Të dielën e tretë të parapërgatitjes për Kreshmën e madhe ne dëgjojmë shëmbëlltyrën e Djalit Plangprishës (Lk. 15:11-32). Kjo shëmbëlltyrë, së bashku me himnet e kësaj dite, na e paraqesin pendimin si kthimin e dikujt nga mërgimi. Na thuhet se djali plangprishës kishte shkuar në një vend të largët dhe atje kishte shpenzuar gjithçka kishte pasur. Në një vend të largët! Ky është përkufizimi i vetëm për gjendjen e natyrës njerëzore, të cilin duhet ta pranojmë dhe ta përvetësojmë ndërsa fillojmë t’i afrohemi Perëndisë. Kush nuk e ka pasur kurrë këtë përvojë, qoftë edhe fare pak, kush nuk e ka ndier kurrë se ndodhet larg Perëndisë dhe larg jetës së vërtetë, nuk ka për ta kuptuar ndonjëherë se çfarë është Krishterimi. Kush e ndien veten “si në shtëpi të vet” në këtë botë dhe në këtë jetë, kush nuk ka vuajtur kurrë nga malli i zjarrtë për një Realitet tjetër, nuk ka për ta kuptuar ndonjëherë se çfarë është pendimi.

Shpesh pendimi është njëjtësuar me numërimin e ftohtë dhe “objektiv” të mëkateve dhe të paudhësive të kryera, si “pranim faji” pas një akuze ligjore. Rrëfimi dhe falja e mëkateve janë konsideruar si veprime juridike. Mirëpo, në këtë mënyrë është shpërfillur një gjë shumë thelbësore, pa të cilën as rrëfimi, as falja e mëkateve nuk kanë ndonjë domethënie dhe ndonjë fuqi të vërtetë. Gjëja thelbësore është pikërisht ndjesia e të qenit “larg Perëndisë”, larg gëzimit të të qenit në kungim me të, larg jetës së vërtetë, siç u krijua dhe siç na u dha nga Perëndia. Të rrëfesh se nuk ke kreshmuar në ditët kreshmuese, se nuk je lutur apo se je inatosur, në të vërtetë, është shumë e thjeshtë. Por është krejtësisht tjetër gjë të ndërgjegjësohesh befas se ke ndotur dhe ke zhbërë bukurinë shpirtërore, se ndodhesh shumë larg shtëpisë së vërtetë, jetës së vërtetë, se një gjë shumë e çmueshme, e dëlirë dhe e bukur në strukturën e ekzistencës sate është shkatërruar. E megjithatë, ky dhe vetëm ky është pendimi. Prandaj, pendimi është dëshira e thellë për t’u kthyer, për t’u kthyer sërish pas, në shtëpinë e humbur. Perëndia më ka dhënë një pasuri të madhe: së pari, më ka dhuruar jetën dhe mundësinë për ta shijuar atë, për ta mbushur me domethënie, me dashuri dhe me dije; së dyti, gjatë Pagëzimit, më ka dhuruar jetën e re të vetë Krishtit, dhuratën e Shpirtit të Shenjtë, paqen dhe gëzimin e Mbretërisë së amshuar. Më është dhënë njohja e Perëndisë dhe, përmes tij, njohja e çdo gjëje tjetër, si edhe mundësia për të qenë biri i Perëndisë. Mirëpo, të gjitha këto i kam humbur. Të gjitha këto i humbas vazhdimisht, jo duke kryer disa “mëkate” dhe “shkelje” të caktuara, por duke kryer mëkatin e mëkateve: të mos dua më Perëndinë; të parapëlqej “vendin e largët” në vend të shtëpisë së Atit.

Mirëpo, Kisha më sjell ndër mend se çfarë kam braktisur dhe çfarë kam humbur. Ndërsa Kisha ma kujton këtë nëpërmjet shkurtores së kësaj dite, unë përsiatem: “Nga lavdia e Atit u largova unë i mjeri. Pasurinë që më dhurove e shpenzova në gjëra të këqija. Prandaj, si plangprishësi po të thërres: Mëkatova përpara teje, o Atë i dhembshur. Pritmë, pra, të penduar dhe pranomë si një nga punëtorët e tu…”.

Duke sjellë në mendje këto, brenda meje lind dëshira dhe fuqia për t’u kthyer: “… Do të çohem, do të shkoj tek im atë e do t’i them: Atë, kam mëkatuar kundër qiellit dhe para teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më mbaj si një nga punëtorët e tu” (Lk. 15:18-19). 

Në këtë pikë, do të duhet të përmendim një hollësi liturgjike të të Dielës së Djalit Plangprishës. Në Mëngjesoren e të dielës, pas psalmit panegjirik dhe të gëzueshëm të polielit, ne psalim një psalm të trishtuar dhe nostalgjik, psalmin 136:

Atje, pranë lumenjve të Babilonisë, uleshim e qanim, Sionin kur kujtonim.
Nëpër shelgje, në mes të vendit, aty i varëm veglat muzikore.
Atje, robëruesit na kërkuan fjalë këngësh, rrëmbyesit na kërkuan himne.
«Na këndoni ndonjë këngë nga Sioni», – na thanë.
Por, si ta këndojmë këngën e Zotit në dhe të huaj?
M’u mpiftë dora e djathtë në të harrofsha, o Jerusalem.
Pas qiellzës m’u ngjittë gjuha, në mos të kujtofsha më,
në mos të vënça mbi çdo gëzim që kam, o Jerusalem.

Ky është psalmi i mërgimit. Këtë psalm e këndonin judenjtë kur babilonasit i zunë rob dhe i çuan larg Jerusalemit. Që nga ajo kohë, ky u bë psalmi i njeriut që ndërgjegjësohet se ndodhet larg Perëndisë, i cili, pasi ndërgjegjësohet për këtë, bëhet sërish njeri: bëhet ai që nuk kënaqet plotësisht nga asgjë e kësaj bote të rënë, i cili është, nga natyra dhe nga thirrja që ka marrë, një shtetar në kërkim të të Përsosurit. Ky psalm do të këndohet edhe dy herë të tjera: në dy të dielat e fundit para Kreshmës. Ky psalm na e paraqet Kreshmën e madhe si udhëtim dhe si pendim, domethënë si kthim.