Gjithmonë duke përcjellë mesazhin orthodhoks.

Gazeta e parë “Ngjallja” doli në tetor 1992. Deri në janar 2021 kanë dalë 337 numra të saj.

Kryepiskopi Anastas, nismëtari, projektuesi dhe realizuesi i saj, e quante parësore daljen e “Ngjallja” dhe në fjalimin e Fronëzimit e kishte quajtur botimin e një gazete të Kishës si “nevojë urgjente”. Kryeredaktori i parë ishte dr. Thoma Qendro.

Puna filloi me një kompjuter të dhuruar, në një dhomë të vogël private të marrë me qira. Më pas u kalua në mjediset e reja që iu shtuan kishës së Ungjillëzimit, derisa, më 1995, u vendos, bashkë me zyrat e tjera, në godinën e Kryepiskopatës, të blerë dhe të rikonstruktuar thellësisht me fondet e siguruara nga Fortlumturia e Tij. Tani gazeta punon në mjediset bashkëkohore të godinës së Sinodit të Shenjtë, mbrapa Katedrales madhështore “Ngjallja e Krishtit”.

Në vitin 1994, Kryepiskopi Anastas siguroi një shtypshkronje ku nisi të botohej gazeta, kalendari dhe libra të ndryshëm. Ajo sot është kthyer në tipografi moderne, vendosur në kompleksin e punishteve “Nazaret”.

Në faqet e “Ngjallja” kanë zënë vend të veçantë vit pas viti betejat për të mbrojtur Kishën tonë nga sulmet që synonin më kot të ndalnin ecjen e saj. Kanë zënë vend data historike të këtyre dy dekadave ringritjeje të mrekullue shme nga gërmadhat, ku do të veçonim zgjedhjen e Kryepiskopit Anastas, që shënoi Ringritjen Kanonike të Kishës sonë, krijimin e Sinodit të Shenjtë dhe hirotonitë e episkopëve të rinj e deri te Statuti i ri apo marrëveshja dhe njohja zyrtare nga Shteti sipas Kushtetutës.

Në “Ngjallja” ka zënë vend mendimi i klerikëve, teologëve, por edhe i besimtarëve. Ka zënë vend vepra e shquar sociale për shtresat më në nevojë dhe kontributi i veçantë në raste krizash dhe çastet e vështira që ka ka luar vendi. Ka zënë vend roli gjithmonë në rritje i Kishës dhe Fortlumturisë së Tij mes Kishave Orthodhokse dhe atyre të Krishtera në përgjithësi, por edhe në dialogun ndërfetar, si dhe vizitat dhe veprimtaritë e rëndësishme ndërkombëtare.

Në “Ngjallja” ka zënë vend të veçantë Besimi Orthodhoks, shenjtorët dhe shpjegimi i besimit tonë. Ka zënë vend historia e Kishës sonë, e klerikëve dhe e figurave të shquara që kontribuuan në vite. Kanë zënë vend lajmet e ndryshme nga bota e krishterë…
E gjithë kjo ka ardhur nëpërmjet firmave te personaliteteve të Kishës dhe shoqërisë sonë, ku dallohet kontributi i Kryepiskopit Anastas, por edhe atyre që kanë qenë tepër të rëndësishëm për ecjen e gazetës.

“Ngjallja” – gazetë e mesazhit kristian orthodhoks.

Pas një periudhe të gjatë persekutimi të egër, gjatë së cilës shteti ateist kryqëzoi fenë në Shqipëri dhe luftoi me mani ta zhdukë atë përgjithnjë, besimi përsëri po ngjallet me plot shkëlqim.

Me himnin tradicional “Krishti u Ngjall” nisi Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ringritjen dhe organizimin e saj në këtë epokë të re. Me himnin e Ngjalljes lufton të mbështesë dashurinë, guximin dhe durimin e popullit të shumëvuajtur.

Predikimi për Jisu Krishtin, Kryqin me Ngjalljen e Tij përbën boshtin qendror të Mesazhit Kristian.

Çdo të diel në Shërbesën e Orthrit ne orthodhoksët panegjerizojmë në veçanti Ngjalljen e Krishtit, duke u frymëzuar prej saj për përpjekjen e javës që fillojmë. Ngjallja mbetet zemra e spiritualitetit orthodhoks dhe ndryshimi llojësor i tij.

Prandaj gazeta e parë që boton Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në këtë fazë të re të historisë së saj mban titullin shumë të rëndësishëm “Ngjallja”.

Mesazhin, paqen dhe frymën e Ngjalljes do të përpiqet të transmetojë në çdo numër të saj. Triumfi i dashurisë mbi urrejtjen, i së vërtetës mbi gënjeshtrën, i shpresës mbi zhgënjimin dhe frikën, është aspirata e saj. Dritën e Ngjalljes dëshiron të rrezatojë dhe të përhapë me artikujt dhe lajmet e saj.

Tema, vizioni dhe frymëzimi i saj – Ngjallja. Ngjallja që bashkekziston mistikisht në jetën e kryqëzuar më Krishtin; Ngjallja që u falet të gjithëve sa besojnë tek Ai që siguron: “Unë jam Ngjallja dhe jeta” (Jn. 11:25). Ecja e Ngjalljes së individëve dhe popujve me fuqinë dhe hirin e Krishtit të Kryqëzuar dhe të Ngjallur. Kontributi i çmuar “i dëshmitarëve të Ngjalljes së Tij” (Vep. 1:22) në përparimin dhe ngritjen e njerëzimit. Ngjallja si aspiratë e historisë individuale dhe botërore.

† Anastasi
Kryeartikulli i “Ngjallja” nr.1, tetor 1992

Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Post Type Selectors
fusion_tb_layout

Arkivi i gazetës Ngjallja