Letra e Apostull Pavlit drejtuar Hebrenjve

-1-

Perëndia foli me anë të Birit të tij

1 Perëndia, pasi u foli qëmoti etërve tanë me anë të profetëve shumë herë e me shumë mënyra,
2 në këto ditë të fundit na foli neve me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjithave, me anë të të cilit bëri edhe jetët;
3 i cili, duke qenë ndriçimi i lavdisë dhe karakter i qenies së atij, edhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij, pasi me anë të vetes së tij pastroi mëkatet tona, ndenji në të djathtë të madhërisë në të lartat;

Biri është më i madh se engjëjt

4 edhe u bë kaq më i mirë nga engjëjt, sa emër më të shquar se ata ka trashëguar.
5 Sepse cilit prej engjëjve i tha ndonjëherë: “Ti je Biri im; unë sot të kam lindur?”.
6 Edhe përsëri: “Unë do t’i jem atij Atë, dhe ai do të më jetë Bir?”. Edhe kur përsëri të shtjerë të parëlindurin në botë, thotë: “Edhe le t’i falen atij gjithë engjëjt e Perëndisë”.
7 Edhe për engjëjt thotë: “Ai që i bën engjëjt e tij frymëra, edhe shërbyesit e tij flakë zjarri”.
8 Po për Birin thotë: “Froni yt, o Perëndi, është në jetë të jetës; shkop drejtësie është shkopi i mbretërisë sate.
9 Deshe drejtësinë dhe urreve paudhësinë; prandaj të leu, o Perëndi, Perëndia yt, me vaj gëzimi më tepër se bashkëpjesëtarët e tu”.
10 Edhe: “Ti në fillim, o Zot, themelove dhenë, edhe punë të duarve të tua janë qiejt.
11 Ata do të prishen, po ti mbetesh; edhe të gjithë si rrobë do të vjetërohen,
12 edhe si të veshur do t’i mbështjellësh ata, edhe do të ndërrohen; por ti je po ai, edhe vitet e tua nuk do të shterrojnë”.
13 Edhe cilit prej engjëjve i tha ndonjëherë: “Rri në të djathtën time, deri sa të vë armiqtë e tu nënkëmbje të këmbëve të tua”?
14 A nuk janë të gjithë frymëra shërbyese, që dërgohen për shërbesë për ata që kanë për të trashëguar shpëtim?

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-2-

Rëndësia e shpëtimit

1 Prandaj duhet ne më tepër t’ua vëmë veshin atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjëherë.
2 Sepse nëse doli e vërtetë fjala që u fol me anë të engjëjve, edhe çdo shkelje e mosdëgjim mori shpagim të drejtë,
3 atëherë si do të shpëtojmë ne, në e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh? i cili, pasi zuri të flitet prej Zotit, u vërtetua ndër ne prej atyre që e dëgjuan.
4 Edhe Perëndia dëshmonte me shenja e me çudira, e me çdo lloj fuqish, edhe me ndarje dhuratash të Frymës së Shenjtë, sipas vullnetit të tij.

Jisui është ai që çon në shpëtim

5 Sepse nuk e vuri nën pushtetin e engjëjve botën që ka për të ardhur, për të cilën po flasim.
6 Edhe dikush dëshmoi diku, duke thënë: “Ç’është njeriu, që ta kujtosh? Apo i biri i njeriut që ta vështrosh?
7 E bëre pakgjë më të ulët nga engjëjt; me lavdi e me nder e kurorëzove atë, dhe e vure përmbi punët e duarve të tua.
8 Të gjitha i vure nën këmbët e tij”, sepse pasi i vuri të gjitha nën pushtetin e tij, nuk la asgjë pa vënë nën pushtetin e tij. Po tani nuk i shohim ende të gjitha të jenë vënë nën pushtetin e tij.
9 Por e shohim Jisuin që qe bërë pakgjë më i ulët nga engjëjt, për shkak të pësimit të vdekjes, të kurorëzuar me lavdi e me nder, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për çdo njeri.
10 Sepse i duhej atij, për të cilin janë të gjitha dhe me anë të të cilit janë të gjitha, duke prurë shumë bij në lavdi, të bëjë të përsosur me anë të pësimeve kryetarin e shpëtimit të tyre.
11 Meqenëse edhe ai që shenjtëron edhe ata që shenjtërohen janë të gjithë prej njërit, shkak për të cilin nuk turpërohet t’i quajë ata vëllezër,
12 duke thënë: “Do t’u rrëfej emrin tënd vëllezërve të mi, në mes të kishës do të të lavdëroj”.
13 Edhe prapë: “Unë do të kem shpresën time në atë”; dhe përsëri: “Ja unë, dhe djemtë që më dha Perëndia”.
14 Edhe meqenëse djemtë kanë marrë pjesë prej mishi e gjaku, edhe ai gjithashtu u bë pjesëtar në po ato gjëra, që të prishë me anë të vdekjes atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin,
15 edhe të shpëtojë të gjithë ata, të cilët nga frika e vdekjes ishin gjithë jetën e tyre mbajtur në skllavëri.
16 Sepse me të vërtetë nuk u ndihmon engjëjve, po farës së Abrahamit i ndihmon.
17 Prandaj duhej t’u ngjante në gjithçka vëllezërve, që të bëhej kryeprift i dhembshur dhe besnik në punët që kanë të bëjnë me Perëndinë, për shlyerjen e mëkateve të popullit.
18 Sepse me atë që pësoi vetë kur u nga, mund t’u ndihmojë atyre që ngiten.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-3-

Jisui është më i madh se Moisiu

1 Prandaj, vëllezër shenjtorë, pjesëtarë të thirrjes qiellore, vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit tonë, Jisu Krishtin;
2 i cili është besnik tek ai që e bëri, sikurse dhe Moisiu qe besnik në gjithë shtëpinë e tij.
3 Sepse ky u denjësua me më tepër lavdi se Moisiu, meqenëse ka më shumë nder ai që ndërton shtëpinë se sa shtëpia.
4 Sepse çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt; po ai që i ndërtoi të gjitha është Perëndia.
5 Edhe Moisiu qe besnik në gjithë shtëpinë e atij si shërbëtor, për dëshmi të atyre gjërave që do të fliteshin,
6 por Krishti, si bir mbi shtëpinë e tij, shtëpia e të cilit jemi ne, nëse mbajmë fort guximin dhe mburrjen e shpresës deri në fund.

Premtimi i Perëndisë dhe pabesia e popullit të tij

7 Prandaj, siç thotë Fryma e Shenjtë: “Sot në dëgjofsh zërin e atij,
8 mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në hidhërimin, në ditën e ngasjes në shkretëtirë,
9 ku etërit tuaj më nganë dhe më vunë në provë, edhe panë punët e mia dyzet vjet.
10 Prandaj u zemërova me atë brez, edhe thashë: Përherë gënjehen në zemrën e tyre; edhe ata nuk i njohën udhët e mia.
11 Prandaj u betova në zemërimin tim: S’kanë për të hyrë në prehjen time”.
12 Vështroni, vëllezër, që të mos ketë asnjë prej jush zemër të ligë pabesie, që të ngrerë krye kundër Perëndisë së gjallë.
13 Po nxitni njëri-tjetrin përditë, deri sa quhet “Sot”; që të mos ngurtësohet ndonjë prej jush me gënjeshtrën e mëkatit.
14 Sepse jemi bërë pjesëtarë të Krishtit, nëse mbajmë fort deri në fund besimin e fillimit,
15 kur thuhet: “Sot, në dëgjofsh zërin e tij, mos i ashpërsoni zemrat tuaja si në hidhërimin”.
16 Sepse, cilët, pasi dëgjuan, ngritën krye? A nuk ishin të gjithë ata që dolën prej Egjiptit me anë të Moisiut?
17 Edhe me cilët u zemërua dyzet vjet? Vallë jo me ata që mëkatuan, të cilëve u ranë eshtrat në shkretëtirë?
18 Edhe për cilët u betua se nuk do të hynin në prehjen e atij, veç se për ata që s’bindeshin?
19 Edhe shohim se për pabesinë nuk mundën të hyjnë.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-4-

Premtimi i Perëndisë vlen për ata që besojnë

1 Prandaj, deri sa mbetet ndër ne një premtim për të hyrë në prehjen e atij, le të kemi pra frikë se mos ndonjë prej jush duket se mbeti jashtë.
2 Sepse edhe ne jemi ungjillëzuar, sikurse dhe ata; por atyre nuk u bëri dobi fjala që dëgjuan, sepse s’qe bashkuar me anë të besimit me ata që e dëgjuan.
3 Sepse hymë në prehje ne që besuam, siç ka thënë: “Prandaj u betova në zemërimin tim: S’kanë për të hyrë në prehjen time”, ndonëse punët e tij u mbaruan qëkurse u themelua bota.
4 Sepse ka thënë në një vend për të shtatën ditë kështu: “Edhe u preh Perëndia në të shtatën ditë nga gjithë punët e tij”.
5 Edhe në këtë vend përsëri: “S’kanë për të hyrë në prehjen time”.
6 Pasi ka mbetur pra të hyjnë disa veta në atë, edhe ata që u ungjillëzuan më përpara nuk hynë prej mosbindjes së tyre,
7 përsëri cakton një ditë: “Sot”, duke thënë me anë të Davidit, pas kaq kohe, siç është thënë: “Sot në dëgjofshi zërin e atij, mos i ashpërsoni zemrat tuaja”.
8 Sepse po t’i kishte prehur ata Jisui i Naviut, nuk do të kishte folur pastaj për një tjetër ditë.
9 Mbetet pra, prehje për popullin e Perëndisë.
10 Sepse ai që hyri në prehjen e tij, edhe ai u preh nga punët e tij, sikurse Perëndia nga të tijat.
11 Le të përpiqemi pra të hyjmë në atë prehje, që të mos bjerë ndonjë në atë shembull të mosbindjes.
12 Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, edhe më e mprehtë se çdo thikë me dy tehe, edhe depërton deri në ndarjen e frymës dhe të shpirtit, të nyjeve e të palcave, edhe gjykon mendimet dhe synimet e zemrës.
13 Edhe përpara tij s’ka asnjë krijesë të padukshme, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara në sytë e atij, të cilit ne kemi për t’i dhënë llogari.

Jisui është kryeprifti i madh

14 Duke pasur pra një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jisuin, të Birin e Perëndisë, le të mbajmë rrëfimin tonë.
15 Sepse s’kemi kryeprift që të mos mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u nga në të gjitha si ne, por pa mëkatuar.
16 Le t’i afrohemi pra me guxim fronit të hirit, që të marrim përdëllim dhe të gjejmë hir për ndihmë në kohë nevoje.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-5-

1 Sepse çdo kryeprift që merret prej njerëzve, vihet për njerëzit në gjërat që kanë të bëjnë me Perëndinë, për të blatuar dhurata dhe flijime për mëkatet;
2 të cilit mund t’i vijë keq për ata që janë të paditur e të gënjyer; sepse edhe ai vetë është veshur me dobësi.
3 Edhe prandaj ka detyrë, si për popullin, kështu dhe për veten e tij, të blatoj theror për mëkatet.
4 Edhe asnjë nuk e merr këtë nder prej vetes së tij, po ai që thirret nga Perëndia, si Aroni.
5 Kështu edhe Krishti nuk e lavdëroi veten e tij që të bëhet kryeprift, po ai që i foli: “Ti je Biri im, unë sot të kam lindur”.
6 Sikurse edhe në tjetër vend thotë: “Ti je prift për gjithë jetën sipas urdhërit të Melkisedekut”.
7 I cili në ditët e mishit të tij, pasi iu fal e iu lut me klithmë të fortë e me lot atij që mundej ta shpëtonte atë nga vdekja, edhe u dëgjua për shpresëtarinë e tij,
8 ndonëse ishte bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi.
9 Edhe si u bë i përsosur, u bë shkak për shpëtim të përjetshëm për të gjithë ata që e dëgjojnë atë,
10 duke qenë i quajtur nga Perëndia kryeprift sipas urdhërit të Melkisedekut,

Këshilla për këmbëngulje në besim

11 për të cilin kemi shumë gjëra për të thënë, edhe të vështira për t’u shpjeguar, meqenëse jeni bërë të plogësht në dëgjim.
12 Sepse, ndonëse pas kaq kohësh duhej të ishit mësues, përsëri keni nevojë që ndonjë t’ju mësojë juve parimet elementare të thënieve të Perëndisë; edhe keni arritur të keni nevojë për qumësht e jo për ushqim të fortë.
13 Sepse kushdo që ushqehet me qumësht, është i papërvojë në fjalët e drejtësisë, sepse është një foshnje.
14 Po ushqimi i fortë është për të rritur, të cilët meqenëse janë mësuar kështu, i kanë ndjenjat e tyre të stërvitura për të dalluar të mirën e të ligën.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-6-

1 Prandaj si të lëmë mësimin fillestar të Krishtit, le t’i drejtohemi përsosmërisë, pa vënë përsëri themel pendimi nga punë të vdekura dhe të besimit tek Perëndia,
2 të mësimit për pagëzime, e për vënien e duarve, e ngjalljen e të vdekurve, e për gjyqin e përjetshëm.
3 Edhe këtë do ta bëjmë, në lejoftë Perëndia.
4 Sepse është e pamundur për ata që u ndriçuan një herë dhe ndjenë shijen e dhuratës qiellore, edhe u bënë pjesëtarë të Frymës së Shenjtë,
5 edhe shijuan fjalën e mirë të Perëndisë, edhe të fuqive të jetës së ardhme,
6 edhe pastaj u rrëzuan, të përtërihen përsëri në pendim; sepse kryqëzojnë përsëri në veten e tyre të Birin e Perëndisë, edhe e turpërojnë.
7 Sepse toka që pi shiun që bie shumë herë mbi të, edhe prodhon barëra të dobishme për ata, për të cilët edhe punohet, merr bekim nga Perëndia.
8 Po në nxjerrtë driza e gjemba, është e pavlefshme dhe afër mallkimit, fundi i së cilës është të digjet.
9 Po për ju, të dashur, ndonëse flasim kështu, jemi të bindur , se keni gjërat më të mira, që i përkasin shpëtimit.
10 Sepse Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë punën tuaj dhe mundin e dashurisë që treguat për emrin e tij me shërbimin që u bëtë e po u bëni shenjtëve.
11 Edhe dëshirojmë që gjithësecili prej jush të tregojë po atë zell për vërtetimin e plotë të shpresës deri në fund;
12 që të mos bëheni të plogësht, po të bëni si ata që trashëgojnë premtimin me anë të besimit e të durimit.

Premtimi i pakthyeshëm i Perëndisë

13 Sepse Perëndia, kur i premtoi Abrahamit pasi s’kishte asnjë më të madh, mbi të cilin të betohej, u betua mbi veten e tij,
14 duke thënë: “Vërtet duke bekuar do të të bekoj, edhe duke shumuar do të të shumoj”.
15 Edhe kështu Abrahami, duke pritur me durim, fitoi premtimin.
16 Sepse njerëzit betohen mbi më të madhin, edhe për ata betimi për të vërtetuar është fundi i çdo kundërshtimi.
17 Kështu Perëndia, duke dashur t’u tregojë më tepër trashëgimtarëve të premtimit pakthyeshmërinë e vullnetit të tij, vuri ndërmjetës betimin,
18 që me anë dy gjërash të pakthyeshme, në të cilat është e pamundur të gënjejë Perëndia, të mund të kemi ngushëllim të fortë, ne që kemi kërkuar një strehë, të mbajmë fort shpresën që kemi përpara,
19 të cilën e kemi si spirancë të shpirtit të sigurt e të vërtetë, edhe që hyn në të brendshmen e kurtinës;
20 atje ku një pararendës hyri për ne, Jisui, duke u bërë kryeprift në përjetësi sipas urdhërit të Melkisedekut.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-7-

1 Sepse ky Melkisedeku, ishte mbreti i Salemit, prift i fort të lartit Perëndi, i cili u takua me Abrahamin kur ky kthehej nga shpartallimi i mbretërve, edhe e bekoi.
2 Atij Abrahami i ndau edhe të dhjetën e të nga gjithave, – i cili së pari përkthehet mbret i drejtësisë, edhe pastaj edhe mbret i Salemit, që do me thënë mbret i paqes,
3 pa atë, pa nënë, pa gjenealogji, pa pasur as fillim ditësh, as fund jete, por bërë i ngjashëm me Birin e Perëndisë, mbetet prift përgjithnjë.
4 Pa mendoni sa i madh ishte ky, të cilit Abrahami, kryeati, i dha edhe të dhjetën e plaçkës.
5 Edhe nga të bijtë e Levit ata që marrin priftërinë, kanë urdhërimin të marrin sipas ligjit të dhjetën nga populli, domethënë nga vëllezërit e tyre, ndonëse kanë dalë nga mesi i Abrahamit.
6 Po ai që nuk e kishte gjenealogjinë nga ata mori të dhjetën nga Abrahami, edhe bekoi atë që kishte premtimin.
7 Edhe pa asnjë kundërshtim më i vogli bekohet nga më i madhi.
8 Edhe këtu njerëz të vdekshëm marrin të dhjeta; po atje merr të dhjeta ai që dëshmohet se rron.
9 Edhe që të them kështu, me anë të Abrahamit edhe Leviu, që merr të dhjeta, dha të dhjeta.
10 Sepse ishte ende në mesin e të atit, kur e takoi Melkisedeku atë.
11 Po të ishte pra përsosmëria me anë të priftërisë Levitike, – sepse populli mbi atë mori ligjin, – ç’nevojë ishte pra të ngrihet tjetër prift sipas urdhërit të Melkisedekut, e të mos thuhet më sipas urdhërit të Aronit?
12 Sepse kur ndërrohet priftëria, nga nevoja bëhet edhe ndërrim ligji.
13 Sepse ai, për të cilin thuhen këto, ishte prej tjetër fisi, prej të cilit asnjë s’i qe afruar therores.
14 Sepse është e ditur që Zoti ynë lindi nga Juda, fis për të cilën Moisiu nuk foli asgjë për priftëri.

Jisui është Melkisedeku i dytë

15 Por është edhe shumë më tepër e qartë, nëse sipas shembëllimit të Melkisedekut ngrihet tjetër prift,
16 i cili nuk u bë sipas ligjit të urdhërimit të mishit, por sipas fuqisë të jetës pambarim.
17 Sepse ai dëshmon, duke thënë: “Se ti je prift përjetë sipas urdhërit të Melkisedekut”.
18 Sepse urdhërimi i parë bie poshtë, kur është i dobët dhe i padobishëm;
19 – sepse ligji nuk mbaroi asnjë lloj pune, – po futi një shpresë më të mirë, me anë të së cilës i afrohemi Perëndisë.
20 Edhe meqenëse nuk u bë prift pa betim, –
21 Sepse ata qenë bërë priftërinj pa betim, po ky me betim, me anë të atij që i tha atij: “Zoti u betua, edhe nuk do të pendohet. Ti je prift përjetë sipas urdhërit të Melkisedekut”,
22 i një dhiate më të lartë u bë dorëzanë Jisui.
23 Edhe ata qenë bërë priftërinj më shumë se një, sepse ndaloheshin prej vdekjes të mbeten përgjithnjë.
24 Por ky, pasi mbetet për gjithë jetën, e ka priftërinë të pandërrueshme.
25 Prandaj edhe mund t’i shpëtojë krejtësisht ata që afrohen pranë Perëndisë me anë të atij, sepse gjithnjë rron që të ndërmjetojë për ata.
26 Sepse i tillë kryeprift na duhej, i shenjtë, i pafajshëm, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i bërë më i lartë se qiejt;
27 i cili nuk ka përditë nevojë, si ata kryepriftërinjtë, të blatoj therorë më përpara për mëkatet e tij, dhe pastaj për ato të popullit; sepse këtë e bëri një herë e përgjithmonë, kur pruri theror veten e tij.
28 Sepse ligji vë kryepriftërinj njerëz që kanë dobësi; po fjala e betimit që u bë pas ligjit vuri Birin, i cili është i përsosur për gjithë jetën.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-8-

Jisui është kryeprifti më i madh

1 Edhe përmbledhja e atyre që themi është kjo: Kemi një kryeprift të tillë, i cili ndenji në të djathtë të fronit të madhërisë në qiejt,
2 edhe një shërbyes i shenjtërores dhe i tendës së vërtetë, të cilën e ngriti Zoti, e jo njeri.
3 Sepse çdo kryeprift vihet që të blatojë dhurata e therorë; prandaj është e nevojshme të ketë edhe ky diçka për të blatuar therore.
4 Sepse po të ishte mbi dhe, nuk do të ishte prift, sepse janë priftërinjtë që sjellin dhuratat sipas ligjit;
5 të cilët shërbejnë sipas shembullit dhe sipas hijes së qielloreve, siç i qe thënë Moisiut, kur kishte për të ndërtuar tendën, sepse “Shiko”, thotë ai, “t’i bësh të gjitha sipas formës që t’u tregua ty në mal”.
6 Po tani Krishti mori një shërbesë aq të shquar, sa është edhe ndërmjetës i një dhiate më të mirë, e cila u bë ligj mbi premtime më të mira.
7 Sepse po të ishte pa të metë ajo e para, nuk do të kërkohej vend për të dytën.
8 Sepse Perëndia duke qortuar ata thotë: “Ja tek po vijnë ditë, thotë Zoti, edhe do të bëj një dhiatë të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës,
9 jo sipas dhiatës që bëra me etërit e tyre atë ditë që i mora ata prej dore, që t’i nxirrja jashtë prej dheut të Egjiptit; sepse ata nuk qëndruan në dhiatën time, edhe unë s’u kujdesa për ata, thotë Zoti.
10 Sepse kjo është dhiata që do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti, do të vë ligjet e mia në mendjet e tyre, edhe do t’i shkruaj ata mbi zemrat e tyre, edhe do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im.
11 Edhe asnjë prej tyre nuk do të mësojë të afërmin e tij dhe asnjë të vëllain e tij, duke thënë: Njih Zotin; sepse të gjithë do të më njohin, që prej të voglit të tyre e deri në më të madhin e tyre.
12 Sepse do të jem i mëshirshëm në paudhësitë e tyre, edhe nuk do të kujtoj më mëkatet e tyre dhe paligjësitë e tyre”.
13 Duke thënë “një dhiatë e re” e vjetëroi të parën; edhe ajo që vjetërohet e plaket është afër prishjes.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-9-

Flijimi i Krishtit përbën dhiatën e re të Perëndisë

1 Kishte pra edhe dhiata e parë rregulla adhurimi dhe shenjtëroren tokësore.
2 Sepse u ndërtua tenda e parë, në të cilën ishte edhe kandileri, edhe tryeza, edhe paravënia e bukëve, tendë e cila quhet Shenjtërore.
3 Edhe pas kurtinës së dytë ishte tenda që quhet Shenjtërore e Shenjtëroreve,
4 e cila kishte një temianicë të artë, edhe arkën e dhiatës të mbuluar përreth nga të gjitha anët me ar, në të cilën ishte shtamba e artë që kishte mannën, edhe shkopi i Aronit që çeli sythe, edhe pllakat e dhiatës.
5 Edhe përsipër asaj ishin Kerubimet e lavdisë që i bënin hije shlyesit; për të cilat nuk është tani nevoja të flasim hollësisht.
6 Edhe duke qenë këto të ndërtuara kështu, në tendën e parë gjithnjë hyjnë priftërinjtë që bëjnë lutjet.
7 Po në të dytën një herë në vit hyn vetëm kryeprifti, jo pa gjak, të cilin e blaton theror për veten e tij dhe për fajet e popullit, që i bëjnë nga padija.
8 Edhe këtë e tregonte Fryma e Shenjtë, se ende nuk ishte shfaqur rruga për në Shenjtëroren e Shenjtëroreve, deri sa ende po qëndronte tenda e parë,
9 e cila ishte simbol për kohën e tanishme, sipas të cilit dhuratat e therorët e ofruar nuk mund ta bënin të përsosur nga ndërgjegja atë që lutej,
10 sepse ishin caktuar vetëm me ushqime, pije dhe për larje të ndryshme, e për rregulla mishi, deri në kohën e ndreqjes.
11 Por si erdhi Krishti, kryeprifti i të mirave të ardhshme me anë të tendës më të madhe e më të përsosur, që s’është bërë me dorë, domethënë, që s’është prej këtij krijimi.
12 As me anë gjaku cjepësh e viçash, po me anë të gjakut të tij hyri një herë e përgjithmonë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve, edhe fitoi shpërblim të përjetshëm.
13 Sepse në qoftë se gjaku i demave e i cjepëve, edhe hiri i mëshqerrës që spërkat të ndoturit, shenjtëron për pastrimin e mishit,
14 sa më tepër gjaku i Krishtit, i cili me anë të Frymës së përjetshme i blatoi veten e tij pa njollë Perëndisë, do të pastrojë ndërgjegjen tuaj nga punë të vdekura, që t’i shërbeni Perëndisë së gjallë?
15 Edhe prandaj ai është ndërmjetësi i një dhiate të re, që, me anë të vdekjes që u bë për shpërblimin e shkeljeve në kohën e dhiatës së parë, të marrin ata që janë thirrur premtimin e trashëgimit të përjetshëm.
16 Sepse atje ku ka dhiatë është e nevojshme të ketë vdekje të atij që bëri dhiatën.
17 Sepse dhiata ka fuqi mbasi ata kanë vdekur; sepse kurrë s’ka fuqi deri sa rron ai që bëri dhiatën.
18 Prandaj as e para nuk qe vërtetuar pa gjak;
19 sepse pasi iu tha prej Moisiut gjithë popullit çdo porosi sipas ligjit, ai mori gjakun e viçave e të cjepëve, bashkë me ujë e me lesh të kuq e me hisop, edhe spërkati edhe vetë librin e gjithë popullin,
20 duke thënë: “Ky është gjaku i dhiatës që urdhëroi Perëndia për ju”.
21 Edhe gjithashtu spërkati me gjak edhe tendën dhe gjithë enët e shërbesës.
22 Edhe sipas ligjit pothuajse të gjitha gjërat pastrohen me gjak, edhe pa derdhur gjak nuk ka ndjesë.

Flijimi i Krishtit është më i madhi dhe unik

23 Ishte e nevojshme pra që format e qielloreve të pastrohen me këto, po qielloret me therorë më të mirë se këto.
24 Sepse Krishti nuk hyri në shenjtërore të bëra me dorë, që janë kopje të të vërtetave, po në qiell vetë, që të paraqitet tani përpara Perëndisë për ne;
25 as të ofrojë veten e tij shumë herë, siç hyn kryeprifti në shenjtërore vit për vit me gjak jo të vetin;
26 sepse atëherë duhej shumë herë të pësonte qëkurse u fillua bota; – por tani një herë në fund të jetëve ai u shfaq, që të prishë mëkatin me anë të flijimit të vetes së tij.
27 Edhe siç është urdhëruar për njerëzit një herë të vdesin, edhe pastaj është gjyqi,
28 kështu edhe Krishti, pasi një herë u pru theror që të ngrerë mëkatet e shumë vetave, do të duket për së dyti pa mëkat tek ata që e presin atë për shpëtim.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-10-

Flijimi i Krishtit anulloi flijimet judaike

1 Sepse ligji, duke pasur një hije të të mirave të ardhshme e jo vetë figurën e gjërave, s’mundet kurrë me anë të po atyre therorëve, që sjellin përherë vit për vit, të bëjë të përsosur ata që afrohen.
2 Sepse atëherë do të kishin pushuar së pruri therorë, sepse adhuruesit, si të pastroheshin një herë, nuk do të kishin më asnjë ndërgjegje mëkatesh.
3 Po në ato therorë ka një kujtesë mëkatesh vit për vit.
4 Sepse është e pamundur që gjak demash e cjepësh të heqë mëkate.
5 Prandaj, ai duke hyrë në botë, thotë: “Theror e dhuratë nuk deshe, po bëre gati për mua një trup.
6 Therorë me djegie të plotë dhe flijime për mëkat nuk pëlqeve.
7 Atëherë thashë: Ja tek po vij, – në rrotullin e librit është shkruar për mua, – për të bërë, o Perëndi, dëshirën tënde”.
8 Pasi tha më sipër: “Se theror dhe dhuratë, edhe therore me djegie të plotë dhe flijime për mëkat nuk deshe, as nuk i pëlqeve”, – të cilat sillen sipas ligjit,
9 atëherë tha: “Ja tek po vij, për të bërë, o Perëndi, dëshirën tënde”. Hedh tej të parën, që të mbështesë të dytën.
10 Prej kësaj dëshire jemi shenjtëruar me anë të flijimit të trupit të Jisu Krishtit që u bë theror një herë për të gjithë.
11 Edhe çdo prift rri përditë duke shërbyer, edhe ofron shumë herë po ata therorë, të cilët kurrë nuk mund të heqin mëkate.
12 Po ai, pasi ofroi një theror për mëkate, ndenji përgjithnjë në të djathtë të Perëndisë,
13 duke pritur pastaj deri sa të vihen armiqtë e tij nënkëmbje e këmbëve të tij,
14 sepse me një dhuratë bëri të përsosur përgjithnjë ata që shenjtërohen.
15 Po edhe Fryma e Shenjtë dëshmon tek ne; sepse pasi pati thënë më përpara:
16 “Kjo është dhiata që do të bëj për ata pas atyre ditëve, thotë Zoti, do të vë ligjet e mia në zemrat e tyre, edhe do t’i shkruaj ato në mendjet e tyre”.
17 Shtoi: “edhe mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre nuk do t’i kujtoj më”.
18 Edhe kur ka ndjesë të këtyre, nuk ka më dhuratë për mëkat.

Nxitje dhe paralajmërime

19 Duke pasur pra, vëllezër, guxim të hyjmë në shenjtërore me anë të gjakut të Jisuit,
20 me anë të një udhe të re e të gjallë, të cilën e hapi për ne me anë të kurtinës, domethënë, të mishit të tij,
21 edhe duke pasur një prift të madh mbi shtëpinë e Perëndisë,
22 le të afrohemi me zemër të vërtetë e me besim të plotë, duke pasur zemrat tona të pastruara prej ndërgjegjeje të ligë;
23 edhe, duke pasur trupin të larë me ujë të kulluar, le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës; sepse ai që premtoi është besnik.
24 Edhe le të kujdesemi për njëri tjetrin, duke e nxitur në dashuri e në punë të mira.
25 Edhe le të mos lëmë mbledhjen tonë të përbashkët, siç e kanë zakon disa, po të nxisim njëri-tjetrin; edhe aq më tepër sa e shihni ditën që po afrohet.
26 Sepse në mëkatofshim ne me dashje, pasi morëm njohjen e së vërtetës, nuk mbetet më theror për mëkate,
27 por një pritje gjyqi të frikshëm, edhe një afsh zjarri, i cili ka për të përpirë ata që janë kundër.
28 Në shkeltë ndonjë ligjin e Moisiut, vritet pa mëshirë përpara dy a tre dëshmitarëve.
29 Sa mundim më të keq ju duket juve se do të heqë ai që ka shkelur me këmbë të Birin e Perëndisë, edhe e ka numëruar si të ndyrë gjakun e dhiatës, me të cilin u shenjtërua, edhe ka fyer Frymën e hirit?
30 Sepse e dimë atë që ka thënë: “Shpagimi është imi, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti.” Edhe përsëri: “Zoti do të gjykojë popullin e tij”.
31 Gjë e frikshme është të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë.
32 Sillni ndërmend ditët e para, në të cilat, pasi u ndriçuat, duruat luftë të madhe mundimesh;
33 herë duke u bërë lojë nga bota me të shara e me shtrëngime; herë duke u bërë pjesëtarë të atyre që pësojnë të tilla.
34 Sepse treguat dhimbje për mua në vargonjtët e mi, edhe e pritët me gëzim rrëmbimin e kamjes suaj, duke ditur se keni për veten tuaj në qiejt një pasje më të mirë e të qëndrueshme.
35 Mos e humbni pra guximin tuaj që do të ketë shpërblim të madh.
36 Sepse ju keni nevojë për durim, që të bëni vullnetin e Perëndisë dhe të merrni premtimin.
37 “Sepse edhe fort pak kohë, edhe do të vijë ai që vjen, edhe nuk do të vonojë”.
38 “Edhe i drejti do të rrojë prej besimit”; edhe “në u tërheqtë ndonjë prapa, shpirti im nuk do ta pëlqejë atë”.
39 Po ne nuk jemi nga ata që tërhiqen prapa për humbje, por nga ata që besojnë për shpëtimin e shpirtit.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-11-

Heronjtë e besimit

1 Edhe besimi është të qenurit e gjërave që shpresohen, dëftimi i punëve që nuk shihen.
2 Sepse me anë të këtij morën dëshmi të mirë të moçmit.
3 Me anë të besimit kuptojmë se jetët u ndërtuan me fjalën e Perëndisë, aq sa ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që duken.
4 Me anë të besimit Abeli i ofroi Perëndisë therore më të mirë se Kaini, me anë të së cilës mori dëshmi se është i drejtë, sepse Perëndia dëshmoi për dhuratat e tij; edhe me anë të saj, ndonëse vdiq, ende flet.
5 Me anë të besimit Enoku u zhvendos, që të mos shohë vdekje, “edhe nuk gjendej, sepse Perëndia e zhvendosi”; sepse më parë se të zhvendosej kishte dëshmi se i kishte pëlqyer Perëndisë.
6 Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqejë njeriu atij; sepse ai që afrohet tek Perëndia duhet të besojë, se është edhe se bëhet shpërblyes për ata që e kërkojnë atë.
7 Me anë të besimit iu tregua Noes nga Perëndia për ato që ende nuk shiheshin, edhe si pati frikë Perëndie, ndërtoi një arkë për shpëtim të shtëpisë së tij; me anë të së cilës dënoi botën, edhe u bë trashëgimtar i drejtësisë që është me anë të besimit.
8 Me anë të besimit u bind Abrahami, kur u thirr të dalë në vendin që do të merrte për trashëgim, edhe doli pa ditur se ku shkon.
9 Me anë të besimit shkoi e banoi në tokën e premtuar si në tokë të huaj, edhe banoi në tenda, bashkë me Isakun e me Jakovin bashkëtrashëgimtarët e po atij premtimi;
10 sepse priste qytetin që kishte themele, mjeshtër edhe krijues i të cilit është Perëndia.
11 Me anë të besimit edhe ajo, Sara, mori fuqi të bëhet me barrë, dhe, ndonëse i kishte shkuar koha e moshës, lindi, sepse e quajti të besës atë që i premtoi.
12 Prandaj edhe prej një njeriu, edhe ky gati për të vdekur, lindën me shumicë njerëz si yjet e qiellit, edhe si rëra e panumërueshme buzë detit.
13 Këta të gjithë vdiqën me besim, pa marrë premtimet, po për së largu i panë dhe i përshëndetën ato, edhe rrëfyen se janë të huaj e të ardhur mbi dhe.
14 Sepse ata që flasin të këtilla, tregojnë se kërkojnë atdhe.
15 Edhe po ta mbanin mend atë atdhe, prej të cilit patën dalë, do të gjenin kohë të ktheheshin atje.
16 Po tani dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë qiellor; prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndi i tyre; sepse bëri gati për ata një qytet.
17 Me anë të besimit Abrahami, kur provohej, pruri Isakun për theror; dhe ai që pati pritur premtimet pruri për theror birin e tij të vetëmlindur,
18 për të cilin qe folur: “Se në Isakun do të quhet fara jote”;
19 duke menduar se Perëndia mund të ngjallë edhe prej së vdekurish, prej të cilëve edhe e mori atë prapë simbolikisht.
20 Me anë të besimit Isaku bekoi Jakovin dhe Esaun për punët që do të vinin.
21 Me anë të besimit Jakovi duke vdekur bekoi secilin prej bijve të Josifit, “edhe u fal duke u mbështetur mbi majën e shkopit të tij”.
22 Me anë të besimit Josifi duke vdekur përmendi për daljen e bijve të Izraelit nga Egjipti, edhe porositi për eshtrat e tij.
23 Me anë të besimit Moisiu, si lindi, u fsheh tre muaj prej prindërve të tij, sepse panë se djali ishte i bukur; edhe nuk u trembën nga urdhri i mbretit.
24 Me anë të besimit Moisiu, si u bë i madh, mohoi të quhej i biri i së bijës së Faraonit;
25 sepse zgjodhi më tepër të heqë keq bashkë me popullin e Perëndisë, se të ketë kënaqësi mëkati për pak kohë;
26 duke numëruar poshtërimin e Krishtit për pasuri më të madhe se thesarët në Egjipt; sepse shikonte në shpërblimin.
27 Me anë të besimit la Egjiptin pa pasur frikë për zemërimin e mbretit; sepse qëndroi si duke parë atë që është i padukshëm.
28 Me anë të besimit bëri pashkën dhe spërkatjen e gjakut, që të mos i prekte ata ai që vriste të parëlindurit.
29 Me anë të besimit shkuan nëpër Detin e Kuq si nëpër tokë, veprim të cilin kur e provuan Egjiptianët, u mbytën.
30 Me anë të besimit ranë muret e Jerikosë, si u qerthëlluan shtatë ditë.
31 Me anë të besimit lavira Rahab nuk humbi bashkë me ata që s’bindeshin, pasi priti zbuluesit me paqe.
32 Edhe ç’të them më? Sepse nuk do të më arrijë koha të tregoj për Gedeonin, për Barakun e Samsonin, edhe Jeftaenë, për Davidin e Samuilin dhe profetët,
33 të cilët me anë të besimit mundën mbretëri, punuan drejtësi, fituan premtime, mbyllën gojë luanësh,
34 shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i thikës, morën fuqi nga dobësitë, u bënë të fortë në luftë, thyen ushtritë e të huajve.
35 Gra morën të vdekurit e tyre të ngjallur; edhe të tjerë u munduan, sepse nuk pranuan shpëtimin, që të fitonin një ngjallje më të mirë.
36 Edhe të tjerë u provuan me të përqeshura e me të rrahura, po edhe me të lidhura e me burgime.
37 U vranë me gurë, u sharruan më dysh, u nganë, vdiqën të vrarë prej shpate; endeshin lart e poshtë veshur me lëkurë dhensh, e me lëkurë dhish, në nevojë, në shtrëngime, në keqtrajtime,
38 ata për të cilët bota nuk ishte e denjë; – duke u endur nëpër shkretëtira e nëpër male e nëpër shpella e nëpër vrimat e dheut.
39 Edhe këta të gjithë, ndonëse morën dëshmi të mirë me anë të besimit, nuk morën premtimin,
40 sepse Perëndia pati urdhëruar që përpara një gjë më të mirë për ne, që të mos bëhen të përsosur pa ne.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-12-

Zoti na edukon

1 Prandaj dhe ne, të rrethuar prej një reje kaq të madhe dëshmitarësh, le të hedhim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pushton lehtë, edhe me durim le të vrapojmë në rrugën që është përpara nesh,
2 duke shikuar tek Jisui që është kryet dhe fundi i besimit, i cili për gëzimin që ishte përpara tij duroi kryqin, duke përbuzur turpin, edhe ndenji në të djathtë të fronit të Perëndisë.
3 Sepse kujtoni atë që duroi prej mëkatarëve një kundërshtim të tillë mbi veten e tij, që të mos lodheni duke u ligështuar në shpirtrat tuaj.
4 Ju ende s’keni rezistuar deri në gjak, duke luftuar kundër mëkatit.
5 Edhe keni harruar këshillën, që posi bijve u flet juve: “Biri im, mos e shpërfill ndëshkimin e Zotit; mos e humb zemrën, kur qortohesh prej atij.
6 Sepse atë që do Zoti e ndëshkon, edhe rreh çdo bir që pret pranë vetes”.
7 Në durofshi ndëshkimin, Perëndia sillet me ju si me bij; sepse cili është ai bir që s’e ndëshkon i ati?
8 Po të jeni pa ndëshkim, në të cilin u bënë pjesëtarë të gjithë, atëherë jeni fëmijë të paligjshëm dhe jo bij.
9 Për më tepër ne kemi patur etërit tanë sipas mishit që na ndëshkonin edhe ne i nderonim ata; a nuk do t’i ulim kryet shumë më tepër Atit të shpirtrave, edhe të rrojmë?
10 Sepse ata na ndëshkonin për pak ditë, siç e mendonin ata; ndërsa ai për të mirën tonë, që të bëhemi pjesëtarë të shenjtërisë së tij.
11 Edhe çdo ndëshkim tani nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por pastaj u jep fryte paqeje prej drejtësie atyre që janë stërvitur me anë të atij.
12 “Prandaj forconi duart e dobësuara dhe gjunjët e këputur”,
13 Edhe “bëjuni këmbëve tuaja udhë të drejta”, që të mos dalë jashtë udhës ajo që është e çalë, por më tepër të shërohet.

Nxitje dhe sugjerime

14 Kërkoni paqe me të gjithë, edhe shenjtërimin, pa të cilin asnjë nuk ka për të parë Zotin;
15 duke vënë re se mos mbetet ndonjë mangët nga hiri i Perëndisë; “se mos mbijë ndonjë rrënjë e hidhur, e ju turbullon”, edhe me anë të saj ndyhen shumë veta;
16 Se mos ndodhet ndonjë i përdalë e përdhosës si Esau, që shiti të drejtat e parëlindjes së tij për një pjatë gjellë.
17 Sepse e dini, se edhe pastaj, kur deshi të trashëgojë bekimin, u hodh tej; sepse nuk gjeti vend për pendim, ndonëse e kërkoi me lot.

Epërsia e pakrahasueshme e Jerusalemit qiellor

18 Sepse nuk jeni afruar në mal që preket me dorë, e që digjet me zjarr, edhe në vranësirë, e në errësirë, e në shtrëngatë,
19 e në zë trumbete, e në zë fjalësh, të cilin ata që e dëgjuan u lutën të mos u flitej më fjala atyre;
20 sepse nuk mundeshin të duronin urdhrin, që “Edhe shtazë në e prektë malin, do të vritet me gurë ose do goditet me shigjetë”.
21 Edhe kaq e frikshme ishte pamja, sa Moisiu tha: Jam fort i frikësuar dhe i tmerruar. –
22 Por ju u afruat në malin Sion, edhe në qytetin e Perëndisë së gjallë, në Jerusalemin qiellor, edhe në mijëra engjëj,
23 në mbledhjen festive e në kishën e të parëlindurve, të cilët janë shkruar në qiejt, edhe tek Perëndia, gjykatësi i të gjithëve, edhe tek shpirtrat e të drejtëve që janë bërë të përsosur,
24 edhe te ndërmjetësi i dhiatës së re Jisu, edhe në gjakun e spërkatjes, që flet më mirë se ai i Abelit.
25 Shikoni se mos e hidhni poshtë atë që flet; sepse nëse nuk shpëtuan ata që e hodhën poshë atë që u fliste atyre mbi dhe, shumë më tepër nuk do të shpëtojmë ne, në i kthefshim krahët atij që flet prej qiejve;
26 zëri i të cilit atëherë tundi dhenë; po tani premtoi, duke thënë: “Unë edhe një herë do të tund jo vetëm dhenë, po edhe qiellin”.
27 Edhe kjo fjalë “Edhe një herë” tregon vendndërrimin e atyre që tunden, si të bëra me dorë, që të mbeten ato që nuk tunden.
28 Prandaj pasi marrim një mbretëri të patundur, le të mbajmë hirin, me anë të të cilit ne mund ti shërbejmë Perëndisë në mënyrë të pëlqyeshme, me nderim e shprestari.
29 Sepse “Perëndia ynë është zjarr që të përpin”.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-13-

Porosi morale

1 Dashuria vëllazërore le të mbesë.
2 Mos harroni mikpritjen, sepse me anë të kësaj disa pa e ditur pritën engjëj.
3 Kujtoni të burgosurit, si të burgosur bashkë me ata; ata që heqin keq, si të jeni edhe vetë në trupin e tyre.
4 Martesa le të jetë e ndershme për të gjithë, edhe shtrati i panjollosur, sepse të përdalët edhe kurorëshkelësit do t’i gjykojë Perëndia.
5 Sjelljet tuaja le të jenë pa lakmi argjendi; le t’u jenë mjaft ato që keni tani; sepse ai ka thënë: “Nuk kam për të të lënë, as nuk kam për të hequr dorë prej teje”.
6 Prandaj ne me guxim le të themi: “Zoti është ndihmësi im, edhe nuk do të kem frikë; ç’do të më bëjë njeriu?”.
7 Kujtoni ata që ju drejtojnë, të cilët ju folën juve fjalën e Perëndisë; besimin e tyre ta keni për shembull, duke pasur përpara syve frytin e sjelljeve të tyre.
8 Krishti është po ai dje dhe sot dhe në jetë të jetëve.
9 Mos u rrëmbeni prej mësimesh të ndryshme e të huaja; sepse është mirë të forcohet zemra juaj me hir, jo me të ngrëna, ndër të cilat ata që ecën nuk panë dobi.
10 Kemi një therore, prej së cilës ata që shërbejnë në tendë s’kanë pushtet të hanë.
11 Sepse trupat e atyre kafshëve, gjaku i të cilave sillet brenda në shenjtërore prej kryepriftit për mëkat, digjen jashtë vendfushimit.
12 Prandaj edhe Jisui, që të shenjtërojë popullin me anë të gjakut të tij, pësoi jashtë portës.
13 Le të dalim pra tek ai jashtë vendfushimit, duke mbajtur poshtërimin e tij.
14 Sepse nuk kemi këtu qytet që mbetet përherë, po kërkojmë atë që ka për të ardhur.
15 Me anë të atij pra le të sjellim gjithnjë tek Perëndia theror lavdie, domethënë fryt buzësh që rrëfejnë emrin e tij.
16 Edhe mos harroni të bëni mirë e të ndani gjithçka me të tjerët, sepse therore të tilla pëlqen Perëndia.
17 Bindjuni të parëve tuaj, edhe dëgjoini; sepse ata rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj, sepse ata do të japin llogari; që ta bëjnë këtë me gëzim, e jo duke psherëtirë; sepse kjo nuk ju bën dobi juve.
18 Lutuni për ne, sepse jemi të bindur që kemi ndërgjegje të mirë, duke dashur të sillemi mirë në gjithçka.
19 Por më tepër ju lutem ta bëni këtë, që të kthehem tek ju më shpejt.

Bekim dhe përshëndetje

20 Edhe Perëndia i paqes, i cili ngriti prej së vdekurish bariun e madh të dhenve me anë të gjakut të dhiatës së përjetshme, Zotin tonë Jisu Krisht,
21 ju bëftë të përsosur në çdo punë të mirë, që të bëni vullnetin e tij, duke punuar ndër ju atë që është e pëlqyeshme përpara tij, me anë të Jisu Krishtit; të cilit i qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.
22 Edhe ju lutem juve, o vëllezër, duroni fjalën e këshillës; sepse me pak fjalë ju shkrova juve.
23 E dini se vëllai Timothe u lëshua nga burgu, me të cilin, në ardhtë më shpejt, do t’ju shoh juve.
24 Përshëndetni gjithë të parët tuaj dhe të gjithë shenjtorët. Ju përshëndesin ata që janë nga Italia.
25 Hiri qoftë me ju të gjithë. Amin.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

Letra e Apostull Pavlit drejtuar Hebrenjve

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme