Rreth shkëlqimit dhe ndriçimit hyjnor të Shpirtit të Shenjtë
Nuk di të ta shpjegoj, siç të thashë,
dhe dua të hesht – ah, sikur të mundja! –
por mrekullia e frikshme ma vë zemrën në lëvizje,
ma çel gojë e fëlliqur dhe më shtyn të psal e të shkruaj,
pa dëshirën time.
Ti, që sapo linde në errësirën e thellë të zemrës sime,
që më dëfteve mrekulli, të cilat syri i njeriut nuk i ka parë kurrë;
Ti, që zbrite edhe tek unë, më i padobishmi ndër njerëzit,
që më bëre nxënës dhe bir apostulli,
mua, që dragoi i frikshëm dhe njerivrasës,
gjer tani më kishte bërë punëtor dhe shërbëtor të çdo lloj paudhësie;
Ti, o Diell’ i parajetshëm, që më pas shndrite në skëterrë,
më ndriçove shpirtin e errësuar
dhe më dhurove ditën që s’njeh më fund,
– këtë s’e besojnë vetëm ata që unë i quaj të ngathët dhe të plogësht –
Ti, që më pasurove me çdo të mirë;
Ti, pra, dhuromë arsye, por edhe gojëtari,
që t’u dëftej të gjithëve veprat e tua të mëdha
dhe gjithçka bën sot për ne shërbëtorët e tu,
në mënyrë që edhe ata që baresin në errësirën e moskokëçarjes,
që thonë se është e pamundur që mëkatarët të shpëtojnë,
të gjejnë mëshirë prej teje, ashtu sikurse edhe Pjetri,
por edhe apostujt e tjerë, shenjtorët, oshënarët dhe të drejtët.
Dhe të mësojnë e të besojnë se për ty kjo gjë
është fare e lehtë; kështu ka qenë e kështu do të jetë!
Të gjithë sa mendojnë se të kanë pranë, ty, o Dritë e botës,
por njëherësh thonë se s’të shohin asgjëkund,
se nuk jetojnë brenda dritës sate, se nuk janë të ndriçuar,
se nuk të vështrojnë pa pushim, o Shpëtimtar,
le ta dinë se ti nuk ua ke ndriçuar ende mendjet,
as nuk ke banuar në zemrat e tyre,
dhe të mos gëzohen më kot duke shpresuar në tym,
e duke besuar se do ta sodisin dritën tënde kur të vdesin.
Ti, o Shpëtimtar, na jep t’i shijojmë të mirat e tua, si kapar,
që në këtë jetë; ti i vulos delet, që do të jenë në djathtë tënde, që këtu.
Nëse vdekja e cilitdo prej nesh është larje hesapesh,
nëse pas vdekjes njëlloj reshtin veprat e të gjithëve
e askush nuk mund të bëjë më asgjë, qoftë të mirë a të keqe,
atëherë, me shumë gjasë, Shpëtimtari im, çdokush do të jetë
ashtu siç do të largohet nga kjo jetë.
Kjo gjë më frikëson, o Zot; kjo më bën të dridhem,
m’i paralizon të gjitha shqisat;
sepse, ashtu sikurse ai që resht së jetuari dhe vdes i verbër
nuk do ta shohë më diellin lëndor,
edhe sikur të ngrihet dhe t’i rikthehet drita e syve,
kështu edhe ai, të cilit i është verbuar mendja, nëse vdes,
nuk do të të shohë më ty, o Diell jolëndor, o Perëndia im,
por nga errësira në errësirë do të vazhdojë të banojë,
do të jetë i ndarë nga ti përjetë.
Asnjë prej atyre që të besojnë, o Zot,
asnjë prej atyre që u pagëzuan në emrin tënd,
nuk do të jetë në gjendje ta durojë dot këtë barrë të rëndë e të frikshme,
barrën e ndarjes nga ti, o zemërdhembshur;
ky hidhërim është i tmerrshëm, i tmerrshëm;
një hidhërim i padurueshëm, i përjetshëm.
A mund të ketë, Shpëtimtari im, ndonjë gjë më të keqe se ndarja nga ti?
Cila dhimbje mund të jetë më e madhe nga të hequrit dorë nga jeta
dhe të jetuarit në vazhdim si i vdekur, si i privuar nga jeta,
si rrjedhim, edhe nga çdo e mirë tjetër?
Ai që ndahet nga ty privohet nga çdo gjë e mirë.
Atje nuk do të jetë si këtu në tokë.
Ata që të mohojnë, “shijojnë” një lloj dëfrimi trupor në këtë jetë,
dhe kjo i bën të ngazëllehen e të dëfrehen si kafshë pa arsye,
duke gjetur kënaqësi në ato që na ke dhuruar
dhe, duke parë vetëm ato, besojnë se i tillë
do të jetë edhe largimi i shpirtit nga trupi,
pra largimi nga kjo jetë.
Por i kanë bërë llogaritë gabim dhe nuk mendojnë drejt
të gjithë ata që thonë se nuk janë me ty, që e marrin jetën me lehtësi
dhe përgatisin për vete një vend – të mjerët! – ku nuk do të ketë
as dritë, por njëherësh edhe as errësirë;
larg Mbretërisë, por edhe larg gehenës;
jashtë Nusërores, por edhe larg zjarrit të drejtësisë;
pra, në një vend të tillë urojnë të përfundojnë, të mjerët,
dhe thonë se nuk u duhet aspak lavdia jote e përjetshme,
as Mbretëria e qiejve, dhe jetojnë në shkujdesje.
Mjerë ata! Sa e thellë është errësira dhe padituria e tyre!
Mjerë ata! Mundimi dhe shpresat e tyre janë të kota.
Ajo që dëshirojnë nuk është shkruar kurrkund, as nuk ka për të ndodhur,
por ata që bënë jetë hyjnore do të jetojnë në dritën e të mirave,
ndërsa ata që bënë jetë të shthurur do të përfundojnë në errësirën e ndëshkimit;
dhe mes tyre do të ketë një hendek të madh.
Kështu na ke mësuar ti që i ke rregulluar punët në këtë mënyrë.
Nëse dikush bie diku në mes, pra në humnerën midis,
atëherë kjo është më e frikshme se çdo torturë dhe ndëshkim;
do të rrokulliset i hidhëruar dhe do të gremiset
në humnerën e ferrit, në honit e humbjes;
dhe ata që torturohen do ta kenë të vështirë t’i mbështesin këmbët diku
e të kalojnë në tokën e të drejtëve,
pra ata që parapëlqejnë të bëhen hi në zjarrin e frikshëm
ose të hidhen në honin e tmerrshëm.
Ata që ia urojnë vetes të shkojnë atje pas vdekjes,
janë të mjerë dhe për të ardhur keq,
sepse, si të ishin kafshë pa arsye, nuk kanë asnjë ndjeshmëri,
mallkojnë dhe mashtrojnë veten.
Por ti, o Krisht, je mbretëria e qiejve dhe toka e të butëve;
ti je parajsa e mbjellë dhe nusëroja e hyjshme;
ti je dhoma e fshehtë, tryeza e përbashkët;
ti je buka e jetës dhe uji tepër i freskët;
ti je shtamba e ujit dhe vetë uji i jetës;
ti je llambadhja e pashuar e çdo shenjtori;
ti je tunika dhe kurora, por edhe ai që dhuron kurorat;
ti je gëzimi, prehja, dëfrimi dhe lavdia;
ti je hareja dhe ngazëllimi.
Hiri yt do të shndrisë si diell, Perëndia im,
hiri i Shpirtit tënd të Tërëshenjtë do të shkëlqejë mbi çdo shenjtor
dhe ti, o Diell i pakapshëm, do të shkëlqesh mes tyre;
çdo gjë do të shkëlqejë në varësi të besimit,
veprave, shpresës dhe dashurisë;
në varësi të pastrimit dhe ndriçimit të Shpirtit tënd të Shenjtë,
o Perëndi, i vetmi mëshirëplotë dhe gjykatës i gjithëve.
Shën Simeon Teologu i Ri
Shkëputur nga:
Φιλοκαλία των Νηπτικών
και Ασκητικών
19 Ε, fq. 53-61.
Shqip: Stefan Zhupa