Kremtojmë Pendikostinë,
zbritjen e Shpirtit të Shenjtë,
mbajtjen e premtimit
dhe përmbushjen e shpresës.
Oh, sa i madh ky mister!
Sa i madh, aq edhe i nderuar!
Prandaj po të thërresim:
O Zot, Krijues i Gjithësisë,
lavdi më ty.

Kisha jonë e vendos këtë himn të mrekullueshëm si portë për të kremten e Pendikostisë. Me këtë himn përmbledh misterin “e madh dhe të nderuar”, për të cilin kremton: përmbushjen e shpresës, mbajtjen e premtimit, zbritjen e Shpirtit të Shenjtë, sepse, në të vërtetë, ngjarja që po kremtohet, zbritja e Shpirtit të Shenjtë mbi apostujt e Krishtit, është përmbushja dhe kurorëzimi i të gjithë veprës së shpëtimit. E tërë vepra e Krishtit, domethënë ardhja, mësimdhënia, pësimi, ngjallja, ngjitja në qiej, synonin këtë gjë: zbritjen e Shpirtit të Shenjtë në botë, krijimin e ri. Për këtë arsye, tropari i mësipërm dhe të gjitha troparet e të kremtes së Pendikostisë i thurin himne Krijuesit të Gjithësisë, Atit, i cili, me anë të Fjalës, Birit të tij të dashur, dhe në Shpirtin e Shenjtë, krijon botën, por krijon dhe trajtëson rishtazi edhe krijesën duke e bërë të re, duke e ripërtërirë.

Kësisoj, kjo ditë bën bashkë kujtimin e ditëlindjes së botës së re dhe kujtimin e ditëlindjes së botës së vjetër, pra lindjen natyrore dhe lindjen mbinatyrore. Për lindjen e botës së vjetër na flasin rreshtat e parë të librit të parë të Biblës: “Toka ishte e padukshme dhe pa trajtë. Errësira mbulonte humnerën dhe fryma e Perëndisë endej mbi ujin. Atëherë Perëndia tha: «Le të bëhet drita!». Dhe drita u bë. Perëndia pa që drita ishte e mirë” (Zan. 1:2-4). Edhe në lindjen e dytë ndodh e njëjta gjë. Mbi materien pa trajtë të paganëve dhe mbi errësirën e mashtrimit endej Fryma e Perëndisë “si një erë e fortë” (Vep. 2:2). Fjala e tij ripërtërin krijimin e vjetruar. “Partët, medët, elamitët, banorët e Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit, të Azisë, të Frigjisë, të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë, që i përkasin Kirenës, të ardhurit nga Roma, judenjtë dhe të kthyerit në besimin e judenjve, kretasit dhe arabët” (Vep. 2:9-11) janë “humnera e re”, lindja e diasporës, e rikrijimit dhe e ritrajtësimit të botës. Mbi ta tanimë endet Fryma e Perëndisë dhe Fjala e Perëndisë i fton të gjithë të jenë në një mendje, të jenë në unitet me Shpirtin e Shenjtë, të jenë në dritë. “Ai që ka thënë: Le të ndriçojë drita në errësirë” (2 Kor. 4:6) i fton të kthehen “nga errësira në dritë” (Vep. 26:18), të bëhen “dritë në Zotin” (Efes. 5:8). Dhe ftesa u bëhet nëpërmjet gjuhëve si prej zjarri të Shpirtit të Shenjtë, që zbritën mbi apostujt: “Ata panë disa gjuhë si prej zjarri, të ndara nga njëra-tjera, e mbi secilin prej tyre zbriste nga një gjuhë zjarri” (Vep. 2:3). Gjuha, që u bë simbol dhe shkak i ndarjes, tani bëhet simbol i bashkimit, i bashkimit të popullit të ri të Perëndisë në Shpirtin e Shenjtë. Përurimi në Shpirtin e Shenjtë simbolizohet tashmë nga përtëritja e gjuhëve. Tanimë, misteri i shpëtimit të përjetshëm shpallet nëpërmjet Krishtit në Shpirtin e Shenjtë. Këtë thekson edhe vargëzimi i dytë i thirrtoreve të Mbrëmësores së Pendikostisë, i cili psalet në tingullin e dytë:

Me gjuhë të huaja
i përtërite Dishepujt e tu, o Krisht,
që përmes tyre të të predikonin ty,
Fjalën dhe Perëndinë e pavdekshëm,
që u fal shpirtrave tanë përdëllimin e madh.

Pra, në të kremten e Pendikostisë, populli i Perëndisë, Kisha, kremton lindjen e saj. Kremton ditëlindjen e saj dhe misterin e vetë jetës së saj, sepse Kisha e Krishtit nuk e jetoi misterin e Pendikostisë vetëm për pak çaste në atë vit të bekuar dhe në atë ditë historike ku nxënësit e tij “u mbushën me Shpirtin e Shenjtë”, por Kisha e jeton Pendikostinë vazhdimisht, çdo ditë, në çdo çast, që nga ajo kohë e deri në fund të botës, sepse Shpirti i Shenjtë vërtet erdhi atë ditë, por që nga ajo ditë ai qëndron dhe do të qëndrojë gjithmonë në botë, që t’i japë trajtë Kishës. Shpirti i Shenjtë dhe Kisha janë pandashmërisht të bashkuar. Shpirti i Shenjtë është shpirti, jeta, qenia e Kishës, e jetës së re në Shpirtin e Shenjtë. Shpirtit të Shenjtë i atribuohet uniteti, shenjtëria dhe katholiciteti i Kishës. Nga Shpirti i Shenjtë burojnë dhuntitë, besimi dhe teologjia e Kishës. Kisha e ndien “erën e fortë” dhe freskinë “si gjuhë prej zjarri” të Shpirtit të Shenjtë në çdo hap, në çdo shfaqje, në çdo lëvizje të saj. Nga Shpirti i Shenjtë burojnë energjitë mbinatyrore të mistereve, të cilat japin jetë, ushqejnë dhe shenjtërojnë trupin e Kishës. Kështu teologon edhe himnografi i vargëzimit të tretë të thirrtoreve të Mbrëmësores:

Të gjitha i jep Shpirti i Shenjtë:
buron profeci,
përsos priftërinj,
të paditurve u jep dituri,
peshkatarët i dëften teologë,
dhe i jep trajtë tërësisë së Kishës.
O Ngushëllimtar
i bashkëqenëshëm dhe i bashkëfronshëm
me Atin dhe me Birin,
lavdi më Ty.

E kremtja e përvitshme e Pendikostisë na shpie si në Pendikostinë historike, ashtu edhe në Pendikostinë e vazhdueshme, të cilën Kisha e jeton çdo ditë. Ne do të ftohemi të gjunjëzohemi në oborret e Zotit, t’i përulemi fuqisë së tij të pamposhtur, të lavdërojmë Trininë e shenjtë, që ndriçon dhe shenjtëron shpirtrat tanë. Dhe në këtë qëndrim të përulur, të gjunjëzuar e me krye përkulur, të pranojmë hirin e Ngushëllimtarit, të përtërijmë dhe të mbajmë ndezur flakën e Shpirtit të Shenjtë, të bëhemi të vetëdijshëm për vendin që zëmë në Kishë, si gjymtyrë të saj dhe si tempuj të Shpirtit të Shenjtë, si tempuj dhe enë të pastra të Ngushëllimtarit, ku çdo mendim të na diktohet nga Shpirti i urtësisë, çdo veprim nga Shpirti i mençurisë, nga Shpirti i mirë, i drejtë, jolëndor, udhëheqës, nga Shpirti që na pastron nga paudhësitë, nga Shpirti i Shenjtë, Zot, jetëbërës dhe hyjnor, që hyjnizon njerëzit, që përmes hirit të tij na shndërron në “perëndi sipas hirit”.

Këtë ngjarje mbinatyrore të zbritjes së Ngushëllimtarit e përshkruajnë edhe tri troparet e mrekullueshme të lavdërimeve të së kremtes dhe të Mbrëmësores së tingullit të katërt, të cilat do t’i dëgjojmë. Ato i thurin lavde Shpirtit të Shenjtë dhe përmes tyre, si edhe nëpërmjet lavdisë së lavdërimeve, që psalet në tingullin e dytë, kërkojmë hirin e Shpirtit të Shenjtë:

Gjëra të çuditshme
panë sot tërë kombet në qytetin e Davidit,
kur zbriti Shpirti i Shenjtë
në trajtë gjuhësh prej zjarri,
siç ka thënë hyjfolësi Luka.
Se thotë: Ndërsa dishepujt e Krishtit
ishin mbledhur bashkë,
u dëgjua një oshtimë, si të frynte erë e fortë,
dhe mbushi shtëpinë ku po qëndronin;
Dhe të gjithë nisën të flisnin
gjuhë të padëgjuara, doktrina të padëgjuara,
mësime të padëgjuara, rreth Trinisë së Shenjtë.

Shpirti i Shenjtë
ka qenë përherë, është dhe do të jetë.
Nuk ka as fillim, as fund,
por gjithmonë rreshtohet dhe gjendet
përkrah Atit dhe Birit.
Ai është jetë dhe jetëdhënës,
dritë dhe dritëdhënës,
i mirë nga vetja dhe burim mirësie,
përmes tij njihet Ati
dhe lavdërohet Biri.
Me anë të tij njihet prej të gjithëve
e vetmja fuqi, i vetmi uniteti,
dhe i vetmi adhurim i Trinisë së Shenjtë.

Shpirti i Shenjtë
është dritë dhe jetë, dhe burim i gjallë jolëndor.
Është Shpirt urtësie, Shpirt mençurie,
i mirë, i drejtë, jolëndor,
zotërues, spastrues i mëkateve,
Perëndi dhe hyjnizues,
zjarr që buron prej zjarrit,
që flet, që vepron
dhe që ndan dhuratat.
Me anë të tij u kurorëzuan
të gjithë profetët, apostujt
dhe dëshmorët e Perëndisë.
Oh, ç’lajm i çuditshëm, ç’pamje e çuditshme,
zjarr që përhapet për të ndarë dhurata.

O Mbret qiellor,
Ngushëllimtar, Shpirt i së vërtetës,
që ndodhesh kudo dhe i mbush të gjitha,
thesar i të mirave dhe dhurues jete,
eja dhe qëndro në ne
dhe pastrona nga çdo njollë
dhe shpëtoi, o i Mirë, shpirtrat tanë.

 

Ιωάννου Μ. Φουντούλη, Λογική Λατρεία,
Εκδόσεις Αποστολικής Διακονίας
Shqip: Stefan Zhupa