Apostulli – Veprat e Apostujve 9:32-42.

Edhe Pjetri, duke shkuar nëpër gjithë ato vende, zbriti edhe tek shenjtët që ishin në Lidë. Edhe atje gjeti një njeri që e quanin Enea, i cili ishte i paralizuar e prej tetë vitesh i dergjur në shtrat. Edhe Pjetri i tha: Enea, Jisu Krishti të shëron. Ngrihu dhe shtro shtratin tënd. Edhe ai përnjëherë u ngrit. Edhe e panë atë gjithë ata që rrinin në Lidë e në Saron, edhe u kthyen në Zotin.

Edhe në Jopë ishte një nxënëse që quhej Tavità, që e përkthyer do me thënë Sorkadhe; ajo ishte plot me punë të mira e me lëmosha që bënte. Edhe në ato ditë qëlloi të sëmuret e të vdesë; edhe si e lanë e vunë në një dhomë të sipërme. Edhe pasi Lida ishte afër Jopës, nxënësit, kur dëgjuan se Pjetri është në të, dërguan dy burra tek ai, duke iu lutur atij të mos përtojë të vijë deri tek ata. Edhe Pjetri u ngrit e shkoi bashkë me ta; sapo erdhi atë e ngjitën në dhomën e sipërme dhe i dolën përpara gjithë të vejat duke qarë e duke treguar këmishë e rroba, të cilat i bënte Sorkadhja, kur ishte bashkë me to. Po Pjetri, pasi i nxori të gjithë jashtë, u ul në gjunjë dhe u lut; edhe si u kthye nga trupi, tha: Tavità, ngrihu. E ajo hapi sytë e saj, edhe kur pa Pjetrin, u ngrit e ndenji. Edhe ai i dha dorën dhe e ngriti; edhe si thërriti shenjtërit e të vejat, e nxori përpara të gjallë. Edhe kjo u mor vesh nëpër gjithë Jopën; edhe shumë veta besuan në Zotin.