Hierodëshmor Fokai

Lindi në Sinopë, në brigjet e Detit të Zi. Babai i tij Pamfili ishte ndërtues anijesh, ndërsa nëna quhej Maria. Që nga momenti që shpëtoi nga kthetrat e paganizmit, Zoti i dha dhuratën e mrekullive. U bë episkop i Sinopës dhe solli në besim një shumicë paganësh. Perëndia i tregoi në një mënyrë të veçantë çastin e martirizimit të tij.

Një pëllumb erdhi një ditë dhe qëndroi mbi kokën e tij duke i vendosur një kurorë dhe duke i folur me zë njerëzor: “Një kupë është përgatitur për ty, tani duhet ta pish”. E nxorën para qeveritar Afrikanus dhe shenjti pohoi me guxim Krishtin, Perëndinë dhe Njeriun e vërtetë.

Por Afrikanus blasfemoi emrin e Krishtit dhe torturoi shenjtorin. Një tërmet goditi vendin dhe bëri që të vdisnin qeveritari bashkë me ushtarët, por me kërkesën e gruas së qeveritarit, shenjti u tregua i mëshirshëm dhe i ngjalli përmes lutjes së tij. E çuan para perandorit Trajan (rreth vitit 101), i cili ia hoqi tërë lëkurën pastaj e hodhi në një banjë të nxehtë, ku shenjti dha frymën tek Perëndia i tij.

Pas vdekjes së tij, Fokas bëri shumë mrekulli për ata që thërrisnin me besë emrin e tij.

 

* * * * *

Dëshmor Foka Kopshtari

Shën Fokai ishte edhe ai nga Sinopa, por jetoi në një periudhë më të vonshme se ajo e shën Fokait të lartpërmendur. Punonte si kopshtar dhe e kishte zakon ta ndante prodhimin e tokës së tij të vogël me të varfrit. Por më shumë ai kujdesej për kopshtin e shpirtit të tij, që të kishte sa më shumë lule shpirtërore.

Guvernatori i qytetit dëgjoi për shërbëtorin besnik të Krishtit dhe dërgoi ushtarët që ta vrisnin. Kur ata mbërritën në shtëpinë e tij, shenjtori i mikpriti me bujari dhe i gostiti, pa i lënë të kuptonin se kush ishte. Kur i pyeti se përse kishin ardhur deri aty, ushtarët iu përgjigjën se kishin ardhur për Foka kopshtarin që t’i prisnin kokën. “Unë jam ai që kërkoni”, u tha Fokai pa asnjë shenjë frike në fytyrë. “Zbatoni urdhrat që kini marrë!”. Ushtarët u habitën tej mase nga vendosmëria e tij dhe u mërzitën për faktin se duhet të vrisnin atë që i kishte bujtur. Ata donin të ktheheshin dhe t’i thoshin guvernatorit se kishin kërkuar për Fokain dhe nuk e kishin gjetur asgjëkund. Por shenjtori nuk e pranoi një ide të tillë. Gërmoi varrin e tij dhe iu kërkoi atyre të mos e vononin vrasjen. Kështu ata i prenë kokën, duke e ofruar si një sakrificë të pëlqyeshme te Zoti.