PËRGATITJA PËR KUNGIM
KUNGATA HYJNORE
DHIMITËR BEDULI
Në këtë pjesë do të tregojmë se çfarë përgatitje duhet të bëjë i krishteri orthodhoks para se të kungohet, sepse asnjë nga ne nuk duhet të kungohet pa bërë njëfarë përgatitjeje.
Kungata Hyjnore është ushqim, është shpëtim, është arma shpëtimtare më e fuqishme, madje edhe se lutja, edhe se kreshmët, edhe se asketizmi, edhe se agripnia, për të luftuar të ligun, për të pasur një jetë me të vërtetë shpirtërore. Janë të qarta fjalët e Zotit: “Në mos ngrënshi mishin e Birit të njeriut, edhe në mos pifshi gjakun e tij, s’keni jetë në veten tuaj”.
Prandaj, Kungata Hyjnore duhet marrë shpesh e denjësisht, pas një përgatitjeje të kujdesshme të vetvetes. Apostull Pavli, në letrën e tij të parë drejtuar të krishterëve të Korinthit, thotë: “Ai që të hajë këtë bukë, ose të pijë kupën e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Krishtit. Njeriu pra le të shqyrtojë veten e tij, e kështu le të hajë nga ajo bukë, edhe le të pijë nga ajo kupë. Se ai që ha e pi padenjësisht, ha e pi dënim për veten e tij, sepse nuk dallon trupin e Zotit.
Prandaj ka në mes tuaj shumë të dobët dhe të sëmurë, edhe vdesin mjaft veta” (1 Kor. 11:27-30).
Sipas apostull Pavlit, ai i krishterë që nuk i jep rëndësinë e duhur Trupit dhe Gjakut të Krishtit dhe vjen e kungohet i papërgatitur, është fajtor, sepse mosdhënia e rëndësisë dhe e vlerës së duhur Trupit dhe Gjakut të Krishtit dhe kungimi me to pa përgatitjen e duhur, përbëjnë faje, madje faje të rënda. Aq të rënda i konsi- deron apostull Pavli këto faje, saqë shkaktojnë shpesh dhe dënime të rënda nga Perëndia. “Prandaj, – thotë apostull Pavli, – ka në mes tuaj shumë të dobët dhe të sëmurë, edhe vdesin mjaft veta”.
Pra, duhet të përgatisim veten para se të kungohemi. Një gjë duhet të kemi mirë të ngulitur në mendje, që asnjë besimtar nuk duhet të paraqitet për të marrë Kungatën Hyjnore i papërgatitur. Të gjithë duhet të përgatitemi, madje të përgatitemi mirë. Të bëjmë një përgatitje të vërtetë shpirtërore dhe esenciale.
Ku qëndron kjo përgatitje?
Elementet kryesore, që përbëjnë një përgatitje të vërtetë, serioze e dinjitoze, janë:
1. Dëshira për Kungatën Hyjnore
Besimi te Misteri i Kungatës Hyjnore, besimi se te Potiri i Shenjtë është trupërisht vetë Perëndinjeriu Jisu Krisht, besimi në veçanti se Kungata Hyjnore është ushqim i domosdoshëm për qenien tonë shpirtërore. Pra, besimi lind në shpirtin e besimtarit dëshirën dhe mallin që të vijë në kontakt të drejtpërdrejtë, të bëhet një me Zotin tonë. Të krishterët e parë qenë “përditë të përkushtuar dhe me një zemër në tempull” (Vep. Ap. 2:46). Ajo pritje, ai mall i flaktë, duhet të ek- zistojë në zemrën e besimtarit.
Kemi mall të takohemi në jetë me persona të afërt, të dashur dhe me miq. Shumë, shumë më i madh e më i flaktë duhet të jetë malli ynë për të takuar Jisuin, që është më i dashuri nga të gjithë të dashurit tanë. Dhe në Kungatën Hyjnore nuk bëjmë një takim të thjeshtë, po bëhemi një me Të. Marrim vetë Trupin dhe Gjakun e Krishtit. Bëhemi Krishtmbajtës.
Kjo dëshirë për t’u kunguar shtohet shpesh e rregullisht, po të marrim parasysh se në këtë jetë Kungata Hyjnore është unaza për një komunikim të plotë me Perëndinë në jetën e ardhshme. Është kusht i domosdoshëm për të trashëguar mbretërinë qiellore. Dëshira për marrjen e shpeshtë të Kungatës Hyjnore është rezultat i dashurisë sonë për Krishtin, është rezultat i Dashurisë Hyjnore. Për këtë arsye, pak para se të kungohemi, lutemi e themi: “Më ngazëllove me mallin tënd, o Krisht, dhe më ndryshove me dashurinë tënde hyjnore”.
2. Kontrolli i vetvetes – “prova”
Kur duam të kungohemi, e kemi për detyrë të kontrollojmë vetveten, nëse jemi në gjendje për t’u kunguar. Apostull Pavli porosit në formë të prerë: “Njeriu, pra, le të shqyrtojë veten e tij, e kështu le të hajë nga ajo bukë, edhe le të pijë nga ajo kupë. Se ai që ha e pi padenjësisht, ha e pi dënim për veten e tij, sepse nuk dallon trupin e Zotit” (1 Kor. 11:28-29).
Një kontroll i imët i vetes sonë, në kohë qetësie e pas një lutjeje, do të na tregojë nëse mund të marrim Kungatën Hyjnore. Por, kujdes! Në këtë hetim, në këtë kontroll të vetvetes, nuk duhet të jemi as të rreptë jashtë mase, as tepër të butë. E kemi theksuar dhe herë të tjera se askush nuk është krejtësisht i denjë për t’u kunguar. Kungata Hyjnore nuk është dekoratë për të pamëkatshmit, por përforcim për mëkatarët, për ata mëkatarë që përpiqen për një jetë më shpirtërore. Nuk kungohemi ngaqë jemi të denjë, por që të bëhemi të denjë.
Kontrolli i vetvetes së një njeriu shpirtëror kurrë nuk mund të ketë rezultat pafajësie. Ndërgjegjja jonë, ky hetues i padukshëm, por i drejtë, gjithnjë do të na akuzojë për plot gabime. Besimtari që ka vetënjohje dhe sidomos perëndinjohje, gjithnjë i njeh të metat e tij dhe di ta fajësojë veten. Por, ndryshon një fajësim nga tjetri. Në rast se besimtari e ndien në veten e tij se është fajtor për mëkate të rënda, të cilat përbëjnë pengesë për të marrë Kungatën Hyjnore, atëherë ai nuk kungohet pa u rrëfyer. Të tilla mëkate janë sidomos zemërimet dhe hakmarrjet, mëkatet trupore, sjelljet jokorrekte, që ndodhin edhe ndërmjet besimtarëve orthodhoksë. Është e tepërt të theksojmë se në këtë rast flasim për të krishterë të ndërgjegjshëm, që dëshirojnë të kungohen shpesh dhe jo për ata që kungohen sa për të kaluar radhën, një herë në vit, që pastaj të fillojnë prapë jetën mëkatare.
Pra, nëse besimtari ndien se është fajtor për mëkate “të zakonshme” e “të lehta”, te të cilat mund të bjerë edhe shenjti më i madh “që është me trup e banon në këtë botë”, atëherë ai vendos të kungohet, i ndërgjegjshëm për fajësinë e tij. Shën Nikodhim Agjioriti, në librin e tij “Për marrjen e shpeshtë të Kungatës Hyjnore”, paraqet mendimin e shën Anastasit të Antiokisë, i cili bën dallim ndërmjet mëkateve të zakonshme dhe të rënda: “Nëse kemi rënë në mëkate të vogla, të zakonshme e të lehta, siç janë mëkatet që na kanë shpëtuar nga rrëmbimi, të cilat i kemi kryer me gjuhën, me veshët, me sytë, me fodullëkun tonë, me marrjen nëpër gojë të të tjerëve dhe nga inati, atëherë, pasi të na vijë keq për to, le të marrim pjesë në Misteret e kulluara, me besimin se kungimi me këto Mistere është edhe pastrim nga këto mëkate. Mirëpo, nëse kemi kryer mëkate të rënda, të liga e trupore, si dhe kemi rënë në vese të ndyra dhe ruajmë në zemër urrejtje ndaj të afërmit tonë, atëherë, në asnjë mënyrë, s’duhet t’u afrohemi Mistereve Hyjnore, derisa të pendohemi me të vërtetë”.
Besimtari, që ka bekimin nga ati i tij shpirtëror që të kungohet shpesh, duhet ta kontrollojë ndërgjegjen e tij. Në qoftë se ndërgjegjja nuk e akuzon për faje të rënda, atëherë kalon në fazat e tjera të përgatitjes së tij për të marrë Kungatën Hyjnore. Nuk është e nevojshme që besimtari të rrëfehet para çdo marrjeje të Kungatës Hyjnore, meqenëse ai kungohet rregullisht. Ndërgjegje me pastërti të plotë nuk mund të ketë asnjë njeri. Veç kësaj, le të mos harrojmë që Kungata Hyjnore merret edhe për ndjesë mëkatesh. Besimtari nuk mund të kungohet me Misteret e Kulluara vetëm se ka dëshminë e ndërgjegjes së tij që është i denjë. Diçka e tillë do të tregonte një egoizëm të madh dhe do ta bënte akoma më të padenjë për t’u kunguar. Të gjithë njerëzit janë apriori të padenjë për Kungatën Hyjnore. Besimtari kungohet duke pasur kurajë te mëshira pa kufi dhe te hiri i Zotit që e fton, për të fituar ndjesën e fajeve të tij, që të vijë në bashkim me Shpirtin e Shenjtë, që të shenjtërohet e të forcohet, për të qenë i aftë të vazhdojë luftën e tij brenda në botë, me synimin që të fitojë Mbretërinë e qiejve. Në përgjithësi, ati shpirtëror cakton edhe se kur duhet të kungohemi.
Në qoftë se kontrolli i vetvetes ka parasysh padenjësinë relative, atëherë besimtari përgatitet për t’u kunguar. Dhe kur ndodhet në Liturgjinë Hyjnore dhe është gati t’i afrohet Kupës së Jetës, lutet bashkë me meshtarin e thotë: “Bëna të denjë dhe ne të kungohemi me Misteret e tua qiellore e të frikshme të kësaj Tryeze të Shenjtë dhe shpirtërore, me ndërgjegje të pastër, për ndjesën e mëkateve, për falje të fajeve…”.
3. Rrëfimi
Por, në qoftë se besimtari e ndien veten fajtor për mëkate të tilla, të cilat përbëjnë pengesë për Kungimin Hyjnor, atëherë si kusht kryesor për pjesëmarrjen në Darkën Mistike është kryerja e Misterit të Rrëfimit.
Dhe, ashtu si kur të jepet rasti për të marrë pjesë në ndonjë drekë a darkë të zakonshme, ndien nevojën të lash më parë duart, shumë, shumë më tepër duhet të ndiesh nevojën për të larë shpirtin tënd në banjën e Rrëfimit të Shenjtë, sidomos kur është fjala për të marrë pjesë në tryezën e shenjtë e shpirtërore të ushqimit të Misterit të Eukaristisë Hyjnore. Në vendin e rrëfimit, para petrahilit të atit shpirtëror, besimtari pendohet sinqerisht dhe ndërkohë kryhet pastrimi dhe zbardhja e shpirtit me lotët e nxehtë.
Nevojën e rrëfimit përpara marrjes së Kungatës Hyjnore e ndien çdo besimtar. Para atit shpirtëror ai përsërit fjalët penduese të birit të shthurur të paravolisë “O atë, mëkatova në qiell dhe përpara teje, dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt” (Lluk. 15:21). Me zemër të thyer pohon fajet e tij. Me lot të nxehtë shpreh pendimin e tij dhe dëgjon nga ati shpirtëror fjalët ngushëlluese: “Bir, t’u falën mëkatet e tua” (Mark. 2:5). Gëzimi i tij pas rrëfimit është i madh, sepse ai shpëtoi nga barra e mëkateve dhe iu dha leja nga ati shpirtëror për të marrë pjesë në Kungatën Hyjnore.
Duhet theksuar se Misteri i Rrëfimit në Kishën tonë orthodhokse ka qenë pak i organizuar, për mungesë të kuadrit përkatës, i cili duhet të ketë një përgatitje të thellë e të kujdesshme dhe me përvojë. Për ta kryer këtë mister në dioqeza, Kryepiskopata ka ngarkuar klerikë të cilët kanë një përvojë të gjatë si meshtarë. Ndaj është e nevojshme që edhe ne ta praktikojmë rregullisht Misterin e Rrëfimit, i cili, jo vetëm që është themeluar nga vetë Zoti ynë Jisu Krisht, për ndjesën e mëkateve, por është dhe mjet shumë frytdhënës për përmirësimin e gjendjes sonë morale dhe për formimin e karaktereve të shëndosha të krishtera orthodhokse.
4. Më shumë dashuri për Zotin dhe të afërmin
Kungata Hyjnore është vepër e dashurisë. Nga dashuria, nga dashuria e madhe për ne, Perëndia, në personin e dytë të Hyjnisë, komunikoi me njerëzit. Erdhi në tokë, u bë njeri, “u shoqërua me njerëzit”.Nga dashuria e shumtë Ai bëri fli Veten e Tij për ne. Nga dashuria e shumtë derdhi Gjakun e Tij të nderuar. Nga dashuria e shumtë ua jep Veten “për ngrënie e pirje” besimtarëve, me Misterin e Kungatës Hyjnore. “Perëndia, që është i pasur në përdëllim, për dashurinë e tij të shumtë me të cilën na deshi, edhe duke qenë të vdekur për fajet, na dha neve jetë bashkë me Krishtin” (Efes. 2:4-5). Me Kungatën Hyjnore marrim jetë. Ai, nga dashuria e madhe, komunikoi me njeriun, u bë një me ne. Dhe ne e kemi për detyrë, nga dashuria e madhe, të bëhemi një me Të, të kungohemi me Trupin dhe Gjakun e Tij.
Vajtja jonë te Misteri i Kungatës Hyjnore varet nga dashuria që kemi për Krishtin. Ai që e do shumë Jisu Krishtin, që përmbi çdo tjetër dashuri ka dashurinë për Krishtin, ai ndien mall të bisedojë me Krishtin nëpërmjet lutjes, të dëgjojë me kujdes zërin e Tij nëpërmjet leximit të Shkrimit të Shenjtë dhe të bashkohet shpesh me Të nëpërmjet Kungatës Hyjnore. Një dashuri hyjnore, një dashuri e flaktë për Krishtin, e nxit besimtarin për t’u kunguar shpesh. Po u ftoh kjo dashuri, atëherë shuhet dhe dëshira për Kungimin Hyjnor ose bëhet formale marrja e tij.
Mirëpo, për përgatitjen e shpirtit, që të jetë i denjë për kungim, është e domosdoshme dhe dashuria ndaj njerëzve, e cila është dhe provë e dashurisë ndaj Perëndisë.
Nxënësi i dashurisë, ungjillori Joan, në letrën e tij të parë koordinon të tria llojet e dashurisë: dashurinë e Perëndisë për ne, dashurinë tonë për Perëndinë dhe dashurinë tonë për njerëzit e tjerë. Ai thotë: “Ne e duam atë, sepse ai i pari na deshi. Në thëntë ndonjë se dua Perëndinë, edhe urren vëllanë e tij, është gënje- shtar; sepse ai që s’do të vëllanë, të cilin e ka parë, si mund të dojë Perëndinë të cilin s’e ka parë? Edhe këtë urdhërim e kemi prej tij: Ai që do Perëndinë, të dojë edhe të vëllanë” (1 Jn. 4:19-21).
Krishti në fjalimin e Tij në mal thekson se, para adhurimit dhe dhuratës në kishë, kërkohet që të jemi pajtuar më parë me njerëzit, me të cilët jemi zënë e nuk flasim. Ja si thotë Ai: “Në prufsh, pra, dhuratën tënde në therore, edhe atje kujtohesh, se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre atje dhuratën tënde përpara therores, edhe shko e pajtohu më parë me tët vëlla, edhe atëherë, si të vish, sill dhuratën tënde” (Matth. 5:23-24). Prandaj, dhe në fillim të shërbesës së Kungatës Hyjnore, si kusht kryesor për t’u kunguar kërkohet pajtimi me të gjithë: “Kur dëshiron, o njeri, të kungohesh me Trupin e Zotit, afrohu me frikë, që të mos digjesh, se është zjarr. Kur dëshiron të kungohesh me Gjakun Hyjnor, më parë pajtohu me ata që të kanë hidhëruar, dhe pastaj guxo të hash ushqimin mistik”.
Dhe shën Joan Gojarti thekson se ai që ka armiq dhe i urren, nuk mund t’i afrohet Tryezës së Shenjtë dhe Kupës së Jetës.
“Ja tek po të them dhe protestoj apo bërtas me zë të fortë: Asnjë nga ju të mos i afrohet Tryezës së Shenjtë e të marrë Trupin e Zotit, po pati ndonjë armik. Ke armik? Mos u afro. Ke dëshirë të afrohesh? Shko, pajtohu me armikun tënd dhe pastaj eja t’i afrohesh Misterit” (Patr. Migne 49, fq. 204).
Kungatë Hyjnore do të thotë dashuri dhe ndjesë ndaj të tjerëve. Po ka ndonjë nga ne që thotë: Pse të kërkoj ndjesë? Po sikur tjetri ta marrë këtë për dobësi dhe e shfrytëzon kundër meje? Nuk jam unë fajtori, është ai, dhe ai duhet të më kërkojë ndjesë… Ky mendim, sipas Krishtit, nuk është i drejtë, është pjellë e ego- izmit, e zemërgurësisë dhe na shpie në rrugë të keqe!
E theksojmë edhe një herë: një nga kushtet kryesore të përgatitjes sonë për t’u kunguar është dashuria ndaj të tjerëve. Krishti, të Cilin dëshirojmë ta marrim nëpërmjet Kungatës Hyjnore, është dashuri. Me dashuri, pra, le t’i afrohemi edhe ne. Është mirë madje, që, para se të marrim Kungatën Hyjnore, të kërkojmë ndjesë nga njerëzit e familjes dhe nga njerëzit e rrethit tonë. Është mirë gjithashtu, që fëmijët t’u puthin dorën prindërve, si dhe t’u kërkojnë ndjesë dhe uratën e tyre.
5. Lutje dhe përulësi
Kur besimtari dëshiron që të kungohet të dielën, duhet të ketë kujdes për veten e tij tërë javën. Përgatit shpirtin e tij që të pranojë Zotin. Stolis shpirtin e tij që të pranojë Margaritarin Hyjnor. Tregon kujdes që të mos bëjë diçka që mund ta pengojë nga gëzimi i Kungatës Hyjnore. Lutet përditë me përulësi, që të jetë i denjë për këtë dhuratë kaq të çmuar. Në mënyrë të posaçme, të shtunën mbrëma dhe të dielën në mëngjes lutet më me zemër, që të jetë i denjë për marrjen e Kungatës Hyjnore. Mund të lexojë, po ta ketë, Shërbesën e Kungatës Hyjnore. Kjo shërbesë është përkthyer nga autori dhe gjendet te Libri i Shërbesave të Shenjta të Kishës Ortho- dhokse, fq. 237, botuar në vitin 1994.
“Shërbesa e Përgatitjes për Kungim dhe e Falënderimit pas Kungimit” përbëhet nga katër pjesë:
Pjesa e parë përmban kanonin, i cili fillon me troparin “Bukë e jetës së përjetshme…” dhe mbaron me troparin “Si zjarr dhe si dritë le të më bëhet…”. Këtë kanon e lexojmë të shtunën në darkë, ose në mbrëmjen e çdo të kremteje që dëshirojmë të kungohemi.
Pjesa e dytë përmban tri psalme (22, 23 dhe 115), si dhe dhjetë urata (dy të shën Vasilit, katër të shën Joan Gojartit, dy të shën Joan Damaskinit, një të shën Simeonit, Theologut të Ri, dhe një të shën Simeon Metafrastit). Të gjitha thuhen nga besimtari të dielën në mëngjes, para se të niset për në kishë. Në krye të uratave, theksohet në vargje domosdoshmëria e leximit të tyre: “Para se të kungohesh me theroren e frikshme, të Trupit jetëdhënës të Zotit, lutu me dridhje kështu”.
Në pjesën e tretë gjenden disa nga troparet dhe vargjet, të cilat thuhen në kishë gjatë kryerjes së Liturgjisë Hyjnore, pikërisht në kohën kur afrohet ora për t’u kunguar dhe besimtari ecën drejt Kupës së shpëtimit për të marrë Trupin dhe Gjakun e çmuar. Është momenti kur shpirti i besimtarit ndodhet në kulmin e përmallimit. Shpirti i tij është gati të pranojë “Zotin e të gjithave”. Buzët e tij thonë me dridhje troparin e fundit e më të bukur:
“Në Darkën tënde mistike, o Bir i Perëndisë, merrmë sot pjesëtar, se nuk do t’ua them armiqve të tu misterin, nuk do të të jap të puthur si Juda; por duke të pohuar si kusari thërres: Kujtomë, o Zot, në mbretërinë tënde”. Pjesa e katërt përmban Eukaristinë, domethënë falënderimin pas marrjes së Kungatës Hyjnore. Ky thuhet në kishë, pas mbarimit të Meshës Hyjnore. Ata që u kunguan, nuk duhet të ikin nga kisha pa thënë ose pa dëgjuar Eukaristinë. Siç themi uratat për përgatitjen e Darkës Mistike, ashtu duhet të themi edhe uratat e falënderimit për Darkën Mistike. Shumica nga ne, pikërisht ngaqë nuk e njohin “Shërbesën e Kungimit”, pasi marrin Margaritarin Hyjnor, dhuratën më të lartë, largohen pa e falënderuar Perëndinë dhuratëdhënës. U ngjajnë të nëntë lebrozëve, të cilët, kur u pastruan prej Krishtit, nuk u kthyen për ta falënderuar. Ankesa e Zotit “A nuk u pastruan që të dhjetë? Po nëntë ku janë?” (Lluk. 17:17), na drejtohet edhe neve që kungohemi dhe nuk e falënderojmë. Besimtari që e ndien se çfarë dhurate e madhe është Kungata Hyjnore, qëndron në kishë dhe, me gëzim, ngazëllim e mirënjohje, thotë uratat e falënderimit që kanë në krye këto vargje: “Pasi të kungohesh me dhuratat jetëdhënëse dhe mistike, himno menjëherë dhe falëndero me të madhe Perëndinë, duke thënë me zemër e shpirt këto: Lavdi më Ty, o Perëndi!” (3 herë)
Uratat e falënderimit mund të thuhen edhe në shtëpi, pasi kthehesh nga kisha.
6. Shpresëtari dhe frikë
Stadi i fundit i përgatitjes për Kungatën Hyjnore është frika e Perëndisë dhe shpresëtaria që duhet të ekzistojnë në shpirtin e besimtarit, kur ai shkon për të marrë Kungatën Hyjnore. Meshtari, duke mbajtur Potirin e shenjtë në dorë, i fton besimtarët për t’u kunguar me këto fjalë:
“Me frikë Perëndie, besim e dashuri, afrohuni”. Për besimin dhe dashurinë, si kushte të domosdoshme që i kërkohen njeriut, që dëshiron të kungohet, kemi folur më lart. Tani është nevoja të themi disa gjëra për frikën e Perëndisë, që duhet të ndiejë besimtari në shpirtin e tij. Është fjala për atë frikë të shenjtë që lind nga ndërgjegjësimi i fajësisë, nga momenti i shenjtërimit dhe nga madhështia e Perëndisë, së cilës po i afrohet besimtari. Por duhet të theksohet se është për të ardhur keq për mungesën e respektit me të cilin vijnë për t’u kunguar një pjesë e besimtarëve, sidomos ditët e të kremteve të mëdha. Zhurma, shtyrjet, sjellja jo e rregullt që vihen re në ato ditë të shenjta, shkaktojnë me të vërtetë një gjendje jodinjitoze për momentin e shenjtë të kungimit. Dhe kjo ndodh, sepse në shpirtin e tyre mungon frika e shenjtë.
Shën Joan Gojarti thotë: “Cili, pra, është ky mëkat që bëhet sheshit? Është ai që njerëzit vijnë te Kungata Hyjnore pa frikë e shpresëtari, por me britma e fyerje, me të shtyra e me zhurmë. Pse nxitohesh? Kungata Hyjnore quhet Mister. Dhe atje ku ka Mister, duhet të ketë heshtje. Me heshtje të madhe, me rregull të madh, me shpresëtarinë e duhur, le të afrohemi dhe ne për t’u kunguar. Kështu do të tërheqim dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë, do të pastrojmë shpirtin dhe do të gëzojmë të mirat e përjetshme” (Patr. Migne 49, fq. 370-372).
Dhe po ky atë i shenjtë thotë në një vend tjetër: “Le të qëndrojmë me frikë dhe dridhje të madhe, le të mbajmë me përulësi sytë poshtë, le të ngremë lart shpirtin, le të ndiejmë dhimbje në heshtje, mistikisht dhe le të thërresim nga zemra jonë. Nuk shikoni ata që shkojnë për t’u takuar me ndonjë personalitet të kësaj bote? Qëndrojnë në vend pa lëvizur, as flasin, as vështrojnë andej-këndej, po rrinë seriozë, syulur e me respekt. Aq më mirë duhet të qëndrojmë ne që paraqitemi para Mbretit qiellor, Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht”.