Më 17 maj 2026, Mitropoliti i Beratit, Hirësi Asti, si përfaqësues i Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, imzot Joanit merr pjesë në kremtimet me rastin e Fronëzimit të Patriarkut Katholik të të Gjithë Gjeorgjisë, Shio III, i shoqëruar nga kleriku atë Gori Ndreko. Fortlumturia e Tij, Shio III, drejtoi Liturgjinë e tij të parë si Patriark i Kishës Apostolike të Gjeorgjisë në Katedralen Patriarkale të Trinisë së Shenjtë në Tbilisi. Së bashku me besimtarët e shumtë, në Liturgjinë Hyjnore morën pjesë delegacione të ftuara nga Patriarkana e Kostandinopojës, Aleksandrisë, Antiokisë, Jerusalemit, Rusisë, Serbisë, Bullgarisë; dhe nga Kisha Autoqefale e Greqisë, Shqipërisë, Polonisë dhe Çekisë.
Në Liturgjinë Hyjnore ishin të pranishëm edhe autoritetet e larta të vendit si Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, Kryetari i Bashkisë, si edhe Përfaqësues të Trupit Diplomatik dhe të Pushtetit Legjislativ e Ekzekutiv.
Kjo ditë përkoi edhe me Ditën e Shenjtërisë të Familjes, e vendosur në vitin 2014 nga Patriarku Katholik i Gjithë Gjeorgjisë, Fortlumturia e Tij i ndjerë Ilia II dhe kremtohet çdo vit me nderim të veçantë nga populli gjeorgjian.
Në fund të Liturgjisë Hyjnore solemne mbajtën fjalën e rastit Patriarku Shio III personalitetet e larta të vendit dhe përfaqësueit e delegacioneve të ardhura. Ceremonia madhështore u mbyll me Dhoksologjinë e Madhe që u mbajt në sheshin përpara katedrales.
