Të Dielën e shtatë pas Pashkës Kisha kremton kujtimin e 318 Etërve hyjprurës të Sinodit I Ekumenik, mbajtur në Nikea. Siç dihet, ky Sinod i madh, që u thirr nga perandori i parë i krishterë, Konstandini, në Nikea të Bitinisë, në maj të vitit 325, dënoi herezinë e Ariosit dhe e shpalli Krishtin Perëndi, të njëqenshëm me Atin. Në shumë dorëshkrime lexojmë se kujtimi i Etërve të këtij Sinodi kremtohej në 29 maj. Kremtimi i kujtimit të tyre të Dielën e shtatë pas Pashkës, me sa duket, është fryt i zakonit, tanimë të njohur edhe nga disa raste të tjera, të Kishës së Madhe të Krishtit për t’i zhvendosur të kremtet e shenjtorëve të mëdhenj kremtues të dielave. E Diela e shtatë pas Pashkës nuk kishte ndonjë tematikë të veçantë kremtuese dhe u parapëlqye që kujtimi i Etërve të zhvendosej në këtë të diel, gjë që u pa si diçka mjaft e përshtatshme dhe plotësuese.

Të Dielën e shtatë pas Pashkës, së bashku me troparet ngjallësore të shërbesës së zakonshme të së dielës, do të dëgjojmë edhe tropare të tjerë paskremtues të së kremtes së Ngjitjes së Zotit në Qiej, që u kremtua të enjten e javës paraardhëse, si edhe tropare parakremtuese të së kremtes së Pendikostisë, që do ta kremtojmë në mënyrë panegjirike pas tetë ditësh. Kësisoj, të dielën, e cila bie ndërmjet këtyre dy të kremteve të mëdha, do t’i thurim himne Ngjalljes, Ngjitjes e Krishtit në Qiej, Pendikostisë dhe Etërve të Sinodit I Ekumenik, pra të gjithave të kremteve së bashku. Pavarësisht temave që në vështrim të parë duket sikur nuk përputhen me njëra-tjetrën, në shërbesën e kësaj dite vërehet një lloj harmonie, e cila krijohet nga ndryshimet dhe kontrastet e temave të veçanta. Madje, nëse e shohim këtë harmoni në kontekstin e të gjithë periudhës së Pesëdhjetores, atëherë do të vërejmë se me ç’gjykim të kthjellët i ka caktuar rregulluesi i kalendarit tonë kremtues këto të kremte që pasojnë njëra-tjetrën. Në të vërtetë, falë tematikës së kësaj të diele bëhet i mundur krijimi i një stacioni që shërben për të kaluar nga njëra e kremte te tjetra, nga Ngjitja  e Zotit në Qiej te Pendikostia. Ndër të tjera, nëpërmjet kujtimit të Etërve të Sinodit të Nikesë theksohet besnikëria e Kishës ndaj mësimdhënies së vërtetë dhe të saktë, siç e dëgjoi nga goja e Zotit dhe siç e pa të skalitur në të gjithë veprimtarinë shpëtimtare të Krishtit. Këtë gjë thekson edhe sinaksari i së Dielës së Etërve të shenjtë. “Këtë të kremte e kremtojmë për këtë arsye: Meqenëse Zoti Jisu Krisht u mishërua, ai vuri në jetë planin e plotë hyjnor për të shpëtuar njeriun dhe më pas u rikthye pranë fronit atëror. Duke qenë se shenjtorët deshën të nxirrnin në pah që Biri i Perëndisë vërtet u bë njeri dhe, si Njeri dhe Perëndi i përsosur, u ngjit në qiej dhe u ul në të djathtë të Atit, duke qenë se ky Sinod i Etërve të shenjtë predikoi të njëjtën gjë dhe e shpalli atë të njëqenshëm dhe të barabartë me Atin, atëherë, për këtë arsye, pas të kremtes së lavdëruar të Ngjitjes së Zotit në Qiej, u caktua kjo e kremte, në mënyrë që bashkësia e këtyre Etërve të na nxitë ta shpallim atë Perëndi të vërtetë dhe njeri të përsosur, i cili u ngjit në qiejt me trup”. Në Kishën e Shën Sofisë, në Konstandinopojë, në shekullin X – XI, përveç Etërve të Sinodit I Ekumenik, këtë të diel kujtonin edhe Etërit e gjashtë Sinodeve të tjera Ekumenike, me shumë gjasë, po për të njëjtën arsye: që të mbronin unitetin e mësimdhënies së Kishës si vazhdimësi e mësimdhënies së Ungjijve. Tek lavdia e Litisë së shërbesës së sotme hasim shenja të qarta të kremtimit të të gjithë Etërve të të shtatë Sinodeve në një të kremte të përbashkët. Në këtë lavdi, përveç Ariosit, përmendet edhe Maqedoni, Nestori, Eutiku, Sabeli dhe Seviri, mësimdhënia e të cilëve u dënua nga Sinodet pasardhëse Ekumenike. Mirëpo, përfundimisht, kjo e kremte ruajti vetëm tematikën e saj fillestare, domethënë të kremtimit të 318 Etërve të Sinodit I Ekumenik.

Në vazhdim, nga i tërë materiali liturgjik i kësaj të diele, do të shqyrtojmë vetëm dy leximet biblike të Mbrëmësores dhe dy leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore. Dy leximet e para janë marrë nga Dhiata e Vjetër. Këto lexime janë të rëndësishme, sepse ngjarjet që përmenden atje Kisha i ka parë si gjedhe të Etërve dhe të rolit të tyre në jetën e Kishës. Në leximin e parë, shkëputur nga Zanafilla 14:4-20, përshkruhet fitorja e mahnitshme e Abrahamit. Duke qenë kreu i “318 familjeve”, ai shpartalloi shtatë mbretër fqinj dhe çliroi robërit. Për këtë fitore, ai u bekua nga mbreti i Salemit, Melkisedeku. Edhe Etërit e Sinodit I Ekumenik, të cilët ishin 318 vetë, njëlloj sa shërbëtorët e Abrahamit, pra një ushtri e hyjshme, shpartalluan armiqtë e Krishtit me shpirtin e tyre luftarak. Shkatërruan herezinë dhe çliruan besimtarët e mashtruar prej saj. Në leximin e dytë, shkëputur nga Ligji i Përtërirë 1:9-17, Moisiu tregon se si zgjodhi ndërmjet popullit “burra të urtë, të zgjuar dhe të dijshëm” dhe se si i vuri në krye si prijës dhe mbikëqyrës të popullit. Ata burra ishin gjedhe e Etërve të shenjtë të Sinodit I Ekumenik, të cilët Zoti i vuri në krye si barinj të Kishës. Asokohe, ata vepruan sipas frymës së Moisiut, ndërsa Etërve të Sinodit Shpirti i Shenjtë u ndau dhuntinë e urtisë dhe të gjykimit të drejtë të çdo çështjeje të dyshimtë që shfaqej në Kishë. Ky gjykim buronte prej Perëndisë.

Dy leximet e tjera biblike, të cilat lexohen në Liturgjinë Hyjnore, na shpien nga hija dhe imazhi i Dhiatës së Vjetër tek e vërteta e Dhiatës së Re. Leximi i parë është shkëputur nga Veprat e Apostujve, ndërsa leximi i dytë nga Ungjilli sipas Joanit, duke ndjekur rendin e leximeve biblike të periudhës së Pesëdhjetores. Pavli thërret pleqtë e Kishës së Efesit që të vijnë në Milet, përmes të cilit do të kalonte për të shkuar në Jerusalem. Arsyet e thirrjes së tyre në Milet ishin profetike, se kishin të bënin me të ardhmen e Kishës dhe me përgjegjësinë e barinjve për të mbrojtur grigjën e Krishtit. Të njëjtat arsye zgjuan tek Etërit e shenjtë dëshirën e zjarrtë për t’u kujdesur pareshtur për besimin e drejtë dhe për unitetin e Kishës së Krishtit: “Ruajeni veten tuaj dhe tërë grigjën, mbi të cilën Shpirti i Shenjtë ju ka vënë mbikëqyrës, që të kujdeseni për kishën e Perëndisë, të cilën ai e bleu me gjakun e vet. E di se, pasi të jem larguar, do të hyjnë mes jush ujq grabitqarë, që nuk do ta kursejnë grigjën. Madje, edhe prej jush do të dalin njerëz që do t’ju mësojnë gjëra të gënjeshtërta për t’i tërhequr dishepujt pas vetes. Prandaj, rrini zgjuar… E tani po ju lë në dorë të Perëndisë dhe në fjalën e hirit të tij…” (Vep. 20:16-18, 26-26). Së fundmi, pjesa e shkëputur nga Ungjilli sipas Joanit 17:1-13, pjesë e shkëputur nga lutja kryepriftërore e Krishtit, e paraqet Zotin teksa lutet për nxënësit dhe për Kishën e tij; për nxënësit që Ati ia kishte dhënë, të cilët do të vazhdonin të qëndronin në botë edhe pasi ai të largohej. Ata kanë nevojë për mbrojtjen e Atit, që t’i qëndrojnë besnikë Perëndisë, që të jenë “një”, ashtu siç është edhe Biri me Atin, që të jenë dëshmi e vërtetë e Perëndisë në botë. Krishti i mbrojti. Humbi vetëm njëri, i biri i humbjes. Gjatë jetës së Kishës u shfaqën shumë “bij të humbjes”, por Etërit e shenjtë i qëndruan besnikë Perëndisë dhe e ruajtën unitetin e besimit të Kishës.

Pra, ne u thurim lavde korit të hyjnderuar të Etërve të shenjtë, të cilët u mblodhën nga çdo skaj i tokës dhe formuluan doktrinën lidhur me marrëdhënien e Krishtit me Atin, rreth të qenit i “njëqenshëm” me Atin. Me pak fjalë, formuluan dhe shprehën besimin e saktë të Kishës. Nga troparet e së kremtes, shkëpusim troparin karakteristik, lavdinë e lavdërimeve, në tingullin tërthor të të katërtit, i cili është shumë i njohur për kompozimin dhe për vijën e tij melodike:

Kori i Etërve të shenjtë,
të mbledhur nga çdo saj i tokës,
shpallën një qenësi dhe një natyrë të njëjtë
të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë,
dhe i lanë qartazi Kishës
misterin e teologjisë.
Duke u thurur himne me besim,
i lumërojmë duke thënë:
O bashkësi e hyjshme,
o ushtarë hyjfolës të ushtrisë së Zotit,
o yje fort të ndritshme të kupës qiellore jolëndore,
o kulla të patundshme të Sionit mistik,
o lule erëkëndshme të Parajsës,
o gojë fort të arta të Fjalës,
o krenaria e Nikeas,
dhe ngazëllimi i botës,
ndërmjetoni pareshtur
për shpirtrat tanë.

Ιωάννου Μ. Φουντούλη, Λογική Λατρεία,
Εκδόσεις Αποστολικής Διακονίας
Shqip: Stefan Zhupa