Një vështrim i shkurtër historik mbi muzikën dhe koret në Kishën tonë Orthodhokse

 

Shkruar nga Kristofor Beduli

 

   Në disa kisha, të dielave apo të kremteve, shohim të këndojnë gjatë Meshës Hyjnore kore kishtare. I dëgjon, të pëlqen melodia e këndimeve të tyre, përqendrohesh tek muzika, sepse “të shijon”, ndërkohë me vëmendje kap dhe fjalët e lutjeve dhe mendon: Sa të bukura e melodioze janë këto himne apo lutje, sa e ëmbël është kjo muzikë, sa qetësuese. Kjo muzikë të tërheq, të bën për vete, të bën të jepesh i tëri pas lutjes, të bëhesh pjesë e saj. E pra, shihet qartë se tingujt harmonikë ushtrojnë një rol të madh në shprestarinë e besimtarit, e tërheqin atë për të dëgjuar himnet dhe lutjet fetare.

   Ndodhem (si dhe shumë të tjerë) në këtë gjendje shpesh, kur dëgjoj këndimet nga kori i Kishës së Ungjillëzimit në Tiranë, i drejtuar nga Artisti i Merituar z. Milto Vako; nga kori bizantin i drejtuar nga Arkimandrit Justini; nga kori i Radios “Ngjallja” (i quajtur dhe i rinisë apo i Kishës së Shën Prokopit të Tiranës) i drejtuar nga zj. Joli Nano. Tri kore kishtare, që kënaqin me këndimet e tyre besimtarët orthodhoksë në Tiranë.

   Po, kjo gjë vihet re edhe në Korçë, ku ekzistojnë përsëri tri kore: ai i Kishës së Mitropolisë i drejtuar nga z. Dhimitër Kondakçi, i Kishës së Shën Athanasit i drejtuar nga z. Vani Trako dhe kori i Katedrales i drejtuar nga znj. Mira Mançka. E pra, tradita vazhdon, si në Tiranë edhe në Korçë.

   Përpjekje për të ngritur kore kishtare janë bërë dhe në qytete të tjera, por nuk është arritur shumë, madje një pjesë dhe kur janë ngritur nuk kanë pasur vazhdimësi.

   Duhet thënë se muzika kishtare ka qenë pjesë përbërëse e pandarë e besimit orthodhoks. Ajo ka shoqëruar pa ndërprerje, gjatë shekujsh, lutësin në të gjitha ceremonitë fetare. Në Kishën tonë Orthodhokse nuk ka ekzistuar kurrë ndonjëherë muzikë instrumentale, por vetëm muzikë omofone psaltike dhe më vonë muzikë polifonike korale.

   Kjo muzikë është e një tradite shumë të vjetër. Pa dyshim vjen dhe nga Bizanti, në të cilin sigurisht duket se kishte ardhur prej visesh të tjera, porse vetëm aty, në kryeqytetin e tij, por edhe në Malin e Shenjtë (Athos) mori formën përfundimtare, atë që e ruajti shekuj të tërë[1] dhe që e dëgjojmë sot.

   Në kultin e çdo feje, që nga ato më të vjetrat e primitivet e deri në këto të kohës sonë, himnet fetare janë thënë gjithnjë me muzikë, sepse “qe provuar se vetëm në këtë mënyrë mund të bënin efektin e dëshiruar në shpirtrat e njerëzve”. Të gjithë popujt e vjetër u faleshin dhe madhështonin perënditë e tyre me muzikë korale ose instrumentale. Po kështu falej edhe Profeti David, me këngë dhe duke u shoqëruar prej zërave harmonikë të “veglës muzikore” të tij. Ky zakon, që ishte i lidhur ngushtë me të falurit, u trashëgua edhe prej të krishterëve. Që në fillimet e formimit të Kishës, të krishterët e parë i këndonin së bashku pjesët e Meshës. Dhe me të drejtë, Etërit e Shenjtë e kanë pranuar këtë zakon, sepse e dinin ndikimin që ushtron arti në shpirtrat, po ashtu edhe ndihmesën që jep ai në lëmin fetar. Ata e dinin sesa e lartëson shpirtin ky art, që arrin dhe e shpie në kontakt me vlerat më të larta njerëzore. Ky pra, ishte qëllimi i vënies së muzikës në Kishë, dhe ky qëllim është përkrahur vazhdimisht, aq më tepër kur himnet këndohen bukur (madje prej zërave të ëmbël të fëmijëve).

   Duket sikur nuk dihet mirë se si vepron mbi shpirtin muzika; pse e prek njeriun, pse e kondicionon në mënyra të ndryshme gjendjen e tij, pse e mallëngjen, pse shkakton lot në sy? Dhe të tëra këto të duken si një mister por, një gjë është e vërtetë e pakundërshtueshme, se muzika, aq më tepër ajo polifonike me harmoninë e saj të ëmbël ushtron një ndikim jashtëzakonisht të çuditshëm mbi shpirtin e njeriut, e prek atë, e mallëngjen deri në atë shkallë sa të mos mund të mbahen lotët, por dhe e mbush me ndjenja fisnike e njerëzore, e largon nga mendimet e dëshirat e dobëta, e ngre në një botë tjetër ideale, në një botë ku njeriu kënaqet të jetojë qoftë përkohësisht dhe i larguar nga instinktet e këqija, por i dhënë me shpirt pas bukurisë hyjnore dhe shkëlqimeve të patreguara të një jete ideale, shpirtërore.

   Kush është ai, që nuk u lumturua, sa herë pati mundësinë të ndodhet në një kishë me një kor, që e mbush faltoren e shenjtë me tinguj harmonik, me zëra plot ëmbëlsi e madhështi hyjnore? Cili është ai që nuk u prek shpirtërisht, që nuk ndjeu mallëngjim, që nuk ndjeu pendesë të vërtetë, që nuk derdhi lot, sa herë kori me meloditë e tij magjike drejton lutje tek Zoti ynë, lutje për të kërkuar paqe në botë, dashuri dhe vëllazërim midis njerëzve, shpëtim nga të këqijat e fatkeqësitë e kësaj bote, këshilla për rrugën e drejtë, falje të mëkateve etj.

   Ndërkohë shtojmë se, që nga kohët e vjetra është vënë re, se parimi “e këndshmja të bashkohet e të lidhet me të dobishmen” sjell përfundime edukative shumë të mira. Dhe në bazë të këtij parimi, dhe himnet e ceremonive fetare, në mënyrë që të bëjnë një përshtypje të madhe në shpirtin e besimtarit, që përmbajtja e tyre të arsimohet e të bëhet udhëzues i tij gjatë jetës, është nevojë që të këndohen me një muzikë, e cila të ketë fuqinë për të mbushur shpirtin e dëgjuesit me një kënaqësi sa të jetë e mundur më të madhe. Për këtë arsye, Etërit e Kishës sonë synuan ta fusin atë në kishë, që në fillimet e saj. Dhe kjo duke menduar se muzika është një mjet i fortë për të tërhequr njerëzit dhe për t’ua paraqitur atyre mësimet më të dobishme në një mënyrë të pëlqyer e të këndshme. Dhe kjo muzikë harmonike hyri në kishat tona nëpërmjet psaltëve dhe koreve kishtare.[2]

   Kur muzika kishtare filloi të zhvillohet e të përsoset, atëherë u ndje nevoja dhe për njerëz të posaçëm që të ekzekutojnë meloditë e saj. Formimi i këngëtarëve kishtarë ka filluar që në kohën e Apostujve. Roli i tyre deri në shek. IV nuk qe edhe kaq i rëndësishëm, meqenëse edhe këngët e asaj periudhe ishin të thjeshta. Por më vonë, kur Etërit e Shenjtë i perfeksiononin këngët, doli në pah roli i rëndësishëm i këngëtarëve në Meshë dhe kjo bëri që Sinodi i Laodikesë (364) të saktësojë: “Të krijohet një klasë personash që të këndojnë në kishë”. Madje theksohej se “…këngëtarët të mos jenë të pushtuar nga ndonjë ves i keq, të mos bëjnë lëvizje me dorë apo me këmbë në kohën kur këndojnë, të mos përkulin trupin në drejtime të ndryshme dhe të mos përdorin thirrje të fuqishme gjatë këndimit…”, ndërsa në Sinodin VI Ekumenik (680) u vendos që të ndalohet çdo lloj lëvizje gjatë këndimit.

   Numri i këngëtarëve në kishën e hershme nuk ka qenë i caktuar, por dihet se në kohën e Perandorit Irakli (610) në Kishën e Shën Sofisë në Konstandinopojë “…gjendeshin 25 këngëtarë, 160 anagnostë dhe 70 nëndhjakonë, të cilët formonin koret”.

   Këngëtarët, kulturën muzikore e merrnin prej muzikantëve më të famshëm në shkollat e muzikës.

   Dihet se në Konstandinopojë dhe në qendrat e mëdha patriarkale, si në Aleksandri, Antioki, Jerusalem, ka pasur shkolla të muzikës. Por, në Konstandinopojë ka qenë një shkollë, e cila ka bërë histori, ka qenë në krye të të tërave, si për programin e veçantë që ka pasur, por dhe nga roli që ka luajtur në përhapjen e muzikës në vende të tjera, aq më tepër kur filloi që dorëshkrimet t’i shumfishojë e t’i shpërndajë.[3]

   Duke filluar që prej vitit 1909, kur Fan S. Noli vuri në përdorimin e Kishës Orthodhokse Shqiptare përkthimet në shqip të Liturgjisë së Shenjtë, që atëherë mund të flasim për një lindje të melurgjisë bizantine me karakter shqiptar. Pra, që prej asaj kohe u vu në historinë e artit muzikor shqiptar guri i parë për fillimin dhe zhvillimin e muzikës dhe melurgjisë bizantine me nuanca shqiptare.

   Në kohën kur Imzot Noli ka qenë kryeministër, ishte ai, i pari që subvencionoi për herën e parë për një kor kishtar të formuar prej “djelmënisë Orthodhokse” dhe elementit rus që ndodhej në atë kohë në Tiranë, kor që këndonte rregullisht për çdo të diel në Katedralen Orthodhokse të Tiranës. Ky fakt ka një rëndësi të veçantë për historinë e artit të muzikës dhe veçanërisht për historinë e koreve kishtare në Shqipëri. Para këtij grupi koral, nuk ishte formuar ndonjë tjetër grup i tillë dhe se për herën e parë dëgjohej në Shqipëri kjo formë muzikore e të kënduarit.[4]

   Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka treguar një kujdes të posaçëm për muzikën kishtare, bizantine dhe evropiane. Në programin e Seminarit Kombëtar Orthodhoks “Apostull Pavli”, që funksiononte që prej vitit 1930 ishte vënë si lëndë e detyrueshme mësimi i këngës kishtare; studentët mësonin të psalnin në shërbesat fetare, por dhe të njihnin muzikën bizantine. Në 1933-1934, në programin mësimor të tij u caktuan 4 orë në javë për muzikën dhe këngën; ndërsa më vonë, muzika bizantine u veçua si lëndë më vete. Në këtë Seminar, pedagogë për muzikën bizantine ka qenë z. Dh. Beduli dhe për muzikën moderne znj. Jorgjia Filçe (Truja).

   Muzika kishtare mësohej edhe në Seminarin Orthodhoks “Jovan Banka” në Korçë, ku mësues muzike kanë qenë z. Paskal Banda dhe Miçua i verbër.[5]

   Në 1934, z. Dh. Beduli ngriti zyrtarisht korin e rregullt të Seminarit,[6] hapat e para të të cilit kishin nisur që një vit më parë. Funksionimi i këtij kori u prit me kënaqësi dhe pati jehonë tek besimtarët orthodhoksë, jo vetëm të Tiranës, por dhe tek ata në Durrës, Kavajë, Shën Vlash e Shën Jon, ku ai këndonte[7] herë pas here, gjatë Liturgjive Hyjnore me shërbesat përkatëse, por edhe me pjesë të tjera fetare. Ky kor vazhdoi me këtë mënyrë organizimi deri në vitin 1942. Pas këtij viti, seminaristët e talentuar në muzikë merrnin pjesë në korin miks apo në korin e fëmijëve të Kishës Katedrale të Tiranës.

   Në korin e Seminarit, që rinovohej herë pas here me seminaristë të rinj, u dalluan talente, si: Konstandin Trako,[8] Themistokli Mone, Theofan Doko, Efthim Dheri etj., të cilët më vonë zunë vend kryesor në fushën e muzikës shqiptare, u bënë pararoja e personaliteteve muzikore në Shqipëri, dhanë një ndihmesë të madhe, jo vetëm në zhvillimin e koreve kishtarë, por dhe të koreve kryesore në vendin tonë.

   Kori i Seminarit u bë mjaft i dëgjuar, jo vetëm se merrte pjesë në Liturgjitë Hyjnore,[9] që kryente Kryepeshkopi në kisha të ndryshme, por dhe në ceremoni të veçanta, si: në përshpirtje, në pritje, në panaire tradicionale[10] etj., madje ai ftohej nga shumë kisha për të marrë pjesë në Meshat Hyjnore[11] të qyteteve të tyre. Ky kor arriti këtë emër të mirë, kur në të njëjtën kohë me të ekzistonin dhe kore të tjera kishtare me mjaft përvojë, sepse siç dihet shoqëri korale kanë qenë themeluar edhe më parë.[12]

Siç e thamë, më 1924 në Tiranë, është formuar kori i parë kishtar në gjuhën shqipe, i organizuar prej një profesori rus, i cili përdori si bazë disa melodi të Kishës Ruse, melodi që ndodheshin në dorëshkrim pranë bibliotekës së Seminarit.

   Edhe në Korçë herë pas here, me anë të profesorëve të shquar të muzikës z. Kristaq Kono dhe Sotir Kosmo, si dhe të rinisë përparimdashëse orthodhokse, janë formuar shoqëri kishtare korale, më të mëdha se në çdo vend tjetër të atdheut.[13]

  1. Dh. Beduli pati formuar korin e ri miks kombëtar[14] më 1935, gjithashtu një kor në Pogradec (1936) dhe një në Durrës (1938), përveç atij në Seminarin e Tiranës.

   Shoqëri kishtare korale janë formuar në Elbasan prej z. Petro Kulino e Vangjel Popa, mësues në atë qytet; në Fier prej z. Anastas Gjoka, po mësues feje; në Berat prej mësuesit z. Pandi Bogadini dhe në Vlorë prej Profesor Kadit, por që të gjitha mjerisht me një jetë jo shumë të gjatë.
Ndërkohë përmendim se, mjaft nga seminaristët apo studentët e Teologjisë, kur ktheheshin në vendet e tyre për pushime ose aty ku caktoheshin me detyra nga kisha, ngrinin kore kishtare. Këta e kryenin këtë punë me një dëshirë të veçantë, sepse qenë të të njëjtit edukim dhe ishin të brumosur nga mendimi: “Kori bizantin është kori i shpirtit njerëzor, frymëzim për një jetë të pastër e të amshuar, e pasqyrim real i saj”.

   Me shpalljen e Autoqefalisë dhe me përdorimin e gjuhës shqipe në shërbesat fetare duhej të nisej dhe punimi i këngës kishtare në gjuhën tonë. Por, deri më 1933 nuk njihet ndonjë punim i tillë, ndonëse funksiononte dhe Seminari.

   Në vitin arsimor 1934-1935, për t’u ardhur në ndihmë nxënësve dhe për të ndihmuar në përhapjen e muzikës kishtare në vend, z. Dh. Beduli hartoi një tekst teorie të këngës dhe të muzikës kishtare, “tekst i cili përdorej edhe në Seminar”,[15] gjë që vlejti për kualifikimin e këngëtarëve psaltë apo koristë.

   Po kështu, për të çuar më tej këtë punë, vetë dirigjentët që aktivizoheshin, përzgjidhnin pjesët muzikore që do këndoheshin dhe i harmonizonin ato me shkrim bizantin apo me nota. Njihen këto punime: “…z. Dh. Beduli ka vënë me nota të muzikës bizantine: “O Zot thirra te ty” dhe “Çdo frymë” në të tetë tingujt; Meshën e Shën Joan Gojartit në një, dy dhe tre zëra, duke pasur për bazë tekstin e profesorit të muzikës bizantine në Greqi, J. Saqellaridhis; Shërbesën e Javës së Madhe; Himnin Akathist dhe disa nga himnet e Pashkës së Madhe. Këto ndodheshin në dorëshkrime pranë bibliotekës së shkollës. Më 1936, i erdhi Kryesisë së Kishës një punim tjetër muzikor në dorëshkrim i titulluar: “Librezë muzike kishtare” prej z. Dhimitër Antoniadhi nga Korça, që përmbante 11 Mëngjesoret, disa lavdërime prej Pesëdhjetores dhe disa pjesë të tjera. Edhe ky dorëshkrim ndodhej pranë arkivës së Kryepiskopatës”. Janë përpunuar “përlëshoret e të tetë tingujve” me muzikë bizantine prej prof. Konstandin Trakos, i cili ka harmonizuar për kor miks me nota moderne dhe Meshën e Shën Joan Gojartit të melodisë bizantine sipas J. Saqellaridhit.

   Ndërkohë duhet shtuar se janë botuar me nota moderne dhe dy libra: “Himnorja” prej Imzot Fan. S. Nolit (1936), një libër muzike për kor miks me pjesë nga të Meshës prej kompozitorësh të ndryshëm, në të cilën ai ka shtuar dhe disa melodi tradicionale bizantine të harmonizuara prej atij vetë, si dhe libri “Vajtimet e Përmbivarrshme”, me muzikë mbledhur dhe radhitur nga prof. S. V. Kostoja botuar më 1935.[16]

   Theksojmë se shumë nga dirigjentët tanë e kishin më të lehtë të shkruanin muzikë kishtare me nota moderne, mbasi nuk e zotëronin mirë shkrimin bizantin. E pra, kjo ka bërë që përveç muzikës kishtare bizantine, në Kishën tonë të përhapet dhe kënga kishtare korale me nota moderne.

   Deri në vitin 1946 dihet se funksionuan normalisht disa kore kishtare, që ishin ekzistues në qytete të ndryshme, por me shtrëngesën që filloi të bëjë sistemi qeveritar i atëhershëm kundër fesë, gradualisht këto kore pothuaj u shuan.

   Megjithëse në kohë jo të favorshme, sepse njerëzit që vinin në kishë shiheshin vëngër e ndonjëherë kishin dhe pasoja, koret në Tiranë e Korçë arritën të mbaheshin. Për faktorë të ndryshëm, të hershëm e të rinj, besimi në këto qytete mbetej ende i fortë dhe kjo “detyroi” vazhdimësinë e koreve. Besimtarët e këtyre qyteteve interesoheshin për mbarëvajtjen e tyre, sepse kënaqeshin shpirtërisht nga këndimet e tyre. “…Si vini me korin e kishës? Shumë përgëzime, ju kemi dëgjuar…. Sa për korin tonë të vogël, por besnik, këtë kor pas vdekjes së të ndjerit Raqi, e dirigjon një vëlla tjetër, por zërin na e jep motra më Krishtin, Afrulla, që është e verbër, dhe për këtë ky kori tonë ka një vleftë më të madhe nga gjithë ato kore të tjera, që ka patur Korça”.[17] E këto kore funksionuan deri më 1967, kur u ndalua feja dhe u mbyllën kishat. Mbyllja e tyre ishte një qëllim i veçantë i organeve partiake të asaj kohe, madje duke e quajtur atë një arritje, një sukses me rëndësi.[18]

   Gjatë periudhës 1945-1967 nuk është botuar apo arkivuar gjë për muzikën kishtare, megjithëse koret funksiononin,[19] megjithëse janë realizuar përpunime prej dirigjentëve të tyre. Ndërkohë duhet theksuar se dorëshkrimet me muzikë që ekzistonin dhe ndodheshin në arkivin e Kryepiskopatës apo në bibliotekën e Seminarit në Tiranë, u shkrumbuan mëngjesin e datës 4.11.1944, kur u dogj godina e Mitropolisë (Kryepiskopatës) me gjithçka, gjatë luftës për çlirimin e Tiranës. E pra, kështu humbi një dokumentim i vlefshëm i traditës korale të Kishës sonë.

   Para viteve 1945, rolin e përhapjes së kësaj muzike, përveç Kishës e ka luajtur disi dhe Radio Tirana, duke incizuar e transmetuar mesha të plota dhe himne të veçanta, por kjo gjë u kufizua shumë nga qeveritarët e pas çlirimit, sa mund të themi se deri më 1967 prej saj janë transmetuar shumë pak mesha (numërohen me gishta) dhe kjo thjesht për efekte propagandistike[20] për shqiptarët jashtë atdheut.

   Në ecurinë e koreve kishtare rol kryesor kanë luajtur dirigjuesit e tyre, të cilët pavarësisht nga përkrahja që u jepte Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë (K.O.A.SH.), vetë ata qenë iniciatorë të krijimit dhe funksionimit të koreve, vetë ata ishin që i mblidhnin njerëzit, vetë ata i zgjidhnin dhe i përpunonin himnet që këndoheshin. Në shtypin e kohës apo në shënime të veçanta gjejmë edhe të dhëna tjera për praninë e koreve kishtare, si:

   – Kori miks i Elbasanit i dirigjuar prej profesorit të mirënjohur Fotaq Filipeut këndoi me sukses në panairin e Shën Jon Vladimirit.[21]

   – Festimi i Javës së Madhe[22] në Korçë. Kori miks i Katedrales dirigjohet nga profesori z. Kostaq Osmanllia dhe përbëhet nga 36 pjestarë. Kori miks i Shën Gjergjit me emrin “Vllezërit mbë Krishtin” dirigjohet për dy vjet rrjesht prej profesorit z. Dh. Kostandinit dhe përbëhet prej 40 pjesëmarrësish. Kori miks i Shën Ilisë dirigjohet prej Profesorit të mirënjohur vullnetar z. Spiro Konda dhe përbëhet nga 16 pjestarë. Si as në një tjetër vit nuk ka patur Korça tri kore.

   – Z. Ilo Mosko ka drejtuar korin e Kishës së Shën Gjergjit në Korçë më 1932, po kështu dhe korin e Katedrales Burimi Jetëdhënës në periudhën 1937-1938.[23]

   – Korin e Katedrales Burimi Jetëdhënës në Korçë më 1943-1944 e ka drejtuar z. Kostaq Osmanlli.[24]

   – Efthim Dheri dirigjoi korin miks të Durrësit.[25]

   – Kori kishtar miks i Beratit i ngritur e drejtuar nga Pandi Bogadini, mësues i ardhur nga Korça.[26]

   – Aleks Jan Pjetri[27] nga Durrësi, protopsalt në disa kisha dhe dirigjent kori. Organizoi të parin kor kishtar në gjuhën shqipe në Durrës. Më 1929 riorganizoi korin në kishën e Tiranës, të cilin më vonë e dirigjoi profesori rus Evgjeni Kiriev, ndërsa më 1930 organizoi korin kishtar në Shkodër e më pas në Kavajë. Më 1945 dirigjoi përsëri korin bizantin të kishës në Tiranë. Më 1928 botoi librin “Disa Psallme” (për koristët e Kishës Orthodhokse), i cili kishte lutjet në shqip, por pa nota muzikore. Më 1928 ka vënë me muzikë këngën e Krishtlindjeve “Mirëmëngjes zonja zotërinj…”, mjaft e njohur edhe sot për besimtarët orthodhoksë.

   – Kori bizantin i kishave në Polenë, që para çlirimit e në vazhdim e drejtoi Xhuvi Konstandini.[28]

   – Më 1991, menjëherë pas rihapjes së kishave, u ngrit kori kishtar në Korçë, me drejtues z. Dhimitër Kondakçi,[29] që vazhdon edhe sot të këndojë në kishën e Mitropolisë.

   – Jorgaq Nano, “Artist i merituar” ka qenë dirigjent i korit të Kishës së Shën Ilias si dhe i korit bizantin Shën Niketa[30] në Korçë, kor i cili nuk e pati jetën të gjatë.

   Gjatë kohëve të shkuara, me siguri ka pasur dhe shumë dirigjentë të tjerë, që kanë bërë punë të mirë në këtë drejtim dhe duhet të kenë lënë dhe gjurmë, por i bie detyrë studiuesve tanë që të zbulojnë emrat e tyre e të nderojnë veprën që ata lanë, e cila siç dihet, kryesisht është bërë vullnetarisht, nisur nga pasioni personal dhe respekti për traditën fetare.

   Me ardhjen e demokracisë mbas vitit 1990, besimtarët filluan të kujtojnë traditën. Menjëherë, pas hapjes së kishave u ngritën kore kishtare në Tiranë (më 7.6.1991 në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë korin e organizoi dhe dirigjoi artisti Eno Koço),[31] në Korçë, në Seminar dhe u ngritën pranë kishave kurse për muzikë bizantine (të cilat nuk ecën si duhet, me përjashtim të grupit të Atë Justinit në Tiranë).

   Në këtë kohë ringjalljeje, kur kishin humbur dhe ishin harruar disi traditat e fesë, po ashtu edhe për koret kishtare, udhëheqës në organizim, në zgjedhjen e pjesëve për t’u kënduar dhe në dirigjim u bë i apasionuari pas kësaj muzike z. Dh. Beduli, i cili siç shkruan z. Milto Vako: “… dha një kontribut shumë të madh për formimin sërish të korit kishtar. Çdo të diel, kur kisha jonë ishte mbushur plot e përplot dhe kur Liturgjia Hyjnore arrinte në pikën kulmore, kur të gjithë besimtarët në një kor të vetëm këndonin himnin “Shenjt Perëndi…”, “Emri i Zotit qoftë i bekuar…”, si dhe himnin kryepiskopal, dirigjent ishte zoti Beduli. Besimtarët nuk do ta harrojnë kurrë mësuesin dhe dirigjentin e tyre. Në kujtesën e tyre ai do të dirigjojë gjithnjë”.[32]

   Po kjo gjë ndodhi edhe në Korçë, të apasionuarit e muzikës kishtare nuk e humbën rastin për t’u këshilluar me të hershmit e për të ngritur kore. Pra, filloi “rilulëzimi” i muzikës kishtare bizantine.

   Një ndihmesë të madhe në “rilulëzim” dha Seminari Orthodhoks Teologjik-Hieratik “Ngjallja e Krishtit” (sot Akademia Teologjike), jo vetëm me mësimin e kësaj muzike, por dhe me materialet që hartoi e shpërndau. Në vitin 1993, Seminari ka përgatitur dhe shpërndarë të fotokopjuar librin “Teoria e Muzikës Bizantine”, përkthyer nga z. Dhimitër Beduli; pak më vonë, Seminari përgatiti dhe shpërndau të fotokopjuara në tri volume[33] shërbesat në shqip me muzikë me shkrim bizantin, të hartuara nga murgu Atë Damaskin Grigoriati (nga Mali Athos)[34], pedagog i muzikës bizantine. Po kështu, më 2001 është përgatitur dhe shpërndarë në Akademinë Teologjike libri “Teoria elementare e Muzikës Bizantine” i hartuar nga Atë Justini (nga Mali Athos), pedagog i kësaj lënde, i cili më 2004 botoi librin “Anastasimatari”, të cilin e pati nisur në dorëshkrim fillimisht më 1996 për kursin e parë të muzikës kishtare bizantine.

   Edhe libri “Muzikë bizantine – shkrimi muzikor dhe sistemi modal” botuar më 1997 i profesor Sokol Shupos ka zënë vendin e tij në fondin e kësaj muzike.

   Ndërkohë vënia në qarkullim (deri më 2005) nga K.O.A.SH-i e 4 kasetave dhe e një cd me muzikë kishtare bizantine të kënduara nga kori bizantin si edhe transmetimi i mjaft programeve me këtë lloj muzike nga Radio “Ngjallja” (FM 88.5) e Kishës Orthodhokse kanë bërë që kjo muzikë përveç se të këndohet në Kishë, të jehojë edhe në shtëpitë e besimtarëve dhe dashamirësve të saj.

   Sot një punë të mirë për njohjen e veprimtarisë muzikore të mjaft personaliteteve muzikore në vend, përfshi dhe atyre që janë marrë me muzikën bizantine, po bën edhe Qendra për Dokumentimin dhe Komunikimin e Muzikës Rajonale e drejtuar nga prof. Sokol Shupo, i cili jo vetëm ka inventarizuar materialet muzikore të njohura, por edhe ka realizuar botime informuese rreth tyre.

   Le të veçojmë disa pjesë nga tre shkrime të hershme mbi koret kishtarë dhe mbresat që kanë lënë këndimet e tyre tek besimtarët orthodhoksë:

 

I – Kremtimi i dyvjetorit të korit miks të Shën Gjergjit në Korçë[35]

 

   Nuk do lë pa kujtuar se para dy vjetësh, ky kor u fillua vetëm me tetë pjesëtarë, por se këta të përkrahur dhe të inkurajuar prej epitropëve dashamirës të kësaj kishe, dhe të cilët ishin vetëm djem, nuk vonuan që me dëshirën e tyre të përmbushin fjalët e Jisu Krishtit që shkruhen në Ungjill: “Pak brumë mbrun një sasi të madhe brumi”. Pasi kaloi një kohë, një vajzë besëtare e çeli rrugën që kori të bëhej miks, dhe çapin e saj nuk vonuan ta pasojnë edhe shumë të tjera.

   Qëllimi i këtij kori, pikësëpari ka qenë për të ndihmuar kishën e Shën Gjergjit që ka mbetur në gjendje të vajtueshme që nga viti katastrofal i 1929-ës. Qëllimi i dytë dhe i barabartë ka qenë dhe është për të ndihmuar një vëlla e një motër, të cilët fatkeqësisht prej vogëlie u ndodhën të verbër. I pari është drejtuesi i këtij kori profesor Dhimitër Konstandini dhe e dyta është Afrulla Sholla, një besëtare e vërtetë, të dy kanë mbaruar shkollën e të verbërve në Athinë. Afrulla bën pjesë në zërin e parë, soprano, të këtij kori dhe është shumë e dashur midis gjithë pjesëtarëve që e rrethojnë. Të dy kanë vënë tërë energjitë e tyre për ta bërë sa më të kënaqshme punën kundrejt dëgjuesve.

   Një shembull, të këtij kori e vijuan dhe një grup besëtarësh të tjerë, të cilët formuan dy kore për dy kisha të tjera të qytetit. Të dy këtyre koreve, pjesëtarët e Korit të Shën Gjergjit, me rastin e dyvjetorit ju urojnë një jetë të gjatë, vullnet e dashuri kundrejt Kishës.

   Pasi mbaroi mesha dhe mbrëmësorja, besnikët u ngjitën lart, ku pjesëtarët e korit kishin bërë pritjen e duhur. Në këtë e sipër, si shenjë falënderimi, vajza tetëvjeçare e zërit soprano e quajtura Rozmari Gaqo Jorganxhi, pasi hipi mbi një tryezë filloi fjalën e saj me plot gëzim, si vijon: Rruga që gjeti e krishtera!

   Fjala e mbajtur prej së voglës u duartrokit nga të gjithë dhe u brohorit me zëra të përbashkëta, duke uruar veçanërisht dhe babanë e saj, i cili bën pjesë me zërin e katërt, baso, në këtë kor. Pastaj kori i Shën Gjergjit, këndoi himnin Shenjt, Shenjt… si dhe himnin e Shën Gjergjit.

 

II – Kori i fëmijëve në Kishën e Tiranës[36]

 

   Ditën e festës së Shën Marisë, më 15 gusht, ka qenë në kishë një surprizë. Himnet e Meshës u kënduan për herë të parë nga sa di vetë, prej një kori fëmijësh të vegjël, të cilët me zërin e tyre engjëllor prekën thellë shpirtet e gjithë shpresëtarëve. Në fjalimin që mbajti Kr. H. Tij Kristofori, gjatë meshës, shpjegoi se ky kor u organizua me iniciativën e Kryesisë së Kishës dhe nën drejtimin e profesorit të mirënjohur z. Konstandin Trako, prej afro 50 fëmijësh, djem e vajza, prej 12 vjet e poshtë, që ndjekin mësimin e fesë. Është me të vërtetë një vepër e lavdërueshme ky kor i fëmijëve…

 

III – K.O.A.SH. dhe muzika korale ndër kisha[37]

 

   Muzika korale kishtare ka filluar të marrë hov të madh zhvillimi, jo vetëm këtu, por edhe në qytete të tjerë të Shqipërisë. Ekzistenca e këtyre koreve në disa kisha të vendit, do të ketë efekte të mëdha, sepse me kohë ajo ushtron dhe zhvillon shoqërinë shqiptare me ndjenjën dhe shijen e muzikës harmonike. Kisha ka kuptuar me kohë rëndësinë dhe rolin që mund të ushtrojnë tingujt harmonikë mbi shpresëtarinë e besnikëve. Prandaj që prej dy vjetësh me përkujdesjen dhe interesimin e Kryehirësisë së Tij është organizuar në kryeqytet një kor i madh miks, i cili këndon çdo të diel në katedrale. Rreth këtij grupi, për zhvillimin e artit muzikor religjioz, janë mbështjellë rreth 70 të rinj, djem e vajza, të cilët me një dëshirë të flaktë për muzikë dhe art, vazhdojnë të këndojnë me shumë muzikalitet e mjeshtëri të sprovuar, këngët fetare për çdo të diel në kishë.

   Ky grup koral meriton gjithë lavdërimet, mbasi kushdo që e ka dëgjuar në kishë apo në radio, ka shfaqur kënaqësinë për ekzekutimin dhe omogjenitetin perfekt të këngëve dhe më në fund ka mundur të thotë se: ky kor është shumë i mirë dhe nderon jo vetëm Kishën Orthodhokse të kryeqytetit, por edhe gjithë kombin shqiptar, sepse gjendet në një shkallë perfeksionimi të barabartë me shoqëritë korale mikse të kryeqyteteve ballkanik.

   Si një simpatizues i muzikës le të më lejohet t’i paraqes Kryesisë së Kishës një propozim: meqenëse kori miks është mburrja e kishës dhe lavdia e kombit tonë, ky kor do të ishte e mira që të hidhte një vështrim pak më tej, pra të dilte edhe jashtë rrethit e ambientit kishtar, duke na dhënë në salla të ndryshme disa herë në vit, jo vetëm koncerte religjioze, por edhe koncerte të tjera.[38]

   Prandaj për lartësimin artistik të kombit si dhe për edukimin muzikor të popullit tonë duhet që kori miks i Tiranës, të dalë dhe jashtë rrethit të ngushtë, ku prej dy vjet në heshtje po punon dhe me tingujt e tij të ëmbël të përhapë kulturën e artit muzikor jo vetëm në kishë e anembanë vendit, por edhe jashtë kufijve të saj.[39]

   Nga sa dimë, tash 10 vjet më parë, elementët që e formuan këtë grup ishin në një numër mjaft të vogël. Më vonë dhe pikërisht dy vjet më parë, të riorganizuar dhe më fort të shtyrë prej ndjenjave artistike, elementët filluan të shumohen gjë që arriti tani deri në 70 persona, e mund të shtohen edhe më.

   Me përkujdesjen e Kryesisë së Kishës u formua dhe u përgatit një kor fëmijësh me dy dhe tre zëra, kështu që gjatë pushimeve të korit miks, të këndojë kori i fëmijëve. Dhe kjo iniciativë është ndër më të bukurat. Për botën e qytetëruar këto kore janë të zakonshme, ndërsa për ne është një detyrë kaq e rëndë dhe me përgjegjësi kundrejt zhvillimit të rregullt e të përpiktë të lutjeve fetare në kishë, pra ka qenë një fakt i papritur dhe një eveniment me rëndësi kryesore për historinë e muzikës dhe veçanërisht për historinë e muzikës korale të fëmijëve në kombin shqiptar. Mosha e këtyre fëmijëve nuk është më e madhe se 10-12 vjeçare si dhe numri i koristëve të vegjël nuk kalon të 50 djem e vajza. Këngët e tyre të bukura e të rregulluara në harmoni të thjeshtë, si edhe zërat e tyre pak të fuqishëm, të hollë e të ëmbël bëjnë përshtypjen se janë duke kënduar disa engjëj qiellorë, sidomos kur respektojnë besnikërisht rregullat teknike të të kënduarit.

   Të tilla iniciativa të mos humbasin kurrë, mbasi ato janë të dobishme, të frytshme dhe të nevojshme për kulturën tonë të arteve fisnike, sidomos për atë të muzikës. Duhet t’i japim një hov të madh këngës korale, sepse prej saj presim me siguri në të ardhmen zhvillimin e plotë të artit muzikor shqiptar.

   K.O.A.SH-i me anë të përhapjes dhe vënies së muzikës korale ndër kishat e mbarë vendit, ndihmon më së miri për edukimin e popullit drejt artit muzikor. Kontributi dhe aktiviteti i saj nuk shtrihen vetëm në Tiranë, por zgjerohet edhe në Korçë, ku janë tre kore të mirë, në Elbasan, Berat, Vlorë e tani së fundi në Kavajë. Ja pra, një punë mjaft e rëndë, sa artistike aq edhe kombëtare, që ka marrë përsipër të kryejë Kisha Orthodhokse, punë që do elementë, material dhe kohë të gjatë për edukimin e plot artistik muzikor të kombit shqiptar.

   Po sot? Rinia jonë Orthodhokse i dëgjon me dëshirë himnet e kënduara nëpër kisha nga koret, merr pjesë me kënaqësi në koncertet e koreve bizantinë, ndjek me mjaft interes Festivalet e Rinisë Orthodhokse, që zhvillohen çdo vit, ku detyrimisht çdo grup këndon dhe këngë kishtare.
Si përfundim, dua të ritheksoj me mburrje rolin që ka luajtur e po luan Kisha jonë Orthodhokse në zhvillimin dhe përhapjen e kësaj muzike. Këtu përfshihet dhe merita për edukimin e sa e sa njerëzve në shkollat tona orthodhokse, të cilët e mësuan këtë muzikë, e përhapën dhe e përhapin ende atë vullnetarisht e me dëshirë. Dhe këta kanë qenë e janë të shumtë.
Për sa shkruam, në përgjithësi janë arritje të shëndosha dhe të papërsëritshme të paraardhësve tanë, të njerëzve tanë të sotëm, arritje artistike që llogariten ndërmjet kapitujve kulmorë të artit tonë, arritje e ndihmesë e rëndësishme dhe ndaj njerëzimit. E pra, si Kishë Orthodhokse “jemi një qendër rrezatimi kulturor dhe shpirtëror për vendin…”, ashtu siç thekson vazhdimisht Kryepeshkopi ynë i nderuar Anastas.

  

Botuar në revistën “Tempulli” nr. 11 (revistë periodike kulturore), Korçë, 2005. 

 

 

——————————————————————————————————————–

 

[1]  Prof. Konstandin Trako, “Muzika në Kishat Orthodhokse”, Jeta Kristiane, Nr. 2, prill 1943.

[2]  “Muzika në kishat tona”, Jeta Kristiane, Nr. 6-7, gusht-shtator 1940.

[3] Konstandin Trako, “Këngëtarët kishtarë”, Jeta Kristiane, korrik-gusht 1943

[4]  Konstandin Trako, “Imzot Fan S. Noli, muzikant-kompozitor”, Jeta Kristiane, Nr. 3, maj, 1944.

[5]  Kristofor Beduli, Shkollat Teologjike Hieratike, Neraida, Tiranë 2002 (Letër e z. Ilo Furrxhi e datës 29.6.2001).

[6]  Predikimi, Nr. 9, Tiranë 7 maj 1934. Në artikullin “Pashkët othodhokse në kryeqytet” thuhet: “…asht për t’u shënue organizimi i rrall në çdo pikpamje, si në rregullin disiplinor, në zbukurim dhe në muzikën moderne dhe atë bizantine të përpunueme. Në ato ditë nga të gjithë u përmendën me shumë lëvdata bukuria e këndimeve të këngëve kishtare …

[7] Dirizhuesi i të cilëve ishte studenti shqiptar i ardhur prej Rumanie z. Dhimitër Beduli, i cili jep mjaft shpresa për përparimin në të ardhmen”.

[8]  Predikimi, Nr. 6, Tiranë 15 mars 1934; Predikimi, Nr. 49, Tiranë 31 maj 1935 etj.

[9] Për më shumë shih K. Beduli – Seminaristi K. Trako, profesor i dirigjentëve koralë… Gazeta Ngjallja, gusht 1999.

[10]  Predikimi, Nr. 6, 15 mars 1934; Predikimi, Nr. 62, 16 kallnuer 1936; Predikimi, Nr.8-10, gusht-tetor 1937; Predikimi, Nr. 11-12, nëntor-dhjetor 1937.

[11]  Predikimi, Nr. 1, 7 kallnuer 1934; Predikimi, Nr. 43, 17 mars 1935; Predikimi Nr. 8-10, gusht-tetor 1937; Jeta Kristiane, Nr. 9, nëntor 1942; Predikimi, Nr. 49, 31 maj 1935.

[12]  Predikimi, Nr. 11-12, nëntor-dhjetor 1937; Jeta Kristiane Nr. 11, janar 1942 etj.

[13]  Jeta Kristiane, Nr. 8, fq. 235-236.

[14]  Dh. Beduli, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë gjer në vitin 1944, botim KOASH, Tiranë 1992.

[15]  “Kori i ri miks Kombëtar”, gazeta Besa, 6 prill 1935.

[16]  Dhimitër Beduli, “Historia e këngës kishtare”, Jeta Kristiane, Nr. 8, 1941.

[17]  Dhimitër Beduli, “Historia e këngës kishtare”, Jeta Kristiane, Nr. 2, 3, 4, 5 dhe 8, 1941. Shih dhe Dh. Beduli, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë gjer në vitin 1944, botim KOASH, Tiranë 1992.

[18]  Dhimitër Beduli, Përmes shkrimeve, botim KOASH, Tiranë 1999, (Letër e motrës Dhimitra nga Korça, datë 29.9.1958).

[19]  “Bashkë me mbylljen e institucioneve fetare dhe likujdimin e shërbimit të klerikëve, u zbuluan dhe u shkatërruan mjaft veprime me karakter politik e shoqëror, të njohura e të panjohura të fesë. Shpërndarja e këshillave të kishave e xhamive, ku qenë grumbulluar përgjithësisht njerëz të deklasuar, prishi një çerdhe, jo vetëm fetare, por dhe armiqësore. Po kështu, shpërndarja e disa formave të tjera të organizuara pranë institucioneve fetare, si koret e këngëve fetare pranë kishave  është një sukses tjetër me rëndësi (Raport informativ mbi rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa për zhvillimin e mëtejshëm të saj. Dhjetor 1967. Botuar nga arkivi i KQ tek gazeta Metropol 6 shkurt 2005).

[20]  Për korin e Kishës Katedrale në Tiranë, shih At Marko Papajanit dhe shënimet e tij, Neraida, Tiranë 2004.

[21]  At Marko Papajani dhe shënimet e tij, Neraida, Tiranë 2004. Aty përmenden: Pashka e Madhe e vitit 1958, përshpirtja për Imzot Nolin më 21 mars 1965, e cila dhe u filmua nga Kinostudioja.

[22]  Jeta Kristiane, Nr. 4, qershor 1942.

[23]  Jeta Kristiane, Nr. 3, maj 1944.

[24]  Fori Terpini, Si e gjeta Rrugën e Dritës, Kotti 2001.

[25]  Po aty.

[26]  Letra e datës 14.3.1945 e z. Telemak Nushi dërguar z. Dh. Beduli, ku i kërkohet në emër të Administratës së Kishave Durrës të marrë drejtimin e korit meqë z. E. Dheri, i cili e pat drejtuar atë, transferohet me punë në Shkodër.

[27]  Ilia Zaka, “Kori kishtar miks i Beratit. Fotografi e korit miks dalë në Pojan më 15 gusht 1937”, gazeta Ngjallja, gusht 2001.

[28]  Thoma Qendro, ”Aleks Pjetri, një jetë për Kishën”, gazeta Ngjallja, dhjetor 1992.

[29] Fori Terpini, Si e gjeta Rrugën e Dritës, Kotti 2001.

[30]  Po aty.

[31]  Joli Nano, “Kënga të mban gjallë”, revista Këmbanat, maj 2004.

[32]  Dhimitër Beduli, Përmes shkrimeve, botim KOASH, Tiranë 1999, fq. 73. Më vonë këtë kor e dirigjoi për ca kohë z. Petrika Trako. Shënojmë se në atë fundviti z. Minella Kriqi organizoi një kor fëmijësh, që gjithashtu pati sukses dhe u bë i njohur sidomos me kolendrat e Krishtlindjeve. Më 1996 u ngrit dhe një kor i rinisë nga z. Milto Vako, i cili që nga viti 1998 dirigjohet nga zj. Joli Nano.

[33]  Po aty, fq. 163.

[34]  Shih Seminari Teologjik i KOASH “Ngjallja”. Atë Damaskin Grigoriati, murg nga Mali i Shenjtë; Vol. 1 – Mesha e Shenjtë e Joan Gojartit me muzikë bizantine, Durrës 1992; Vol. 2 – Lutjesorja me muzikë bizantine, Durrës 1993; Vol. 3 – Mesha Hyjnore e Joan Gojartit dhe melodi të tjera në muzikë bizantine, Durrës 1992. (Një letër dërguar z. Dh. Beduli, shkruar në fundvitin 1993, Atë Damaskini njofton: “… Gjatë gjithë verës punova në manastir duke shkruar muzikë bizantine në shqip. Shkruajta Anastasimatarin muzikor (255 faqe), Liturgjinë Hyjnore me polielejt qinonikë të vitit, katavasitë e odës së 9-të në vend të “E denjë është … – keruviko, qinonikë dhe liturgjikë në të gjithë tingujt (275 faqe), mbrëmësoren (90 faqe) dhe mëngjesoren me polielejt dhe dhoksollogjitë e avashta (101 faqe). Të gjitha këto, përveç mëngjesores do t’i sjellë në shkollë Atë Tihoni nga Simonopetra, i cili do të vazhdojë mësimet e muzikës.)

[35]  Jeta Kristiane, Nr. 4-5, qershor-korrik 1944. Për anëtarët e këtij kori shih Fori Terpini, Si e gjeta Rrugën e Dritës, Kotti 2001, fq. 231-235.

[36] S. B., “Kori i fëmijëve në Kishën e Tiranës”, Jeta Kristiane, Nr. 6, gusht 1944.

[37]  Jeta Kristiane, Nr. 7-8, shtator-tetor 1944.

[38] Kjo zbatohet sot, sidomos nga kori i radios “Ngjallja” dhe kori bizantin me drejtues Atë Justinin, që marrin pjesë në aktivitetet që organizon Kisha jonë.

[39] Është vënë sot në jetë. Më 1995 kori i kishës së Mitropolisë së Korçës mori pjesë në “Mbledhjen e Hyjnizuar të Orthodhoksisë” në Athinë, ku konkuruan mjaft kore kishtare nga vende të ndryshme dhe ku u vlerësua e u nderua me çmim. (Fori Terpini, Si e gjeta Rrugën e Dritës, Kotti 2001); Kori bizantin me drejtues Atë Justinin ka kënduar më 1998 në disa kisha në Vendet e Shenjta në Izrael dhe në Greqi ku është pëlqyer mjaft nga besimtarët e specialistët e atjeshëm. Më 1999 erdhi në Shqipëri dhe këndoi kori i famshëm bizantin nga Greqia i drejtuar nga z. Likurgos Angjelopulos.