SA HERË DUHET TË KUNGOHEMI

KUNGATA HYJNORE

DHIMITËR BEDULI

Çfarë thonë për këtë çështje:

1. Vetë Zoti,

2. Apostull Pavli,

3. Etërit e Shenjtë dhe mësuesit e Kishës sonë Orthodhokse.

1. Çfarë thotë vetë Zoti

“Unë jam buka e jetës. Etërit tuaj (u thoshte judenjve) hëngrën mannën në shkretëtirë, edhe vdiqën. Kjo është buka që zbret nga qielli, që të hajë ndonjë prej saj dhe të mos vdesë. Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli.
Në ngrëntë njeri prej kësaj buke, do të rrojë për gjithë jetën. Edhe buka që do të jap unë, është mishi im, të cilin unë do ta jap për jetën e botës. Judenjtë, pra, haheshin njëri me tjetrin, duke thënë: Si mund të na japë ky të hamë mishin e tij? Jisui, pra, u tha atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, në mos ngrënshi mishin e Birit të njeriut, edhe në mos pifshi gjakun e tij, s’keni jetë në veten tuaj. Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, edhe unë do ta ngjall në ditën e fundit. Sepse mishi im është me të vërtetë ngrënie, edhe gjaku im është me të vërtetë të pirë. Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet tek unë, edhe unë tek ai. Siç më dërgoi Ati që rron, edhe unë rroj për Atin; edhe ai që më ha mua, do të rrojë edhe ai për mua. Kjo është buka që zbriti nga qielli; jo sikurse etërit tanë hëngrën mannën dhe vdiqën; ai që ha këtë bukë, do të rrojë përjetë” (Jn. 6:48-58).

Dhe përsëri: “Dhe ndërsa ata ishin duke ngrënë, Jisui mori bukën, edhe si e bekoi, e theu, edhe ua dha nxënësve e tha: Merrni hani; ky është trupi im. Edhe mori potirin, edhe si falënderoi, ua dha atyre, duke thënë: Pini prej këtij të gjithë; sepse ky është gjaku im i dhiatës së re, që derdhet për shumë veta për ndjesën e mëkateve” (Matth. 26:26-28; Lluk. 22:19-20).

2 . Çfarë thotë apostull Pavli

Apostull Pavli, duke u shkruar korinthianëve për këtë mister, thotë: “Sepse unë mora prej Zotit atë që edhe jua dhashë, se Zoti Jisu atë natë që u tradhtua, mori bukë, edhe si falënderoi e theu, edhe tha: Merrni hani… këtë bëni në kujtimin tim. Gjithashtu edhe kupën, pasi hëngri darkë, duke thënë: Kjo kupë është dhiata e re në gjakun tim; këtë bëni… sa herë të hani këtë bukë, dhe të pini këtë kupë, rrëfeni vdekjen e Zotit derisa ai të vijë” (1 Kor. 11:23-26).

Dhe apostull Pavli, duke thënë “Sa herë” që do të hani këtë Bukë e do të pini nga kjo Kupë, i jep të drejtën dhe lirinë kujtdo që dëshiron dhe është shumë i gatshëm që të kungohet, duke e çliruar nga çdo kufizim e dallim ditësh. Pra, e lë të lirë të bëhet gati e të vijë për t’u kunguar “sa herë” të dojë, që në të vërtetë, do të thotë “gjithnjë”.

Po kështu, në Veprat e Apostujve lexojmë se të krishterët e Jerusalemit mblidheshin me Apostujt e Shenjtë në krye dhe kryenin Misterin e Eukaristisë Hyjnore e kungoheshin me Misteret e kulluara. “Qëndronin me përkushtim, – thotë shën Llukai, – në mësimin e apostujve dhe në shoqëri dhe në thyerjen e bukës e në lutje” (Vep. Ap. 2:42).

Mirëpo del pyetja: Sa herë në vit kungoheshin? Dhe përgjigjen e gjejmë në vazhdim, në vargun 46, në të cilin thuhet: “Edhe përditë të përkushtuar dhe me një zemër në tempull, thyenin bukë shtëpi më shtëpi dhe hanin me gëzim e me kthjelltësi zemre, duke himnuar Perëndinë e duke pasur hir përpara gjithë popullit” (Vep. Ap. 2:46-47).

Nga sa u fol më sipër, Kungimi Hyjnor i vazhdueshëm nuk është në kundërshtim me mësimin e Krishtit dhe të Apostujve të Shenjtë, sepse, siç e pamë, Apostujt e zbatuan këtë mësim të Krishtit me porosi që morën nga vetë Ai.

3. Çfarë thonë Etërit e Shenjtë

Etërit e Kishës, duke zbatuar hap pas hapi mësimet e Zotit tonë Jisu Krisht dhe të Apostujve të Shenjtë, kryenin vazhdimisht Misterin e Eukaristisë Hyjnore dhe i lejonin të krishterët e përgatitur të kungoheshin shumë herë.

Le të shohim se çfarë thonë ata për këtë problem:

Hierodëshmori shën Klement thotë: “Le të kungohet episkopi, pastaj priftërinjtë, dhjakonët e nëndhjakonët, anagnostët e psaltët, asketët e dhjakoneshat dhe populli, me radhë, me frikë e shpresëtari e pa zhurmë” (Klem. kap. 13).

Filozofi dhe dëshmori Justin (165) thotë: “Ditën e diel (d.m.th. Ditën e Zotit) bëhet mbledhja e të gjithë atyre që banojnë në qytete dhe fshatra dhe lexohet nga kujtimet e Apostujve apo nga Shkrimet e profetëve, aq sa shihet e arsyeshme. Pastaj, si mbaron lexuesi, i pari mban një fjalim këshillimi dhe nxitjeje për të imituar gjërat e mira. Më pas ngrihemi më këmbë të gjithë dhe i drejtojmë Zotit urata. Pasi mbarojmë uratat, sillet bukë, verë dhe ujë dhe i pari i drejton Perëndisë gjithashtu urata e falënderime me sa fuqi që ka, kurse populli i miraton duke thënë: Amin. Nga ato, pastaj i jepet dhe kungohet secili, kurse atyre që nuk janë të pranishëm, u dërgohet me anën e dhjakonëve (Pat., vol. II, fq. 198).

Shën Vasili i Madh (339-370) thotë se i krishteri, duke u ushqyer vazhdimisht me Misteret Hyjnore, ka përfitim dhe dobi të madhe për jetën e tij shpirtërore. “Duhet, – thotë Shën Vasili, – që ai i cili rilindet me anën e Pagëzimit, të ushqehet, pra, edhe me kungimin e Mistereve Hyjnore; është, pra, nevojë që ne të ushqe- hemi me ushqimin e jetës së përjetshme, të cilin na e dha Biri i Perëndisë së gjallë”. Po ky atë, kur u pyet nga Patricia, një pasanike e madhe nga Qesaria, se sa herë duhet kunguar, u përgjigj kështu: “Edhe çdo ditë po të kungohesh dhe të marrësh Trupin dhe Gjakun e Shenjtë të Krishtit, është gjë e mirë dhe e dobishme. Sepse vetë Zoti thotë qartë: “Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme”; sepse kush është ai që dyshon se pjesëmarrja e vazhdueshme në jetë nuk është gjë tjetër veçse të shtosh jetën. Ne, pra, kungohemi katër herë në javë: të dielën, të mërkurën, të premten dhe të shtunën, por edhe në ditët e tjera, në qoftë se bie kujtimi i ndonjë shenjtori” (Migne, vol. 32, Letra 93).

Shën Ambrozi, duke kritikuar ata që nuk kungohen shpesh, thotë për Bukën e Jetës, se Perëndia na e dha këtë Bukë për çdo ditë, kurse ne e bëjmë këtë një herë në vit. Dhe shton: “Duhet të bëjmë një jetë të tillë, sa të jemi në gjendje të kungohemi përditë” (Migne, vol. 19, fq. 678).

Shën Joan Gojarti, duke pasur parasysh Kanonet e hirshme të Apostujve të Shenjtë, në shumë nga fjalimet e tij këshillon të krishterët që të kungohen shpesh.

Duhet t’i studiojmë dhe të thellohemi, sidomos tek ato që ai thekson në Fjalimin e tij të tretë për letrën e Apostull Pavlit drejtuar hebrenjve, ku kritikon jo vetëm ata që kungohen thjesht për hir të zakonit, por edhe ata që marrin pjesë në Liturgji dhe, pa pasur ndonjë arsye të fortë, nuk kungohen.

Për t’i dhënë rast lexuesit, që të gjykojë vetë për kuptimin e lartë të Gojartit, për pjesëmarrjen në Kungatën Hyjnore, po japim të përkthyer një pjesë të atij fjalimi:

“Shoh shumë, të cilët kungohen me Trupin dhe Gjakun e Krishtit, thjesht dhe rastësisht, të nxitur vetëm nga zakoni dhe jo nga një mendim dhe gjykim i drejtë; sepse, edhe në arriftë koha e Kreshmëve të shenjta, secili, cilido qoftë, i denjë apo i padenjë, kungohet. Po kështu, bën edhe kur vjen dita e Theofanisë (e Ujit të Bekuar). Por, meqë, as Theofania e as Kreshmët nuk i bëjnë të denjë njerëzit për t’u kunguar, por të denjë i bën pastërtia e shpirtit, me këtë pastërti lejohesh që në çdo kohë të kungohesh; pa atë nuk të lejohet asnjëherë të kungohesh, sepse Pavli i hyjshëm thotë: “ … sa herë kungoheni, të kujtoni vdekjen dhe pësimet e Zotit”. Gjykoni mirë se çfarë përpikërie përdornin ata që hanin nga theroret e Ligjit të Vjetër, sepse çfarë nuk bënin? Çfarë nuk përdornin? Vazhdimisht pastroheshin. Po ti që dëshiron të marrësh pjesë në një therore të tillë, para së cilës dridhen engjëjt, e kufizon pastërtinë brenda periudhave kohore? Dhe si dëshiron të paraqitesh para Tribunës së Krishtit, kur guxon dhe kungohesh me duar e me buzë të ndyra e të papastra?”. Dhe shton: “Shoh se po bëhet shumë anomali gjatë kungimit, sepse në ditët e tjera të vitit ju nuk kungoheni, megjithëqë shpeshherë jeni të pastër. Por, kur vjen Pashka, edhe sikur të keni kryer ndonjë akt të keq, ju merrni guximin dhe kungoheni. Sa neveri na vjen për këtë zakon të keq dhe për këtë keqkuptim që keni”.

Kungata Hyjnore nuk ka të bëjë me kohë ose periudha të caktuara të vitit. Provë e gjallë është fakti se në kohën e shën Joan Gojartit të krishterët kungoheshin tri ose katër herë në javë. Ja si e shpreh vetë Gojarti këtë: “Pashkën (domethënë Kungatën Hyjnore) e marrim tri, madje dhe katër herë në javë apo, më drejt, sa herë që dëshirojmë. Sepse, Pashka nuk është kreshmë, por është ofrimi dhe therorja që bëhet në kishë përditë. Dhe kjo është e vërtetë, dëgjo Pavlin që thotë: “Sepse Pashka jonë që është Krishti, u bë theror për ne” (1 Kor. 5:7). Kështu që, sa herë kungohesh me ndërgjegje të pastër, merr Pashkën… Marrja e Kungatës nuk vlerësohet nga koha kur merret, por nga ndërgjegjja e pastër, me të cilën merret”.

Dhe vazhdon: “Lavdërojmë ata që kungohen me ndërgjegje të pastër, me zemër të pastër dhe me jetë të panjollë. Sa janë të tillë, le të kungohen përherë, kurse ata që nuk janë të tillë, s’janë të denjë të kungohen as edhe një herë në vit, sepse kungimi do të jetë për ta mëkat e dënim”.

Shën Theodhor Studiti përshkruan dobinë që kemi, duke u kunguar shpesh. “Fuqi të madhe, – thotë ai, – kanë lotët e lutjet, por jo sa kungimi me të Shenjtat… Është dhuratë e pambaruar, sepse Krishti jo vetëm që vdiq për ne, por na dha edhe Vetveten për ushqim. A ka dashuri më të madhe se kjo? A ka shpëtim më të madh për shpirtin tonë?”.

Të tilla këshilla dhe porosi për kungimin e shpeshtë na japin pothuaj të gjithë Etërit dhe mësuesit e Kishës, kanonet e shenjta të Sinodeve Ekumenike, enciklikat patriarkale e sinodike e të tjera.

4. Një zakon i parregullt që duhet mënjanuar

Te ne, në Kishën tonë, ekziston një zakon që nuk është i rregullt, lidhur me kohën kur duhet të kungohemi; ekziston një pikëpamje krejt e gabuar, e cila ka zënë rrënjë në një pjesë të mirë të besimtarëve tanë, sidomos ndër ata të moshës së madhe.

Sipas kësaj pikëpamjeje, të krishterët orthodhoksë paskan për detyrë të kungohen katër herë në vit: ditën e Krishtlindjes, më 25 Dhjetor, ditën e Pashkës së Madhe, ditën e Apostujve të Shenjtë, më 29-30 Qershor dhe ditën e Fjetjes së Shën Marisë më 15 Gusht. Dhe këtë e lidhin me periudhën e Kreshmëve, që Kisha ka caktuar të mbahen para atyre të kremteve, të konsideruara si të vetmet përgatitje për kungim.

Duhet kuptuar qartë e duhet thënë prerë: Kjo pikëpamje është e gabuar, është mbeturinë e kohës së errët të sundimit osman, që erdhi si një zakon i keq për të mënjanuar traditën e vjetër të Kishës, domethënë kungimin e shpeshtë me Trupin dhe Gjakun e Zotit. Errësira, sado tradicionale që të jetë, errësirë është dhe duhet të shpërndahet, të ndriçohet, sepse është e dëmshme, ngaqë i mban njerëzit larg ushqimit hyjnor, larg Kungatës Hyjnore. Dhe ne këtë sqarim e bëmë në kapitujt e parë të këtij studimi të shkurtër.

Paraqitëm në mënyrë të qartë: çfarë na thonë e çfarë na porositin për Kungatën Hyjnore vetë Zoti ynë Jisu Krisht, Apostujt e Tij të Shenjtë e kanonet e tyre apostolike, Etërit e Shenjtë dhe mësuesit e mëdhenj të Kishës. Të gjithë na këshillojnë nevojën e marrjes së shpeshtë të Kungatës Hyjnore. Asnjë prej tyre nuk thotë që i krishteri duhet të kungohet katër herë në vit. Të gjithë thonë dhe porositin se Kungata duhet marrë vazhdimisht, sa herë që bëhet Liturgji Hyjnore, mjafton që besimtari ta ndiejë nevojën për të dhe të bëjë përgatitjen e duhur para se ta marrë.

Për sa i takon çështjes së Kreshmëve, të cilat konsiderohen si kusht i domosdoshëm për marrjen e Kungatës Hyjnore, Kisha jonë Orthodhokse na mëson: Kreshmët janë porosi e Krishtit dhe e Kishës së Tij dhe mjet i domosdoshëm për ushtrimin dhe përparimin shpirtëror të çdo të krishteri. Krishti vetë i karakterizoi kreshmët si armë të forta kundër të ligut (Mark. 9:29).

Dhe shën Joan Gojarti thotë: Kreshmët janë ilaç, po ilaçi, sado i dobishëm që të jetë, shpesh nuk vlen krejt nga mungesa e përvojës së atij që e përdor. Sepse duhet që njeriu të dijë kohën e përdorimit, sasinë e nevojshme, gjendjen e trupit që do ta marrë ilaçin, kushtet klimaterike, dietën që duhet të mbajë, stinën më të përshtatshme të vitit e shumë të tjera, pa të cilat ilaçi nuk sjell asnjë dobi” (Patr. Migne, 49:51-52). Prandaj, Kisha jonë e Shenjtë i ka caktuar periudhat kur i krishteri orthodhoks duhet të mbajë kreshmë. Këto janë:

1. E mërkura dhe e premtja e çdo jave;

2. Kreshmët e Krishtlindjes që fillojnë më 15 nëntor dhe mbarojnë më 24 dhjetor;

3. Kreshmët e Pashkës së Madhe, që fillojnë të Hënën e Bardhë të periudhës së Triodhit dhe mbarojnë të Shtunën e Javës së Madhe;

4. Kreshmët e Apostujve Petro dhe Pavli, të cilat fillojnë të hënën pas së Dielës së Gjithë Shenjtorëve dhe mbarojnë më 28 qershor;

5. Kreshmët e Fjetjes së Hyjlindëses, që fillojnë më 1 gusht dhe mbarojnë më 14 gusht.

Përveç këtyre, Kisha këshillon të mbajmë kreshmë edhe në disa ditë të tjera të vitit, si:

– Më 5 janar, që është vigjilja e Ujit të Bekuar;

– Më 29 Gusht, ditën kur përkujtojmë prerjen e kokës së shën Joan Pagëzorit;

– Më 14 Shtator, ditën që përkujtojmë Lartësimin e Kryqit të Nderuar në Jerusalem.

Kreshmët që u përmendën më lart, të cilat u caktuan nga Kisha që të mbahen para të kremteve të mëdha të Krishterimit, kanë për qëllim kryesor të na përgatisin shpirtërisht, për t’u njohur dhe ndërgjegjësuar me ngjarjet e mëdha që kremtojmë në ato ditë. Ato nuk kanë lidhje me Kungatën Hyjnore, e cila është një synim dhe një nevojë e përhershme për shpirtin tonë.

“Kreshmët duhen mbajtur, – thotë shën Joan Gojarti, – sepse ato zbutin trupin, frenojnë veset e këqija, pastrojnë dhe fuqizojnë shpirtin, e ngrenë lart dhe e lehtësojnë”.

Prandaj, kreshmët duhen mbajtur rregullisht nga çdo i krishterë në periudhat që ka caktuar Kisha, me përjashtim të atyre që janë të sëmurë.

Njëkohësisht, i krishteri orthodhoks duhet edhe të kungohet rregullisht, si gjatë periudhës së kreshmëve, ashtu edhe gjatë kohës kur nuk është kreshmë.

Kungata Hyjnore nuk është e kushtëzuar me kreshmët.