Letra e pergjithshme
e Apostull Judes

-1-

1 Juda, shërbëtor i Jisu Krishtit, edhe i vëllai i Jakovit, të thirrurve që janë të shenjtëruar prej Perëndisë Atë edhe të ruajtur prej Jisu Krishtit,
2 përdëllim dhe paqe e dashuri, u shumoftë në ju.
3 Të dashur, pasi bëj çdo kujdes t’ju shkruaj juve për shpëtimin e përbashkët, pata nevojë t’ju shkruaj e t’ju lutem të luftoni për besimin që iu dha një herë e mirë shenjtëve.
4 Sepse hynë fshehurazi disa njerëz, të cilët ishin shënuar që më parë për këtë dënim, njerëz të pabesë, që kthejnë hirin e Perëndisë tonë në shthurje, edhe mohojnë të vetmin Kryezot Perëndi, dhe Zotin tonë Jisu Krisht.
5 Edhe dua t’ju kujtoj, ndonëse ju e dini mirë këtë, se Zoti, si shpëtoi popullin nga dheu i Egjiptit, pastaj i humbi ata që nuk besuan.
6 Edhe engjëjt që nuk ruajtën gjendjen e tyre të parë, por lanë banesën e tyre, i ka ruajtur me vargonj të përjetshëm nën errësirë, për gjyqin e ditës së madhe.
7 Porsi Sodoma e Gomorra edhe qytetet rreth tyre, që u dhanë në kurvëri në mënyrë të ngjashme me të atyre, edhe shkuan prapa tjetër mishi, janë vënë përpara si shembull duke u munduar me zjarr të përjet-shëm.
8 Gjithashtu edhe këta, duke parë ëndrra, ndotin trupin dhe nuk përfillin pushtetin, edhe ofiqet i blasfemojnë.
9 Edhe Mihaili, kryeengjëlli, kur duke luftuar për trupin e Moisiut hahej me djallin, nuk guxoi të bjerë kundër atij ndonjë dënim blasfemie, por tha: Zoti të qortoftë.
10 Edhe këta për gjëra që nuk i dinë blasfemojnë; edhe prishen për ato që i dinë prej natyre, porsi shtazët pa mend.
11 Mjerë ata! Sepse ecën në udhën e Kainit, edhe për fitim u derdhën me vrap pas mashtrimit të Balaamit, edhe humbën në kundërshtimin e Koreut.
12 Këta janë njolla në gostitë e dashurisë suaj, kur hanë e pinë bashkë me ju pa frikë, edhe kullosin veten e tyre; janë re pa ujë që sillen andej e këtej prej erërave; janë drurë vjeshte të pafrytshëm, dy herë të vdekur, të shkulur nga rrënjët;
13 valë deti të egra që shkumëzojnë turpet e tyre; yje që enden andej e këtej, për të cilët është ruajtur errësira e zezë për gjithë jetën.
14 Edhe për këta profetizoi edhe Enohu, i shtati nga Adami, duke thënë: “Ja tek erdhi Zoti me mijëra prej shenjtorëve të tij,
15 që të bëjë gjyq për të gjithë, edhe të qortojë gjithë të pabesët në mes të atyre, për gjithë veprat e pabesisë së atyre që punuan me pabesi, edhe për të gjitha fjalët e ashpra që mëkatarët e pabesë folën kundër tij”.
16 Këta janë murmuritës, qaramanë, që ecin sipas dëshirave të tyre; edhe goja e tyre flet fjalë fort të fryra, edhe përkëdhelin njerëz, që të kenë përfitim nga ata.
17 Po ju, o të dashur, kujtoni fjalët që u parathanë nga apostujt e Zotit tonë Jisu Krisht,
18 se ju thoshin juve: “se në kohën e fundit do të ketë përqeshës që do të ecin sipas dëshirimeve të pabesive të tyre”.
19 Këta janë ata që përçajnë, gjallësorë, që s’kanë Frymë.
20 Po ju, o të dashur, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj fort të shenjtë, e duke u lutur me Frymë të Shenjtë,
21 ruani veten tuaj në dashurinë e Perëndisë, duke pritur përdëllimin e Zotit tonë Jisu Krisht për jetë të përjetshme.
22 Edhe disa përdëllejini, kur hahen me ju;
23 edhe të tjerë shpëtojini me frikë, duke i rrëmbyer nga zjarri, edhe duke urryer edhe rrobën që është fëlliqur nga mishi.
24 Edhe atij që mund t’ju ruajë të pafajshëm dhe t’ju paraqesë përpara lavdisë së tij faqebardhë e me ngazëllim,
25 të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi dhe madhështi, fuqi dhe pushtet, edhe tani edhe në gjithë jetët. Amin.

Letra e pergjithshme
e Apostull Judes

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme