Letra e Parë e Apostull Pavlit
drejtuar Korinthianëve

-1-

Kreu 1

Përshëndetje dhe falënderim
1 Pavli, i thirrur apostull i Jisu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, edhe vëllai ynë Sosten,
2 kishës së Perëndisë që është në Korinth, të shenjtëruarve në Jisu Krishtin, të thirrurve shenjtorë, bashkë me gjithë ata që thërresin në çdo vend në emrin e Zotit tonë Jisu Krisht, i tyre dhe yni;
3 hir mbi ju dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, edhe Zotit Jisu Krisht.
4 Falënderoj përherë Perëndinë tim për ju, për hirin e Perëndisë që ju dha me anë të Jisu Krishtit;
5 se me anë të tij u bëtë të pasur në të gjitha, në çdo fjalë e në çdo dituri,
6 siç u vërtetua ndër ju dëshmia e Krishtit;
7 që ju të mos mbeteni prapa në asnjë dhunti, duke pritur zbulesën e Zotit tonë Jisu Krisht,
8 i cili edhe do t’ju mbështesë deri në fund që të dilni të paqortueshëm në ditën e Zotit tonë Jisu Krisht.
9 Besnik është Perëndia, prej të cilit u thirrët në shoqërinë e Birit të tij Jisu Krisht, Zotit tonë.

Përçarje brenda në Kishë
10 Edhe ju lutem juve, o vëllezër, në emrin e Zotit tonë Jisu Krisht, që të thoni të gjithë të njëjtën gjë, edhe të mos ketë përçarje ndërmjet jush, por të jeni të bashkuar ngushtë në të njëjtën mendje e në të njëjtin mendim.
11 Sepse më treguan për ju, o vëllezër, njerëzit e Kloes, se ka grindje ndërmjet jush.
12 Edhe këtë e them se secili prej jush thotë: Unë jam i Pavlit, edhe: Unë i Apolloit, edhe: Unë i Kefait, edhe: Unë i Krishtit.
13 Ndarë qenka Krishti? Mos Pavli u kryqëzua për ju? Apo në emrin e Pavlit u pagëzuat?
14 Falënderoj Perëndinë, se asnjë prej jush s’kam pagëzuar, veç Krispit dhe Gait;
15 që të mos thotë ndonjë prej jush, se në emrin tim e pagëzova.
16 Pagëzova edhe shtëpinë e Stefanait; veç këtyre nuk di nëse pagëzova ndonjë tjetër.
17 Sepse Krishti nuk më dërgoi që të pagëzoj, po që të ungjillëzoj, jo me dituri fjale, që të mos dalë i kotë kryqi i Krishtit.

Urtësia e Perëndisë si marrëzi
18 Sepse fjala e kryqit për ata që humbasin është marrëzi, po për ne që shpëtojmë është fuqi Perëndie.
19 Sepse është shkruar: “Do të humbas diturinë e të diturve, edhe do të hedh tej mençurinë e të mençurve”.
20 Ku është i dituri? Ku është shkruesi? Ku është kërkimtari i kësaj jete? A nuk marrosi Perëndia diturinë e kësaj jete?
21 Sepse pasi në diturinë e Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me anë të diturisë, i pëlqeu Perëndisë me marrëzinë e predikimit të shpëtojë ata që besojnë.
22 Sepse edhe Judenjtë kërkojnë shenjë, edhe Grekët kërkojnë dituri.
23 Po ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, i cili për Judenjtë është skandal, edhe për Grekët marrëzi.
24 Po për ata që janë thirrur, Judenj e Grekë, Krishti është fuqi Perëndie dhe dituri Perëndie.
25 Sepse marrëzia e Perëndisë është më e ditur se dituria e njerëzve; edhe dobësia e Perëndisë është më e fortë se fuqia e njerëzve.
26 Sepse, o vëllezër, shikoni thirrjen tuaj, se sipas mishit nuk ka ndërmjet jush shumë të ditur, as shumë të fuqishëm, as shumë fisnikë.
27 Po Perëndia zgjodhi marrëzitë e botës, që të turpërojë të diturit; edhe Perëndia zgjodhi dobësitë e botës, që të turpërojë të fortët;
28 edhe Perëndia zgjodhi të ulëtat e botës dhe të përbuzurat, edhe ato që nuk janë, që të prishë ato që janë;
29 që të mos mburret çdo trup përpara atij.
30 Edhe ju jeni prej atij në Jisu Krishtin, i cili u bë për ne dituri prej Perëndie, drejtësi dhe shenjtërim, dhe shpërblim,
31 që, siç është shkruar: “Ai që mburret, në Zotin le të mburret”.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-2-

1 Edhe unë, o vëllezër, kur erdha tek ju, nuk erdha me lartësi fjale a diturie, që t’ju tregoj juve dëshminë e Perëndisë.
2 Sepse e pashë të udhës të mos di tjetër gjë ndër ju, veç Jisu Krishtin, edhe këtë të kryqëzuar.
3 Edhe unë erdha te ju me dobësi e me frikë e me shumë tmerr.
4 Edhe fjala ime dhe predikimi im nuk u bënë me fjalë diturie njeriu që mbushin mendjen, po me dëftim Fryme e fuqie,
5 që të mos jetë besimi juaj me anë të diturisë së njerëzve, po me anë të fuqisë së Perëndisë.

Zbulesa e urtësisë së Perëndisë me anë të Frymës
6 Edhe u flasim dituri atyre që janë të përsosur, po jo dituri të kësaj jete, as të prijësve të kësaj jete që po asgjësohen;
7 po flasim dituri Perëndie në fshehtësi, atë të fshehurën që urdhëroi Perëndia që para jetëve për lavdinë tonë,
8 të cilën asnjë nga prijësit e kësaj bote nuk e njohu; sepse po ta kishin njohur, nuk do të kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë.
9 Por siç është shkruar: “Ato që sy s’i pa, e vesh s’i dëgjoi, e në zemër njeriu nuk u ngritën, këto Perëndia i bëri gati për ata që e duan atë”.
10 Po Perëndia na i zbuloi me anë të Frymës së tij; sepse Fryma i vëzhgon të gjitha, edhe thellësitë e Perëndisë.
11 Sepse cili prej njerëzve i njeh punët e njeriut, përveçse fryma e njeriut që është në të? Kështu edhe punët e Perëndisë asnjë s’i njeh, përveçse Fryma e Perëndisë.
12 Edhe ne s’kemi marrë frymën e botës, po Frymën që është nga Perëndia, që të njohim ato që na janë dhuruar nga Perëndia.
13 Për këto edhe flasim, jo me fjalë të mësuara prej diturisë njerëzore, po të mësuara prej Frymës së Shenjtë, duke krahasuar shpirtërorët me punë shpirtërore.
14 Po njeriu gjallësor nuk i pranon punët e Frymës së Perëndisë; sepse janë marrëzi për të, edhe nuk mund t’i njohë ato; sepse ato gjykohen shpirtërisht.
15 Po njeriu shpirtëror i gjykon të gjitha dhe vetë nuk gjykohet prej askujt.
16 Sepse cili e njohu mendjen e Zotit, që ta mësojë atë? Po ne kemi mendje Krishti.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-3-

Urtësia e vërtetë është në harmoni me njerëzit shpirtërorë
1 Edhe unë, o vëllezër, nuk munda t’ju flas si njerëzve shpirtërorë, por si njerëzve mishorë, si foshnjave në Krishtin.
2 Me qumësht ju ushqeva ju, e jo me ushqim të fortë, sepse ende nuk mundeshit, po as edhe tani nuk mundeni,
3 sepse jeni ende mishorë; sepse derisa ka ndër ju smirë dhe grindje e përçarje, a nuk jeni mishorë dhe ecni sipas njeriut?
4 Sepse kur thotë njëri: Unë jam i Pavlit; edhe tjetri: Unë jam i Apolloit, a nuk jeni mishorë?

Aposujt dhe vepra e tyre brenda Kishës
5 Cili pra është Pavli, e cili Apolloi, përveçse shërbëtorë, me anë të të cilëve besuat, edhe secili, siç ia dha Zoti?
6 Unë mbolla, Apolloi ujiti, po Perëndia rriti.
7 Kështu pra, as ai që mbjell nuk është gjë, as ai që ujit, po Perëndia që rrit.
8 Edhe ai që mbjell, edhe ai që ujit janë një; edhe gjithsecili do të marrë pagën e tij sipas mundit të tij.
9 Sepse ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë; ju jeni ara e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë.
10 Unë sipas hirit të Perëndisë që m’u dha, si kryemjeshtër i ditur hodha themel; e një tjetër ndërton mbi të; po gjithsecili le të shikojë si ndërton mbi të.
11 Sepse askush nuk mund të vërë tjetër themel, përveç atij që është vënë, i cili është Jisu Krishti.
12 Edhe në ndërtoftë ndonjë mbi këtë themel me ar, argjend, gurë të çmueshëm, dru, bar, kallam,
13 puna e gjithsecilit do të shfaqet; sepse dita do ta tregojë; sepse me anë të zjarrit zbulohet; edhe zjarri do të provojë cila është puna e secilit.
14 Nëse mbetet puna e ndonjërit që ndërtoi, do të marrë pagë;
15 nëse digjet puna e ndonjërit, do t’i bëhet dëm, por ai vetë do të shpëtojë, porsi nëpërmjet zjarrit.
16 Nuk e dini se jeni tempull Perëndie, edhe Fryma e Shenjtë rri ndër ju?
17 Në prishtë ndonjëri tempullin e Perëndisë, këtë do ta prishë Perëndia; sepse tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë.
18 Askush le të mos gënjejë vetveten; nëse pandeh ndonjëri në mes tuaj se është i ditur në këtë botë, le të bëhet i marrë, që të bëhet i ditur.
19 Sepse dituria e kësaj bote është marrëzi përpara Perëndisë. Sepse është shkruar: “Ai që zë të diturit në dinakërinë e tyre”.
20 Edhe përsëri: “Zoti i njeh mendimet e të diturve se janë të kota”.
21 Prandaj askush le të mos mburret për njerëz; sepse të gjitha janë tuajat.
22 Qoftë Pavli, qoftë Apolloi, qoftë Qefai, qoftë bota, qoftë jeta, qoftë vdekja, qofshin këto që janë tani, ose ato që do të vijnë, të gjitha janë tuajat.
23 Edhe ju të Krishtit, edhe Krishti i Perëndisë.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-4-

Shembulli i Apostujve
1 Kështu le të na llogarisë çdo njeri, si shërbëtorë të Krishtit, edhe si kujdestarë të mistereve të Perëndisë.
2 Dhe tjetra që kërkohet nga kujdestarët është që të gjendet gjithsecili besnik.
3 Sa për mua është fort pak e rëndësishme të gjykohem prej jush apo prej gjyqi njerëzor; por as vetveten nuk e gjykoj.
4 Sepse ndërgjegjja ime nuk më qorton për asgjë; por as me këtë nuk drejtësohem; po Zoti është ai që më gjykon.
5 Prandaj mos gjykoni asgjë përpara kohës, derisa të vijë Zoti, i cili edhe do të ndriçojë të fshehtat e errësirës dhe do të shfaqë dëshirat e zemrave; edhe atëherë gjithsecilit lëvdimi do t’i bëhet nga Perëndia.
6 Edhe këto, o vëllezër, për të mirën tuaj, i shndërrova në shembull mbi veten time edhe mbi Apolloin, që të mësoni prej nesh të mos mendoni më tepër nga ç’është shkruar, që ndonjë prej jush të mos krekoset për njërin kundër tjetrit.
7 Sepse cili të shquan ty nga tjetri? Dhe ç’gjë ke ti që nuk e more? Edhe nëse e ke marrë, pse mburresh sikur nuk e ke marrë?
8 Tashmë jeni të ngopur, tashmë u pasuruat, pa ne mbretëruat; edhe makar të kishit mbretëruar, që edhe ne të mbretëronim bashkë me ju.
9 Sepse më duket se Perëndia ne apostujt na tregoi për më të fundit e njerëzve, si të dënuar me vdekje; sepse u bëmë lojë në botë, në engjëjt e në njerëzit.
10 Ne jemi të marrë për Krishtin, e ju të mençur në Krishtin; ne të dobët, e ju të fortë; ju të lavdëruar, e ne të përçmuar.
11 Deri në këtë orë edhe uri kemi, edhe etje kemi, edhe të zhveshur jemi, edhe me shuplaka rrihemi, edhe endemi andej e këtej,
12 edhe mundohemi duke punuar me duart tona; kur përqeshemi, bekojmë; kur ndiqemi, durojmë;
13 kur shahemi, lutemi; u bëmë si plehrat e botës, si fundërrinat e të gjithëve deri në këtë ditë.
14 Nuk i shkruaj këto për t’ju turpëruar ju, por ju këshilloj si bij të mi të dashur.
15 Sepse edhe sikur të keni dhjetë mijë mësues në Krishtin, përsëri nuk keni shumë etër; sepse unë ju linda në Krishtin Jisu me anë të ungjillit.
16 Ju lutem juve pra të bëni siç bëj unë.
17 Prandaj ju dërgova Timotheun, i cili është biri im i dashur dhe besnik në Zotin; ky do t’ju sjellë juve ndër mend udhët e mia që janë në Krishtin, siç mësoj kudo në çdo kishë.
18 Po disa u krekosën, sikur unë s’do të vija te ju.
19 Po shpejt do të vij tek ju, në dashtë Zoti, edhe do të njoh jo fjalën e atyre që mburren, por fuqinë.
20 Sepse mbretëria e Perëndisë nuk është në fjalë, po në fuqi.
21 Ç’doni? Me shkop të vij te ju, apo me dashuri e me shpirt butësie?

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-5-

Dënimi i kurvërisë nga Kisha
1 Gjithandej dëgjohet ndër ju kurvëri, edhe e tillë kurvëri që as ndër kombet nuk bëhet fjalë, aq sa një të ketë gruan e të atit.
2 Edhe ju u krekosët e nuk vutë kujën, që të dëbohet nga mesi juaj ai që bëri këtë punë?
3 Sepse unë, ndonëse s’jam aty me trupin, me shpirtin jam aty, dhe si i pranishëm kam gjykuar tashmë për atë që bëri një punë të tillë, që,
4 në emrin e Zotit tonë Jisu Krisht, pasi të mblidheni ju dhe shpirti im me fuqinë e Zotit tonë Jisu Krisht,
5 t’ia dorëzoni të këtillin Satanait për shkatërrimin e mishit, që t’i shpëtojë shpirti në ditën e Zotit Jisu.
6 Nuk është e mirë mburrja juaj; a nuk e dini se pak brumë mbrun gjithë mbrujtjen?
7 Pastrohuni pra nga brumi i vjetër, që të jeni brumë i ri, siç jeni pa brumë; sepse pashka jonë, që është Krishti, u bë theror për ne.
8 Prandaj le të kremtojmë jo me brumë të vjetër, as me brumë keqësie e ligësie, por me bukë të pambrumëta çiltërsie e të vërtete.
9 Ju shkrova në letër, të mos përziheni me të përdalë,
10 edhe jo me gjithë të përdalët e kësaj bote, a me lakmitarët, a me grabitësit, a me idhujtarët, sepse atëherë duhet të dilni jashtë nga bota.
11 Po tani ju shkrova të mos përziheni me ndonjë që quhet vëlla, në qoftë se është i përdalë, a lakmitar, a idhujtar, a përqeshës, a pijanec, a rrëmbyes; me të këtillin as të mos hani bashkë.
12 Sepse ç’më duhet të gjykoj edhe të jashtmit? A nuk gjykoni ju të brendshmit?
13 Po të jashtmit Perëndia do t’i gjykojë; prandaj nxirreni të ligun jashtë nga mesi juaj.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-6-

Mbrojtja në gjyqet pagane
1 Guxon ndonjë prej jush, kur ka gjë kundër tjetrit, të gjykohet para të padrejtëve e jo para shenjtorëve?
2 A nuk e dini se shenjtorët do të gjykojnë botën? Dhe nëse bota do të gjykohet prej jush, a nuk jeni të zotët të gjykoni vogëlsira?
3 A nuk e dini se do të gjykojmë engjëj? Sa më tepër punë të kësaj jete?
4 Nëse keni pra punë të kësaj jete për të gjykuar, ata që janë më të papërfillurit në kishë, këta vini gjykatës?
5 Për turpin tuaj them. Kështu nuk qenka ndërmjet jush ndonjë i urtë, i cili të mund të gjykojë në mes të vëllait të tij?
6 Po gjykohet vëlla me vëlla, edhe kjo përpara të pabesëve?
7 Tashmë, pra, të keni gjyqe njëri me tjetrin është dështim i madh për ju. Përse nuk është më mirë t’ju bëhet juve padrejtësi? Përse nuk është më mirë t’ju bëhet dëm juve?
8 Po vetë ju bëni padrejtësi e bëni dëm, dhe këto vëllezërve tuaj.
9 Apo nuk e dini se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni; as të përdalë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as të zhburrëruar, as ata që venë pas meshkujve,
10 as vjedhës, as lakmitarë, as pijanecë, as përqeshës, as rrëmbyes, nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.
11 Edhe të tillë ishit disa prej jush; por u latë, por u shenjtëruat, por u drejtësuat, me anë të emrit të Jisu Krishtit dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë.

Perëndia lavdërohet me shpirtin dhe me trupin tonë
12 Të gjitha më lejohen, por jo të gjitha sjellin dobi; të gjitha më lejohen, por unë nuk sundohem prej ndonjë gjëje.
13 Gjellët janë për barkun dhe barku për gjellët; por Perëndia edhe këtë, edhe ato do t’i prishë. Po trupi nuk është për kurvërinë, por për Zotin, edhe Zoti për trupin.
14 Dhe Perëndia edhe Zotin e ngjalli, edhe ne do të na ngjallë me anë të fuqisë së tij.
15 A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? Të marr pra unë gjymtyrët e Krishtit, e t’i bëj ato gjymtyrë lavireje? Qoftë larg!
16 A nuk e dini se ai që bashkohet me laviren është një trup me të? Sepse “do të jenë, thotë, të dy në një mish”.
17 Po ai që bashkohet me Zotin, është një shpirt me atë.
18 Largoni kurvërinë. Çdo mëkat që bën njeriu, është jashtë trupit; po ai që kurvëron, mëkaton në trupin e vet.
19 Apo nuk e dini se trupi juaj është tempull i Frymës së Shenjtë që rri në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe nuk jeni të vetvetes?
20 Sepse u bletë me çmim; lavdëroni pra Perëndinë me trupin tuaj, edhe me shpirtin tuaj, që janë të Perëndisë.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-7-

Martesa dhe abstenimi prej saj
1 Edhe për ato që më shkruat, mirë është për njeriun të mos prekë grua.
2 Po për shkak të kurvërive le të ketë secili gruan e tij, edhe secila le të ketë burrin e saj.
3 Burri le t’i japë gruas dashurinë që i detyrohet; gjithashtu edhe gruaja burrit.
4 Gruaja s’e urdhëron trupin e saj, po burri; gjithashtu edhe burri nuk e urdhëron trupin e tij, po gruaja.
5 Mos i mungoni njëri-tjetrit, përveçse me marrëveshje të përkohshme, që të jepeni pas agjërimit e pas lutjes, edhe përsëri mblidhuni bashkë që të mos ju ngasë Satanai për mospërmbajtjen tuaj.
6 Edhe këtë po e them si lëshim, jo si urdhër.
7 Sepse dua që gjithë njerëzit të jenë si edhe vetja ime; po secili ka dhuratë të veçantë nga Perëndia, njëri kështu, e tjetri ashtu.
8 Edhe po u them të pamartuarve dhe të vejave, se është më mirë për ata, në mbetshin si edhe unë.
9 Edhe po të mos përmbahen dot, le të martohen; sepse është më mirë të martohet njeriu se të digjet nga epshi.
10 Edhe të martuarit i porosis, jo unë, por Zoti, të mos ndahet gruaja nga burri.
11 Po edhe në u ndaftë, le të mbetet e pamartuar, ose le të pajtohet me burrin e saj; edhe burri të mos e lërë gruan e tij.
12 Edhe të tjerëve u them unë, jo Zoti, në ka ndonjë vëlla grua jobesimtare, edhe ajo dëshiron të rrojë bashkë me të, le të mos e lërë atë.
13 Edhe një grua që ka burrë jobesimtar, dhe ai dëshiron të rrojë bashkë me të, le të mos e lërë atë.
14 Sepse burri jobesimtar është i shenjtëruar me anë të gruas; dhe gruaja jobesimtare është e shenjtëruar me anë të burrit; sepse ndryshe bijtë tuaj do të ishin të papastër; kurse tani janë shenjtorë.
15 Por në u ndaftë jobesimtari, le të ndahet. Vëllai a motra nuk janë të robëruar në të tilla raste; po Perëndia na ka thirrur në paqe.
16 Sepse ç’di ti, o grua, në ke për të shpëtuar burrin? Ose ç’di ti, o burrë, në ke për të shpëtuar gruan?
17 Po secili siç ia caktoi Perëndia, secili siç e thirri Zoti, kështu le të ecin; edhe kështu urdhëroj mbi të gjitha kishat.
18 U thërrit i rrethprerë ndonjë në besim? Le të mos e fshehë rrethprerjen. I parrethprerë u thërrit ndonjë? Le të mos rrethpritet.
19 Rrethprerja s’është gjë, edhe parrethprerja s’është gjë, po ruajtja e porosive të Perëndisë.
20 Gjithsecili në atë thirrje që u thërrit, në atë le të mbesë.
21 U thërrite kur ishe skllav? Mos u shqetëso për këtë. Por nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë përdore këtë.
22 Sepse ai që u thirr në Zotin kur qe skllav, është i çliruar i Zotit; gjithashtu edhe ai që u thirr kur qe i lirë, është skllav i Krishtit.
23 Me çmim u bletë; mos u bëni skllevër njerëzish.
24 Gjithsecili, o vëllezër, në atë që u thirr, në këtë le të mbetet ndaj Perëndisë.

Të pamartuarit dhe të vejat
25 Edhe në lidhje me virgjëreshat s’kam urdhër nga Zoti, por jap mendim si një, që nga përdëllimi i Zotit është i besueshëm.
26 Mendoj pra se kjo është e mirë për nevojën e tanishme, se është mirë për njeriun të jetë kështu.
27 Je lidhur me grua? Mos kërko zgjidhje. Je zgjidhur me grua? Mos kërko grua.
28 Po edhe në u martofsh, nuk mëkatove. Edhe virgjëresha në u martoftë, nuk mëkatoi. Po të këtillët do të kenë shtrëngim në mish; edhe unë ju kursej.
29 Edhe këtë e them, o vëllezër, se koha që mbetet është e shkurtër, kaq sa edhe ata që kanë gra të jenë sikur s’kanë; edhe ata që qajnë, sikur s’qajnë;
30 edhe ata që gëzohen, sikur s’gëzohen; edhe ata që blejnë, sikur të mos i zotërojnë;
31 edhe ata që përdorin këtë botë, sikur s’e përdorin; sepse forma e kësaj bote po shkon.
32 Edhe dua të jeni pa kujdese; i pamartuari kujdeset për punët e Zotit, si t’i pëlqejë Zotit,
33 ndërsa i martuari kujdeset për punët e botës, si t’i pëlqejë gruas.
34 Ndryshon gruaja prej virgjëreshës; e pamartuara kujdeset për punët e Zotit, që të jetë e shenjtë edhe në trup edhe në shpirt; e martuara kujdeset për punët e botës, si t’i pëlqejë burrit.
35 Dhe këtë po jua them për të mirën tuaj; jo që t’ju vë lak, po që të jeni siç ka hije dhe të dhënë pas Zotit pa shqetësime.
36 Po nëse kujton ndonjëri se sillet keq me virgjëreshën e tij, në i shkoftë asaj lulja e rinisë, edhe duhet të bëhet kështu, le të bëjë ç’të dojë; nuk mëkaton; le të martohen.
37 Por ai që mbetet i qëndrueshëm në zemër pa pasur nevojë, po ka pushtet mbi dëshirën e vet, dhe e vendosi në zemrën e tij të ruajë virgjëreshën e tij, mirë bën.
38 Prandaj edhe ai që e marton virgjëreshën, mirë bën; edhe ai që s’e marton, bën më mirë.
39 Gruaja është e lidhur nga ligji për sa kohë rron burri i saj; po në i vdektë burri, është e lirë të martohet me cilin të dojë, veçse në Zotin.
40 Por sipas mendimit tim, më e lumur është, sikur të mbetet kështu; edhe më duket se edhe unë kam Frymë Perëndie.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-8-

Lidhja midis njohjes dhe dashurisë: vëllai ynë është kriteri
1 Edhe sa për theroret e idhujve, dimë se të gjithë kemi dituri. Dituria krekos, por dashuria ndërton.
2 Në i duket ndonjërit se di ndonjë gjë, ky ende asgjë nuk ka mësuar siç duhet të mësonte.
3 Po nëse do dikush Perëndinë, ky është i njohur prej tij.
4 Pra për ngrënien e theroreve që u bëhen idhujve, e dimë se idhulli s’është asgjë në botë, dhe nuk ka tjetër Perëndi veç një.
5 Sepse ndonëse ka të ashtuquajtur perëndira, ose në qiell, ose mbi dhé, – siç ka shumë perëndira, edhe shumë zotër,
6 po për ne është një Perëndi, Ati, prej të cilit janë të gjitha, edhe ne në të; dhe një Zot, Jisu Krishti, me anë të të cilit janë të gjitha, edhe ne me anë të atij.
7 Por jo tek të gjithë është kjo dituri; sepse disa veta me ndërgjegjen e idhullit deri sot e hanë si therore idhulli, edhe ndërgjegjja e tyre duke qenë e dobët ndotet.
8 Po të ngrënët nuk na afron te Perëndia; sepse edhe sikur të hamë, nuk do të kemi gjë më shumë; as sikur të mos hamë, nuk do të kemi gjë më pak.
9 Po shikoni se mos pushteti juaj bëhet pengesë për të dobëtit.
10 Sepse në të paftë ndonjë ty që ke dituri, se rri në tryezë në tempull idhujsh, ndërgjegjja e atij që është i dobët, a nuk do të marrë guxim të hajë theroret e idhujve?
11 Edhe kështu për diturinë tënde do të humbasë vëllai i dobët, për të cilin Krishti vdiq.
12 Edhe kur mëkatoni ju kështu ndaj vëllezërve, dhe plagosni ndërgjegjen e tyre të dobët, në Krishtin keni mëkatuar.
13 Prandaj në qoftë se ngrënia ime skandalizon tim vëlla, s’kam për të ngrënë mish për gjithë jetën, që të mos skandalizoj tim vëlla.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-9-

Liria e Pavlit: heqja dorë nga të drejtat
1 A nuk jam unë apostull? A nuk jam i lirë? A nuk e pashë Jisu Krishtin, Zotin tonë? A nuk jeni ju vepra ime në Zotin?
2 Në mos jam apostull në të tjerë, po së paku në ju jam; sepse në Zotin vula e apostolisë sime jeni ju.
3 Përgjigjja ime për ata që më gjykojnë, kjo është.
4 Mos nuk kemi edhe ne pushtet të hamë e të pimë?
5 Mos nuk kemi edhe ne pushtet të marrim me vete një grua nga motrat besimtare, si dhe apostujt e tjerë, dhe vëllezërit e Zotit, dhe Kefai?
6 Apo vetëm unë dhe Varnava nuk kemi pushtet të mos punojmë?
7 Cili shkon ndonjëherë në luftë me shpenzimet e veta? Cili mbjell vresht, edhe nuk ha nga fryti i tij? Ose cili kullot grigjë, edhe nuk ha nga qumështi i grigjës?
8 Mos i flas unë këto vetëm si njeri? Apo nuk thotë këto edhe ligji?
9 Sepse në ligjin e Moisiut është shkruar: “Nuk do t’i lidhësh gojën kaut që shin”. Mos për qetë kujdeset Perëndia?
10 Apo për ne në të vërtetë e thotë këtë? Sepse për ne u shkrua, se ai që lëron, me shpresë duhet të lërojë; dhe ai që shin, shin me shpresë se do të ketë pjesë në shpresën e tij.
11 Ne, nëse mbollëm te ju gjërat shpirtërore, punë e madhe është po të korrim gjërat tuaja të mishta?
12 Në qoftë se të tjerë marrin pjesë të këtij pushteti mbi ju, a nuk duhet më tepër ne? Po ne nuk e përdorëm këtë pushtet, por i durojmë të gjitha, që të mos sjellim ndonjë pengesë në ungjillin e Krishtit.
13 A nuk e dini se ata që bëjnë punët e shenjta, prej tempullit hanë, edhe ata që qëndrojnë pranë therores, marrin pjesë nga therorja?
14 Kështu edhe Zoti urdhëroi, që ata që predikojnë ungjillin prej ungjillit të rrojnë.
15 Po unë asnjë nga këto nuk përdora, as nuk i shkrova këto që të bëhet kështu me mua; sepse është më mirë për mua të vdes, se të nxjerrë ndonjeri mburrjen time të kotë.
16 Sepse në predikoj ungjillin, nuk është mburrje për mua; sepse kjo është një nevojë e madhe për mua; dhe mjerë unë, në mos predikofsha ungjillin.
17 Sepse në e bëj këtë me dashje, pagë kam; po në e bëj pa dashje, më është besuar kujdestaria.
18 Cila pra është paga ime? Që të predikoj ungjillin e Krishtit pa pagesë, që të mos e keqpërdor pushtetin tim në ungjillin.
19 Sepse duke qenë i lirë nga të gjitha, e bëra veten shërbëtor të të gjithëve, që të fitoj më të shumtët.
20 Edhe u bëra tek Judenjtë si Jude, që të fitoj Judenjtë; tek ata që janë nën ligj u bëra si nën ligj, që të fitoj ata që janë nën ligj.
21 Tek ata pa ligj u bëra pa ligj, – ndonëse nuk isha pa ligj tek Perëndia, po me ligj në Krishtin, – që të fitoj ata pa ligj.
22 Tek të dobëtit u bëra si i dobët, që të fitoj të dobëtit; tek të gjithë u bëra të gjitha, që me çdo mënyrë të shpëtoj disa veta.
23 Edhe këtë e bëj për ungjillin, që të bëhem bashkëpjesëmarrës i atij.
24 A nuk e dini se vrapuesit në stadium që të gjithë vrapojnë, po një e merr çmimin; kështu, vraponi që ta merrni.
25 Edhe çdo vrapues e përmban veten nga të gjitha; ata pra që të marrin një kurorë që prishet, kurse ne një kurorë që s’prishet.
26 Unë pra kështu vrapoj, jo sikur jam në dyshim; kështu luftoj me grusht, jo sikur rrah erën,
27 po mundoj trupin tim dhe e bëj skllav, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, unë hidhem poshtë.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-10-

Paralajmërim për shmangien e rikthimit në idhujtari
1 Edhe nuk dua të mos dini, vëllezër, se të gjithë etërit tanë ishin nën renë, edhe të gjithë shkuan përmes detit.
2 Edhe të gjithë u pagëzuan në Moisiun në re e në det. 3 Edhe të gjithë po atë ushqim shpirtëror hëngrën.
4 Edhe të gjithë po atë pije shpirtërore pinë; sepse pinin nga shkëmbi shpirtëror që u vinte pas; edhe ky shkëmb ishte Krishti.
5 Po Perëndia më të shumtët nga ata nuk i pëlqeu; sepse ranë të vdekur në shkretëtirë.
6 Edhe këta u bënë shembuj për ne që të mos dëshirojmë edhe ne punë të liga, siç dëshiruan ata.
7 As idhujtarë mos u bëni, si disa nga ata, siç është shkruar: “Populli ndenji të hajë e të pijë, edhe u ngritën të lozin”.
8 As të mos kurvërojnë, siç kurvëruan disa nga ata, edhe ranë në një ditë njëzet e tre mijë veta.
9 As të mos ngasim Krishtin, siç e nganë edhe disa nga ata, edhe u prishën nga gjarpërinjtë.
10 As të mos ankoheni, siç u ankuan edhe disa nga ata, edhe u prishën prej engjëllit prishës.
11 Edhe të gjitha këto u ndodhnin atyre si shembuj, edhe na u shkruan për mësim neve, të cilët arritëm në mbarim të jetëve.
12 Prandaj ai që pandeh se qëndron, le të shohë se mos bjerë poshtë.
13 Tjetër ngasje nuk ju ka ndodhur juve, përveçse ngasje njerëzore. Po Perëndia është besnik dhe nuk do t’ju lërë të ngiteni tej fuqisë suaj, po bashkë me ngasjen do t’ju tregojë rrugë shpëtimi, që të mund të duroni.
14 Prandaj, o të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria.
15 Flas porsi në të mençur, gjykojeni ju atë që them.
16 Kupa e bekimit që bekojmë, a nuk është pjesëmarrje në gjakun e Krishtit? Buka që thyejmë, a nuk është pjesëmarrje në trupin e Krishtit?
17 Sepse ne të shumtët jemi një bukë, një trup; sepse të gjithë kemi pjesë nga e njëjta bukë.
18 Shikoni Izraelin sipas mishit; ata që hanë flijimet, a nuk janë pjesëtarë të therores?
19 Ç’them pra? Se idhulli është gjë? Apo se therori për idhullin është gjë?
20 Jo, por se ato që bëjnë theror kombet, ua bëjnë theror demonëve, e jo Perëndisë; edhe s’dua që ju të bëheni pjesëtarë të demonëve.
21 S’mund të pini kupën e Zotit dhe kupën e demonëve; nuk mund të jeni pjesëtarë të tryezës së Zotit dhe të tryezës së demonëve.
22 Apo Zotin duam ta shtiem në zili? Mos jemi më të fortë se ai?

Shoqëria idhujtare dhe liria e të krishterit
23 Të gjitha më lejohen, por jo të gjitha sjellin dobi; të gjitha më lejohen, po jo të gjitha ndërtojnë.
24 Askush le të mos kërkojë të mirën e tij; po secili të tjetrit.
25 Hani çdo gjë që shitet në tregun e mishit, pa ngritur pyetje për hir të ndërgjegjes,
26 sepse “I Zotit është dheu edhe plotësia e tij”.
27 Edhe nëse ju thërret ndonjë nga jobesimtarët, edhe doni të shkoni, hani çdo gjë që t’ju vihet përpara, pa ngritur pyetje për hir të ndërgjegjes.
28 Por nëse ju thotë juve ndonjë: Ky është theror idhulli, mos hani për hir të atij që ju tregoi dhe për hir të ndërgjegjes; sepse “I Zotit është dheu edhe plotësia e tij”.
29 Edhe them jo për ndërgjegjen tënde, po të tjetrit; sepse përse të gjykohet liria ime prej ndërgjegjes së tjetrit?
30 Edhe nëse unë marr pjesë në falënderim, përse të shahem për atë që falënderoj?
31 Në ngrënshi pra, a në pifshi, a në bëfshi gjë, të gjitha t’i bëni për lavdi të Perëndisë.
32 Mos iu bëni pengesë as Judenjve, as Grekëve, as kishës së Perëndisë,
33 sikurse edhe unë për çdo gjë u pëlqej të gjithëve, sepse nuk kërkoj të mirën time, po atë të të shumtëve, që të shpëtojnë.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-11-

1 Më imitoni mua, sikurse edhe unë Krishtin.

Gratë në adhurim
2 Edhe ju lëvdoj juve, o vëllezër, se më kujtoni në gjithë gjërat, edhe mbani porositë që ju lashë me gojë, sikundër jua dhashë juve.
3 Edhe dua që ju ta dini se kryet e çdo burri është Krishti; edhe kryet e gruas është burri; edhe kryet e Krishtit është Perëndia.
4 Çdo burrë kur lutet a kur profetizon me krye mbuluar, turpëron kryet e tij.
5 Edhe çdo grua, kur lutet a kur profetizon me krye zbuluar, turpëron kryet e saj, sepse është një dhe njësoj me gruan që ka rruar kryet.
6 Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, edhe le të qethet. Po nëse është turp për gruan të qethet ose të rruhet, le të mbulohet.
7 Sepse burri nuk duhet të mbulojë kryet, sepse është figurë dhe lavdi e Perëndisë; po gruaja është lavdi e burrit.
8 Sepse burri nuk është prej gruas, po gruaja prej burrit;
9 sepse edhe nuk u krijua burri për gruan, po gruaja për burrin.
10 Prandaj gruaja duhet të ketë pushtet mbi kryet e saj, për engjëjt.
11 Po në Zotin as burrë ka pa grua, as grua pa burrë.
12 Sepse sikurse gruaja është prej burrit, kështu edhe burri është me anë të gruas; edhe të gjitha janë nga Perëndia.
13 Gjykoni ju vetë; a i ka hije gruas t’i lutet e zbuluar Perëndisë?
14 Po edhe natyra vetë a nuk na mëson se në qoftë se burri ka flokë të gjatë, ky është çnderim për të?
15 Po nëse gruaja ka flokë të gjatë, është lavdi për të; sepse flokët i janë dhënë asaj në vend të mbulesës.
16 Po në qoftë se dikujt i pëlqen të grindet, ne s’kemi zakon të tillë, as kishat e Perëndisë.

Darka e Zotit
(Mt. 26:26-29; Mk. 14:22-25; Lk. 22:14-20)
17 Edhe duke ju porositur këtë nuk ju lëvdoj, se mblidheni jo për më të mirën, po për më të keqen.
18 Sepse së pari, dëgjoj se kur mblidheni në kishë, ka përçarje ndërmjet jush; edhe pjesërisht e besoj.
19 Sepse duhet të ketë edhe ndarje në mes tuaj, që të shfaqen ata që janë të vlefshëm midis jush.
20 Kur mblidheni pra bashkë në një vend, nuk është për të ngrënë darkën e Zotit;
21 sepse në ngrënie gjithsecili merr darkën e vet më përpara se të tjerët, edhe kështu dikush ka uri, e dikush është i dehur.
22 Mos nuk keni shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo përçmoni kishën e Zotit, edhe turpëroni ata që s’kanë? Ç’t’ju them? T’ju lëvdoj për këtë? Nuk ju lëvdoj.
23 Sepse unë mora prej Zotit atë që edhe jua dhashë, se Zoti Jisu atë natë që u tradhtua, mori bukë,
24 edhe si falënderoi e theu, edhe tha: Merrni hani; ky është trupi im që thyhet për ju; këtë bëni në kujtimin tim.
25 Gjithashtu edhe kupën, pasi hëngri darkë, duke thënë: Kjo kupë është dhiata e re në gjakun tim; këtë bëni sa herë të pini në kujtimin tim.
26 Sepse sa herë të hani këtë bukë, dhe të pini këtë kupë, rrëfeni vdekjen e Zotit deri sa ai të vijë.
27 Prandaj ai që të hajë këtë bukë, ose të pijë kupën e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Krishtit.
28 Njeriu pra le të shqyrtojë veten e tij, e kështu le të hajë nga ajo bukë, edhe le të pijë nga ajo kupë.
29 Se ai që ha e pi padenjësisht, ha e pi dënim për veten e tij, sepse nuk dallon trupin e Zotit.
30 Prandaj ka në mes tuaj shumë të dobët dhe të sëmurë, edhe vdesin mjaft veta.
31 Sepse po të dallonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim.
32 Po kur gjykohemi, ndreqemi prej Zotit, që të mos dënohemi bashkë me botën. 33 Prandaj, vëllezër, kur mblidheni për të ngrënë, pritni njëri-tjetrin.
34 Po në i ardhtë uri ndonjërit, le të hajë në shtëpi të tij, që të mos mblidheni për dënim. Edhe të tjerat, kur të vij do t’i vë në rregull.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-12-

Dhuratat e Frymës
1 Edhe për dhuratat shpirtërore, o vëllezër, nuk dua të jeni të paditur.
2 E dini se kur ishit kombe, tërhiqeshit pas idhujve të pagojë si të tërhequr prej dikujt.
3 Prandaj ju bëj të ditur, se askush që flet me Perëndie nuk thotë për Jisuin, qoftë i mallkuar; edhe askush nuk mund të thotë se Jisui është Zot, veçse me anë të Frymës së Shenjtë.
4 Edhe ka ndarje dhuntish, po Fryma është po ajo.
5 Edhe ndarje shërbesash, po Zoti është po ai;
6 Edhe ndarje punësh, po Zoti është po ai që punon të gjitha në të gjitha.
7 Edhe gjithsecilit i jepet shfaqja e Frymës për të mirën e të gjithëve.
8 Sepse dikujt i jepet me anë të Frymës fjalë urtësie, e një tjetri fjalë diturie, sipas po asaj Fryme;
9 edhe një tjetri besim, me anë të po asaj Fryme; e një tjetri dhunti shërimesh, me anë të po asaj Fryme;
10 e tjetri fuqi mrekullish, e tjetri profeci, e një tjetri dallim shpirtrash, e një tjetri llojshmëri gjuhësh, e një tjetri përkthim gjuhësh.
11 Edhe të gjitha këto i punon një dhe po ajo Frymë, duke ia ndarë gjithsecilit më vete, siç ajo dëshiron.

Një trup me shumë pjesë
12 Sepse ashtu siç është trupi një, edhe ka shumë gjymtyrë, edhe gjithë gjymtyrët e një trupi, ndonëse janë shumë, bëjnë një trup, kështu edhe Krishti.
13 Sepse ne të gjithë jemi pagëzuar me anë të po asaj Fryme në një trup, qoftë Judenj, qoftë Grekë, qoftë skllevër, qoftë të lirë; edhe të gjithë jemi ujitur në një .
14 Sepse edhe trupi nuk është një gjymtyrë, por shumë.
15 Nëse këmba thotë se nuk jam dorë, nuk jam nga trupi, mos për këtë nuk është nga trupi?
16 Edhe nëse veshi thotë se nuk jam sy, nuk jam nga trupi, mos për këtë nuk është nga trupi?
17 Po të ishte gjithë trupi sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte i gjithi dëgjim, ku do të ishte nuhatja?
18 Po tashmë Perëndia i vendosi gjymtyrët, secilën nga ato, në trup, siç deshi.
19 Po në qoftë se të gjitha do të ishin një gjymtyrë, ku do të ishte trupi?
20 Po tashmë janë shumë gjymtyrë dhe një trup.
21 Edhe syri s’mund t’i thotë dorës: Nuk më duhesh. Ose përsëri koka t’u thotë këmbëve: Nuk më duheni.
22 Po ato gjymtyrë të trupit që duken se janë më të dobëta, këto janë shumë më tepër të nevojshme.
23 Edhe ato gjymtyrë të trupit që na duken se janë më pak të nderuara, këto i nderojmë më shumë; edhe kështu të shëmtuarat tona kanë më tepër hije.
24 Kurse gjymtyrët tona të hijshme nuk kanë nevojë. Po Perëndia e bashkoi trupin duke i dhënë më tepër nder asaj pjese që ka mangësi,
25 që të mos ketë çarje në trup, por gjymtyrët të kenë po atë kujdes për njëra-tjetrën.
26 Edhe në qoftë se një gjymtyrë vuan, gjithë gjymtyrët vuajnë bashkë me të; ose në qoftë se nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të.
27 Edhe ju jeni trupi i Krishtit, edhe gjymtyrë të veçanta.
28 Edhe Perëndia vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues, pastaj mrekulli, pastaj dhunti shërimesh, ndihmëtarë, kujdestarë, larmi gjuhësh.
29 A mos janë të gjithë apostuj? A mos janë të gjithë profetë? A mos janë të gjithë mësues? A mos bëjnë çudira të gjithë?
30 A mos kanë të gjithë dhunti shërimesh? A mos flasin gjuhëra të gjithë? A mos përkthejnë të gjithë?
31 Por dëshironi me zell dhuntitë më të mira; edhe do t’ ju tregoj juve një udhë shumë më të lartë.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-13-

Dashuria
1 Në folça gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, e të mos kem dashuri, jam si bakër që kumbon, a si çembal që tringëllon.
2 Edhe në paça profeci, edhe të di gjithë fshehtësitë edhe çdo dituri, edhe në paça gjithë besën sa të tund nga vendi male, e dashuri të mos kem, s’jam asgjë.
3 Edhe në ndafsha gjithë gjënë time për të ushqyer të vobektët, edhe në dhënça trupin tim që të digjet, e dashuri të mos kem, s’më bën as fare dobi.
4 Dashuria është zemërgjerë edhe bën të mira; dashuria s’ka smirë; dashuria nuk kërkon të duket, nuk mbahet me të madh,
5 nuk sillet vrazhdë, nuk kërkon të sajat, nuk zemërohet, nuk mendon të ligën;
6 nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet për të vërtetën.
7 Të gjitha i mban, të gjitha i beson, të gjitha i shpreson, të gjitha i duron.
8 Dashuria kurrë nuk bie poshtë. Po të tjerat, qofshin profeci, do të mbarojnë; qofshin gjuhë, do të pushojnë; qoftë dituri, do të humbasë.
9 Sepse ne pjesërisht njohim, edhe pjesërisht profetizojmë.
10 Po kur të vijë e plota, atëherë ajo që është e pjesshme do të mbarojë.
11 Kur isha foshnjë, si foshnjë flisja, si foshnjë kuptoja, si foshnjë mendohesha; po kur u bëra burrë, i hodha tej punët e fëmijës,
12 sepse tani shohim në të errët si në pasqyrë, po atëherë do të shohim faqe për faqe; tani njoh pjesërisht, po atëherë do të njoh sikurse edhe u njoha.
13 Edhe tani mbetet besimi, shpresa, dashuria, këto të tria; po më e madhja nga këto është dashuria.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-14-

Manifestimi i drejtë i dhuratave në adhurim
1 Ndiqni dashurinë; edhe lypni me zell dhuratat shpirtërore, po më tepër që të profetizoni.
2 Sepse ai që flet gjuhë të panjohur, nuk u flet njerëzve, po Perëndisë; sepse asnjë s’e kupton, po me shpirtin e tij flet fshehtësira.
3 Kurse ai që profetizon, u flet njerëzve për ndërtim e për mësim e për ngushëllim.
4 Ai që flet gjuhë të huaj ndërton veten e tij; po ai që profetizon, ndërton kishën.
5 Edhe dua që të gjithë ju të flitni gjuhë, po më tepër të profetizoni; sepse ai që profetizon është më i madh se ai që flet gjuhë, përveç në e përktheftë, që të marrë ndërtim kisha.
6 Edhe tani, vëllezër, në ardhsha tek ju duke folur gjuhë, ç’dobi do t’ju sjell, në mos ju folsha ose me zbulesë, ose me dituri, ose me profeci, ose me mësim?
7 Edhe ato që s’kanë shpirt e nxjerrin zë, qoftë fyell, qoftë kitarë, po të mos japin tinguj të veçantë, si do të njihet rënia e fyellit, ose rënia e kitarës?
8 Sepse, në dhëntë trumbeta zë që s’kuptohet, cili do të bëhet gati për luftë?
9 Kështu edhe ju, po të mos jepni me anë të gjuhës fjalë të kuptueshme, si do të kuptohet ajo që flitet? Sepse do të flisni në erë.
10 Në botë mbase ka gjithfarë gjuhësh, edhe asnjë nga ato s’është pa kuptim.
11 Nëse nuk e di pra kuptimin e gjuhës, do të jem i huaj për atë që flet, dhe ai që flet, i huaj për mua.
12 Kështu edhe ju, meqë jeni të zellshën për dhuratat shpirtërore, kërkoni t’i shtoni ato për ndërtimin e kishës.
13 Prandaj ai që flet gjuhë të panjohur, le të lutet që të bëhet i zoti ta përkthejë.
14 Sepse në u lutsha me gjuhë të panjohur, shpirti im lutet, po mendja ime është e pafrytshme.
15 Ç’duhet pra? Do të lutem me shpirtin, po do të lutem edhe me mendjen; do të psal me shpirtin, po do të psal edhe me mendjen.
16 Sepse në qoftë se bekon me shpirt, ai që është në rrethin e të paditurve, si do të thotë Amin, kur ti falënderon? Se ai nuk di se ç’thua.
17 Sepse ti mirë falënderon, po tjetri nuk ndërtohet.
18 Falënderoj Perëndinë tim se flas më shumë gjuhë se ju të gjithë.
19 Po në kishë dua më mirë të flas pesë fjalë të kuptueshme, që të mësoj edhe të tjerë, se dhjetë mijë fjalë në gjuhë të panjohur.
20 O vëllezër, mos u bëni fëmijë nga mendja; po bëhuni foshnjë për të keqen, edhe të përsosur nga mendja.
21 Sepse në ligj është shkruar: “Se me të tjera gjuhë, e me të tjera buzë, do t’i flas këtij populli; po as kështu nuk do të më dëgjojnë”, thotë Zoti.
22 Prandaj gjuhët janë shenjë jo për ata që besojnë, po për jobesimtarët; edhe profecia jo për ata që nuk besojnë, po për ata që besojnë.
23 Në u mbledhtë pra gjithë kisha në një vend, edhe të gjithë të flasin gjuhë të panjohura, e të hyjnë njerëz të paditur ose jobesimtarë, a nuk do të thonë se jeni të shkalluar?
24 Po në profetizofshin të gjithë dhe të hyjë një jobesimtar ose i paditur, ky qortohet prej të gjithëve, e gjykohet prej të gjithëve.
25 Edhe kështu të fshehtat e zemrës së tij shfaqen; edhe kështu do të bjerë me faqe përmbys, e do t’i falet Perëndisë, duke predikuar se Perëndia me të vërtetë qenka ndërmjet jush.

Të gjitha të bëhen me rregull
26 Ç’duhet pra, vëllezër? Kur mblidheni, secili prej jush ka diçka për të thënë: psalm ka, mësim ka, gjuhë ka, zbulesë ka, përkthim gjuhësh ka, të gjitha këto le të bëhen për ndërtim.
27 Në foltë dikush gjuhë të panjohur, le ta bëjnë këtë dy nga dy, ose shumë-shumë tre nga tre, edhe këtë me radhë dhe njëri le të përkthejë.
28 Dhe në mos pastë përkthyes, le të heshtë në kishë, edhe le të flasë me veten e tij dhe me Perëndinë.
29 Le të flasin edhe dy a tre profetë, edhe të tjerët le të gjykojnë.
30 Edhe nëse ndonjë tjetri që rri pranë i vjen zbulesë, i pari le të heshtë.
31 Sepse të gjithë njëri pas tjetrit mund të profetizojnë, që të mësojnë të gjithë, edhe të gjithë të ngushëllohen.
32 Edhe shpirtrat e profetëve u nënshtrohen profetëve,
33 sepse Perëndia nuk është Perëndi trazimi, po paqeje.
34 Si në të gjitha kishat e shenjtorëve, gratë tuaja le të heshtin në kishë, sepse nuk u lejohet atyre të flasin, po të ulin kryet, siç thotë edhe ligji.
35 Po nëse duan të mësojnë gjë, le të pyesin burrat e tyre në shtëpi; sepse është turp për gratë të flasin në kishë.
36 Apo prej jush doli fjala e Perëndisë? Apo vetëm tek ju arriti?
37 Në i duket ndonjërit se është profet ose njeri shpirtëror, le të dijë se këto që po ju shkruaj janë porosi të Zotit.
38 Por nëse dikush nuk e di këtë, le të mos e dijë.
39 Prandaj, o vëllezër, kërkoni me zell të profetizoni, edhe mos i ndaloni të flasin gjuhë.
40 Të gjitha le të bëhen siç ka hije e me rregull.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-15-

Ngjallja e Krishtit
1 Edhe tani, o vëllezër, ju tregoj ungjillin që ju ungjillëzova, të cilin edhe e morët, në të cilin edhe qëndroni.
2 Me anë të tij edhe shpëtoni, po ta mbani atë, siç jua ungjillëzova, veç në besuat më kot.
3 Sepse ju dhashë më përpara atë që mora edhe unë, se Krishti vdiq për mëkatet tona, sipas Shkrimeve;
4 edhe se u varros, edhe se u ngjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve; 5 edhe se iu duk Kefait, pastaj të Dymbëdhjetëve.
6 Pastaj iu duk më tepër se mbi pesëqind vëllezërve njëherësh, prej të cilëve më të shumtët rrojnë deri sot, por disa kanë fjetur.
7 Pastaj iu duk Jakovit, pastaj gjithë apostujve.
8 Edhe më në fund nga të gjithë m’u shfaq edhe mua, si një të dështuari.
9 Sepse unë jam më i vogli i apostujve, edhe s’jam i denjë të quhem apostull, sepse përndoqa Kishën e Perëndisë.
10 Po me hirin e Perëndisë jam ai që jam; edhe hiri i atij që është tek unë nuk u bë i kotë, por u mundova më tepër se ata të gjithë; edhe jo unë, po hiri i Perëndisë që është bashkë me mua.
11 Qoftë unë pra, qoftë ata, kështu predikojmë dhe kështu besuat.

Ngjallja jonë
12 Edhe nëse predikohet Krishti se u ngjall prej së vdekurish, si thonë disa veta ndër ju se nuk ka ngjallje të vdekurish?
13 Edhe nëse nuk ka ngjallje të vdekurish, as Krishti nuk u ngjall.
14 Edhe nëse nuk u ngjall Krishti, pa fjalë predikimi ynë është i kotë, edhe besimi juaj i kotë,
15 dhe qenkemi edhe dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse dëshmuam për Perëndinë se ngjalli Krishtin, të cilin nuk e paska ngjallur, në qoftë pra se nuk u ngjallkan të vdekurit.
16 Sepse nëse nuk ngjallen të vdekurit, as Krishti nuk u ngjall.
17 Po nëse nuk u ngjall Krishti, besimi juaj është i kotë dhe jeni ende në mëkatet tuaja.
18 Pa fjalë edhe ata që fjetën në Krishtin janë të humbur.
19 Në shpresofshim në Krishtin vetëm në këtë jetë, jemi më të mjerët e gjithë njerëzve.
20 Po tani Krishti u ngjall prej së vdekurish; u bë fryti i parë e atyre që kanë fjetur.
21 Sepse sikurse vdekja erdhi me anë njeriu, kështu edhe ngjallja e të vdekurve është me anë njeriu.
22 Sepse sikurse të gjithë vdesin në Adamin, kështu edhe të gjithë do të marrin jetë në Krishtin.
23 Po gjithsecili në radhën e tij: Krishti është pema e parë, pastaj sa janë të Krishtit, në ardhjen e tij për së dyti;
24 Pastaj do të jetë fundi, kur t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit, kur të asgjësojë çdo kryesi dhe çdo pushtet e fuqi.
25 Sepse duhet të mbretërojë ai, deri sa të vërë gjithë armiqtë nën këmbët e tij.
26 Armiku i fundit që do të asgjësohet është vdekja.
27 Sepse “të gjitha i nënshtroi nën këmbët e tij”; po kur thotë se të gjitha janë nënshtruar, është e qartë se mbetet jashtë ai që i vuri nën atë të gjitha.
28 Edhe kur t’i nënshtrohen atij të gjitha, atëherë edhe vetë Biri do t’i nënshtrohet atij që i vuri të gjitha nën atë, që të jetë Perëndia të gjitha mbi të gjitha.
29 Sepse ç’do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit, në qoftë se me të vërtetë të vdekurit nuk ngjallen? Përse atëherë pagëzohen për të vdekurit?
30 Përse atëherë jemi nën rrezik në çdo orë?
31 Përditë vdes – bëj be në mburrjen që kam për ju në Jisu Krishtin, Zotin tonë.
32 Nëse si njeri luftova me bisha në Efes, ç’dobi kam, në qoftë se nuk ngjallen të vdekurit? “Le të hamë e le të pimë, sepse nesër do të vdesim.”
33 Mos u gënjeni; sepse “Shoqëri të këqija prishin zakone të mira”.
34 Zgjohuni në të drejtën dhe mos mëkatoni; sepse disa nga ju nuk njohin Perëndinë; për turpin tuaj po jua them këtë.

Ngjallja e trupit
35 Po do të thotë ndonjë: Si ngjallen të vdekurit? Edhe me çfarë trupi vijnë?
36 I marrë, ajo që mbjell ti, nuk merr jetë, në mos vdektë.
37 Edhe atë që mbjell, nuk mbjell atë trupin që do të bëhet, po një kokërr të zhveshur, si të qëllojë, a gruri a ndonjë tjetër gjëje nga të tjerat.
38 Po Perëndia i jep trup si të dojë, edhe gjithësecilës nga farat trupin e saj të veçantë.
39 Çdo mish nuk është i njëjti trup; po tjetër është mish i njerëzve, e tjetër mish i kafshëve, e tjetër i peshqve, e tjetër i shpendëve.
40 Ka edhe trupa qiellorë edhe trupa tokësorë; po tjetër është lavdia e qiellorëve, edhe tjetër e tokësorëve.
41 Tjetër është lavdia e diellit, edhe tjetër lavdia e hënës, edhe tjetër lavdia e yjeve; sepse ylli nga ylli dallon në lavdi.
42 Kështu edhe ngjallja e të vdekurve; mbillet në prishje, ngrihet në paprishje;
43 mbillet në çnderim, ngrihet në lavdi; mbillet në dobësi, ngrihet në fuqi;
44 mbillet trup gjallësor, ngrihet trup shpirtëror. Ka trup gjallësor, ka edhe trup shpirtëror.
45 Kështu edhe është shkruar: Njeriu i parë, Adami, “u bë shpirt i gjallë”; Adami i fundit, shpirt jetëdhënës.
46 Edhe nuk u bë më parë ajo që është shpirtërore, po ajo gjallësore, pastaj ajo shpirtërore.
47 Njeriu i parë është prej dheu, prej balte; njeriu i dytë është Zoti prej qielli.
48 Siç është ai nga balta, të tillë janë edhe ata nga balta; dhe siç është qiellori, të tillë janë edhe qiellorët.
49 Edhe siç veshëm figurën e të baltit, do të veshim edhe figurën e qiellorit.
50 Edhe këtë e them, o vëllezër, se mish dhe gjak s’mund të trashëgojë mbretërinë e Perëndisë, as prishja nuk trashëgon paprishjen.
51 Ja tek po ju them juve një të fshehtë: të gjithë nuk do të flemë, po të gjithë do të shndërrohemi,
52 në një çast, sa hap e mbyll sytë, në trumbetën e fundit; sepse do të bjerë trumbeta dhe të vdekurit do të ngjallen të paprishur, edhe ne do të ndryshohemi.
53 Sepse ky që prishet duhet të veshë paprishjen, edhe ky që vdes duhet të veshë pavdekësinë.
54 Edhe kur ky trup që prishet të veshë paprishjen, edhe kur ky trup që vdes të veshë pavdekësinë, atëherë do të bëhet fjala që është shkruar: “Vdekja u përpi nga fitorja”.
55 “Ku është, o vdekje, thumbi yt? Ku është, o had, fitorja jote?”
56 Edhe thumbi i vdekjes është mëkati; edhe fuqia e mëkatit është ligji.
57 Por falënderojmë Perëndinë që na dha fitoren me anë të Zotit Jisu Krisht.
58 Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, sepse e dini se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

-16-

Ndihma për të krishterët e Judesë
1 Edhe për mbledhjen e ndihmave për shenjtët, siç urdhërova kishat e Galatisë, kështu bëni edhe ju.
2 Të parën ditë të çdo jave gjithsecili prej jush le të vërë mënjanë e le të mbledhë për sa ka mbarësi, që, kur të vij, të mos bëhen atëherë mbledhje ndihmash.
3 Edhe kur të vij, ata që të zgjidhni ju, do t’i dërgoj me letra, që të çojnë dhuratën tuaj në Jerusalem.
4 Edhe po t’ia vlejë të shkoj edhe unë, do të vijnë bashkë me mua.

Plane për udhëtime të reja
5 Edhe do të vij tek ju, kur të kaloj nëpër Maqedoni, – sepse po kaloj nëpër Maqedoni. –
6 Edhe mund të qëndroj tek ju ca kohë, ose edhe të dimëroj, që të më përcillni ju kudo që të shkoj.
7 Sepse nuk dua që t’ju shoh tani kalimthi; po shpresoj të rri pranë jush ca kohë, po të më lejojë Zoti.
8 Edhe do të rri në Efes deri të kremten e Pendikostisë,
9 sepse m’u hap një derë e madhe dhe plot me punë, edhe kundërshtarë janë shumë.
10 Edhe në ardhtë Timotheu, vështroni të ndjehet pa ndrojtje tek ju; sepse edhe ai bën punën e Zotit si edhe unë.
11 Askush pra të mos e fyejë; po përcilleni në paqe, që të vijë tek unë; sepse po e pres bashkë me vëllezërit.
12 Sa për vëllanë Apollo, iu luta shumë që të vinte tek ju bashkë me vëllezërit; edhe nuk kishte fare dëshirë të vinte tani; por do të vijë, kur t’i jepet rasti.

Nxitje përfundimtare dhe përshëndetje
13 Rrini zgjuar, qëndroni në besë; bëhuni burra, e forcohuni.
14 Gjithë punët tuaja le të bëhen me dashuri.
15 Edhe ju lutem, o vëllezër, e njihni shtëpinë e Stefanait, se është fryti i parë i Akaisë, edhe se ia kanë kushtuar veten shërbimit të shenjtëve;
16 të ulni kryet edhe ju ndaj të këtillëve, edhe ndaj çdo njeriu që bashkëpunon me ne dhe mundohet.
17 Edhe gëzohem për ardhjen e Stefanait dhe të Furtunatit e të Akaikut, sepse këta mbushën mungesën tuaj;
18 sepse prehën shpirtin tim dhe tuajin. Dijuani pra të këtillëve.
19 Ju përshëndesin kishat e Azisë. Ju përshëndesin në Zotin Akila dhe Priskila bashkë me kishën që është në shtëpinë e tyre.
20 Ju përshëndesin gjithë vëllezërit. Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë.
21 Përshëndetja u shkrua me dorën time, të Pavlit.
22 Nëse ndonjë nuk e do Zotin Jisu Krisht, qoftë i mallkuar. Maran-Atha*.
23 Hiri i Zotit Jisu Krisht qoftë me ju.
24 Dashuria ime qoftë me të gjithë ju në Jisu Krishtin. Amin.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

Letra e Parë e Apostull Pavlit
drejtuar Korinthianëve

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16  

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme