Ungjilli – Joani 8:42-51.  

Jisui pra u tha atyre: Po të ishte Perëndia ati juaj, do të më donit; sepse unë prej Perëndisë dola, edhe prej atij erdha; sepse nuk erdha prej vetes sime, po ai më dërgoi. Pse nuk njihni të folurit tim? Sepse nuk mund të dëgjoni fjalën time. Ju jeni prej atit tuaj, djallit, edhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj. Ai ishte që në fillim njerivrasës, edhe nuk qëndron në të vërtetën; sepse të vërtetë nuk ka tek ai. Kur flet gënjeshtrën, flet nga të tijat; sepse është gënjeshtar, edhe i ati i saj, i gënjeshtrës. Po mua, sepse them të vërtetën, nuk më besoni. Cili prej jush më qorton për mëkat? Po në them të vërtetën, pse s’më besoni ju? Ai që është prej Perëndisë, fjalët e Perëndisë dëgjon; prandaj ju nuk dëgjoni, sepse nuk jeni prej Perëndisë.

Judenjtë pra, u përgjigjën e i thanë: A nuk themi mirë ne se ti je samaritan, edhe demon ke? Jisui u përgjigj: Unë demon s’kam, po nderoj Atin tim, edhe ju më çnderoni. Dhe unë s’kërkoj lavdinë time; është ai që kërkon e që gjykon. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, në ruajtë ndonjë fjalën time, nuk do të shohë vdekje për gjithë jetën.