UNGJILLI SIPAS MATHEUT

-1-

1 Libri i gjenealogjisë së Jisu Krishtit, të birit të Davidit, të birit të Abrahamit.
2 Abrahamit i lindi Isaaku; edhe Isaakut i lindi Jakovi; edhe Jakovit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij.
3 Edhe Judës i lindi Faresi dhe Zarai nga Tamara; edhe Faresit i lindi Arami.
4 Edhe Aramit i lindi Aminadabi; edhe Aminadabit i lindi Nasoni; edhe Nasonit i lindi Salmoni.
5 Edhe Salmonit i lindi Bozi nga Rahaba; edhe Vozit i lindi Ovidi nga Ruthi; edhe Ovidit i lindi Jeseu;
6 Edhe Jeseut i lindi Davidi, mbreti.
Edhe mbretit David i lindi Solomoni nga gruaja e Uriut.
7 Edhe Solomonit i lindi Roboami; edhe Roboamit i lindi Abiai; edhe Abiait i lindi Asai.
8 Edhe Asait i lindi Josafati; edhe Josafatit i lindi Jorami; edhe Joramit i lindi Ozia.
9 Edhe Ozisë i lindi Joatami; edhe Joatamit i lindi Akazi; edhe Akazit i lindi Ezekia.
10 Edhe Ezekisë i lindi Manasiu; edhe Manasiut i lindi Amoni; edhe Amonit i lindi Josia.
11 Edhe Josisë i lindi Jehonia dhe vëllezërit e tij, në kohën e shpërnguljes në Babiloni.
12 Edhe pas shpërnguljes në Babiloni, Jehonisë i lindi Salatieli; edhe Salatielit i lindi Zorobabeli.
13 Edhe Zorobabelit i lindi Abiudi; edhe Abiudit i lindi Eliakimi; edhe Eliakimit i lindi Azori.
14 Edhe Azorit i lindi Sadoku; edhe Sadokut i lindi Akimi; edhe Akimit i lindi Eliudi.
15 Edhe Eliudit i lindi Eleazari; edhe Eleazarit i lindi Matani; edhe Matanit i lindi Jakovi.
16 Edhe Jakovit i lindi Josifi, burri i Marisë, prej së cilës lindi Jisui që thuhet Krisht.
17 Gjithë brezat pra, që nga Abrahami e deri te Davidi, janë katërmbëdhjetë breza; edhe që nga Davidi e deri në shpërnguljen në Babiloni katërmbëdhjetë breza; edhe nga shpërngulja në Babiloni e deri te Krishti katërmbëdhjetë breza.
18 Edhe lindja e Jisu Krishtit kështu ishte: Pasi u fejua e ëma e tij, Maria, me Josifin, përpara se të bashkoheshin, u gjend me barrë nga Fryma e Shenjtë.
19 Edhe Josifi, burri i saj, duke qenë i drejtë, e duke mos dashur t’i nxjerrë asaj zë të lig, deshi ta linte fshehurazi.
20 Po ndërsa ai ishte duke menduar këto, ja një engjëll i Zotit tek iu duk në ëndërr, duke thënë: Josif, bir i Davidit, mos u frikëso të marrësh me vete gruan tënde Mariamin; sepse mbarsja që u bë tek ajo është nga Fryma e Shenjtë.
21 Edhe do të lindë djalë edhe do t’ia quash emrin Jisu; sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.
22 Edhe gjithë kjo u bë, që të përmbushet e thëna prej Zotit me anë të profetit, që thotë:
23 “Ja virgjëresha tek do të mbarset, edhe do të lindë djalë, edhe do t’ia quash emrin Emanuel”, që e përkthyer do me thënë, Perëndia bashkë me ne.
24 Edhe Josifi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç e urdhëroi engjëlli i Zotit, edhe mori pranë vetes gruan e tij.
25 Edhe nuk e njohu atë, derisa lindi të birin e saj, të parëlindurin; edhe ia quajti emrin Jisu.

-2-

1 Edhe si lindi Jisui në Betlehem të Judesë, në ditët e mbretit Herod, ja, ca magë nga Lindja erdhën në Jerusalem,
2 duke thënë: Ku është mbreti i Judenjve që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij nga Lindja dhe erdhëm që t’i falemi.
3 Edhe mbreti Herod kur dëgjoi, u drodh edhe bashkë me të edhe gjithë Jerusalemi.
4 Edhe si mblodhi gjithë kryepriftërinjtë edhe shkruesit e popullit, pyeste të merrte vesh prej tyre se ku lind Krishti.
5 Edhe ata i thanë atij: Në Betlehem të Judesë. Sepse kështu është shkruar me anë të profetit:
6 “Edhe ti, Betlehem, dheu i Judesë, aspak nuk je më i vogli ndër të parët e Judesë; sepse prej teje do të dalë një prijës, i cili do të kullosë popullin tim Izrael”.
7 Atëherë Herodi thirri fshehurazi magët, edhe mori vesh me saktësi nga ata kohën e yllit që ishte dukur.
8 Edhe duke i dërguar ata në Betlehem, tha: Shkoni e vëzhgoni mirë për fëmijën, edhe si ta gjeni, të më lajmëroni, që të vij edhe unë e t’i falem atij.
9 Edhe ata si dëgjuan mbretin ikën; edhe ja ylli që kishin parë në Lindje tek shkonte përpara tyre, deri sa erdhi e qëndroi sipër tek ishte fëmija.
10 Edhe ata kur panë yllin, u gëzuan me gëzim fort të madh.
11 Edhe kur erdhën në shtëpi, panë fëmijën bashkë me të ëmën, Marinë, edhe duke rënë përdhe iu falën atij, edhe si hapën thesaret e tyre, i prunë atij dhurata, ar e temjan e miro.
12 Edhe si iu tregua atyre nga Perëndia në ëndërr të mos kthehen tek Herodi, ikën në vendin e tyre nga një tjetër udhë.
13 Edhe pasi ikën ata, ja një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit, duke thënë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe ik në Egjipt. Edhe rri atje deri kur të të them ty, sepse Herodi do të kërkojë djalin që ta vrasë.
14 Edhe ai u ngrit, e mori me vete djalin edhe të ëmën e tij natën, edhe iku në Egjipt.
15 Edhe ndenji atje deri në vdekjen e Herodit, që të përmbushet e thëna prej Zotit me anë të profetit, që thotë: “Nga Egjipti thirra tim bir”.
16 Atëherë Herodi, kur pa se u gënjye nga magët, u zemërua fort, edhe dërgoi e vrau gjithë djemtë që ishin në Betlehem e nëpër gjithë rrethinat e tij, që nga dy vjeç e poshtë, sipas kohës që kishte marrë vesh saktësisht nga magët.
17 Atëherë u përmbush ç’është thënë nga profeti Jeremia, që thotë:
18 “Zë u dëgjua në Rama, vaj e të qarë e gjëmë shumë. Rakela qante djemtë e saj, edhe nuk donte të ngushëllohej, sepse nuk janë”.
19 Edhe si vdiq Herodi, ja një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit në Egjipt
20 e i thotë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe shko në dhe të Izraelit; sepse vdiqën ata që kërkonin jetën e djalit.
21 Edhe ai u ngrit e mori me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe erdhi në dhe të Izraelit.
22 Po kur dëgjoi se Arkelau mbretëron në Jude në vend të Herodit, të atit të tij, pati frikë të shkojë atje; edhe siç iu tregua atij nga Perëndia në ëndërr, iku në anët e Galilesë,
23 edhe erdhi e ndenji në një qytet që quhet Nazaret; që të përmbushet ç’është thënë nga profetët, se nazaretas do të quhet.

-3-

1 Edhe në ato ditë vjen Joan Pagëzori duke predikuar në shkretëtirën e Judesë,
2 e duke thënë: Pendohuni, sepse u afrua mbretëria e qiejve.
3 Sepse ky është ai që u fol nga profeti Isaia që thotë: “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit; bëni rrugët e tij të drejta”.
4 Edhe ky Joani kishte veshjen e tij prej lesh gamileje, edhe brez lëkure rreth mesit të tij; edhe ushqimi i tij ishte: karkaleca dhe mjaltë i egër.
5 Atëherë dilte jashtë tek ai Jerusalemi edhe gjithë Judea edhe gjithë vendi përqark Jordanit; 6 edhe pagëzoheshin në Jordan nga ai, duke rrëfyer mëkatet e tyre.
7 Edhe kur pa se shumë nga Farisenjtë e Saduqenjtë po vinin në pagëzimin e tij, u tha atyre: Pjellë nepërkash, cili ju tregoi të ikni nga zemërimi që vjen?
8 Bëni pra fryte të vlefshme për pendim.
9 Edhe të mos ju shkojë ndër mend të thoni me veten tuaj: Atë kemi Abrahamin. Sepse po ju them juve, se Perëndia mundet edhe nga këta gurë t’i ngrejë bij Abrahamit.
10 E tani edhe sëpata rri pranë rrënjës së pemëve; çdo pemë pra që s’bën fryt të mirë pritet, edhe hidhet në zjarr.
11 Unë ju pagëzoj me ujë për pendim; po ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë t’i mbaj sandalet. Ky do t’ju pagëzojë ju me Frymë të Shenjtë e me zjarr.
12 Ai ka lopatën në dorën e tij, edhe do të pastrojë tërësisht lëmin e tij, edhe do të mbledhë grurin e tij në grunar, ndërsa kashtën do ta djegë krejt në zjarr të pashuar.
13 Atëherë Jisui vjen nga Galilea në Jordan tek Joani, që të pagëzohet prej tij.
14 Po Joani e ndalonte me ngulm atë, duke thënë: Unë kam nevojë të pagëzohem prej teje, e ti vjen tek unë?
15 Edhe Jisui u përgjigj e i tha: Lëre tani, sepse kështu ne duhet të përmbushim çdo drejtësi. Atëherë e la atë.
16 Edhe Jisui, si u pagëzua, u ngrit menjëherë nga uji. Edhe ja tek iu hapën qiejt edhe pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si pëllumb e duke ardhur mbi të.
17 Edhe ja një zë nga qiejt që thoshte: Ky është biri im i dashur, që e kam pëlqyer.

-4-

1 Atëherë Jisui u pru në shkretëtirë nga Fryma, që të ngitej prej Djallit.
2 Edhe si agjëroi dyzet ditë e dyzet net, më pas pati uri.
3 Edhe ai që nget erdhi tek ai e tha: Në je i biri i Perëndisë, thuaj të bëhen bukë këta gurë.
4 Po ai u përgjigj e tha: Eshtë shkruar: “Njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, po me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë”.
5 Atëherë Djalli e merr atë në qytetin e shenjtë, edhe e vuri mbi majën e tempullit,
6 edhe i thotë atij: Në je i biri i Perëndisë, hidhu poshtë. Sepse është shkruar: “Se do të urdhërojë engjëjt e tij për ty edhe do të ngrenë ty mbi duart, që të mos përpjekësh këmbën tënde në gur”.
7 Jisui i tha atij: Përsëri është shkruar: “Nuk do të ngasësh Zotin Perëndinë tënd”.
8 Përsëri Djalli e merr në një mal shumë të lartë, edhe i tregon gjithë mbretëritë e botës edhe lavdinë e tyre,
9 e i thotë: Të gjitha këto do të t’i jap ty, në rënç përdhe të më falesh.
10 Atëherë Jisui i thotë atij: Shporru prapa meje, Satana. Sepse është shkruar: “Zotit Perëndisë tënd do t’i falesh, edhe vetëm atë do të adhurosh”.
11 Atëherë Djalli e lë atë. Edhe ja engjëjt tek erdhën pranë e i shërbenin.
12 Edhe Jisui kur dëgjoi se Joani u dorëzua, iku në Galile.
13 Edhe si la Nazaretin, erdhi e ndenji në Kapernaum që është pranë detit, në kufijtë e Zabulonit edhe të Neftalimit,
14 që të përmbushet ç’është thënë nga profeti Isaia, që thotë:
15 “Dheu Zabulon edhe dheu Neftalim, në udhën e detit përtej Jordanit, Galilea e kombeve,
16 populli që rrinte në errësirë pa dritë të madhe, edhe atyre që rrinin në vend e në hije vdekjeje u lindi dritë”.
17 Që atëherë Jisui filloi të predikojë e të thotë: Pendohuni, sepse u afrua mbretëria e qiejve.
18 Edhe tek ecte pranë detit të Galilesë, Jisui pa dy vëllezër, Simonin, që thirrej Pjetër, edhe Andrean, vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det; sepse ishin peshkatarë.
19 Edhe u thotë atyre: Ejani pas meje, edhe do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.
20 Edhe ata menjëherë lanë rrjetat, e shkuan pas tij.
21 Edhe si shkoi më tej, pa dy vëllezër të tjerë, Jakovin, të birin e Zebedeut, edhe Joanin, të vëllain e tij, në lundër bashkë me Zebedeun, të atin e tyre, duke rregulluar rrjetat e tyre, edhe i thirri ata.
22 Edhe ata përnjëherë lanë lundrën edhe të atin e tyre, edhe shkuan pas tij.
23 Edhe Jisui vinte përqark gjithë Galilesë, duke mësuar nëpër sinagogat e tyre, edhe duke predikuar ungjillin e mbretërisë, edhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.
24 Edhe shkoi zëri i tij nëpër gjithë Sirinë, edhe sollën tek ai gjithë ata që kishin keq, që vuanin prej sëmundjesh dhe mundimesh të ndryshme, edhe të demonizuar, epileptikë, e të paralizuar; edhe i shëroi ata.
25 Edhe i shkuan pas shumë turma nga Galilea e nga Dekapoli e nga Jerusalemi e nga Judea edhe që përtej Jordanit.

-5-

1 Edhe kur pa turmat, u ngjit në mal, edhe si ndenji, i erdhën pranë nxënësit e tij.
2 Edhe hapi gojën e tij, e i mësonte, duke thënë:
3 Lum të varfërit në shpirt, sepse e tyrja është mbretëria e qiejve.
4 Lum ata që mbajnë zi, sepse ata do të ngushëllohen.
5 Lum ata që janë të butë, sepse ata do të trashëgojnë dhenë.
6 Lum ata që kanë uri e etje për drejtësinë, sepse ata do të ngopen.
7 Lum përdëllimtarët, sepse ata do të përdëllehen.
8 Lum të pastrit në zemër, sepse ata do të shohin Perëndinë.
9 Lum paqebërësit, sepse ata do të quhen bij Perëndie.
10 Lum ata që ndiqen për hir të drejtësisë, sepse e tyrja është mbretëria e qiejve.
11 Të lumur jeni ju, kur t’ju poshtërojnë e t’ju përndjekin, e të thonë kundër jush çdo lloj fjale të keqe duke gënjyer për shkakun tim.
12 Gëzohuni e ngazëllohuni, sepse paga juaj është e shumtë në qiej. Sepse kështu përndoqën edhe profetët përpara jush.
13 Ju jeni kripa e dheut. Po në u prishtë kripa, me se do të kripet? Për asgjë nuk vlen më, përveçse të hidhet jashtë, dhe të shkelet nga njerëzit.
14 Ju jeni drita e botës. Një qytet që është mbi mal nuk mund të fshihet.
15 As nuk ndezin kandilin, që ta vënë atë nën shinik, po e vënë mbi kandiler, edhe ndriçon të gjithë ata në shtëpi.
16 Kështu le të ndriçojë drita juaj përpara njerëzve, që të shohin punët tuaja të mira, e të lavdërojnë Atin tuaj që është në qiejt.
17 Mos kujtoni se erdha të hedh poshtë ligjin a profetët. Nuk erdha të hedh poshtë, po të përmbush.
18 Sepse me të vërtetë po ju them juve, deri sa të shkojë qielli edhe dheu, as një jota a një pikë nuk do të shkojë nga ligji, deri sa të bëhen të gjitha.
19 Ai pra që të shkelë qoftë edhe një nga këto urdhërimet më të vogla, edhe të mësojë kështu njerëzit, shumë i vogël do të quhet në mbretërinë e qiejve; ndërsa ai që t’i bëjë e të mësojë të tjerët, ky do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve.
20 Sepse po ju them juve, se në mos teproftë drejtësia juaj më tepër se ajo e shkruesve edhe e Farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve.
21 Keni dëgjuar se u është thënë të vjetërve: “Mos vrit”, edhe ai që të vrasë do të jetë fajtor për në gjyq.
22 Por unë po ju them juve se kushdo që zemërohet më kot kundër vëllait të tij, do të jetë fajtor për në gjyq, edhe ai që t’i thotë të vëllait: “raka”, do të jetë fajtor për në Këshill; edhe ai që t’i thotë: “i marrë”, do të jetë fajtor për në gjehenë të zjarrit.
23 Në prufsh, pra, dhuratën tënde në therore, edhe atje kujtohesh, se yt vëlla ka diçka kundër teje, 24 lëre atje dhuratën tënde përpara therores, edhe shko e pajtohu më parë me tët vëlla, edhe atëherë, si të vish, sill dhuratën tënde.
25 Merru vesh shpejt me ndërgjygjësin tënd, deri sa të jesh në udhë bashkë me të; se mos të të dorëzojë ndërgjygjësi te gjyqtari, edhe gjyqtari të dorëzojë tek rojtari, e hidhesh në burg.
26 Me të vërtetë po të them ty: Nuk do të dalësh andej, deri sa të shlyesh edhe qindarkën e fundit.
27 Keni dëgjuar se është thënë: “Mos shkel kurorën”.
28 Po unë po ju them juve, se kushdo që vë re grua me dëshirim, ka kryer kurorëshkelje në zemër të tij.
29 Edhe në të skandalizoftë syri yt i djathtë, nxirre atë e hidhe prej teje; sepse është më mirë për ty të humbasë një nga gjymtyrët tuaja, edhe të mos hidhet tërë trupi yt në gjehenë.
30 Edhe në të skandalizoftë dora jote e djathtë, preje atë, edhe hidhe prej teje, sepse është më mirë për ty të humbasë një nga gjymtyrët tuaja, edhe të mos hidhet tërë trupi yt në gjehenë.
31 Edhe është thënë, se ai që të lërë gruan e tij, le t’i japë asaj letrën e ndarjes.
32 Ndërsa unë po ju them juve, se ai që të lërë gruan e tij, përveçse për arsye kurvërie, e bën atë të shkelë kurorën; edhe ai që të marrë grua të ndarë shkel kurorën.
33 Përsëri keni dëgjuar se u është thënë të vjetërve: Mos bëj be në të rreme, por t’i mbash betimet e tua te Zoti.
34 Por unë po ju them juve, të mos bëni be fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë;
35 as për dhenë, sepse është nënkëmbëse e këmbëve të tij; as për Jerusalemin, sepse është qytet i mbretit të madh.
36 As për kryet tënd të mos bësh be, sepse nuk mund të bësh një qime të bardhë a të zezë.
37 Por le të jetë fjala juaj: Po, po; Jo, jo; sepse e tepërta e këtyre është nga i ligu.
38 Keni dëgjuar se është thënë: “Sy në vend të syrit, edhe dhëmb në vend të dhëmbit”.
39 Por unë po ju them juve, të mos i qëndroni kundër të ligut; por atij që të të bjerë ty një shuplakë në faqen tënde të djathtë, ktheja atij edhe tjetrën.
40 Edhe atij që don të hedhi ty në gjyq, e të marrë këmishën tënde, lëri atij edhe rrobën.
41 Edhe ai që të merr ty angari një milje, ec bashkë me atë dy.
42 Jepi atij që lyp prej teje; edhe mos e kthe fytyrën mënjanë prej atij që do hua prej teje.
43 Keni dëgjuar se është thënë: Të duash të afërmin tënd, edhe të urresh armikun tënd.
44 Por unë po ju them juve: Doni armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë juve, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë, edhe lutuni për ata që ju bëjnë keq e ju përndjekin ju;
45 që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiejt, sepse ai bën diellin e tij të lindë mbi të ligj e mbi të mirë, edhe lëshon shiun mbi të drejtë e mbi të padrejtë.
46 Sepse në doni ata që ju duan, çfarë page keni? A nuk bëjnë të njëjtën edhe tagrambledhësit?
47 Edhe në përshëndetshi vetëm vëllezërit tuaj, ç’bëni më tepër? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?
48 Bëhuni, pra, ju të përsosur, siç është i përsosur Ati juaj që është në qiejt.

-6-

1 Kini kujdes të mos bëni lëmoshën tuaj përpara njerëzve, që të shiheni nga ata; në mos, nuk keni pagë pranë Atit tuaj që është në qiejt.
2 Kur të bësh pra lëmoshën, mos i bjer trumbetës përpara teje, siç bëjnë hipokritët nëpër sinagoga e nëpër udhë, që të lavdërohen nga njerëzit; me të vërtetë po ju them juve, se ata e kanë marrë pagën e tyre.
3. Por ti, kur të bësh lëmoshën, le të mos e marrë vesh e majta jote se ç’bën e djathta jote;
4 që të jetë lëmosha jote fshehurazi; dhe Ati yt që sheh fshehurazi, ai do të ta shpërblejë ty haptas.
5 Edhe kur të lutesh, mos ji si hipokritët; sepse ata duan të luten duke qëndruar nëpër sinagogat e nëpër qoshet e rrugëve, që t’u duken njerëzve; me të vërtetë po ju them juve se ata e kanë marrë pagën e tyre.
6 Po ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, edhe mbyll derën tënde, e lutiu Atit tënd që është në të fshehtë; edhe Ati yt që sheh fshehurazi, do të ta shpërblejë ty haptas.
7 Edhe kur të luteni, mos thoni fjalë të tepërta, si kombet; sepse pandehin se me fjalët e shumta të tyre do të dëgjohen.
8 Mos u ngjani pra atyre; sepse Ati juaj e di për ç’gjë keni nevojë, para se të lypni ju prej tij.
9 Po ju lutuni kështu:
Ati ynë që je në qiejt, u shenjtëroftë emri yt,
10 ardhtë mbretëria jote, u bëftë dëshira jote, si në qiell, ashtu edhe mbi dhe.
11 Bukën tonë të përditshme jepna neve sot, 12 edhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë;
13 edhe mos na shtjer në ngasje, po shpëtona nga i ligu; se jotja është mbretëria dhe fuqia e lavdia në jetë të jetëve. Amin.
14 Sepse nëse ua falni njerëzve fajet e tyre, do t’jua falë edhe juve Ati juaj qiellor.
15 Po nëse nuk ua falni njerëzve fajet e tyre, as Ati juaj nuk do të falë fajet tuaja.
16 Edhe kur të agjëroni, mos u bëni të vrenjtur si hipokritët; sepse ata prishin fytyrat e tyre, që të duken ndër njerëzit se agjërojnë. Me të vërtetë po ju them juve, se ata e kanë marrë pagën e tyre. 17 Por ti, kur të agjërosh, lyej kryet tënd, dhe laj fytyrën tënde;
18 që të mos dukesh tek njerëzit se agjëron, por tek Ati yt, që është në të fshehtë; dhe Ati yt që sheh fshehurazi, do të ta shpërblejë ty haptas.
19 Mos mblidhni thesarë për veten tuaj mbi dhe, ku krimbi dhe ndryshku i prish, edhe ku vjedhësit rrëmojnë dhe vjedhin.
20 Po mblidhni thesarë për veten tuaj në qiell, ku nuk i prish as krimb as ndryshk, edhe ku vjedhësit nuk rrëmojnë as vjedhin.
21 Sepse ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.
22 Kandili i trupit është syri. Në qoftë pra se syri yt është i kthjellët, gjithë trupi yt do të jetë i ndritshëm.
23 Po në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë i errët. Në qoftë pra se drita që gjendet tek ti është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira?
24 Asnjë s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose njërin do ta urrejë, edhe tjetrin do ta dojë; ose njërit do t’i ngjitet prapa, edhe tjetrit do t’i kthejë krahët. Nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe Mamonait.
25 Prandaj po ju them juve: Mos u shqetësoni për jetën tuaj, ç’të hani edhe ç’të pini; as për trupin tuaj ç’të vishni. A nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi, edhe trupi se të veshurit?
26 Vështroni shpendët e qiellit, se nuk mbjellin as nuk korrin, as nuk mbledhin në grunarë, edhe Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk ndryshoni ju më tepër se ata?
27 Po cili nga ju duke u shqetësuar mund të shtojë një kut në shtatin e tij?
28 Edhe pse shqetësoheni për veshjen? Vështroni zambakët e arës, si rriten; as mundohen, as endin.
29 Po ju them juve, se as Solomoni me gjithë lavdinë e tij nuk qe veshur ashtu si një nga këto. 30 Po në qoftë se barin e arës, që sot është e nesër hidhet në furrë, Perëndia e vesh kështu, a nuk do t’ju veshë ju shumë më tepër, o besëpakë? 31 Po mos u shqetësoni pra duke thënë: ç’të hamë a ç’të pimë a ç’të veshim?
32 Sepse gjithë këto i kërkojnë me ngulm kombet; sepse Ati juaj qiellor e di se keni nevojë për gjithë këto.
33 Po kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë, dhe drejtësinë e tij; dhe këto të gjitha do t’ju shtohen juve.
34 Mos u shqetësoni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të shqetësohet për punët e saj; mjaft është në çdo ditë e keqja e saj.

-7-

1 Mos gjykoni, që të mos gjykoheni.
2 Sepse me çfarë gjykimi gjykoni, do të gjykoheni; edhe me çfarë matësi matni, do t’ju matet edhe juve.
3 Edhe pse shikon lëmishten në sy të vëllait tënd, edhe ja traun që është në syrin tënd nuk e ndjen? 4 Ose si do t’i thuash vëllait tënd: Le të nxjerr lëmishten nga syri yt, edhe ja trari tek është në syrin tënd?
5 Hipokrit, nxirr më përpara traun nga syri yt, edhe atëherë do të shohësh mirë të nxjerrësh lëmishten nga syri i tët vëllai.
6 Mos ua jepni të shenjtën qenve; as mos hidhni margaritarët tuaj përpara derrave, se mos i shkelin ata me këmbët e tyre, edhe kthehen e ju shqyejnë juve.
7 Lypni, edhe do t’ju jepet; kërkoni edhe do të gjeni; trokitni, edhe do t’ju hapet.
8 Sepse kushdo që lyp merr, dhe ai që kërkon gjen, edhe atij që troket do t’i hapet.
9 Apo cili është ai njeri nga ju, i cili, në kërkoftë i biri bukë, do t’i japë atij gur?
10 Edhe në kërkoftë peshk, mos do t’i japë atij gjarpër?
11 Në qoftë pra se ju që jeni të ligj dini t’u jepni gjëra të mira bijve tuaj, sa më tepër Ati juaj që është në qiejt do t’u japë të mira atyre që lypin nga ai?
12 Gjithë sa të doni, pra, t’ju bëjnë juve njerëzit, kështu u bëni edhe ju atyre; sepse ky është ligji dhe profetët.
13 Hyni nëpër derën e ngushtë; sepse e gjerë është dera dhe e hapët udha që çon në humbje, dhe shumë janë ata që hyjnë përmes saj.
14 Se e ngushtë është dera dhe e shtrënguar është udha që çon në jetë, dhe të paktë janë ata që e gjejnë atë.
15 Kini kujdes nga profetët e rremë, të cilët vijnë tek ju me veshje dhensh, po përbrenda janë ujq që rrëmbejnë.
16 Nga frytet e tyre do t’i njihni mirë ata. A mos mbledhin rrush nga drizat apo fiq nga murrizat?
17 Kështu, çdo pemë e mirë bën frute të mira; po pema e keqe bën fryte të liga.
18 Pema e mirë s’mund të bëjë fryte të liga, as pema e keqe të bëjë fryte të mira.
19 Çdo pemë që s’bën fryt të mirë pritet e hidhet në zjarr.
20 Prandaj nga frytet e tyre do t’i njihni mirë ata.
21 Nuk do të hyjë në mbretërinë e qiejve kushdo që më thotë: Zot, Zot; por ai që bën dëshirën e Atit tim që është në qiejt.
22 Shumë veta do të më thonë atë ditë: Zot, Zot, a nuk profetizuam në emrin tënd, edhe në emrin tënd nxorëm demonë, edhe në emrin tënd bëmë shumë çudira?
23 Po atëherë do t’u rrëfej atyre se kurrë nuk ju kam njohur juve. Ikni prej meje ju që punoni paudhësinë.
24 Kushdo, pra, që dëgjon këto fjalët e mia edhe i bën ato, do ta përngjaj atë me një njeri të mençur që ndërtoi shtëpinë e tij mbi shkëmb.
25 Edhe ra shiu, e erdhën lumenjtë, e frynë erërat edhe u përpoqën pas asaj shtëpie, po nuk u rrëzua; sepse ishte themeluar mbi shkëmb.
26 Edhe kushdo që dëgjon këto fjalët e mia, edhe nuk i bën, do t’i ngjajë një njeriu të marrë, që ndërtoi shtëpinë e tij mbi rërë,
27 edhe ra shiu e erdhën lumenjtë e frynë erërat, edhe u përpoqën pas asaj shtëpie, edhe u rrëzua; edhe rrëzimi i saj ishte i madh.
28 Edhe kur mbaroi Jisui këto fjalë, turmat habiteshin për mësimin e tij. Sepse i mësonte ata si një që ka pushtet e jo si shkruesit.

-8-

1 Edhe kur zbriti nga mali, i shkuan prapa shumë turma.
2 Edhe ja tek erdhi një i lebrosur e iu fal atij, duke thënë: Zot, nëse do, mund të më pastrosh.
3 Edhe Jisui zgjati dorën, edhe e preku duke thënë: Dua, pastrohu. Edhe menjëherë iu pastrua lebra.
4 Edhe Jisui i thotë atij: Shiko mos i thuash askujt; po shko e tregoje veten tënde tek prifti, edhe blato dhuratën që ka urdhëruar Moisiu si dëshmi për ata.
5 Edhe kur hyri ai në Kapernaum, i erdhi pranë një kryeqindës, duke iu lutur atij, e duke thënë:
6 Zot, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar, edhe mundohet keq.
7 Edhe Jisui i thotë atij: Unë do të vij e do ta shëroj.
8 Edhe kryeqindësi u përgjigj e tha: Zot, nuk jam i denjë që të hysh nën strehën time, por thuaj vetëm një fjalë, edhe shërbëtori im do të shërohet.
9 Sepse edhe unë jam një njeri nën urdhër edhe kam nën veten time ushtarë, edhe i them këtij: Shko, edhe shkon; edhe tjetrit: Eja, edhe vjen; edhe shërbëtorit tim: Bëj këtë, edhe e bën.
10 Edhe Jisui kur dëgjoi u mrekullua, e u tha atyre që i vinin prapa: Me të vërtetë po ju them juve, se as në Izrael nuk kam gjetur kaq besim.
11 Edhe po ju them juve, se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, edhe do të rrinë bashkë me Abrahamin e me Isaakun e me Jakovin në mbretërinë e qiejve.
12 Por të bijtë e mbretërisë do të hidhen në errësirën e jashtme; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.
13 Edhe Jisui i tha kryeqindësit: Shko, edhe t’u bëftë sikundër besove. Edhe shërbëtori i tij u shërua që në atë çast.
14 Edhe kur erdhi Jisui në shtëpi të Pjetrit, pa të vjehrrën e atij që po dergjej ndër ethe.
15 Edhe preku dorën e saj edhe e lanë ethet. Dhe ajo u ngrit e i shërbente atij.
16 Edhe si u ngrys, i prunë atij shumë të demonizuar; edhe ai nxori frymët e ndyra me fjalë, edhe i shëroi të gjithë ata që kishin keq;
17 që të përmbushet ç’është thënë nga profeti Isaia, që thotë: “Ai mori sëmundjet tona, edhe mbajti lëngatat tona”.
18 Edhe Jisui kur pa shumë turma rreth vetes së tij, urdhëroi që të shkojnë përtej.
19 Edhe një shkrues u afrua e i tha atij: Mësues, do të vij pas teje kudo që të shkosh.
20 Edhe Jisui i thotë atij: Dhelprat kanë strofka, edhe shpendët e qiellit fole; po i biri i njeriut s’ka ku të mbështesë kryet.
21 Pastaj një tjetër nga nxënësit e tij i thotë: Zot, lermë përpara të shkoj të varros tim atë.
22 Po Jisui i tha atij: Eja pas meje, edhe lëri të vdekurit varrosin të vdekurit e tyre.
23 Edhe kur hyri në lundër, i shkuan pas nxënësit e tij.
24 Edhe ja tek u bë një tërmet i madh në det, aq sa po mbulohej lundra nga valët; por ai flinte.
25 Edhe nxënësit e tij i erdhën pranë edhe e ngritën atë, duke thënë: Zot, shpëtona, se po humbasim.
26 Edhe ai u thotë atyre: Pse jeni frikacakë, o besëpakë? Atëherë u ngrit e qortoi erërat edhe detin, edhe u bë bunacë e madhe.
27 Edhe njerëzit u çuditën, duke thënë: Cili qenka ky që edhe erërat edhe deti i binden?
28 Edhe kur erdhi ai në anën e përtejme, në vendin e Gjergjesinëve, i dolën përpara dy të demonizuar, që dilnin nga varret, fort të egër, kaq sa s’mund të shkonte njeri nga ajo udhë.
29 Edhe ja tek bërtitën duke thënë: Çfarë ka mes nesh dhe teje, o Jisu, bir i Perëndisë? Erdhe këtu përpara kohës që të na mundosh?
30 Edhe larg atyre ishte një tufë e madhe derrash duke kullotur.
31 Edhe demonët i luteshin atij, duke thënë: Po na nxore që këtej, lërna të shkojmë në tufën e derrave.
32 Edhe u tha atyre: Shkoni. Edhe ata dolën e shkuan në tufën e derrave. Edhe ja gjithë tufa e derrave tek u hodh nga gremina në det, edhe ngordhën në ujërat.
33 Edhe barinjtë ikën e erdhën në qytet, e lajmëruan për të gjitha edhe për sa u ndodhi të demonizuarve.
34 Edhe ja gjithë qyteti tek doli për të takuar Jisuin; edhe kur e panë atë, iu lutën të ikë nga kufijtë e tyre.

-9-

1 Edhe si hyri në lundër, u hodh përtej, e erdhi në qytetin e tij.
2 Edhe ja tek i prunë një të paralizuar të dergjur mbi shtrat; edhe Jisui si pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: Merr zemër, o bir, të janë falur mëkatet.
3 Edhe ja ca nga shkruesit tek thanë me veten e tyre: Ky po blasfemon.
4 Edhe Jisui si pa mendimet e tyre, tha: Përse mendoni ju ligësira në zemrat tuaja?
5 Sepse ç’është më lehtë, të them: T’u falën mëkatet; apo të them: Ngrihu e ec?
6 Po që ta dini se i Biri i njeriut ka pushtet mbi dhe të falë mëkate, – atëherë i thotë të paralizuarit: – Çohu, ngri shtratin tënd, edhe shko në shtëpinë tënde.
7 Edhe ai u ngrit edhe shkoi në shtëpinë e tij.
8 Edhe turmat, kur panë, u çuditën, edhe lavdëruan Perëndinë, që u dha njerëzve një pushtet të këtillë.
9 Edhe duke shkuar Jisui andej, pa një njeri të quajtur Mathe, duke ndenjur në doganë. Edhe i thotë: Eja pas meje. Edhe ai u ngrit e shkoi pas tij.
10 Edhe ndodhi që tek po rrinte në shtëpi të Matheut, ja tek erdhën shumë tagrambledhës e mëkatarë, edhe rrinin bashkë me Jisuin edhe me nxënësit e tij.
11 Edhe Farisenjtë kur panë, u thanë nxënësve të tij: Përse mësuesi juaj ha bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë?
12 Po Jisui kur dëgjoi, u tha atyre: Ata që janë të shëndoshë s’kanë nevojë për mjek, por ata që kanë keq.
13 Edhe shkoni e mësoni ç’është “Dua përdëllim, e jo therore”, sepse s’kam ardhur të thërres të drejtë, por mëkatarë në pendim.
14 Atëherë vijnë tek ai nxënësit e Joanit, e i thonë: Përse ne dhe Farisenjtë agjërojmë shumë, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë?
15 Edhe Jisui u tha atyre: Mos mundin të mbajnë zi dasmorët, deri sa të jetë dhëndëri bashkë me ata? Por kanë për të ardhur ditë kur të merret dhëndëri prej tyre, edhe atëherë do të agjërojnë.
16 Edhe askush nuk vë arnë një copë pëlhure të re mbi një rrobë të vjetër, sepse mbushja e saj tërheq nga rroba, edhe grisja bëhet më e keqe.
17 As nuk vënë verë të re në shakuj të vjetër; përndryshe shakujt çahen, e vera derdhet edhe shakujt humbasin; por vënë verë të re në shakuj të rinj, edhe kështu ruhen të dyja.
18 Ndërsa ai po u fliste atyre këto, ja tek erdhi një i parë, edhe i lutej në gjunjë atij, duke thënë se ime bijë sapo vdiq; por eja edhe vër dorën tënde mbi të, edhe do të rrojë.
19 Edhe Jisui u ngrit e i shkoi prapa, bashkë me nxënësit e tij.
20 Edhe ja një grua që i rridhte gjak nga vetja prej dymbëdhjetë vjetësh, u afrua nga prapa, dhe preku anën e rrobës së tij.
21 Sepse thoshte me veten e saj: Vetëm në preksha rrobën e tij, do të shpëtoj.
22 Edhe Jisui pasi u kthye edhe e pa atë, tha: Ki guxim, bijë; besimi yt të shpëtoi. Edhe gruaja shpëtoi që në atë çast.
23 Edhe Jisui pasi erdhi në shtëpinë e të parit, edhe pa fyelltarët edhe turmën duke bërë gjëmë, u thotë atyre:
24 Ikni, sepse vashëza nuk vdiq, por po fle. Por ata e përqeshnin atë.
25 Edhe turma si u nxor jashtë, hyri edhe e zuri prej dore; edhe vashëza u ngrit.
26 Edhe kjo famë doli nëpër gjithë atë dhe.
27 Edhe duke ikur Jisui andej, i shkuan prapa dy të verbër, duke klithur e duke thënë: Përdëllena, o bir i Davidit.
28 Edhe kur erdhi ai në shtëpi, erdhën pranë tij të verbërit, edhe Jisui u thotë atyre: Besoni se mund ta bëj këtë? Ata i thonë atij: Po, Zot.
29 Atëherë preku sytë e tyre duke thënë: Sipas besimit tuaj u bëftë në ju.
30 Edhe u hapën sytë e tyre. Edhe Jisui i porositi ata rreptësisht, duke thënë: Shikoni të mos e marrë vesh njeri.
31 Po ata sa dolën e përhapën famën e tij nëpër gjithë atë dhe.
32 Edhe kur po dilnin ata, ja tek i prunë atij një njeri shurdh të demonizuar.
33 Edhe si u nxor demoni, foli i shurdhëri. Edhe turmat u çuditën, duke thënë se kurrë ndonjëherë nuk është parë kështu në Izrael.
34 Por Farisenjtë thoshin: Me anë të të parit të demonëve i nxjerr demonët.
35 Edhe Jisui shkonte përqark nëpër gjithë qytetet e fshatrat, duke mësuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke predikuar ungjillin e mbretërisë duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.
36 Edhe kur pa turmën, u dhembshurua për ta, sepse ishin të drobitur e të shpërndarë posi dhen që s’kanë bari.
37 Atëherë u thotë nxënësve të tij: Të korrat janë të shumta, po punëtorët janë të paktë.
38 Lutjuni pra të zotit të të korrave, që të nxjerrë punëtorë për të korrat e tij.

-10-

1 Edhe si thirri pranë të dymbëdhjetë nxënësit e tij, u dha atyre pushtet kundër frymëve të ndyra, që t’i nxjerrin ato edhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë.
2 Edhe emrat e të dymbëdhjetë Apostujve janë këto: i pari, Simoni, i quajtur Pjetër, edhe Andrea, vëllai i tij; Jakovi i Zevedheut edhe Joani vëllai i tij;
3 Filipi dhe Bartolomeu; Thomai edhe Mathe tagrambledhësi; Jakovi i Alfeut edhe Leveu i mbiquajtur Tadé;
4 Simon Kananeasi edhe Juda Iskarioti, i cili edhe e tradhtoi atë.
5 Këta të dymbëdhjetë dërgoi Jisui, pasi i porositi ata, duke thënë: Në udhë kombesh mos shkoni, edhe në qytet samaritanësh mos hyni;
6 por shkoni më tepër nëpër dhentë e humbura të shtëpisë së Izraelit.
7 Edhe duke shkuar, predikoni duke thënë se u afrua mbretëria e qiejve.
8 Shëroni të sëmurë, pastroni lebrozë, ngjallni të vdekur, nxirrni demonë; falas morët, falas jepni. 9 Mos mbani ar, as argjend, as bakër në brezat tuaj,
10 as trastë në udhë, as dy këmishë, as këpucë, as shkop; sepse punëtori e meriton ushqimin e tij.
11 Edhe në çdo qytet a fshat që të hyni, vëzhgoni cili është i denjë në të, edhe qëndroni atje deri sa të dilni.
12 Edhe kur të hyni në një shtëpi, përshëndeteni atë.
13 Edhe në qoftë shtëpia e denjë, paqja juaj le të vijë mbi të; por në mos qoftë e denjë, paqja juaj le të kthehet në ju.
14 Edhe atij që të mos ju presë ju, as të mos dëgjojë fjalët tuaja, kur të dilni jashtë prej asaj shtëpie, a prej atij qyteti, shkundni pluhurin e këmbëve tuaja.
15 Me të vërtetë po ju them juve, se më i durueshëm do të jetë dënimi për tokën e Sodomës e të Gomorrës në ditët e gjyqit, se për atë qytet.
16 Ja tek po ju dërgoj unë juve si dhen në mes të ujqve; bëhuni pra të mençur si gjarpërinjtë, dhe të pastër si pëllumbat.
17 Edhe ruhuni nga njerëzit; sepse do t’ju dorëzojnë ju nëpër kuvende, edhe do t’ju fshikullojnë nëpër sinagogat e tyre;
18 Edhe do të silleni për shkakun tim përpara prijësve edhe përpara mbretërve, për dëshmi në ta dhe në kombet.
19 Po kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se si apo ç’do të flisni, sepse do t’ju jepet juve në atë orë se ç’do të flisni.
20 Sepse nuk jeni ju ata që flisni, po Fryma e Atit tuaj që flet ndër ju.
21 Edhe vëllai do të dorëzojë të vëllanë në vdekje, edhe i ati të birin; edhe bijtë do të ngrenë krye kundër prindërve e do t’i vrasin.
22 Edhe do të urreheni nga të gjithë për emrin tim; por ai që të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë.
23 Edhe kur t’ju ndjekin ju në këtë qytet, ikni në tjetrin; sepse me të vërtetë po ju them juve: Nuk do t’i mbaroni dot qytetet e Izraelit, deri sa të vijë i biri i njeriut.
24 Nuk është nxënësi përmbi mësuesin, as shërbëtori përmbi të zotin.
25 Mjafton për nxënësin të bëhet si mësuesi i tij, edhe shërbëtori si i zoti. Në qoftë se të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebul, sa më shumë pjesëtarët e shtëpisë së tij?
26 Mos u keni frikë pra atyre; sepse nuk ka asgjë të mbuluar që nuk do të zbulohet; edhe të fshehur që nuk do të njihet.
27 Atë që po ju them juve në errësirë, thuajeni në dritë, edhe atë që dëgjoni në vesh, shpalleni mbi çati.
28 Edhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, po shpirtin s’mund ta vrasin; por kini frikë më shumë nga ai që mund të humbasë në gjehenë edhe shpirtin edhe trupin.
29 A nuk shiten dy harabela për një aspër? Por as edhe një nga ata nuk do të bjerë mbi dhe, pa lejen e Atit tuaj.
30 Po juve edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës ju janë të numëruara.
31 Mos kini frikë, pra; ju ndryshoni nga shumë harabel.
32 Kushdo, pra, që të më pohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta pohoj atë përpara Atit tim që është në qiejt.
33 Por këdo që të më mohojë përpara njerëzve, do ta mohoj edhe unë atë përpara Atit tim që është në qiejt.
34 Mos pandehni se kam ardhur të vë paqe mbi dhe; s’kam ardhur të vë paqe, por thikë.
35 Sepse kam ardhur të ndaj njeriun kundër të atit, edhe bijën kundër së ëmës, edhe nusen kundër së vjehrrës.
36 Edhe armiqtë e njeriut do të jenë pjesëtarët e shtëpisë së tij.
37 Ai që do të atin ose të ëmën më tepër se mua, nuk është i denjë për mua; edhe ai që do bir a bijë më tepër se mua, nuk është i denjë për mua. 38 Edhe ai që nuk merr kryqin e tij e nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua.
39 Ai që gjeti jetën e tij, do ta humbasë; edhe ai që të humbasë jetën e tij për shkakun tim, do ta gjejë atë.
40 Ai që ju pret ju, më ka pritur mua; dhe ai që më pret mua, ka pritur atë që më ka dërguar mua. 41 Ai që pret profet në emër profeti, pagë profeti do të marrë; edhe ai që pret të drejtë në emër të drejti, pagë të drejti do të marrë.
42 Edhe ai që t’i japë vetëm një kupë ujë të ftohtë ndonjërit nga këta të vegjëlit në emër nxënësi, me të vërtetë po ju them juve, se nuk do ta humbasë pagën e tij.

-11-

1 Edhe ndodhi që kur mbaroi Jisui së porosituri të dymbëdhjetë nxënësit e tij, iku andej, që të mësojë e të predikojë nëpër qytetet e tyre.
2 Edhe Joani kur dëgjoi në burg punët e Krishtit, dërgoi dy nga nxënësit e tij,
3 e i tha atij: Ti je ai që ka për të ardhur, apo të presim tjetër?
4 Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Shkoni e lajmëroni Joanin për ato që dëgjoni e shihni.
5 Të verbër shohin edhe të çalë ecin; lebrozë pastrohen edhe të shurdhër dëgjojnë; të vdekur ngjallen edhe të varfër ungjillëzohen. 6 Edhe i lumtur është ai që nuk do të skandalizohet për mua.
7 Edhe tek po shkonin këta, Jisui zuri t’i thotë turmës për Joanin: Çfarë dolët të shikoni në shkretëtirë? Kallam që tundet nga era?
8 Po çfarë dolët të shihni? Njeri të veshur me rroba të buta? Ja ata që kanë veshur rroba të buta tek janë nëpër shtëpitë e mbretërve.
9 Po çfarë dolët të shihni? Profet? Me të vërtetë po ju them juve, edhe më tepër se profet.
10 Sepse ky është ai për të cilin është shkruar: “Ja unë tek dërgoj engjëllin tim përpara faqes sate, i cili do të përgatisë udhën tënde përpara teje”.
11 Me të vërtetë po ju them juve, se në mes të atyre që kanë lindur prej grash nuk është ngritur ndonjë më i madh se Joan Pagëzori. Por më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai.
12 Edhe që nga ditët e Joan Pagëzorit e deri tani mbretëria e qiejve pëson dhunë edhe të dhunshmit e rrëmbejnë atë.
13 Sepse gjithë profetët dhe ligji profetizuan deri te Joani.
14 Edhe në doni ta pranoni këtë gjë, ai është Ilia që do të vijë.
15 Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë. 16 Po me se ta përngjaj këtë brez? U ngjan fëmijëve që rrinë nëpër tregjet edhe u thërrasin shokëve të tyre, e thonë:
17 I ramë fyellit për ju edhe nuk kërcyet; u bëmë vaj edhe nuk qatë.
18 Sepse erdhi Joani që as hante, as pinte, edhe thonë: Ka djallin.
19 Erdhi i Biri i njeriut duke ngrënë e duke pirë, e thonë: Ja një njeri hamës e verëpirës, mik tagrambledhësish e mëkatarësh. Edhe doli e drejtë dituria nga bijtë e saj.
20 Atëherë zuri të qortojë ashpër qytetet, në të cilat u bënë çuditë më të shumta të tij, sepse nuk u penduan:
21 Mjerë ti, Horazin! Mjerë ti, Betsaida! Sepse çuditë që janë bërë tek ju, po të ishin bërë në Tir e në Sidonë, qëkur do të ishin penduar të veshur në thes e të ulur në hi.
22 Veç po ju them juve: Në Tir e në Sidonë më i durueshëm do të jetë dënimi në ditët e gjyqit, se për ju.
23 Edhe ti, Kapernaum, që je ngritur lart deri në qiell, do të zbresësh deri në had; sepse këto çudi që janë bërë tek ti, po të ishin bërë në Sodomë, do të kishte mbetur deri në ditët e sotme.
24 Veç po ju them juve, se për dheun e Sodomës më i durueshëm do të jetë dënimi në ditët e gjyqit se për ty.
25 Në atë kohë Jisui u përgjigj e tha: Të lavdëroj ty, o Atë, Zot i qiellit edhe i dheut, se ua fshehe këto të diturve e të mençurve, edhe ua zbulove ato fëmijëve.
26 Po, o Atë, sepse kështu u bë e pëlqyer përpara teje.
27 Të gjitha m’u dhanë në dorë nga im Atë; edhe asnjë nuk e njeh Birin, veç Ati; edhe as Atin s’e njeh njeri, veç Biri edhe ai, të cilit do të dojë Biri t’ia zbulojë.
28 Ejani tek unë gjithë sa jeni të lodhur e të ngarkuar, edhe unë do t’ju preh ju.
29 Ngrini zgjedhën time mbi veten tuaj, edhe mësoni prej meje, se jam i butë dhe i përulur në zemër. Edhe do të gjeni prehje në shpirtrat tuaj. 30 Sepse zgjedha ime është e butë, edhe barra ime është e lehtë.

-12-

1 Në atë kohë Jisui shkoi nëpër të mbjellat një të shtunë; edhe nxënësve të tij u erdhi uri, edhe zunë të shkoqin kallinj e të hanë.
2 Edhe Farisenjtë kur panë i thanë atij: Ja nxënësit e tu tek bëjnë atë që nuk lejohet ta bëjnë të shtunën.
3 Po ai u tha atyre: A nuk keni lexuar ç’bëri Davidi, kur i erdhi uri atij edhe atyre që ishin bashkë me të?
4 Si hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e blatës, të cilat nuk ishte e lejueshme t’i hante ai, as ata që ishin bashkë me të, por vetëm priftërinjtë?
5 Apo nuk keni lexuar në ligj se të shtunave priftërinjtë e shkelin të shtunën në tempull, edhe janë të pafajshëm?
6 Edhe po ju them juve se këtu është një më i madh se tempulli.
7 Edhe po ta kishit ditur ç’është “Dua përdëllim, e jo therore”, nuk do t’i kishit dënuar të pafajshmit.
8 Sepse i Biri i njeriut është i zoti edhe i së shtunës.
9 Edhe si iku andej, erdhi në sinagogën e tyre.
10 Edhe ja tek ishte një njeri që kishte dorën të tharë; edhe e pyetën Jisuin, duke thënë nëse lejohet të shërojë dikush të shtunën; që ta paditnin atë.
11 Edhe ai u tha atyre: Cili nga ju është ai njeri, që, nëse do të ketë një dele, edhe në i rëntë kjo në gropë të shtunën, nuk do ta zërë e ta ngrejë atë?
12 Sa më tepër pra ndryshon njeriu nga delja! Prandaj lejohet të bësh mirë të shtunave.
13 Atëherë i thotë njeriut: Shtri dorën tënde. Edhe ai e shtriu, edhe ajo u bë përsëri e shëndoshë si tjetra.
14 Po Farisenjtë dolën e bënë këshillë kundër atij, si ta vrasin.
15 Po Jisui si e kuptoi, iku andej; edhe shkuan pas tij shumë turma, edhe i shëroi ata të gjithë. 16 Edhe i porositi ata rreptë të mos e shfaqin atë;
17 që të përmbushet ç’është thënë nga profeti Isaia, që thotë:
18 “Ja shërbëtori im që e zgjodha, i dashuri im, që e pëlqeu shpirti im; do të vë Frymën time mbi atë, edhe do t’u shpallë gjykimin kombeve.
19 Nuk do të grindet, as nuk do të bërtasë; as nuk do të dëgjojë ndonjë zërin e tij nëpër sheshe.
20 Kallam të dërrmuar nuk do të thyejë, edhe fitil liri që nxjerr tym nuk do të shuajë, derisa të nxjerrë gjykimin në fitore.
21 Edhe kombet do të shpresojnë në emrin e tij”.
22 Atëherë i prunë atij një të demonizuar, të verbër e të shurdhër, edhe e shëroi atë, kaq sa i verbëri dhe i shurdhëri edhe fliste edhe shihte. 23 Edhe gjithë turmat habiteshin e thoshin: Mos është ky i biri i Davidit?
24 Por Farisenjtë kur dëgjuan, thanë: Ky nuk i nxjerr demonët, veçse me anë të Beelzebulit, të parit të demonëve.
25 Edhe Jisui si njohu mendimet e tyre, u tha atyre: Çdo mbretëri që është ndarë kundër vetes, shkretohet; edhe çdo qytet a shtëpi që është ndarë kundër vetes, nuk do të qëndrojë.
26 Edhe Satanai në nxjerrtë Satanain, u nda kundër vetes. Si pra do të qëndrojë mbretëria e tij?
27 Dhe në qoftë se unë i nxjerr demonët me anë të Beelzebulit, bijtë tuaj me cilin i nxjerrin? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.
28 Por në qoftë se unë i nxjerr djajtë me anë të Frymës së Perëndisë, arriti pra tek ju mbretëria e Perëndisë.
29 Ose si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fortit, e të rrëmbejë enët e tij, në mos lidhtë më përpara të fortin, edhe atëherë ta plaçkitë shtëpinë e atij?
30 Ai që nuk është bashkë me mua, është kundër meje; edhe ai që nuk mbledh bashkë me mua, shpërndan.
31 Prandaj ju them juve: Çdo mëkat e çdo blasfemi do t’u ndjehet njerëzve; po blasfemia kundër Frymës nuk do t’u ndjehet njerëzve.
32 Edhe atij që të thotë fjalë kundër të Birit të njeriut, do t’i ndjehet; po atij që të thotë fjalë kundër Frymës së Shenjtë, nuk do t’i ndjehet as në këtë jetë, as në atë që vjen.
33 Ose bëni pemën të mirë dhe frytin e saj të mirë; ose bëni pemën të keqe dhe frytin e saj të keq; sepse pema njihet nga fryti.
34 Pjellë nepërkash, si mund të flisni të mira, duke qenë të ligj? Sepse goja flet nga teprica e zemrës.
35 Njeriu i mirë nxjerr të mirat nga thesari i mirë; dhe njeriu i lig nxjerr të liga nga thesari i lig.
36 Dhe po ju them juve se çdo fjalë të kotë që do të flasin njerëzit, do të japin llogari për atë në ditën e gjyqit.
37 Sepse nga fjalët e tua do të drejtësohesh, edhe nga fjalët e tua do të dënohesh.
38 Atëherë u përgjigjën disa nga shkruesit e nga Farisenjtë, duke thënë: Mësues, duam të shohim shenjë prej teje.
39 Edhe ai u përgjigj, e u tha atyre: Brez i lig dhe kurorëshkelës lyp shenjë; dhe shenjë nuk do t’i jepet atij, përveç shenjës së profetit Jona. 40 Sepse siç ishte Jonai në bark të peshkut të madh tri ditë e tri net, kështu do të jetë edhe Biri i njeriut në zemër të dheut tri ditë e tri net.
41 Burra Ninevitë do të ngjallen në gjykimin bashkë me këtë brez edhe do ta dënojnë; sepse u penduan në predikimin e Jonait; edhe ja këtu tek është më tepër se Jona.
42 Mbretëresha e Jugut do të ngjallet bashkë me këtë brez në gjykimin, edhe do ta dënojë atë; sepse erdhi nga anët e dheut, që të dëgjojë urtësinë e Solomonit; dhe ja këtu tek është më tepër se Solomoni.
43 Edhe fryma e ndyrë kur del nga njeriu shkon nëpër vende pa ujë, duke kërkuar prehje dhe nuk gjen.
44 Atëherë thotë: Do të kthehem në shtëpinë time, andej nga dola. Edhe si vjen, e gjen të zbrazët, të fshirë e të stolisur.
45 Atëherë shkon e merr me vete shtatë frymë të tjera më të liga se veten, edhe si hyjnë, banojnë atje; edhe të pastajmet e atij njeriu bëhen më të këqija se të parat. Kështu do të jetë me këtë brez të lig.
46 Edhe ndërsa ai ishte duke u folur turmave, ja e ëma edhe të vëllezërit e tij tek po rrinin jashtë, duke kërkuar të flisnin me të.
47 Edhe dikush i tha atij: Ja nëna jote dhe vëllezërit e tu tek po rrinë jashtë, e kërkojnë të flasin me ty.
48 Po ai u përgjigj e i tha atij që tha këtë: Cila është nëna ime, edhe cilët janë vëllezërit e mi? 49 Edhe shtriu dorën e vet mbi nxënësit e tij, e tha: Ja nëna ime edhe vëllezërit e mi.
50 Sepse kush të bëjë dëshirën e Atit tim që është në qiejt, ai më është vëlla dhe motër dhe nënë.

-13-

1 Edhe atë ditë si doli Jisui nga shtëpia, rrinte pranë detit.
2 Edhe u mblodhën tek ai shumë turma, kaq sa ai hyri në lundër e rrinte; edhe gjithë turma qëndronte buzë detit.
3 Edhe u foli atyre shumë me paravoli, duke thënë: Ja mbjellësi tek doli të mbjellë.
4 Edhe ndërsa ai po mbillte, disa fara ranë pranë udhës; edhe erdhën shpendët e i hëngrën të gjitha. 5 Edhe të tjera ranë mbi gurishte, ku s’kishte tokë shumë; edhe përnjëherë mbinë, se s’kishte tokë të thellë.
6 Po kur lindi dielli, u dogjën, edhe pasi nuk kishin rrënjë, u thanë.
7 Edhe të tjera ranë mbi gjemba, edhe u rritën gjembat, e i mbytën ato.
8 Edhe të tjera ranë mbi dhe të mirë; edhe jepnin fryt, njëra njëqind, e tjetra gjashtëdhjetë, e tjetra tridhjetë.
9 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
10 Edhe nxënësit erdhën pranë e i thanë atij: Përse u flet atyre me paravoli?
11 Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Sepse juve ju është dhënë të njihni të fshehtat e mbretërisë së qiejve, po atyre nuk u është dhënë.
12 Sepse atij që ka do t’i jepet edhe më e do të teprojë; kurse atij që nuk ka, edhe ç’të ketë do të merret nga ai.
13 Prandaj u flas atyre me paravoli, sepse duke parë nuk shohin, edhe duke dëgjuar nuk dëgjojnë, as nuk kuptojnë.
14 Edhe do të përmbushet në ata profecia e Isaisë, që thotë: “Për të dëgjuar do të dëgjoni, po nuk do të merrni vesh; edhe duke parë do të vështroni, po nuk do të shikoni.
15 Sepse u trash zemra e këtij populli, edhe veshët e tyre u rënduan në dëgjim, edhe sytë e tyre i mbyllën, se mos shohin ndonjëherë me sytë edhe dëgjojnë me veshët, edhe kuptojnë me zemrën, edhe kthehen, e i shëroj ata”.
16 Lum sytë tuaj, se shohin; edhe veshët tuaj, se dëgjojnë.
17 Sepse me të vërtetë po ju them juve, se shumë profetë edhe të drejtë dëshiruan të shohin sa shihni ju, edhe nuk panë; edhe të dëgjojnë sa dëgjoni ju, edhe nuk dëgjuan.
18 Ju pra dëgjoni paravolinë e mbjellësit.
19 Kujtdo që dëgjon fjalën e mbretërisë edhe nuk kupton, vjen i ligu dhe rrëmben atë që është mbjellë në zemrën e tij; ky është ajo që u mboll pranë udhës.
20 Edhe ç’u mboll mbi gurishte, ky është ai që dëgjon fjalën, edhe përnjëherë e merr me gëzim;
21 por s’ka rrënjë në veten e tij, prandaj është për pak kohë; sepse kur bëhet shtrëngim ose përndjekje për fjalën, menjëherë skandalizohet.
22 Edhe ç’u mboll ndër gjembat, ky është ai që dëgjon fjalën; por kujdesi i kësaj jete dhe mashtrimi i pasurisë mbysin fjalën, edhe bëhet i pafrytshëm.
23 Edhe ç’u mboll në tokë të mirë, ky është ai që dëgjon fjalën, dhe e kupton; prandaj ai sjell fryte, edhe bën njëri njëqind, edhe tjetri gjashtëdhjetë, e tjetri tridhjetë.
24 Një tjetër paravoli u pruri atyre, duke thënë: Mbretëria e qiejve ngjau me një njeri që mbolli farë të mirë në arën e tij.
25 Po ndërsa flinin njerëzit, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër në mes të grurit, edhe iku.
26 Edhe kur mbiu bari e bëri fryt, atëherë u dukën edhe egjërat.
27 Edhe shërbëtorët erdhën pranë të zotit të shtëpisë e i thanë: Zot, a nuk mbolle farë të mirë në arën tënde? Pra si ka egjra?
28 Po ai u tha atyre: Një njeri armik e ka bërë këtë. Edhe shërbëtorët i thanë atij: Do pra të shkojmë e t’i mbledhim ato?
29 Po ai tha: Jo, se mos vallë duke mbledhur egjërat, shkulni edhe grurin bashkë me to.
30 Lërini të rriten të dy bashkë deri në korrje edhe në kohën e korrjes do t’u them korrësve: Mblidhni më përpara egjërat edhe i lidhni në duaj për t’i djegur ato; ndërsa grurin mblidheni në grunarin tim.
31 Një tjetër paravoli u pruri atyre duke thënë:
Mbretëria e qiejve është e ngjashme me një kokërr sinapi, të cilën e mori një njeri edhe e mbolli në arën e tij.
32 Ajo është më e vogël se gjithë farërat, po kur rritet, është më e madhe se lakrat, edhe bëhet pemë, kaq sa vijnë zogjtë e qiellit e strehohen në degët e tij.
33 Një tjetër paravoli u foli atyre:
Mbretëria e qiejve është e ngjashme me brumë, të cilin e mori një grua edhe e fshehu në tri masa mielli, deri sa u mbrujt i gjithë.
34 Këto të gjitha ua foli Jisui turmave me paravolira, edhe pa paravoli nuk u fliste asgjë atyre;
35 që të përmbushet ç’është thënë nga profeti që thotë: “Do të hap gojën time me paravolira; do të flas të fshehta që nga themelimi i botës”.
36 Atëherë Jisui la turmën e erdhi në shtëpi, edhe nxënësit e tij i erdhën pranë e i thanë: Shpjegona paravolinë e egjrave të arës.
37 Edhe ai u përgjigj e u tha atyre:
Ai që mbjell farën e mirë është i Biri i njeriut; 38 edhe ara është bota; edhe fara e mirë, këta janë të bijtë e mbretërisë; edhe egjërat janë bijtë e të ligut.
39 Edhe armiku që mbolli atë, është djalli; edhe korrja është mbarimi i jetës; edhe korrësit janë engjëjt.
40 Pra siç mblidhen egjrat dhe digjen në zjarr, kështu do të jetë në mbarim të kësaj jete.
41 I Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e tij, edhe do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet edhe ata që punojnë paudhësinë.
42 Edhe do t’i hedhin ata në furrën e zjarrit; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.
43 Atëherë të drejtët do të ndrisin si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
44 Përsëri, mbretëria e qiejve ngjan me një thesar të fshehur në arë, të cilin kur e gjeti një njeri e fshehu; edhe nga gëzimi i tij shkon e shet gjithë sa ka, edhe blen atë arë.
45 Përsëri, mbretëria e qiejve ngjan me një njeri tregtar, që kërkonte margaritarë të mirë,
46 i cili kur gjeti një margaritar të çmuar shkoi e shiti gjithë sa kishte, edhe e bleu atë.
47 Përsëri, mbretëria e qiejve është e ngjashme me një rrjetë që u hodh në det edhe mblodhi çdo lloj gjëje.
48 Edhe si u mbush, e nxorën atë në buzë të detit, edhe ndenjën e mblodhën të mirat në enë, edhe të këqijat i hodhën jashtë.
49 Kështu do të jetë në mbarim të jetës. Do të dalin engjëjt e do të ndajnë të ligjtë nga të drejtët,
50 edhe do t’i hedhin ata në furrën e zjarrit; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.
51 U thotë atyre Jisui: A i kuptuat këto të gjitha? I thonë atij: Po, Zot.
52 Edhe ai u tha atyre: Prandaj çdo shkrues i mësuar për mbretërinë e qiejve është i ngjashëm me një njeri zot shtëpie, që nxjerr nga thesari i tij gjëra të reja dhe të vjetra.
53 Edhe ndodhi që kur Jisui, mbaroi këto paravolira, iku andej.
54 Edhe si erdhi në dhe të tij, i mësonte ata në sinagogën e tyre, kaq sa ata çuditeshin e thoshin: Nga e ka ky këtë urtësi dhe këto fuqi?
55 A nuk është ky i biri i marangozit? E ëma e tij a nuk quhet Mariam, dhe të vëllezërit e tij Jakov dhe Josi dhe Simon dhe Juda?
56 Edhe të motrat e tij a nuk janë të gjitha ndër ne? Nga i ka ky pra këto të gjitha?
57 Edhe skandalizoheshin me të. Por Jisui u tha atyre: Një profet nuk është i panderuar, përveçse në atdheun e tij e në shtëpinë e tij.
58 Edhe nuk bëri atje shumë çudira për shkak të pabesisë së tyre.

-14-

1 Në atë kohë Irodi, tetrarku, dëgjoi për famën e Jisuit.
2 Edhe u tha shërbëtorëve të tij: Ky është Joan Pagëzori. Ai është ngjallur së vdekurish, edhe prandaj bëhen çudira nga ai.
3 Sepse Herodi zuri Joanin, edhe e lidhi, edhe e vuri në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, të vëllait të tij.
4 Sepse Joani i thoshte atij: Nuk është e lejueshme ta kesh ti atë.
5 Edhe donte ta vriste atë, po pati frikë prej turmës, sepse e kishin për profet.
6 Edhe kur po bëhej festimi i ditës së lindjes së Herodit, e bija e Herodiadës luajti valle në mes, edhe i pëlqeu Herodit.
7 Prandaj iu zotua asaj me be t’i japë ç’të kërkonte.
8 Edhe ajo, si u mësua prej së ëmës, thotë: Jepmë kryet e Joan Pagëzorit këtu mbi një pjatë.
9 Edhe mbretit i erdhi keq, po për betimet që kishte bërë, edhe për ata që ishin shtruar në tryezë bashkë me të, urdhëroi t’i jepet.
10 Edhe dërgoi e i preu kryet Joanit në burg.
11 Edhe kryet e tij u pru mbi një pjatë e iu dha vajzës. Edhe ajo ia pruri së ëmës.
12 Edhe si erdhën nxënësit e atij e ngritën trupin dhe e varrosën; pastaj erdhën e lajmëruan Jisuin.
13 Edhe Jisui, kur dëgjoi, iku prej andej me lundër në një vend të shkretë veçan; edhe turmat kur dëgjuan, i shkuan prapa me këmbë nga qytetet.
14 Edhe kur doli Jisui, pa turmë të madhe, edhe iu dhimbs për ta, edhe shëroi të sëmurët e tyre.
15 Edhe si u ngrys, i erdhën pranë nxënësit e tij, e i thanë: Vendi është i shkretë edhe koha tashmë ka shkuar. Lësho turmat, që të shkojnë nëpër fshatrat të blejnë të ngrëna për veten e tyre.
16 Por Jisui u tha atyre: Nuk kanë nevojë të shkojnë. Jepuni ju atyre të hanë.
17 Edhe ata i thonë atij: Nuk kemi këtu veçse pesë bukë dhe dy peshq.
18 Edhe ai tha: M’i sillni mua ato këtu.
19 Edhe urdhëroi turmat të shtrohen mbi bar, edhe mori të pesë bukët e të dy peshqit, edhe ngriti sytë përpjetë në qiejt dhe bekoi; edhe pasi i theu, ua dha bukët nxënësve, edhe nxënësit turmave.
20 Edhe hëngrën të gjithë e u ngopën; edhe ngritën tepricën e copave, dymbëdhjetë kofinë plot.
21 Edhe ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, veç grave e fëmijëve.
22 Edhe përnjëherë Jisui i shtrëngoi nxënësit e tij të hyjnë në lundër, edhe të shkojnë përtej më përpara se ai, deri sa të lëshojë turmat.
23 Edhe si lëshoi turmat, u ngjit në mal veçan që të lutet; edhe si u ngrys, ishte vetëm atje.
24 Edhe lundra ishte tashmë në mes të detit duke u përpjekur nga valët; sepse era ishte kundër.
25 Edhe në rojën e katërt të natës Jisui shkoi tek ata, duke ecur përmbi det.
26 Edhe nxënësit kur e panë që po ecte përmbi det, u trembën e thanë se është hije. Edhe nga frika bërtitën.
27 Po Jisui përnjëherë u foli atyre, duke thënë: Kini guxim, jam unë, mos u frikësoni.
28 Edhe Pjetri iu përgjigj e tha: Zot, në je ti, urdhëromë të vij tek ti mbi ujërat.
29 Edhe ai tha: Eja. Edhe Pjetri zbriti nga lundra dhe eci mbi ujërat, që të vinte tek Jisui.
30 Po kur pa erën e fortë, u frikësua; edhe si zuri të zhytet, bërtiti, duke thënë: Zot, shpëtomë.
31 Edhe Jisui përnjëherë zgjati dorën, e zuri, edhe i thotë: O besëpakë, përse ngurove?
32 Edhe si hynë në lundër, pushoi era.
33 Edhe ata që ishin në lundër erdhën e iu falën atij, duke thënë: Me të vërtetë je bir Perëndie.
34 Edhe si shkuan përtej, erdhën në dheun Gjenisaret.
35 Edhe njerëzit e atij vendi, kur e njohën, dërguan nëpër gjithë ato anë dhe i prunë atij gjithë ata që kishin keq.
36 Edhe i luteshin atij të preknin qoftë vetëm cepin e rrobës së tij. Edhe gjithë sa e prekën u shëruan.

-15-

1 Atëherë vijnë tek Jisui shkruesit dhe Farisenjtë nga Jerusalemi, e i thonë:
2 Përse nxënësit e tu shkelin traditën e pleqve? Sepse s’lajnë duart e tyre, kur hanë bukë.
3 Po ai u përgjigj e u tha atyre: Përse edhe ju shkelni urdhërimin e Perëndisë për hir të traditës suaj?
4 Sepse Perëndia urdhëroi, duke thënë: “Ndero atin dhe nënën”, dhe: “Ai që flet keq për të atin ose për të ëmën le të vritet”.
5 Po ju thoni, “Kush t’i thotë të atit apo së ëmës se çdo ndihmë që do të merrje prej meje është dhuratë për Perëndinë”,
6 dhe kështu ai mund të mos nderojë më të atin apo të ëmën. Dhe hodhët poshtë urdhërimin e Perëndisë për hir të traditës suaj.
7 Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju, duke thënë:
8 “Ky popull më afrohet me gojën e e tyre, edhe më nderon me buzët; por zemra e tyre është larg prej meje.
9 Edhe kot më nderojnë, duke mësuar mësime që janë urdhërime njerëzish”.
10 Edhe si thirri pranë turmën, u tha: Dëgjoni edhe kuptoni.
11 Ajo që hyn në gojë nuk e ndyn njeriun, por ç’del nga goja, kjo e ndyn njeriun.
12 Atëherë u afruan nxënësit e tij, e i thanë: A e di se Farisenjtë kur dëgjuan këto fjalë u skandalizuan?
13 Edhe ai u përgjigj e tha: Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qiellori, do të shkulet.
14 Lërini ata, se janë të verbër që u heqin udhën të verbërve. Dhe në qoftë se një i verbër i heq udhën një të verbëri, të dy do të bien në gropë.
15 Edhe Pjetri u përgjigj e i tha atij: Na e shpjego këtë paravoli.
16 Edhe Jisui tha: Ende po pa mend jeni ju?
17 Edhe nuk po kuptoni se çdo gjë që hyn në gojë zbret në bark, edhe nxirret jashtë?
18 Por ato që dalin nga goja, dalin nga zemra, edhe ato e ndyjnë njeriun.
19 Sepse nga zemra dalin mendimet e liga, vrasjet, kurorëshjeljet, kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë.
20 Këto janë ato që e ndyjnë njeriun; kurse të ngrënët me duar të palara nuk e ndyn njeriun.
21 Edhe Jisui, si doli andej, iku në anët e Tirit e të Sidonës.
22 Edhe ja një grua kananease tek doli nga ato kufij, e i thërriste duke thënë: Përdëllemë, o Zot, bir i Davidit. Ime bijë mundohet keq prej demonit.
23 Po ai nuk iu përgjigj asaj asnjë fjalë. Edhe nxënësit e tij erdhën pranë e i luteshin, duke thënë: Lëshoje atë, sepse po thërret prapa nesh. 24 Por ai u përgjigj e tha: Nuk u dërgova gjetiu, veç te dhentë e humbura të shtëpisë së Izraelit. 25 Pastaj ajo erdhi e i falej atij, duke thënë: Zot, ndihmomë.
26 Por ai u përgjigj e tha: Nuk është mirë të marrë njeriu bukën e fëmijëve, e t’ua hedhë këlyshëve të qenve.
27 Edhe ajo tha: Po, Zot; por edhe këlyshët e qenve hanë nga thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.
28 Atëherë Jisui u përgjigj e i tha asaj: O grua, besa jote është e madhe; t’u bëftë si do. Edhe e bija u shërua që në atë çast.
29 Edhe Jisui iku andej, e erdhi pranë detit të Galilesë, edhe u ngjit në mal, e rrinte atje
30 Edhe erdhën tek ai shumë turma, që kishin me vete të çalë, të verbër, të shurdhër, doracë, edhe shumë të tjerë; edhe i vunë poshtë në këmbët e Jisuit, edhe ai i shëroi ata,
31 kaq sa u çuditën turmat, kur panë të shurdhër të flasin, doracë të shëndoshur, të çalë të ecin, dhe të verbër të shohin; edhe lavdëruan Perëndinë e Izraelit.
32 Atëherë Jisui thirri pranë nxënësit e tij, e tha: Më dhimbset për turmën, sepse kanë tashmë tri ditë që rrinë pranë meje e s’kanë ç’të hanë; edhe nuk dua t’i lëshoj ata pa ngrënë, se mos këputen udhës.
33 Edhe nxënësit e tij i thonë: Nga do të na gjenden këtu në shkretëtirë kaq shumë bukë, sa të ngopet një turmë kaq e madhe?
34 Edhe Jisui u tha atyre: Sa bukë keni? Edhe ata thanë: Shtatë, edhe pak peshq të vegjël. 35 Edhe ai urdhëroi turmat të ulen përdhe.
36 Edhe si mori të shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi, edhe i theu, edhe ua dha nxënësve të tij, dhe nxënësit turmave.
37 Edhe hëngrën të gjithë e u ngopën; edhe ngritën tepricën e copave, shtatë shporta plot.
38 Edhe ata që hëngrën ishin katër mijë burra, veç grave e fëmijëve të vegjël.
39 Edhe si lëshoi turmat, hyri në lundër, edhe erdhi në kufijtë e Magdalas.

-16-

1 Edhe erdhën pranë Farisenjtë e Saduqenjtë, edhe duke e ngarë atë kërkonin t’u tregonte atyre shenjë nga qielli.
2 Po ai u përgjigj e u tha atyre: Kur bëhet mbrëmje, thoni: Do të bëjë kohë e mirë, sepse qielli është i kuq.
3 Edhe në mëngjes: Sot do të bëjë kohë e keqe; sepse qielli është i kuq e i vrenjtur. Hipokritë, faqen e qiellit dini ta shquani, po shenjat e kohërave nuk mundni?
4 Brez i lig dhe kurorëshkelës kërkon shenjë; edhe shenjë nuk do t’i jepet atij, përveç shenjës së profetit Jona. Edhe i la e iku.
5 Edhe nxënësit e tij si erdhën përtej, harruan të marrin bukë. 6 Edhe Jisui u tha atyre: Shikoni dhe kini kujdes nga brumi i Farisenjve e i Saduqenjve. 7 Edhe ata mendoheshin me veten e tyre, duke thënë se nuk morëm bukë.
8 Edhe Jisui, si e kuptoi, u tha atyre: Pse mendoheni me veten tuaj, o besëpakë, se nuk morët bukë?
9 Ende nuk po kuptoni, as nuk mbani mend të pesë bukët e të pesë mijëve, edhe sa kofinë morët?
10 As të shtatë bukët e të katër mijëve, edhe sa shporta morët?
11 Si nuk kuptoni se nuk ju thashë juve për bukë, por të ruheni nga brumi i Farisenjve e i Saduqenjve?
12 Atëherë e kuptuan, se nuk u tha të ruhen nga brumi i bukës, por nga mësimi i Farisenjve e i Saduqenjve.
13 Edhe Jisui, kur erdhi në anët e Qezaresë së Filipit, pyeste nxënësit e tij, duke thënë: Cili thonë njerëzit se jam unë, Biri i njeriut?
14 Edhe ata thanë: Ca Joan Pagëzori, e të tjerë Ilia, e të tjerë Jeremia, ose një nga profetët.
15 U thotë atyre: Po ju cili thoni se jam unë?
16 Edhe Simon Pjetri u përgjigj e tha: Ti je Krishti, i biri i Perëndisë së gjallë.
17 Edhe Jisui u përgjigj e i tha: I lumur je ti, Simon, bir i Jonait, sepse mish edhe gjak nuk ta zbuloi ty këtë, po Ati im që është në qiejt.
18 Edhe unë po të them se ti je Pjetër (shkëmb), edhe përmbi këtë shkëmb do të ndërtoj kishën time; dehe dyert e hadit nuk do të kenë fuqi përmbi të. 19 Edhe do të të jap ty kyçet e mbretërisë së qiejve; edhe ç’të lidhësh mbi dhe, do të jetë lidhur në qiejt; edhe ç’të zgjidhësh mbi dhe, do të jetë zgjidhur në qiejt.
20 Atëherë porositi nxënësit e tij të mos i thonë asnjeriu se ai është Jisu Krishti.
21 Që atëherë Jisui zuri t’u tregojë nxënësve të tij se duhet të shkojë në Jerusalem, edhe të pësojë shumë nga pleqtë edhe nga kryepriftërinjtë e nga shkruesit, edhe të vritet, edhe të tretën ditë të ngjallet.
22 Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe zuri ta qortojë, duke thënë: Ki mëshirë për vete o Zot. Nuk do të bëhet fare kjo tek ti.
23 Po ai u kthye e i tha Pjetrit: Shporru prapa meje, Satana, se më je skandal; sepse s’ke ndër mend punët e Perëndisë, po punët e njerëzve.
24 Atëherë Jisui u tha nxënësve të tij: Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij, edhe le të ngrerë kryqin e tij, edhe le të vijë pas meje.
25 Sepse ai që të dojë të shpëtojë jetën e tij, do ta humbasë atë; edhe ai që të humbasë jetën e tij për shkakun tim, do ta gjejë atë.
26 Sepse ç’dobi ka njeriu, në fitoftë tërë botën, e të dëmtojë shpirtin e tij? Apo ç’do të japë njeriu në këmbim të shpirtit të tij?
27 Sepse ka për të ardhur i Biri i njeriut në lavdinë e Atit të tij bashkë me engjëjt e tij, edhe atëherë do t’ia shpërblejë gjithë secilit sipas punës së tij.
28 Me të vërtetë po ju them juve se janë ca nga ata që rrinë këtu, të cilët nuk do të ngjërojnë vdekje, deri sa të shohin të Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e tij.

-17-

1 Edhe pas gjashtë ditësh Jisui merr me vete Pjetrin edhe Jakovin edhe Joanin, vëllanë e tij, edhe i ngjit mbi një mal të lartë veçan.
2 Edhe ndërroi fytyrën përpara tyre; edhe fytyra e tij ndriti porsi dielli, edhe rrobat e tij u bënë të bardha porsi drita.
3 Edhe ja tek iu dukën atyre Moisiu dhe Ilia duke folur bashkë me të.
4 Edhe Pjetri u përgjigj e i tha Jisuit: Zot, mirë është të jemi këtu. Nëse do, le të bëjmë këtu tri tenda, një për ty dhe një për Moisiun e një për Ilian.
5 Edhe ndërsa ai ishte ende duke folur, ja tek i mbuloi ata një re e ndritshme; edhe ja një zë nga reja tek thoshte: Ky është biri im i dashuri, që e pëlqeva. Atë dëgjoni.
6 Edhe nxënësit me ta dëgjuar, ranë përmbys, edhe u frikësuan fort.
7 Po Jisui erdhi pranë dhe i preku e tha: Ngrihuni, e mos u frikësoni. 8 Edhe kur ata ngritën sytë, nuk panë asnjë, përveçse Jisuin vetëm.
9 Edhe tek zbritnin nga mali, Jisui i urdhëroi, duke thënë: Mos i thoni asnjeriu se ç’patë, deri sa të ngjallet i Biri i njeriut prej së vdekurish. 10 Edhe nxënësit e tij e pyetën, duke thënë: Përse pra thonë shkruesit se duhet të vijë më përpara Ilia?
11 Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Ilia vjen më përpara, edhe do të vërë në vend gjithçka.
12 Por unë po ju them juve se Ilia erdhi tashmë edhe nuk e njohën, por i bënë ç’deshën. Kështu edhe Biri i njeriut do të vuajë nga ata.
13 Atëherë e kuptuan nxënësit se u tha për Joan Pagëzorin.
14 Edhe kur erdhën ata tek turma, i erdhi pranë një njeri e i ra në gjunjë, duke thënë;
15 Zot, përdëlle tim bir, sepse e zë sëmundja e hënës (e tokës), edhe heq keq; sepse shumë herë bie në zjarr, e shumë herë në ujë.
16 Edhe e çova te nxënësit e tu, por nuk mundën ta shërojnë.
17 Edhe Jisui u përgjigj e tha: O brez i pabesë dhe i shthurur, deri kur do të jem bashkë me ju? Deri kur do t’ju duroj ju? Sillmani mua atë këtu. 18 Edhe Jisui e qortoi atë, edhe demoni doli nga ai, edhe djali u shërua që në atë çast.
19 Atëherë nxënësit erdhën pranë Jisuit veçan, e thanë: Pse ne nuk mundëm ta nxjerrim atë?
20 Edhe Jisui u tha atyre: Për pabesinë tuaj. Sepse me të vërtetë po ju them juve: Në paçi besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: Shko së këtejmi atje, edhe do të shkojë, edhe asgjë nuk do të jetë e pamundur për ju.
21 Edhe ky lloj nuk del veçse me lutje e me agjërim.
22 Edhe ndërsa ata po silleshin përqark në Galile, Jisui u tha atyre: I Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve.
23 Edhe do ta vrasin atë, edhe të tretën ditë do të ngjallet. Edhe atyre u erdhi tepër keq.
24 Edhe kur erdhën në Kapernaum, iu afruan Pjetrit ata që merrnin taksën dydhrahmishe, dhe thanë: A nuk e paguan mësuesi juaj dydhrahmishen?
25 Ai thotë: Po. Edhe kur hyri në shtëpi, Jisui e priti, duke thënë: Si të duket, Simon? Nga cilët marrin taksa apo tatime mbretërit e dheut, nga bijtë e tyre, apo nga të huajt?
26 Pjetri i thotë: Nga të huajt. Jisui i tha: Bijtë pra janë të çliruar.
27 Por që të mos i skandalizojmë ata, shko në det e hidh një grep, edhe ngri peshkun e parë që të dalë, edhe si t’i hapësh gojën, do të gjesh një katërdhrahmishe. Merre, dhe jepua atyre për mua dhe për ty.

-18-

1 Në atë orë erdhën nxënësit tek Jisui e i thanë: Vallë, cili është më i madh në mbretërinë e qiejve?
2 Edhe Jisui thirri pranë vetes së tij një fëmijë të vogël, edhe e vendosi atë në mes të tyre, e tha:
3 Me të vërtetë po ju them juve, në mos u kthefshi e të bëheni si fëmijët e vegjël, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve.
4 Ai që të përulë pra veten e tij si ky fëmijë i vogël, ky është më i madh në mbretërinë e qiejve. 5 Dhe ai që të presë një të këtillë fëmijë të vogël në emrin tim, më pret mua.
6 Po kush të shtyjë në mëkat një nga këta të vegjlit që beson tek unë, është më mirë për të t’i varet një gur mulliri i madh rreth qafës, edhe të hidhet në fund të detit.
7 Mjerë bota nga skandalet! Sepse është e nevojshme të vijnë skandalet, po mjerë ai njeri, prej të cilit vjen skandali.
8 Edhe në të skandalizoftë dora jote a këmba jote, prei, dhe hidhi prej teje; është më mirë për ty të hysh në jetë me një këmbë a me një dorë, se të kesh dy duar a dy këmbë e të hidhesh në zjarr të pasosur.
9 Edhe në të skandalizoftë syri yt, nxirre dhe hidhe prej teje; më mirë është për ty të hysh në jetë me një sy vetëm, se të kesh dy sy e të hidhesh në gjehenën e zjarrit.
10 Shikoni, mos shpërfillni një nga këta të vegjlit; sepse po ju them juve, se engjëjt e tyre në qiejt shohin gjithnjë faqen e Atit tim që është në qiejt.
11 Sepse i Biri i njeriut erdhi të shpëtojë të humburin.
12 Si ju duket juve? Në pastë ndonjë njeri njëqind dhen, edhe t’i humbasë një nga ato, a nuk le të nëntëdhjetenëntat, e shkon nëpër male të kërkojë të humburën?
13 Edhe në qoftë se e gjen, me të vërtetë po ju them juve, se gëzohet më tepër për atë sesa për të nëntëdhjetenëntat, që s’kanë humbur.
14 Kështu nuk është e dëshiruar përpara Atit tuaj që është në qiejt, të humbasë një nga këta të vegjlit.
15 Edhe në në mëkatoftë yt vëlla ndaj teje, shko dhe qortoje vetëm për vetëm; në të dëgjoftë, e fitove vëllain tënd.
16 Po në mos të dëgjoftë, merr me vete dhe një ose dy vetë, që të qëndrojë çdo fjalë në gojë të dy a tre dëshmitarëve.
17 Edhe në mos i dëgjoftë ata, thuaja këtë kishës; e në mos e dëgjoftë edhe kishën, atëherë le të jetë ai si pagani e tagrambledhësi.
18 Me të vërtetë po ju them juve, ç’të lidhni mbi dhe, do të jenë lidhur në qiell; edhe ç’të zgjidhni mbi dhe, do të jenë zgjidhur në qiell. 19 Përsëri po ju them juve, se në qofshin dy veta nga ju mbi dhe në një fjalë, për çdo gjë që të lypin, do t’u bëhet atyre nga Ati im që është në qiejt. 20 Sepse ku të jenë dy a tre veta mbledhur në emrin tim, atje jam edhe unë në mes tyre.
21 Atëherë i erdhi pranë Pjetri, e tha: Zot, sa herë duhet të mëkatojë ndaj meje im vëlla, edhe t’ia fal? Deri në shtatë herë?
22 Jisui i thotë: Nuk të them deri në shtatë herë, po deri në shtatëdhjetë herë shtatë.
23 Prandaj mbretëria e qiejve ngjau me një njeri mbret, që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e tij.
24 Edhe kur zuri të bënte llogaritë, i prunë një huamarrës që i detyrohej dhjetë mijë talanta.
25 Edhe pasi ai nuk kishte t’i jepte, i zoti urdhëroi të shitet ai, edhe gruaja e tij, edhe fëmijët e gjithë ç’kishte, edhe të paguhej detyrimi.
26 Po shërbëtori i ra ndër këmbë, e i lutej, duke thënë: Zot, bëhu zemërgjerë me mua, edhe do të t’i laj të gjitha.
27 Edhe të zotit, si iu dhimbs ai shërbëtor, e lëshoi, edhe ia fali detyrimin.
28 Po ai shërbëtor, si doli, gjeti një nga shokët e tij shërbëtorë që i detyrohej atij njëqind dinarë; edhe si e zuri, po e mbyste, duke thënë: Më jep detyrim që më ke.
29 Atëherë shoku i tij shërbëtor i ra ndër këmbë, e i lutej, duke thënë: Bëhu zemërgjerë me mua, edhe do të t’i jap të gjitha.
30 Edhe ai nuk donte, po shkoi dhe e hodhi në burg, deri sa t’i jepte detyrimin.
31 Edhe shokëve të tij shërbëtorë, kur panë se ç’u bë, u erdhi fort keq; edhe erdhën e i rrëfyen të zotit me hollësi gjithë sa u bënë.
32 Atëherë i zoti e thirri pranë e i tha: Shërbëtor i lig, gjithë atë detyrim ta fala ty, sepse m’u lute.
33 A nuk duhej edhe ti ta përdëlleje shokun tënd shërbëtor, siç të përdëlleva edhe unë ty?
34 Edhe i zoti u zemërua, edhe e dha në duart e torturuesve, deri sa të lante gjithë detyrimin që i kishte.
35 Kështu edhe Ati im qiellor do t’jua bëjë juve, në qoftë se secili prej jush, nga zemra e tij, nuk i fal vëllait të tij fajet e tij.

-19-

1 Edhe, kur mbaroi këto fjalë, Jisui u ngrit nga Galilea, edhe erdhi në kufijtë e Judesë, përtej Jordanit.
2 Edhe i shkuan pas atij shumë turma; edhe i shëroi ata atje.
3 Edhe erdhën tek ai Farisenjtë duke e ngacmuar atë e duke i thënë: A është e udhës të lërë njeriu gruan e tij për çfarëdo arsye?
4 Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: A nuk keni lexuar se ai që i bëri ata që në fillim, mashkull e femër i bëri edhe tha:
5 “Për këtë punë njeriu do të lërë të atin e të ëmën, edhe do të ngjitet pas gruas së tij, edhe të dy do të jenë një mish”?
6 Aq sa nuk janë më dy, por një mish. Atë pra që Perëndia e bashkoi, njeriu le të mos e ndajë.
7 I thonë atij: Pse pra Moisiu ka urdhëruar t’i japë burri gruas kartën e ndarjes edhe ta lëshojë? 8 U thotë atyre: Sepse Moisiu prej zemërashpërsisë suaj ju lejoi të lëshoni gratë tuaja; po në fillim s’ka qenë kështu.
9 Edhe po ju them juve, se ai që lëshon gruan e tij, përveçse për punë kurvërie, edhe martohet me tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me grua të lëshuar, shkel kurorën.
10 Nxënësit e tij i thonë: Në qoftë kështu puna e njeriut me gruan, nuk ka dobi të martohet.
11 Edhe ai u thotë: Nuk mund ta mbajnë këtë fjalë të gjithë, por ata të cilëve u është dhënë.
12 Sepse ka eunukë që kanë lindur kështu që nga barku i nënës; edhe ka eunukë që u bënë të tillë nga njerëzit; edhe ka eunukë që e bënë të tillë veten e tyre për mbretërinë e qiejve. Ai që mund ta mbajë këtë le ta mbajë.
13 Atëherë i sollën atij ca fëmijë të vegjël, që të vinte duart mbi ta e t’i bekonte; edhe nxënësit i qortuan.
14 Po Jisui tha: Lërini fëmijët e vegjël, edhe mos i ndaloni të vijnë tek unë, sepse e të këtillëve është mbretëria e qiejve.
15 Edhe si vuri duart mbi ata, iku andej.
16 Edhe ja tek i erdhi pranë njëri, e i tha: Mësues i mirë, ç’të mirë të bëj që të kem jetë të pasosur?
17 Edhe ai i tha: Pse më thua i mirë? Asnjë s’është i mirë, veç një, Perëndia. Po nëse do të hysh në jetë, ruaj urdhërimet.
18 I thotë: Cilat? Edhe Jisui i tha: “Mos vrit; mos shkel kurorën; mos vidh; mos jep dëshmi të rreme;
19 ndero atin dhe nënën”; edhe “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”.
20 Djaloshi i thotë: Të gjitha këto i kam ruajtur që në rininë time, çfarë më mungon tjetër?
21 Jisui i tha: Në do të bëhesh i përsosur, shko e shit pasurinë tënde, edhe jepua të varfërve; edhe do të kesh thesar në qiell, edhe eja e ndiqmë pas. 22 Por djaloshi kur dëgjoi këtë fjalë, iku me keqardhje, sepse kishte shumë prona.
23 Edhe Jisui u tha nxënësve të tij: Me të vërtetë po ju them juve, se një i pasur mezi do të hyjë në mbretërinë e qiejve.
24 Edhe përsëri po ju them juve: Më lehtë është të shkojë gamilja nëpër vrimën e gjilpërës, se të hyjë i pasuri në mbretërinë e Perëndisë.
25 Edhe nxënësit e tij, kur dëgjuan, habiteshin fort e thoshin: Vallë, cili mund të shpëtojë?
26 Po Jisui hodhi sytë mbi ta edhe u tha: Për njerëzit kjo është e pamundur, ndërsa për Perëndinë të gjitha janë të mundshme.
27 Atëherë u përgjigj Pjetri e i tha: Ja ne tek i lamë të gjitha, edhe të ndoqëm pas. Vallë, ç’do të jetë për ne?
28 Edhe Jisui u tha: Me të vërtetë po ju them juve, se ju që më ndoqët pas, në krijimin e ri, kur të rrijë i Biri i njeriut mbi fronin e lavdisë së tij, do të rrini edhe ju mbi dymbëdhjetë frone duke gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
29 Edhe kushdo që la shtëpi, a vëllezër, a motra, a atë, a nënë, a grua, a bij, a ara, për hir të emrit tim, do të marrë njëqind fish, edhe do të trashëgojë jetë të pasosur.
30 Po shumë të parë do të jenë të fundit, edhe të fundit të parë.

-20-

1 Sepse mbretëria e qiejve ngjan me një njeri zot shtëpie, i cili doli që menatë të pajtojë punëtorë për vreshtin e tij.
2 Edhe si u mor vesh me punëtorët për një dinar në ditë, i dërgoi në vreshtin e tij.
3 Edhe si doli rreth orës së tretë, pa të tjerë duke ndenjur në treg pa punë.
4 U thotë edhe atyre: Shkoni edhe ju në vresht, edhe do t’ju jap ç’të jetë e udhës. 5 Edhe ata shkuan. Përsëri doli rreth orës së gjashtë e të nëntë, edhe bëri po ashtu.
6 Edhe si doli rreth orës së njëmbëdhjetë, gjeti të tjerë duke ndenjur pa punë. Edhe u thotë: Pse keni ndenjur këtu tërë ditën pa punë?
7 I thonë: Sepse asnjë s’na pajtoi. U thotë: Shkoni edhe ju në vresht, edhe do të merrni ç’të jetë e udhës.
8 Edhe si u ngrys, i zoti i vreshtit i thotë kujdestarit të tij: Thirr punëtorët, edhe jepu pagën atyre, duke nisur nga të fundit deri tek të parët.
9 Edhe erdhën ata që ishin pajtuar rreth orës së njëmbëdhjetë, edhe morën nga një dinar.
10 Edhe kur erdhën të parët, pandehën se do të marrin më shumë; po edhe ata morën nga një dinar.
11 Edhe si i morën, qaheshin kundër të zotit të shtëpisë, duke thënë se:
12 Këta të fundit bënë një orë, edhe i bëre të barabartë me ne që mbajtëm peshën e ditës dhe vapën.
13 Po ai u përgjigj e i tha njërit nga ata: Mik, nuk po të bëj padrejtësi. A nuk bëre fjalë me mua për një dinar?
14 Merr tëndin dhe ik. Edhe këtij të fundit dua t’i jap njëlloj si edhe ty.
15 Apo nuk më lejohet të bëj ç’të dua në punën time? Apo syri yt është i lig, sepse unë jam i mirë?
16 Kështu do të jenë të fundit të parë, edhe të parët të fundit. Sepse shumë janë të thirrur, por pak të zgjedhur.
17 Edhe Jisui, duke u ngjitur në Jerusalem, mori me vete të dymbëdhjetë nxënësit mënjanë në udhë, edhe u tha:
18 Ja tek po ngjitemi në Jerusalem, edhe i Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e shkruesve; edhe do ta dënojnë me vdekje;
19 edhe do t’ia dorëzojnë kombeve që ta përqeshin e ta fshikullojnë e ta kryqëzojnë; edhe të tretën ditë do të ngjallet.
20 Atëherë i erdhi pranë e ëma e bijve të Zevedheut bashkë me të bijtë, duke iu falur e duke kërkuar diçka nga ai.
21 Edhe ai i tha: Ç’do? Ajo i thotë: Thuaj të rrinë këta të dy bijtë e mi, njëri në të djathtën tënde e njëri në të majtën, në mbretërinë tënde. 22 Po Jisui u përgjigj e tha: Nuk dini se ç’kërkoni. A mund të pini kupën, që do të pi unë, apo të pagëzoheni me pagëzimin që do të pagëzohem unë? Ata i thonë: Mundemi.
23 Edhe ai u thotë: Kupën time do ta pini, edhe me pagëzimin që pagëzohem unë do të pagëzoheni; por të rrini në të djathtën time dhe në të majtën time, nuk është në dorën time ta jap, por do t’u jepet atyre që u është bërë gati nga Ati im.
24 Edhe të dhjetët, kur dëgjuan, u zemëruan për të dy vëllezërit.
25 Po Jisui pasi i thirri pranë, tha: E dini se të parët e kombeve me forcë i zotërojnë ata, edhe të mëdhenjtë fort i shtypin.
26 Po kështu nuk do të jetë ndër ju; por kush të dojë të bëhet i madh ndër ju, le të jetë shërbëtori juaj;
27 Edhe kush të dojë të jetë i parë ndër ju, le të jetë shërbëtori juaj, 28 ashtu si Biri i njeriut nuk erdhi që të shërbehet, po që të shërbejë, edhe të japë jetën e tij shpërblim për shumë vetë.
29 Edhe ndërsa ata po dilnin nga Jerikoja, i shkuan pas atij shumë njerëz.
30 Edhe ja, dy të verbër, që rrinin në rrugë, kur dëgjuan se po kalonte Jisui, thirrën, duke thënë: Përdëllena, o Zot, bir i Davidit.
31 Edhe turma i qortoi, që të pushonin; po ata bërtitnin më fort, duke thënë: Përdëllena, o Zot, bir i Davidit.
32 Edhe Jisui, pasi qëndroi, i thirri, dhe tha: Ç’doni t’ju bëj juve?
33 I thonë: Zot, të na hapen sytë.
34 Edhe Jisui, si iu dhimbs, preku sytë e tyre; dhe menjëherë panë përsëri, edhe shkuan pas atij.

-21-

1 Edhe kur u afruan në Jerusalem, dhe erdhën në Betfagji pranë Malit të Ullinjve, atëherë Jisui dërgoi dy nxënës,
2 duke u thënë: Shkoni në fshatin përballë jush, edhe menjëherë do të gjeni një gomare të lidhur dhe një pulisht bashkë me të; zgjidhini dhe m’i sillni.
3 Edhe në u thëntë gjë juve ndonjë njeri, do të thoni se Zoti ka nevojë për atë; edhe menjëherë do t’i dërgojë.
4 Edhe gjithë kjo u bë që të përmbushet ç’është thënë me anë të profetit,
5 që thotë: “Thuajini bijës Sion: Ja mbreti yt tek po të vjen i butë dhe hipur mbi gomare dhe mbi pulisht, i vogli i një kafshe barre”.
6 Edhe nxënësit, si shkuan, dhe bënë siç i urdhëroi Jisui, prunë gomaren dhe pulishtin.
7 Edhe vunë mbi ata rrobat e tyre edhe e hipën atë sipër tyre.
8 Edhe më e shumta e turmës shtruan rrobat e tyre në udhë; edhe të tjerë këputnin degë pemësh e i shtronin në udhë.
9 Edhe turmat që paraprinin dhe ata që vinin prapa thërritnin, duke thënë: Hosana birit të Davidit. I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit. Hosana në më të lartat.
10 Dhe kur ai hyri në Jerusalem, u tund tërë qyteti duke thënë:
11 Cili është ky? Edhe turmat thoshin: Ky është Jisui, profeti, nga Nazareti i Galilesë.
12 Edhe Jisui hyri në tempullin e Perëndisë dhe nxori jashtë gjithë ata që shisnin e blinin në tempull, edhe përmbysi tryezat e këmbyesve të monedhave, edhe ndenjëset e atyre që shisnin pëllumba.
13 Edhe u thotë atyre: Eshtë shkruar “Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje”; por ju e bëtë atë “shpellë kusarësh”.
14 Edhe i erdhën pranë të verbër e të çalë në shenjtërore; edhe i shëroi.
15 Po kryepriftërinjtë dhe shkruesit, kur panë çudirat që bëri, edhe djemtë duke thirrur në tempull e duke thënë: Hosana birit të Davidit, u zemëruan dhe i thanë atij: Dëgjon se ç’thonë këta? 16 Edhe Jisui u thotë: Po. Kurrë s’keni lexuar “Se nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave përsose lëvdim”?
17 Edhe si i la ata, doli jashtë qytetit, në Betani, edhe atje e kaloi natën.
18 Edhe në mëngjes kur u kthye në qytet, i erdhi uri.
19 Edhe kur pa një fik në rrugë, erdhi tek ai, po nuk gjeti gjë në të, veç fletë vetëm. Edhe i thotë: Mos u bëftë më fryt prej teje për gjithë jetën. Edhe fiku menjëherë u tha.
20 Edhe nxënësit kur panë, u çuditën, e thanë: Si u tha fiku përnjëherë?!
21 Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Me të vërtetë po ju them juve, në paçi besim, edhe të mos jeni me dy mendje, jo vetëm këtë të fikut keni për të bërë, po dhe këtij mali në i thënçi: Ngrihu dhe bjer në det, do të bëhet.
22 Edhe gjithë sa të kërkoni në lutje, duke besuar, do t’i merrni.
23 Edhe kur erdhi në tempull dhe mësonte, erdhën pranë tij kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit, e thoshin: Me çfarë pushteti i bën këto? Edhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?
24 Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Do t’ju pyes edhe unë ju një fjalë, të cilën në ma thënçi, edhe unë do t’ju them juve me çfarë pushteti i bëj këto.
25 Pagëzimi i Joanit nga ishte? Nga qielli apo nga njerëzit? Edehe ata mendoheshin me veten e tyre, duke thënë: Në thënçim: Nga qielli, do të na thotë: Pse nuk i besuat pra?
26 Edhe në thënçim: Nga njerëzit, kemi frikë prej turmës, sepse të gjithë e kanë Joanin për profet.
27 Edhe duke iu përgjigjur Jisuit, thanë: Nuk e dimë. Edhe ai u tha atyre: As unë s’ju them juve me çfarë pushteti i bëj këto.
28 Edhe si ju duket juve? Një njeri kishte dy bij. Dhe erdhi tek i pari dhe i tha: Bir, shko sot e puno në vreshtin tim.
29 Edhe ai u përgjigj e tha: Nuk dua. Po pastaj u pendua dhe shkoi. 30 Edhe erdhi tek i dyti, e i tha po ashtu. Edhe ai u përgjigj e tha: Unë shkoj, zot. Edhe nuk shkoi.
31 Cili nga këta të dy bëri dëshirën e të atit? I thonë: I pari. Jisui u thotë atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se tagrambledhësit dhe të përdalat shkojnë më përpara se ju në mbretërinë e Perëndisë.
32 Sepse Joani erdhi tek ju në udhë drejtësie, edhe nuk i besuat, po tagrambledhësit e të përdalat i besuan. Edhe ju, si patë, nuk u penduat pastaj, që t’i besoni.
33 Dëgjoni një tjetër paravoli: Një njeri ishte zot shtëpie, i cili mbolli një vresht dhe e thuri me gardh, edhe gërmoi në të një tirë, edhe ndërtoi një pirg; edhe ua dha atë me qira bujqve e iku në vend tjetër.
34 Edhe kur u afrua koha e të vjelave, dërgoi shërbëtorët e tij te bujqit, që të marrin frytet e tij.
35 Edhe bujqit i zunë shërbëtorët e tij, e njërin e rrahën, e tjetrin e vranë, edhe tjetrin e vranë me gurë.
36 Përsëri dërgoi të tjerë shërbëtorë, më tepër se të parët, por ashtu ua bënë edhe atyre.
37 Edhe pastaj dërgoi të birin tek ata, duke thënë: Do të kenë turp nga im bir.
38 Po bujqit kur panë të birin, i thanë njëri-tjetrit: Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim dhe të përvetësojmë trashëgimin e tij.
39 Edhe si e zunë, e nxorën jashtë vreshtit edhe e vranë.
40 Kur të vijë i zoti i vreshtit, ç’do t’u bëjë atyre bujqve?
41 I thonë: Të këqijtë si mos më keq do t’i shfarosë, edhe vreshtin do t’ua japë me qira bujqve të tjerë, të cilët do t’ia japin frytet në kohët e tyre.
42 Jisui u thotë atyre: Kurrë s’keni lexuar në shkronjat: “Guri, që flakën tej ndërtuesit, ky u bë kreu i qoshes; prej Zotit u bë kjo, edhe është e çuditshme në sytë tanë”?
43 Prandaj po ju them juve, se mbretëria e Perëndisë do të merret nga ju dhe do t’i jepet një kombi që bën frytet e saj.
44 Edhe ai që të bjerë mbi këtë gur, do të copëtohet; edhe mbi atë që të bjerë do ta dërrmojë.
45 Edhe kryepriftërinjtë e Farisenjtë, kur dëgjuan paravolitë e tij, e kuptuan se thotë për ata.
46 Edhe kërkonin ta zinin, po patën frikë prej turmave, sepse e kishin atë si profet.

-22-

1 Edhe Jisui u përgjigj përsëri e u tha atyre me paravolira, duke thënë:
2 Mbretëria e qiejve është e ngjashme me një njeri mbret, i cili bëri dasmë për të birin e tij.
3 Edhe dërgoi shërbëtorët e tij të thërresin ata që qenë ftuar në dasmë, por nuk deshën të vijnë. Përsëri dërgoi të tjerë shërbëtorë,
4 duke thënë: Thuajuni atyre që janë ftuar: Ja tek bëra gati drekën time. Demat e mi dhe berrat e ushqyer janë therur dhe të gjitha janë gati; ejani në dasmë.
5 Po ata përtuan e shkuan, njëri në arën e tij e tjetri në tregtinë e tij.
6 Edhe të tjerët zunë shërbëtorët e atij e i shanë e i vranë.
7 Po mbreti kur dëgjoi u zemërua, edhe dërgoi ushtritë e tij, edhe i prishi ata vrasësit, edhe dogji qytetin e tyre.
8 Atëherë u thotë shërbëtorëve të tij: Dasma është gati, po ata që qenë të ftuar nuk ishin të denjë. 9 Shkoni pra nëpër daljet e udhëve, edhe sa të gjeni, t’i ftoni në dasmë.
10 Edhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë e mblodhën gjithë sa gjetën, të ligj e të mirë; edhe dasma u mbush me njerëz që rrinin në tryezë.
11 Dhe mbreti kur hyri të shohë ata që rrinin në tryezë, pa atje një njeri që s’kishte veshur rrobë dasme.
12 Edhe i thotë atij: Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme? Po ai mbylli gojën.
13 Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: Lidheni atë prej këmbësh e prej duarsh dhe ngrijeni, edhe hidheni në errësirën e jashtme; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.
14 Sepse shumë veta janë të thirrur, por pak të zgjedhur.
15 Atëherë Farisenjtë shkuan e bënë këshillë, si ta zënë në lak me fjalë.
16 Edhe dërgojnë tek ai nxënësit e tyre bashkë me Herodianët, duke thënë: Mësues, e dimë se je i vërtetë, edhe mëson udhën e Perëndisë me të vërtetë edhe nuk do t’ia dish për asgjë; sepse nuk shikon në faqe njerëzish.
17 Thuajna pra: Si të duket? Eshtë e udhës t’i japim taksë Cezarit, apo jo?
18 Po Jisui, si njohu djallëzinë e tyre, tha: Pse më ngisni, hipokritë?
19 Tregomëni monedhën e taksës.
20 Edhe ata i prunë një dinar. Edhe ai u thotë atyre: E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim? 21 Ata i thonë: E Cezarit. Atëherë u thotë atyre: Jepini pra Cezarit ç’janë të Cezarit dhe Perëndisë ç’janë të Perëndisë.
22 Edhe ata, kur dëgjuan, u çuditën, edhe e lanë atë e ikën.
23 Në atë ditë i erdhën pranë Saduqenj, të cilët thonë se nuk ka ngjallje; edhe e pyetën,
24 duke thënë: Mësues, Moisiu tha: “Në vdektë ndonjë pa pasur bij, i vëllai do të martohet me gruan e tij, edhe do t’i ngjallë farë të vëllait të tij”.
25 Edhe ishin ndër ne shtatë vëllezër. Edhe i pari, si u martua, vdiq; edhe pasi nuk kishte fëmijë, ia la gruan e tij të vëllait të tij. 26 Kështu edhe i dyti, edhe i treti, deri në të shtatin.
27 Edhe më pas nga të gjithë vdiq edhe gruaja.
28 Në ngjallje pra, gruaja e kujt do të jetë nga këta të shtatë? Sepse të gjithë e patën grua atë.
29 Edhe Jisui u përgjigj e u tha: Jeni të gënjyer, se nuk dini shkrimet, as fuqinë e Perëndisë.
30 Sepse në ngjallje as martohen, as martojnë, por janë si engjëj të Perëndisë në qiell.
31 Edhe për ngjalljen e të vdekurve a s’keni lexuar ç’ju është thënë juve prej Perëndisë, kur thotë:
32 “Unë jam Perëndia i Abrahamit, edhe Perëndia i Isaakut, edhe Perëndia i Jakovit”? Perëndia nuk është Perëndi të vdekurish, por të gjallësh.
33 Edhe turmat kur dëgjuan, habiteshin për mësimin e tij.
34 Por Farisenjtë kur dëgjuan se u mbylli gojën Saduqenjve, u mblodhën bashkë.
35 Edhe një mësues ligji nga ata, e pyeti duke e ngacmuar atë,
36 e duke thënë: Mësues, cili urdhërim është më i madhi në ligj?
37 Edhe Jisui i tha atij: “Të duash Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”. 38 Ky është urdhërimi i parë dhe i madh. 39 Edhe i dyti i ngjashëm me të është: “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”.
40 Gjithë ligji dhe profetët varen nga këto dy urdhërime.
41 Edhe ndërsa ishin mbledhur Farisenjtë, Jisui i pyeti,
42 duke thënë: Ç’mendoni ju për Krishtin? I biri i kujt është? I thonë: I Davidit.
43 U thotë atyre: Si pra Davidi në Frymë e quan atë Zot,
44 duke thënë: “I tha Zoti Zotit tim: Rri në të djathtën time deri sa të vë armiqtë e tu nënkëmbëse të këmbëve të tua”?
45 Në qoftë pra se Davidi e quan Zot, si është i biri i atij?
46 Edhe asnjë nuk mundej t’i përgjigjej ndonjë fjalë; as nuk guxoi ndonjë që atë ditë ta pyesë më.

-23-

1 Atëhere Jisui u foli turmave dhe nxënësve të tij,
2 duke thënë: Shkruesit edhe Farisenjtë ndenjën mbi fronin e Moisiut.
3 Gjithë sa t’ju thonë pra juve t’i ruani, t’i ruani edhe t’i bëni; por sipas punëve të tyre mos bëni; sepse thonë edhe nuk bëjnë.
4 Sepse lidhin barrë të rënda që mezi mbahen, edhe i vënë mbi supe të njerëzve; por ata me gishtin e tyre nuk duan t’i luajnë.
5 Edhe gjithë punët e tyre i bëjnë që të duken ndër njerëzit. Dhe zgjerojnë filakterët e tyre edhe zmadhojnë cepat e rrobave të tyre.
6 Edhe duan kreun e tryezës nëpër darkat dhe vendet e para nëpër sinagoga,
7 edhe përshëndetjet nëpër tregje, edhe të quhen nga njerëzit: Rabbi,* .
8 Po ju mos u quani Rabbi, sepse një është mësuesi juaj, Krishti, edhe të gjithë ju jeni vëllezër.
9 Edhe mos quani ndonjë atin tuaj mbi dhe; sepse një është Ati juaj, ai që është në qiejt.
10 As mos u quani mësues; sepse një është mësuesi juaj, Krishti.
11 Po më i madhi prej jush do të jetë shërbëtori juaj.
12 Edhe kush të lartësojë veten e tij, do të ulet; edhe kush të ulë veten e tij, do të lartësohet.
13 Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse mbyllni mbretërinë e Perëndisë përpara njerëzve; sepse as ju nuk hyni, edhe as ata që hyjnë nuk i lini të hyjnë.
14 Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse gllabëroni shtëpitë e të vejave dhe për tu dukur bëni lutje të gjata; prandaj do të merrni më tepër dënim.
15 Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, se i vërtiteni detit edhe tokës për të bërë një prozelit; edhe pasi bëhet i tillë, e bëni atë bir gjehene dy herë më tepër se veten tuaj.
16 Mjerë ju udhëheqës të verbër, që thoni: Kush të betohet për tempullin, nuk është gjë; po kush të betohet për arin e tempullit, ka detyrim.
17 Të marrë dhe të verbër! Sepse cili është më i madh, ari apo tempulli që shenjtëron arin? 18 Edhe: Kush të betohet për theroren, nuk është gjë; po kush të betohet për dhuratën që është mbi të, ka detyrim.
19 Të marrë edhe të verbër! Sepse cila është më e madhe, dhurata apo therorja që shenjtëron dhuratën?
20 Ai pra që betohet për theroren, betohet për atë dhe për gjithë ato që janë përmbi të. 21 Edhe ai që betohet për tempullin, betohet për atë që rri në të.
22 Edhe ai që betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë, edhe për atë që rri mbi të.
23 Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse jepni të dhjetën e mendrës e të marajt e kuminit, edhe keni lënë më të rëndësishmet e ligjit, drejtësinë edhe përdëllimin edhe besimin. Këto duhet t’i bëni, edhe ato të mos i lini.
24 Udhëheqës të verbër, që hiqni në kullesë mushkonjën, ndërsa gamilen e përpini!
25 Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse pastroni anën e jashtme të gotës edhe të pjatës, po përbrenda janë plot me rrëmbime e pa vetëpërmbajtje.
26 Farise i verbër, pastro më përpara të brendshmen e gotës dhe të pjatës, që të bëhet e pastër edhe ana e jashtme e tyre.
27 Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse ngjani me varre të lyer me gëlqere, të cilët nga jashtë duken të bukur, po përbrenda janë plot me eshtra të vdekurish e çdo ndyrësi.
28 Kështu edhe ju, nga jashtë dukeni të drejtë tek njerëzit, po përbrenda jeni plot me hipokrizi e me paligjësi.
29 Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse ndërtoni varret e profetëve edhe stolisni përmendoret e të drejtëve.
30 Edhe thoni: Po të ishim ne në ditët e etërve tanë, nuk do të ishim pjesëtarë me ata në gjakun e profetëve.
31 Kështu pra dëshmoni për veten tuaj se jeni të bijtë e atyre që vranë profetët.
32 Mbushni edhe ju masën e etërve tuaj.
33 Gjarpërinj, pjellë nepërkash, si do të ikni nga dënimi i gjehenës?
34 Prandaj, ja unë tek do të dërgoj tek ju profetë, edhe të ditur, edhe shkrues; edhe disa nga ata do t’i vrisni e do t’i kryqëzoni, edhe disa nga ata do t’i fshikulloni nëpër sinagogat tuaja edhe do t’i ndiqni nga qyteti në qytet,
35 që të vijë mbi ju çdo gjak i drejtë që derdhet mbi dhe, që nga gjaku i Abelit të drejtë e deri në gjakun e Zaharisë, birit të Barahiut, të cilin e vratë ndërmjet tempullit dhe therores.
36 Me të vërtetë po ju them juve: Të gjitha këto do të vijnë mbi këtë brez.
37 Jerusalem, Jerusalem, që vret profetët, edhe vret me gurë ata që janë dërguar tek ti, sa herë desha të mbledh bijtë e tu, sikundër i mbledh klloçka zogjtë e saj nën krahë, po nuk deshët?
38 Ja shtëpia juaj tek po ju lihet e shkretë.
39 Sepse po ju them juve: Nuk do të më shihni më, deri sa të thoni: I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit.

-24-

1 Edhe pasi Jisui doli e po ikte nga tempulli, nxënësit e tij i erdhën pranë që t’i tregojnë ndërtesat e tempullit.
2 Po Jisui u tha atyre: A nuk i shihni gjithë këto? Me të vërtetë po ju them juve: Nuk do të mbetet këtu gur mbi gur që të mos rrëzohet.
3 Edhe ndërsa ai ishte duke ndenjur mbi Malin e Ullinjve, nxënësit iu afruan mënjanë, duke thënë: Thuajna, kur do të bëhen këto? Edhe cila do të jetë shenja e ardhjes tënde dhe e mbarimit të jetës?
4 Edhe Jisui u përgjigj e u tha: Shikoni se mos ju gënjen juve ndonjë.
5 Sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim, duke thënë: Unë jam Krishti, dhe do të gënjejnë shumë njerëz.
6 Edhe do të dëgjoni luftëra e zëra luftërash. Shikoni, mos u turbulloni, sepse të gjitha këto duhet të bëhen; por fundi ende nuk është.
7 Sepse do të ngrihet komb kundër kombi, edhe mbretëri kundër mbretërie; edhe do të ketë zi buke dhe murtaja, edhe tërmete në vende të ndryshme.
8 Por të gjitha këto janë fillimi i dhimbjeve të lindjes.
9 Atëherë do t’ju dorëzojnë juve për shtrëngim, edhe do t’ju vrasin; edhe do të urreheni nga gjithë kombet për emrin tim.
10 Edhe atëherë do të skandalizohen shumë vetë, edhe do të dorëzojnë njëri-tjetrin, edhe do të urrejnë njëri-tjetrin.
11 Edhe shumë profetë të rremë do të ngrihen edhe do të gënjejnë shumë vetë;
12 Edhe pasi të shumohet paligjshmëria, dashuria e të shumtëve do të ftohet.
13 Po kush të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë.
14 Edhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në tërë botën, për dëshmi mbi gjithë kombet; edhe atëherë do të vijë fundi.
15 Kur të shihni pra “neverinë e shkretimit”, që është thënë nga profeti Daniel, duke ndenjur në vend të shenjtë, – ai që lexon le ta kuptojë. –
16 Atëherë ata që janë në Jude le të ikin nëpër male.
17 Kush të gjendet përmbi shtëpi, le të mos zbresë që të marrë gjë nga shtëpia e tij.
18 Edhe kush të gjendet në arë, le të mos kthehet prapa që të marrë rrobat e tij.
19 Edhe mjerë ato që janë shtatzëna dhe ato që kanë foshnja në gji në ato ditë.
20 Edhe lutuni që të mos bëhet ikja juaj në dimër, as të shtunën.
21 Sepse atëherë do të jetë shtrëngim i madh, i atillë që nuk është bërë që në fillim të botës e deri tani, as nuk do të bëhet.
22 Edhe po të mos shkurtoheshin ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjë mish; po ato ditë do të shkurtohen për të zgjedhurit.
23 Atëherë në ju thëntë juve ndonjëri: Ja tek është këtu Krishti, apo aty, mos besoni.
24 Sepse do të ngrihen krishtër të rremë, edhe profetë të rremë, edhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe çudira, kaq sa do të gënjejnë edhe të zgjedhurit, në mundshin.
25 Ja tek jua thashë juve më përpara.
26 Në ju thënçin pra juve: Ja tek është në shkretëtirë, mos dilni. Ja në dhomat e brendshme, mos besoni.
27 Sepse siç del vetëtima nga lind dielli dhe duket deri tek perëndon, kështu do të jetë edhe ardhja e birit të njeriut.
28 Sepse ku të jetë kufoma, atje do të mblidhen shqiponjat.
29 Edhe menjëherë pas shtrëngimit të atyre ditëve, dielli do të erret, edhe hëna nuk do të japë ndriçimin e saj; edhe yjet do të bien nga qielli, edhe fuqitë e qiejve do të tunden.
30 Edhe atëherë do të duket shenja e Birit të njeriut në qiell; edhe atëherë do të bëjnë vajtim gjithë fiset e dheut, edhe do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi e me lavdi shumë.
31 Edhe do të dërgojë engjëjt e tij me trumbetë me zë të madh, edhe do të mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, prej fundit të anëve të qiejve e deri në fund të anëve të tyre.
32 Edhe nga fiku mësoni paravolinë: Kur bëhet tashmë dega e tij e butë, edhe nxjerr gjethet, e dini se vera është afër.
33 Kështu edhe ju kur të shihni gjithë këto, ta dini se është afër ndër dyer.
34 Me të vërtetë po ju them juve, ky brez nuk do të shkojë, deri sa të bëhen të gjitha këto.
35 Qielli edhe dheu do të shkojnë, po fjalët e mia nuk do të shkojnë.
36 Edhe për atë ditë e për atë orë, asnjë nuk di gjë, as engjëjt e qiejve, veç Ati im vetëm.
37 Edhe siç ishin ditët e Noes, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut.
38 Sepse siç ishin njerëzit në ato ditë përpara përmbytjes, që hanin e pinin, martoheshin e martonin, deri në atë ditë që hyri Noeja në arkë,
39 edhe nuk e kuptuan deri sa erdhi përmbytja dhe i ngriti të gjithë; kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut.
40 Atëherë dy veta do të jenë në arë; njëri merret e tjetri lihet.
41 Dy gra do të bluajnë në mulli; njëra merret e tjetra lihet.
42 Rrini zgjuar pra, sepse nuk dini në ç’orë vjen Zoti juaj.
43 Po këtë e dini, se ta dinte i zoti i shtëpisë, në ç’kohë të natës vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar, edhe nuk do të linte të shpohej shtëpia e tij.
44 Prandaj edhe ju bëhuni gati, sepse Biri i njeriut vjen në atë orë që nuk jua pret mendja juve.
45 Cili vallë është ai shërbëtor besnik dhe i mençur, të cilin i zoti e vuri kujdestar mbi shërbëtorët e tij, që t’u japë atyre ushqimin në kohën e duhur?
46 Lum ai shërbëtor, të cilin, kur të vijë i zoti, ta gjejë duke bërë kështu.
47 Me të vërtetë po ju them juve, se do ta vërë atë kujdestar mbi gjithë pasurinë e tij.
48 Por në thëntë ai shërbëtori i lig në zemrën e tij: Im zot vonon të vijë;
49 edhe të zërë të rrahë shokët e tij shërbëtorë, edhe të hajë e të pijë bashkë me ata që dehen,
50 i zoti i atij shërbëtori do të vijë në atë ditë që ai nuk e pret dhe në atë orë që ai nuk e di;
51 edhe do ta ndajë më dysh, edhe do ta vërë pjesën e atij bashkë me hipokritët; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.

-25-

1 Atëherë mbretëria e qiejve do të ngjajë me dhjetë virgjëresha, të cilat morën llambat e tyre dhe dolën të presin dhëndrin.
2 Edhe nga ato, pesë ishin të mençura dhe pesë të marra.
3 Ato të marrat, kur morën llambat e tyre, nuk morën vaj me vete.
4 Po të mençurat morën vaj në enët e tyre bashkë me llambat e tyre.
5 Edhe si u vonua dhëndri, dremitën të gjitha edhe flinin.
6 Edhe në mes të natës u bë një thirrje: Ja dhëndri tek po vjen; dilni për ta pritur atë.
7 Atëherë, gjithë ato virgjëreshat u ngritën dhe ndreqën llambat e tyre.
8 Po të marrat u thanë të mençurave: Jepnani nga vaji juaj, sepse llambat tona po shuhen.
9 Edhe të mençurat u përgjigjën, duke thënë: Jo, se ndoshta nuk do të na mjaftojë neve dhe juve; po më mirë shkoni tek ata që shesin dhe blini për veten tuaj.
10 Edhe kur po shkonin të blinin, dhëndri erdhi; edhe ato që ishin gati hynë bashkë me të në dasmë, edhe u mbyll dera.
11 Po pastaj vijnë edhe virgjëreshat e tjera, e thonë: Zot, zot, hapna.
12 Por ai u përgjigj e tha: Me të vërtetë po ju them juve, nuk ju njoh.
13 Rrini zgjuar pra, sepse nuk e dini ditën, as orën, në të cilën vjen Biri i njeriut.
14 Sepse do të vijë pikërisht si një njeri, që kur po largohej në dhe të huaj, thirri shërbëtorët e tij e u dorëzoi atyre pasurinë e tij.
15 Edhe njërit i dha pesë talanta, e tjetrit dy, e tjetrit një; secilit sipas fuqisë së tij; edhe menjëherë iku në dhe të huaj.
16 Atëherë ai që mori të pesë talantat, shkoi e tregëtoi me ato, edhe bëri pesë talanta të tjera. 17 Kështu edhe ai që mori dy, fitoi edhe ai dy të tjera.
18 Po ai që mori njërën, shkoi e gërmoi në dhe, edhe fshehu argjendin e të zotit.
19 Edhe pas shumë kohe vjen i zoti i atyre shërbëtorëve, edhe bën llogari me ta.
20 Edhe si i erdhi pranë ai që pati marrë të pesë talantat, pruri pesë talanta të tjera, duke thënë: Zot, pesë talanta më dhe në dorë, ja tek fitova prej atyre pesë talanta të tjera.
21 I zoti i tha: Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik. Mbi të pakta ishe besnik, mbi të shumta do të të vë. Hyr në gëzimin e tët zoti.
22 Edhe erdhi pranë edhe ai që pati marrë të dy talantat, edhe tha:
23 Zot dy talanta më dhe në dorë, ja tek fitova prej atyre dy talanta të tjera. I zoti i tha: Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik. Mbi të pakta ishe besnik, mbi të shumta do të të vë. Hyr në gëzimin e tët zoti.
24 Edhe erdhi pranë edhe ai që pati marrë një talantë, e tha: Zot, të dija se je njeri i ashpër, që korr tek nuk mbolle, dhe mbledh tek nuk shpërndave.
25 Edhe pasi pata frikë, shkova e fsheha talantën tënde në dhe. Ja tek e ke tënden.
26 Edhe i zoti u përgjigj e i tha: Shërbëtor i lig e përtac, ti e dije se unë korr tek nuk mbolla, dhe mbledh tek nuk shpërndava.
27 Duhej pra ta vije argjendin tim te kamatarët dhe kur të vija unë, do të merrja timen bashkë me kamatën.
28 Merrni pra prej atij talantën, edhe jepjani atij që ka të dhjetë talantat.
29 Sepse kujtdo që ka, do t’i jepet dhe do t’i teprojë; edhe prej atij që s’ka, edhe ajo që ka, do të merret prej tij.
30 Edhe shërbëtorin e pavlerë hidheni në errësirën e jashtme; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.
31 Edhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, edhe gjithë engjëjt e shenjtë bashkë me të, atëherë do të rrijë mbi fronin e lavdisë së tij. 32 Edhe do të mblidhen përpara tij gjithë kombet; edhe do t’i ndajë ata njërin nga tjetri, siç ndan bariu dhentë nga dhitë.
33 Edhe do të vërë dhentë në të djathtë e dhitë në të majtë.
34 Atëherë mbreti do t’u thotë atyre që rrinë në të djathtë të tij: Ejani të bekuarit e tim Eti, trashëgoni mbretërinë që është bërë gati për ju që kurse është themeluar bota.
35 Sepse pata uri e më dhatë të ha; pata etje, e më dhatë të pi; i huaj isha, e më morët brenda;
36 i zhveshur, e më veshët; u sëmura, edhe erdhët të më shihni; isha në burg, edhe erdhët tek unë.
37 Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen, duke thënë: Zot, kur të pamë ty duke pasur uri e të ushqyem? Apo duke pasur etje, e të dhamë të pish? 38 Edhe kur të pamë të huaj, e të morëm brenda? Apo të zhveshur, e të veshëm?
39 Edhe kur të pamë të sëmurë ose në burg, edhe erdhëm tek ti?
40 Edhe mbreti do të përgjigjet e do t’u thotë atyre: Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua.
41 Atëherë do t’u thotë edhe atyre që rrinë në të majtë: Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, që është bërë gati për djallin e për engjëjt e tij.
42 Sepse pata uri, e s’më dhatë të ha; pata etje, e s’më dhatë të pi;
43 isha i huaj, e nuk më morët brenda; i zhveshur, edhe nuk më veshët; i sëmurë e në burg, edhe nuk erdhët të më shihni.
44 Atëherë do t’i përgjigjen edhe ata, duke thënë: Zot, kur të pamë ty duke pasur uri, a duke pasur etje, a të huaj, a të zhveshur, a të sëmurë, a në burg, e nuk të shërbyem?
45 Atëherë do t’u përgjigjet e do t’u thotë atyre: Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa nuk i bëtë njërit prej këtyre më të vegjëlve, as mua nuk ma keni bërë.
46 Edhe këta do të shkojnë në dënim të përjetshëm; edhe të drejtët në jetë të përjetshme.

-26-

1 Edhe Jisui, kur mbaroi gjithë këto fjalë, u tha nxënësve të tij:
2 E dini se pas dy ditësh është pashka, edhe Biri i njeriut dorëzohet për t’u kryqëzuar.
3 Atëherë u mblodhën kryepriftërinjtë edhe shkruesit edhe pleqtë e popullit në avllinë e kryepriftit, që quhej Kaiafa,
4 edhe bënë këshillë që ta zënë Jisuin me dinakëri, edhe ta vrasin.
5 Edhe thoshin: Jo të kremten, që të mos bëhet trazirë në popull.
6 Edhe kur ishte Jisui në Betani, në shtëpinë e Simon lebrozit,
7 erdhi pranë tij një grua që kishte një alabastër me miro shumë të shtrenjtë dhe e derdhi mbi kryet e tij, ndërsa ishte duke ndenjur në tryezë.
8 Edhe nxënësit e tij kur panë, u zemëruan, e thanë: Përse kjo humbje?
9 Sepse kjo miro mund të shitej shtrenjtë, edhe t’u jepej të varfërve.
10 Edhe Jisui, si kuptoi, u tha atyre: Përse e mundoni gruan? Sepse kjo bëri punë të mirë tek unë.
11 Sepse të varfërit i keni përherë me veten tuaj, po mua nuk më keni përherë.
12 Sepse kjo, kur derdhi këtë miro mbi trupin tim, e bëri këtë për futjen time në varr.
13 Me të vërtetë po ju them juve, kudo që të predikohet ky ungjill në gjithë botën, do të flitet edhe ç’bëri kjo, në kujtim të saj.
14 Atëherë një nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Juda Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë e tha: 15 Ç’do të më jepni, edhe unë t’jua dorëzoj juve atë?
16 Edhe ata i numëruan tridhjetë monedha argjendi. Edhe që atëherë kërkonte kohën e duhur ta dorëzonte.
17 Edhe të parën ditë të të pabrumëtave, nxënësit erdhën pranë Jisuit e i thanë: Ku do të bëjmë gati për ty të hash pashkën?
18 Edhe ai tha: Shkoni në qytet tek filani, edhe i thoni: Mësuesi thotë: Koha ime është afër. Do të bëj pashkën tek ti bashkë me nxënësit e mi.
19 Edhe nxënësit bënë siç i porositi Jisui, edhe përgatitën pashkën.
20 Edhe kur u ngrys, ishte duke ndenjur në mësallë bashkë me të dymbëdhjetët.
21 Edhe ndërsa ata ishin duke ngrënë, tha: Me të vërtetë po ju them, se një nga ju do të më dorëzojë.
22 Edhe ata u hidhëruan fort dhe zunë t’i thonë gjithësecili nga ata: Zot, mos jam unë?
23 Edhe ai u përgjigj e tha: Ai që ngjeu dorën në pjatë bashkë me mua, ky do të më dorëzojë.
24 I Biri i njeriut ikën, siç është shkruar për të; po mjerë ai njeri me anë të të cilit dorëzohet i Biri i njeriut. Do të ishte mirë për atë njeri të mos kishte lindur.
25 Edhe Juda, ai që e dorëzoi, u përgjigj e tha: Mos jam unë, Rabbi? I thotë atij: Ti e the.
26 Dhe ndërsa ata ishin duke ngrënë, Jisui mori bukën, edhe si e bekoi, e theu, edhe ua dha nxënësve e tha:
27 Merrni hani; ky është trupi im. Edhe mori potirin, edhe si falënderoi, ua dha atyre, duke thënë: Pini prej këtij të gjithë;
28 sepse ky është gjaku im i dhiatës së re, që derdhet për shumë veta për ndjesën e mëkateve.
29 Edhe po ju them juve se nuk kam për të pirë që nga tani nga kjo pemë e hardhisë, deri në atë ditë kur ta pi të re bashkë me ju në mbretërinë e Atit tim.
30 Edhe si psalën himne, dolën në Malin e Ullinjve.
31 Atëherë Jisui u thotë atyre: Të gjithë ju do të skandalizoheni për mua këtë natë; sepse është shkruar: “Do të godas bariun edhe dhentë e tufës do të shpërndahen”.
32 Edhe pasi të ngjallem unë, do të shkoj përpara jush në Galile.
33 Edhe Pjetri u përgjigj e i tha: Edhe në u skandalizofshin të gjithë për ty, unë nuk do të skandalizohem kurrë. Jisui i tha:
34 Me të vërtetë po të them se këtë natë, para se të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh.
35 Pjetri i thotë: Edhe në u dashtë të vdes unë bashkë me ty, nuk do të të mohoj. Kështu thanë edhe të gjithë nxënësit.
36 Atëherë Jisui vjen bashkë me ata në një vend që quhet Gjethsimani; dhe u thotë nxënësve: Rrini aty, deri sa të shkoj e të lutem atje.
37 Edhe mori me vete Pjetrin dhe të dy bijtë e Zevedheut, e zuri të pikëllohet e të angështohet. 38 Atëherë Jisui u thotë atyre: Shpirti im është i pikëlluar thellë deri në vdekje; qëndroni këtu, edhe rrini zgjuar bashkë me mua.
39 Edhe si shkoi pakëz më tej, ra me fytyrën e tij përmbys, duke u lutur e duke thënë: Ati im, në qoftë se mundet, le të hiqet prej meje ky potir; por jo si dua unë, po si të duash ti.
40 Edhe vjen te nxënësit e i gjen ata duke fjetur, edhe i thotë Pjetrit: Kështu nuk mundët të rrini zgjuar një orë bashkë me mua?
41 Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos hyni në ngasje; sepse shpirti është i gatshëm, po mishi i pafuqishëm.
42 Prapë për së dyti shkoi e u lut, duke thënë: Ati im, në qoftë se nuk mund të hiqet prej meje ky potir, që të mos e pi atë, le të bëhet vullneti yt.
43 Edhe erdhi e i gjeti përsëri duke fjetur; sepse sytë e tyre ishin rënduar.
44 Edhe si i la ata, shkoi përsëri e u lut për së treti, duke thënë po atë fjalë.
45 Atëherë vjen te nxënësit e tij, edhe u thotë atyre: Flini pra, edhe prehuni. Ja tek u afrua ora, edhe Biri i njeriut jepet në duar mëkatarësh. 46 Ngrihuni, le të shkojmë. Ja tek u afrua ai që do të më dorëzojë.
47 Edhe ndërsa ai ishte duke folur, ja tek erdhi Juda, një nga të dymbëdhjetët, edhe bashkë me të një turmë e madhe me thika e me drunj nga ana e kryepriftërinjve dhe pleqve të popullit.
48 Edhe ai që e dorëzonte atë, u dha atyre shenjë, duke thënë: Ai që do të puth, ai është; kapeni.
49 Edhe përnjëherë erdhi pranë Jisuit e tha: Gëzohu, Rabbi; edhe e puthi.
50 Edhe Jisui i tha: Mik, përse erdhe? Atëherë u afruan e vunë duart mbi Jisuin dhe e zunë.
51 Edhe ja një nga ata që ishin bashkë me Jisuin, zgjati dorën e nxori thikën e tij, edhe i ra shërbëtorit të kryepriftit e i preu veshin.
52 Atëherë Jisui i thotë atij: Ktheje thikën tënde në vendin e saj, sepse të gjithë ata që vënë dorë mbi thikë, prej thike do të vdesin.
53 Apo mendon se nuk mund t’i lutem tani Atit tim, edhe të më rreshtojë më tepër se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?
54 Si do të përmbushen pra shkrimet, se kështu duhet të bëhet?
55 Në atë orë Jisui u tha turmave: Si mbi një kusar keni dalë me thika e me drunj të më kapni? Përditë rrija tek ju duke ju mësuar në tempull, edhe nuk më kapët.
56 Po gjithë kjo u bë, që të përmbushen shkrimet e profetëve. Atëherë gjithë nxënësit e lanë dhe ikën.
57 Edhe ata, si zunë Jisuin, e prunë te Kaiafa, kryeprifti, atje ku ishin mbledhur shkruesit dhe pleqtë.
58 Po Pjetri i shkoi prapa për së largu, deri në avllinë e kryepriftit; edhe si hyri brenda, rrinte bashkë me shërbëtorët, që të shihte fundin.
59 Edhe kryepriftërinjtë e pleqtë dhe gjithë këshilli kërkonin dëshmi të rreme kundër Jisuit, që ta vrisnin atë, po nuk gjetën.
60 Edhe ndonëse erdhën shumë dëshmitarë të rremë, nuk gjetën. Po pastaj erdhën dy dëshmitarë të rremë, e thanë:
61 Ky tha: Mund të prish tempullin e Perëndisë edhe për tri ditë ta ndërtoj atë.
62 Edhe kryeprifti u ngrit e i tha: Fare nuk përgjigjesh? Ç’dëshmojnë këta kundër teje?
63 Po Jisui nuk bënte zë.
Edhe kryeprifti u përgjigj e i tha: Të vë në be për Perëndinë e gjallë, të na thuash në je ti Krishti, Biri i Perëndisë.
64 Jisui i thotë atij: Ti e the. Por unë po ju them juve: Që tani do të shihni Birin e njeriut duke ndenjur në anë të djathtë të fuqisë e duke ardhur mbi retë e qiellit.
65 Atëherë kryeprifti çori rrobat e tij, duke thënë se: Blasfemoi; ç’nevojë kemi më për dëshmitarë? Ja tani tek e dëgjuat blasfeminë e tij. Si ju duket juve?
66 Dhe ata u përgjigjën e thanë: Eshtë fajtor për vdekje.
67 Atëherë e pështynë atë në fytyrë dhe e goditën në zverk, edhe të tjerë i ranë me shuplaka,
68 duke thënë: Profetizona, o Krisht, cili është ai që të ra?
69 Edhe Pjetri rrinte përjashta në avlli; edhe i erdhi pranë një shërbëtore, duke thënë: Edhe ti ishe bashkë me Jisu Galileasin.
70 Po ai e mohoi përpara të gjithëve, duke thënë: Nuk di se ç’thua.
71 Edhe kur ai doli tek porta, e pa atë një shërbëtore tjetër, edhe u thotë atyre që ishin atje: Edhe ky ishte bashkë me Jisu Nazaretasin.
72 Edhe përsëri e mohoi me be se nuk e njoh këtë njeri.
73 Edhe pas pak erdhën pranë tij ata që ishin duke ndenjur e i thanë Pjetrit: Me të vërtetë edhe ti je nga ata; sepse edhe të folurit tënd të tregon ty.
74 Atëherë zuri të mallkojë e të bëjë be se nuk e njoh këtë njeri.
75 Edhe përnjëherë këndoi gjeli. Atëherë i ra ndër mend Pjetrit fjala e Jisuit që i pati thënë se para se të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh; edhe doli jashtë e qau hidhur.

-27-

1 Edhe si u gdhi, gjithë kryepriftërinjtë edhe pleqtë e popullit morën vendim në këshillë kundër Jisuit, që ta vrasin atë.
2 Edhe si e lidhën, e çuan dhe e dorëzuan te Pont Pilati, qeveritari.
3 Atëherë, kur pa Juda, ai që e dorëzoi, se u dënua, u pendua, edhe ktheu të tridhjetë argjendet te kryepriftërinjtë dhe te pleqtë,
4 duke thënë: Mëkatova që dorëzova gjak të pafajshëm. Edhe ata thanë: Ç’punë kemi ne? Shikoje vetë.
5 Edhe ai, si hodhi argjendet në tempull, iku dhe shkoi e u var.
6 Edhe kryepriftërinjtë si morën argjendet, thanë: Nuk është e udhës t’i vemë ato në arkën e tempullit, sepse janë çmim gjaku.
7 Edhe si bënë këshillë, blenë me to arën e poçarit, për të varrosur të huajt.
8 Prandaj ajo arë u quajt Arë Gjaku, deri sot.
9 Atëherë u përmbush ç’është thënë me anë të profetit Jeremia, që thotë: “Edhe morën të tridhjetë argjendet, çmimin e atij që u çmua, siç u vlerësua nga të bijtë e Izraelit,
10 dhe i dhanë në arën e poçarit, siç më porositi Zoti”.
11 Edhe Jisui ndenji përpara qeveritarit; edhe qeveritari e pyeti, duke thënë: Ti je mbreti i Judenjve? Edhe Jisui i tha: Ti po thua.
12 Edhe kur akuzohej nga kryepriftërinjtë edhe nga pleqtë, nuk përgjigjej fare.
13 Atëherë Pilati i thotë: Nuk dëgjon sa dëshmojnë kundër teje?
14 Po ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, aq sa qeveritari çuditej fort.
15 Edhe qeveritari kishte zakon për të kremte t’i lëshonte popullit një të burgosur, atë që të donin ata.
16 Dhe atëherë kishin një të burgosur me emër, që quhej Baraba.
17 Ndërsa ata pra ishin mbledhur, Pilati u tha atyre: Cilin doni t’ju lëshoj juve? Barabën apo Jisuin që quhet Krisht.
18 Sepse e dinte se e dorëzuan nga smira.
19 Edhe ndërsa ai po rrinte mbi fronin e gjyqit, gruaja e tij dërgoi një njeri tek ai, e i tha: Ti mos i bëj gjë atij të drejti, sepse sot pësova shumë në ëndërr për atë.
20 Edhe kryepriftërinjtë e pleqtë u mbushën mendjen turmave që të kërkojnë Barabën, edhe Jisuin ta vrasin.
21 Edhe qeveritari u përgjigj e u tha atyre: Cilin nga të dy doni t’ju lëshoj juve?
22 Edhe ata thanë: Barabën. Pilati u thotë atyre: Ç’ta bëj pra Jisuin që quhet Krisht? Të gjithë i thonë: Le të kryqëzohet.
23 Edhe qeveritari tha: Përse, ç’të keqe ka bërë? Po ata bërtitnin më tepër, duke thënë: Le të kryqëzohet.
24 Edhe Pilati, si pa se s’ka dobi, po më tepër bëhet trazirë, mori ujë e lau duart përpara turmës, duke thënë: I pafajshëm jam nga gjaku i këtij të drejti. Ju keni për të parë.
25 Edhe gjithë populli u përgjigj e tha: Gjaku i tij qoftë mbi ne, edhe mbi bijtë tanë.
26 Atëherë u lëshoi atyre Barabën. Dhe Jisuin, si e fshikulloi me shufër, e dorëzoi që të kryqëzohet.
27 Atëherë ushtarët e qeveritarit morën me vete Jisuin në pretore, edhe mblodhën mbi të gjithë kohortën e ushtarëve.
28 Edhe e zhveshën, e i veshën atij një rrobë të kuqe.
29 Edhe thurën një kurorë gjembash e ia vunë mbi krye, edhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; edhe ranë në gjunjë para tij, edhe e përqeshnin, duke thënë: Gëzohu, o mbret i Judenjve.
30 Edhe si e pështynë, morën kallamin e i binin kokës së tij.
31 Edhe pasi e përqeshën, i zhveshën rrobën e kuqe, edhe i veshën rrobat e tij, edhe e çuan ta kryqëzojnë.
32 Edhe duke dalë, gjetën një njeri kireneas, që e kishte emrin Simon. Këtë e zunë angari që të ngrejë kryqin e atij.
33 Edhe kur erdhën në një vend që quhet Golgota, që do të thotë Vendi i Kafkës,
34 i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, si e provoi, nuk deshi të pinte.
35 Edhe si e kryqëzuan, ndanë rrobat e tij duke hedhur short.
36 Edhe duke ndenjur e ruanin atë atje.
37 Edhe vunë të shkruar sipër kokës së tij shkakun e dënimit të tij: Ky është Jisui mbreti i Judenjve.
38 Atëherë kryqëzohen bashkë me të dy kusarë, një në anë të djathtë, edhe një në anë të majtë.
39 Dhe kalimtarët, e shanin atë duke tundur kryet e tyre, e duke thënë:
40 Ti që prish tempullin, edhe për tri ditë e ndërton, shpëto veten tënde. Në je i Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi.
41 Kështu edhe kryepriftërinjtë bashkë me shkruesit e pleqtë duke e përqeshur atë thoshin: 42 Të tjerë shpëtoi, veten e tij nuk mund ta shpëtojë. Në është mbret i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe do t’i besojmë.
43 Kishte besim në Perëndinë; le ta shpëtojë tani, në qoftë se e do; sepse tha se jam bir Perëndie. 44 Gjithashtu edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të, e përqeshnin.
45 Edhe që nga ora e gjashtë u bë një errësirë mbi gjithë dhenë deri në orën e nëntë.
46 Edhe rreth orës së nëntë Jisui thirri me zë të madh, duke thënë: “Eli, Eli lama sabakthani”, që do të thotë “Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise?”
47 Edhe disa nga ata që ishin atje, kur dëgjuan, thanë se ky po thërret Ilian.
48 Edhe menjëherë vrapoi një nga ata, edhe mori një sfungjer, edhe e mbushi me uthull, edhe e vuri mbi një kallam, e i jepte të pijë .
49 Edhe të tjerët thoshin: Le të shohim, në qoftë se vjen Ilia ta shpëtojë.
50 Edhe Jisui si thirri përsëri me zë të madh, dha shpirtin.
51 Edhe ja kurtina e tempullit tek u ça më dysh prej së larti deri poshtë; edhe toka u tund; edhe gurët plasën;
52 edhe varret u hapën, edhe shumë trupa shenjtorësh që kishin fjetur u ngjallën,
53 edhe dolën nga varret pas ngjalljes së tij, e hynë në qytetin e shenjtë, edhe iu shfaqën shumë vetëve.
54 Edhe kryeqindësi dhe ata që ishin bashkë me të duke ruajtur Jisuin, kur panë tërmetin dhe ato që ndodhën, u frikësuan fort, e thoshin: Me të vërtetë ky paska qenë bir Perëndie.
55 Edhe atje ishin shumë gra duke parë prej së largu, të cilat kishin shkuar prapa Jisuit nga Galileja, duke i shërbyer atij.
56 Në mes tyre ishte Maria Magdalena, edhe Maria, e ëma e Jakovit dhe e Josiut, edhe e ëma e bijve të Zevedheut.
57 Edhe si u ngrys, erdhi një njeri i pasur nga Arimatea me emrin Josif, që edhe ai vetë kishte qenë nxënës i Jisuit.
58 Ky shkoi tek Pilati e kërkoi trupin e Jisuit. Atëherë Pilati urdhëroi t’i jepet trupi.
59 Edhe Josifi mori trupin, edhe e mbështolli me pëlhurë të pastër,
60 edhe e vuri në varrin e tij të ri, që e kishte gërmuar në shkëmb, edhe si rrokullisi një gur të madh në derën e varrit, iku.
61 Edhe atje ishte Maria Magdalena, edhe Maria tjetër, duke ndenjur përballë varrit.
62 Edhe të nesërmen, që është pas së premtes, u mblodhën kryepriftërinjtë dhe Farisenjtë tek Pilati,
63 duke thënë: Zot, na ra ndër mend, se ai mashtruesi tha kur qe ende i gjallë: Pas tri ditësh do të ngjallem.
64 Urdhëro pra të ruhet mirë varri deri në të tretën ditë, se mos vijnë nxënësit e tij natën edhe e vjedhin, edhe i thonë popullit se u ngjall prej së vdekurish. Edhe gënjeshtra e fundit do të jetë më e keqe se e para.
65 Edhe Pilati u tha atyre: Keni roje, shkoni dhe sigurojeni si të dini.
66 Edhe ata shkuan dhe siguruan varrin, duke vulosur gurin bashkë me rojet.

-28-

1 Edhe si shkoi e shtuna, duke gdhirë e Dielë, që është e para ditë e javës, erdhi Maria Magdalena, edhe Maria tjetër, që të shihnin varrin.
2 Edhe ja tek u bë një tërmet i madh; sepse engjëlli i Zotit zbriti nga qielli dhe erdhi e rrokullisi gurin nga dera e varrit, edhe rrinte sipër tij.
3 Edhe pamja e tij ishte si vetëtimë, edhe rroba e tij e bardhë si dëborë.
4 Edhe ata që ruanin, u drodhën nga frika e atij, edhe u bënë si të vdekur.
5 Edhe engjëlli u përgjigj e u tha grave: Mos kini frikë ju, sepse e di se kërkoni Jisuin që u kryqëzua.
6 Nuk është këtu, sepse u ngjall, siç pati thënë. Ejani, shihni vendin ku dergjej Zoti.
7 Edhe shkoni shpejt e u thoni nxënësve të tij se u ngjall prej së vdekurish; edhe ja tek po shkon më përpara se ju në Galile; atje do ta shihni atë. Ja tek jua thashë juve.
8 Edhe ato dolën shpejt nga varri me frikë e me gëzim të madh, edhe vrapuan të lajmëronin nxënësit e tij.
9 Edhe duke shkuar t’u jepnin zë nxënësve të tij, ja Jisui i takoi ato, e u tha: Gëzohuni. Edhe ato i erdhën pranë e i zunë këmbët dhe iu falën.
10 Atëherë Jisui u tha atyre: Mos kini frikë, shkoni, lajmëroni vëllezërit e mi që të shkojnë në Galile, edhe atje do të më shohin.
11 Edhe ndërsa ato ishin duke shkuar, ja ca nga rojet tek erdhën në qytet e lajmëruan kryepriftërinjtë për gjithë sa u bënë.
12 Edhe ata u mblodhën bashkë me pleqtë dhe, si u këshilluan, u dhanë ushtarëve mjaft argjende, duke thënë:
13 Thoni se nxënësit e tij erdhën natën dhe e vodhën, ndërsa ne po flinim.
14 Edhe në u dëgjoftë kjo nga qeveritari, ne do t’i mbushim atij mendjen dhe do të bëjmë që ju të mos keni përgjegjësi.
15 Edhe ata si morën argjendet, bënë siç u mësuan. Edhe kjo fjalë u përhap nëpër Judenjtë deri në ditët e sotme.
16 Edhe të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në malin që i pati porositur Jisui.
17 Edhe kur e panë, iu falën atij; po disa nga ata ngurruan.
18 Edhe Jisui erdhi pranë e u foli atyre, duke thënë: M’u dha çdo pushtet në qiell e mbi dhe.
19 Shkoni pra e mësoni gjithë kombet, edhe i pagëzoni në emrin e Atit e të Birit dhe të Frymës së Shenjtë.
20 Edhe i mësoni ata të ruajnë gjithë sa ju kam porositur juve. Edhe ja, unë jam bashkë me ju gjithë ditët deri në mbarim të jetës. Amin.

UNGJILLI SIPAS MATHEUT

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme