“Ndër kisha bekoni Zotin”
(Ps. 67:27)

Besimi tek Perëndia dhe pjesëmarrja në adhurimin hyjnor, kryesisht në Liturgjinë Hyjnore, përbëjnë, për çdo pjesëtar të gjallë të Kishës, dy realitete të pandarë nga njëri-tjetri. I krishteri i vërtetë nuk mund të jetojë pa Liturgjinë Hyjnore. Dhomat ku ishin mbledhur apostujt në Darkën Mistike dhe ditën e Pendikostisë, vazhdimësi e të cilave janë kishat e krishterë, përbëjnë vendet e pranisë së Perëndisë dhe vendet ku kushtohen për besimtarët dhuratat e hyjnore. Mbledhja e besimtarëve “në të njëjtin vend” (Vep. Ap. 2:1) shpreh unitetin e bashkësisë, e cila që tani parashijon të mirat e Mbretërisë së Perëndisë. Këtë të vërtetë shpallin dhe Etërit e shenjtë të Sinodit të Penthektit (691), kur thonë se duhet të shkëputet nga trupi i Kishës ai që, pa arsye serioze, nuk kungohet tre të diela rresht.

Kishërimi[1] i vazhdueshëm nuk është për besimtarin një zakon i thjeshtë dhe etik, një detyrë tipike fetare, një detyrim shoqëror apo një shkëputje e përkohshme nga “zinxhiri” mbytës i jetës së përditshme. Përkundrazi, me ardhjen në kishë, besimtari shpreh një nevojë ekzistenciale. Nevojën për të jetuar në të vërtetë, për t’u takuar me Burimin e jetës, me Krijuesin e tij, për t’u bashkuar me të, për t’i shprehur dashurinë dhe shpresëtarinë së Tërëshenjtës dhe shenjtorëve, miqtë e Perëndisë. Pra, për të ndierë praninë e vëllezërve të tij shpirtërorë.

Këtë plotësi ia dhuron Trupi dhe Gjaku i Krishtit me të cilin kungohet në Liturgjinë Hyjnore. Kungimi e bën të ndihet bashkëqytetar i shenjtorëve në shtëpinë e Perëndisë. Kësisoj, largohet nga tempulli me fuqinë për të përballuar sfidat e jetës së përditshme sipas vullnetit të Perëndisë dhe duke patur gjithnjë në mendje pikëmbërritjen përfundimtare: jetën e përjetshme.

Në ditët e sotme, ku e gënjeshtërta dhe mashtrimi janë me tepricë, ku pritshmëritë e njerëzve janë të pasigurta, interesimi për adhurimin ortodoks rritet vazhdimisht, sepse shumë vetë rigjejnë në të kuptimin e jetës. Megjithatë, shumë nga vëllezërit tanë nuk vijnë në kishë…

Ky artikull është një përmbledhje pjesësh të zgjedhura nga fjalime të ndryshme të shën Joan Gojartit (354-407), të këtij kryeprifti të madh që e lidhi emrin dhe jetën e tij me Liturgjinë Hyjnore. Kur lexon fjalimet e tij, shijon gjallërinë e tyre, mrekullohesh nga koherenca e tyre dhe vë re që njeriu, në brendësi të tij, mbetet i njëjtë në të gjitha kohërat.

Urojmë që shtëpia e Perëndisë, tempulli i shenjtë, të bëhet edhe shtëpia jonë, Liturgjia Hyjnore të përbëjë qendrën e ekzistencës sonë dhe tryeza e Eukaristisë të bëhet për ushqim shpirtëror dhe jetëdhënës secilin nga ne.

Manastiri i Hirshëm i Ngushëllimtarit

Kishat, limane shpirtërore

Kishat që Perëndia vendosi nëpër qytete ngjajnë me limane, me limane shpirtërore, ku të gjithë të trazuarit nga shqetësimet kozmike që rendin drejt tyre gjejnë qetësi shpirtërore të papërshkrueshme. Ashtu sikurse limani, të cilin nuk e rreh era dhe nuk e trazojnë dallgët, u fal siguri anijeve të ankoruara aty, kështu i shpëton nga furtunat dhe shqetësimet jetësore edhe Kisha të gjithë ata që strehohen në të. Ajo i denjëson besimtarët të qëndrojnë të sigurt në të dhe të dëgjojnë fjalën e Perëndisë në qetësi të plotë.

Kisha është themeli i virtytit dhe shkolla e jetës shpirtërore. Mjafton të kapërcesh pragun e saj, në cilëndo orë të ditës, dhe menjëherë do t’i harrosh tërë shqetësimet e përditshme. Hyr brenda në të dhe një fllad shpirtëror do të rrethojë shpirtin tënd. Kjo qetësi shkakton druajtje dhe të mëson jetën e krishterë, të ndreq mendimet dhe nuk të lë të përsiatesh rreth gjërave të tanishme, por të çon nga toka në qiell. Pra, nëse përfitimi nga të shkuarit në kishë, kur aty nuk kryhet ndonjë shërbesë adhuruese, qenka kaq i madh, merre me mend sa më i madh do të jetë përfitimi kur të shkosh atje në çastin që kryhet Liturgjia Hyjnore, të dëgjosh profetët teksa të mësojnë, apostujt teksa të predikojnë Ungjillin, të shohësh Krishtin ndërsa qëndron në mes të besimtarëve, të soditësh Perëndinë Atë teksa pranon theroren e kushtuar, të vështrosh Shpirtin e Shenjtë ndërsa të mbush me ngazëllim. Shih, pra, sa shumë përfitojnë nga të shkuarit në kishë ata që kishërohen!

Në kishë, ata që dëfrejnë gjejnë ngazëllimin, të hidhëruarve u rikthehet buzëqeshja e humbur, të pikëlluarit gjejnë gëzim, të munduarit gjejnë çlodhje dhe të rraskapiturit gjejnë prehje. Se Krishti thotë: “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur e të munduar, sepse do t’ju çlodh” (Mt. 11:28). A mund të ketë ndonjë gjë më të dëshirueshme se ky zë? A mund të ketë gjë më të ëmbël se kjo ftesë? Kur të fton në kishë, Zoti të fton në një gosti, të sjell aty ku gjen prehje për mundimet dhe lehtësim për pikëllimet, sepse ai na e lehtëson barrën e mëkateve. Mërzinë na e shëron përmes shijimit shpirtëror, ndërsa hidhërimin me anë të gëzimit.

Përse nuk kishërohesh?

Megjithatë, pak janë ata që vijnë në kishë. Sa e trishtueshme! Të shkosh të kërcesh e të argëtohesh nuk ngurron. Marrëzitë e këngëtarëve i dëgjon me gëzim. Sharjet e aktorëve i shijon me orë të tëra, pa u mërzitur. Por, kur të flet Perëndia në kishë, të hapet goja për gjumë, ndihesh i drobitur dhe nuk duron dot. Madje, në hipodrome, edhe pse nuk ka strehë që t’i mbrojë shikuesit nga shiu, shumica e njerëzve vrapojnë si të çmendur, edhe kur bie shi i rrëmbyeshëm dhe era shkul nga vendi pemët. Nuk marrin parasysh as kohën e keqe, as të ftohtit, as distancat e largëta që duhet të përshkojnë për të shkuar gjer atje. Asgjë nuk mund t’i mbajë në shtëpitë. Mirëpo, kur bëhet fjalë për të shkuar në kishë, atëherë u bëhet pengesë edhe një vesë e lehtë shiu. Dhe nëse i pyet: Kush është Isaia, kush është Jeremia, sa profetë kemi, sa apostuj…, nuk dinë të të përgjigjen, ndërsa për kuajt, këngëtarët dhe aktorët mund të të tregojnë me hollësi çdo gjë.

Kremtojmë shenjtorët, por thuajse askush nuk vjen në kishë. Me sa duket, largësia i bëka të krishterët neglizhues ose, më saktë, jo largësia, por moskokëçarja i pengon të vijnë në kishë. Përse atij që është moskokëçarës, i plogësht dhe dembel çdo gjë i bëhet pengesë për shkuar në kishë, kur atë që ka dëshirë dhe zell nuk pengon asgjë?

Dëshmorët derdhën gjakun e vet për të vërtetën, ndërsa ti, para gjithë kësaj, trembesh nga një largësi kaq e vogël? Ata sakrifikuan jetën e tyre për Krishtin, ndërsa ti nuk dëshiron të bësh një mundim të vogël? Zoti vdiq për hirin tënd, ndërsa ti tregohesh mospërfillës? Kremtojmë shenjtorët, por ti përton të vish në tempull dhe parapëlqen të qëndrosh në shtëpi? Mirëpo, kështu nuk bën. Ti duhet të vish. Duhet të shohësh djallin teksa mposhtet dhe shenjtorin ndërsa fiton, të shohësh Perëndinë teksa lëvdohet dhe Kishën ndërsa ngadhënjen.

“Por, unë jam mëkatar, – thua ti, – dhe, si i tillë, nuk guxoj të dal përballë shenjtorit”. Pikërisht, ngaqë je mëkatar eja të bëhesh i drejtë. A nuk e ditke, vallë, se edhe ata që qëndrojnë përballë Altarit të hirshëm kanë kryer mëkate? Perëndia e pa të udhës që edhe priftërinjtë të vuajnë nga disa pasione, në mënyrë që të kuptojnë pafuqinë njerëzore dhe, kësisoj, t’i falin edhe të tjerët.

“Përderisa nuk zbatova sa mësova gjer tani në kishë, – do të më thotë një tjetër, – si mund të vij sërish?”. Eja t’i dëgjosh sërish fjalët hyjnore dhe, kësaj radhe, përpiqu t’i zbatosh. Nëse sot mjekon plagën me një ilaç të caktuar, por ajo nuk shërohet plotësisht, a nuk do ta mjekosh sërish të nesërmen, të pasnesërmen e kështu me radhë? Nëse druvari që kërkon të presë një dushk nuk arrin ta hedh poshtë me goditjen e parë, a nuk do ta godasë vallë ai për herë të dytë, të tretë e kështu me radhë, deri sa ta presë? Kështu, pra, vepro edhe ti.

Mirëpo, ti do të më thuash se varfëria dhe nevoja për të punuar të pengojnë të vish në kishë. As kjo përligje nuk qëndron. Java ka shtatë ditë. Këto shtatë ditë Perëndia i ndau. Neve na dha gjashtë ditë, ndërsa për vete mbajti vetëm një. Dhe ti, nuk pranon të heqësh dorë nga të punuar as në këtë ditë?

Por, pse them “as në këtë ditë?”. Vepro edhe ti si gruaja e ve e Ungjillit kur dha lëmoshë. Ajo dha dy qindarka, por mori nga Perëndia shumë hir. Edhe ti, dhuro dy orë, që të shkosh në kishë, dhe do çosh në shtëpi fitime për shumë ditë. Por, nëse nuk pranon të veprosh kështu, mendohu mirë, se ndoshta me këtë veprim mund të humbasësh mundin e shumë viteve. Sepse Perëndia, kur e shpërfillin, di si t’i shpërndajë paratë e fituara nga puna ditën e diel.

Por, edhe sikur të gjesh një arkë të mbushur me flori dhe, për këtë arsye, nuk vjen në tempull, dëmi yt do të ishte sërish shumë i madh, sepse të mirat materiale, edhe nëse janë të shumta e të bollshme, nuk do të mund t’i marrim dot në botën tjetër, nuk i marrim dot me vete në qiell, nuk do të jenë me ne ditën e tmerrshme të Zotit. Madje, shpeshherë, edhe pa vdekur akoma, ato na braktisin. Në të kundërt, thesari shpirtëror që grumbullojmë nga pjesëmarrja në kishë, është pasuri e patundshme dhe do të na ndjekë kudo që shkojmë.

“Po, por mund të lutem edhe në shtëpinë time”, – thotë një tjetër. Gënjen veten, vëlla! Sigurisht, ti mund të lutesh vërtet edhe në shtëpi, por është e pamundur të lutesh kështu siç lutemi në kishë, ku ndodhet tërësia e etërve dhe ku lutjet i drejtohen Perëndisë njëzëri. Zoti, kur i lutesh vetëm në shtëpi, nuk të dëgjon aq sa kur i lutesh njëzëri me vëllezërit e tjerë këtu në kishë. Sepse në kishë ka më shumë predispozita shpirtërore se në shtëpi. Në kishë kemi harmoninë dhe unitetin e besimtarëve, duke qenë të lidhur me anë të dashurisë dhe lutjeve të priftërinjve. Kësisoj, priftërinjtë, drejtuesit e shërbesave, me uratat e tyre të fuqishme, përforcojnë lutjet më të dobëta të popullit, dhe të gjitha bashkë ngjiten në qiell.

Kur lutemi veç e veç, jemi të pafuqishëm, por kur mblidhemi të gjithë së bashku, atëherë bëhemi më të fortë dhe e tërheqim mëshirën e Perëndisë drejt nesh shumë më tepër. Njëherë, ap. Pjetri ndodhej në burg, i prangosur. Por, besimtarët e mbledhur në një vend, u lutën së bashku për të dhe ai u lirua menjëherë. Pra, a mund të kishte ndonjë gjë më të fuqishme se lutja e përbashkët, e cila, siç shohim, ishte e dobishme edhe për këta kolona të patundura të Kishës?

Pra, ju lutem dhe ju përgjërohem, vëreni të ardhurit në kishë në plan të parë. Kudo që të ndodhemi le të vrapojmë pa përtim drejt kishës.

Por, kini kujdes që askush të mos hyjë në këtë vend të shenjtë i mbushur me shqetësime jetësore dhe plot frikë. Le të futemi brenda pasi t’i kemi lënë të gjitha këto jashtë dyerve të tempullit, sepse futemi në dhomat qiellore, shkelim në vende të shndritshme.

Para së gjithash, le të dëbojmë nga shpirti ynë hakmarrjen, që të mos gjykohemi kur të paraqitemi para Perëndisë dhe të lutemi duke thënë: “Ati ynë… dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë…”. Në të kundërt, si mund të presësh që Krishti të jetë i ëmbël dhe i butë ndaj teje kur ti tregohesh i ashpër me tjetrin dhe nuk e fal? Si do të mund t’i lartësosh duart drejt qiellit? Si do të thuash fjalët e lutjes? Si do të kërkosh të falur? Madje, edhe nëse Perëndia dëshiron të të falë mëkatet, nuk e lë ti, sepse nuk fal të afërmin tënd.

Vëmendje dhe lutje

Edhe sjellja jonë, për sa kohë që ndodhemi në kishë, të jetë hijshme, siç i ka hije atij që ndodhet para Perëndisë. Të mos merremi me bisedime të kota, por të qëndrojmë me frikë dhe tmerr, me kujdes dhe gatishmëri, me shikimin drejtuar në tokë dhe shpirtin lartësuar në qiell.

Sepse vijnë shumë në kishë e përsërisin në mënyrë mekanike psalme dhe urata e më pas largon pa marrë vesh se ç’thanë. Buzët lëvizin, por veshët nuk dëgjojnë. Pra, ti vetë nuk i dëgjon lutjet e tua, dhe pret që t’i dëgjojë Perëndia? “U gjunjëzova”, – thua, por ama mendja të fluturonte diku larg. Trupin kishte në kishë, kurse shpirtin jashtë. Goja thoshte lutje mekanikisht, ndërsa mendja llogariste përqindjet, kontratat, shkëmbimet tregtare, arat, pasuritë, shoqërimin me miqtë e gjëra të kësaj natyre. Të gjitha këto ndodhin ngaqë djalli është dinak. Ai e di që ne përfitojmë shumë nga lutja dhe na sulmon fuqishëm në çastin e lutjes. Mjaft herë, vrasim kohën duke qëndruar shtrirë në shtrat e nuk na vjen asgjë ndër mend, por, kur vijmë në kishë e fillojmë të lutemi, i ligu na vë në mendje një sërë mendimesh, në mënyrë që të mos kemi përfitim nga lutja.

Po nëse Perëndia vendos të të kërkojë llogari për moskokëçarjen dhe mosshprestarinë që ti shfaq gjatë mbledhjeve adhuruese, çdo të bësh atëherë? Ja, në kohën që Zoti të flet, ti, në vend që të lutesh, ke zënë të bisedosh me atë që është përkrah teje për gjëra të padobishme. Nëse Perëndia sheh edhe të gjitha mëkatet e tjera që kemi kryer, atëherë kjo do t’i mjaftonte të na e mohonte shpëtimin. Këtë mos e quaj gabim të vogël. Që ta kuptosh më mirë, përfytyro se ç’ndodh në një tjetër rast të ngjashëm me këtë. Le të themi se je duke biseduar me një person të rëndësishëm ose me një mik të ngushtë dhe, ndërkohë që ai të flet, ti kthen kokën në anën tjetër në mënyrë shpërfillëse dhe fillon të bisedosh me dikë tjetër. A nuk do të ofendohej bashkëfolësi yt nga veprimi yt i pamend? A nuk do të zemërohej? A nuk do të të kërkonte llogari?

Ndodhesh në Liturgjinë Hyjnore dhe, ndërkohë që tryeza mbretërore është gati, Qengji i Perëndisë flijohet për hirin tënd dhe meshtari mundohet për shpëtimin tënd, ti tregohesh moskokëçarës. Në kohën që serafimet me  shumë krahë mbulojnë fytyrën e vet nga druajtja dhe forcat qiellore i luten Perëndisë bashkë me meshtarin për ty, në çastin që zbret nga qielli flaka e Shpirtit të Shenjtë dhe Gjaku i Krishtit derdhet nga brinja e tij e shpuar brenda në Kupën e shenjtë, ty a nuk të vret ndërgjegjja për moskokëçarjen dhe shkujdesjen tënde? Mendo, o njeri, se përpara kujt qëndron gjatë kohës së mistagogjisë së frikshme dhe pranë kujt ndodhesh në ato çaste: pranë kerubimeve, serafimeve dhe të gjitha ushtrive qiellore. Pyet veten se më kë po psal dhe me kë po lutesh? Është e mjaftueshme për të kuptuar, po të mendosh se, ndërkohë që ke trup material, denjësohesh të himnesh Zotin bashkë me engjëjt pa trup.

Mos merr pjesë në këtë himnim të shenjtë me moskokëçarje. Mos ki në mendje mendime tokësore. Largo çdo mendim tokësor dhe ngjitu mendërisht në qiell, pranë fronit të Perëndisë. Fluturo atje bashkë me serafimet, psal bashkë me ta himnin trishenjtor drejtuar Trinisë së Shenjtë.

Kungimi i Shenjtë

Kur të vijë çasti i Kungimit të Shenjtë dhe të afrohesh pranë Tryezës së Shenjtë, beso në mënyrë të patundur se atje është i pranishëm vetë Krishti, Mbreti i të gjithëve. Kur të shohësh meshtarin të të japë Trupin dhe Gjakun e Zotit, mos mendo se këtë po ta jep meshtari, por beso se dora që zgjatet drejt teje është e Krishtit. Ai që ndriçoi me praninë e tij tryezën e Darkës Mistike, zbukuron edhe tryezën e Liturgjisë Hyjnore. Ndodhet vërtet aty, kontrollon dëshirën e brendshme të secilit prej nesh, vëren se kush u afrohet Mistereve të Shenjta me besim dhe kush u afrohet me ndërgjegje dinake, me mendime të ndyra dhe të papastra, si dhe kush u afrohet me vepra të ndyra. Edhe ti, pra, pyete veten se cilët dobësi ndreqe, cilat virtyte arrite të fitosh, cilin mëkat fshive me anë të rrëfimit dhe se për çfarë u bëre më i mirë. Nëse ndërgjegjja jote të thotë se je përpjekur mjaftueshëm për shërimin e sëmundjeve të tua shpirtërore, atëherë kungohu me drojë Perëndie. Ndryshe qëndro larg nga Misteret e Papërlyera. Dhe kur të pastrohesh prej të gjitha mëkateve të tua, atëherë afrohu.

Ejani, pra, të kungoheni me drojë, me ndërgjegje të pastër, me kreshmë dhe me lutje. Pa zhurmë, pa u shtyrë, pa shkelur njëri-tjetrin, sepse kjo përbën çmendurinë më të madhe dhe përçmimin më të keq të Mistereve hyjnore.

Pa më thuaj, o njeri, pse bën zhurmë? Pse nxitohesh? Gjoja të shtyn nevoja për të mbaruar punët që ke lënë përgjysmë dhe ky mendim të vjen në mendje në çastin që shkon të kungohesh? Mos ndoshta në këtë çast mendon se je në tokë? Mos mendon se ndodhesh pranë njerëzve dhe jo me koret e engjëjve? Ky është tregues i një zemre të ngurtë…

Sa shpesh duhet të kungohemi?

Ka edhe një çështje tjetër: shumë kungohen vetëm një herë në vit, të tjerë dy herë dhe të tjerë ca më shumë. Cilët nga këta duhet të ndjekim? Ata që kungohen një herë në vit, ata që kungohen shumë herë apo ata që kungohen pak herë? As ata që kungohen një herë, as ata që kungohen shumë, as ata që kungohen pak herë, por ata që i afrohen Kupës së shenjtë me zemër të pastër dhe me jetë të panjollëshme. Këta le të kungohen përherë. Të tjerët, të papenduarit, le t’u qëndrojnë larg Mistereve të Kulluara, sepse, në të kundërt, do të marrin dënime mbi veten e tyre. Apostulli i shenjtë thotë: “Ai që ha bukën e Zotit apo pi kupën e tij padenjësisht, është fajtor për trupin dhe për gjakun e Zotit. Kështu, secili të shqyrtojë më parë veten dhe pastaj të hajë nga buka dhe të pijë nga kupa. Kush ha dhe kush pi pa e dalluar trupin e Zotit, ha e pi dënimin e vet”. Pra, do të dënohet aq rëndë sa dhe kryqëzuesit e Krishtit, sepse edhe ata u bënë “fajtorë për trupin” e tij.

Madje, shumtë kanë arritur në një shkallë të tillë përçmimi ndaj Mistereve të shenjta, saqë, edhe pse janë plot me mëkate dhe nuk përpiqen fare të ndreqin veten, shkojnë dhe kungohen në të kremtet e mëdha të papërgatitur, duke mos arritur të kuptojnë se kusht për t’u kunguar nuk janë të kremtet e mëdha, por ndërgjegjja e pastër. Ashtu sikurse ai që nuk ndjen asgjë të keqe në ndërgjegjen e tij ftohet të vijë çdo ditë të kungohet, kështu edhe ai që është i mbushur me paudhësi dhe nuk pendohet, duhet të mos kungohet as edhe në të kremtet e mëdha. Prandaj, përsëri ju lutem të gjithëve që të mos i afroheni Mistereve te Shenjta të papërgatitur dhe vetëm se e kërkon zakoni apo e kremtja, por, nëse vendosni të merrni pjesë në Liturgjinë Hyjnore dhe të kungoheni, pastrojeni mirë veten me anë të pendimit, lutjes dhe lëmoshës shumë ditë përpara.

Të qëndrojmë deri fund

Pra, erdhe në kishë dhe u dendësove të takosh Krishtin. Mos u largo pa mbaruar shërbesa. Nëse largohesh, je fajtor po aq sa një i arrestuar. Shkon në teatër, por nuk largohesh pa mbaruar shfaqja. Hyn në kishë, në shtëpinë e Zotit, por i kthen krahët Mistereve të Kulluara? Kij frikë nga ai që tha: “Kush përçmon Perëndinë, do përçmohet prej tij” (Fja. Urt. 13:13).

Çfarë bën, o njeri! Ndërkohë që Krishti është i pranishëm, engjëjt qëndrojnë para tij, vëllezërit e tu janë ende duke u kunguar, ti i braktis e largohesh? Krishti të jep Trupin e vet dhe ti nuk pret dot pak çaste që ta falënderosh, qoftë edhe vetëm me fjalë? Kur shtrohesh për darkë, nuk guxon të largohesh, edhe nëse ke mbaruar, kur miqtë e tu janë akoma duke ngrënë. Dhe tani që kryhen Misteret e frikshme të Krishtit, ti i lë përgjysmë dhe largohesh?

Doni t’ju them se çfarë veprimi bëjnë ata që ikin para se të mbarojë Liturgjia Hyjnore dhe nuk marrin pjesë në uratat e fundit falënderuese? Ndoshta është e rëndë kjo që do të them, por më duhet ta them. Kur Juda merrte pjesë në Darkën Mistike, ndërkohë që të gjithë ishin ulur rreth tryezës, ai u ngrit para të gjithëve dhe u largua. Edhe këta, imitojnë Judën… Nëse ai nuk do të ishte larguar, nuk do të ishte bërë tradhtar, nuk do të kishte humbur. Nëse nuk do të ishte ndara nga grigja, nuk do ta kishte gjetur “ujku” vetëm e nuk do ta kishte përlarë.

Pas kishërimit

Le të largohemi tanimë nga Liturgjia Hyjnore si luanë që nxjerrin flakë, duke i shtirë frikën edhe vetë djallit. Sepse Gjaku i shenjtë i Krishtit ujit shpirtin tonë dhe i jep fuqi të madhe. Kur kungohemi denjësisht, largon demonët prej nesh dhe na sjell pranë engjëjt dhe Zotin e engjëjve. Ky Gjak është shpëtimi i shpirtrave tanë, me këtë pastrohet dhe stoliset shpirti. Ky Gjak na e bën mendjen më të ndritshme se zjarri dhe shpirtin më të shndritshëm se ari.

Ftojini, pra, vëllezërit tanë në kishë, nxiti të mashtruarit, këshillojini ata jo vetëm me fjalë, por dhe me vepra. Madje, edhe sikur asgjë të mos thuash, kur del nga mbledhja e shenjtë ti u tregon të gjithëve, me pamjen tënde, me vështrimin tënd, me zërin tënd, me ecjen dhe me tërë thjeshtësinë tënde, dobinë që pate nga të shkuarit në kishë dhe kjo është e mjaftueshme për të nxitur dhe këshilluar të tjerët. Sepse kështu duhet të dalim nga tempulli, sikur dalim nga shenjtërorja, sikur kemi zbritur nga qiejt. Mësoju atyre që nuk erdhën në kishë se psale me serafimet, se je banor i qytetit qiellor, se u takove me Krishtin dhe bashkëbisedove me të. Nëse e jetojmë Liturgjinë Hyjnore kështu, nuk do të jetë e nevojshme t’u themi asgjë me fjalë atyre që nuk vijnë në kishë. Por duke parë dobinë tonë, ata do të ndjejnë dëmin që i kanë shkaktuar vetes duke mos ardhur dhe herën tjetër do të vrapojnë drejt kishës, që edhe ata të shijojnë të njëjtat të mira, me ndihmën e hirit dhe njeridashjes së Zotit tonë Jisu Krisht, të cilit i përket lavdia bashkë me Atin dhe me Shpirtin e Shenjtë. Amin.

Shkëputur nga Φωνή των Πατέρων.
Botim i Manastirit të Hirshëm
të Ngushëllimtarit,
Athinë, 2006.
Shqip: Stefan Zhupa.

[1] Pjesëmarrja në Liturgjinë Hyjnore dhe në të gjitha shërbesat e tjera që kryhen në kishë. Të shkuarit në kishë.