Letra e dyte e pergjithshme
e Apostull Pjetrit

-1-

1 Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jisu Krishtit, atyre që kanë marrë për pjesë besim të çmuar sa edhe ne, me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit Jisu Krisht;
2 hir dhe paqe u shumoftë mbi ju me anë të njohjes së Perëndisë dhe të Jisu Krishtit, Zotit tonë.
3 Sikundër fuqia e tij hyjnore na fali të gjitha ato që duhen për jetë e shpresëtari me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdi e me virtyt;
4 me anë të të cilave na dhuroi premtimet më të çmueshme e më të mëdha, që me anë të këtyre të bëheni pjesëtarë të natyrës së Perëndisë, duke larguar prishjen që vjen në botë me anë të dëshirimit.
5 Edhe pikërisht për këtë, duke bërë çdo përpjekje, shtoni në besimin tuaj virtytin, edhe në virtytin diturinë,
6 edhe në diturinë vetëpërmbajtjen, edhe në vetëpërmbajtjen durimin, edhe në durimin shpresëtarinë,
7 edhe në shprestarinë vëllazërimin, dhe në vëllazërimin dashurinë.
8 Sepse po të jenë këto ndër ju dhe të shtohen, nuk do t’ju bëjnë të plogësht, as të pafrytshëm në njohjen e Zotit tonë Jisu Krisht.
9 Sepse ai, tek i cili nuk janë këto, është i verbër, dritëshkurtër, edhe harroi pastrimin e mëkateve të tij të vjetër.
10 Prandaj, o vëllezër, kujdesuni më tepër të siguroni thirrjen dhe zgjedhjen tuaj; sepse duke bërë këto, nuk do të mëkatoni kurrë.
11 Sepse kështu do t’ju jepet juve plotësisht hyrja në mbretërinë e përjetshme të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht.
12 Prandaj nuk do të përtoj t’jua kujtoj këto përherë, ndonëse i dini, edhe jeni të qëndrueshëm në këtë të vërtetë.
13 Por unë mendoj se është e drejtë, deri sa jam në këtë tendë, t’ju nxis duke jua sjellë ndërmend.
14 Sepse e di, se së shpejti do ta hedh tej tendën time, sikurse edhe Zoti ynë Jisu Krisht ma shfaqi.
15 Por do të kujdesem që ju, edhe pas vdekjes sime, të mundeni përherë t’i kujtoni ato.
16 Sepse jua bëmë të ditur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jisu Krisht jo duke shkuar pas përrallave të thurura me mjeshtëri, por duke ju treguar se me sytë tanë e pamë madhështinë e tij.
17 Sepse mori nder e lavdi prej Perëndisë Atë, kur i erdhi atij një zë i tillë prej lavdisë së madhërishme:
18 “Ky është Biri im i dashur, në të cilin unë gjeta pëlqim”. Edhe këtë zë e dëgjuam se erdhi nga qielli, kur ishim bashkë me të në malin e shenjtë.
19 Edhe kemi më të vërtetuar fjalën profetike, për të cilën bëni mirë të shikoni si në një kandil që ndrit në një vend të errët, deri sa të zbardhë dita, edhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja;
20 duke ditur së pari këtë, se asnjë profeci e shkrimit nuk bëhet me shpjegim vetjak.
21 Sepse kurrë nuk erdhi ndonjë profeci prej dëshire njeriu, por të shtyrë nga Fryma e Shenjtë folën njerëz të shenjtë të Perëndisë.

1 2 3

-2-

1 Por kanë qenë edhe profetë të rremë në popull, sikundër do të ketë edhe ndër ju mësues të rremë, të cilët do të fusin fshehurazi herezira humbjeje, duke mohuar edhe Zotin që i bleu ata, edhe duke tërhequr kështu mbi veten e tyre humbje të shpejtë.
2 Edhe shumë veta do të shkojnë pas humbjeve të atyre, për të cilët udha e së vërtetës do të blasfemohet.
3 Edhe për lakmi do t’ju tregtojnë me fjalë gënjeshtare; dënimi i qëmotshëm i të cilëve nuk vonon, edhe humbja e tyre nuk fle.
4 Sepse nëse Perëndia nuk kurseu engjëjt që mëkatuan, por i hodhi në fund të dheut të lidhur me hekura errësire, e i dha që të ruhen për gjyq;
5 edhe nëse nuk kurseu botën e moçme, po pruri përmbytje mbi botën e të pabesëve, edhe ruajti Noen vetë i tetë, këtë predikues të drejtësisë;
6 edhe dënoi në humbje qytetet e Sodomës e të Gomorrës, edhe i bëri hi, shembull për ata që do të rronin me pabesi;
7 edhe shpëtoi Lotin e drejtë, që hidhërohej prej sjelljes së shthurur të njerëzve të pafre;
8 – sepse ky i drejtë, duke ndenjur ndërmjet tyre, vuante ditë për ditë në shpirtin e tij të drejtë duke parë e duke dëgjuar punët e tyre të paudha;
9 Zoti di të shpëtojë nga ngasja shpresëtarët, edhe të padrejtët t’i ruajë për ditën e gjyqit që të mundohen;
10 edhe më tepër ata që shkojnë prapa mishit me dëshirim ndyrësie, edhe nuk përfillin pushtetin; janë guximtarë të vrazhdë, dhe nuk tremben duke sharë pushtetet;
11 ndërsa engjëjt që janë më të mëdhenj në forcë e në fuqi nuk sjellin kundër tyre gjykim blasfemues përpara Zotit.
12 Po këta si kafshë pa mend prej natyre, që kanë lindur të kapen në lak e të prishen, flasin keq për gjëra që s’i dinë, edhe do të prishen në prishjen e tyre,
13 duke marrë pagën e padrejtësisë. Ata e quajnë kënaqësi shthurjen e përditshme; janë të njollosur e të fëlliqur; gëzohen me mashtrimet e tyre, kur hanë e pinë bashkë me ju.
14 Sytë i kanë plot me kurvëri dhe nuk pushojnë së mëkatuari; gënjejnë shpirtra të paqëndrueshëm, kanë zemër të ushtruar në lakmime, janë bij mallkimi.
15 Duke lënë udhën e drejtë, u gabuan, e shkuan pas udhës së Valaamit, birit të Vosorit, i cili deshi pagën e padrejtësisë;
16 por u qortua për paligjësinë e tij, sepse një kafshë pa gojë, duke folur me zë njeriu, e ndaloi marrëzinë e profetit.
17 Këta janë kroje pa ujë, re që shtyhen prej ere të fortë, për të cilët është ruajtur errësirë e zezë për gjithë jetën.
18 Sepse duke folur fjalë shumë të mëdha kotësie, mashtrojnë me dëshirimet e mishit e me ndyrësitë ata që me të vërtetë shpëtuan prej atyre që e shkojnë jetën në mashtrim;
19 duke u premtuar atyre liri, ndërsa ata vetë janë robër të prishjes; sepse nga ai që mundet ndonjë, këtij i bëhet edhe rob.
20 Sepse ata që shpëtuan nga ndyrësitë e botës me anë të njohjes së Zotit dhe Shpëtimtarit Jisu Krisht, në u ngatërrofshin përsëri në këto e të munden, gjendja e mëpasme e tyre bëhet më e keqe se e mëparshmja.
21 Sepse më mirë ishte për ata të mos e kishin njohur udhën e drejtësisë, sesa pasi e njohën të kthehen nga urdhërimi i shenjtë që iu dha atyre.
22 Edhe u ngjau atyre ajo që thotë e vërteta e proverbit: “Qeni u kthye në të vjellat e tij”, dhe: “Derri pasi u la, u zhgërrye në llucë”.

1 2 3

-3-

1 Po ju shkruaj tani juve, o të dashur, këtë letër të dytë, letra me të cilat zgjoj në mendjen tuaj kujtesë të kthjellët;
2 që të kujtoni fjalët që u parafolën nga profetët e shenjtë, edhe urdhërimin e ne apostujve të Zotit dhe Shpëtimtarit.
3 Dijeni së pari këtë, se në ditët e fundit do të vijnë përqeshës, të cilët do të ecin pas dëshirimeve të tyre,
4 e do të thonë: Ky është premtimi i ardhjes së tij? Sepse që atë ditë që fjetën etërit, të gjitha mbeten siç ishin qysh në fillim të krijimit.
5 Sepse me dashje nuk e dinë këtë, se me fjalën e Perëndisë u bënë qiejt qëmoti, edhe toka që është bërë prej uji e me anë uji,
6 me anë të të cilave bota e atëhershme u mbulua me ujë dhe humbi.
7 Edhe qiejt e sotëm dhe toka me anë të po asaj fjale janë mbajtur si thesar, duke u ruajtur për zjarr në ditën e gjyqit e të humbjes së njerëzve të pabesë.
8 Edhe një, këtë mos e harroni, o të dashur, se pranë Zotit një ditë është si një mijë vjet, edhe një mijë vjet si një ditë.
9 Zoti nuk e vonon premtimin e tij, sikundër disa e numërojnë për vonesë; por tregon zemërgjerësi për ne, sepse nuk do që të humbasin disa veta, por të gjithë të vijnë në pendim.
10 Edhe dita e Zotit do të vijë si vjedhës natën; ditë në të cilën qiejt do të shkojnë me krismë, edhe elementet duke u ndezur do të treten, edhe dheu e veprat që janë në të do të digjen krejt.
11 Kur pra këto të gjitha të treten, çfarë lloji njerëzish duhet të jeni ju në sjelljet e shenjta dhe në shpresëtaritë,
12 duke pritur e duke dëshiruar fort ardhjen e ditës së Perëndisë, në të cilën qiejt duke u djegur në zjarr do të treten, edhe elementët duke u ndezur do të treten?
13 Edhe sipas pemtimit të atij presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët rri drejtësia.
14 Prandaj, o të dashur, duke pritur këto, kujdesuni të gjendeni përpara atij në paqe, të panjollë e patëmetë.
15 Edhe zemërgjerësinë e Zotit tonë numerojeni për shpëtim, sikurse edhe vëllai ynë i dashur Pavël ju shkroi juve sipas diturisë që iu dha atij,
16 sikurse edhe në të gjitha letrat e tij, duke folur në ato për këto çështje, në mes të të cilave ka disa që janë të vështira për t’u kuptuar, të cilat të paditurit e të paqëndrueshmit i shtrembërojnë, sikurse edhe shkrimet e tjera, për humbjen e vetes së tyre.
17 Ju pra, o të dashur, duke i ditur që përpara këto, ruhuni, që të mos tërhiqeni nga mashtrimi i të paligjëve, e të bini nga mbështetja juaj.
18 Edhe shtohuni në hir e në njohjen e Zotit tonë dhe Shpëtimtarit Jisu Krisht. Atij i qoftë lavdia edhe tani edhe në ditën e përjetshme. Amin.

1 2 3

Letra e dyte e pergjithshme
e Apostull Pjetrit

1 2 3 

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme