|
|
Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” organizoi takimin e maturantëve, një aktivitet i përvitshëm, duke ftuar të rinj nga enori të ndryshme të Kishës sonë të marrin pjesë në shoqërinë e krishterë, në një ambient mahnitës. Rreth 60 të rinj u bashkuan në këtë takim për t’u njohur më nga afër me jetën e studentëve të Akademisë dhe pse jo me shpresën për tu bërë një ditë edhe ata pjesë e saj. |
|
Aktiviteti u zhvillua në datat 16-18 maj në Manastirin e Hirshëm të Shën Vlashit dhe maturantët morën pjesë në aktivitete të ndryshme si: shërbesat e Kishës, biseda të grup, lojëra, kërcime, ekskursioni në plazh etj. Tema e këtij takimi ishte: “Rinia, dhuratë e jetës” gjatë së cilës u mbajt edhe një referat nga pedagogu i kësaj Akademie, z. Dhimitër Qosja. |
|
|
|
Mirëseardhjen në këtë takim e uroi Ndihmësdrejtori i Akademisë Teologjike, Episkopi i Apolonisë, Hirësi Nikolla. Që në fillim ai iu tha të rinjve se: “Gjatë qëndrimit në mjediset mjaft të bukura të këtij Manastiri do të shihni këtë bukuri të jetës rinore që ju ka dhënë Perëndia. Nëse deri tani keni pasur një vlerësim të tillë le ta përforcojmë akoma më tepër, nëse problemet dhe vështirësitë e moshës e kanë dobësuar këtë qëndrim mbi rininë tuaj, le ta përtërijmë duke marrë fuqi dhe jetë nga Hiri i Perëndisë, i cili na lind dhe na rinon vazhdimisht”. |
|
Episkop Nikolla tha në vazhdim se: “Perëndia na ka sjellë në tokë jo për të qenë të lumtur, por për të luftuar për të gjetur lumturinë. Përballë dilemave të moshës tuaj, Kisha ofron besimin në Zotin e dashurisë. Ky besim nuk i vyshk zemrat tuaja, përkundrazi i sheh me syrin e vërtetësisë. Nuk e privon lirinë tuaj, por e drejton atë te lumturia e vërtetë. Vetëm nën dritën e besimit do të kuptojmë rininë si një dhuratë jete të Perëndisë”. |
|
|
|
E shtuna, dita e dytë e këtij takimi, ishte e mbushur me aktivitete të larmishme, ku vendin kryesor e kishin lutjet e përbashkëta, bisedat në grup, e më pas vizita në ambientet e Akademisë. Shfaqja e një dokumentari të ri, ku përshkruhet me pamje filmike jeta studentore e kësaj Akademie, la mbresa të këndshme te maturantët, të cilët ndoqën edhe prezantimin e shkollës të përgatitur me përkushtim nga studentët. |
|
Më pas, ata zhvilluan një ekskursion në plazhin e Durrësit (në fshatin Rrushkull) dhe në Kopshtin Zoologjik në Tiranë, duke kaluar një kohë të këndshme me lojëra argëtuese.
|
|
|
|
Maturantët morën mesazhe të rëndësishme edhe prej referatit të z. Dhimitër Qosja se si mund të përgatiten dhe të përballojnë edhe momente zhgënjimi që mund të dalin gjatë jetës, të vlerësojnë mësimet dhe shoqërinë shkollore si një energji që po e grumbullojnë tani, duke e përdorur tani si dhe gjatë gjithë jetës së tyre. |
|
Në fund të këtij takimi, në shoqërinë e këngëve të krishtera dhe këngëve popullore, ata drekuan së bashku e më pas u larguan në familjet e tyre, duke kaluar një përvojë të veçantë në ambientet e Manastirit dhe të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”.
|
|
|
Nestilda Dangaj |
|






