+VENIAMINI, me mëshirë të Perëndisë,

Kryepiskop i Konstandinopojës, Romës së Redhe Patrik Ekumenik

   Nr. 609 i prot.

 

   Kisha e Shenjtë e Krishtit, si një nënë e dhembshur, duke shfaqur hapur përkujdesjen dhe interesimin e saj të pandërprerë kundrejt popullit të shpresëtarëve, nuk rresht së zbatuari detyrën e kujdesimit të shenjtë çdo herë me mënyrën e përshtatshme sipas kohës dhe vendit. Kur është e nevojshme, blaton dhuratat e saj më të begata për plotësimin e nevojave që dalin, në mënyrë që administrimi i punëve kishtare të bëhet për ta pa pengesa dhe frytshmëria më Zotin, e cila është padyshim qëllimi i kujdesimit dhe i drejtimit kishtar, të jetë më e madhe.

   Kështu pra edhe tani, meqenëse të krishterët shpresëtarë orthodhoksë të të bekuarit prej Perëndisë Shtet të ri Shqiptar iu drejtuan Fronit tonë të Shenjtë Apostolik Patrikanor dhe Ekumenik, nën strehën e fuqishme të të cilit, si trashëgimi e vyer, prej shekujsh kanë gjetur mbrojtje e, me hirin e Krishtit, në vreshtin e Tij kanë gjetur shpëtim, morën guximin t’i drejtohen Atij, si një nëne të dhembshur, duke parashtruar nevojat e tyre të tanishme kishtare, me urimin e ngrohtë dhe kërkesën që zona e tyre kishtare të bekohet dhe të shpallet provincë kishtare më vete, e pavarur, autoqefale, përderisa në kushtet e reja të situatës së atjeshme politike vetëm ky organizim mund të ndikojë për mirë në mbarëvajtjen dhe zhvillimin e punëve kishtare dhe të jetë i mjaftë të sigurojë e të përçojë përparimin e pandërprerë të tyre në përparimin në tërësi të Shtetit të bekuar Shqiptar. Vetë Shteti i perëndimbrojtur Shqiptar, duke u kujdesur në mënyrë të besueshme për mbarëvajtjen pa pengesa e të lirë të nënshtetasve të vet, ka ofruar garanci për mëvetësinë dhe lirinë e plotë të Kishës Orthodhokse, e cila gjendet brenda kufijve të tij. Prandaj dhe modestia jonë, së bashku me fort të nderuarit dhe të shenjtët Mitropolitë dhe fort të ndershmit bashkëmeshtarë dhe vëllezër më Shpirtin e Shenjtë, duke shqyrtuar me interesim plot dashuri kërkesën e tyre birësore dhe me udhërrëfyes dispozitat e kanoneve të shenjta dhe rendin e praktikën kishtare, vendosëm të pranojmë me dashamirësi kërkesën që na drejtuan bijtë tanë shpirtërorë të Krishterë Orthodhoksë të Shqipërisë dhe të japim nga ana jonë bekimin dhe miratimin për organizimin e pavarur dhe autoqefal të punëve të tyre kishtare.

   Duke gjykuar pra edhe sinodikisht më Shpirtin e Shenjtë, urdhërojmë dhe shpallim në këto çaste të hareshme që të gjitha eparkitë dhe komunitetet orthodhokse që përfshihen në të perëndishpëtuarin Shtet Shqiptar të jenë këtej e tutje të bashkuara në një organizim të pavarur e autoqefal kishtar me emërtimin “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë”. Kjo Kishë, e cila është motra jonë shpirtërore, të rregullojë e të administrojë këtej e tutje çështjet e saj kishtare në mënyrë të pavarur e autoqefale sipas rendit dhe të drejtave sovrane edhe të Kishave të tjera Orthodhokse Autoqefale, të ketë dhe të njohë si autoritet suprem administrativ kishtar Sinodin e Shenjtë, të përbërë prej Kryepriftërinjve orthodhoksë kanonikë të Shqipërisë, me Kryetar të tij çdo herë Fort të Hirëshmin Kryepiskopin e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Për zbatimin e unitetit të shenjtë kanonik me Fronin tonë fort të Shenjtë Apostolik Patrikanor Ekumenik dhe me të gjitha Kishat Orthodhokse Autoqefale, si dhe për ta dëshmuar këtë, Hirësia e Tij Kryepiskopi i çdohershëm i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë ka për detyrë që, sipas rendit të Kishës së Shenjtë Orthodhokse, të njoftojë për zgjedhjen dhe hipjen e tij në fron nëpërmjet Letrave fronëzuese edhe Kishën tonë të Madhe të Krishtit, edhe të gjitha Kishat Orthodhokse Autoqefale motra. Po ashtu duhet të bëjë për këtë qëllim homologjinë dhe premtimin e parashikuar në lidhje me zbatimin e padevijueshëm të besimit dhe shpresëtarisë orthodhokse prej Kishës së Shenjtë që drejton dhe që i është besuar, dhe të gjithçkaje tjetër që Kanonet e Shenjta e Hyjnore dhe rendi i Kishës së Shenjtë Orthodhokse urdhërojnë, si dhe të kujtojë sipas rendit në diptikë emrin e Patrikut Ekumenik dhe të Patrikëve të tjerë fort të shenjtë dhe të Kryetarëve Fort të Hirshëm të Kishave të Shenjta Orthodhokse Autoqefale. Urdhërojmë gjithashtu që edhe Kisha Orthodhokse Autoqefale motër e Shqipërisë të marrë Miron e Shenjtë prej Kishës sonë të Madhe të Krishtit.

   Po ashtu, rekomandojmë që, për çështje apo paqartësi të një natyre të përgjithshme kishtare, të cilat i kapërcejnë caqet e juridiksionit të Kishave Autoqefale në veçanti, Hirësia e Tij Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë t’i drejtohet Fronit tonë fort të Shenjtë Ekumenik, nëpërmjet të cilit realizohet kungimi me çdo Episkopatë të orthodhoksëve, shpjegues të drejtë të së vërtetës, duke kërkuar në këtë mënyrë mendimin dhe opinionin e vlefshëm të Kishave motra.

   Duke gjykuar pra në këtë mënyrë, gjë që pasqyrohet edhe në ato çka vendosëm dhe miratuam në mbledhjen e rregullt sinodike të 12 prillit të këtij viti, vërtetojmë për të gjitha kohët edhe nëpërmjet këtij Tomosi Patrikanor e Sinodik të shkruar e të nënshkruar në Kodikun e Kishës sonë të Madhe të Krishtit, i cili i është lëshuar dhe dërguar njëkohësisht me përmbajtje të njëjtë e të pandryshuar edhe Hirësisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, vëllait tonë të dashur dhe bashkëmeshtartit, zotit Kristofor, Kryetar i Sinodit të Shenjtë të Kishës së Shenjtë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Urojmë që Perëndia, me hirin dhe mëshirën e të parit dhe të Madhit Kryeprift e Bariut Krisht, të mbështesë gjithmonë të themeluarën me sukses Kishë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të shtojë e të përçojë drejt saj hirin dhe bekimin e Tij për lavdi të emrit të Tij të Shenjtë e në dobi të tërësisë shpresëtare të saj, si dhe në të njëjtën kohë për ngazëllimin e të gjitha Kishave të shenjta Autoqefale motra.

 

Në vitin shpëtimtar 1937, muaji prill (12), Epimenezi V.

Shprehet

Patriku i Konstandinopojës † VENIAMIN

† Maksimi i Halkidhonës,

† Polikarpi i Prusës,

† Gjermanoi i Sardës dhe Pisidhisë,

† Leoni i Theodhorupolit,

† Meleti i Kristupolit,

† Gjermanoi i Enit,

† Ioakimi i Dherkës,

† Thomai i Pringjiponezit,

† Genadi i Iliupolit,

† Konstandini i Irinupolit,

† Dhorotheu i Laodhikisë.

Përktheu: Pirro Kondili