Për administrimin e pasurisë kishtare dhe kontrollin e pasurive të kishave të komuniteteve orthodhokse si dhe të manastireve, Sinodi i Shenjtë krijon në selinë qendrore të Kishës së Shqipërisë «Këshillin Kishtar Kleriko-laik», të përbërë nga të gjithë anëtarët e Sinodit dhe nga dymbëdhjetë klerikë e laikë.

Këshilli Kishtar Kleriko-laik merr pjesë edhe në veprimtaritë kishtare të parashikuara në nenet 17, 27, 70 të këtij Statuti.

Katër anëtarët klerikë dhe katër laikë të Këshillit Kishtar Kleriko-laik zgjidhen çdo katër vjet prej anëtarëve të këshillave të Kryepiskopatës dhe të Mitropolive. Katër të tjerët zgjidhen nga Sinodi i Shenjtë.

Një Komision Ekzekutiv prej pesë anëtarësh, i zgjedhur nga Këshilli Kishtar Kleriko-laik, zbaton vendimet e tij. Të dyja këto struktura kryesohen nga Kryepiskopi.

Përveç Këshillit Kishtar Kleriko-laik funksionon Komisioni i Kontrollit, i cili kontrollon administrimin financiar të Kryepiskopatës dhe të Mitropolive dhe raporton në lidhje me këto në Sinodin e Shenjtë.

Këshilli Kishtar Kleriko-laik shqyrton buxhetin e shpenzimeve të vitit të kaluar dhe buxhetin preventiv të ardhshëm, që miratohen përfundimisht nga Sinodi i Shenjtë.

Harton Rregulloren e Përgjithshme të Administrimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila miratohet përfundimisht nga Sinodi i Shenjtë.

Këshilli Kishtar Kleriko-laik mblidhet rregullisht dy herë në vit dhe Komisioni Ekzekutiv në çdo tre muaj. Të dy organizmat mblidhen dhe në raste të jashtëzakonshme sa herë që është nevoja me ftesë të Kryepiskopit.

Detyrën e Sekretarit të Këshillit Kishtar Kleriko-laik e kryen Kryesekretari i Sinodit të Shenjtë.

    (Nga Statuti i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë)