Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Efesianeve

-1-

1 Pavli, apostull i Jisu Krishtit me vullnetin e Perëndisë, shenjtëve që janë në Efes dhe besimtarëve në Krishtin Jisu,
2 hir mbi ju dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, dhe prej Zotit Jisu Krisht.
3 I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jisu Krisht, që na bekoi me çdo bekim shpirtëror në vendet qiellore me anë të Krishtit,
4 siç edhe na zgjodhi ne me anë të tij para se të themelohet bota, që të jemi shenjtorë dhe të paqortueshëm përpara tij në dashuri,
5 duke na paracaktuar për birësim tek vetë ai me anë të Jisu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të tij,
6 për mburrje të lavdisë së hirit të tij, të cilin na e dhuroi me anë të të Dashurit të tij,
7 tek i cili kemi shpërblimin me anë të gjakut të tij, ndjesën e fajeve, sipas pasurisë së hirit të tij,
8 të cilin na e dha me të tepërt me çdo urtësi e mençuri,
9 duke na njohur misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që e pati paracaktuar në vetvete,
10 me synimin që kur të mbushen kohët, t’i përmbledhë të gjitha në Krishtin, edhe ato që janë në qiej edhe ato që janë mbi dhe; në atë,
11 tek i cili edhe morëm trashëgim, siç qe paracaktuar sipas qëllimit të atij që i bën të gjitha sipas pëlqimit të vullnetit të tij,
12 që ne shpresuam më përpara tek Krishti të jemi për mburrje të lavdisë së tij;
13 tek i cili shpresuat edhe ju, pasi dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj; dhe tek i cili, pasi besuat u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit,
14 që është paradhënia e trashëgimit tonë, deri në shpërblimin e atyre që u fituan për lëvdim të lavdisë së tij.
15 Prandaj edhe unë, si dëgjova për besimin tuaj në Zotin Jisu dhe për dashurinë që keni për të gjithë shenjtorët,
16 nuk pushoj duke falënderuar Perëndinë për ju, e duke ju përmendur ju në lutjet e mia,
17 që t’ju japë juve Perëndia i Zotit tonë Jisu Krisht, Ati i lavdisë, frymë diturie e zbulese, që ta njihni atë;
18 që sytë e mendjes tuaj të jenë të ndriçuar, që të njihni cila është shpresa e thirrjes së tij, edhe cila është pasuria e lavdisë së trashëgimit të tij për shenjtorët;
19 edhe cila është madhëria e pafund e fuqisë së tij tek ne që besojmë sipas veprimit të pushtetit të fuqisë së tij,
20 të cilën e veproi në Krishtin, kur e ngjalli atë prej së vdekurish, edhe e vuri të rrijë në të djathtë të tij në vendet qiellore,
21 përmbi çdo kryesi e pushtet e fuqi e zotërim e çdo emëri që është quajtur jo vetëm në këtë jetë, po edhe në atë që vjen.
22 Edhe të gjitha i vuri nën këmbët e tij, edhe e vuri krye përmbi të gjitha në kishë,
23 e cila është trupi i atij, plotësimi i atij që i plotëson të gjitha në të gjitha.

1 2 3 4 5 6

-2-

1 Edhe ju dha jetë juve, që ishit të vdekur në fajet e mëkatet,
2 në të cilat ecët dikur, sipas jetës së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës, të frymës që vepron tani tek bijtë e mosbindjes,
3 ndërmjet të cilëve edhe ne të gjithë jetuam dikur sipas lakmive të mishit tonë, duke bërë dëshirat e mishit e të mendimeve tona; edhe ishim prej natyre djem të zemërimit, si dhe të tjerët.
4 Por Perëndia, që është i pasur në përdëllim, për dashurinë e tij të shumtë me të cilën na deshi,
5 edhe duke qenë të vdekur për fajet, na dha neve jetë bashkë me Krishtin; – nga hiri jeni të shpëtuar.
6 Edhe na ngjalli bashkë, edhe na vuri të rrimë bashkë në vendet qiellore me anë të Krishtit Jisu,
7 që të tregojë në jetët që vijnë pasurinë e tepërt të hirit të tij me anë të mirësisë që ka për ne me anë të Krishtit Jisu.
8 Sepse nga hiri jeni të shpëtuar me anë të besimit; edhe kjo jo prej jush, po është dhurata e Perëndisë,
9 jo prej veprash, që të mos mburret ndonjë.
10 Sepse jemi krijesë e tij, të krijuar në Krishtin Jisu për vepra të mira, të cilat i parapërgatiti Perëndia, që të ecim në to.
11 Prandaj sillni ndër mend se dikur ju kombet sipas mishit, të quajtur të parrethprerë prej të quajturve të rrethprerë prej rrethprerjes së bërë me dorë në mish,
12 se në atë kohë ishit pa Krisht, të përjashtuar nga qytetaria e Izraelit, edhe të huaj në dhiatat e premtimit, pa pasur shpresë, edhe të paperëndi në botë.
13 Por tani me anë të Jisu Krishtit ju që ishit dikur larg u afruat me anë të gjakut të Krishtit.
14 Sepse ai është paqja jonë, ai që i bëri të dyja një, edhe rrëzoi murin ndërmjetës të ndarjes,
15 duke shfuqizuar në trupin e tij armiqësinë, domethenë ligjin e porosive urdhëruese, që të ndërtojë në veten e tij nga të dy një njeri të ri, duke bërë paqe,
16 dhe të dy në një trup t’i pajtojë me Perëndinë me anë të kryqit, pasi vrau nëpërmjet tij armiqësinë.
17 Edhe si erdhi predikoi ungjillin e paqes tek ju që ishit larg, edhe tek ata që ishin afër,
18 sepse me anë të tij që të dy afrohemi në një Frymë tek Ati.
19 Prandaj nuk jeni më të huaj e të jashtëm, por bashkëqytetarë të shenjtëve dhe pjesëtarë të shtëpisë së Perëndisë;
20 sepse u ndërtuat mbi themelin e apostujve e të profetëve, ku gur qosheje është vetë Jisu Krishti,
21 në të cilin e gjithë ndërtesa e lidhur bashkë rritet në një tempull të shenjtë në Zotin,
22 në të cilin edhe ju jeni ndërtuar së bashku për të qenë banesë e Perëndisë me anë të Frymës.

1 2 3 4 5 6

-3-

1 Prandaj unë, Pavli, i burgosuri i Krishtit Jisu për ju kombet
2 edhe nëse dëgjuat ekonominë e hirit të Perëndisë që m’u dha për ju,
3 se si me zbulesë ma bëri të njohur misterin, – siç ju shkrova përpara me pak fjalë,
4 prej të cilave duke i lexuar mund të kuptoni mëndjen time në misterin e Krishtit,
5 mister i cili në brezat e tjerë nuk iu bë i njohur bijve të njerëzve, siç iu zbulua tani apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve me anë të Frymës,
6 që të jenë kombet bashkëtrashëgimtarë e një trup dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të tij në Krishtin me anë të ungjillit,
7 të cilit unë iu bëra shërbëtor sipas dhuratës së hirit të Perëndisë, që m’u dha sipas veprimit të fuqisë së tij.
8 Mua më të voglit nga të gjithë shenjtët m’u dha ky hir t’u ungjillëzoj kombeve pasurinë e pagjurmueshme të Krishtit,
9 edhe t’i ndriçoj të gjithë, që të dinë ç’është pjesëmarrja në misterin e fshehur që prej jetëve tek Perëndia që i krijoi të gjitha me anë të Jisu Krishtit,
10 që t’u bëhet e njohur tani me anë të kishës dituria e shumanshme e Perëndisë kryesive e pushteteve në vendet qiellore,
11 sipas qëllimit të përjetshëm që bëri në Krishtin Jisu, Zotin tonë,
12 në të cilin kemi guximin dhe qasjen tek Perëndia me bindje me anë të besimit në të.
13 Prandaj ju lutem të mos ligështoheni për shkak të mundimeve të mia për ju, gjë që është lavdia juaj.
14 Prandaj ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jisu Krisht,
15 prej të cilit quhet çdo familje në qiejt e mbi dhe,
16 që t’ju japë juve sipas pasurisë së lavdisë së tij të forcoheni në fuqi me anë të Frymës së tij në njeriun e brendshëm;
17 që të banojë Krishti në zemrat tuaja me anë të besimit,
18 që të rrënjosur e të themelosur në dashuri të mund të kuptoni bashkë me gjithë shenjtorët, ç’është gjerësia dhe gjatësia dhe thellësia e lartësia,
19 edhe të njihni dashurinë e Krishtit, e cila kapërcen çdo dituri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë.
20 Edhe atij që sipas fuqisë që veprohet tek ne mund të bëjë shumë më tepër nga gjithë sa kërkojmë ose mendojmë,
21 atij i qoftë lavdia në kishë me anë të Krishtit Jisu në gjithë brezat në jetë të jetëve. Amin.

1 2 3 4 5 6

-4-

1 Ju lutem pra juve unë i burgosuri në Zotin, të ecni denjësisht në thirrjen që u thirrët,
2 me çdo përulësi e butësi, me zemërgjerësi, duke duruar njëri-tjetrin me dashuri,
3 duke u kujdesur të ruani bashkimin e Frymës me anë të lidhjes së paqes.
4 Një trup e një Frymë ka, sikurse edhe u thirrët me një shpresë të thirrjes suaj;
5 një Zot, një besim, një pagëzim,
6 një Perëndi dhe Atë të të gjithëve, i cili është përmbi të gjithë, edhe me anë të të gjithëve, edhe në të gjithë ju.
7 Edhe gjithësecilit prej nesh iu dha hiri sipas masës së dhuratës së Krishtit.
8 Prandaj thotë: “Si u ngjit lart, skllavëroi skllavëri, edhe u dha dhurata njerëzve”.
9 Edhe se “ai u ngjit”, ç’është tjetër, veçse edhe zbriti më parë në pjesët më të poshtme të dheut?
10 Ai që zbriti, është ai që edhe u ngjit sipër gjithë qiejve, që t’i plotësojë të gjitha.
11 Edhe ai dha që disa të jenë apostuj, e disa profetë, e disa ungjilltarë, edhe disa barinj e mësues,
12 për përgatitjen e shenjtëve, për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit,
13 deri sa të arrijmë të gjithë në bashkimin e besimit, edhe të njohjes së Birit të Perëndisë, në një njeri të përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit,
14 që të mos jemi më foshnje, që lëkunden e merren andej-këtej nga çdo erë mësimi, nga gënjeshtra e njerëzve, nga dinakëria e mjeshtërisë së mashtrimit;
15 po duke thënë të vërtetën me dashuri të rritemi në të gjitha në atë, i cili është kreu, Krishti,
16 prej të cilit tërë trupi i përbashkuar e i bashkëlidhur nëpërmjet ndihmës së çdo nyjeje, sipas veprimit me masë të secilës pjesë, bën rritjen e trupit, për ndërtimin e vetvetes me dashuri.
17 Them pra këtë, edhe dëshmoj në Zotin, të mos ecni më siç ecin edhe pjesa tjetër e kombeve në kotësinë e mendjes së tyre,
18 me mendje të errësuar, duke qenë të tjetërsuar nga jeta e Perëndisë, prej padijes që është në ta, për shkak të ashpërsisë së zemrës së tyre.
19 Këta duke u bërë të pandjeshëm e dhanë veten e tyre në fëlliqësi, që të bëjnë çdo papastërti me lakmi.
20 Por ju nuk e keni mësuar kështu Krishtin.
21 Në qoftë se e keni dëgjuar atë dhe jeni mësuar në të, siç është e vërteta në Jisuin,
22 hidhni tej njeriun e vjetër që është sipas jetesës së mëparshme, i cili prishet sipas dëshirimeve të mashtrimit,
23 edhe përtërihuni në frymën e mendjes suaj,
24 edhe vishni njeriun e ri, që është ndërtuar sipas Perëndisë me drejtësi e me shenjtëri të së vërtetës.
25 Prandaj, duke hedhur tej gënjeshtrën, “flisni të vërtetën secili me të afërmin e tij”, sepse jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit.
26 “Zemërohuni e mos mëkatoni”; dielli le të mos perëndojë mbi zemërimin tuaj;
27 as mos i bëni vend djallit.
28 Ai që vjedh, le të mos vjedhë më, po më tepër le të mundohet të bëjë të mirën me duart e tij, që të ketë t’i japë atij që ka nevojë.
29 Le të mos dalë prej gojës suaj asnjë fjalë e keqe, por ajo që është e mirë për ndërtim kur është e nevojshme, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë.
30 Edhe mos hidhëroni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpërblimit.
31 Çdo hidhërim e mëri e zemërim e britmë e sharje, u largoftë prej jush bashkë me çdo ligësi.
32 Edhe bëhuni për njëri-tjetrin të mirë, të mëshirshëm, duke ndjerë njëri-tjetrin, siç ju ndjeu edhe Perëndia ju me anë të Krishtit.

1 2 3 4 5 6

-5-

1 Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij të dashur.
2 Edhe ecni me dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi, edhe dha veten e tij për ne blatim e theror tek Perëndia, për aromë erëmirë.
3 Po për kurvëri e çdo papastërti, ose lakmi, as të mos bëhet fjalë ndër ju, siç u ka hije shenjtëve,
4 edhe as për turpëri e të folur pa mend, ose përqeshje, të cilat s’kanë hije; po më tepër të ketë falënderim.
5 Sepse këtë e dini, se asnjë i përdalë, ose i papastër, ose lakmitar, i cili është idhujtar, s’ka trashëgim në mbretërinë e Krishtit e të Perëndisë.
6 Asnjeri le të mos ju mashtrojë me fjalë të kota; sepse për këto vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e pabindjes.
7 Mos u bëni pra bashkëpjesëmarrës me ata.
8 Sepse dikur ishit errësirë, po tani jeni dritë në Zotin. Ecni si bij drite,
9 sepse fryti i Frymës është në çdo mirësi, e drejtësi, e të vërtetë;
10 duke provuar ç’është e pëlqyeshme për Zotin.
11 Edhe mos u shoqëroni në punët e pafrytshme të errësirës, por më tepër t’i qortoni.
12 Sepse ato që bëhen fshehurazi nga ata, është turp edhe të thuhen.
13 Po gjithë sa qortohen nga drita bëhen të dukshme; sepse çdo gjë që bëhet e dukshme është dritë.
14 Prandaj thotë: Ngrihu ti që fle, edhe ngjallu prej së vdekurish, edhe Krishti do të të ndriçojë.
15 Shikoni pra si të ecni me kujdes; jo si të marrë, po si të urtë, 1
16 duke shfrytëzuar kohën, sepse ditët janë të këqija.
17 Prandaj mos u bëni të pamend, po nga ata që kuptojnë ç’është dëshira e Zotit.
18 Edhe mos u dehni me verë, në të cilën ka plangprishje; por mbushuni me Frymë të Shenjtë,
19 duke folur midis jush me psalme e me himne dhe me këngë shpirtërore, duke i kënduar e duke i psalur Zotit me zemrën tuaj,
20 duke falënderuar përherë për të gjitha Perëndinë dhe Atin, në emrin e Zotit tonë Jisu Krisht,
21 duke iu nënshtruar njëri-tjetrit me frikë Perëndie.
22 Ju gratë bindjuni burrave tuaj, si Zotit;
23 sepse burri është kryet e gruas, siç është edhe Krishti kryet e kishës, edhe ai është shpëtimtari i trupit.
24 Po siç i bindet kisha Krishtit, kështu edhe gratë le t’u binden burrave të tyre për gjithçka.
25 Ju burrat duajini gratë tuaja, siç deshi edhe Krishti kishën, edhe dha veten e tij për të,
26 që ta shenjtërojë, duke e pastruar atë me larjen e ujit, me anë të fjalës;
27 që ta nxjerrë atë përpara vetes kishë të lavdishme, pa pasur njollë, ose rrudhë, a ndonjë të tillë, por që të jetë e shenjtë e patëmetë.
28 Kështu e kanë për detyrë burrat të duan gratë e tyre, si trupat e tyre. Ai që do gruan e tij, do veten e tij.
29 Sepse askush ndonjëherë s’e urreu trupin e tij, po e ushqen dhe e ngroh, sikurse edhe Zoti kishën.
30 Sepse jemi pjesë të trupit të tij, prej mishit të tij dhe prej eshtrave të tij.
31 “Prandaj njeriu do të lerë të atin e të ëmën dhe do të ngjitet pas gruas së tij, edhe do të jenë të dy një mish.”
32 Ky mister është i madh; por unë e them për Krishtin dhe për kishën.
33 Po edhe ju, secili veç e veç kështu le ta dojë gruan e tij si veten e tij; edhe gruaja le t’i druhet burrin.

1 2 3 4 5 6

-6-

1 Ju djemtë bindjuni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë.
2 “Ndero atin tënd dhe nënën tënde”, – i cili është urdhërimi i parë me premtim,
3 “që të të bëhet mirë ty, e të jesh jetëgjatë mbi dhe”.
4 Edhe ju etërit mos zemëroni bijtë tuaj, por rritini ata me mësim e me këshillë të Zotit.
5 Ju shërbëtorët bindjuni zotërinjve tuaj sipas mishit me frikë e dridhje, me thjeshtësi të zemrës suaj, si Krishtit,
6 jo si shërbëtorë për sy e faqe, që duan t’u pëlqejnë njerëzve, por si shërbëtorë të Krishtit, duke bërë me frymë dëshirën e Perëndisë,
7 duke u shërbyer me mirëdashje si Zotit, edhe jo si njerëzve;
8 sepse e dini që çfarëdo të mirë të bëjë secili, këtë edhe do të marrë prej Zotit, qoftë shërbëtor, qoftë i lirë.
9 Edhe ju zotërinjtë, po ato bëni për ata, duke lënë kërcënimet; sepse e dini, se edhe ju vetë keni Zot në qiejt, edhe ai s’ka anësi.
10 Pra, o vëllezër të mi, forcohuni në Zotin edhe në pushtetin e fuqisë së tij.
11 Vishni gjithë armët e Perëndisë, që të mundeni t’u qëndroni kundër mjeshtërive të djallit;
12 sepse lufta jonë nuk është kundër gjaku dhe mishi, po kundër kryesive, kundër pushteteve, kundër sunduesve të errësirës së kësaj jete, kundër frymërave të liga në vendet qiellore.
13 Prandaj merrni me vete gjithë armët e Perëndisë, që të mund të qëndroni kundër në ditën e keqe, edhe si t’i keni bërë gati të gjitha, të qëndroni ngritur.
14 Qëndroni pra ngritur të ngjeshur në brezin tuaj me të vërtetën, edhe të veshur me parzmoren e drejtësisë,
15 edhe me këmbë të mbathura me gatishmërinë për ungjillin e paqes,
16 duke marrë mbi të gjitha mburojën e besimit, me të cilin do të mund të shuani gjithë shigjetat e zjarrta të të ligut.
17 Edhe merrni përkrenaren e shpëtimit, edhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë,
18 duke u falur në Frymë në çdo kohë me çdo lloj faljeje e lutjeje, edhe mbi gjithë këtë duke ndenjur zgjuar me çdo durim e lutje për gjithë shenjtorët,
19 edhe për mua, që të më jepet fjalë për të hapur gojën time, që me guxim të bëj të njohur misterin e ungjillit,
20 për të cilin unë jam lajmëtar në vargonjtë, që të flas për atë me guxim, siç më duhet të flas.
21 Po që t’i dini edhe ju të miat, çfarë bëj, të gjitha do t’jua tregojë juve Tihiku, vëllai i dashur dhe shërbëtor besnik në Zotin,
22 të cilin për këtë e dërgova tek ju, që të mësoni punët tona, edhe që të ngushëllojë zemrat tuaja.
23 Paqe mbi vëllezërit, edhe dashuri me besë nga Perëndia Atë, edhe nga Zoti Jisu Krisht.
24 Hiri qoftë bashkë me të gjithë ata që duan Zotin tonë Jisu Krisht me zemër të kthjellët. Amin.

1 2 3 4 5 6

Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Efesianeve

1 2 3 4 5 6

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme