Letra e Dytë e Apostull Pavlit
drejtuar Korinthianëve

-1-

Kreu 1

Përshëndetje
1 Pavli, apostull i Jisu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, edhe vëllai Timothe, kishës së Perëndisë që është në Korinth, bashkë me gjithë shenjtorët që janë në gjithë Akainë,
2 hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe Zoti Jisu Krisht.

Falënderime për Perëndinë
3 I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jisu Krisht, Ati i përdëllimeve dhe Perëndia i çdo ngushëllimi,
4 që na ngushëllon në çdo shtrëngim tonin, që ne të mund të ngushëllojmë ata që gjenden në çdo shtrëngim, me anë të ngushëllimit me të cilin ngushëllohemi edhe ne vetë nga Perëndia.
5 Sepse, siç teprojnë tek ne pësimet e Jisu Krishtit, kështu me anë të Jisu Krishtit tepron edhe ngushëllimi ynë.
6 Edhe në kemi shtrëngim, është për ngushëllimin dhe për shpëtimin tuaj, që bëhet me anë të durimit të po atyre pësimeve që pësojmë edhe ne; ose nëse ngushëllohemi, ngushëllohemi për ngushëllimin dhe për shpëtimin tuaj; edhe shpresa jonë për ju është e patundur;
7 duke ditur, se siç jeni pjesëtarë të pësimeve, kështu do të jeni dhe të ngushëllimit.
8 Sepse nuk duam të mos dini, o vëllezër, për shtrëngimin tonë që na ndodhi në Azi, se vuajtëm jashtë mase, përmbi fuqinë tonë, aq sa u dëshpëruam edhe për jetën.
9 Po ne në veten tonë kishim marrë vendimin e vdekjes, që të mos kemi shpresë në veten tonë, po në Perëndinë që ngjall të vdekurit;
10 i cili na shpëtoi prej një vdekjeje kaq të madhe, edhe na shpëton; në të cilin shpresojmë se edhe prapë do të na shpëtojë,
11 kur të na ndihmoni edhe ju me lutjet për ne, që të bëhen falënderime për ne prej shumë vetash për dhuratën që na u dha me anë të shumë njerëzve.

Pavli shtyn vizitën e tij në Korinth
12 Sepse kjo është mburrja jonë, dëshmia e ndërgjegjes sonë, se me thjeshtësi e me çiltërsi Perëndie, e jo me dituri mishore, por me hir Perëndie, u sollëm në botë, edhe më tepër ndaj jush.
13 Sepse nuk ju shkruajmë të tjera, por ato që lexoni, ose edhe i njihni; dhe shpresoj se edhe deri në fund do t’i njihni,
14 sikurse edhe na keni njohur pjesërisht, se jemi mburrja juaj, sikurse edhe ju e jona, në ditën e Zotit Jisu.
15 Edhe me këtë bindje doja të vija më parë te ju, që të kishit hir të dytë,
16 edhe prej jush të shkoja në Maqedoni, edhe përsëri nga Maqedonia të vija tek ju, edhe prej jush të përcillesha për në Jude.
17 Duke menduar pra këtë, vallë, mos veprova me mendjelehtësi? Apo sa mendoj, sipas mishit i mendoj, që të jetë tek unë Po Po, e Jo Jo?
18 Po Perëndia është besnik, se fjala jonë për ju s’u bë Po dhe Jo.
19 Sepse i Biri i Perëndisë Jisu Krisht, që u predikua ndër ju me anën tonë, me anën time dhe të Siluanit dhe të Timotheut, s’u bë Po dhe Jo, po u bë Po në atë.
20 Sepse sa janë premtime Perëndie janë në atë Po, edhe në atë Amin, për lavdi të Perëndisë me anën tonë.
21 Edhe ai që na forcon ne bashkë me ju në Krishtin, e që na leu me vaj, është Perëndia,
22 i cili edhe na vulosi, edhe na dha paradhënien e Frymës në zemrat tona.
23 Edhe unë thërres dëshmitar Perëndinë në shpirtin tim, se për t’ju kursyer juve nga qortimi nuk erdha më në Korinth.
24 Jo se kemi pushtet mbi besimin tuaj, po se jemi bashkëpunëtorë të gëzimit tuaj; sepse qëndroni në besim.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-2-

1 Edhe me veten time vendosa këtë, të mos vij përsëri tek ju me hidhërim.
2 Sepse në ju hidhërofsha unë, e cili është ai që më gëzon, në mos qoftë ai që hidhërohet prej meje?
3 Edhe jua shkrova këtë, që, kur të vij, të mos kem hidhërim nga ata që duhej të kisha gëzim; duke besuar për të gjithë ju, se gëzimi im është i ju të gjithëve.
4 Sepse me shumë shtrëngim e dhimbje zemre ju shkrova me shumë lot, jo që të hidhëroheni, por që të njihni dashurinë që e kam me të tepërt për ju.

Pavli propozon të falet fajtori
5 Edhe nëse u bë ndonjë shkak hidhërimi, s’më ka hidhëruar mua vetëm, por, deri diku, se nuk dua t’ju rëndoj, juve të gjithëve.
6 Mjaft është për të këtillin ky qortim që u bë prej më të shumtëve;
7 aq sa përkundrazi duhet më tepër ta ndjeni dhe ta ngushëlloni, që njeriu i tillë të mos mbytet nga hidhërimi i tepërt.
8 Prandaj ju lutem të tregoni për të dashuri.
9 Sepse prandaj edhe ju shkrova, që të njoh provën tuaj, nëse jeni të bindur në të gjitha.
10 Edhe atij që i falni diçka, ia fal edhe unë; sepse nëse kam falur unë diçka, kujtdo që t’ia kem falur, për ju e kam bërë këtë, përpara Krishtit, që të mos teprojë fuqia e Satanait mbi ne;
11 sepse i dimë mendimet e tij.

Triumfi i predikimit të Krishtit
12 Edhe kur erdha në Troadë për të predikuar ungjillin e Krishtit, dhe m’u hap derë për Zotin, nuk pata prehje në shpirtin tim, sepse nuk gjeta Titon, vëllanë tim,
13 por si u lashë shëndet atyre, dola në Maqedoni.
14 Po falënderoj Perëndinë që na bën gjithmonë ngadhënjimtarë në Krishtin, edhe që me anën tonë përhap në çdo vend erën e njohjes së tij.
15 Sepse erë e mirë e Krishtit jemi ne përpara Perëndisë ndër të shpëtuarit dhe ndër të humburit.
16 Ndër këta jemi erë vdekjeje për vdekje, e ndër ata erë jete për jetë. Edhe cili është i zoti për këto?
17 Sepse ne nuk bëjmë tregti me fjalën e Perëndisë, si të shumtët, po si prej çiltërsie, po si prej Perëndie, përpara Perëndisë, flasim në Krishtin.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-3-

Ligji dhe Fryma
1 A nisim përsëri të rekomandojmë veten tonë? Apo mos kemi nevojë, si disa, për letra rekomandimi për ju, a për letra rekomandimi prej jush?
2 Ju jeni letra jonë, e shkruar brenda në zemrat tona, që njihet e lexohet nga të gjithë njerëzit.
3 Edhe dukeni se jeni letër e Krishtit me anë të shërbesës sonë, e shkruar jo me bojë, po me Frymën e Perëndisë së gjallë, jo në pllaka guri, po në pllaka zemrash të mishta.
4 Edhe të tillë besim kemi në Perëndinë me anë të Krishtit.
5 Jo se jemi të aftë prej vetvetes të mendojmë gjë si prej vetes sonë, por aftësia jonë është nga Perëndia,
6 i cili edhe na bëri të zotët të jemi shërbëtorë të dhiatës së re, jo të shkronjës, por të frymës; sepse shkronja vret, kurse fryma jep jetë.
7 Po në qoftë se shërbesa e vdekjes, që është gdhendur me shkronja në gur, u bë e lavdishme, aq sa bijtë e Izraelit nuk mundeshin të ngulnin sytë në fytyrën e Moisiut nga lavdia e fytyrës së tij, që ishte për t’u prishur,
8 si nuk do të jetë më shumë e lavdishme shërbesa e Frymës?
9 Sepse në qoftë se shërbesa e dënimit është lavdi, shumë më tepër tepron në lavdi shërbesa e drejtësisë.
10 Sepse as nuk u lavdërua nga kjo anë ajo që qe e lavdishme, për shkak të lavdisë që kapërcen çdo masë.
11 Sepse, në qoftë se ajo që ishte për t’u prishur qe e lavdishme, ajo që mbetet është shumë më tepër e lavdishme.
12 Duke pasur pra të tillë shpresë, flasim me shumë guxim;
13 edhe jo si Moisiu që vinte mbulesë mbi fytyrën e tij, që të mos vështronin bijtë e Izraelit fundin e asaj që ishte për t’u prishur.
14 Po mendjet e tyre u verbuan; sepse deri në ditën e sotme po ajo mbulesë në leximin e dhiatës së vjetër mbetet e pazbuluar, sepse mbulesa u hoq me anë të Krishtit.
15 Po deri sot, kur lexohet Moisiu, mbulesë gjendet mbi zemrat e tyre.
16 Po kur të kthehet Izraeli tek Zoti, mbulesa do të hiqet.
17 Dhe Zoti është Fryma; edhe ku është Fryma e Zotit, atje është liri.
18 Por ne të gjithë, duke parë me fytyrë të zbuluar, si në pasqyrë, lavdinë e Zotit, ndërrojmë formën në po atë shembëllesë, nga lavdia në lavdi, si prej Frymës së Zotit.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-4-

Ndihma e Perëndisë në veprën e Ungjillit
1 Prandaj duke pasur këtë shërbesë, siç u përdëllyem, nuk ligështohemi,
2 por mohuam të fshehtat e turpërisë dhe nuk ecim me dinakëri, as nuk shtrembërojmë fjalën e Perëndisë, po me shfaqjen e së vërtetës ia paraqesim veten tonë çdo ndërgjegjeje njerëzore përpara Perëndisë.
3 Edhe në qoftë se është i mbuluar ungjilli ynë, është i mbuluar për të humburit,
4 sepse perëndia i kësaj jete verboi mendimet e atyre që s’besojnë, që të mos i ndriçojë ata drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, i cili është shëmbëllesë e Perëndisë.
5 Sepse s’predikojmë veten tonë, por Zotin Jisu Krisht, edhe veten tonë si shërbëtorë tuaj për Jisuin.
6 Sepse Perëndia që tha të ndriçojë dritë nga errësira, është ai që ndriçoi në zemrat tona për të dhënë ndriçimin e njohjes së lavdisë së Perëndisë në personin e Jisu Krishtit.
7 Edhe kemi këtë thesar në enë balte, që të jetë teprimi i fuqisë nga Perëndia dhe jo nga ne.
8 Jemi në çdo gjë të shtrënguar, po jo të dërrmuar; të ngatërruar, po jo të dëshpëruar;
9 të përndjekur, po jo të braktisur; të vënë poshtë, po jo të humbur,
10 duke rrethsjellë gjithmonë në trup vdekjen e Zotit Jisu, që edhe jeta e Jisuit të shfaqet në trupin tonë.
11 Sepse ne që rrojmë, gjithnjë jepemi në vdekje për Krishtin, që edhe jeta e Jisuit të shfaqet në trupin tonë të vdekshëm.
12 Kështu vdekja vepron në ne, edhe jeta në ju.
13 Edhe duke pasur po atë frymë besimi, sipas Shkrimit “Besova, prandaj fola”, edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim,
14 duke ditur se ai që ngjalli Zotin Jisu do të na ngjallë edhe ne me anë të Jisuit, edhe do të na nxjerrë përpara tij bashkë me ju.
15 Sepse të gjitha janë për ju, që hiri, duke tepruar për falënderimin e më të shumtëve, të teprojë në lavdinë e Perëndisë.
16 Prandaj nuk ligështohemi; po ndonëse njeriu ynë i jashtëm prishet, i brendshmi përtërihet dita-ditës.
17 Sepse shtrëngimi ynë i lehtë i përkohshëm punon për ne një lavdi të përjetshme tepër të madhe.
18 Ne nuk i hedhim sytë mbi ato që shihen, po mbi ato që nuk shihen; sepse ato që shihen janë të përkohshme, po ato që nuk shihen janë të përjetshme.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-5-

Banesa e përkohshme dhe ajo e përjetshme
1 Sepse e dimë që, në u prishtë tenda e shtëpisë sonë tokësore, kemi ndërtesë tjetër nga Perëndia, shtëpi jo të bërë me dorë, po të përjetshme, në qiejt.
2 Sepse në këtë tendë psherëtijmë, duke dëshiruar të veshim përsipër shtëpinë tonë qiellore.
3 Dhe në qoftë se kemi veshur atë, nuk do të gjendemi të zhveshur.
4 Sepse ne që jemi në këtë tendë, psherëtijmë nën peshën e saj; sepse s’duam të zhvishemi, po të vishemi përsipër, që e vdekshmja të përpihet prej jetës.
5 Edhe ai që na krijoi për këtë punë, është Perëndia, i cili edhe na dha paradhënien e Frymës.
6 Duke pasur pra përherë guxim, dhe duke ditur se deri sa rrimë në trup jemi larg nga Zoti,
7 sepse ecim me besim, jo me të shikuar,
8 prandaj kemi guxim e na pëlqen më tepër të largohemi nga trupi, e të jemi pranë Zotit.
9 Prandaj edhe përpiqemi, qoftë duke qenë afër, qoftë duke qenë larg, t’i jemi atij të pëlqyeshëm.
10 Sepse të gjithë ne duhet të dalim përpara gjykatores së Krishtit, që të shpaguhet gjithësecili për ato punë që ka bërë me anë të trupit, qoftë mirë, qoftë keq.

Pajtimi me Perëndinë me anë të Krishtit
11 Duke ditur pra frikën e Zotit, njerëzit i bindim, edhe tek Perëndia jemi të shfaqur; edhe shpresoj se edhe në ndërgjegjen tuaj jemi të shfaqur.
12 Sepse nuk rekomandojmë veten tonë përsëri tek ju, po ju japim shkak të mburreni për ne, që të keni ç’t’u thoni atyre që mburren me pamje, e jo me zemër.
13 Sepse si të jemi jashtë mendsh, për Perëndinë jemi, si të jemi ndër mend, për ju jemi.
14 Sepse dashuria e Krishtit na shtrëngon; sepse kështu gjykojmë, se nëse vdiq një për të gjithë, të gjithë pa fjalë vdiqën.
15 Edhe vdiq për të gjithë, që ata që rrojnë të mos rrojnë më për veten e tyre, po për atë që vdiq e u ngjall për ta.
16 Prandaj ne që tani e tutje s’njohim asnjë sipas mishit; edhe ndonëse e njohëm Krishtin sipas mishit, po tani nuk e njohim më.
17 Prandaj nëse është ndonjë në Krishtin, ky është krijim i ri; të vjetrat shkuan, ja të gjitha tek u bënë të reja.
18 Edhe të gjitha janë prej Perëndisë, që na pajtoi me veten e tij me anë të Jisu Krishtit, edhe na dha shërbesën e pajtimit.
19 Domethënë se Perëndia ishte në Krishtin, duke pajtuar botën me veten e tij, pa ua llogaritur atyre fajet; edhe vuri tek ne fjalën e pajtimit.
20 Për Krishtin pra lajmësojmë, sikur t’ju lutej Perëndia me anën tonë; ju lutemi për Krishtin, pajtohuni me Perëndinë.
21 Sepse Perëndia, atë që nuk njohu mëkat, për ne e bëri të jetë mëkat, që të bëhemi ne drejtësi e Perëndisë me anë të tij.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-6-

1 Edhe si bashkëpunëtorë me të, ju lutemi juve të mos e prisni më kot hirin e Perëndisë.
2 Sepse thotë: “Në kohë të pëlqyer të dëgjova ty, edhe në ditë shpëtimi të ndihmova ty”; ja tani tek është kohë e pëlqyeshme; ja tani tek është ditë shpëtimi.
3 Në asgjë nuk japim asnjë pengesë, që të mos qortohet shërbesa jonë.
4 Por në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë, me shumë durim, në shtrëngime, në nevoja, në pikëllime,
5 në rrahje, në burgje, në turbullira, në mundime, në pagjumësi, në agjërime;
6 në pastërti, në urtësi, në zemërgjerësi, në mirësi, në Frymë të Shenjtë, në dashuri pa shtirje;
7 në fjalë të së vërtetës, në fuqi të Perëndisë; me armët e drejtësisë në dorën e djathtë e në të majtën;
8 në lavdi e në çnderim, në emër të mirë e në emër të keq; porsi mashtrues, po të vërtetë;
9 porsi të panjohur, po të njohur mirë; porsi duke vdekur, po ja tek rrojmë; porsi të munduar, po jo të vrarë;
10 porsi të hidhëruar, po gjithnjë të gëzuar; porsi të vobektë, po shumë veta pasurojmë; porsi skamës, po të gjitha i zotërojmë.
11 Goja jonë u hap për ju, o Korinthianë, zemra jonë u zgjerua. 12 Nuk jeni në ngushtim në ne, por jeni në ngushtim përbrenda jush.
13 Dhe për të na e shpërblyer, – ju flas si bijve, – bëhuni edhe ju të gjerë.

Tempulli i Perëndisë së gjallë
14 Mos hyni në një zgjedhë me të pabesët; sepse ç’të përbashkët ka drejtësia me paligjshmërinë? Edhe ç’shoqëri ka drita me errësirën?
15 Edhe ç’përputhje ka Krishti me Belialin? Apo ç’pjesë ka besimtari me të pabesin?
16 Apo ç’bashkim ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, siç tha Perëndia: “Se do të banoj në mes tyre, dhe do të eci; dhe do të jem Perëndia i tyre, dhe ata do të jenë populli im”.
17 Prandaj “dilni nga mesi i tyre”, edhe “ndahuni nga ata, thotë Zoti”, edhe “mos prekni asgjë të papastër”, edhe “unë do t’ju pres brenda”,
18 edhe “do të jem Ati juaj, dhe do të jeni bijtë e mi dhe bijat e mia, thotë Zoti i Gjithëpushtetshëm”.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-7-

1 Duke pasur pra, o të dashur, këto premtime, le të pastrojmë veten tonë nga çdo ndyrësi të mishit e të shpirtit, duke punuar shenjtëri me frikë Perëndie.

Hidhërimi dhe gëzimi i Pavlit
2 Na bëni vend; askujt s’i bëmë keq; asnjeri nuk prishëm, nga askush nuk përfituam.
3 Nuk e them këtë për t’ju dënuar; sepse ju thashë që më parë, se jeni në zemrat tona, aq sa të vdesim bashkë e të rrojmë bashkë.
4 I shumtë është guximi im tek ju, e shumtë mburrja ime për ju; jam plot me ngushëllim, ndjej gëzim shumë të madh në gjithë shtrëngimin tonë.
5 Sepse si erdhëm në Maqedoni, trupi ynë nuk pati fare prehje, po gjendeshim në shtrëngime në çdo gjë; përjashta luftëra, përbrenda frikëra.
6 Po Perëndia që ngushëllon të përulurit, na ngushëlloi me ardhjen e Titos.
7 Edhe jo vetëm me ardhjen e tij, po edhe me ngushëllimin që u ngushëllua tek ju, duke na treguar për mallin tuaj të madh, ngashërimin tuaj, zellin tuaj për mua; aq sa u gëzova tepër.
8 Sepse, ndonëse ju hidhërova me letrën, nuk pendohem, ndonëse më vinte keq; sepse shoh se ajo letër, megjithëse për pak kohë, ju hidhëroi.
9 Tani gëzohem, jo se u hidhëruat, por se u hidhëruat për pendim; sepse u hidhëruat sipas udhës së Perëndisë, që të mos ju bëhet juve ndonjë dëm prej nesh.
10 Sepse hidhërimi sipas udhës së Perëndisë sjell pendim për shpëtim, për të cilin nuk pendohet njeriu; por hidhërimi i botës sjell vdekje.
11 Sepse ja, po ajo punë, hidhërimi juaj sipas Perëndisë, sa kujdes solli tek ju! Po sa shfajësim, po sa zemëratë, po sa frikë, po sa mall, po sa zell, po sa shpagim! Në të gjitha e treguat veten tuaj se jeni të pastër në këtë punë.
12 Prandaj, edhe nëse ju shkrova, nuk e bëra këtë për atë që ka bërë padrejtësi, as për atë të cilit iu bë padrejtësi, po që të tregohet tek ju kujdesi ynë që kemi për ju përpara Perëndisë.
13 Prandaj u ngushëlluam; edhe mbi ngushëllimin tuaj u gëzuam shumë më tepër për gëzimin e Titos, se iu preh shpirti nga ju të gjithë.
14 Se nëse u mburra për gjë tek ai për ju, nuk u turpërova; po siç jua thamë juve të gjitha në të vërtetën, kështu edhe mburrja jonë tek Titoja për ju doli e vërtetë.
15 Edhe dashuria e tij për ju atij i shtohet më tepër, kur kujton bindjen e ju të gjithëve, si me frikë e me drithërim e pritët atë. 16 Gëzohem pra, që guxoj për gjithçka tek ju.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-8-

Ndihmesa për Kishën e Jerusalemit
1 Edhe ju bëjmë të ditur, o vëllezër, hirin që u është dhënë nga Perëndia kishave të Maqedonisë;
2 se, ndonëse ishin në provë të madhe shtrëngimi, tepria e gëzimit të tyre dhe varfëria e tyre e thellë gëluan në pasurinë e bujarisë së tyre.
3 Edhe dëshmoj këtë, se sipas fuqisë së tyre dhe përmbi fuqinë e tyre dhanë duke dashur vetë.
4 Me shumë përgjërim na u lutën neve të pranojmë dhuratën dhe pjesën e tyre të shërbesës që është për shenjtët.
5 Edhe nuk dhanë vetëm sa shpresonim, po ia dhanë më përpara veten e tyre Zotit, pastaj neve me vullnetin e Perëndisë,
6 aq sa ne iu lutëm Titos, që siç e pati nisur më parë, kështu edhe ta përfundojë tek ju edhe këtë hir.
7 Po siç teproni në çdo gjë, në besim dhe në fjalë dhe në dituri dhe në çdo kujdes, e në dashurinë tuaj për ne, kështu të teproni edhe në këtë hir.
8 Nuk e them këtë me urdhër, po që me anë të kujdesit të të tjerëve të provoj edhe pastërtinë e dashurisë suaj.
9 Sepse e njihni hirin e Zotit tonë Jisu Krisht, se, ndonëse ishte i pasur, u bë i varfër për ju, që të bëheni ju të pasur me anë të varfërisë së tij.
10 Edhe për këtë ju jap këshillë; sepse kjo është e mirë për ju që nisët që vjet jo vetëm ta bëni, po edhe ta doni.
11 Tani pra përfundojeni së bëri, që, siç qe dëshira për të kërkuar, kështu të jetë edhe përfundimi nga ajo çfarë keni.
12 Sepse në është më parë dëshira, është i mirëpritur dikush sipas atyre që ka dhe jo sipas atyre që s’ka.
13 Sepse nuk dua të tjerë të kenë lehtësim, e ju shtrëngim, po të bëhet me barazi,
14 që në këtë kohë teprica juaj të plotësojë mangësitë e tyre, që edhe teprica e tyre të plotësojë mangësitë tuaja në një kohë tjetër; që kështu të bëhet barazi,
15 siç është është shkruar: “Kush mblodhi shumë, nuk mori më shumë, edhe kush mblodhi pak, nuk mori më pak”.

Tito dhe dy bashkëpunëtorët anonimë
16 Po falënderojmë Perëndinë që jep në zemrën e Titos po atë kujdes për ju;
17 sepse pranoi lutjen tonë; edhe duke qenë më i kujdesshëm, doli me dashjen e tij për të ardhur tek ju.
18 Edhe bashkë me të dërguam vëllanë, lëvdimi i të cilit për ungjillin është nëpër të gjitha kishat.
19 Edhe jo vetëm kaq, po edhe u zgjodh prej kishave që të udhëtojë me ne me këtë dhuratë që shërbehet nga ne për lavdinë e vetë Zotit, edhe për të treguar gatishmërinë tuaj;
20 duke u druajtur nga kjo, se mos na qorton ndonjë për këtë bujari të madhe që kujdesohet nga ne,
21 sepse përkujdesemi për punë të mira jo vetëm përpara Zotit, po edhe përpara njerëzve.
22 Edhe dërguam bashkë me ata vëllanë tonë, të cilin e kemi provuar shumë herë në shumë punë se është i zellshëm, po tani është shumë më i zellshëm për besimin e madh që ka tek ju.
23 Sa për Titon, ai është shoku im dhe bashkëpunëtor tek ju; edhe sa për vëllezërit tanë, këta janë apostuj të kishave, lavdi e Krishtit.
24 Tregojuni pra atyre dëshminë e dashurisë suaj dhe të mburrjes sonë për ju përpara kishave.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-9-

Nxitje për përgatitje më të mirë të ndihmës
1 Sa për shërbesën që bëhet për shenjtët është e tepërt për mua t’ju shkruaj,
2 sepse e di gatishmërinë tuaj, për të cilën mburrem për ju tek Maqedonasit, se Akaia u përgatit që vjet; edhe zelli juaj nxiti më të shumtët.
3 Edhe dërgova vëllezërit, që në lidhje me këtë të mos dalë e kotë mburrja jonë për ju, që, siç kam thënë, të jeni të përgatitur;
4 se mos, në ardhshin bashkë me mua Maqedonas, e ju gjejnë të papërgatitur, turpërohemi ne, – që të mos them ju, – për këtë besim në mburrjen tonë.
5 Prandaj mendova se është e nevojshme t’u lutem vëllezërve që të vijnë më parë tek ju e të përgatisin këtë dhuratë tuajën bujare që u zotuat më parë, që kështu kjo të jetë e gatshme si bujari e jo si lakmim.
6 Edhe këtë e them, se ai që mbjell me kursim, edhe do të korrë me kursim; edhe ai që mbjell me dorë të hapët, edhe do të korrë me dorë të hapët.
7 Gjithësecili le të japë si t’i dojë zemra, jo me hidhërim, ose nga nevoja, sepse Perëndia do atë që jep me zemër të gëzuar.
8 Edhe Perëndia është i fortë të shtojë me të tepërt çdo hir tek ju, që duke pasur gjithnjë në çdo gjë gjithë sa duhen, t’ju teprojnë për çdo punë të mirë,
9 siç është shkruar: “Shpërndau, u dha të varfërve; drejtësia e tij mbetet përjetë”.
10 Edhe ai që i jep farë atij që mbjell, edhe bukë për të ngrënë, dhëntë e shumoftë farën tuaj, edhe rrittë frytet e drejtësisë suaj;
11 që të pasuroheni nga të gjitha në çdo punë që kërkon bujari, e cila përpunon me anën tonë falënderim për Perëndinë.
12 Sepse kryerja e këtij shërbimi jo vetëm plotëson nevojat e shenjtëve, po edhe tepron me shumë falënderime për Perëndinë,
13 sepse duke provuar këtë shërbim, ata lavdërojnë Perëndinë për bindjen e rrëfimit tuaj në ungjillin e Krishtit, edhe për bujarinë me të cilën u ndihmoni atyre dhe të gjithëve.
14 Dhe lutjet e tyre për ju, janë plot me dashuri për ju, për hirin e shumtë të Perëndisë mbi ju. 15 Dhe hir i qoftë Perëndisë për dhuratën e tij të patregueshme.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-10-

Pushteti dhe misioni i Pavlit
1 Edhe vetë unë Pavli ju lutem nëpërmjet butësisë e ëmbëlsië së Krishtit, unë i cili faqe jush jam i përulur, e nga larg i guximshëm ndaj jush;
2 edhe ju lutem, që, kur të jem i pranishëm, të mos marr guxim me besimin, me të cilin mendoj të jem i guximshëm kundër disave, të cilët na llogarisin sikur ecim sipas mishit.
3 Sepse, ndonëse ecim në mish, nuk luftojmë sipas mishit.
4 Sepse armët e luftës sonë nuk janë prej mishi, po të forta prej Perëndisë për të shembur fortesa;
5 sepse shembim mendime dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë, dhe robërojmë çdo mendim që t’i bindet Krishtit;
6 edhe jemi gati të marrim shpagim për çdo mosbindje, kur bindja juaj të bëhet e plotë.
7 Ju shihni ende ato që duken në sipërfaqe. Nëse ndonjë beson në vetvete se është i Krishtit, le ta mendojë këtë përsëri nga vetvetja, se, siç është ai i Krishtit, kështu edhe ne jemi të Krishtit.
8 Sepse, edhe sikur të mburrem ca më tepër për pushtetin tonë, që na dha Zoti për ndërtim, e jo për rrëzimin tuaj, nuk do të turpërohem;
9 që të mos dukem se dua t’ju frikësoj me anë të letrave.
10 Sepse, thonë, letrat janë të rënda dhe të forta; po qenia e atij këtu me trup është e dobët, edhe fjala e tij e pavlerë.
11 Ai që është i këtillë le të dijë këtë, se siç jemi në fjalët me letra, kur jemi larg, të tillë jemi edhe në veprat kur jemi afër.
12 Sepse nuk guxojmë të radhisim ose të krahasojmë veten tonë me disa nga ata që rekomandojnë veten e tyre; po vetë ata duke matur veten e tyre me veten e tyre, edhe duke krahasuar veten e tyre me veten e tyre nuk kuptojnë.
13 Po ne nuk do të mburremi jashtë masës, por sipas masës së kufijve të zonës që na caktoi Perëndia, masë, sa të arrijmë edhe deri tek ju;
14 sepse s’e shtrijmë tepër veten tonë, sikur nuk arritëm tek ju; sepse edhe deri tek ju arritëm me anë të ungjillit të Krishtit.
15 Edhe nuk mburremi jashtë masës për mundimet e të tjerëve, po kemi shpresë se, duke u shtuar besimi juaj, do të rritemi tek ju për së tepërmi, sipas kufijve të zonës tonë,
16 aq sa të predikojmë ungjillin edhe në ato vende që janë përtej jush, që të mos mburremi për ato që janë të përgatitura në vend të huaj.
17 Por ai që mburret, në Zotin le të mburret;
18 sepse nuk është i sprovuar ai që rekomandon veten e tij, po ai që Zoti rekomandon.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-11-

Pavli dhe pseudoapostujt
1 Do të doja të duroni pakëz marrëzinë time; po edhe më duroni, pra.
2 Sepse ju kam zili me zili Perëndie; sepse ju fejova me një burrë, që t’ju nxjerr përpara Krishtit si vërgjëreshë të pastër.
3 Por kam frikë, se mos ashtu si gjarpëri gënjeu Evën me dinakërinë e tij, kështu prishet edhe mendja juaj duke rënë nga thjeshtësia që është në Krishtin.
4 Sepse, në ardhtë ndonjë e t’ju predikojë një tjetër Krisht, që nuk e kemi predikuar, ose merrni një tjetër frymë, që s’e keni marrë, ose një tjetër ungjill, që s’e keni pranuar, mjaft mirë do ta duronit atë.
5 Por pandeh se në asnjë punë s’kam mbetur prapa edhe nga apostujt më të shquar.
6 Edhe ndonëse jam njeri i pastëvitur në fjalë, po jo nga dituria, të cilën jua shfaqëm në gjithçka.
7 Apo bëra faj, duke ulur veten time, që të lartësoheni ju, sepse falas ju predikova juve ungjillin e Perëndisë?
8 Kisha të tjera i ropa, duke marrë ato që nevojiten për t’ju shërbyer juve.
9 Edhe kur isha tek ju e pata mungesa, s’iu bëra barrë asnjërit; sepse atë që më mungonte e plotësuan vëllezërit që erdhën nga Maqedonia; edhe në çdo punë u ruajta, edhe do të ruhem, që të mos ju bëhem barrë juve.
10 E vërteta e Krishtit është tek unë, se nuk do të më mbyllet goja për këtë mburrje në vendet e Akaisë.
11 Përse? Sepse s’ju dua ju? Perëndia e di.
12 Po atë që bëj dhe do ta bëj, që t’u pres shkakun atyre që duan shkak, që për atë punë që mburren të gjenden si edhe ne.
13 Sepse njerëz të tillë janë apostuj të rremë, punëtorë mashtrues, të shndërruar në formë në apostuj të Krishtit.
14 Edhe s’është për t’u çuditur; sepse vetë Satanai ndërron formën në engjëll drite.
15 S’është pra punë e madhe, nëse edhe shërbëtorët e tij ndërrojnë formën në shërbëtorë drejtësie, fundi i të cilëve do të jetë sipas veprave të tyre.

Pavli vë përballë veten me pseudoprofetët
16 Përsëri them: Askush le të mos më pandehë se jam i marrë; në mos, të paktën pritmëni si të marrë, që të mburrem edhe unë pakëz.
17 Atë që flas me këtë siguri për t’u mburrur, nuk e flas sipas Zotit, po si në marrëzi e sipër.
18 Meqenëse shumë veta mburren sipas mishit, do të mburrem edhe unë.
19 Sepse duke qenë ju të urtë, me ëmbëlsi duroni të marrët.
20 Sepse duroni, nëse dikush ju robëron, nëse ju gllabëron dikush, nëse ju grabit dikush, nëse dikush krenohet, nëse ju qëllon dikush në fytyrë.
21 Për turp e them këtë, sikur ne të ishim të dobët; po në çdo gjë që guxon ndonjë, – në marrëzi po e them, – guxoj edhe unë.
22 Hebrenj janë? Edhe unë. Izraelitë janë? Edhe unë. Farë e Abrahamit janë? Edhe unë.
23 Shërbëtorë të Krishtit janë? – pa mend flas, – më tepër unë; në mundime më tepër, në plagë jashtë mase, në burgje më tepër, në vdekje shumë herë.
24 Prej Judenjve pesë herë mora dyzet frushkulla pa një,
25 tri herë u rraha me shkop, një herë u godita me gurë, tri herë u mbyta në det, një natë e një ditë kam qëndruar në fund të detit,
26 shpesh në udhëtime, në rreziqe lumejsh, në rreziqe kusarësh, në rreziqe prej farës sime, në rreziqe prej kombesh, në rreziqe në qytet, në rreziqe në shkretëtirë, në rreziqe në det, në rreziqe ndër vëllezër të rremë;
27 në mundim e në vuajtje, shpesh pa gjumë, në uri e në etje, shpesh në agjërime, në të ftohtë e lakuriq.
28 Përveç të tjerash, puna ime e përditshme, kujdesi i kishave.
29 Kush është i dobët, e unë s’jam i dobët? Kush skandalizohet, e unë s’digjem?
30 Nëse duhet të mburrem, do të mburrem për ato që kanë të bëjnë me dobësinë time.
31 Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jisu Krisht, i cili është i bekuar në jetë të jetëve, e di se nuk gënjej.
32 Në Damask governatori i mbretit Areta ruante rrotull qytetin e Damaskinëve, sepse donte të më kapte,
33 edhe nga një dritare zbrita nga muri me një shportë dhe shpëtova nga duart e tij.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-12-

Vizione dhe zbulime
1 Të mburrem, nuk më intereson, sepse do të vij në vegime e në zbulesa të Zotit.
2 Di një njeri në Krishtin përpara katërmbëdhjetë vjetësh, – a me trup, s’e di; a jashtë trupit, s’e di; Perëndia e di; – se ky njeri i tillë u rrëmbye deri në qiellin e tretë.
3 Edhe e di njeriun e tillë, – a me trup, s’e di; a jashtë trupit, s’e di; Perëndia e di;
4 se u rrëmbye në parajsë dhe dëgjoi fjalë të patregueshme, të cilat nuk i lejohet njeriut t’i flasë.
5 Për të tillin njeri do të mburrem; po për veten time nuk do të mburrem, veç për dobësitë e mia.
6 Sepse sikur të dua të mburrem, nuk do të jem i marrë, sepse të vërtetën do të them, po druhem se mos mendon ndonjë për mua më tepër nga ajo që më sheh ose nga ajo që dëgjon prej meje.
7 Edhe që të mos krenohem për zbulesat e shumta, m’u dha një gjemb në trup, një engjëll i satanait, që të më bjerë me shuplaka, që të mos krenohem.
8 Për këtë tri herë iu luta Zotit, që të largohet satanai prej meje.
9 Edhe më tha: Të mjafton hiri im; sepse fuqia ime në dobësi tregohet e përsosur. Me gëzim të madh pra do të mburrem më tepër për dobësitë e mia, që të rrijë tek unë fuqia e Krishtit.
10 Prandaj kënaqem në dobësira, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në shtrëngime, për Krishtin, sepse kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.

Dashuria dhe kujdesi i Pavlit për korinthianët
11 U bëra i marrë duke u mburrur; ju më detyruat; sepse unë duhej të rekomandohesha prej jush; sepse në asgjë nuk mbeta prapa nga apostujt më të shquar, ndonëse s’jam gjë.
12 Shenjat e apostullit vepruan tek ju me shumë durim, me çudira, e me shenja, e me fuqira,
13 sepse në ç’punë mbetët prapa nga kishat e tjera, përveç se unë vetë nuk u bëra barrë për ju? Falmani këtë padrejtësi.
14 Ja e treta herë që jam gati për të ardhur tek ju, edhe nuk dua t’ju bëhem barrë; sepse s’kërkoj pasuritë tuaja, po ju; sepse bijtë s’kanë detyrë të mbledhin për prindërit, po prindërit për bijtë.
15 Por unë me gëzim të madh do të shpenzoj dhe do të shpenzohem fare për shpirtrat tuaj, ndonëse, megjithëse ju dua më tepër, duhem më pak.
16 Po ashtu qoftë, unë nuk u bëra barrë për ju; po duke qenë dinak, ju zura me dredhi.
17 Mos lakmova gjë prej jush me anë të ndonjërit nga ata që dërgova te ju?
18 Iu luta Titos, edhe bashkë me të dërgova vëllanë. A mos lakmoi gjë prej jush Tito? A nuk ecëm po me atë frymë? A nuk ecëm në po ato gjurmë?
19 Përsëri pandehni se mbrohemi përpara jush? Flasim përpara Perëndisë në Krishtin; edhe të gjitha këto, o vëllezër, i bëjmë për ndërtimin tuaj.
20 Sepse kam frikë se mos, kur të vij, nuk ju gjej të tillë siç dua, edhe mua nuk do të më gjeni të tillë siç më doni; se mos ka ndër ju grindje, zilira, zemërata, të zëna, përgojime, tinëzira, mendjemadhësira, trazira;
21 se mos, kur të vij përsëri, më përul Perëndia im përpara jush, dhe vajtoj për shumë nga ata që kanë mëkatuar që përpara dhe s’janë penduar për fëlliqësinë dhe për kurvërinë e për ndyrësinë që bënë.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

-13-

Paralajmërime përfundimtare dhe përshëndetje
1 Kjo është e treta herë që vij tek ju. “Çdo fjalë do të mbështetet në gojën e dy dhe tre dëshmitarëve”.
2 Parathashë dhe parathem, si i pranishëm për së dyti, edhe tani që jam larg po u shkruaj atyre që kanë mëkatuar që përpara dhe gjithë të tjerëve, se, në ardhsha përsëri, nuk do të kursehem,
3 meqenëse kërkoni provë që nëpërmjet meje flet Krishti, i cili s’është i dobët tek ju, po i fuqishëm në ju.
4 Sepse, ndonëse u kryqëzua prej dobësie, por rron prej fuqisë së Perëndisë; sepse edhe ne megjithëse jemi të dobët në të, por do të rrojmë bashkë me të në ju prej fuqisë së Perëndisë.
5 Shikoni veten tuaj, nëse jeni në besë; provoni veten tuaj; apo s’e njihni veten tuaj se Jisu Krishti është në ju? Veç në qofshi të paprovuar në ndonjë gjë.
6 Edhe shpresoj se do ta njihni që ne s’jemi të paprovuar.
7 Edhe i lutem Perëndisë që të mos bëni ndonjë gjë të ligë; jo që të dukemi ne të provuar, po që të bëni ju të mirën, edhe ne le të jemi të paprovuar.
8 Sepse s’mundemi të bëjmë gjë kundër së vërtetës, po për të vërtetën.
9 Sepse gëzohemi, kur ne jemi të dobët e ju jeni të fuqishëm; për këtë edhe lutemi, për përsosjen tuaj.
10 Prandaj i shkruaj këto kur jam larg, që të mos sillem ashpër kur të jem afër, sipas pushtetit që më ka dhënë Zoti për të ndërtuar, edhe jo për të shkatërruar.
11 Pra, vëllezër, gëzohuni, ngushëllohuni, jini në një mendje, kini paqe, edhe Perëndia i dashurisë dhe i paqes do të jetë bashkë me ju.
12 Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë. Ju përshëndesin të gjithë shenjtorët.
13 Hiri i Zotit Jisu Krisht dhe dashuria e Perëndisë, edhe pjesëmarrja e Frymës së Shenjtë qoftë me ju të gjithë. Amin.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13

Letra e Dytë e Apostull Pavlit
drejtuar Korinthianëve

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28

Ungjilli  sipas

Letrat  e  Apostull  Pavlit

Letrat e Pergjithshme