Periudha para Kreshmës

 

      Periudha paskale e Kishës paraprihet nga periudha e Kreshmës së Madhe, e cila gjithashtu paraprihet nga një përgatitje liturgjike. Shenja e parë e afrimit të Kreshmës së Madhe vjen pesë javë më përpara se ajo të fillojë. Në këtë të Dielë këndimi i Ungjillit flet për Zakeun, taksambledhësin. Ai na tregon se si Krishti solli shpëtimin tek ky njeri mëkatar dhe se si jeta e tij u ndryshua rrënjësisht, vetëm sepse ai “kërkoi të shikonte se kush ishte Jisui” (Lluka 19:3). Dëshira dhe përpjekja për të parë Jisuin fillon tërë lëvizjen, nëpër kreshmën drejt Pashkës. Kjo është lëvizja e parë e shpëtimit.

     E Diela pasuese është ajo e Publikanit dhe Fariseut. Në të flitet për dy njerëz që shkuan të luten në Tempull, njëri një farise, i cili ishte një ndjekës i porosive fetare dhe tjetri një taksambledhës mëkatar, i cili vidhte popullin. I pari, ndonëse i drejtë, u mburr para Perëndisë dhe për këtë, sipas Krishtit, u dënua. I dyti, ndonëse mëkatar, kërkoi mëshirë, u mëshirua dhe u drejtësua nga Perëndia (Lluka 18:9). Vetëm pendimi mund të na shpëtojë dhe jo mburrja për drejtësinë tonë, madje edhe kur ne mendojmë se me të vërtetë jemi të drejtë e fetarë. Ne jemi thirrur të shohim vetveten ashtu siç jemi realisht, nën dritën e mësimit të Krishtit dhe të lypim mëshirë.

    Të Dielën tjetër, në përgatitjen për Kreshmën e Madhe, është e Diela e Djalit Plangprishës. Duke dëgjuar parabolën e Krishtit rreth faljes plot dashuri të Perëndisë, ne, gjithashtu, jemi thirrur të “vijmë në vete”, siç bëri djali plangprishës, të shohim veten tonë sikur jemi “në një vend të largët”, larg prej shtëpisë së Atit dhe të kthehemi tek Perëndia. Neve na është dhënë siguria nga Zoti, se Ati do të na presë me gëzim dhe me ngazëllim. Duhet vetëm “të ngrihemi e të shkojmë”, duke rrëfyer largimin tonë mëkatar prej asaj “shtëpie”, të cilës ne i përkasim me të vërtetë (Lluka 15:11-24).

   E Diela tjetër quhet e Diela e të Lidhurave, meqenëse kjo është e Diela fundit kur mund të hahet mishi; ditën tjetër fillon Kreshma. Në këtë të Dielë kujtohet parabola e Gjyqit të Fundit (Mattheu 25:31-46). Ne kujtohemi në këtë ditë se nuk është e mjaftueshme për ne të shohim Jisuin, të shohim veten tonë sikurse jemi dhe të kthehemi në “shtëpi” tek Perëndia, siç bëri djali plangprishës. Ne duhet gjithashtu të jemi bijtë e tij, duke parë Krishtin në çdo njeri dhe duke i shërbyer Krishtit nëpërmjet atyre. Shpëtimi ynë dhe gjyqi i fundit do të varet nga veprat tona dhe jo vetëm thjesht nga qëllimet tona apo vetëm nga mëshira e Perëndisë, e zbrazur nga bashkëpunimi dhe bindja jonë personale.…sepse pata uri dhe më dhatë të ha; pata etje e më dhatë të pi; i huaj qeshë edhe më morët në shtëpi; isha i zhveshur dhe më veshët; isha i sëmurë dhe erdhët të më shihni; isha në burg dhe erdhët tek unë. Me të vërtetë po u them juve, sado që i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua (Mattheu 25)Ne nuk jemi shpëtuar vetëm nga lutja dhe agjërimi, as vetëm nga “ushtrimet fetare”. Ne jemi shpëtuar duke i shërbyer Krishtit, nëpërmjet popullit të tij. Drejt këtij qëllimi është drejtuar e tërë devotshmëria, lutja dhe agjërimi.

    Së fundi, në vigjiljen e Kreshmës së Madhe, të Dielën e Bardhë ose të Dielën e Faljes, ne kujtojmë përzënien e Adamit nga Parajsa. Ne e identifikojmë vetveten me Adamin, duke qarë për humbjen e bukurisë, dinjitetit dhe dëfrimit të Parajsës dhe duke vajtuar për prishjen tonë në mëkat. Gjithashtu, ne dëgjojmë këtë të Dielë mësimin e Zotit rreth agjërimit dhe faljes dhe hyjmë në periudhën e Kreshmës, duke falur njëri-tjetrin, që edhe Perëndia të na falë ne. Sepse nëse ju, ua falni njerëzve fajet e tyre, Ati juaj qiellor do t’iu falë juve; por nëse ju nuk ua falni njerëzve fajet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’iu falë juve fajet tuaja (Mattheu 6:14-18).