gjithë krijesën.
16 Kush të besojë dhe të pagëzohet, do të shpëtojë; po kush të mos besojë, do të dënohet.
17 Edhe këto shenja do t’i ndjekin pas ata që do të besojnë: Në emrin tim do të nxjerrin demonë, gjuhë të reja do të flasin, gjarpërinj do të zënë.
18 Edhe në pifshin ndonjë gjë vdekjeprurëse, nuk do t’i dëmtojë ata; përmbi të sëmurë duar do të vënë, edhe do të shërohen.
19 Zoti pra, pasi u foli atyre, u ngjit në qiell edhe ndenji në të djathtë të Perëndisë.
20 Edhe ata dolën e predikuan kudo, edhe Zoti ishte duke vepruar bashkë me ta dhe duke vërtetuar fjalën me çuditë që e shoqëronin. Amin.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

Ungjilli  sipas  Markut

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme