Letra e dyte e Apostull Pavlit
drejtuar Selanikasve

-1-

1 Pavli dhe Siluani e Timotheu, kishës së Selanikasve, që është në Perëndinë, Atin tonë, edhe në Zotin Jisu Krisht;
2 hir në ju edhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, edhe nga Zoti Jisu Krisht.
3 Kemi detyrë të falënderojmë përherë Perëndinë për ju, o vëllezër, siç i ka hie, sepse po shtohet fort besimi juaj, edhe dashuria e kujtdo prej jush për njëri-tjetrin po tepron;
4 aq sa ne vetë mburremi për ju në kishat e Perëndisë, për durimin tuaj dhe për besimin në gjithë përndjekjet tuaja e në shtrëngimet që hiqni;
5 tregues ky i gjyqit të drejtë të Perëndisë, që të bëheni të denjë për mbretërinë e Perëndisë, për të cilën edhe vuani.
6 Sepse është e drejtë përpara Perëndisë t’u shpaguaj shtrëngim atyre që ju shtrëngojnë.
7 Por ju që shtrëngoheni, do të keni prehje bashkë me ne, kur të zbulohet Zoti Jisu Krisht prej qielli bashkë me engjëjt e fuqisë së tij,
8 në flakë zjarri, duke u dhënë shpagim atyre që nuk njohën Perëndi, edhe atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jisu Krisht;
9 të cilët do të mundohen me shkatërrim të përjetshëm nga faqja e Zotit, edhe nga lavdia e fuqisë së tij,
10 në atë ditë, kur të vijë të lavdërohet ndër shenjtorët e tij, edhe të jetë i mrekullueshëm ndër të gjithë ata që besojnë, – sepse ju i besuat dëshmisë sonë.
11 Prandaj edhe lutemi përherë për ju, që t’ju bëjë Perëndia ynë të denjë për thirrjen e tij, edhe të përmbushë çdo pëlqim të mirësisë së tij, edhe vepër besimi me fuqi;
12 që të lavdërohet emri i Zotit tonë Jisu Krisht tek ju, edhe ju tek ai, sipas hirit të Perëndisë sonë dhe Zotit Jisu Krisht.

1 2 3

-2-

1 Edhe sa për ardhjen e Zotit tonë Jisu Krisht, edhe për mbledhjen tonë me atë, ju lutemi, o vëllezër,
2 të mos tundeni shpejt nga mendja, as të mos turbulloheni as prej fryme, as prej fjale, as prej letre si të shkruar prej nesh, se sikur u afrua dita e Krishtit.
3 Le të mos ju gënjejë askush në asnjë mënyrë; sepse s’ka për të ardhur ajo ditë, pa ardhur më përpara mohimi i besimit, edhe të zbulohet njeriu i mëkatit, i biri i humbjes,
4 ai që rri kundër e ngrihet lart mbi çdo gjë që quhet Perëndi ose që adhurohet, kaq sa të rrijë në tempull të Perëndisë si Perëndi, duke treguar veten e tij se është Perëndi.
5 Nuk mbani mend se, edhe kur isha pranë jush, jua thosha këto? 6 Edhe tani e dini çfarë e pengon atë, që të zbulohet në kohën e tij.
7 Sepse misteri i paudhësisë tani vihet në veprim; vetëm deri sa të hiqet nga mesi ai që e pengon tani;
8 edhe atëherë do të zbulohet i paudhi, të cilin Zoti do ta humbasë me frymën e gojës së tij, edhe do ta prishë me shfaqjen e ardhjes së tij.
9 Ky i paudhë do të vijë pas veprimit të satanait me çdo fuqi e me shenja e me çudira gënjeshtre,
10 edhe me çdo mashtrim të padrejtësisë, në mes të atyre që humben; sepse nuk pritën dashurinë e së vërtetës që të shpëtojnë.
11 Edhe prandaj Perëndia do t’u dërgojë atyre veprim mashtrimi, që t’i besojnë gënjeshtrës,
12 që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, po pëlqyen padrejtësinë.
13 Por ne kemi detyrë të falënderojmë Perëndinë përherë për ju, o vëllezër të dashur prej Zotit, se Perëndia ju zgjodhi ju që në fillim për shpëtim me anë të shenjtërimit të Frymës dhe me anë të besimit në të vërtetën,
14 në të cilën ju thirri me anë të ungjillit tonë, për të fituar lavdinë e Zotit tonë Jisu Krisht.
15 Prandaj pra, o vëllezër, qëndroni, edhe mbani ato porosi që mësuat, qoftë me anë fjale, qoftë me anë letre prej nesh.
16 Edhe vetë Zoti ynë Jisu Krisht, e Perëndia dhe Ati ynë, i cili na deshi e na dha ngushëllim të përjetshëm edhe shpresë të mirë me anë të hirit,
17 ngushëlloftë zemrat tuaja e ju forcoftë në çdo fjalë e punë të mirë.

1 2 3

-3-

1 Së fundi, o vëllezër, lutuni për ne që të përhapet me të shpejtë dhe të lavdërohet fjala e Zotit, sikurse edhe ndër ju,
2 edhe që të shpëtojmë nga njerëzit e kotë e të ligj; sepse besimi nuk është tek të gjithë.
3 Por Zoti është besnik, i cili do t’ju forcojë e do t’ju ruajë prej të ligut,
4 edhe kemi besim tek ju me anë të Zotit, se ato që ju porositëm, edhe i bëni, edhe do t’i bëni.
5 Edhe Zoti drejtoftë zemrat tuaja në dashurinë e Perëndisë, edhe në durimin e Krishtit.
6 Edhe ju porositim ju, o vëllezër, në emër të Zotit tonë Jisu Krisht, të largoheni nga çdo vëlla që ecën i çrregullt, e jo sipas porosisë që mori prej nesh.
7 Sepse ju e dini se si duhet të na shëmbëlleni; sepse nuk u sollëm si të çrregullt ndër ju,
8 as hëngrëm bukë falas prej ndonjërit, por me lodhje e me mundim, duke punuar natë e ditë, që të mos i bëheshim barrë ndonjërit prej jush;
9 jo se s’kemi pushtet, po që t’ju japim juve veten tonë si shembull, që të bëni siç bëjmë ne.
10 Sepse edhe kur ishim tek ju këtë ju porositnim, se nëse nuk do ndonjëri të punojë, as të mos hajë.
11 Sepse dëgjojmë se disa ndër ju ecin të çrregullt, edhe se s’punojnë fare, po sillen andej e këtej pa ndonjë punë, duke u marrë me punët e të tjerëve.
12 Të këtillët i porositim e i nxisim me anë të Zotit tonë Jisu Krisht, që, duke punuar me qetësi, të hanë bukën e tyre.
13 Por ju, o vëllezër, mos u lodhni duke bërë mirë.
14 Edhe në qoftë se ndonjë nuk i bindet fjalës sonë me anë të kësaj letre, shënojeni atë; edhe mos u shoqëroni me atë, që të turpërohet.
15 Po mos e shikoni atë si armik, por këshillojeni si vëlla.
16 Edhe vetë Zoti i paqes ju dhëntë juve paqen kurdoherë me çdo mënyrë. Zoti qoftë me ju të gjithë.
17 Përshëndetja u shkrua me dorën time, të Pavlit, që është shenjë në çdo letër; kështu shkruaj.
18 Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht qoftë bashkë me ju të gjithë. Amin.

1 2 3

Letra e dyte e Apostull Pavlit
drejtuar Selanikasve

1 2 3

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme