Muzika kishtare bizantine në Shqipëri

 


shkruar nga Atë Spiro Kostoli,
Pedagog i Muzikës Kishtare Bizantine dhe i Historisë së saj
në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” Shën Vlash, Durrës.

 

   Shqipëria dhe shqiptarët, gjatë rrjedhës së gjatë të shekujve kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës jo vetëm të vendit tonë, por edhe të rajonit e më gjerë. Ky kontribut ka qenë në shumë fusha një prej të cilave edhe muzika kishtare bizantine. Historia e saj në vendin tonë është e lidhur ngushtë me të qenurit e Shqipërisë pjesë e perandorisë bizantine për afro 1000 vjet. Në këtë mënyrë, kjo perandori ka lënë gjurmë të thella në këtë vend sidomos në art, si: në arkitekturë, me ndërtesat madhështore të kultit; në pikturë, me pikturën murale dhe ikonografike; në gdhendjen e drurit, me ikonostaset, fronet e amvonet; në muzikën kishtare etj. Vendi ynë është plot me monumente e vepra të tilla arti, në të cilat spikat dora dhe mendja e mjeshtërve dhe e artistëve vendas.[1]

   Gjithashtu hapësira shqiptare është një vatër e rëndësishme që ka trashëguar dorëshkrime të pasura kishtare, ku disa prej tyre përbëjnë edhe monumente të vyera në shkallë botërore.[2] Këta kodikë të dorëshkruar, përbëjnë një pasuri të çmuar të kulturës së vendit tonë, ku mes tyre një pjesë të veçantë zënë edhe dorëshkrimet e muzikës kishtare bizantine, të cilat i përkasin periudhave të ndryshme të zhvillimit të saj dhe dëshmojnë përdorimin dhe kultivimin e muzikës bizantine në viset e Shqipërisë së sotme.

   Sot në Arkivin Qendror Shtetëror, përveç kodikëve me shenja ekfonike ruhen edhe 5 kodikë me muzikë bizantine, të cilët edhe pse të pakët në numër kanë një rëndësi të madhe për muzikologët, sepse janë burimet e para të shkruara muzikore në vendin tonë të njohura deri më sot. Më i hershmi mes tyre është Kodiku i Përmetit nr. 81, i cili është shkruar në pergamen dhe i takon shek. XII. Pas tij në radhë kronologjike vjen Kodiku i Beratit nr. 23, i cili është shkruar në letër në vitin 1292 nga Mihal Slavopuli dhe i përket periudhës kukuzeliane, d.m.th. periudhës gjatë së cilës jetoi dhe veproi një prej personaliteteve më të shquara të muzikës bizantine, Joan Kukuzeli nga Durrësi. Tre kodikët e tjerë muzikorë i përkasin periudhave më të vonshme dhe përfshijnë një hapësirë kohore dyshekullore. Konkretisht, ata janë Kodiku i Korçës nr. 72 që i takon vitit 1736, Kodiku i Elbasanit nr. 87 që daton më 1806 dhe Kodiku i Tiranës nr. 95 që i përket vitit 1895.[3]

   Jo vetëm historia e muzikës bizantine në Shqipëri, por edhe ajo mbarëbotërore lidhet ngushtë me personin e Shën Joan Kukuzelit nga Durrësi, i cili pas Shën Joan Damaskinit konsiderohet si burimi i dytë i muzikës kishtare bizantine. Me veprat e tij “Teoria rreth artit muzikor”, “Iso e madhe e papadikës” dhe “Troho e madhe e muzikës” si edhe krijime me këngë kishtare, ai krijoi një periudhë të re, e cila quhet periudha kukuzeliane.

    Si dëshmi e ruajtjes dhe kultivimit të muzikës kishtare bizantine në Shqipëri janë edhe shumë emra këngëtarësh, të cilët në gjuhën e Kishës quhen “psaltë”. Në vendin tonë vazhdimësia e mësimit dhe e praktikimit të kësaj muzike është arritur nëpërmjet dy mënyrave.

   Forma e parë ёshtё praktika me anë të veshit, që organizohej prej protopsaltit ose ndryshe psaltit të parë të kishës, nё formë kursi për përgatitjen e psaltëve të ardhshëm si me anë të praktikës, ashtu edhe nga ana teorike me njohuritë më elementare të muzikës bizantine. Këto lloj kursesh u bёnё tradicionale për transmetimin e të psalurit nga një brez nё tjetrin me nuancat e karakterin e vendit ku vepronin. Shkolla të tilla kanë ekzistuar në Korçë, Elbasan, Durrës, Kavajë, Berat e gjetiu. Në fillim të shek. XIX është përgatitur dhe reforma e re e thjeshtimit të sistemit grafik të muzikës bizantine nga Arkimandrit Krisanthi, mitropolit i mëvonshëm i Durrësit, i cili bashkë me dy studiues të tjerë të kësaj muzike Hurmuz hartofilaksin dhe Grigor protopsaltin quhen mësuesit e mëdhenj të metodës së re të muzikës kishtare bizantine.[4]

   Forma e dytë e mësimit ka qenë ajo e mësimit të detyruar të teorisë së kësaj muzike nëpër shkollat e kohës, veçanërisht nga ata që përgatiteshin për mësues. Gjatë kohës së sundimit otoman, mësuesit meqë dinin shkrim e këndim kryenin edhe detyrën e psaltit, prandaj shpesh herë psaltët i thërrisnin edhe “dhaskal”. Në manastire kopjoheshin tekstet muzikore, të cilat më pas shpërndaheshin nëpër kishat e fshatrave dhe përdoreshin nga psaltër-mësuesit.

   Pra, nëpërmjet këtyre formave dhe sidomos të formës së parë, që është edhe më e vjetra në vendin tonë, është siguruar një vazhdimësi e njohjes së muzikës bizantine dhe e të psalurit nëpër kisha. Është siguruar kuadri përkatës i protopsaltëve që e praktikonin këtë muzikë, si edhe një pjesë e mirë e teksteve muzikore në dorëshkrim, që siç u tha gjenden nëpër kisha e manastire. Në këto dorëshkrime ka edhe pjesë himnesh të kompozuara nga vetë protopsaltët me nuanca të karakterit vendas, duke u dhënë një bukuri dhe hijeshi melodisë tradicionale bizantine. Për të ilustruar ç’ka thashë më sipër dua të përmend disa nga këto personalitete që e ruajtën dhe e zhvilluan këtë muzikë në Shqipëri. Që nga gjysma e parë e shek. XIX në Elbasan ishte një protopsalt shumë i dëgjuar, Vladimir Gjini, njohës shumë i mirë dhe ekzekutues i saj me një frymë të lirë. Fama e tij kishte mbërritur deri në Konstandinopojë. Ai kishte korrespondencë të rregullt me protopsaltin e Kishës së madhe të Patriarkanës dhe herë pas here i dërgonte për vlerësim pjesë origjinale të kompozuara prej tij. Melizmat (pjesët muzikore) e tij ishin pëlqyer dhe vlerësuar kaq shumë saqë e ftuan të bëhej anëtar i korit të Patriarkanës, madje dhe protopsalt i saj, por Vladimir Gjini nuk pranoi, duke qëndruar në Elbasan deri në fund të jetës së tij, ku la shumë nxënës që vazhduan traditën e tij.[5]

   Udhëtimit përgjatë historisë së pasur të muzikës bizantine nё Shqipëri i erdhi radha tё ndalojë tek një personalitet i madh, i cili përbën një stacion shumë të rëndësishëm për lëvrimin dhe zhvillimin e kësaj muzike në gjuhën shqipe.[6] Ky është Imzot Theofan S. Noli. Duke përkthyer e botuar tekstet liturgjike më të domosdoshme që përdoreshin nё Kishë, ai njëkohësisht kontribuoi nё vendosjen një herë e mirë të gjuhës shqipe nё adhurimin e Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Kështu në kohë rekord ai përkthen e boton: më 1908 “Shёrbesёn e Javёs sё Madhe”, më 1909 “Librin e Shёrbesave tё shenjta tё Kishës Orthodhokse”, qё pёrmban shёrbesat e Mbrёmësores, tё Mёngjesores, Liturgjinё e Shёn Joan Gojartit me përgatitjet për të, shёrbesat e Pagёzimit, tё Martesёs, tё Prehjes pёr tё vdekurit, Bekimin e ujit, disa himne nga Oktoihu (Tetëtingulli) dhe Zbritёsoret e vitit, mё 1911 “Librin e tё Kremteve tё mёdha tё Kishёs Orthodhokse”, mё 1913 “Triodin e vogёl”, mё 1914 “Lutjesoren” dhe “Pesёdhjetoren e vogёl”. Siç del nga vetё pёrmbajtja e librave liturgjikë tё përkthyer, Noli ishte jo vetëm një njohës i përkryer i greqishtes së vjetër, por edhe i teorisë dhe i praktikës së muzikës bizantine, pasi në përkthimin e të ashtuquajturave prosomiapërshembëllta, ai në mënyrë të mahnitshme ruan ritmin, metrin dhe muzikalitetin e vargjeve poetike kishtare.

   Në kultivimin dhe zhvillimin e kësaj muzike një rol të rëndësishëm luajti dhe Seminari Kombёtar Orthodhoks “Apostull Pavli” në Tiranë, i cili kishte si lёndё të detyrueshme mësimin e kёngёs kishtare. Këtu një kontribut shumë të veçantë ka dhënë teologu, shkrimtari, muzikanti, pёrshtatёsi nё shqip nё nota bizantine i disa tropareve dhe psalti i njohur, Dhimitër Beduli, i cili midis tё tjerave ka qenë dhe pedagog i Muzikёs Bizantine nё këtë Seminar. Ai, mё 1934 ngriti zyrtarisht korin e Seminarit. Veç këtij kori ai ngriti kore tё ngjashme dhe nё qytete tё tjera si nё Pogradec (1936), Durrёs (1938) etj.[7] Vlen për tё theksuar se pjesëtarët e këtyre koreve u bёnё ura e vazhdimit të tё kënduarit të muzikës bizantine nё Shqipёri.

   Viti 1967 përbën një moment tragjik jo vetëm për Kishën Orthodhokse, por për të gjitha komunitetet fetare në Shqipëri. Me mbylljen e kishave pati një ndërprerje edhe të praktikimit të kësaj muzike. Nё kёtё periudhë bashkë me shkatërrimin e kishave, u dogjën edhe shumë libra, midis tё cilëve dhe libra tё muzikёs kishtare bizantine të shkruar nё shqip.

   Me rihapjen e kishave dhe riorganizimit tё saj pas viteve 1990, si gjithçka tjetër, librat liturgjikë e muzikorë pothuajse ishin zhdukur krejtësisht. Ata që përpiqeshin të ndihmonin në të psalur gjatë shërbesave të shenjta, duke qenë në moshë të madhe u kishte mbetur vetëm jehona e të psalurës tradicionale dhe e kënduara e tyre ngjasonte më tepër me këngët popullore sesa me tingullin e pastër të muzikës bizantine. Këtu, duhet bërë një ndërhyrje e vogël për të theksuar se kёngёt tona popullore, sidomos ato të Shqipërisë së Mesme dhe asaj të Jugut, për dikë që njeh muzikёn bizantine, ёshtё e lehtё t’i klasifikojё nё grupin e tetёtingullshit bizantin.

   Me fronëzimin, si Kryepiskop i Tiranёs, Durrësit dhe gjithё Shqipёrisё, të Fortlumturisë sё tij, Prof. Dr. Anastasit, në vendin tonë filloi një epokë e re ku iu dha një rëndësi shumë e madhe edhe rizgjimit e kultivimit të traditës së bukur të muzikës bizantine.

   Me hapjen e Akademisë Teologjike, në vitin 1992, bashkë me pedagogët e teologjisë erdhën nga Mali i Shenjtё Atë Parashqevai, Atë Damaskini dhe Atë Tihoni. Këta praktikues tё shkёlqyer tё muzikёs, për kohën që qëndruan në Shqipëri, mёsonin studentёt e Seminarit Teologjik dhe ngritёn kore fёmijёsh nё qytetin e Durrёsit dhe tё Kavajёs me formën praktike të veshit, duke i mësuar fëmijët që të psalnin meshën në gjuhën tonë shqipe.

   Një nga synimet dhe dëshirat kryesore të Kryepiskopit Anastas për ringritjen e Kishës në Shqipëri ishte edhe përgatitja e një stafi pedagogjik për mësimdhënien në Akademinë Teologjike të përbërë nga shqiptarë. Në këtë kuadër studentët me rezultatet më të mira të Akademisë, u dërguan pёr studime jashtë vendit. Midis tyre, u dërguan edhe studentë të talentuar për të studiuar në mënyrë profesionale muzikën kishtare bizantine.

   Ai, që më pas, mund të themi me siguri, se hodhi themelet për mësimin e saktë në teori dhe praktikë të muzikës bizantine në Shqipëri është Arkimandrit Justin Anthimiadhi. Ky misionar, murg nga Mali i Shenjtё, zotёrues i thellë i muzikёs bizantine, bir psalti dhe psalt qё prej fёmijёrisё tё tij, ngriti shkollёn e parë lokale në Shqipëri, pranë katedrales së Tiranёs, pёr mёsimin teorik dhe praktik me nota tё muzikёs bizantine. Gjithashtu, prej tij u dha lënda e muzikёs bizantine, si lёndё tё detyruar nё programin mësimor të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”. Ai ka pёrshtatur nё shqip me nota bizantine tekstet më të domosdoshme të shërbesave fetare. Edhe melizmat (pjesët muzikore), që po paraqesim sot përpara jush, janë përshtatur në shqip prej tij. Me një projekt shumë serioz ka nxjerrë në dritë të përkthyer për herë të parë në shqip një nga librat më të rëndësishëm liturgjik Mineon-Mujoret për muajt Shtator-Tetor-Nëntor dhe po punon për botimin e të gjithë ciklit vjetor etj. Prej tij u organizua dhe kori i parё zyrtar i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë me emrin “Shёn Joan Kukuzeli”.

   Një punë të admirueshme po bëjnë edhe pedagogët e muzikës bizantine në Akademinë Teologjike, duke qenë në fazën përfundimtare të korrektimit të Liturgjisë Hyjnore në të tetë tingujt e muzikës dhe gjithashtu i Anastasimatarit të plotë, si në ritmin e shpejtë të të psalurit atë irmologjik, ashtu edhe në atë më të ngadaltë stihirarik (vargëzor), të Dhoksastarit të periudhës së Triodhit e të Pendikostarit etj.

   Pasuria e vyer e traditës sonë tashmë ka rilulëzuar dhe po kultivohet në vendin tonë. Po ashtu, mund të pohojmë me përgjegjësi e modesti se edhe ne, brezi i ri, që jemi diplomuar në këtë fushë, po vazhdojmë me zell dhe këmbëngulje në zhvillimin e mëtejshëm të artit të muzikës bizantine në vend, në përshtatjen e teksteve liturgjike me nota, në kultivimin dhe mësimin e saj, duke vazhduar kështu të jetë pjesë e gjallë e një tradite shumëshekullore.

   Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nën drejtimin plot frymëzim dhe vizion për të ardhmen të Kryepiskopit të saj, Fortlumturisë së tij, Prof. Dr. Anastasit, bashkë me ringritjen e saj në të gjitha hallkat, ka kontribuar edhe në ringjalljen dhe zhvillimin e muzikës kishtare bizantine, si një element shumë i rëndësishëm për ngritjen e shpirtrave të besimtarëve drejt Perëndisë por, njëkohësisht edhe pjesë e çmuar dhe e lashtë e kulturës së popullit tonë.

   Duhet theksuar se vendi ynë ka shumë thesare të çmuara kulturore, që na stolisin dhe njëkohësisht e rendisin atdheun dhe popullin tonë, në listën e atyre që kanë dhënë kontributin e tyre të rëndësishëm si për zhvillimin e kulturës sonë kombëtare ashtu edhe të asaj botërore.

————-

  Ky referat u mbajt në veprimtarinë kulturore “Mbrëmësore Bizantine”, pranë kishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, 7 qershor 2010, me rastin e mbylljes së ekspozitës “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri”, që u hap në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Tiranë. 

  Ky referat u botua në gazetën “Ngjallja”, qershor 2010.

[1] Dh. Beduli, Muzika Bizantine nё Shqipёri.

[2] Shaban Sinani, Kodikёt e Shqipёrisё në “Kujtesën e Botës”, bot. Naimi, Tiranë, 2011.

[3] A. Rëmbeci, S. Çunga, Dorëshkrime bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri, katalog i ekspozitës, bot. FGK, Tiranë 2010; Sh. Sinani, Kodikёt e Shqipёrisё në “Kujtesën e Botës”, bot. Naimi, Tiranë, 2011.

[4] Διαμαντή Σ. Μαυραγάνη, Σύντομη ιστορία Εκκλησιαστικής Βυζαντινής Μουσικής.

[5] Dh. Beduli, Muzika Bizantine nё Shqipёri.

[6] Kontributi i Imzot Nolit nё përkthimin e teksteve litugjikale, “Ngjallja”, mars, 1995.

[7] Kristofor Beduli, Mbi muzikёn dhe koret nё Kishёn tonё Orthodhokse, “Tempulli” (revistë periodike kulturore), nr. 11, Korçë, 2005.