Çfarë na thotë Shkrimi i shenjtë? “Një engjëll zbriste herë pas here në pellg dhe trazonte ujin. Kush hynte i pari në pellg pas trazimit të ujit, shërohej nga çdo sëmundje që kishte” (Jn. 5:5). Kjo ishte gjedhe e Zotit tonë Jisu Krisht, i cili pritej të vinte.

Një engjëll!”. Përse? Sepse vetë Zoti është Engjëlli i Këshillit të Madh. “Herë pas here”, sepse engjëlli priste deri në çastin e fundit, deri në mbarim të ditës, që t’i jepte, kësisoj, ditës një përmasë të re. Sa herë që zbriste engjëlli në pellg, uji trazohej. Ti mund të mendosh: Përse uji nuk lëviz tani? Ja përgjigja: shenjat janë për mosbesuesit, ndërsa besimtarët kanë besimin.

Kush hynte i pari në pellg pas trazimit të ujit, shërohej nga çdo sëmundje që kishte”. Çfarë do të thotë “i pari”? A është kjo çështje kohe apo denjësie? Të dyja bashkë. I pari që futej në pellg, nga ana kohore, shërohej i pari, domethënë më tepër judenjtë, sesa paganët, sepse Krishti, së pari, erdhi te judenjtë. I pari që futej në pellg, nga ana e denjësisë, shërohej i pari, domethënë ai që i druhej Perëndisë, ai që kishte zell për drejtësi, ai që kishte dhuntinë e bamirësisë, ai që dashuronte dëlirësinë. Por, në ato ditë, vetëm njëri shpëtohej. Në ato ditë, vetëm ai që hynte i pari në pellg shërohej. Dhe kjo ishte shëmbëllesë e Pagëzimit. Sa më i madh është hiri në Kishë, ku shpëtohen të gjithë ata që futen në të?

Ja, pra, misteri! Zoti ynë Jisu Krisht erdhi ndanë pellgut. Atje dergjeshin shumë të sëmurë. Po, atje dergjeshin shumë të sëmurë, por vetëm njëri prej tyre u shërua. Zoti i tha të paralizuarit: “A dëshiron të shërohesh?”. Ai iu përgjigj: “Zotëri, nuk kam njeri që të më fusë në pellg kur trazohet uji”. Shih, pra, ku je pagëzuar. Shih kush është burimi i pagëzimit tënd. Nuk është asgjë tjetër veç Kryqit të Krishtit, veç vdekjes së Krishtit. Këtu qëndron e tërë e fshehta: Ai vuajti për ty, të çliroi dhe të shpëtoi.

“Nuk kam njeri”, i tha i paralizuari, domethënë “vdekja erdhi prej një njeriu dhe ngjallja erdhi, gjithashtu, prej një njeriu”. Njeriu nuk mund të futet në “pellg”, nuk mund të shpëtohet nëse nuk beson që Zoti Jisu Krisht u mishërua përmes një Virgjëreshe. Pra, ai që tha: “nuk kam njeri!”, ishte duke pritur “ndërmjetësin mes Perëndisë dhe njeriut, njeriun Jisu”; ishte duke pritur atë për të cilin është shkruar: “Zoti do të dërgojë një njeri për t’i shpëtuar”. Ai u denjësua të shërohej, sepse ai besoi në ardhjen e Krishtit.

Saint Ambrose of Milan,
Sermons on the Sacraments 2:3-7.
Shqip: Stefan Zhupa.