“Ashtu si buka është një e vetme, po ashtu jemi edhe ne”

(I Kor. 10:17).

Kisha: Populli i Perëndisë

Me anë të Pagëzimit të shenjtë njeriu rilind dhe bëhet pjesë e Kishës, e cila është Një, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike. Bëhet gjymtyrë e Trupit të shenjtë të Krishtit dhe dele e arsyeshme e grigjës shpirtërore të Tij, pikërisht ashtu siç i lutet meshtari Perëndisë: “Bashkoje atë me grigjën e trashëgimit tënd. Mbille si një bimë të së vërtetës në Kishën tënde të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike”[1].

Ditën e Pendikostisë, dëgjuesit e Apostull Pjetrit e pranuan me gëzim nxitjen për t’u penduar dhe për t’u pagëzuar: “Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan dhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë veta… Zoti i shtonte Kishës çdo ditë ata që shpëtoheshin” (Vep. Ap. 2:41-47).

Pas Pagëzimit të shenjtë dhe Kungimit Hyjnor besimtari bëhet pjesë e popullit të Perëndisë. Shën Grigori i Nisës i nxit të papagëzuarit me këto fjalë: “Bashkohu me popullin mistik të Perëndisë. Himno bashkë me ne, ashtu siç himnojnë Serafimet me gjashtë krahë, bashkë me të krishterët e përsosur. Dëshiro të marrësh ushqimin që forcon shpirtin, domethënë Trupin e Shenjtë të Zotit. Shijo pijen që ngazëllen zemrën, domethënë Gjakun e Shenjtë të Zotit… Si katikumen ndodhesh jashtë Kishës, jashtë Parajsës… Tani që të hapet dera me anë të Pagëzimit, hyr në Parajsë, prej së cilës u largove me rënien”[2].

Përmes Pagëzimit të shenjtë futemi në Kishë, në Parajsën e re të dashurisë hyjnore. Dhe në Kishë, të gjithë ne besimtarët, përbëjmë “një trup, sepse ka vetëm një Shpirt të Shenjtë, sikurse ka edhe vetëm një shpresë në të cilën na thirri Perëndia. Ka vetëm një Zot, një besim dhe një pagëzim” (Efes. 4:4). Shën Joan Gojarti pyet: “Çfarë do të thotë një trup?”. Dhe po ai vetë na e shpjegon: Një trup bëhen të gjithë besimtarët e të gjithë botës, ata që jetuan, që jetojnë dhe që do të jetojnë”[3]. Ky Trup i shenjtë i Zotit, Kisha jonë e shenjtë, “mblidhet në të njëjtin vend” (Vep. Ap. 1:15) dhe lavdëron Perëndinë.

Me anë të Liturgjisë Hyjnore zbulohet misteri i Trupit të Krishtit. Shën Joan Gojarti, kur shpjegon frazën e Apostull Pavlit “Ashtu si buka është një e vetme, po ashtu jemi edhe ne” (I Kor. 10:17), shkruan: “Çfarë është buka me të cilën kungohemi? Trupi i Krishtit. Çfarë ndodh, pra, me besimtarët që kungohen? Bëhen Trup i Krishtit. Jo shumë trupa, por një trup”[4].

Përmes Pagëzimit të shenjtë u bashkuam me popullin e shenjtë të Perëndisë. Me anë të Liturgjisë Hyjnore populli i Perëndisë lavdëron dhe i lutet Zotit. Prifti që blaton adhurimin e pagjakshëm është përfaqësues i popullit të Perëndisë. Flet në emër të popullit të Perëndisë. Në çastin më të shenjtë të shndërrimit të Dhuratave, i thotë Perëndisë: “Populli yt dhe Kisha jote, Ty të luten”[5].

Në Liturgjinë Hyjnore askush nuk lutet individualisht, për veten e tij. E tërë Kisha blaton Dhuratat e nderuara. Nuk mund të perceptohet dot kryerja e një Liturgjie “private”. Fjala “Liturgji” do të thotë “vepër e popullit”. I tërë populli i Perëndisë që jeton në të gjithë rruzullin, vjen drejt Altarit të shenjtë. Atje, bashkë me Krishtin, Zonjën Hyjlindëse, Shenjtorët dhe Fuqitë qiellore, i thur lavde dashurisë së Perëndisë dhe i lutet ta ndihmojë në vazhdimësinë e rrugëtimit drejt Mbretërisë.

Kisha: Shtëpia e Zotit

Të gjithë njerëzit që i besuan Jesu Krishtit përbëjnë Kishën, domethënë ata që e pranuan si Zotin dhe Shpëtimtarin e tyre dhe u pagëzuan në emër të Trinisë së Tërëshenjtë. Por “kishë” quhet edhe vendi ku mblidhet populli i Perëndisë, që lavdëron Zotin dhe blaton adhurimin pa gjak të Eukaristisë Hyjnore.

Patriku i Konstandinopojës, shën Gjermanoi, duke gërshetuar bashkë të dy kuptimet e fjalës “Kishë”, na jep këtë përshkrim: “Kisha është tempulli i Perëndisë, vendi i shenjtë, shtëpi lutjeje, mbledhja e popullit të Perëndisë, Trupi i Krishtit, nusja e Krishtit, e cila fton popujt të pendohen dhe të luten… Kisha është qiell tokësor, në të cilin banon dhe baret Perëndia qiellor… Kisha është shtëpi hyjnore. Është vendi ku u blatua flijimi mistik i Krishtit (domethënë Golgota e frikshme)… dhe shpella e shenjtë e Betlehemit. Është varri i tërëshenjtë i Zotit dhe Tryeza shpirtushqyese dhe jetëbërëse e Darkës Mistike”[6].

Kisha e parë e krishterë ishte vendi ku Jesu Krishti hëngri Darkën Mistike. Është “dhoma e katit të sipërm” (Mk. 14:15), ku nxënësit e Zotit përgatitën Darkën e Pashkës. Atje Krishti u dha nxënësve të tij misterin e Eukaristisë Hyjnore, atje u foli atyre rreth misterit të dashurisë së tij të pafund, atje iu shfaq të Njëmbëdhjetëve pas Ngjalljes së tij. Atje, pas Ngjitjes së Krishtit në qiejt, e Tërëshenjta bashkë me nxënësit “i ishin përkushtuar me një mendje të vetme lutjes dhe përgjërimit”(Vep. 1:14). Atje, në dhomën e katit të sipërm të Qytetit të shenjtë, ndodhej Hyjlindësja e Tërëshenjtë bashkë me nxënësit “kur erdhi dita e Pendikostisë… dhe panë disa gjuhë si prej zjarri, të ndara nga njëra-tjetra, e mbi secilin prej tyre zbriste nga një gjuhë zjarri… dhe të gjithë u mbushën me Shpirtin e Shenjtë” (Vep. 2:1-4). Shën Joan Damaskini, kishën e parë të të krishterëve, e quan “nënën e kishave që janë përhapur në tërë botën” dhe “qytezën e lashtë të kishave”[7].

Gjatë periudhës apostolike, misteri i Eukaristisë Hyjnore kryhej në shtëpitë e të krishterëve, në vendin e rregulluar posaçërisht për këtë qëllim, të cilat Apostull Pavli i quan “kishat që mblidhen në shtëpitë e tyre” (Rom. 16:5). Në shekullin e dytë fillon ngritja e ndërtesave të posaçme për të adhuruar Perëndinë.

Gjatë periudhës së përndjekjeve, katakombet ishin vendet ku mblidheshin të krishterët për të adhuruar Perëndinë. Fillimisht katakombet ishin varrezat e të krishterëve. Por kur filluan përndjekjet ndaj Kishës, katakombet u bënë vendet e adhurimit të përditshëm. Besimtarët e periudhës së përndjekjeve, por edhe sa herë që ende përndiqet Kisha, kishin ndjesinë se kisha ishte limani shpirtëror, në të cilin mbretëronte paqja e Perëndisë.

“Kisha, – thotë shën Joan Gojarti, – është themeli i virtytit dhe shkolla e jetës shpirtërore. Jo vetëm gjatë Mbledhjeve liturgjike, ku dëgjohet Shkrimi i Shenjtë, ku bëhet predikimi shpirtëror dhe mblidhen etërit e nderuar, por edhe në çdo kohë. Mjafton të shkelësh në pragun e saj dhe menjëherë do të harrosh tërë shqetësimet e përditshme. Hyr pak më brenda dhe një fllad shpirtëror do të mbështjellë shpirtin tënd. Kjo qetësi të shkakton druajtje dhe të mëson jetën shpirtërore, të ndreq mendimet dhe nuk të lë të mendosh të tashmet, por të çon nga toka në qiell. Pra, nëse përfitimi i të shkuarit në kishë, kur atje nuk kryhet ndonjë shërbesë adhuruese, qenka kaq i madh, imagjino sa më i madh do të jetë po të shkosh atje në çastin që kryhet Liturgjia Hyjnore, të dëgjosh Profetët që të mësojnë, Apostujt që predikojnë Ungjillin, të shohësh Krishtin që qëndron në mes të besimtarëve, Perëndinë Atë që pranon flijimin e blatuar dhe Shpirtin e Shenjtë që na jep ngazëllimin e tij. Pra, sa shumë përfitim shpirtëror marrin nga kisha ata që kishërohen! Dhe sa dëme i shkaktojnë vetes ata që nuk ndodhen atje!”[8].

“Paqen që lartazi”, që shtëpia e Perëndisë ua dhuron atyre që hyjnë në të, shën Joan Gojarti dëshiron që ta shijojnë të gjithë besimtarët. “Siç janë limanet në det, – thotë shenjti, – Perëndia vendosi kishat në qytete. Në mënyrë që, duke rendur drejt kishës të trazuar nga shqetësimet kozmike, të shijojmë qetësinë shpirtërore. Sepse, këtu në kishë, askush nuk ka frikë as nga furtunat e dallgëve, as nga mësymjet e kusarëve, as nga sulmet e rrufeshme të keqbërësve, as nga vrulli i erërave dhe as nga sulmet e bishave të egra. Sepse kisha është liman që nuk preket nga këto. Është liman shpirtëror. Dhe të gjithë jeni vetë dëshmitarë për këto që them. Sepse nëse dikush hap tani zemrën tuaj, do të shohë atje brenda një qetësi të madhe, sepse as zemërimi nuk e shqetëson atë, as krenaria nuk e fryn, as dëshira nuk e përvëlon, as inati nuk e tret dhe as dëshira e zjarrtë e kotësisë nuk e shpërbën. Por të gjitha këto bisha të egra qëndrojnë të nënshtruara, sepse dëgjimi i Shkrimeve të Shenjta vjen si një melodi hyjnore në shpirtrat tanë përmes veshëve truporë dhe i vë në gjumë këto pasione të palogjikshme”[9].

Kisha e shenjtë është vendi i shenjtë ku çdo besimtar jeton praninë e Perëndisë. Pas shërbesës së Përurimit të kishës “besojmë se kjo shtëpi nuk është më bosh, as e shkretë dhe pa praninë e Perëndisë, por tashmë në të banon i Zoti i shtëpisë”[10]. Prandaj, pas shërbesës së Përurimit, kishën “nuk e quajmë thjesht shtëpi, por shtëpi të shenjtë, sepse u shenjtërua nga Ati i Shenjë, nëpërmjet Birit të Tërëshenjtë, në Shpirtin e Shenjtë dhe është Shtëpi e Trinisë së Shenjtë”[11].

Kisha e shenjtë është Parajsa e pranisë së Krishtit: “Cili liman ngjan me Kishën? Cili vend është Parajsë, siç është Mbledhja liturgjike e besimtarëve? Djalli nuk ndodhet këtu që të na pëshpëritë në vesh mendime dinake, por këtu mes nesh është Krishti, i cili na fut në misteret e Tij”[12].

“Kur hyjmë në kishë, – thotë shën Joan Gojarti, – hyjmë në dhomat e qiejve, baresim në vende që shkëlqejnë nga drita”[13]. Altari i shenjtë është burimi nga i cili buron dhurata e Dashurisë hyjnore: “Misteret e Kishës dhe Altari i shenjtë të ngjallin druajtje. Nga burimi i Parajsës rridhnin ujëra, të cilat derdheshin në lumenj të dukshëm. Ndërsa nga burimi i Tryezës së shenjtë rrjedhin lumenj shpirtërorë. Pranë këtij burimi janë mbjellë pemë, që lartësohen deri në qiell. Pemë që kanë gjithmonë fruta të pjekura dhe që nuk kalben. Cilido që përvëlohet nga i nxehti, le të vijë drejt këtij burimi e le të freskohet… Sepse ky burim e ka pikënisjen në qiell”[14].

Në çdo Liturgji Hyjnore, Kisha jonë e shenjtë lutet për të gjithë sa vijnë në kishë me “besim, shpresëtari dhe frikë Perëndie”. “Sepse, – vë në dukje shën Joan Gojarti, – nëse dikush kur hyn në pallatin e një mbreti tokësor është i kujdesshëm për ecjen, vështrimin apo për tërë sjelljen e tij, si është e mundur që kur ky hyn në pallatin e Mbretit qiellor të qeshë e të sillet në mënyrë të pahijshme? Dhe kur temjanisim kishën me temjan të dukshëm, nuk do të përpiqemi të pastrohemi edhe nga papastërtitë e padukshme?”[15]. “Sepse nuk e ndotim edhe aq shumë kishën kur sjellim atje papastërti të dukshme, sesa kur flasim brenda kishës për përfitime materiale… Këtu në kishë, – vazhdon shën Joan Gojarti, – duhet të jemi kore engjëllore dhe duhet ta bëjmë kishën qiell e të mos merremi me gjë tjetër, përveç lutjes dhe dëgjimit në heshtje”[16]. Lutja dhe përgjërimi i besimtarëve shenjtëron vendin dhe atë që lutet e bën Tempull të Perëndisë së gjallë. “E sheh, – thotë shën Joan Gojarti, – sa fuqi ka lutja dhe përgjërimi? I bën njerëzit tempuj të Krishtit… Ai, të cilin nuk e nxënë qiejt, vjen në shpirtin e atij që jeton duke u lutur”[17].

Njeriu që vjen në Shtëpinë e Perëndisë, merr pjesë në Misteret e Kishës me frikë Perëndie, shenjtërohet dhe bëhet tempull krishtprurës. Bëhet një pjesëz e Kishës: “Kisha nuk është asgjë tjetër, përveçse shtëpia që u ndërtua me shpirtrat tanë”[18]. Ashtu siç u shkruan Apostull Pavli besimtarëve të Efesit: “Në të e gjithë ndërtesa lidhet mirë dhe rritet për t’u bërë një tempull i shenjtë për Zotin. Përmes tij edhe ju bashkë me të tjerët po ndërtoheni për t’u bërë ndërtesa ku Perëndia banon përmes Shpitit të Shenjtë” (Efes. 2:21-22).

Kisha e shenjtë është një pjesë e qiellit mbi tokë. Për këtë arsye ajo është e kthyer nga Lindja: që të shikojmë drejt Parajsës. Ne besimtarët baresim vazhdimisht drejt Jerusalemit të sipërm. Atje ku tempull dhe Shtëpi e besimtarëve është Perëndia: “Tempull nuk pashë në qytet, sepse tempulli i tij është Zoti Perëndi i gjithëpushtetshëm dhe Qengji” (Zbu. 21:22)[19].

Bashkë me shën Simeon Teologun e Ri, çdo besimtar i drejtohet Zotit Jesu Krisht:

More trup si ne dhe na dhe Shpirtin e hyjshëm,
dhe të gjithë u bëmë shtëpi e Davidit,
për shkak të bashkimit me ty…
Dhe kur mblidhemi bashkë, ne bëhemi një shtëpi,
që kemi të njëjtën prejardhje, të gjithë jemi vëllezërit e tu.
Dhe si të mos jetë mrekulli e frikshme kjo? Si të mos frikësohet ai,
që e kupton me të vërtetë këtë dhe ndërgjegjësohet,
se ti je bashkë me ne tani e në jetë të jetëve,
se ti na bën shtëpi dhe banon në të gjithë ne,
dhe bëhesh shtëpi për të gjithë ne dhe ne banojmë në ty?[20]

Ιερομονάχου Γρηγορίου, O Εκκλησιασμός
Εκδόσεις: Ιερόν Κουτλουμουσιανόν Κελλίον
Άγιος Ιωάννης ο Θεολόγος.
Shqip:Stefan Zhupa

 

[1] Shërbesa e Pagëzimit.

[2] M 46, 417D-421C

[3] ΕΠΕ 20, 668.

[4] ΕΠΕ 18a, 86.

[5] Liturgjia Hyjnore e shën Jakovit.

[6] M 98, 384-385.

[7] M 96, 729.

[8] ΕΠΕ 26, 446-448.

[9] ΕΠΕ 35, 492.

[10] Shën Nikolla Kavasila, M 150, 409B.

[11] Shën Simeoni i Selanikut, M 155, 336B.

[12] Shën Joan Gojarti, ΕΠΕ 30, 284.

[13] M 56, 109.

[14] Shën Joan Gojarti, ΕΠΕ 13, 582.

[15] ΕΠΕ 12, 364.

[16] ΕΠΕ 12, 31.

[17] ΕΠΕ 12, 212.

[18] Shën Joan Gojarti, ΕΠΕ 20, 678.

[19] Shën Athanasi i Madh, M 28, 620B.

[20] ΕΠΕ 19E, 154.