“Gjymtyrë të Krishtit bëhemi,
Krishti bëhet e jona gjymtyrë”.

 Shën Simeon Teologu i Ri

“Të shenjtat, të shenjtëve”

Jisu Krishti na la porosi të kryejmë Liturgjinë Hyjnore me qëllim që të kungohemi me Trupin e tij të shenjtë dhe me Gjakun e tij të tërëshenjtë, që të bashkohemi me të. Në lidhje me këtë çështje, shën Joan Gojarti shkruan: “Është e nevojshme të mësojmë se çfarë është kjo mrekulli e misterve, domethënë e Eukaristisë Hyjnore, se përse Krishti na e dha dhe çfarë përfitimi kemi nga pjesëmarrja në të. Sepse, sikurse thotë Apostull Pavli, bëhemi një trup me Krishtin dhe “gjymtyrë të Trupit të tij, prej mishit dhe kockave të tij… (Efes. 5:30). Kjo bëhet e mundur me anë të ushqimit që na dhuroi, domethënë përmes Kungimit Hyjnor… Prandaj Ai u bashkua me ne, duke u bërë një trup me ne, që të jemi një bashkë me të, sikurse trupi është i bashkuar me kokën”[1].

Qëllimi i kryerjes së Darkës Mistike Eukaristike është pjesëmarrja në Tryezën e Zotit. Megjithatë shumë besimtarë marrin pjesë shumë rrallë në këtë Tryezë, ndërsa të tjerë vijnë pa parapërgatitjen e duhur. Shën Joan Gojarti kritikon me fjalët më të ashpra zakonin që ekzistonte atëkohë, i cili vazhdon të ekzistojë deri në ditët e sotme, domethënë që besimtarët të kungohen vetëm në të kremtet e mëdha, pavarësisht në janë të përgatitur për t’u kunguar apo jo. Ky atë i shenjtë thotë: “Shoh shumë veta që kungohen me Trupin e shenjtë të Krishtit, thjesht sa për të thënë, më shumë nga zakoni dhe detyrimi, sesa me vetëdije të plotë. Këta thonë se kur afron Kreshma e Madhe apo ditët e Theofanisë, dikush duhet të marrë pjesë në Misteret e kulluara, pavarësisht se në ç’gjendje ndodhet. Mirëpo kushti i pjesëmarrjes nuk është afrimi i Theofanisë apo i Kreshmës së Madhe, por çiltërsia dhe pastërtia e shpirtit. Sa herë t’i kesh këto të dyja, afrohu drejt Kungatës, ndërsa pa to, mos u afro kurrë”[2].

Në një fjalim tjetër, të mbajtur pesë ditë para Krishtlindjes, shën Joan Gojarti ka thënë: “Shumë nga besimtarët kanë arritur në një pikë të tillë marrëzie dhe shpërfilljeje ndaj Mistereve të shenjta, saqë, ndërkohë që janë të mbushur me ligësi të panumërta dhe në përgjithësi nuk kujdesen fare për veten e tyre, i afrohen Tryezës së shenjtë gjatë të kremteve të papërgatitur, duke mos e ditur se koha për t’u kunguar nuk është e kremtja, por ndërgjegjja e pastër dhe jeta e çliruar nga paudhësitë. Dhe ashtu sikurse ai që nuk ndien asgjë të keqe në ndërgjegjen e tij duhet të kungohet çdo ditë, ashtu edhe ai që është i ngarkuar me mëkate dhe nuk pendohet, nuk duhet të kungohet as në të kremtet e mëdha. Sepse nuk na çliron nga mëkatet të kunguarit një herë në vit, nëse kungohemi padenjësisht, përkundrazi, kjo na dëmton më shumë. Sepse, megjithëse afrohemi drejt Kungatës vetëm një herë në vit, as atëherë nuk afrohemi të pastruar nga mëkatet. Prandaj, ju lutem të gjithëve të mos u afroheni Mistereve Hyjnore në këtë mënyrë, domethënë të papërgatitur, ngaqë kështu e kërkon zakoni i së kremtes, por nëse dikur vendosni të merrni pjesë në Liturgjinë Hyjnore dhe të kungoheni, filloni të pastroni veten tuaj shumë ditë më përpara përmes pendimit, lutjes, lëmoshës, përkujdesjes për gjërat shpirtërore… Sepse a nuk është për t’u çuditur që për gjërat trupore të tregoni kaq shumë përkujdesje, saqë, kur afrohet ndonjë festë e madhe, shumë ditë më përpara nxirrni nga sëndukët rrobat më të bukura për t’i bërë gati, blini këpucë dhe shtroni tryezë të pasur…, ndërsa për shpirtin tuaj, të cilin e keni lënë pas dore, që është i mbushur me ndyrësi dhe papastërti, që vdes nga uria shpirtërore… të mos tregoni asnjë përkujdesje? Trupin tënd e sjell në kishë pasi më parë e ke stolisur, ndërsa shpirtin e sjell të zhveshur dhe plot me shëmti… A nuk e dini se Tryeza e shenjtë është e mbushur plot me zjarr shpirtëror dhe ashtu si burimet rrjedhin ujë natyral, kështu edhe prej saj buron një flakë e papërshkrueshme? Mos iu afro, pra, asaj duke mbajtur në dorë kallamishte, gjethe të thata apo bar, në mënyrë që të mos e ndezësh më shumë zjarrin dhe të digjet shpirti yt. Por afroju asaj duke mbajtur gurë të çmuar, ar dhe argjend, në mënyrë që ta pastrosh akoma më shumë materien dhe të largohesh nga kisha duke marrë me vete një përfitim të madh”[3].

* * *

Shpeshherë, të krishterët janë në ankth për shpeshtësinë e kungimit të tyre. Shumë besojnë se duhet të kungohen shumë rrallë, ndërsa të tjerët janë për kungimin e shpeshtë. Le t’ia japim sërish fjalën Mësuesit ekumenik të Kishës sonë, shën Joan Gojartit, që t’i përgjigjet paqartësisë sonë: “Shumë besimtarë kungohen një herë në vit, disa të tjerë dy herë dhe disa tri herë në vit… Cilën nga këto të pranojmë?… As ata që thonë një herë në vit, as ata që thonë të kungohemi shumë herë, as ata që thonë të kungohemi pak herë, por ata që kungohen me ndërgjegje të pastër, me zemër të pastër dhe me jetë të paqortueshme. Këta le të afrohen gjithmonë për t’u kunguar, ndërsa ata që nuk janë të tillë, le të mos afrohen as edhe një herë. Sepse marrin mbi veten e tyre dënimin, gjykimin, ferrin dhe ndëshkimin”. Në vazhdim, shenjtori i drejtohet atyre që kungohen një herë në vit dhe që besojnë se ngaqë kungohen një herë vit nuk do të marrin mbi vete dënimin. “I kushton shëndetit të shpirtit tënd vetëm dyzet ditë, ndoshta as dyzet ditë dhe dëshiron që të të japë Perëndia shlyerjen e mëkateve? Mendon se është lojë kjo, o njeri?! Nuk jua them këto që t’ju pengoj t’i afroheni Kungatës një herë në vit, por ngaqë dua të vini më shpesh të kungoheni me Misteret e shenjta. Prandaj prifti përmend shenjtorët (nënkupton thirrjen: “të Shenjtat, të shenjtëve”) dhe me këto fjalë na qorton të gjithëve që të mos afrohemi të papërgatitur”. Kjo thirrje e priftit meshues pak çaste para Kungimit Hyjnor, nuk na lë hapësira të justifikojmë afrimin tonë të papërgatitur drejt Kungatës. Shën Joan Gojarti thotë: “Prifti, me zë shumë të lartë, me thirrje plot tmerr, si ndonjë predikues, duke ngritur dorën lart, qëndron drejt, në një vend që ta shohin të gjithë dhe duke thirrur me të madhe në atë qetësi të plotë, disa i fton të kungohen, ndërsa disa të tjerë i ndalon… Sepse kur thotë: “të Shenjtat, të shenjtëve”, nënkupton këtë: Ai që nuk është i shenjtë, le të mos afrohet. Nuk thotë thjesht të jetë i pastruar nga mëkatet, por i shenjtë. Sepse të shenjtë nuk të bën vetëm mungesa e mëkatit, por edhe prania e Shpirtit të Shenjtë dhe pasuria e veprave të mira. Nuk dua vetëm të jeni, – thotë, – të çliruar nga llumi, por të jeni të bardhë e të bukur… Duhet të jemi të bukur në shpirt, të jetë e pastër stolia jonë dhe fytyra e shpirtit tonë e hijshme… Ai që është i tillë, le të afrohet dhe le të prekë Potirin mbretëror”[4].

“Ju lutem dhe ju përgjërohem, – thotë shën Joani, – të mos i afrohemi të papastër kësaj Tryeze të shenjtë, as me ndërgjegje dinake, sepse kjo nuk do të jetë afrim drejt Kungimit, edhe nëse buzët tona do të prekin me mijëra herë Trupin e shenjtë të Krishtit, por do të marrim mbi vete dënimin, ndëshkimin dhe do të trashëgojmë ferrin. Pra, asnjë mëkatar le të mos afrohet. Më mirë të mos them: ‘asnjë mëkatar’, sepse kështu, së pari, largoj nga Tryeza hyjnore veten time, por le të them: Askush që vazhdon të mbetet në mëkatet e tij, të mos afrohet”. Dhe shenjtori vazhdon: “Kur t’i afrohesh Tryezës së shenjtë, të kesh besim të patundur se atje është i pranishëm vetë Krishti, Mbreti i të gjithëve. Ai ndodhet atje me të vërtetë dhe shqyrton dëshirën e brendshme të çdokujt, duke dalluar se cili afrohet me shpresëtarinë që meriton Misteri i shenjtë, cili afrohet me ndërgjegje dinake, me mendime të ndyra e të papastra e me vepra të ndotura”[5]. Krishti shqyrton çdonjërin nga ata që afrohen drejt Kungatës dhe nga çdokush kërkon të afrohet i parapërgatitur, i penduar për tërë mëkatet e veta, me ndërgjegje të pastruar përmes rrëfimit të çiltër.

Në librin “Historia e murgjërve të Egjiptit”, përmendet një prift me emrin Evlogjio, i cili kur i blatonte Perëndisë Dhuratat e Nderuara, merrte prej tij aq hir, saqë mund të dallonte gjendjen shpirtërore të çdo murgu që i afrohej Altarit të shenjtë për t’u kunguar. Shumë herë, kur shihte murgjër që bëheshin gati t’i afroheshin Altarit, i ndalonte duke u thënë: “Si guxoni t’u afroheni Mistereve të shenjta me mendje të ndotur?… Largohuni për pak kohë nga Misteret e shenjta dhe pendohuni me gjithë shpirt, që të falen mëkatet tuaja dhe të bëheni të denjë për Kungimin e Krishtit. Sepse nëse më parë nuk pastroheni përbrenda, nuk do të mund t’i afroheni dot hirit të Perëndisë”.

 

“Me frikë Perëndie, besim dhe dashuri, afrohuni”

Në çdo Liturgji Hyjnore prifti fton besimtarët të marrin pjesë në Tryezën e Jetës “me frikë Perëndie, besim dhe dashuri”. Përmes kësaj ftese na kujton parapërgatitjen trupore dhe shpirtërore që duhet të kemi, në mënyrë që të ulemi në Darkën Krishtit.

Shën Joan Gojarti thotë: “Kur t’i afroheni kësaj Tryeze hyjnore dhe të frikshme, të vini me frikë dhe tmerr, me ndërgjegje të pastër, me kreshmë dhe me lutje, pa zhurmë, pa shkelur dhe pa shtyrë njëri-tjetrin. Sepse kjo parregullsi është shenjë marrëzie dhe shpërfillja më e madhe ndaj Mistereve të shenjta. Atyre që veprojnë kështu, kjo nuk do t’u sjellë gjë tjetër, përveç ndëshkimit dhe ferrit. Kungata Hyjnore, – vazhdon shën Joani, – është ilaç shërues për plagët tona, pasuri e amshuar dhe na mundëson hyrjen në Mbretërinë e qiejve. Pra, le të afrohemi drejt kungimit me frikë… Le të derdhim lot e le të vajtojmë për mëkatet që kemi kryer… Dhe pasi të jemi pastruar, le të afrohemi të kungohemi me qetësi dhe hijeshi, siç i ka hije, sepse po i afrohemi Mbretit të qiejve. Dhe pasi të pranojmë flijimin e shenjtë e të pacenuar – domethënë Trupin dhe Gjakun e Krishtit, – le ta puthim e le ta përqafojmë atë me sytë tanë, le ta mbushim mendjen tonë me ngrohtësi shpirtërore, në mënyrë që ardhja jonë në kishë të mos bëhet shkak gjykimi apo dënimi, por të na udhëheqë drejt ngazëllimit të shpirtit, drejt dashurisë, virtytit, pajtimit me Perëndinë dhe drejt paqes së qëndrueshme. Mbledhja liturgjike le të bëhet burim i shumë të mirave, në mënyrë që edhe veten tonë ta shenjtërojmë, por edhe të afërmve tanë t’ua forcojmë besimin”[6].

Shën Joan Gojarti krahason qetësinë që mbizotëronte shumë herë gjatë ndeshjeve atletike me zhurmën që bëhej gjatë kohës së Kungimit Hyjnor. Ai pyet besimtarët: “A nuk ju duket e çuditshme që atje ku djalli bën paradë të ketë kaq shumë qetësi dhe këtu ku Krishti na fton pranë tij të ketë kaq shumë zhurmë? Në treg të ketë qetësi, ndërsa këtu në kishë të thirrura? Në mes të detit të ketë bunacë, ndërsa në liman furtunë? Pa më thuaj, o njeri, përse bën zhurmë? Përse nxitohesh? Kinse nga nevoja për të mbaruar disa punë? Ndoshta ngaqë në ato çaste të kalon në kokë mendimi se ke disa punë për të kryer? Mos ndoshta në ato çaste ke ndjesinë se ndodhesh mbi tokë? … Mirëpo, të mendosh se gjatë çastit të Kungimit Hyjnor qëndron mbi tokë dhe se nuk je duke marrë pjesë në korin e engjëjve, kjo është tregues i një zemre prej guri”[7].

Në këtë pikë, le të përmendim edhe një gjë të pavend që ndodh gjatë Kungimit Hyjnor, që ka lidhje me femrat: I afrohen Potirit të Jetës me buzë të lyera dhe kështu tregojnë se nuk e kanë fare ndjesinë se çfarë do të thotë Kungimi Hyjnor. Sigurisht, mirë do të ishte që femrat të mos lyheshin asnjëherë, që të mos e tjetërsonin hijeshinë e tyre natyrale. Kryesisht, gjatë kohës së Kungimit Hyjnor, kur afrohen me buzë të lyera, fyejnë Zotin. Shën Joan Gojarti e kritikon rreptë zakonin e lyerjes që kishin femrat e epokës së tij: “Ti që je e krishterë dhe që Krishti është kreu yt, përdor marifete djallëzore? Dhe nuk kujton ujin që lau tërë fytyrën tënde kur u pagëzove, flijimin që stolis buzët e tua, Gjakun e shenjtë të Krishtit që leu me të kuqe gjuhën tënde? Nëse i kupton të gjitha këto, edhe pse mund të të pëlqejë shumë të stolisesh, nuk do të guxosh ta bësh dhe as nuk do të mundesh dot të durosh pluhurin e ngjyrave në fytyrën tënde… Dije se Krishti nuk kënaqet me këto ngjyra, por dëshiron një tjetër lloj bukurie… hijeshinë e shpirtit”[8]. Me këtë hijeshi shpirtërore gruaja duhet të shkojë drejt Kungatës Hyjnore.

* * *

Në Tryezën e Zotit do të duhet të shkojmë të veshur me stolinë e dasmës. Dhe stolia kryesore e dasmës është dashuria.

Shprehja e parë e dashurisë është falja e atyre që na bënë keq dhe që na kanë bërë padrejtësi. Shën Joan Gojarti thotë: “Asnjë nga ata që kanë armiq, le të mos i afrohet Tryezës së hirshme dhe të mos kungohet me Trupin e shenjtë të Zotit. Asnjë nga ata që i afrohen Kungatës Hyjnore të mos ketë armiq. Ke ndonjë armik? Mos u afro të kungohesh. Dëshiron të afrohesh? Pajtohu me armikun tënd dhe atëherë të vish e të prekësh të Shenjtat. Këto nuk i them unë, por vetë Zoti ynë, i cili u kryqëzua për ne. Që të na pajtonte me Atin, ai nuk iu shmang as vdekjes dhe as derdhjes së Gjakut të tij të shenjtë për ne. Dhe ti nuk dëshiron t’i flasësh apo të vraposh i pari e të pajtohesh me vëllain tënd? Dëgjo se çfarë thotë Krishti për ata që veprojnë kështu: “Nëse, kur sjell dhuratën e blatimit në altar, kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, atëherë lëre dhuratën aty para altarit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd, pastaj kthehu e kushtoje dhuratën tënde” (Mt. 5:23-24). Nuk tha: ‘Prit që të vijë ai tek ti’. As nuk i tha ndonjë të treti të ndërmjetësojë dhe as iu lut ndonjë tjetri, por tha: ‘Ti vetë vrapo drejt tij’. Sepse Krishti thotë: Shko e pajtohu më parë me vëllain tënd. Oh, ç’dashuri e madhe! Krishti nuk e konsideron shpërfillje lënien mënjanë të dhuratës së blatimit dhe ti mendon se është përçmuese të vraposh i pari e të pajtohesh me vëllanë?”[9].

Liturgjia Hyjnore është Mbretëria e Perëndisë. Dhe ushqimi në darkën e Mbretërisë është dashuria: “Dashuria e Perëndisë është Parajsë… Dhe kur gjejmë dashurinë, ushqehemi me bukën që zbret prej së larti… Ai që gjen dashurinë, ushqehet me Krishtin çdo ditë dhe bëhet i pavdekshëm… Lum ai që ushqehet me bukën e dashurisë, e cila është Jisui”[10].

Përmes pendimit dhe frikës së Perëndisë, kapërcejmë detin e kripur të jetës së tanishme dhe arrijmë te Dashuria. “Pendimi është anija, frika (e Perëndisë) është timoni i saj, ndërsa dashuria është limani hyjnor… Dhe kur të arrijmë te dashuria, kemi arritur tek Perëndia. Dhe rrugëtimi ynë mbaroi dhe arritëm në ishullin që nuk është në këtë botë, atje ku ndodhet Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Atij i përket lavdia dhe pushteti. Amin”[11].

* * *

Nëse kërkohet parapërgatitje që t’i afrohemi Kungimit Hyjnor sa më denjësisht që të mundemi, një përpjekje e njëjtë nevojitet edhe pas Liturgjisë Hyjnore, që të mos bëhemi të padenjë për dhuratën e Krishtit. Shën Joan Gojarti thotë: “Nuk ju detyroj të kreshmoni edhe pas Kungimit Hyjnor, edhe pse do të ishte gjë fort e mirë për ju. Por të paktën mos u jepni pas dëfrimeve dhe shijimeve. Ndërkohë që more Bukën e Jetës, kryen një vepër për vdekje dhe nuk frikësohesh? Vallë, nuk e di ti se sa gjëra të pahijshme vijnë në jetën tonë nga dëfrimet? Të qeshura të kota, fjalë të pahijshme, shaka të dëmshme, dërdëllitje të marra dhe shumë gjëra të tjera, që nuk është mirë as t’i përmendim. Dhe këto i bën ndërkohë që ke shijuar ushqimin nga Tryeza e Krishtit, kur u denjësove të prekësh me gjuhën tënde Trupin e tij të shenjtë… Kur të shtrosh tryezë materiale, kij në mendje atë Tryezë, Darkën Mistike të Zotit, vigjilencën e nxënësve të tij në atë natë të shenjtë… Dhe jeta e tanishme është natë. Le të qëndrojmë zgjuar bashkë me Zotin Krisht, le të vigjilojmë bashkë me nxënësit e tij. Është koha për lutje, jo për dehje. Kjo vlen për çdo kohë, por në mënyrë të veçantë gjatë festave. Sepse e kremtja për këtë arsye kryhet, jo që të shëmtohemi më shumë, jo që t’i shtojmë mëkate të tjera vetes, por që të na falen mëkatet që kemi bërë… Në kishë dëgjove himne të hirshme, shijove ushqimin e Tryezës mbretërore, u mbushe me Shpirtin e Shenjtë, psale bashkë me Serafimet, u bëre pjesë e Fuqive qiellore. Pra, mos e flak tutje tërë këtë gëzim. Mos e ço dëm thesarin që trashëgove”[12]. Veprat tona pas Kungimit Hyjnor le të jenë të denja për dashurinë e Krishtit. Në këtë mënyrë do të mund të kemi gjithmonë brenda nesh Krishtin.

 

Frytet e Kungimit Hyjnor

Nëse besimtari kungohet duke qenë i parapërgatitur siç duhet, me rrëfim të çiltër, me kreshmë, me dashuri ndaj vëllezërve, me besim dhe frikë Perëndie, atëherë kungimi i tij do të japë fryte shpirtërore. Njeriu bashkohet me Krishtin, bashkohet me vëllezërit në Krishtin. Le të shohim më me hollësi frytet e Kungimit Hyjnor.

Bashkimi i besimtarit me Krishtin

Nëpërmjet Kungimit Hyjnor besimtari bëhet “një Trup” dhe “një Gjak” me Krishtin. Vetë Krishti, kur foli për herë të parë rreth Misterit të Eukaristisë Hyjnore, tha: “Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet tek unë dhe unë në të” (Jn. 6:56).

Me anë të Kungimit Hyjnor bashkohemi me Trupin dhe Gjakun e Tërëshenjtë të Krishtit, ashtu siç përzihet uji me miellin dhe bëhen një brumë. “Pret Krishtin brenda teje, – thotë shën Joan Gojarti, – bashkohesh me Trupin e shenjtë të Zotit që ndodhet në qiejt”[13].

Dashuria e Krishtit për ne, sipas shën Joan Gojartit, nuk u mjaftua vetëm me mishërimin e tij, me Pësimet e pacenuara dhe me Varrimin e tij. Por, përtej këtyre, ai na dhuroi edhe Kungimin Hyjnor: “Krishtit nuk i mjaftoi fakti që u bë njeri për ne, që u rrah me kamxhik dhe që u ther për ne, por ai bashkon edhe veten e tij me ne. Jo vetëm përmes besimit, por realisht ai na bën Trup të tij… Shih sa shumë na vlerëson! Shih se në ç’tryezë je ulur për të ngrënë! Në atë Tryezë, të cilën, kur e shohin engjëjt e shenjtë, tmerrohen dhe nuk guxojnë ta shohin pa druajtje, për shkak të rrezatimit të saj, ndërsa ne ushqehemi në të, bashkohemi dhe bëhemi një Trup me Krishtin; cili mund ta përshkruajë fuqinë e Zotit dhe cili mund t’i bëjë të njohura tërë lavdërimet e tij? (Ps. 105:2)”[14].

Në një fjalim tjetër, Gojarti, i ndriçuar nga Perëndia, vë në gojën e Krishtit këto fjalë: “Për ty, o njeri, pranova pështymat, rrahjet me kamxhik, u zbraza nga lavdia, lashë Atin dhe erdha tek ti që më urren, që më shmangesh dhe që nuk dëshiron as të dëgjosh emrin tim. Vrapova drejt teje dhe të arrita, që të të bëj timin. U bashkova dhe hyra në një lidhje të ngushtë me ty. Të thashë: ‘Ha Trupin tim dhe pi Gjakun tim’. Je bashkë me mua lart në qiell dhe këtu poshtë në tokë jam i bashkuar me ty… Nuk kam një lidhje të thjeshtë me ty, por jam bashkuar me ty, hahem dhe dobësohem pak nga pak, që të bëhet më i fortë gërshetimi, bashkimi dhe ndërthurja mes nesh. Sepse ato gjëra që thjesht janë bashkuar me njëra-tjetrën, ruajnë kufijtë e tyre, ndërsa unë lidhem ngushtësisht me ty, domethënë nuk dëshiroj të ketë asgjë tjetër ndërmjet nesh, por dua që të jemi një, unë edhe ti”[15].

Nuk ndërhyn asgjë midis Krishtit dhe besimtarit që kungohet denjësisht. Çdo gjë shkrihet nga zjarri i dashurisë së tij. “Ne dhe Krishti jemi një[16]” – thotë Gojarti hyjmbajtës. Vetëm një shenjtor mund të flasë me kaq shumë guxim. Dhe realisht kështu flasin shenjtorët:

“Gjymtyrë të Krishtit bëhemi, Krishti bëhet e jona gjymtyrë.
Krishti bëhet dorë dhe këmbë e imja, fort të mjerit,
dhe unë i mjeri bëhem dorë e Krishtit dhe këmbë e Krishtit…
O Shpëtimtari im, sa e madhe është zemërdhembshuria jote!
Si më denjësove të bëhem gjymtyrë e jotja,
Mua të papastrin, plëngprishësin dhe të përdalin?
Si më veshe stoli të ndritshme…?
Se trupi yt i pacenuar dhe hyjnor ndriçon me zjarrin e hyjnisë sate
Të gjithë ata që lidhen dhe bashkohen në mënyrë të përsosur me Ty…
U bashkova dhe njoha hyjninë tënde dhe u bëra trup i yti i pastër[17].

Bashkimi me vëllezërit – formimi i Kishës

Me anë të pjesëmarrjes në Kungimin Hyjnor, bashkohemi me vëllezërit tanë dhe të gjithë së bashku formojmë Trupin e Krishtit. Apostull Pavli shkruan: “Ashtu si buka është një e vetme, ashtu edhe ne, edhe pse jemi shumë, bëhemi një  trup i vetëm, sepse marrim pjesë në të vetmen bukë” (I Kor. 10:17). Dhe shën Joan Gojarti vë në dukje se ashtu si Buka e shenjtë me të cilën kungohemi, është Trup i Krishtit, ashtu edhe ne që kungohemi bëhemi Trup i Krishtit. “Jo shumë trupa, por një trup. Sepse, ashtu si buka, edhe pse përbëhet nga shumë fara, është një e vetme, saqë farat nuk duken asgjëkund, edhe pse ndodhen aty brenda, … ashtu edhe ne bashkohemi me Krishtin dhe me njëri-tjetrin. Sepse ti nuk ushqehesh nga një bukë e ndryshme nga ai tjetri, por të gjithë ushqehemi nga e njëjta bukë. Prandaj Apostull Pavli tha se marrim pjesë në të vetmen bukë”[18].

Përmes misterit të Pagëzimit të shenjtë u bëmë bij të Perëndisë sipas Hirit dhe anëtarë të familjes së shenjtë, të Kishës. Ndërsa me anë të Kungimit Hyjnor ushqehemi me Trupin dhe Gjakun e shenjtë të Krishtit. “Krishti, – thotë shën Joan Gojarti, – bashkohet me çdonjërin prej besimtarëve me anë të Mistereve të shenjta, domethënë me anë të Kungimit Hyjnor. Atë që Krishti e rilindi përmes Pagëzimit të shenjtë, e ushqen me anë të vetes së tij”[19]. Në këtë mënyrë, ndërmjet besimtarëve krijohet një lidhje e ngushtë shpirtërore, një lidhje e vërtetë dashurie. Kjo dashuri duhet të jetë shenja dalluese në marrëdhëniet e besimtarëve me njëri-tjetrin. Në lidhje me këtë, shën Joan Gojarti thotë: “Ne që u bëmë pjesëmarrës të Tryezës shpirtërore, le të bëhemi edhe pjesëmarrës të dashurisë shpirtërore. Sepse nëse kusarët, duke ndarë gjërat e grabitura, harrojnë sjelljet e tyre prej kusari, çfarë justifikimi do të kemi ne që kungohemi vazhdimisht me Trupin e shenjtë të Zotit dhe nuk imitojmë as butësinë e kusarëve? Për më tepër, për shumë njerëz, jo vetëm pjesëmarrja në një tryezë të përbashkët, por edhe vetë fakti që janë nga i njëjti qytet, është e mjaftueshme që të kenë marrëdhënie miqësore ndërmjet tyre. Ndërsa ne të krishterët, që jemi nga i njëjti qytet, nga e njëjta shtëpi, që marrim pjesë në të njëjtën tryezë, në të njëjtën udhë, që jemi nga e njëjta rrënjë, që hyjmë nga e njëjta derë, që marrim pjesë në të njëjtën jetë, që kemi të njëjtin Mbret dhe Bari, të njëjtin Mësues dhe Gjykatës, të njëjtin Krijues dhe Atë, që i kemi të gjitha të përbashkëta, nëse krijojmë përçarje mes nesh, si mund të kërkojmë të jemi të falur”[20]? Besimtarët që kungohen me Trupin e Krishtit, i bashkon çdo gjë, sepse ata i bashkon vetë Krishti.

Kisha jonë e shenjtë është Trupi i Krishtit, ndërsa naosi është Shtëpia atërore. Të gjithë sa vijnë në Liturgjinë Hyjnore janë vëllezërit tanë në Krishtin dhe dashuria duhet të ekzistojë përherë mes nesh. Përderisa Krishti jep Trupin e tij të Tërëshenjtë për ne, do të duhet që edhe ne t’i duam nga zemra vëllezërit tanë dhe t’i ndihmojmë në çdo nevojë të tyren. Atyre që shpërfillnin vëllezërit e uritur, shën Joan Gojarti u drejton këto fjalë: “Krishti u jep të gjithëve njëlloj Trupin e tij të shenjtë, ndërsa ti as një copë nga buka e zakonshme nuk u jep atyre?”[21]. Kjo është vepër e padenjë për ata që kungojnë Trupin dhe Gjakun e Krishtit.

Liturgjia Hyjnore është shfaqja e misterit të Kishës. Bashkësia e besimtarëve është populli i bekuar i Perëndisë, të bashkuar me njëri-tjetrin në dashurinë e Krishtit. Të gjithë jemi një në Krishtin dhe me njëri-tjetrin, sepse Krishti është nyja lidhëse e unitetit, sepse ai është Perëndi dhe Njeri” – shkruan shën Kirili i Aleksandrisë[22].

Nëpërmjet mishërimit, Krishti “mori trupin e Kishës dhe erdhi në shtëpinë e saj. E gjeti të ndotur, të lerosur, të zhveshur, të zhytur në gjak dhe e pastroi (përmes Pagëzimit), e leu me aroma (me anë të Mirosjes), e ushqeu (përmes Kungimit Hyjnor) dhe i veshi një rrobë që s’mund t’i gjendet shoqja: Ai vetë u bë stolia e saj, të cilën e kapi prej dore dhe e ngjiti lart”[23]. E çon drejt Mbretërisë qiellore ku kryhet Liturgjia Hyjnore.

Ιερομονάχου Γρηγορίου, O Εκκλησιασμός
Εκδόσεις: Ιερόν Κουτλουμουσιανόν Κελλίον
Άγιος Ιωάννης ο Θεολόγος.
Shqip: Stefan Zhupa

[1] ΕΠΕ 13, 578.

[2] ΕΠΕ 20, 484.

[3] ΕΠΕ 35, 214-216.

[4] ΕΠΕ 25, 38-48.

[5] M 56, 140.

[6] ΕΠΕ 35, 456-460.

[7] ΕΠΕ 35, 514.

[8] ΕΠΕ 10, 332.

[9] ΕΠΕ 32, 636-638.

[10] Αββάς Ισαάκ, σελ. 282.

[11] Αββάς Ισαάκ, σελ. 283.

[12] ΕΠΕ 18a, 206-208.

[13] ΕΠΕ 22, 204.

[14] ΕΠΕ 12, 212-214.

[15] ΕΠΕ 23, 404.

[16] ΕΠΕ 24, 362.

[17] Shën Simeon Teologu i Ri, SC 156, 288 dhe 176-178.

[18] ΕΠΕ 18a, 86.

[19] ΕΠΕ 12, 214.

[20] ΕΠΕ 10, 408-410.

[21] ΕΠΕ 18a, 200.

[22] M 74, 560D.

[23] Shën Joan Gojarti, ΕΠΕ 33, 388 dhe 5, 210.