Ne të krishterët shkojmë në kishë, në Liturgjinë Hyjnore, që t’i lutemi Zotit të jetë i mëshirshëm ndaj nesh. Koha e Liturgjisë Hyjnore është çasti i pajtimit tonë me Krishtin. Ai është Ati fort i dashur, që na pret me krahët e dashurisë së Tij atërore gjithmonë të hapura. Dhe ne, në çastin që Zoti na jep faljen, flasim, jemi të pakujdesshëm, bëjmë zhurmë. Dhe largohemi nga kisha pa asnjë përfitim. Prandaj shën Joan Gojarti thotë: “Nuk mund të qëndrosh në heshtje brenda në kishë? Atëherë dil jashtë, në mënyrë që të mos dëmtosh e të mos pengosh edhe të tjerët”[1]. Padyshim, nuk do të duhej të zgjidhnim të largoheshim nga kisha, por të qëndronim në Liturgjinë Hyjnore me mendjen e përqendruar tek ato që thotë dhe bën prifti dhe kori.

“Le t’i ngremë lart zemrat”

Perëndia, kur i kërkoi patrikut Abraham të flijonte Isakun, i tha: “Merr tani birin tënd të dashur, të cilin e do, Isakun, shko në vendin e Moriahve dhe flijoje në një nga malet që do të të tregoj” (Zan. 22:2). Meshuesi na nxit që edhe ne të ngjitemi në këtë mal të lartë, që të blatojmë Anaforën eukaristike. Shën Joan Gojarti thotë: “Mos lër asnjë nga mendimet e tua njerëzore të të pushtojë shpirtin gjatë kohës së Anaforës së shenjtë. Mos lejo asnjë nga pasionet e tua robëruese të ndodhen pranë teje. Ngjitu i vetëm atje lart, ku nuk duhet të ngjitet asgjë tokësore. Lër poshtë në tokë çdo pasion të palogjikshëm dhe të marrë. Dhe atëherë le të mos të të shqetësojë asgjë, por bëhu më i lartë edhe se qiejt”[2].

* *

“Le t’i ngremë lart zemrat”, – thotë prifti. Me fjalën “lart” na tregon vendin ku shpirti që do Zotin takohet me Dhëndrin Krisht dhe e lavdëron atë. Besimtari që digjet nga dëshira për të takuar Zotin, përpiqet vazhdimisht dhe ngjitet përherë drejt fronit të Perëndisë. Sikurse shkruan edhe shën Grigori i Nisës: “Besimtari ngjitet pa u ndalur drejt lartësisë së qiellit, duke përtërirë vazhdimisht fuqitë për të ecur, përmes gjërave që fiton gjatë rrugës”[3].

“I kemi tek Zoti”, – i përgjigjen besimtarët meshuesit. Me këtë përgjigje, besimtarët e sigurojnë meshuesin se me të vërtetë zemrat e tyre ndodhen lart në qiell, “atje ku Krishti rri ulur në të djathtën e Perëndisë” (Kol. 3:1).

“I kemi zemrat tona pranë Krishtit”, – i themi priftit. Por në të vërtetë, në të njëjtën kohë bisedojmë me njëri-tjetrin për gjëra të kota dhe fare të parëndësishme. Çfarë ka veshur njëra, si ecën tjetri, çfarë i ka ndodhur një të treti. Pra, le të lejomë predikuesin e zjarrtë dhe gojartë të na sjellë në vete: “Çfarë bën, o njeri? Kur prifti tha: ‘Le t’i ngremë lart zemrat’, a nuk premtove dhe the: ‘I kemi tek Zoti?’ Nuk trembesh, nuk skuqesh nga turpi, ngaqë del gënjeshtar në këtë moment të frikshëm? Bobo, çfarë mrekullie! Ndërkohë që Tryeza mistike është gati, Qengji i Perëndisë, Jesu Krishti, flijohet për ty, prifti mundohet për ty, zjarri shpirtëror buron nga Tryeza e kulluar, Kerubimet qëndrojnë pranë saj dhe Serafimet fluturojnë përreth Tryezës dhe mbulojnë fytyrat me krahët e tyre dhe tërë Fuqitë pa trup ndërmjetojnë bashkë me priftin për ty, zjarri shpirtëror zbret poshtë dhe Gjaku i Krishtit derdhet në Potirin e shenjtë nga Brinja e Tij e kulluar për pastrimin tënd, ti nuk trembesh fare nga e gjithë kjo? Nuk skuqesh nga turpi që del gënjeshtar gjatë këtij çasti të frikshëm? Me çfarë guximi vjen drejt Mistereve të shenjta? Me ç’lloj ndërgjegjeje të ndotur? Prandaj, vëllezërit e mi, kur ndodhemi brenda në kishë, të mos fillojmë nga bisedat. Por të qëndrojmë plot frikë dhe tmerr, me sytë drejtuar poshtë dhe shpirt të ngritur lart. Të qëndrojmë të heshtur dhe të brohorasim në zemër”[4].

Që të kemi mundësi t’i ngremë zemrat tona në qiell gjatë kohës së Anaforës së shenjtë, duhet të bëjmë parapërgatitjen e duhur përpara Liturgjisë Hyjnore. Përpara çastit të frikshëm të flijimit në Golgotha, ndërsa presim hyrjen e Mbretit Krisht në Mbledhjen eukaristike të bijve të Tij, duhet të ngjitemi mendërisht pranë fronit të Perëndisë. Shën Joan Gojarti thotë: “Para se të shohësh perden (e Derës së bukur) të hapet dhe korin e engjëjve të ecë përpara, të ngjitesh në qiell… Kur të dëgjosh profetin të thotë: ‘Kështu thotë Zoti’, largohu nga toka, fillo të ngjitesh edhe ti drejt qiellit”[5].

* *

Shën Joan Gojarti thotë se vijmë në kishë me dëshirën për t’iu lutur Perëndisë dhe për të lavdëruar emrin e Tij të shenjtë, por në vazhdim lëmë mënjanë Zotin dhe “merremi me ata që kemi pranë, për të zgjidhur problemet e shtëpisë sonë. Flasim për çështje që kanë të bëjnë me tregun, me jetën e përditshme, me teatrin, me ushtrinë, për çështje të zgjidhura e të pazgjidhura… Me një fjalë, diskutojmë për të gjitha çështjet e jetës së përbashkët dhe ato individuale. Si mund të falet një sjellje e tillë? Ndërkohë që bashkëbisedon me Mbretin e mbretërve, të cilit engjëjt i shërbejnë me frikë, ti braktis bisedën me të dhe diskuton për dheun, për pluhurat dhe për merimangat? Këto gjëra i përkasin botës. Gjatë Liturgjisë Hyjnore duhet të kemi ndjesinë se po bashkëbisedojmë me Perëndinë dhe se po marrim pjesë në kryerjen e flijimit pa gjak. Kështu do të kemi mundësi të lartësohemi shpirtërisht, të çlirohemi nga toka dhe t’i afrohemi absidës së qiellit, që Perëndia të tregohet i mëshirshëm e të na japë të mirat që na premtoi”[6].

Sa herë që kryhet Anafora e shenjtë, Jesu Krishti mishërohet dhe blatohet “për shpëtimin dhe jetën e botës”. Që të shijojmë dhuratën e shpëtimit që ofron Krishti, do të duhet të bëhemi të huaj për gjërat e botës dhe t’i përkushtohemi Perëndisë, ashtu siç na nxit himnografi i shenjtë i Himnit Akathist: “Duke parë lindje të çuditshme (domethënë lindjen e Krishtit), le të bëhemi të huaj për botën, duke e zhvendosur mendjen në qiell. Se prandaj Perëndia i lartë u shfaq mbi tokë si njeri i përulur duke dashur të tërheqë drejt lartësisë ata që i thërresin: Aliluia”.

Anafora e shenjtë

“Le të falënderojmë Zotin”

Pasi e siguruan meshuesin se zemrat e tyre i kanë pranë Perëndisë, besimtarët tashmë janë gati të përparojnë në kryerjen e Misterit të Eukaristisë Hyjnore. Për këtë arsye, pra, i nxit meshuesi tani me fjalët: “Le të falënderojmë Zotin”. Le të falënderojmë Zotin për dashurinë e tij, duke kryer Eukaristinë Hyjnore. Dhe besimtarët përgjigjen: “I ka hije dhe është e drejtë”. I ka hije dhe është e drejtë të falënderojmë Zotin. Dhe meshuesi, i cili është goja e besimtarëve, fillon të lexojë uratën e Anaforës së shenjtë.

Gojarti i hirshëm shkruan se mënyra më e mirë për të ruajtur dhuratat e Perëndisë është t’i kujtojmë vazhdimisht dhe të falënderojmë përherë Zotin për to. Dhe vazhdon: “Pikërisht për këtë arsye, Misteri i frikshëm që kryhet në çdo mbledhje liturgjike të besimtarëve, nga i cili ofrohet shpëtimi i pamasë, quhet Eukaristi (Falënderim), sepse na kujton bamirësitë e shumta dhe na zbulon pikën kulmore të Përkujdesjes Hyjnore. Ky Mister i hyjshëm na parapërgatit me çdo lloj mënyre që të falënderojmë Perëndinë… Pikërisht për këtë arsye, gjatë kohës që kryhet ky flijim, prifti na nxit të falënderojmë Perëndinë për tërë botën që na ka dhuruar, për të shkuarën dhe për të tashmen. Për çdo gjë që ka ndodhur dhe për çdo gjë që do të ndodhë. Sepse ky falënderim na çliron nga toka dhe na zhvendos në qiell. Nga njerëz, na bën engjëj”[7].

* *

Prifti i lutet Perëndisë: Të ka hije dhe është e drejtë të të himnojmë, të të bekojmë, të të lavdërojmë, të të falënderojmë, të të falemi në çdo vend të zotërimit tënd. Se ti je Perëndi që s’mund të të shprehim, që s’mund të të kuptojmë; që je i padukshëm, që s’të arrin mendja jonë, që je gjithnjë, që je i njëjti; Ti dhe Biri yt i vetëmlindur dhe Shpirti yt i Shenjtë. Ti nga e mosqena në të qenët na solle; dhe kur ramë na ngrite përsëri; dhe nuk pushove së bëri çdo gjë derisa na shpure lart në qiell dhe na fale Mbretërinë tënde të ardhshme. Për të gjitha këto të falënderojmë ty, Atin, dhe Birin tënd të vetëmlindur dhe Shpirtin tënd të Shenjtë. Të falënderojmë për të gjitha ato që dimë dhe ato që s’dimë, për bamirësitë e dukshme dhe të padukshme që na janë bërë. Të falënderojmë dhe për këtë Liturgji, që denjove të pranosh nga duart tona, ndonëse qëndrojnë pranë teje mijëra Kryeengjëj dhe dhjetëra mijëra engjëj, Kerubimet dhe Serafimet me gjashtë krahë, me shumë sy, që qëndrojnë në erë, që fluturojnë. Himnin triumfal duke kënduar, duke lëçitur, duke thirrur dhe duke thënë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, Zoti Savaoth, qielli e dheu janë plot me lavdinë tënde: Hosana ti në më të lartat. I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit. Hosana ti në më të lartat” (Liturgjia e shën Joan Gojartit).

Falënderojmë Perëndinë për të gjitha bamirësitë e tij. Për ato që njohim dhe për ato që nuk njohim. Për ato që janë të dukshme dhe për ato që dashuria e tij nuk i ka zbuluar ende. Por falënderimi ndaj Perëndisë për dhuratat e dashurisë së tij, më parë kërkon që të njohim dashurinë e Perëndisë. Të shqyrtojë çdokush jetën e tij për të parë se në sa e sa mënyra e ka ndihmuar Perëndia dhe atëherë, pa e detyruar kurrkush, do të shpërthejë në himne falënderimi. Shembull konkret për këtë janë të gjithë Etërit tanë të shenjtë. Ata na mësojnë se duhet të marrim pjesë në lutjet e përbashkëta të Kishës “duke psalur e duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj, duke e falënderuar Perëndinë Atë gjithmonë e për gjithçka, në emër të Zotit tonë Jesu Krisht” (Efes. 5:19-20).

Shën Simeon Teologu i Ri falënderon Zotin me këto fjalë: “Të falënderoj ty, o Imzot, o Zot i qiellit dhe i tokës, se më paracaktove që para krijimit të botës që nga e mosqena të vij në jetë. Të falënderoj dhe të falem ty, o Mbret i Tërëshenjtë, se përpara se të lindja, ti, i vetmi i pavdekshëm, i vetmi i tërëfuqishëm, i vetmi i mirë dhe njeridashës, zbrite në tokë prej lartësisë së shenjtërisë sate, u mishërove dhe linde prej Virgjëreshës së Tërëshenjtë, që të më rikrijosh, të më japësh jetë, të më çlirosh nga rënia e Adamit dhe të parapërgatitësh ngjitjen time drejt qiejve. Më pas, kur linda dhe u rrita pakëz, ti më ripërtërive me anë të rikrijimit gjatë Pagëzimit të shenjtë dhe më dhe një engjëll të ndritshëm për mbrojtës… Veçse, të gjitha këto dhurata që më dhe… unë i mjeri nuk i llogarita fare, por e lashë sërish veten të bjerë në gropën dhe në ledhin e mendimeve dhe të veprave të pahijshme… Por ti u tregove zemërdhembshur, pate mëshirë për mua… dhe zgjate dorën tënde të kulluar drejt meje që isha i zhytur thellë në këtë ledh dhe nuk të vështroja dot. Sepse si mund të hapja sytë plotësisht e të të shihja, kur isha i zhytur dhe i mbuluar tërësisht nga ndyrësitë? Por ti, zgjate dorën tënde, më kape prej flokëve të kokës sime… dhe duke më tërhequr me forcë më nxore prej andej”[8].

Falënderojmë Perëndinë për gjithçka. E falënderojmë për vetë Liturgjinë Hyjnore që pranon nga duart tona. Dhe falënderimi ynë ndaj Perëndisë sjell dhurata të reja në jetën tonë. “Sepse as Perëndia nuk do të reshtë kurrë së ndihmuari njeriun dhe do ta mbushë përherë me të mira, por as njeriu nuk do të pushojë së pranuari bamirësitë dhe të mirat e shumta nga Perëndia. Sepse ai që i është mirënjohës Krijuesit, bëhet enë mirësie dhe lavdërues i tij”[9].

Falënderojmë dhe lavdërojmë pafund emrin e tërëshenjtë të Zotit: “O Perëndia im, që je i mirë, që të erdhi keq për mua të rënin dhe që të pëlqeu të vish drejt meje, që të më ngresh përmes kryqëzimit, ty të thërres: I shenjtë je, o Zot i lavdisë, dhe mirësia jote nuk ka fund” (Oda e III-të e kanonit ngjallësor të tingullit të parë).

Himni triumfal

Himni që psalim gjatë Anaforës së shenjtë, quhet Himni triumfal. Himnon fitoren e Jesu Krishtit mbi vdekjen dhe djallin: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë je, o Zoti Sabaoth, qielli e toka janë plot me lavdinë tënde”.

Himni triumfal është një ndërthurje e himnit trishenjtor engjëllor, që dëgjoi Profeti Isaia kur Perëndia e ftoi në shërbesën e tij profetike, me himnin që populli priti Zotin në Qytetin e shenjtë, “i cili shkonte drejt pësimit vullnetar”.

Shën Joan Gojarti bën një krahasim ndërmjet himnit triumfal liturgjik dhe këngëve triumfale që këndonin hebrenjtë kur u çliruan prej tiranisë egjiptiane: “Do t’i këndoj Zotit të lavdëruar, se shumë u lartësua…” (Eks. 15:1). Krahasimi tregon se himni triumfal që psalim në Liturgjinë Hyjnore është “shumë më i ndritshëm, sepse (nga Jesu Krishti) nuk u mposhtën egjiptianët, por demonët. Nuk përdorëm armë të dukshme, por u shfuqizua e keqja… Nuk rendim drejt tokës së premtuar, por zhvendosemi drejt qiellit. Nuk hamë mana, por ushqehemi me Trupin e Zotit. Nuk pimë ujë nga shkëmbi, por kungojmë Gjakun që rrjedh nga brinja e Krishtit”[10].

Gjatë kohës që psalet himni triumfal në Liturgjinë Hyjnore, ne ndodhemi bashkë me Fuqitë engjëllore pranë fronit të Perëndisë. Engjëjt dhe njerëzit lavdërojnë së bashku Zotin. Duke folur rreth këtij himni, shën Joan Gojarti thotë: “Pra, e njohët këtë zë? Yni ishte apo i Serafimeve? Është edhe zëri ynë, edhe i Serafimeve dhe kjo falë Krishtit, i cili shembi murin ndarës dhe solli paqe në qiell e në tokë… Më parë, ky himn psalej vetëm në qiell. Por kur Krishti pranoi të zbresë në tokë, solli me vete edhe këtë melodi. Kjo është arsyeja që edhe kryeprifti, kur qëndron përballë Tryezës së shenjtë për të blatuar adhurimin e logjikshëm, për të blatuar flijimin e pa gjak, jo thjesht na fton të psalim këtë himn, por më parë përmend Kerubimet dhe kujton Serafimet dhe më pas nxit të gjithë besimtarët të lartësojnë zërat e tyre plot frikë, të shkëputin mendjen nga toka, duke kujtuar engjëjt, të cilët vallëzojnë bashkë me ne. Dhe është sikur meshuesi t’i thërresë dhe t’i thotë çdonjërit nga ne: Po këndon bashkë me Kerubimet. Qëndro bashkë me Serafimet. Hapi krahët e tu dhe fluturo bashkë me ta përreth fronit të Mbretit”[11].

Në librin “Limonarion” përmendet kjo ngjarje: Në Malin Sina, para se ky të përdhosej nga barbarët… ditën e Pendikostisë kryhej Liturgjia Hyjnore në majën e tij të shenjtë, ku ishin mbledhur shumë murgjër. Në kohën që prifti tha: “Himnin triumfal të lavdisë sate të ndritshme, le të themi me zë të lartë, duke kënduar, duke thirrur, duke lavdëruar, duke bërtitur dhe duke thënë”, u dëgjua një oshtimë, sepse u përgjigjën të gjithë malet përreth njëzëri dhe me një britmë të madhe e të frikshme: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti Sabaoth…”. Kjo oshtimë dhe kjo britmë e madhe vazhdoi për gjysmë ore. Këtë zë nuk e dëgjuan të gjithë, por vetëm ata që kishin veshë për të dëgjuar himnin e engjëjve[12].

Gjatë Liturgjisë Hyjnore, në mënyrë që të dëgjojmë himnin engjëllor, do të duhet t’i kemi sytë të pastruar prej zhurmave të botës dhe të mëkatit. Në të kundërt, do të marrim pjesë në Anaforën e shenjtë, por pa psalur bashkë me Fuqitë engjëllore, pa marrë pjesë në lavdërimin e fitores së Krishtit.

Dashuria e Perëndisë

Ndërkohë që besimtarët, të cilët i kanë të pastra shqisat e tyre shpirtërore, psalin himnin triumfal bashkë me Fuqitë engjëllore, prifti vazhdon të lexojë uratën e Anaforës: “Edhe ne, o Imzot njeridashës, bashkë me këto Fuqi të lumura engjëllore, thërresim e themi: I shenjtë dhe i Tërëshenjtë je ti dhe Biri yt i Vetëmlidur, si dhe Shpirti yt i Shenjtë. I shenjtë dhe i Tërëshenjtë je dhe lavdia jote është e madhërishme. Ti që e deshe botën tënde aq shumë saqë dërgove Birin tënd të Vetëmlindur, që çdo njeri që i beson Atij të mos humbasë, por të ketë jetë të amshuar”.

Perëndia Atë, aq shumë e deshi botën, sa dha Birin e tij të Vetëmlindur të vdiste, në mënyrë që cilido që i beson atij, të mos humbasë, por të ketë jetë të amshuar. Madhësia e Dhuratës së Atit ndaj botës tregon madhësinë e dashurisë së tij për botën. Ai dërgoi Birin e tij të Vetëmlidur në botën e vdekur, që t’i japë asaj jetë sërish. “Jo se nuk mund të na shpëtonte në ndonjë mënyrë tjetër, por e bëri këtë që të shfaqte dashurinë e tij, e cila tejkalon çdo gjë. Dhe na tërhoqi drejt vetes përmes vdekjes së Birit të tij të Vetëmlindur. Dhe nëse do të kishte patur diçka tjetër më të çmuar se Birin e vet, atë do ta kishte dhënë për ne, që brezat e njerëzve të ndodheshin pranë tij”[13].

Shën Joan Gojarti duke shpjeguar fjalët e Krishtit: “kaq shumë e deshi Perëndia botën…”, shkruan: “Shiko me kujdes se sa të mrekullueshme janë këto fjalë: ‘Aq shumë’, – shkruan shën Joani, – duke menduar rreth madhësisë së asaj që do të thoshte. Prandaj e fillon kështu. Na thuaj, pra, o Joan i lumur, sa shumë? Thuana masën e saj, thuana madhësinë e dashurisë. ‘Aq shumë e deshi Perëndia botën, sa dha Birin e tij të Vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e amshuar’ (Jn. 3:16). E sheh se kjo është arsyeja e pranisë së Perëndisë mes nesh, domethënë që, përmes besimit në të, njerëzit të gjejnë shpëtimin e të çlirohen? Ç’mund të thotë dikush kur mendon rreth njeridashjes së tij të madhe dhe të admirueshme, e cila tejkalon çdo logjikë dhe e cila i dhuroi natyrës njerëzore faljen e të gjitha mëkateve, përmes dhuratës së Pagëzimit të shenjtë? E çfarë të them unë? As mendja e as logjika nuk mjafton për të folur më tej.  Sepse sado që të flas, aq më të  shumta do të jenë gjërat që do të lë pa thënë, aq sa do të jenë më të shumta se ato që do të them… A mund t’i përshkruajë gjuha njerëzore ato që Perëndia bën për ne?”[14].

Sipas shën Joan Gojartit, çdo fjalë e dalë nga goja e Krishtit ka një domethënie të thellë. “Sepse si fraza ‘aq shumë e deshi…’, ashtu edhe fraza ‘Perëndia botën…’, tregojnë shtrirjen e madhe të dashurisë hyjnore. Sepse largësia ndërmjet Perëndisë dhe njeriut ishte e madhe dhe e pafund. Sepse Perëndia i pavdekshëm, i pafillim, madhështia e pafund, pati dashuri për ata që u krijuan nga dheu dhe nga pluhuri, të cilët ishin të ngarkuar me mëkate të shumta, që shkonin përherë kundër vullnetit të tij, që ishin mosmirënjohës”[15].

Flijimi i Krishtit është shfaqja e dashurisë hyjnore: “Ja si është shfaqur dashuria e Perëndisë në ne: Ai dërgoi në botë Birin e tij të Vetëmlindur që ne të jetojmë nëpërmjet tij. Këtu qëndron dashuria: nuk e deshëm ne Perëndinë, por na deshi ai dhe dërgoi Birin e tij si flijim për të shlyer mëkatet tona”.

Darka Mistike

Meshuesi vazhdon Anaforën e shenjtë: Kur erdhi Krishti dhe “përmbushi misterin e shpëtimit tonë, natën që dorëzohej, ose më mirë, që dorëzonte veten për jetën e botës, pasi mori bukën në duart e tij të shenjta, të pacenuara dhe të papërlyera, falënderoi, e bekoi, e shenjtëroi, e theu dhe ua ndau nxënësve të tij të shenjtë, duke thënë: Merrni, hani, ky është Trupi im, që thyhet për ju për ndjesën e mëkateve. Të njëjtën gjë bëri edhe me Potirin pas darkës dhe tha: Pini prej këtij të gjithë, ky është Gjaku im i Besëlidhjes së Re, që derdhet për ju dhe për shumë të tjerë, për ndjesën e mëkateve”.

Liturgjia Hyjnore është Darka Mistike që vazhdon të kryhet ende. Nuk është një përsëritje formale e asaj Darke, por shtrirja misteriale e Ngjarjes së blatimit. Liturgjia Hyjnore është vetë Darka Mistike, sepse është vetë Krishti që e “blaton dhe që blatohet”. Shën Joan Gojarti shkruan: “Darka e atëhershme nuk ndryshon në asgjë nga ky Mister. Sepse si këtë (Liturgjinë Hyjnore), ashtu edhe atë (Darkën Mistike), Krishti i blaton. Ai që kreu Darkën Mistike asokohe, kryen edhe Liturgjinë Hyjnore tani… Kjo (Tryeza e shenjtë) është e njëjtë me tryezën e asaj darke”[16].

Prania e Jesu Krishtit është Drita që ndriçoi Darkën Mistike dhe Drita që ndriçon Darkën e Eukaristisë Hyjnore. Prania e Jesu Krishtit është stolia që zbukuroi Darkën Mistike dhe që zbukuron edhe Darkën e Liturgjisë: Jesu Krishti është i pranishëm edhe tani në Liturgjinë Hyjnore. Ai zbukuroi tryezën e Darkës Mistike atëherë, por ai zbukuron edhe Tryezën e Liturgjisë Hyjnore tani”[17].

Përkujtimi i Flijimit të Krishtit

Prifti vazhdon lutjen e Anaforës së shenjtë: “Duke kujtuar, pra, këtë porosi shpëtimtare dhe gjithçka që është bërë për ne: Kryqin, Varrimin, Ngjalljen e triditshme, të ngjiturit në qiejt, të ndenjurit nga e djathta e Atit, Ardhjen e Dytë dhe të lavdëruar: Të tuat, nga të tuat, ty të blatojmë nga të gjitha dhe për të gjitha”. Dhe besimtarët psalin: “Të himnojmë, të bekojmë, ty të falënderojmë, o Zot dhe të lutemi, o Perëndia ynë”.

Krishti, gjatë Darkës Mistike, pasi u ndau nxënësve Trupin dhe Gjakun e tij, u la një porosi: “Bëjeni këtë në përkujtimin tim” (Lk. 22:19). Kështu, ai na mëson se përkujtimi i tij i vërtetë nuk është thjesht një mendim, por një veprim: kryerja e misterit të Darkës së tij. Mënyra e vetme që dikush të “mbajë në mendje” Jesu Krishtin dhe misterin e Ekonomisë, është të rijetojë flijimin e tij gjatë Liturgjisë Hyjnore.

Kujtimi i porosisë së Zotit na nxit të kryejmë misterin e përkujtimit të tij liturgjik. Dhe është aq e vërtetë dhe e gjallë prania e Krishtit gjatë Liturgjisë Hyjnore, saqë në të mbaruar mund t’i themi Krishtit: Mbaroi misteri i Ekonomisë sate Hyjnore.

Anaforën e shenjtë e blatojmë si “përkujtim të vdekjes” së Krishtit. Gjatë Liturgjisë Hyjnore jo thjesht kujtojmë flijimin e Krishtit, por e jetojmë atë. Shën Joan Gojarti thotë: “Gjatë Liturgjisë Hyjnore blatojmë të njëjtin flijim që u blatua në Kryq, flijimin që nuk ka fund. Sepse misteri i Liturgjisë Hyjnore kryhet në përkujtim të misterit që u krye nga Krishti në Golgotha. Sikurse tha Krishti: “Bëjeni këtë në përkujtimin tim” (Lk. 22:19). Gjatë Liturgjisë Hyjnore nuk kryejmë ndonjë flijim tjetër, por gjithmonë të njëjtin flijim të atëhershëm. Pra, kryejmë përkujtimin e flijimit të Golgothasë”[18].

Liturgjia Hyjnore është misteri i vdekjes së Krishtit në kryq, sepse Krishti flijohet dhe u ofrohet besimtarëve për ngrënie. Shën Joan Gojarti thotë: “Ai shkon drejt flijimit të frikshëm, por të shenjtë. Krishti ndodhet i therur përpara teje”[19]. Ne marrim pjesë në kryerjen e flijimit të Zotit në Kryq. Jemi të pranishëm në Golgotha, pranë Kryqit të Zotit. Por nga cila anë qëndrojmë? Nga ana e nxënësve të Krishtit apo nga ana e atyre që e kryqëzuan? Sepse nëse bëjmë zhurmë, nëse merremi me përkujdesjet jetësore apo mendojmë për gjëra tokësore gjatë kohës që Krishti flijohet për shpëtimin tonë, atëherë gjendemi nga ana e atyre që e shanin Zotin dhe që e kryqëzuan. Nuk ndodhemi pranë së Tërëshenjtës dhe Nxënësit të dashur, por pranë ushtarëve romakë, të cilët talleshin me Zotin, pranë hebrenjve, të cilët e pështynin dhe e ironizonin.

Si rrjedhim, nuk mjafton thjesht të shkojmë në kishë gjatë kohës që kryhet Liturgjia Hyjnore, por kërkohet që të jemi bashkë me Krishtin në rrugëtimin drejt flijimit të tij të shenjtë, të vuajmë bashkë me të, në mënyrë që të shijojmë edhe frytet e dashurisë së tij, që është jeta e amshuar.

* *

Shën Nikolla Kavasila, kur shpjegon thirrjen e priftit: “Të tuat, nga të tuat, ty të blatojmë nga të gjitha dhe për të gjitha”, duke iu drejtuar Atit qiellor, thotë: “Të blatojmë ty, Perëndisë dhe Atit tonë, të njëjtin blatim që të ofroi edhe vetë Biri yt i Vetëmlidur. Duke e blatuar këtë, të falënderojmë, sepse edhe Krishti të falënderoi kur kushtoi të njëjtin blatim. Prandaj nuk shtojmë asgjë nga vetja jonë në këtë blatim të Dhuratave dhe këto dhurata nuk janë vepër e jona, por të tuat, të Krijuesit të gjithçkaje”[20].

Duke i blatuar Zotit ato që janë të tijat, e falënderomë “për të gjitha”. Dhe Zoti pranon nga besimtarët ato që janë të tijat, sikur të ishin vërtet tonat. Kjo është shenjë e mirësisë së pafund të Perëndisë, sepse Perëndia, pasi i ofrojmë atë që në thelb është e tij, e ndien veten huamarrës kundrejt nesh[21].

Shenjtërimi

Gjatë kohës që besimtarët psalin “të himnojmë, të bekojmë…”, prifti vazhdon Anaforën e shenjtë dhe thërret Hirin e Shpirtit të Shenjtë që të shenjtërohen Dhuratat e Nderuara që janë blatuar: “Të blatojmë edhe këtë flijim shpirtëror e të pagjakshëm dhe të kërkojmë, të lutemi e të përgjërohemi: Dërgo Shpirtin tënd të Shenjtë mbi ne dhe mbi këto Dhurata që ndodhen përpara. Dhe bëje këtë Bukë, Trup të çmuar të Krishtit tënd. Amin. Dhe Verën që ndodhet në këtë Potir të shenjtë, bëje Gjak të Nderuar të Krishtit tënd. Amin. Duke i shndërruar me anë të Shpirtit tënd të Shenjtë. Amin. Amin. Amin. Që të bëhen për ata që kungohen, pastrim shpirti, ndjesë mëkatesh, pjesëmarrje në Shpirtin e Shenjtë, të marrin plotësinë e Mbretërisë së qiejve, të kenë guxim përpara teje, jo për gjykim apo për dënim. Gjithashtu po të blatojmë këtë flijim shpirtëror edhe për ata që janë prehur me besim, Stërgjyshët, Etërit, Patrikët, Profetët, Apostujt, Predikuesit, Ungjillëzuesit, Dëshmorët, Pohuesit, Asketët dhe për çdo shpirt të drejtë që ka ndërruar jetë me besim”.

Shën Nikolla Kavasila shkruan se Zoti u la porosi nxënësve të shtrojnë Darkën e Eukaristisë në përkujtim të tij, sepse “Ai do t’u jepte fuqinë për ta kryer atë. Cila është kjo fuqi? Shpirti i Shenjtë. Liturgjia Hyjnore është vepër e Shpirtit të Shenjtë… Shpirti i Shenjtë e kryen misteret përmes dorës dhe gojës së priftërinjve”[22].

Shën Joan Gojarti thotë se “mund ta realizojmë përherë Pendikostinë. Dhe kjo realizohet përmes Liturgjisë Hyjnore. Çasti i shenjtërimit të Dhuratave është koha e zbritjes së Ngushëllimtarit, është Pendikostia liturgjike”[23]. “Ky çast, – thotë shën Nikolla Kavasila, – na shfaq Pendikostinë”[24].

Shën Simeon Teologu i Ri thoshte kinse si për një të njohurin e vet priftmurg, duke fshehur veten e tij: “Një priftmurg, si mik i çiltër, më besoi dhe më tha se nuk kishte meshuar asnjëherë pa parë Shpirtin e Shenjtë, ashtu siç e kishte parë duke ardhur mbi të gjatë kohës së dorëzimit të tij në prift”[25]. Gjatë Liturgjisë Hyjnore, ata që kanë sy të pastër jetojë misterin e Pendikostisë. Misterin e zbritjes së Shpirtit të Shenjtë, i cili shenjtëron Dhuratat e blatuara, duke i shndërruar në Trup dhe Gjak të Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jesu Krisht.

“Veçan për të Tërëshenjtën, të Pacenuarën…”

Menjëherë pas shenjtërimit të Dhuratave të Nderuara, prifti thotë: “Të blatojmë këtë flijim shpirtëror edhe për ata që janë prehur me besim, Stërgjyshët, Etërit, Patrikët, Profetët, Apostujt… dhe për çdo shpirt të drejtë që ka ndërruar jetë me besim”. Dhe vazhdon duke thënë me zë më të lartë: “Veçantë për të Tërëshenjtën, të Pacenuarën, të Përmbibekuarën, të lavdëruarën, Zonjën tonë Hyjlindëse dhe Gjithmonëvirgjërën Mari”. Dhe besimtarët psalin troparin, me të cilin madhërohet Hyjlindësja: “Të meriton me të vërtetë të të lumturojmë ty Hyjlindësen, gjithmonë të lumturën dhe të Përmbikulluarën dhe Nënën e Perëndisë sonë. Më të nderuarën se Kerubimet dhe më të lavdëruarën pa krahasim se Serafimet, që pa u cenuar linde Fjalën Perëndi, me të vërtetë Hyjlindësen, ty të madhërojmë”.

Ne blatojmë Liturgjinë Hyjnore, që të nderojmë shenjtorët. Blatojmë Liturgjinë Hyjnore, që të falënderojmë Zotin për shenjtorët. Ata janë mbështetësit tanë në betejën e jetës sonë të përditshme, shëruesit e shpirtrave dhe të trupave tanë. Ata, përmes jetës së tyre, nderuan Zotin dhe ne i nderojmë ata si miq të dashur të Krishtit. Por në mënyrë të veçantë nderojmë Hyjlindësen e Përmbishenjtë dhe falënderojmë Zotin që e bëri atë Nënën tonë të Tërëshenjtë.

Kur lindi Zoti, çdo krijesë i blatoi dhurata falënderimi Krijuesit. “Engjëjt himnin, qiejt yjet, dijetarët dhuratat, barinjtë çudinë, toka shpellën, shkretëtira grazhdin, ndërsa ne (njerëzit) Nënën Virgjëreshë”. Gjatë Liturgjisë Hyjnore, Zoti lind në mënyrë misteriale dhe ofron veten e tij për ne. Dhe ne e falënderojmë, në mënyrë të veçantë për Nënën e tij të Tërëshenjtë.

Ne falënderojmë dhe lavdërojmë Zotin për Nënën e tij të Përmbishenjtë, sepse ajo çeli rrugën drejt qiellit dhe u bë ura që zhvendos njerëzit nga toka në qiell. Shën Grigor Pallamai shkruan: “Askush nuk mund të vijë drejt Perëndisë, përveçse nëpërmjet Hyjlindëses dhe Krishtit, ndërmjetësit që lindi prej saj. Dhe asnjë dhuratë nuk mund t’u jepet qoftë engjëjve, qoftë njerëzve, përveçse nëpërmjet saj… Virgjëresha është arkëtarja dhe administruesja e pasurisë dhe e dhuratave të Hyjnisë. Në të mbështeten dhe shpresojnë të gjitha rangjet e larta të Kerubimeve dhe Serafimeve. Dhe sa më shumë digjen nga dashuria për të, aq më shumë dëshirojnë dhuratat dhe pasuritë e Perëndisë, që u jepen përmes saj… Po ashtu edhe të gjithë njerëzit, burra dhe gra, përmes Virgjëreshës marrin ndriçimin nga Perëndia, sipas masës së dashurisë që kanë për të… Ajo është tema për të cilën flasin Profetët, pikënisja e Apostujve, mbështetja e Dëshmorëve, themeli i Mësuesve, lavdia e njerëzve mbi tokë, ngazëllimi i engjëjve në qiell, mburrja e tërë krijesës. Ajo është rrënja dhe burimi i çdo të mire të padukshme, si dhe maja dhe përsosmëria e shenjtërisë. Dhe vetëm kujtimi i Hyjlindëses së Tërëshenjtë, – thotë shën Grigori, – mund ta shenjtërojë atë që e kujton”[26]. Prandaj edhe ne, bijtë e saj, në çdo Liturgji Hyjnore e lavdërojmë dhe i jemi mirënjohës.

Ιερομονάχου ΓρηγορίουO Εκκλησιασμός
Εκδόσεις: Ιερόν Κουτλουμουσιανόν Κελλίον
Άγιος Ιωάννης ο Θεολόγος.
Shqip: Stefan Zhupa

 

(vazhdon…)

 

[1] ΕΠΕ 18a, 522.

[2] ΕΠΕ 19, 166-168.

[3] M 44, 401A.

[4] Shën Joan Gojarti, ΕΠΕ 30, 314-316.

[5] ΕΠΕ 18a, 516.

[6] M 56, 103 dhe ΕΠΕ 19, 78.

[7] ΕΠΕ 10, 158-160.

[8] Εκδ. Ζαγοραίου, σελ. 518-520.

[9] Shën Irineu, SC 100, 501.

[10] ΕΠΕ 6, 110.

[11] M 56, 138.

[12] Λειμωνάριον, Βόλος 1959, σελ. 60.

[13] Αββάς Ισαάκ, σελ. 367.

[14] ΕΠΕ 3, 140-142.

[15] ΕΠΕ 13, 158.

[16] ΕΠΕ 11, 58; 12, 216.

[17] Shën Joan Gojarti, ΕΠΕ 35, 580.

[18] ΕΠΕ 25, 38.

[19] ΕΠΕ 35, 582.

[20] M 150, 481.

[21] Shën Maksim Pohuesi, M 90, 481CD.

[22] M 150, 428A.

[23] ΕΠΕ 36, 298.

[24] M 150, 452B.

[25] Εκδ. Ζαγοραίου, σελ. 554.

[26] ΕΠΕ 11, 308-312.