|
|
Kisha jonë Orthodhokse tregon vazhdimisht një përkujdes të veçantë për fëmijët dhe punën që bëhet me ta. Zyra e Fëmijëve organizoi një trajnim të veçantë në ambientin e hirshëm të Manastirit të Shën Vlashit, pranë Durrësit. Ky aktivitet u zhvillua në datat 23-25 Maj. Në të morën pjesë mësuesit e edukimit të krishterë që punojnë në Tiranë, disa katekistë, disa studentë të Akademisë Teologjike, një grup studentësh që frekuentojnë qendrën studentore të Kishës sonë në Tiranë; të rinj orthodhoksë nga Kavaja, Berati, Elbasani e Shtërmeni. |
|
Ky trajnim kishte për qëllim të rriste kapacitetet e edukuesve të krishterë që punojnë me fëmijët. Këtë e tregoi qartë edhe programi i trajnimit. Në program ishin përfshirë 3 sesione me temat: “Tre çelësat për të ndryshuar jetët përmes edukimit fetar”, “Si jeta në komunitet mund të jetë edukuesi fetar parësor”, “Mësimdhënia pa fjalë” të mbajtura nga Pr.Dr. Anthony Vryme. Kush është AnthonyVryme? Ai është Drejtori i Edukimit Fetar në Dioqezën Orthodhokse Greke në Boston të Amerikës; drejtor i Shtypshkronjës “Holy Cross press”; profesor i arsimimit fetar në Holy Cross; me Master në Teologji nga Holy Cross dhe Doktoratën në Arsim dhe Teologji nga Boston College. |
|
|
|
Ndër të tjera ai theksoi se: “…në punën tuaj me fëmijët ju do të keni vështirësi, dështime apo suksese, ju vazhdimisht vazhdoni të jeni edukues të krishterë, jepni mësim; vendosni brenda zemrës suaj të jeni realisht mësues, duke dashur të ndani veten tuaj me fëmijët, pasi kështu ju prekni të ardhmen. Nuk ka qëllim tjetër përveçse t’i bëni fëmijët pjesë të gjallë të komunitetit; t’i ndihmoni të zhvillohen dhe të avancohen në besimin e krishterë orthodhoks. Kështu ju po e transmetoni traditën dhe dogmën e Kishës”.
|
|
Puna në grupe ishte një tregues tjetër dhe nxitës për dialog. Në të u diskutua rreth çelësave kryesorë për të ndryshuar jetë njerëzish. Këta çelësa ishin: informimi, formimi dhe transformimi, ky i fundit është edhe qëllimi i edukimit të krishterë. Në punën në grupe u diskutuan pesë gjërat më të rëndësishme që na bëjnë të krishterë orthodhoksë dhe pse; gjë të cilën grupet e shkruajtën në postera dhe ndanë mendimet e tyre me njëri-tjetrin. Në grupe u diskutua; çfarë duhet të bëjë dhe të dijë një fëmijë rreth Liturgjisë Hyjnore, komunitetit, shërbimeve baritore, dëshmimit. |
|
|
Meditimi, lutjet e ndryshme, koha e lirë dhe ngrënia së bashku e ngjashme me mbledhjen e apostujve, të cilët jo vetëm mblidheshin së bashku, por luteshin e hanin së bashku dhe u bënë dëshmitar nga Jerusalemi deri në skajet e dheut. Gjatë trajnimit, shumë gjëra haseshin për herë të parë dhe kjo kohë së bashku shërbeu si kohë reflektimi, ndarje eksperiencash në punën e bërë me fëmijët, marrje nismash dhe iniciativash të reja, metoda të reja se si mund të edukohen fëmijët nëpërmjet edukimit të krishterë. |
|
|
Në tematikën “A e dini se mësimdhënia me fjalë është për të mbushur mendjen dhe mësimdhënia pa fjalë mbush zemrat”mund të përmendim disa nga metodat e mësimdhënies pa fjalë si p.sh. përmes inteligjencës muzikore (mësimit të këngëve të kampit dhe himneve të kishës); aftësia e përdorimit të trupave (kur përcjellim mësim ose këngë le t’i shoqërojmë edhe me lëvizje fizike pasi duhet të dimë që kur plakemi mund të na humbasim mendimet tona, por trupat tanë mbajnë mend më shumë); inteligjenca artistike (ne mësojmë përmes botës vizuale p.sh ikonat të cilat quhen libra për të gjithë ata që nuk dinë të lexojnë) dhe inteligjenca shpirtërore. Nga intervistat e bëra një nga pjesëmarrëset e këtij aktiviteti nënvizoi këtë thënie: “Nëse doni të hani fruta për një vit mbillni perime; nëse doni të hani fruta për shumë vjet mbillni pemë, por nëse doni të hani fruta përjetësisht mësoni një fëmijë”….. Duhet të jemi mësues që flasim nga zemra, ta përjetojmë besimin, që të bëjmë punën tonë si mësues ku jo vetëm japim por edhe marrim dhe le të lejojmë Perëndinë të bëjë shumëfishimin dhe transformimine jetëve dhe zemrave të fëmijëve. U larguam me ide të reja, të frymëzuar për të punuar më shumë në Vreshtin e Zotit duke kujtuar që jemi instrumente të Perëndisë, jemi laps që shkruajmë në zemrat e fëmijëve ligjin e Tij. Le t’i orientojmë ata drejt Perëndisë ashtu si vetë Zoti tha: “Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek Unë, dhe mos i pengoni, se e tyre është mbretëria e qiejve” (Mattheu 19:14). Ne ndoshta nuk i shohim kurrë rezultatet përfundimtare, por kjo është ajo që dallon mjeshtrin nga punëtori.
|
|
|
Elena Krakulli |
|



