Apostulli – Veprat e Apostujve 4:1-10.

Edhe ndërsa ata ishin duke i folur popullit, ia behën mbi ata priftërinjtë dhe kryeroja i tempullit e Saduqenjtë, shumë të shqetësuar, sepse mësonin popullin dhe shpallnin ngjalljen prej së vdekurish me anë të Jisuit, edhe vunë duart mbi ata, edhe i vunë nën ruajtje deri të nesërmen; sepse tashmë ishte ndaj të ngrysur. Edhe shumë nga ata që dëgjuan fjalën besuan; edhe u bë numri i njerëzve rreth pesë mijë.

Edhe të nesërmen u mblodhën në Jerusalem të parët e tyre dhe pleqtë e shkruesit, edhe Ana kryeprifti e Kaiafa e Joani e Aleksandri, edhe gjithë sa ishin prej fare kryepriftërore. Edhe si i vunë ata në mes, i pyesnin: Me çfarë fuqie e në emër të kujt e bëtë ju këtë? Atëherë Pjetri u mbush me Frymë të Shenjtë, e u tha atyre: O të parë të popullit dhe pleq të Izraelit, në qoftë se ne pyetemi sot për një vepër të mirë që u bë mbi një njeri të sëmurë, me çfarë u shërua ky, le të jetë e ditur për gjithë ju dhe për gjithë popullin e Izraelit, se në emrin e Jisu Krisht Nazaretasit, të cilin ju e kryqëzuat, po të cilin Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, me anë të këtij qëndron ky tani përpara jush i shëndoshë.