Pagëzimi

    Praktikimi i Pagëzimit si simbol fetar nuk filloi me Jisuin. Pagëzimi, që literalisht do të thotë zhytje në ujë (Baptismos), praktikohej nga populli i Dhiatës së Vjetër, si dhe nga popuj që i përkisnin besimeve pagane. Kuptimi universal i pagëzimit është ai i “fillimit të ri”, i vdekjes së një mënyre të vjetër jetese dhe i lindjes përsëri, në një mënyrë të re jete. Prandaj, Pagëzimi është i lidhur gjithmonë me Pendimin, që do të thotë një kthim moral, një “ndryshim i mendjes”, një ndryshim në jetimin prej diçkaje të vjetër dhe të keqe, në një diçka të re dhe të mirë.

    Prandaj, në Ungjill Joan Pagëzori i pagëzon njerëzit si një shenjë pendimi, për përgatitjen për Mbretërinë e Perëndisë, që po vinte tek njerëzit me Krishtin Mesian. Vetë Krishti u pagëzua nga Joani, jo sepse ishte mëkatar dhe kishte nevojë për pagëzim, por sepse, duke e lejuar veten të pagëzohej ai tregoi që me të vërtetë ishte “Biri i Dashur” i Perëndisë, Shpëtimtari dhe Mesia, “Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës” (Shih Mattheu 3; Marku 1; Lluka 3; Joani 1-3).

    Në Kishën e krishterë praktika e Pagëzimit merr një kuptim të ri dhe të veçantë. Ai nuk mbetet thjesht një shenjë e ndryshimit moral dhe e rilindjes shpirtërore. Por, ai bëhet një akt i vërtetë i vdekjes dhe ngjalljes së personit në dhe me Krishtin. Pagëzimi i krishterë është pjesëmarrja e njeriut në ngjarjen e Pashkës. Ai është një “lindje e re nga uji dhe nga Fryma e Shenjtë” në Mbretërinë e Perëndisë (Joani 3:5). Pagëzimi në Kishë fillon me mohimin e Satanait dhe me pranimin e Krishtit. Para se të pagëzohet një person – ose nuni për atë – pohon zyrtarisht simbolin e besës së krishterë, Besoren. Meqenëse nuni flet në emër të foshnjes, ai e shoqëron hyrjen e tij në Kishë dhe e “pret” foshnjen kur del nga uji i pagëzimit dhe kujdeset për jetën e tij shpirtërore. Nuni duhet të jetë një anëtar i Kishës.

    Mbas pohimit të besës, mbi ujin e pagëzimit bëhen lutje dhe ai bekohet, si shenjë e mirësisë së krijimit të Perëndisë. Gjithashtu, edhe mbi personin që do të pagëzohet bëhen lutje dhe ai, gjithashtu, bekohet me vaj të shenjtëruar, si shenjë që krijimi i tij nga Perëndia është i shenjtë dhe i mirë. Pastaj, mbas shpalljes solemne të “aliluia” (Perëndia qoftë i lavdëruar), personi zhytet tri herë në ujë, në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë.

    Nëpërmjet aktit të zhytjes, personi i pagëzuar vdes për këtë botë dhe lind përsëri në ngjalljen e Krishtit, në jetën e amëshuar. Ai vishet me “rroben e shpëtimit”, simbolizuar nga rroba e bardhë e Pagëzimit, që është “njerishmëria e re” e vetë Jisuit, i cili është Adami i ri dhe qiellor (Shih Joani 3, Romanët 5, 1 Korinthianët 15). Prandaj, fjalët e Apostull Pavlit këndohen tri herë, kur i porsapagëzuari udhëhiqet në procesionin rreth kolumvithrës, si simbol i hyrjes së tij në jetën e amëshuar: “Sa u pagëzuat me Krishtin, me Krishtin u veshët. Aliluia” (Galatianët 3:27).

    Në kohët e vjetra, ky procesion bëhej prej pagëzimores në Kishë, ku i porsapagëzuari merrte Kungatën e Shenjtë në Meshën Hyjnore. Normalisht, Pagëzimi ishte i lidhur me Meshën e Pashkës; procesioni ynë i sotëm rreth Kishës, në natën e Pashkës, nuk është gjë tjetër përveçse kujtimi që ne jemi pagëzuar, që ne kemi lënë jetën e kësaj bote, për të hyrë në jetën e amëshuar të Krishtit të Ngjallur, në Mbretërinë e Perëndisë. Kjo jetë e re na është dhënë në jetën e Kishës, kryesisht në Meshën Hyjnore. Para procesionit pagëzimor dhe këndimit të Apostullit dhe Ungjillit dhe para plotësimit me marrjen e Kungatës së Shenjtë, të porsapagëzuarit i jepet dhurata e Shpirtit të Shenjtë në misterin e Mirosjes.