“Vështrimin tim do ta kthej mbi atë
që është i përulur, që ka frymë pendimi
dhe dridhet nga fjalët e mia” (Isa. 66:2)

Hyrje

Shën Nektari i Pentapojës, mrekullibërësi, është një dhuratë e çmuar e Perëndisë për të gjithë botën në këto ditë të varfra të shekullit të 20-të. Në personin e tij shquhet fizionomia e një Ati të madh të Kishës, ku shenjtëria e jetës së tij ndërthuret më së miri me dhuntinë e mrekullibërjes dhe me mësimdhënien orthodhokse.

Ai lindi në Silivri të Trakës lindore, në vitin 1846. Duke ndjekur vijën historike të jetës së tij, atë e hasim fillimisht në Konstandinopojë, fëmijë katërmbëdhjetë vjeçar, i cili punon dhe studion atje. Më pas, e ndeshim në manastirin e Hiosit, ku qethet murg, në vitin 1876. Një vit më vonë, dorëzohet dhjakon. Në vijim, e hasim në Athinë, ku kryen studimet teologjike dhe në Egjipt, ku i shërbeu për pesë vjet Patriarkut të Aleksandrisë. Në Egjipt, ai dorëzohet prift, në vitin 1886, si edhe peshkop, duke u bërë mitropolit i Pentapojës, në vitin 1889. Për shkak të indinjatës që u shkaktoi veprimtaria e tij shumëdimensionale kundërshtarëve të tij, ndaj tij u ngritën akuza të rreme dhe u dëbua nga Patriarkana. Në vitin 1890, ai u rikthye në Greqi dhe shërbeu si predikues i thjeshtë deri në vitin 1894, kur u zgjodh drejtor i shkollës së mesme kishtare “Rizarios”. Në vitin 1908, ai dha dorëheqjen për arsye shëndetësore dhe u vendos në Egjina, në manastirin për femrave kushtuar shën Trinisë, të cilin e kishte themeluar ai vetë në vtin 1904. Shën Nektari jetoi atje deri në fund të jetës së tij dhe ishte ati shpirtëror i manastirit.

Jeta e tij është një udhëtim shtatëdhjetekatër vjeçar, i mbushur me fryte të Shpirtit të Shenjtë. Kreshmon, bën agripni, lutet. Njëjtëson vullnetin e tij me vullnetin hyjnor dhe bëhet njeri i Perëndisë. Meshon si engjëll, lutet pa prekur në tokë, është adhurues i flaktë i Trinisë së Shenjtë dhe himnues i përzemërt i Hyjlindëses së Tërëshenjtë. Ai është teolog i frymëzuar prej së larti dhe shkrimtar i palodhur. Predikon, rrëfen, këshillon, sakrifikohet për të afërmin. Lëmoshat e tij janë të shumta dhe mrekullitë e tij të panumërta. Prania e tij të qetëson, të paqëson. Ai i frymëzon të gjithë. Në të vërtetë, ai është njeri i madh, por tepër i përulur. Është kryeprift i të Lartit, por në të njëjtën kohë e shohim të jetë edhe pastrues, kopshtar, këpucar dhe ndërtues, deri në pleqëri. Shumë herë shpifën rëndë kundër tij, por ai ishte i qetë, lutej, falte dhe falënderonte për çdo gjë. Ishte imitues i Krishtit të ëmbël dhe të përulur. Kisha jonë e vendosi në sinaksarin e saj si shenjtor në vitin 1961.

Gjithashtu, shkrimet e tij janë rrezatim i jetës së tij oshënare. Më poshtë do të përcjellim një përzgjedhje predikimesh të shkurtra dhe të përmbledhura të shenjtit, të cilat kanë të bëjnë me jetën dhe përpjekjet shpirtërore të të krishterit.

Rruga drejt lumturisë

Asgjë nuk është më madhështore se zemra e pastër, sepse ajo zemër do të bëhet fron i Perëndisë. Pse, a ka gjë më të lavdishme se froni i Perëndisë? Jo, sigurisht! Për ata që kanë zemër të pastër, Perëndia thotë: “Do të banoj mes tyre e do të jem me ta. Unë do të jem Perëndia i tyre e ata do të jenë populli im” (2 Kor. 6:16).

Kush, pra, mund të jetë më i lumtur se ata? Nga ç’e mirë mund të privohen ata? A nuk gjenden, vallë, të gjitha të mirat dhe tërë dhuratat e Shpirtit të Shenjtë në shpirtrat e tyre të lumtur? Ç’u nevojitet më tepër? Në të vërtetë, asgjë, sepse në zemër kanë të mirën më të madhe: vetë Perëndinë!

Sa shumë e mashtrojnë veten njerëzit që e kërkojnë lumturinë jashtë vetes së tyre, në vende të huaja, tek udhëtimet, te begatia, te lavdia, te pasuritë e mëdha, te shijimet, te kënaqësitë dhe te të gjitha gjërat luksoze e të kota, fundi i të cilave është hidhërimi! Ndërtimi i kullës së lumturisë jashtë zemrës sonë, ngjan me ndërtimin e një ndërtese në një tokë që lëkundet lehtë nga tërmetet e vazhdueshme. Një ndërtesë e tillë do të shembet shumë shpejt…

Vëllezër e motra, lumturia gjendet brenda vetes sonë. Lum kush e ka kuptuar këtë. Shqyrtoni veten dhe shihni gjendjen tuaj shpirtërore. Mos vallë keni humbur çiltërsinë ndaj Perëndisë? Mos vallë ndërgjegjja ngre zërin për shkak të shkeljeve të porosive të tij? Mos ndoshta ju akuzon për padrejtësi, gënjeshtra apo neglizhencë ndaj përgjegjësive para Perëndisë dhe të afërtit? Vështroni me kujdes se mos ligësitë dhe pasionet kanë mbushur zemrën tuaj, se mos ka rrëshqitur në rrugë të gabuar apo qorrsokaqe…

Kush shpërfill zemrën e vet, fatkeqësisht, privohet nga të gjitha të mirat dhe bëhet pre e shumë mëkateve. Ai ka dëbuar gëzimin dhe e kanë pushtuar hidhërimet, trishtimet dhe shqetësimet. Ka dëbuar paqen dhe e ka zënë ankthi, pështjellimi dhe tmerri. Ka dëbuar dashurinë dhe në të ka mbretëruar urrejtja. Së fundi, ka dëbuar tërë dhuratat dhe frytet e Shpirtit të Shenjtë, të cilat i kishte përfituar nga pagëzimi, dhe është familjarizuar me tërë ligësitë, të cilat e bëjnë njeriun të përbuzur dhe të mjerueshëm.

Vëllezër e motra, Perëndia i gjithëmëshirshëm dëshiron lumturinë e të gjithëve, si në këtë jetë, edhe në jetën tjetër. Për këtë arsye, ai themeloi Kishën e tij të shenjtë, që të na pastrojë nga mëkati, të na shenjtërojë, të na paqësojë me Perëndinë dhe të na dhurojë tërë bekimet e qiellit.

Kisha i ka hapur krahët për të na pranuar në gjirin e saj. Të gjithë sa kemi ndërgjegje të rënduar, le të vrapojmë drejt saj. Le të vrapojmë dhe Kisha është e gatshme të ngrejë peshën e rëndë të mëkateve tona, të na dhurojë pastërtinë dhe t’i mbushë zemrat tona me gëzim dhe lumturi.

Pagëzimi i shenjtë 

Sa u pagëzuat në Krishtin, me Krishtin u veshët” (Gal. 3:27). Oh, sa e vërtetë është kjo që thekson apostuli Pavli me këto fjalë!

Të krishterët e pagëzuar nuk veshin më njeriun e vjetër, me pasionet dhe dëshirat mëkatare, por vishen me njeriun e ri. Vishen me vetë Krishtin, i cili tashmë jeton brenda zemrave të tyre. Fjala “u veshët”, nuk ka të bëjë me ndonjë stoli të thjeshtë e të jashtme, por me një gjë më të thellë. Ajo ka të bëjë me një gjë më thelbësore.

Nëpërmjet besimit ndaj Krishtit dhe me anë të pagëzimit tonë, ne veshim vetë Krishtin dhe bëhemi fëmijë të Perëndisë, banesa të Shpirtit të Tërëshenjtë, tempuj të Perëndisë, shenjtorë dhe të përsosur; bëhemi “perëndi” sipas hirit.

Pra, heqim prej nesh kalbjen dhe veshim moskalbjen. Zhveshim njeriun e mëkatit dhe veshim njeriun e drejtësisë dhe të hirit. Dëbojmë vdekjen dhe veshim pavdekësinë.

Mirëpo, a kemi menduar ndonjëherë rreth përgjegjësive të mëdha që kemi marrë përsipër me anë të pagëzimit? A jemi ndërgjegjësuar vallë se tashmë duhet të sillemi si fëmijë të Perëndisë dhe si vëllezër të Zotit tonë? Se tashmë kemi përgjegjësi ta njëjtësojmë vullnetin tonë me vullnetin e Perëndisë? Se duhet, si fëmijë të tij, të mos robërohemi nga mëkati? Se duhet ta duam me tërë forcën tonë, nga thellësitë e shpirtit dhe të zemrës sonë? Se duhet ta adhurojmë dhe të bashkohemi me të përgjithmonë? Vallë, a kemi menduar se zemra jonë duhet të jetë e tejmbushur me dashuri, aq sa të teprojë edhe për të afërtin? A kemi ndjesinë se duhet të bëhemi të shenjtë, të përsosur dhe ikona të Perëndisë, fëmijë të tij dhe trashëgimtarë të Mbretërisë së Qiejve?

Për të gjitha këto, kemi për detyrë të përpiqemi që të bëhemi të denjë për thirrjen që na bëri Perëndia dhe të sprovohemi… Po, vëllezër e motra, le të luftojmë me zell dhe me vetëmohim që të dalim fitimtarë. Askush të mos humbasë guximin e tij, të mos dembeloset, të mos shkatërrohet, të mos frikësohet nga pengesat e luftës shpirtërore, sepse kemi ndihmës Perëndinë, i cili na jep fuqi në rrugën e vështirë të virtytit.

Lufta shpirtërore

Qëllimi i jetës sonë është të bëhemi të përsosur dhe të shenjtë. Të bëhemi fëmijë të Perëndisë dhe trashëgimtarë të Mbretërisë së Qiejve. Le të kujdesemi, pra, se mos vallë jeta e përkohshme bëhet pengesë për jetën e ardhshme; se mos nga përkujdesjet dhe shqetësimet jetësore, lëmë pas dore qëllimin e jetës sonë.

Kreshma, agripnia dhe lutja, në vetvete nuk na japin frytet e dëshiruara, sepse këto nuk janë qëllimi i jetës sonë. Ato janë thjesht mjete ndihmëse për të arritur qëllimin.

Stolisini trupat tuaj me virtyte. Luftoni për të ç’rrënjosur pasionet e shpirtit. Pastrojeni zemrën nga çdo ndyrësi dhe ruani virgjërinë, në mënyrë që të vijë e të banojë brenda jush Zoti dhe t’ju dhurojë Shpirtin e Shenjtë me të gjitha dhuratat e tij.

Fëmijët e mi të dashur, tërë vëmendja dhe përkujdesi juaj le të përqendrohet në këto gjëra. Ato le të jetë qëllimi juaj i përhershëm. Prandaj, le t’i luteni Perëndisë vazhdimisht.

Kërkojeni Zotin çdo ditë, por brenda zemrës suaj, jo jashtë saj. Kur ta gjeni, qëndroni para tij me frikë e me drojë, njëlloj si Kerubimet dhe Serafimet, sepse zemra juaj tashmë është bërë fron i Perëndisë. Në doni ta gjeni Zotin, përuluni deri në tokë, sepse Zoti nuk i duron dot kryelartët, ndërsa të përulurit i do dhe u shfaqet në zemrat e tyre.

Nëse përpiqesh të fitosh luftën e mirë, Perëndia do të të japë forcë. Shpeshherë, gjatë përpjekjes shpirtërore jemi të pafuqishëm dhe përballemi me dobësitë tona. Kjo është pasqyra e gjendjes sonë shpirtërore. Kush nuk ka bërë përpjekje shpirtërore, nuk ka arritur ta njohë veten e tij.

Madje, kini kujdes edhe ato shkelje që i quajmë të vogla. Nëse bini në ndonjë mëkat nga pakujdesia, mos u dëshpëroni, por ngrihuni shpejt e lutjuni në gjunjë Perëndisë, i cili ka fuqinë t’ju ndreqë.

Brenda nesh kemi dobësi, pasione dhe të meta, të cila kanë zënë rrënjë të thella, ku disa prej tyre janë dhe të trashëguara. Të gjitha këto nuk ç’rrënjosen me një lëvizje të lehtë apo nga ankthi dhe hidhërimi i thellë, por me durim, këmbëngulje, përkujdesje dhe vëmendje.

Hidhërimi i tepruar është shenjë kryelartësie. Prandaj, ai është i dëmshëm dhe i rrezikshëm. Madje, shpesh shkaktohet nga vetë djalli, që të pengojë marshimin e luftëtarit shpirtëror.

Rruga që të çon në përsosje është e gjatë. Lutjuni Perëndisë që t’ju forcojë. Të përballoni me këmbëngulje rëniet tuaja dhe pasi të ngriheni me shpejtësi, vazhdoni përpara dhe mos qëndroni, si fëmijët e vegjël, në vendin ku u rrëzuat, duke vajtuar në mënyrë të pangushëllueshme.

Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim. Mos u dëshpëroni nëse bini vazhdimisht në mëkat. Shumë prej mëkateve janë të fuqishme nga natyra e tyre dhe bëhen zakon, por me kalimin e kohës e me këmbëngulje ato mposhten. Le të mos ju dëshpërojë asgjë.

Tundimet

Tundimet shërbejnë për të nxjerrë në dritë pasionet e fshehura, që t’i luftojmë, në mënyrë që të shërohet shpirti. Edhe ato janë shenjë e mëshirës hyjnore. Prandaj, lëre veten me besim në përkujdesjen e Perëndisë dhe kërko ndihmën e tij, që të të japë forcë në përpjekjen tënde. Shpresa te Perëndia nuk të çon asnjëherë në dëshpërim. Tundimet sjellin përulësi. Perëndia e di sa duron secili prej nesh dhe i lejon tundimet sipas mundësive tona. Të kujdesemi edhe ne veçse që të jemi vigjilentë dhe të kujdesshëm, që të mos biem me dëshirën tonë në tundime.

Besoni tek Perëndia i mirë, i fuqishëm dhe i gjallë dhe ai do t’ju çojë në prehje. Pas sprovave, vjen gëzimi shpirtëror. Zoti, nga dashuria e tij, është pranë atyre që këmbëngulin në sprova dhe hidhërime. Pra, mos u dekurajoni dhe mos u frikësoni.

Nuk dua që të hidhëroheni dhe të shqetësoheni për gjërat që ndodhin, me të cilat nuk pajtoheni, sado të drejtë të kini. Një hidhërim i tillë është shenjë egoizmi. Kini kujdes nga egoizmi, i cili fshihet nën petkun e drejtësisë. Kini kujdes edhe hidhërimin e skajshëm, i cili vjen pas një kontrolli të drejtë. Hidhërimi i tepruar është tundim. Një është hidhërimi i dobishëm. Ai që shkaktohet kur njohim mirë gjendjen tonë të mjerë shpirtërore. Të gjitha llojet e tjera të hidhërimit, nuk kanë asnjë lidhje me hirin e Perëndisë.

Përpiquni të mbani brenda zemrës suaj gëzimin e Shpirtit të Shenjtë dhe mos lejoni të ligun të derdhë brenda saj helmin e tij. Bëni kujdes! Kujdesuni, se mos parajsa, që është brenda jush, shndërrohet në ferr.

Lutja

Puna kryesore e njeriut është lutja. Njeriu u krijua për të himnuar Perëndinë. Kjo është puna që i përshtatet. Vetëm kjo i jep shpjegim ekzistencës së gjendjes së tij shpirtërore. Vetëm kjo justifikon pozicionin e tij të rëndësishëm brenda krijimit. Njeriu u krijua që të adhurojë Perëndinë dhe të marrë pjesë në mirësinë dhe lumturinë hyjnore.

Si ikonë e Perëndisë, njeriu ka mall për të dhe pret me padurim të ngjitet drejt tij. Ai ngazëllehet me anë të lutjes dhe himneve. Fryma e tij dëfrehet dhe zemra e tij kërcen përpjetë. Sa më shumë lutet, aq më tepër “zhvishet” shpirti i tij nga dëshirat kozmike dhe mbushet me të mirat qiellore. Sa më shumë shkëputet nga gjërat dhe kënaqësitë tokësore, aq më tepër shijon gëzimin qiellor. Përvoja jonë e vërteton më së mirë këtë gjë.

Perëndia kënaqet me ata shpirtra që i ofrohen atij me mënyrën e duhur, d.m.th. duke pasur ndjenjën e papërsosshmërisë dhe padenjësisë së tyre. Por që kjo ndjenjë të ekzistojë, kërkohet mohimi përfundimtar i të keqes dhe bindja ndaj porosive të Perëndisë; kërkohet përulësi dhe punë e vazhdueshme shpirtërore.

Lërini tërë shqetësimet tuaja përpara Perëndisë dhe ai do të kujdeset për to. Mos u bëni shpirtvegjël dhe mos u trazoni në zemër. Ai që kontrollon thellësitë e fshehta të shpirtit të njerëzve, njeh dhe dëshirat tuaja dhe ka fuqinë t’i realizojë siç di vetë. Ju mund t’i kërkoni Perëndisë ç’ka dëshironi dhe mos humbisni guximin tuaj. Mos mendoni se dëshira që kërkoni është e shenjtë dhe keni të drejtë të ankoheni kur kjo nuk plotësohet. Perëndia i plotëson dëshirat tuaja, me një mënyrë që ju nuk e njihni. Pra, qetësohuni dhe lutjuni Perëndisë.

Lutjet dhe kërkesat tona nuk na drejtojnë në përsosmëri vetvetiu. Në përsosmëri na drejton Zoti, i cili, kur zbatojmë porositë e tij, vjen dhe banon brenda nesh. Dhe një nga porositë e para është që të bëhet sipas vullnetit të Perëndisë në jetën tonë dhe jo sipas dëshirës sonë. Pra, të bëhet sipas vullnetit të Perëndisë, me të njëjtën saktësi siç veprohet në qiell nga engjëjt, që edhe të mund të themi: “O Zot, u bëftë vullneti yt si në qiell, ashtu edhe mbi dhe jo siç dua unë, por si do ti”. Pra, pa Krishtin brenda nesh, lutjet dhe kërkesat tona, na çojnë në mashtrim.

Paqja

Paqja është dhuratë hyjnore, e cila u jepet me tepri atyre që duan Perëndinë dhe zbatojnë porositë e tij.

Paqja është dritë dhe i largohet skëterrës së mëkatit. Mëkatari nuk ka kurrë paqe brenda tij.

Luftoni kundër mëkatit dhe mos u shqetësoni për kryengritjen e pasioneve brenda jush, sepse nëse dilni fitimtarë në luftën ndaj tyre, atëherë kjo kryengritje e pasioneve do të bëhet shkak gëzimi dhe paqeje brenda jush.

Kërkoni paqen me të gjithë dhe shenjtërimin, pa të cilin askush nuk do ta shohë Zotin” (Heb. 12:14). Pra, paqja dhe shenjtërimi janë dy kushte të nevojshme për ata që dëshirojnë me zjarr të shohin fytyrën e Perëndisë. Paqja është themeli mbi të cilin mbështetet shenjtërimi.

Shenjtërimi nuk banon në zemrën e trazuar dhe zemërake. Zemërimi, që mbetet për një kohë të gjatë në shpirt, krijon armiqësi dhe urrejtje ndaj të afërtit. Prandaj kërkohet paqësimi i menjëhershëm me vëllain tonë, në mënyrë që të mos privohemi nga hiri i Perëndisë, i cili shenjtëron zemrën.

Ai që është në paqe me veten e tij, është në paqe dhe me të afërtin, por edhe me Perëndinë. Ai tanimë është i shenjtëruar, sepse vetë Perëndia banon brenda tij.

Dashuria

Synoni dashurinë! Kërkojini çdo ditë Perëndisë dashurinë. Bashkë me dashurinë vijnë të gjitha të mirat dhe virtytet. Dashuroni, që t’ju dashurojnë edhe të tjerët. Dhurojini Perëndisë tërë zemrën tuaj, që të mbeteni në dashuri. “Perëndia është dashuri. Ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të” (I Jn. 4:16).

Kërkohet shumë kujdes në marrëdhëniet ndërmjet jush dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, si persona të vyer, si ikona të Perëndisë. Mos e hidhni vështrimin tuaj në trupin apo në bukurinë e jashtme të tjetrit, por vështroni bukurinë e shpirtit të tij. Bëni kujdes me ndjenjën e dashurisë, sepse, kur zemra nuk pushtohet nga lutja e pastër, dashuria rrezikon të bëhet trupore dhe jo natyrale; rrezikon të errësojë mendjen dhe të “përvëlojë” zemrën.

Është mirë ta shqyrtojmë çdo ditë veten se mos ndoshta dashuria jonë nuk rrjedh nga dashuria e përbashkët për Krishtin; mos ndoshta nuk buron nga dashuria e përsosur e Zotit tonë? Ai që vigjilon dhe ruan të pastër dashurinë e tij, do të jetë i mbrojtur nga kurthet e të ligut, i cili punon pa u lodhur që ta shndërrojë dalëngadalë dashurinë e krishterë në dashuri trupore.

Dallueshmëria

Ju këshilloj të tregoheni dallueshmëri në gjithçka dhe të jini të matur në çdo gjë. Shmangni gjërat e skajshme. Rreptësia e përpjekjeve shpirtërore le të jetë në përputhje me caqet e virtytit. Ai që nuk shquhet për virtyte të mëdha dhe përpiqet me më të përparuarit, duke dashur të bëjë jetë të rreptë, si asketët e shenjtë, kërcënohet nga kryelartësia dhe mund të rrëzohet. Prandaj, bëni dallim dhe mos e shkatërroni trupin me mundime që tejkalojnë mundësitë tuaja. Sillni përherë ndër mend se ushtrimi trupor thjesht ndihmon shpirtin të arrijë në përsosmëri, e cila arrihet kryesisht me përpjekje shpirtërore.

Mos e tendosni fillin më shumë se ç’duhet. Dijeni se nuk mund ta detyroni dot Perëndinë t’ju japë dhuratat e tij. Ai i jep secilit kur të dëshirojë. Çdo gjë që marrim, e marrim dhuratë, falë mëshirës hyjnore.

Nëse më parë nuk keni kultivuar virtytet, mos synoni të arrini lartësi shpirtërore përmes ushtrimeve të ashpra, sepse rrezikoni të bini në mashtrim për shkak të krekosjes dhe guximit tuaj të tepruar. Ai që kërkon dhurata hyjnore dhe lartësi shpirtërore ndërkohë që është akoma i ngarkuar me pasione, bie në mashtrim për shkak të kryelartësisë së tij. Para së gjithash, kërkohet të luftojmë për pastrimin tonë. Hiri Hyjnor i dërgon dhuratat e tij si shpërblim për ata që janë pastruar nga pasionet. I viziton pa shumë bujë dhe në çastin kur nuk e mendojnë.

Kryelartësia

Kryelartësia e mendjes është kryelartësi satanike, e cila mohon Perëndinë dhe blasfemon Shpirtin e Shenjtë, prandaj shërimi i saj është tepër i vështirë. Është një errësirë e dendur, e cila nuk i lë sytë shpirtërorë të shohin dritën që të drejton drejt Perëndisë, drejt përulësisë, drejt dashurisë për të mirën.

Përkundrazi, kryelartësia e zemrës nuk është sajesë e kryelartësisë satanike, por shkaktohet nga ngjarje dhe arsye të ndryshme, si p.sh., pasuria, lavdia, nderet, dhuratat materiale e shpirtërore (zgjuarsia, bukuria, fuqia, të qenit virtuoz etj.). Të gjitha këto ia ngrenë mendjen njerëzve të marrë dhe kështu bëhen sqimatarë, por kjo nuk do të thotë se janë dhe mohues të Perëndisë. Shumë herë këta mëshirohen nga Perëndia, edukohen dhe urtësohen. Zemra e tyre dridhet, pushon së kërkuari lavdira e kotësira dhe kështu shërohen.

Puna jonë shpirtërore të jetë kontrolli i zemrës sonë. Mos ndoshta i afrohet asaj kryelartësia, si një gjarpër helmues, ky pasion nga i cili lindin shumë të këqija, që bën të vdesë çdo virtyt dhe që helmon çdo gjë? I gjithë kujdesi ynë le të kthehet ndaj kësaj të keqeje djallëzore. Kontrollimi i zemrës le të bëhet një punë e vazhdueshme natë e ditë.

Do të jetë e vërtetë, mendoj, po të them se i gjithë përkujdesi ynë shpirtëror do të duhet të jetë një kontroll dhe dëbim i vazhdueshëm i kryelartësisë nga zemra jonë. Nëse çlirohemi prej saj, do të mbretërojë në zemrat tona përulësia dhe atëherë do të kemi çdo gjë. Sepse kudo që ndodhet përulësia e vërtetë si e Krishtit, atje ndodhen të gjitha bashkë edhe virtytet e tjera, të cilat na lartësojnë drejt Perëndisë.

Mirësjellja e krishterë

Të krishterët kanë për detyrë, sipas porosisë së Zotit, të bëhen të shenjtë e të përsosur. Pikë së pari, përsosmëria dhe shenjtëria gdhenden në thellësi të shpirtit të të krishterit dhe më pas shprehen edhe me anë të mendimeve, dëshirave, fjalëve dhe veprave të tij. Kështu, hiri i Perëndisë, që gjendet në shpirtin e tij, shfaqet dhe në tërë sjelljen e tij të jashtme.

I krishteri është mirë të jetë i sjellshëm me të gjithë. Fjalët dhe veprat e tij të dëshmojnë praninë e hirit të Shpirtit të Shenjtë brenda shpirtit të tij, që të dëshmohet në këtë mënyrë sjellja e tij e krishterë dhe të lavdërohet emri i Perëndisë.

Kush është i matur në fjalë, është i matur edhe në vepra. Kush kontrollon fjalët që duhet të thotë, kontrollon edhe veprat që duhet të bëjë dhe në këtë mënyrë nuk do t’i kalojë kurrë caqet e një sjelljeje të mirë e të hijshme.

Fjalët plot hir të të krishterit karakterizohen nga fisnikëria dhe mirësjellja. Këto lindin dashurinë, sjellin paqen dhe gëzimin. Në të kundërt, llafazanëria lind urrejtjen, armiqësinë, mërzinë, grindjen, etj.

Pra, le të jemi përherë të sjellshëm. Le të mos dalë kurrë nga goja jonë fjalë e keqe, por përherë të dalin fjalë ëmbla, fjalë të mira dhe që dëshmojnë mirësjelljen e krishterë dhe kultivimin shpirtëror.

Lavdërimi

I krishteri duhet të lavdërojë Perëndinë me anë të buzëve dhe me anë të shpirtit të tij. Përderisa të dyja i përkasim Perëndisë dhe, si rrjedhim, nuk ka pushtet mbi to, dhe ato janë dy mjete të hirshme, atëherë kërkohet që t’i përdorë në mënyrë të denjë.

Kush sjell vazhdimisht ndër mend se si trupi, ashtu dhe shpirti i përkasin Perëndisë, do të ketë respekt për to. Gjithashtu, kjo do të bëjë që të përpiqet t’i ruajë të paprekura nga çdo ndyrësi, të jenë në komunikim të pandërprerë me Perëndinë, nga i cili shenjtërohen.

Njeriu lavdëron Perëndinë me gojë dhe me frymë, së pari kur sjell ndër mend se ai vetë u shenjtërua nga Perëndia dhe u bashkua me të dhe së dyti kur bashkon vullnetin e tij me vullnetin e Perëndisë, në mënyrë që të bëjë gjithmonë të mirën dhe vullnetin e përsosur të Perëndisë. Një njeri i tillë nuk jeton për veten, por për Perëndinë. Përpiqet të fitojë Mbretërinë e Perëndisë që këtu në tokë. Lavdëron Perëndinë për gjithçka, me fjalë dhe me vepra. Veprat tij, që kryen për të mirën e njerëzve, bëhen shkak që të lavdërohet emri i shenjtë. Jeta e tij, e ndriçuar nga drita hyjnore, shkëlqen si një dritë e fuqishme. Kështu, mirësjellja e tij bëhet shkak që t’i afrohen Perëndisë  ata që nuk e kanë njohur ende. Amin.

Shkëputur nga Φωνή των Πατέρων.
Botim i Manastirit të Hirshëm
të Ngushëllimtarit,
Athinë, 2006.

Shqip: Stefan Zhupa