E Diela pasardhëse është quajtur: “E Diela e Tagrambledhësit dhe e Fariseut”. Në vigjilje të kësaj të kremteje, në Mbrëmësoren e së shtunës, shfaqet për herë të parë libri liturgjik i periudhës së kreshmës, domethënë libri i Triodit. Kësisoj, himnet e këtij libri do t’i bashkëngjiten himneve dhe uratave të përjavshme të shërbesës ngjallësore. Në himnet e kësaj të diele del në pah aspekti tjetër i rëndësishëm i pendimit, domethënë përulësia.

Ungjilli i kësaj të kremteje (Lk. 18:10-14) përshkruan një njeri vazhdimisht të kënaqur me veten, që mendon se i bindet të gjitha urdhërimeve të fesë. Ai është i vetëmjaftueshëm dhe krenar për veten. Mirëpo, në të vërtetë, ai e ka shtrembëruar domethënien e fesë. Ai e ka kufizuar atë në disa vepra të jashtme dhe devotshmërinë e vet e mat nëpërmjet shumës së parave që i dhuron tempullit. Për sa i përket tagrambledhësit, ai përul veten dhe kjo përulësi e bën të drejtë në sytë e Perëndisë. Në ka ndonjë vlerë morale që sot shpërfillet apo mohohet thuajse tërësisht, ajo është vërtet përulësia. Kultura jonë rrënjos vazhdimisht brenda nesh ndjesinë e krenarisë, të vetëlavdërimit dhe të justifikimit të vetes. Këtë e bën përmes supozimit se njeriu mund të arrijë gjithçka me fuqinë e vet dhe Perëndia përshkruhet si ai që shpërblen vazhdimisht njerëzit për arritjet dhe veprat e mira. Përulësia, qoftë kjo përulësi individuale, e përbashkët apo kombëtare, shihet si shenjë dobësie, si diçka që nuk i përshtatet njeriut të vërtetë. Po kishat tona, a nuk janë prekur nga e njëjta frymë e fariseut? A nuk duam edhe ne, vallë, që ndihmesa, “veprat e mira” dhe gjithçka bëjmë “për Kishën” të vlerësohet, të lavdërohet dhe të vihet në dukje?

Mirëpo, çfarë është përulësia? Përgjigja mund të duket e çuditshme, sepse ajo i ka rrënjët te një pohim i çuditshëm: Vetë Perëndia është i përulur! Kushdo që njeh Perëndinë, që e sodit atë brenda krijimit dhe veprave të tij shpëtimprurëse, e di mjaft mirë se përulësia është veçori hyjnore, domethënë vetë përmbajtja dhe rrezatimi i lavdisë që “mbush qiellin dhe tokën”, siç psalim gjatë Liturgjisë Hyjnore. Në mendësinë tonë njerëzore, ne priremi ta vëmë “lavdinë” në kah të kundërt me “përulësinë”, duke e parë këtë fundit si shenjë dobësie dhe mangësie. Sipas nesh, ajo çka të bën të ndihesh apo do të duhej të të bënte të ndiheshe i përulur, është padituria ose paaftësia. Njeriut bashkëkohor, që ushqehet prej reklamës, vetëdukjes dhe vetëlavdërimit të pasosur, është thuajse e pamundur t’i thuash se gjithçka që është vërtet e përsosur, e bukur dhe e mirë, në të njëjtën kohë, është edhe natyrshëm e përulur, sepse ajo çka është pikërisht e përsosur, nuk ka nevojë për “reklamë”, lavdi të jashtme apo të “dalë në pah” në ndonjë mënyrë tjetër. Perëndia është i përulur për shkak se është i përsosur. Përulësia është lavdia e tij dhe burim i çdo gjëje vërtet të bukur, të përsosur dhe të mirë. Kushdo që i afrohet Perëndisë dhe e njeh atë, ai menjëherë merr pjesë në përulësinë hyjnore dhe zbukurohet prej saj. Kjo ndodhi me Marinë, Nënën e Krishtit, të cilën përulësia e bëri gëzimin e tërë krijimit dhe shfaqen më të madhe të bukurisë në botë. E njëjta gjë ndodhi me të gjithë shenjtorët dhe me të gjithë njerëzit e tjerë, në ato pak raste të takimit të tyre me Perëndinë.

Si bëhesh i përulur? Për të krishterin, përgjigja është e thjeshtë: duke soditur Krishtin, përulësinë hyjnore që u bë njeri, atë përmes të cilit Perëndia zbuloi njëherë e përgjithmonë lavdinë e vet si përulësi dhe përulësinë e vet si lavdi. “Tani – tha Krishti natën e përulësisë së tij të skajshme, – u përlëvdua Biri i njeriut dhe Perëndia u përlëvdua në të” (Jn. 13:31). Përulësia mësohet duke soditur Krishtin, i cili ka thënë: “Mësoni nga unë, sepse jam zemërbutë dhe i përulur”. Së fundi, përulësia mësohet duke matur gjithçka me masën e Krishtit, duke iu referuar atij për gjithçka. Pa Krishtin nuk mund të ketë përulësi të vërtetë, ndërsa në rastin e fariseut, edhe feja mund të të kultivojë krenarinë për arritjet e tua, që është një formë tjetër e vetëlavdërimit farisaik.

Periudha e kreshmës fillon me një kërkesë, me lutjen për të qenë të përulur, që është fillimi i pendimit të vërtetë, sepse pendimi, veç të tjerave, është rikthimi i gjërave në rendin e vërtetë, rivendosja e vizionit të drejtë. Për këtë arsye, pendimi i ka themelet te përulësia, ndërsa përulësia, përulësia e bukur dhe hyjnore, është fryti dhe pikëmbërritja e pendimit. “Le ta shmangim mburrjen e Fariseut”, – thotë shkurtorja e të kremtes, “dhe duke psherëtirë, le të mësojmë përulësinë e tagrambledhësit”. Ndodhemi te dyert e pendimit dhe në çastin më solemn të Mëngjesores të së dielës: pasi të jetë lexuar Ungjilli mëngjesor dhe të jetë shpallur shfaqja e Krishtit mes nesh – “Ne që pamë Ngjalljen…” – ne psalim për herë të parë troparet, të cilët do të na shoqërojnë gjatë gjithë periudhës së kreshmës:

Hapmi dyert e pendimit, o jetëdhënës, se shpirti im vjen që me natë te tempulli yt i shenjtë, duke sjellë tempullin e trupit, krejt të përlyer. Po ti, si i dhembshur, pastroje me përdëllimin tënd të mëshirshëm.

Drejtomë në rrugët e shpëtimit, o Hyjlindëse, sepse e ndota shpirtin me mëkate të turpshme, duke kaluar tërë jetën time me ngathtësi. Me ndërmjetimet e tua spastromë prej çdo ndyrësie.

Unë i mjeri, duke kujtuar mëkatet e shumta dhe të tmerrshme që kam bërë, dridhem nga dita e frikshme e gjyqit. Po duke marrë guxim nga mëshira e dhembshurisë sate, si Davidi po të thërres: Përdëllemë, o Perëndi, sipas përdëllimit tënd të madh.

Fr. Alexander Schmemann
Great Lent: Journey to Pascha,
Shqip: Stefan Zhupa