Qëllimi i Kishës sonë të shenjtë është të ftojë çdo njeri drejt shpëtimit, duke i siguruar atij të gjitha mjetet e domosdoshme për të bërë të mundur këtë shpëtim. Ajo, si një nënë e dhembshur, u dhuron mundësi të pafundme bijve të saj, që t’i tërheqë ata drejt vetes dhe t’i shpëtojë.

Një mundësi e tillë, ndoshta mundësia më e mirë, është edhe periudha kataniktike e Triodit, e cila, atyre që dëshirojnë të ndiejnë thellësinë e pamasë të mëshirës hyjnore, u dhuron një hapësirë të madhe shpirtërore. Bëhet fjalë për një ftesë unike, e cila u drejtohet të gjithë atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë betejë shpirtërore që ofron kjo periudhë e bekuar e vitit dhe të fitojnë trofetë shpirtërorë si shpërblim për çdo përpjekje të tyren. Për më tepër, sipas shën Isak Sirianit, “asketizmi është nëna e shenjtërisë” (Fjalimi 16).

Periudha e bekuar e Triodit është hapësira kohore parapërgatitore e Pashkës, e cila shërben si një parapërgatitje e vërtetë për të marrë pjesë në të kremten më të madhe dhe më të ndritshme të Kishës sonë; për të na pastruar trupërisht dhe shpirtërisht nga të gjitha njollat e mëkatit, të cilat ndotin qenien tonë dhe na bëjnë krijesa të sëmura. Pjesëmarrja në këtë panair dritëprurës kërkon një ripërtëritje personale. Në të kundërt, drita ngjallësore, që s’njeh perëndim, do të nxjerrë në pah papastërtinë tonë shpirtërore e nuk do të mund të jemi në kungim me Shpëtimtarin e Ngjallur dhe nuk do të shijojmë dot dhuratat e çmuara të Ngjalljes. Pra, ashtu siç na nxit edhe apostull Pavli, është e nevojshme që “Krishti të formohet brenda nesh” (Gal. 4:19).

Për jetën e Kishës sonë dhe për traditën tonë orthodhokse në veçanti, periudha e gjatë e Triodit është arena e betejave shpirtërore. Etërit e Shenjtë, për të shprehur mësimet kishtare, huazuan disa imazhe nga jeta kozmike. Një nga këto imazhe është edhe imazhi i arenës, një vend shumë i dashur për njerëzit e lashtë. Ashtu sikurse në arenat atletike kozmike nuk merrnin pjesë të gjithë njerëzit, por vetëm atletët, kështu edhe në arenën shpirtërore të Triodit marrin pjesë vetëm atletët e Krishtit, të gjithë ata që jetojnë në një vigjilencë të përhershme, të cilët futen në këtë periudhë të shenjtë për të kapërcyer veten e tyre të rënë e të dobët. Gjithashtu, jashtë arenës ndodhen shumë njerëz, të cilët luajnë rolin e vëzhguesve. Ata nuk do ta ndiejnë kurrë gëzimin e fitores.

Lufta shpirtërore nuk është luftë pa rregulla dhe pa strategji, njëlloj si betejat në arenat kozmike. Një betejë shpirtërore pa parime, rregulla dhe pa një strategji të caktuar, është e padobishme, ndoshta edhe e dëmshme. Kësisoj, me kalimin e kohës, Etërit e shenjtë përcaktuan kushtet paraprake për një betejë të saktë shpirtërore. Fillimi ishte disi më i butë. Kështu, hapësira kohore nga e Diela e Fariseut dhe Tagrambledhësit deri të Dielën e të Lidhurit të Djathit, quhet periudhë parapërgatitore e Triodit. Ngjarjet, të kremtet dhe shërbesat liturgjike të kësaj periudhe ndërthuren në mënyrë të përsosur me njëra-tjetrën, në mënyrë që lufta shpirtërore e besimtarit të jetë frytdhënëse.

Me t’u futur në Kreshmën e Madhe dhe të Shenjtë, lufta shpirtërore bëhet më intensive, me kreshmë, lutje, studim të Shkrimit të Shenjtë dhe mbi të gjitha me pjesëmarrjen në jetën misteriale dhe liturgjike të Kishës sonë. Luftëtari i krishterë nuk tërhiqet përpara pengesave të shumta që i vendos djalli gjatë rrugës, as nuk e pakëson luftën e vet. Luftëtari e di mirë se çdo lloj lodhjeje trupore dhe shpirtërore është kurth i të ligut dhe duhet shpërfillur. Kisha jonë na tregon rrugën e drejtë dhe na ndihmon. “Duke duruar shumë vuajtje, – thekson shën Simeon Teologu i Ri, – ne imitojmë pësimet e Krishtit dhe përmes Tij falënderojmë Perëndinë Atë, si bij të Tij sipas hirit dhe si bashkëtrashëgimtarë të Krishtit” (Kapitujt Praktikë dhe Teologjikë, 101). Ky është thelbi i asketizmit orthodhoks.

E Hëna e Bardhë, si dita e parë e Kreshmës së Madhe, karakterizohet nga kreshma e rreptë, në mënyrë që besimtari të ndërgjegjësohet se tashmë ka nisur Kreshma e Madhe. Privimi nga ushqimet me prejardhje shtazore dhe të yndyrshme është më se i domosdoshëm në luftën shpirtërore, sepse këto ushqimi të krijojnë një gjendje plogështie, e cila është shumë e dëmshme për jetën shpirtërore.

E Diela e parë e Kreshmës i është kushtuar një ngjarjeje shumë të rëndësishme të Kishës sonë: kremtohet plot shkëlqim rivendosja e ikonave të shenjta në Kishë, e cila është edhe triumfi i Ortodoksisë. Luftëtari i krishterë ftohet të kuptojë se lufta shpirtërore nuk është e izoluar dhe e shkëputur nga e vërteta dhe nga jeta e Kishës, sepse e vërteta e zbuluar, e cila ruhet e sigurt brenda Kishës, është kusht paraprak i shpëtimit të tij.

E Diela e dytë e Kreshmës i është kushtuar një prej Etërve të Kishës sonë, shën Grigor Palamait, i cili jetoi dhe veproi në një periudhë të vështirë të jetës së Kishës sonë. Shën Grigori bëri një luftë shpirtërore të dyfishtë: ai luftoi fort për pastrimin dhe shenjtërimin e tij personal, por njëkohësisht luftoi me të gjitha forcat e tij për të ruajtur të sigurt të vërtetën dhe traditën e Kishës. Gjatë kësaj periudhe, shën Grigori paraqitet si shembull i një luftëtari shpirtëror, i një asketi dhe mbrojtësi të traditës autentike të Kishës së Krishtit.

E Diela e tretë e Kreshmëve i është kushtuar Faljes së Kryqit të Nderuar, në mënyrë që besimtarët të marrin forcë prej tij dhe të vazhdojnë luftën e tyre shpirtërore. Sepse triumfi i Ngjalljes kalon përmes Kryqit.

E Diela e katërt e Kreshmës i është kushtuar një tjetër ati dhe asketi të madh të Kishës, shën Joan Sinaitit, shkruesit të librit të famshëm të “Shkallës”, i cili, për më shumë se njëmijë e pesëqind vite, shërben si udhëzuesi kryesor në luftën shpirtërore.

E Diela e pestë e Kreshmës i është kushtuar shën Marisë së Egjiptit, e cila është një shembull i gjallë i pendimit konkret. Përpara se të fillonte jetën asketike, ajo ishte një vajzë e përdalë nga Aleksandria, e cila, përmes forcës së pendimit, jo vetëm shpëtoi prej moçalit të ndyrë të mëkatit, por u denjësua të arrinte në një shkallë të lartë shenjtërie. Shembulli dhe jeta e saj e thjeshtë na mëson të gjithëve se përmes forcës së pendimit njeriu nga mëkatar mund të bëhet shenjtor dhe “perëndi” sipas hirit.

Kisha jonë e Shenjta i fton të gjithë njerëzit që të hyjnë në arenën shpirtërore të Triodit dhe të përpiqen fort për shpëtimin e tyre. Nuk ka rëndësi nëse do të jemi të parët apo të fundit. E rëndësishme është të baresim plot gëzim në rrugën e virtyteve. Por, pjesëmarrja në këtë arenë shpirtërore kërkon që të zhvishemi prej mantelit tonë kozmik e të ndotur. Me fjalë të tjera, duhet të flakim tej jetën dhe mendësinë tonë kozmike, sepse këto na pengojnë në rrugëtimin tonë shpirtëror. Mirëpo, ky vendim nuk është aspak i lehtë, sepse mëkatet tona kanë hedhur rrënjë të thella në mënyrën kozmike të jetës sonë, e cila i kundërvihet vullnetit të Perëndisë, si edhe interesit tonë shpirtëror. Por, me lutje dhe me një dëshirë të madhe, ne mund të bëjmë kapërcimin më të rëndësishëm të jetës sonë: të nisim rrugëtimin tonë shpirtëror drejt qiellit. Këtë mundësi të artë na e jep periudha e bekuar e Triodit. Le ta shfrytëzojmë…

Shqip: Stefan Zhupa